Emri:  image.jpg

Shikime: 251

Madhësia:  43.7 KB
(Majtas) Prokurori i Tiranës, Petrit Fusha, (Djathtas) Kryebashkiaku Veliaj duke protestuar kundër ‘drejtësisë së korruptuar’

Petrit Fusha, kreu i prokurorisë së Tiranës, kurorëzoi mbrëmë në martesë djalin e tij. Ceremonia u zhvillua në një lokal luksoz në Vorë.
Mes të ftuarve ishin të gjithë shefat e prokurorisë, përfshirë edhe kreyprokurorin Adriatik Llalla. Por ajo që ra në sy ishte prezenca e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili bëri celebrimin e çiftit në lokal. Dhe kjo bie në sy për faktin se Prokuroria e Tiranës, që drejtohet nga Petrit Fusha, ka në dorë 4 procedime penale për Erion Veliajn.
Veliaj po hetohet për falsifikim të gjobës që i vuri Partisë Demokratike për protestën e 8 dhjetorit. Hetimet kanë provuar se shkrimi në gjobë nuk është i oficerit që kishte firmosur gjobën. Kjo gjobë tashmë është rrëzuar edhe në Gjykatën Administrative.
Prokuroria e Tiranës po e heton Veliajn edhe për ndërtimin te Parku i Liqenit. Ai është paditur penalisht për shpërdorim detyre.
Një tjetër kallëzim ndaj tij është bërë për protestën e zhvilluar para Gjykatës Administrative. Veliaj dërgoi para dyerve të gjykatës militantë e punonjës të bashkisë për të t’i kërkuar gjykatës që të mos lejonte ndërtimet e një kompleksi pallatesh pranë digës së liqenit Artificial.
Ai po hetohet edhe për rastin e vdekjes së 17 –vjeçarit Ardit Gjoklaj në landfillin e Sharrës, që administrohet nga Bashkia dhe për marrëveshjet me kompaninë 3R që operonte në këtë landfill, me punonjës minorenë e të pasiguruar.
Në një kohë kur Prokuroria e Tiranës ka në dorë 4 hetime penale të tij, shkuarja e Veliajt në dasmën e djalit të kryeprokurorit Fusha dhe celebrimi i martesës së djalit të tij në orën 22:00, e kompromenton sërish detyrën e tij si kryebashkiak. Më shumë se për të celebruar një martesë, pjesëmarrja e tij në ceremoni duket e lidhur me 4 dosjet hetimore. /Lapsi.al