Në dhjetor të vitit të kaluar Bashkia e Divjakës zhvilloi një tender me objekt: “Sistemim dhe asfaltim i rrugës “Mertish-3 Urat”. Fondi limit i tenderit ishte 337. 4 milionë lekë pa TVSH dhe burimi i financimit ishte qeveria shqiptare përmes Fondit të Zhvillimit të Rajoneve. Në tender paraqitën ofertat 3 kompani.

Oferta e parë ishte e kompanisë “Alba Konstruksion sh.p.k”, me 212 milionë 197 mijë lekë ose rreth 2 milionë dollarë. Në vendin e dytë u rendit oferta e kompanisë A.N.K shpk me 279.7 milionë lekë. Por të dy këto kompani u skualifikuan. Tenderin e fitoi Salillari sh.p.k, kompania në pronësi të biznesmenit Pëllumb Salillari, e cila ofroi një çmim prej 317 milionë lekë ose 1 milionë dollarë më shumë se sa oferta më e ulët. Dikur një fatorino autobusi, sot Pëllumb Salillari është një nga oligarkët më të mëdhenj në Shqipëri, me biznes kryesor kontratat publike. Tenderi i Bashkisë së Divjakës për rrugën “Mertish-3 Urat” është vetëm njëri nga episodet që tregon fuqinë dhe lidhjet e forta politike.

Kompania Salillari është fituesja më e madhë e tenderave për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve në Shqipëri, shpesh herë në mënyrë të dyshimtë. Në vitin 2013 kompania realizoi një xhiro rreth 15 milionë dollarë nga kontratat publike, ndërsa një vit më vonë u rendit ndër 50 kompanitë me xhiron më të madhe në vend. Por së fundmi kompania ka filluar të shtrijë interesat edhe në kontratat afatgjatë publike, gjithmonë duke shfrytëzuar lidhjet e saj. Afera e Durrës-Kukës. Tre muaj më parë, Salillari formoi së bashku me shoqërinë Kastrati një konsorcium të quajtur Catalyst për të marrë pjesë në tenderin për konçesionin 35-vjeçar të mirëmbajtjes së rrugës Durrës Kukës.

Pas dorëzimit të ofertave, Ministria e Transporteve e skualifikoi ofertën e dy kompanive dhe shpalli fitues një tjetër konsorcium të drejtuar nga shoqëria turke Vendeka Bilgi. Por ky do të ishte fillimi i një skandali të paprecedentë në historinë e shtetit shqiptar. Catalyst e ankimoi vendimin në Komisionin e Prokurimeve Publike. Ndonëse për shumë kjo u konsiderua si një përpjekje pa asnjë shanspër të ndryshuar rezultatin, pasi në një tender të këtyre përmasave kjo nuk kishte ndodhur asnjëherë, e vërteta rrodhi ndryshe. Komisioni e përmbysi rezultatin duke e thelluar më tej skandalin e këtij konçesionit, që ka ngritur dyshime për korrupsion, shkelje të ligjit dhe konflikt të pastër interesi.

Kryetari i Komisionit të Prokurimit Publik, Gentian Keri, njeriu që ndryshoi fituesin, duke ja hequr kompanisë turke dhe akorduar atë bashkimit të kompanive Kastrati-Salillari, ishte Gentian Keri. Ai është djali i Pilo Kerit, ish-deputet i mazhorancës së majtë dhe një nga ndërtuesit më të mëdhenj në zonën e Beratit me kompaninë Pienvis sh.p.k. Por veç kësaj, kjo kompani është nënkontraktori kryesor i shoqërisë Salillari duke faturuar nga ajo miliona euro në vit. Përmes vendimit për përmbysjen e rezultatit, Keri, ia dha fitoren punëdhënësit të babait të tij, pra kompanisë e furnizon me kontrata qindra milionë lekë. Menjëherë pas vendimi, që ndryshoi fituesin e konçesionit me vlerë 350 milionë euro, ai u largua nga posti i kreut të Komisonit të Prokurimit publik. Ky është një rast i paprecedentë i konfliktit të interesit në administratën publike duke thelluar më tej skandalin korruptiv me vlerë qindra milionë euro, që do të paguhet drejtepërdrejtë nga qytetarët. /SYRI.net/