Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Vinjol
    Anëtarësuar
    28-04-2002
    Vendndodhja
    Fier
    Postime
    1,540

    Blushi në “Opinion”: Partia e re formohet brenda Nëntorit, në themel liria

    I ftuar në studion e emisionit “Opinion” pas largimit të tij dhe deputetes Mimoza Hafizi nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, deputeti Ben Blushi ka folur për arsyet e kësaj lëvizjeje, si dhe disa tema të tjera, ndër to dhe krijimin e partisë së tij të re. Për Blendi Fevziun, Blushi zbuloi se kjo parti do të formohet brenda muajit Nëntor dhe se ajo do të jetë një platformë e njerëzve të zakonshëm dhe jo biznes privat, sikurse është shndërruar Partia Socialiste.

    “Bashkë me zonjën Hafizi që e kam bashkëpunëtore duam të bashkojmë sa më shumë vullnete për një projekt të ri politik që do të marrë formë shumë shpejt. Brenda një muaji do të marrë formë. Brenda muajit Nëntor do të shpallim një projekt të ri politik, i cili do të jetë platformë e njerëzve të zakonshëm. Nuk e kam ambicien për të krijuar parti private. Nëse do doja të isha ortak në një biznes privat, do rrija në PS. Do kisha kuotat më të larta në atë biznes nëse do rrija prapa Ramës në atë biznes. Nuk e kam pranuar”.

    Arsyet përse u largua nga Partia Socialiste

    Intervista në studion e “Opinion” nisi me arsyet e largimit nga Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste. Arsyeja themelore, sipas Blushit, është se në Partinë Socialiste nuk ka zgjedhje të lira, çfarë për të nuk është normale.

    “Pse po ikim nga Rilindja? Nuk mund të qëndrojmë në një parti ku nuk pranohen të zhvillohen zgjedhje. Vendimi ynë, i imi dhe Hafizit nuk është një rrufe në qiell të hapur. Unë kërkova të kandidoj ndërsa rilindja më hoqi të drejtën e kandidimit. Nuk është vendim personal. Jemi dy deputetë që pasi i konsumuam të gjitha mundësitë për të bashkëjetuar në një parti, vendosëm të largoheshim. Ne kemi bërë një betejë brenda PS, që nga fillimi i vitit 2016 për të kërkuar zgjedhje të lira. Një parti e cila eleminon zgjedhjet në të gjitha forumet duke hequr mundësinë për t’u zgjedhur, kjo nuk është normale për mua. Kjo është arsyeja themelore”.



    Z.Blushi ju thatë se keni kujtesën shumë më të shkurtër, por unë mendoj se kujtesën më të shkurtër e keni ju. U konfliktuat me Ramën në vitin 2009, u rikthyehet sërish me Ramën, u larguat sërish nga Rama, tentuat disa herë të flirtonit me Ramën; pra u bënë një seri gjërash që e bënë gati të pabesueshme në vetvete këtë vendim?

    “Të gjitha këto nuk janë të vërteta, por tregojnë vetëm një gjë. Pra i kam shkuar parimit dhe raportit vetëm më një parim në raport me njeriun. “

    Cilit parim?

    “Në vitin 2009, kam kërkuar që Rama të japë dorëheqjen nga Partia Socialiste, por që nuk e bëri. Për shkak se humbi zgjedhjet, pra na la 4 vjet në opozitë dhe unë kërkova që të japë dorëheqjen siç ndodh kudo rëndom. Është normë demokratike është parim moral dhe e kishim sanksionuar në statutin e PS-së. Unë nuk jam bashkuar me Ramën, kam qëndruar në partinë time.”



    Raporti juaj me Edi Ramën në vitin 2013, cili ka qenë?

    “Raporti im ka qenë me parimet dhe jo me Edi Ramën. Të shpjegova se si ra një parti për shkak të dhunës dhe shkak të presionit, për shkak të përdorimit të pushtetit. Por njerëzit që votuan për të bërë një gjë të tillë, nuk besoj se janë qënie të lira. Por nuk është vetëm kaq. Unë kam 2-3 vjet, që them se eleminoheshin zgjedhjet, e kisha thënë në fakt, që flisja në Parlament, edhe në shtyp edhe këtu tek ty, për devijimin e pamundur dhe të shëmtuar të një partie e cila mori votat, për arsye krejt të tjera dhe për të qeverisur ndryshe”.

    Të lutem mi kap me pika që të jenë të kuptueshme?

    “Pra në vitin 2013 nuk janë mbajtur zgjedhje. Partia Socialiste, për shkak të Rilindjes, qeveria nuk e ka aplikuar taksën progresive. Madje kjo është një nga kritikat e mia. Atë e ka aplikuar për popullin, por jo për biznesin. Ka disa lloje taksash, ka taksë për kapitalin, për punën, për qarkullimin. Në taksën për punën, pra për ata njerëz që fitojnë nga 10.000 lekë deri në 100.000 lekë, këta paguajnë taksë progresive deri në 23 përqind. Kurse ai që fiton një milion euro apo dy milion euro taksohet vetëm 15 përqind. Pra Edi Rama nuk ka aplikuar taksën progresive. Pra nuk ka aplikuar taksën progresive për të pasurit, madje ka lënë taksën e sheshtë që kishte Saliu. Sali Berisha kishte taksë të sheshtë 10 përqind, që do të thotë se, pavarësisht se sa fiton, ti paguan vetëm 10 përqind. Edi Rama bëri taksë të sheshtë. Nga 10 e çoi në 15 përqind. Kaq. Por është prapë e sheshtë për kapitalin për bizneset, është progresive për të varfërit. Ata që kanë bëra shkolla më të mira, paguajnë më shumë se shefat e tyre. Një drejtor banke, që mund të ketë bërë një shkolle shumë të mirë dhe e ka rrogën 2-3 mijë euro, e di se sa paguan? 23 përqind, pronari i bankës, pra shefi i tij, që mund të ketë rreth 2 milion euro fitime në vit, paguan vetëm 15 përqind”.

    Blushi e etiketoi Rilindjen si një ndërmarrje private.

    “Rilindja po kthehet edhe ajo në një ndërmarrje private. Nuk ka asnjë ndryshim, kjo nuk mund të ndodhë, siç e thashë në Gjermani. Nuk mund të ndodhë në Angli. Nuk mund të ndodhi në Angli. Nuk mund të ndodhi në Francë. E di se ku eshtë themeli i demokracisë, është demokracia e partive. A mendoni se Angela Merkel të cmendet dhe të thotë se në partinë time nuk ka zgjedhje. Një parti që s’flet askush përveç meje dhe Hafizit, nuk është asgjë tjetër, përveçse ndërmarrje”.

    Ai u ndal edhe tek rrugëtimi i tij përgjatë viteve në politikë. Blushi theksoi se gjatë gjithë karrierës politike, nuk i kishte bërë asnjë dëm këtij vendi.

    “Kam besuar gjithmonë se edhe mund të bëj më mirë se në vitin ’91 kur kam dalur tek studentët edhe në vitin ’97 që kam qenë tërësisht i angazhuar dhe drejtoja të vetmën gazetë të pavarur në Shqipëri edhe në vitin 2013 kur besoja atëherë se Shqipëria do të ishte pak më mirë. Në fakt do të ishte shumë më mirë. Por këto janë kthyer në zhgënjime, nuk do të thotë se i kam shkaktuar unë këto dëme. Edhe pse jemi të gjithë produkt i komunizmit për 50 vjet, dikush ishte 50-vjeç ne të dy ishim 21-vjeç. Por nuk kishte askush përgjegjësi kolektive. Përgjegjësitë janë individuale, unë nuk mbaj përgjegjësi. Dhe nuk shtirem për diçka që nuk jam, jam ky që jam”.



    Bashkëjetesa Rama-Meta është prishur, LSI do të rrijë vetëm në pushtet

    Për Ben Blushin, bashkëjetesa politike mes Edi Ramës dhe Ilir Metës pothuajse është prishur, por kjo sipas tij, i takon atyre.

    I pyetur nga gazetari Blendi Fevziu se në çfarë kushtesh Meta u rikthye në marrëdhënie me Ramën, kur marrëdhënia e tyre ishte prishur, Blushi përgjigjet:

    “Sepse LSI është parti që do të rrijë vetëm në pushtet dhe në këtë amoralitet qeverisjesje të dyja bashkë e kanë shumë të lehtë në qeverisje”.

    Prova se sistemi politik në Shqipëri është kalbur, sipas Blushit është ligji për importin e mbetjeve.

    “Në 2013 PS e kundërshtoi, në 2016 e votoi. Kursë LSI, në 2011 ishte pro përkrah Berishës për këtë ligj, në 2013 e kundërshtoi me PS, ndërsa tani në 2016 është pro me Edi Ramën për këtë ligj. LSI është ndoshta parti unike në Europë.”



    Listat me banditë, ekskluzivitet i Ramës. I zgjodhi personalisht si miq

    Rënia e parimeve duket se mbetet shqetësimi kryesor i Blushit, çfarë e shtyu atë të largohej nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste.

    Ndërsa përmendte futjen e banditëve dhe kriminelëve në listat e kandidatëve për deputetë, Blushi u pyet nga Fevziu se pse nuk e kishte kontestuar këtë vendim të Edi Ramës.

    Ai tha se listat me banditë ishin ekskluzivitet i Ramës dhe se as ai, e as ndonjë deputet tjetër i PS nuk i njihte listat e kandidatëve, pasi Rama i kandidoi banditët si miq të tij.

    “Kë do vendoste në 2013 në krye të listës së Elbasanit? Elvis Rroshin apo Mark Frrokun? Isha në krye të një qarku të rëndësishëm. Nuk kam ngritur dorën për asnjë bandit. Ka qënë ekskluzivitet i Ramës. Nuk mund të kontestoja sepse e vetmja që njihja me detaje ishte ajo e Elbasanit që unë drejtoja, siç nuk e njihte shumica prej nesh. Këto lista ishin ekskluzivitet i tij, i ka zgjedhur personalisht si miq”.

    Mos u mundo te behesh njeri i suksesshem por me mire te behesh i vlefshem..

  2. #2
    Kunja_01 Maska e Duke_Of_Arberia
    Anëtarësuar
    02-08-2003
    Vendndodhja
    overal, ne levizje.
    Postime
    2,604

    Për: Blushi në “Opinion”: Partia e re formohet brenda Nëntorit, në themel liria

    Pasqyrimi i problematikave aktuale qe ben Blushi nepermjet artikulimit dhe retorikes se tij briljante, kane ngjallur interes dhe shprese tek plot shqiptare. Mirepo nga tani Blushi eshte nje deputet me se fundmi i lire (sipas tij) dhe lind nevoja per te na sqaruar sot disa gjera.

    Se pari sa vertetesi ka tek perqasja e tij ndaj ideologjise se majte, si e vetmja shprese per ta nxjerrur vendin nga kriza? A nuk ishte Blushi nder te paret qe u anetaresua tek PD-ja, ne ate kohe opozitare e PS-se, ne 1992-shin? Deri ne momentin qe s'ka bere asnje mea culpa, ka gjithmone hapesira per pikepyetje rreth bindjeve te tij...

    A ka Blushi nje sqarim, per mbeshtetjen qe i dha qeverise Nano ne 2005-en, ku ne postin e ministrit te arsimit, beri fushate per nje nder qeverite me te korruptuara qe ka patur Shqiperia?!

    Te na tregoj pak arsyen se perse i kerkoi Nanos ne Paris, te merrte Edi Ramen ne qeveri. A ka ndikuar ketu fakti se qe te dy bashke me
    Ramen kane qene te angazhuar me strukturat e Sorosit qe ne fillimvitet 90? Nese po, a vazhdon Blushi te jete nje anetare bordi i ketij fondacioni?

    Dhe e fundit por edhe me e rendesishmja.
    Blushi ka disa kohe qe flet, se duhen hapur vende pune, duhen rritur rrogat me pensionet, duhet permiresuar cilesia e sherbimeve spitalore, duhet ndryshuar sistemi arsimore, duhen ulur taksat, duhet ulur çmimi i energjise elektrike etj etj.
    A ka Blushi nje program sesi DUHET te fillojne te vihen ne jete gjithe keto domosdoshmeri per shoqerine shqiptare, apo eshte kjo vetem nje retorike politike?


    Aktualisht nisma e tij e re politike eshte drejte konkludimit. Duke filluar nga ky moment deri diten e zgjedhjeve, une shpresoj qe Blushi te na japi nje pergjige rreth ketyre çeshtjeve.
    Sigurisht se nese do kete sadopak sinqeritet, racionalitet dhe llogjike ne pergjigjet e tij, Blushi do tundoj shume njerez per t'ja dhene atij voten (une i pari)!

    Por deri tani jemi vetem ne fazen e filozofise politike, nevojitet veprim...
    Trimi mirë me shokë shumë!!!!!!

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •