Emri:  image.jpg

Shikime: 161

Madhësia:  22.4 KB


Nëse ka një ministër mbi të cilin janë ngritur akuza kriminale nga më të rëndat në histori, ai është Saimir Tahiri. Ministri i Brendshëm i Republikës së Shqipërisë është akuzuar për lidhje me trafikatë droge, për mbështetje të grupeve të krimit të organizuar, përdorim të policisë së shtetit për interesa dhe hakmarrje personale, për krijimin e mundësive të arratisjes vrasësve të policëve, për vënie nën përgjim të kundështarëve politikë dhe krerëve më të lartë të institucioneve shtetërore, për kanosje gjyqtarësh, presion ndaj mediave, për ndikim të emërimeve të personave me të shkuar kriminale dhe të militantëve në radhët e policisë së shtetit.

Lista është aq e gjatë, saqë është e pabesueshme ta shohësh Saimir Tahirin duke drejtuar akoma ministrinë më të rëndësishme në vend. Është e paimagjinueshme ta shohësh duke u folur policëve të thjeshtë për të zbatuar ligjin dhe për të luftuar krimin dhe narkotrafikantët, kur ata dëgjojnë nga të katër anët se kriminelët më të rrezikshëm në vend dhe narkotrafikantët më të njohur janë njerëz të afërt të tij.

Si do t’i hetojë një polic i thjeshtë i Vlorës kushërinjtë e Ministrit të Brendshëm që akuzohen si drejtuesit e një prej rrjeteve më të forta të trafikut të drogës në jug të vendit? Si do të kërkojë të kryejë hetime, t’i vihen në dispozicion mjete, pajisje përgjuese, ndjekëse etj kur Ministri i Brendshëm pranon se ata lëvizin me makinën e tij private?

Në fillim të shtatorit 2015, ish –shefi i antidrogës, Dritan Zagani, e akuzoi publikisht Saimir Tahirin se u kishte dhënë tre vëllezëve, me të cilët kishte lidhje farefisnore, makinën private. “Këta persona ishin A. H, M. H, L.H, nga Vlora, këto ishin kontigjent i trafikut të drogës që kur unë punoja në Vlorë vite e vite përpara”, deklaronte Zagani në një intervistë që u shfaq përgjysmë në Neës 24, pasi u ndërpre pas presioneve direkte të Ministrit të Brendshëm dhe Kryeministrit.

Tre vëllezërit me lidhje farefisnore me Tahirin përdorin edhe një gomone që ishte përdorur më parë nga ministri Tahiri, kur ishte deputet në opozitë. Gomonia dhe makina, - thotë ish –shefi i antidrogës së Fierit – përdoreshin për trafik droge.

“Në lidhje me trafikun e Vlorës, kam qenë në një moment kur do të verifikoja subjektin A.D, që po ndiqja në një takim që do bënte me disa porositës që do i çonte mallin në Itali me gomone, pas për hir të vërtetës, subjekti A. D nuk është se bëntë trafik vetëm për vetë bënte edhe për të tjerë, merrte porosi për të tretët, si transportues me mjetin e tij me gomone. Në një moment që unë doja të verifikoja me kë do të takohej ky subjekt, A.D në qytetin e Vlorës, kam parë një mjet me targa, AA 003 GB, audi A8 i zi me xhama të zi, që erdhi te makian e subjektit A.D. Nuk zbrit njeri, por subjekti A.D zbrit nga makina e tij dhe hipi në këtë audi. Unë u mundova ta ndjek që të marr vesh çfarë po bëjnë dhe ku po shkojnë, duket më kishin zbuluar dhe në vend që ti ndiqja unë me ndiqnin ata mua dhe më pas u shkëputa dhe shkova në punë. A. D ishte subjekti trafikant që unë kisha dhene informacione dy a tre herë dhe më ishte shitur. Në këto kushte shënova targën e audit dhe u largova. Të nesërmen në zyrë puna e parë që bëra ishte hapja e sistmeit TIMS dhe verifikova këtë targë, AA003GB. Targë e re shqiptare. Sapo e hap sistemin më rezultoi pronar i mjetit Sajmir Tahiri, Ministër i Brendshëm”.

Saimir Tahiri e mohoi fillimisht që makina e tij private të ishte përdorur nga vëllezërit Habilaj. Madje edhe njohjet me ta. Por pas publikimit të disa dokumentave nga Partia Demokratike u detyrua ta pranojë.

“Makina ime është shitur. Në sistem është në emrin tim dhe ua shpjegoj unë pse. Përmbarimi më ka bllokuar. Shitja e makinës është në deklaratën e pasurisë. Ky polici, Zagani, kë paska njoftuar ky, pasi e ka verifikuar? O të njoftonte prokurorinë dhe drejtorin e përgjithshëm, ose mua”.

Dritan Zagani kishte njoftuar eprorin e tij.

“Në moment pa e hequr nga sistemi thërrita shefin e sketorit z Skënder Hitaj dhe i tregoj shiko çfarë ka e kam verifikuar dhe në këtë makinë makinë hyri subjekti. Ai më tha se këtë makinë e mbajnë ata kushërinjtë e ministirt në Vlorë. Dhe më përmendi vëllezërit H. Madje këtë makinë më tha se para 10 ditëve i njëti mjet ishte ndaluar në aksin Gjirokastër Levan për kontroll dhe ata nuk janë ndalaur, nuk kanë pranuar të kontrollohen. I kanë shoqëruar në drejtori, ata kanë qenë të pirë nën shoqërinë e dy femrave, sa kanë hyrë në drejtori kanë nisur të shajnë e bërtasin oficerëve të policisë. Dhe ka marrë në telefon sallën operative, drejtori Ervin Hodaj, duke kërkuar sallës operative, të lihen të lirë dhe të largohen këto që ishin shoqëruar”.

Më vonë Ministri i Brendshëm u detyrua të bëjë një pohim ia rëndoi pozicionin.

“Makina është në emrin tim për një fakt të thjeshtë, që është edhe dëshmi e pushtetit që kemi lënë pas. Në opozitë, unë kam denoncuar fëmijët e kryeministrit si të korruptuar dhe jam dënuar me 4 milionë lekë gjobë në Gjykatën e Shkallës së Parë dhe me 2 milionë lekë gjobë në Apel nga ai gjykatësi i famshëm Gjin Gjoni. Në atë kohë do të duhej të më merrnin të gjithë rrogën time vjetore, që të paguaja gjobat e vendosura prej tyre. Edhe për kë? Për dy fëmijët e Sali Berishës, të cilët janë bërë të famshëm për këdo, të gjithë i njohin si Xeni dhe Gita, dhe që nuk kanë shkuar asnjëherë në jetën e tyre në Prokurori. Më bllokuan llogaritë bankare, hipotekën e shtëpisë dhe mundësinë e ndërrimit të targave të makinës. Edhe pasi u bëra ministër më duhej të paguaja gjobat pas vendimit të gjykatës dhe për këtë aplikova për të marrë një kredi, që të shlyeja koston time të të bërit opozitë. Deri në miratimin e kredisë, unë shita makinën dhe është barrë ligjore e blerësit që të ndërrojë pronësinë. Ata nuk kanë mundur, sepse makinës nuk i ndërrohet pronësia për këtë shkak, ndaj dhe makina figuron ende në emrin tim. Gjatë kësaj kohe ajo është përdorur edhe dy herë të tjera prej meje. Edhe këtu dua të theksoj dëshminë e të qeverisurit tonë dhe qeverisjes së atyre. Nëse do të veproja si ministrat e qeverisë së mëparshme, do të merrja makinat e qeverisë dhe do të lëvizja nga të doja, por zgjodha të huazoja sërish këtë makinë për të shkuar me pushime me familjen time. E mora ndaj kushërinjve të mi të largët dhe mendoni se kam bërë trafik droge me familjen time mbi makinë?”

A duhej të rrinte më në detyrë një ministër që bën një pohim të tillë? A duhet të drejtonte ministrinë e Brendshme një ministër që pohon me gojën e tij se ka shkelur ligjin për t’iu fshehur detyrimeve që i lindin nga vendime gjyqësore? Por ai ishte kjo e vetmja akuzë e rëndë ndaj Saimir Tahirit?

Opozita e ka akuzuar për lidhje të drejtpërdrejtë me Emiljano Shullazin, të akuzuar nga prokuroria si drejtuesi i një prej grupeve më të rrezikshme në vend, të arrestuar për kanosje, gjobëvenie, shkatërrim prone me eksploziv shtatazit A.Z, kërcënim dhe krijim të grupi të strukturuar kriminal, përvetësim prone me kanosje.

Saimir Tahiri i ka mohuar akuzat. Por kur Emiljano Shullazi u shoqërua nën akuzën për kërcënim të rektorit Mynir Koni, policia e shtetit hezitoi të ekzekutonte udhër – ndalimin. Shullazit iu komunikua arresti vetëm pasi Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Haki Çako dhe ai Tiranës, Ervin Hodaj u thirrën në zyrën e kryeprokurorit në mes të natës. Opozita, hezitimin e policisë e lidhi me miqësinë e Shullzit me Tahirin.

Më 10 shkurt të vitit 2015, farmacisë së babait të Ministrit të Brendshëm, përballë hyrjes së pasme të QSUT –së, iu vu tritol. Policia e Shtetit shpalli në kërkim si organizator Vladimir Gjutën dhe disa të afërm të tij. Gjutaj ishte përplasur më parë me policinë dhe kjo përplajse dyshohet se vinte nga një mosmarrëveshje mes tij dhe Saimir Tahirit.

Në arrati, Vladimir Gjuta do t’i dërgonte një sms Ministrit të Brendshëm për t’i kërkuar të mos merrej me familjen e tij, sepse ajo s’kishte lidhje me tritolin. Disa muaj pasi u arrestua në tunelin e Thirrës, Gjuta u lirua nga burgu. Saimir Tahiri i tërhoqi akuzat. Burime të rezervuara në ministrinë e Brendshme thonë se tërheqja e akuzave u bë pas “një pazari” mes Tahirit dhe Gjutajt.

Ky nuk ishte “pazari” i parë i Ministrit të Brendshëm të Shqipërisë me persona të akuzuar si kriminelë të rrezikshëm.

Në shtator – tetor të vitit 2014 Saimir Tahiri ka patur dy takime me të dyshuarin kryesor si vrasës i bankierit Artan Santo. Ai e kishte pritur në zyrë Durim Bamin dhe në një vilë qeveritare në Durrës. Në praninë e Tom Doshit, Durim Bami i kishte pohuar se ishte paguar për të vrarë deputetin Doshi dhe deputetin e PD, Mhill Fufi. Tom Doshi, referuar rrëfimit të Durim Bamit, e kishte vënë në dijeni Tahirin se porositësi ishte kryetari i Kuvendit, Ilir Meta.

Saimir Tahiri nuk e denoncoi asnjëherë rastin në organet e zbatimit të ligjit. Ai ishte ulur në tavolinë me një person që i pohonte se ishte vrasës me pagesë, por nuk e kishte vënë ujin në zjarr. Ky vrasës me pagesë i vetëdenoncuar vazhdonte të lëvizte i lirë.

Vetëm kur Tom Doshi e bëri publik “shqetësimin” e tij, atëherë Bami u arrestua me urdhër të prokurorisë. Saimir Tahiri e pranoi publikisht se e kishte takur “vrasësin e vetëdenoncuar” dhe u justifikua për faktin se nuk e kishte denoncuar.

Por në ç’vend të botës një ministër i Brendshëm do të qëndronte në detyrës pasi kishte biseduar të paktën dy herë dhe kishte pritur në zyrën e tij një vrasës? Deri tani s’ka rast të ngjashëm.

Një furtunë përfshiu policinë e shtetit dhe Ministrinë e Brendshme pas një informacioni të dhënë nga SHISH se në mars të vitit 2016 një pajisje përgjuese ishte futur në mënyrë të paligjshme në Shqipëri. Pajisja ishte e misionit Interforce, por nga SHISH pati dyshime se ajo ishte përdorur për të përgjuar drejtues të lartë të shtetit dhe kundështarë politikë të Ministrit të Brendshëm dhe Kryeministrit. Lapsi.al botoi disa pjesë të hetimit policor.

Hetimet e policisë zbuluan se pajisja ishte përdorur pranë disa institucioneve, përfshirë Prokurorinë e Përgjithshme. Me kërkesë të prokurorisë, gjykata e Tiranës vendosi të pezullojë nga detyra Drejtorin e Përgjitshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çakon dhe vendosi në arrest shtëpie dy drejtues të policisë që e kishin përdorur pajisjen.

Saimir Tahiri jo vetëm nuk e pezulloi drejtorin Çako, por nisi një fushatë sulmesh të paprecedent kundër gjyqtarit që firmosi vendin. Arjan Aliaj u linçua publikisht nga Tahiri, i cili nga ana tjetër udhëroi krimin ekonomik të verifikonte çdo pasuri të tij. E vetmja gjë që u zbulua, ishte shit-blerja e shtëpisë së tij në Tiranë.

Por ky sulm i rëndë dhe vënia nën hetim e pasurisë së gjyqtarit i dha efektet. Gjykata e Apelit e rrëzoi vendimin e shkallës së parë dhe e riktheu në detyrë Çakon. Kush gjyqtar do të merrte një vendim tjetër përballë kërcënimeve dhe represionit të Ministrit të Brendshëm? KLD e kallëzoi penalisht për kërcënim dhe intimidim të gjyqtarit.

Një tjetër drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Saimir Tahiri nuk e mbështeti kur u zbulua se ai kishte fshehur një udhër – arresti ndërkombëtar për deputetin e grupit parlamentar të PS, Mark Frroku. Për dy muaj me radhë Policia e Shtetit nuk e kishte ekzekutuar udhërin. A mund të kishte vendosur Artan Didi me kokën e tij, pa vënë në dijeni Saimir Tahirin?

Mark Frrokut, lidhjet me drejtuesit e qeverisë i kishin ardhur në ndihmë edhe në tetor të vitit 2014. Në një operacion antidrogë italo – shqiptar ai kishte fshehur në makinën e tij të shumërkërkuarin Bardhok Pllana, siç thuhet në një dokument sekret të policisë të botuar nga Lapsi.al. Nuk i ishte bindur udhërit të policisë. Për këtë ishte vënë në dijeni edhe drejtori i përgjithshëm dhe me gjasë Saimir Tahiri. Por ndaj Mark Frrokut nuk pasi asnjë veprim.

Lidhjet shkonin me thellë. Saimir Tahiri u akuzua nga mazhoranca se mundësoi largimin jashtë vendit të vëllait të deputetit Mark Frroku, Arben Frrokut që tani është dënuar me burg përjetë për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt. Arben Frroku u shpall i pafajshëm nga shkalla e parë e Krimeve të Rënda. Por kur çështja u dërgua në Apel dhe pritej të vendosej për fatin e tij, ai u largua. Opozita thotë se sistemi TIMS nuk punoi në kohën kur kaloi Frroku në kufi. Tahiri u mbrojt duke thënë se emri i tij ishte shënuar në regjistër dhe se Frroku nuk mund të ndalohej. A mund të besohet një variant i tillë kur Arben Frroku ishte parë aktiv në fushatën për zgjedhjet vendore të vitit 2015 në Pukë?

Në maj të këtij viti, policia dështoi në ndalimin e Klemend Balilit, ish –drejtorit të Transporteve në Sarandë, të kërkuar për trafik ndërkombëtar droge në Greqi. Antidroga greke dhe DEA amerikane e cilësonin si “Escobari –in e Ballkanit”. Ai dha dorëheqjen nga detyra, por u zhduk pasi udhër – arresti mbërriti në Shqipëri. Policia e Shtetit nuk arriti ta mbante nën mbikqyrje. Opozita e akuzoi Tahirin se e kishte favorizuar, për shkak të lidhjeve personale. Një burim i besueshëm tha për Lapsi.al se Balili u pa pak ditë më parë në resortin e tij duke festuar në dasmën e një të afërmi.

Tani, ndaj Saimit Tahirit rëndon një tjetër akuzë e fortë. Ai është Ministër i Brendshëm i Shqipërisë së mbuluar me kanabis. Ai akuzohet nga opozita për marrëveshje me narkotrafikantët, se paguhet prej tyre 30 % të fitimit. Ai akuzohet se me bekimin e tij apo të drejtuesve të policisë që ka emëruar, narkotrafikantët kanë ndërtuar një pistë avionësh në Ishëm, të zbuluar rastësisht nga rënia e një avioni që kishte ardhur nga Italia për të marrë drogë.

Ai akuzohet se ka dekonspiruar hetimet e prokrorisë së krimeve të rënda për rastin e Ishmit, duke u thënë gazetarëve se piloti italian Guido Guidi ka folur, ka pranuar trafikun e drogës dhe ka rrëfyer emrat e drejtuesve të narkotrafikut.

Saimir Tahiri akuzohet se me udhër të tij, policia kryen operacione selektive kundër plantacioneve me kanabis.

Parcelat e njerëzve të afërt me të në Vlorë, jo vetëm janë raportuar si të asgjësuara nga policia dhe u shkatërruan një ditë më parë vetëm pas informacioneve të SHISH, por edhe janë ruajtur nga policia.

Janë akuzat më të rënda që bëhen ndaj një Ministri në mbarë Europën. Prestigjozia The Economist, gazetarin e së cilës Tahiri e shëtiti në parcelat me kanabis, shkruan se këtë vit situata me kultivimin e drogës është përkeqësuar. Dhe ky është një fakt. Fakt që provon se së paku Ministri i Brendshëm ka dështuar në betejën kryesore të tij, atë kundër krimit, sepse akuzohet se ai ka rreshtuar edhe segmente drejtuese të policisë së shtetit në krah me krimin. /Lapsi.al