Gjatë qëndrimit të tij në Beograd, Kryeministri Edi Rama ka dhënë intervistë për “Al Jazeera Balkans”. Në një video që njofton pikërisht këtë intervistë me kreun e qeverisë, janë shkëputur dy momente ku gazetari e pyet për rëndësinë e njohjes nga e ana Serbisë të Kosovës, si dhe idenë e “Shqipërisë së Madhe”.

Teksa thekson se njohja e Kosovës është e rëndësishme për popullin e saj, por edhe atë serb e shqiptar, sa i përket Shqipërisë së Madhe, ashtu siç ka deklaruar edhe në të shkuarën, Rama thotë se bashkimi do të ndodhë me integrimin në Bashkimin Europian.

Përse është kaq e rëndësishme për ju si Kryeministër i Shqipërisë, që Serbia të njohë zyrtarisht Kosovën?

“Fillimisht besoj me bindje se është shumë e rëndësishme për njerëzit, të Shqipërisë dhe Serbisë, e sigurisht edhe për njerëzit e Kosovës, të cilët janë shqiptarë”.

Pra, opsioni juaj nuk është Shqipëria e Madhe. Ju do të preferonit integrimin në Bashkimin Europian?

“Nuk ka qenë kurrë, sepse unë besoj se Shqipëria e Madhe, Serbia e Madhe apo çdo gjë tjetër e madhe është çfarë na e ka lënë e shkuara”.

Intervista e plotë do të transmetohet sot në mbrëmje në orën 21:00, në “Al Jazeera Balkans”./tvklan.al