Një në dhjetë fëmijë ka një sistem imunitar të njëjtë me atë të majmunit, që ndalon zhvillimin e virusit të AIDS-it.

Përfundimi vjen nga një studim i publikuar në revistën “Science Translational Medicine”, që zbuloi se ky sistem imunitar mundëson mbajtjen në gjendje të fjetur të virusit. Shkencëtarët analizuan kampionët e gjakut të 170 fëmijëve me HIV, në Afrikën e Jugut, të cilët nuk ishin trajtuar asnjëherë, por virusi te ta nuk ishte zhvilluar. Nga testet rezultoi se në gjakun e tyre kishte me dhjetëra mijëra viruse imuno-deficitare, çka normalisht do të çonte në kolaps sistemin e tyre imunitar apo do t’i shkaktonte sëmundje të rëndë, por asnjëra nga këto nuk kishte ndodhur.

Studiuesit thonë se sistemi i mbrojtjes nga AIDS-i është unik te fëmijët, dhe i ndryshëm nga ai te të rriturit, ku ai është më agresiv dhe gjithmonë dështon. Shkencëtarët shpresojnë që zbulimi i ri t’u hapë rrugë terapive të reja rreth luftimit të AIDS-it, fillimisht tek fëmijët./tvklan.al