Emri:  image.jpg

Shikime: 170

Madhësia:  49.3 KB

Saimir Tahiri kishte mohuar ekzistencën e një raporti sekret italo – gjerman që fliste për 363 plantacione me Cannabis në të gjithë Shqipërinë. Edhe kryeministri Edi Rama e mohoi ashtu si ministri i tij i Brendshëm kur u pyet në Bruksel në konferencën për shtyp me zonjën Mogherini dhe zotin Hahn.

Por ekzistenca e 363 plantacioneve me Cannabis është reale, e vërtetë dhe e nxjerrë nga vetë strukturat e policisë, që kanë përpiluar një raport sekret dhe ia kanë vënë në tavolinë Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. 360grade.al ka arritur përmes burimeve të saj të gjej pjesë të rëndësishme të raportit, i cili është përpiluar nga Shërbimi i Çështjeve të Brëndshme dhe Ankesave (SHBÇA) dhe që vë në dukje problemin që ka vendi ynë në prodhimin e Cannabisit.

“Sipas këtij raporti janë 363 plantacione Cannabisi në të gjithë vendin, nga veriu në Jug. Po ashtu në raport theksohet se në zonën e Shkodrës zbulueshmëria është e ulët dhe ka nevojë për ndërhyrje emergjente. Gjithashtu theksohet se, Shqipëria ëshë shndërruar në një autostradë të trafikimit të drogës në Itali dhe vende të tjera të BE-së.

Në raport më tej sqarohet situata në zona të veçanta. Sipas këtij raporti mësohet se në Fier, në të gjitha zonat është prodhuar Cannabis dhe këtë vit pritet të ketë rritje të sasisë së prodhimit. Sipas raportit, në Lushnje kultivimi i Cannabisit po bëhet me Sera... Në Korçë rezulton të ketë prodhim në zonën e Dardhës, të njohur si zonë turistike, si edhe në disa fshatra të tjerë. Prodhim të kësaj lënde narkotike ka dhe në Tropojë, Kukës, por dhe në kryeqytet. Sipas këtij raporti zonat e prekura nga prodhimi i Cannabisit në Tiranë janë, Dajti, Tapizë, Lundër...etj. Në Tropojë vihet re, lexohet në raport se ka nisur proçesi rekrutimit të punëtorëve për përgatitjen e terrenit”.

Ky raport nxjerr bllof të gjitha deklaratat e bëra nga Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe shefi i tij, Edi Rama, sipas të cilëve sipërfaqet me drogë nuk janë shtuar. Tahiri dhe Rama ka disa ditë që kanë nisur një fushatë për të relativizuar situatën. Në disa deklarata kanë thënë se situata ka qenë më e rëndë para vitit 2013 dhe kanë akuzuar qeverinë Berisha se në atë kohë i fshihte të dhënat. Por Tahiri e Rama nuk i janë përgjigjur pyetjes së përse këto të dhëna i mbajtën edhe vetë të fshehta për 3 vjet me radhë dhe i publikojnë vetëm tani kur janë nën akuzë për kanabizimin e vendit?

Raporti i SHÇBA tregon se sa alarmante është bë të vërtetë situata dhe se për këtë Tahiri e Rama kanë qenë në dijeni e janë mundur ta mbajnë të fshehtë realitetin. Për situatën e rëndë kanë nisur të artikulohen deklaratat e para të forta edhe në Bruksel. Europarlamentari Kukan deklaroi një ditë më parë se “Shqipëria ka një problem gjigant me drogën”. /Lapsi.al