Kanabisi shqiptar vërshon drejt Italisë nga të gjitha anët

Freedom House, 2016: “Shqipëria është një pikë kyçe për trafikantët e heroinës dhe një vend kyç për prodhimin e kanabis në Europë”.

Pasi e fituan betejën për kultivimin e kanabisit, grupet shqiptare të narkotrafikut kanë nisur fazën e dytë aktivitetit kriminal më fitimprurës në vend: atë të nxjerrjes së lëndës narkotike jashtë.

Destinacioni kryesor mbetet Italia. Nga aty bëhet grumbullimi dhe shpëndarja për konsumin e brendshëm në territorin italian dhe për vendet e tjera të BE –së.

Mediat italiane, duke iu referuar zyrtarëve të antimafias apo Guardia di Finanza janë ndalur disa herë në tre rrugët kryesore të trafikut; nga deti, toka dhe ajri.

Rruga detare është më e lehta për t’u përdorur, për shkak të historikut të gjatë që ka Shqipëria në trafikimin e drogave dhe të qenieve njerëzore nëpërmjet detit dhe të gjetjes me lehtësi të mjeteve motorike lundruese, si skafë e gomone me motorë të fuqishëm.

Afërsia e brigjeve nga Vlora në Brindisi e favorizon këtë. Një prokuror i antimafias italiane e quajti në vitin 2015 kanalin e Otrantos si “Autostrada e Drogës”.

5 ton hashash janë kapur në rajonin e Puljas vetëm brenda 1 jave. E gjithë kjo sasi droge, e ardhur nga Shqipëria.

1 ton u kap sot në një gomone 8.5 metër të gjatë me dy motorë, nga Guardia di Finanza. Mjeti me 31 pako të mëdha me kanabis ishte nisur rreth orës 22:00 të mbrëmjes së shkuar nga lumi Vjosë, në afërsi të Urës së Mifolit dhe sipas policisë shqiptare, ishte pikasur prej saj.

Lumi i Vjosës, sipas të dhënave të vetë policisë shqiptare, është një ndër zonat që ka më tepër parcela me kanabis. Vetëm në një operacion të disa javëve më parë u asgjësuan 50 mijë rrënjë.

Grykëderdhja e Vjosës është vendi më i afërt për ta marrë sasinë e prodhuar dhe për ta dërguar në Itali.

Në këtë zonë, 1 vit më parë, trafikantët provuan edhe transportin me avionë sportivë. Në gusht të vitit të kaluar një avion me 120 kilogramë kanabis u kap në Brindisi. Piloti ishte Vilson Lamaj nga Vlora dhe kishte për bashkëpunëtor shefin e personelit në policinë e Vlorës, Vladimir Zanaj.

Po në Pulja, 7 ditë më parë u kapën 3.9 ton marijuanë dhe u arrestuan 8 shqiptarë.

Autoritetet italiane, siç raportonte pak ditë më parë gazeta “La Repubblica”, flasin për shtim të rasteve të përdorimit të avionëve të vegjël për transport.

Avioni i mbetur në Ishëm të enjten është dëshmi se rrugët ajrore vazhdojnë të përdoren masivisht dhe se autoritetet shqiptare janë të paafta për t’i kapur.

Në 4 rastet e njohura nga viti 2014, policia shqiptare nuk ka patur informacion për asnjërin prej tyre. Dy avionë mbetën si pasojë e problemeve në ulje, Riformato në Divjakë dhe Guidi në Ishëm, ndërsa dy avionë të tjerë u ndaluan në Itali, në Pulja dhe në Torino vitin e kaluar.

Ndërtimi i pistës në Ishëm është një sinjal alarmi se grupet e narkotrafikantëve e shohin transportin nga ajri si më të përshtatshmin, si pasojë e paaftësisë së autoriteteve shqiptare për t’i kapur avionët.

Radarët në Shqipëri ose nuk funksionojnë ose nuk arrijnë t’i kapin të tillë avionë.

Në rrugët tokësore, Shqiptarët përdorin mjete të transportit të mallrave, kryesisht nga Mali i Zi, për t’i dërguar sasitë e mëdha të marijuanës drejt Italisë. Kamionët jo në pak raste kalojnë edhe nga Durrësi. Disa të tillë janë kapur nga polici kufitare e Durrësit gjatë këtij viti.

Ky rrjet transporti është bërë edhe më aktiv këtë vit. Arsyeja qëndron në faktin se prodhimi i kanabisit është rritur ndjeshëm. Trafikantët presin fitime kolosale dhe për këtë arsye po përdorin të gjitha mënyrat, madje duke bashkëpunuar edhe me drejtues të policisë.

Corriere Della Sera, referuar shërbimeve sekrete, raporton se sipërfaqja e kultivuar me kanabis është 25 herë më e madhe se në vitin 2013 kur Lazarati ishte ende “kryeqyteti i kanabisit”.

Opozita akuzon drejpërdrejtë Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, si të implikuar në trafik. Pjesën më të madhe të plantacioneve të kanabisit në Vjosë dhe në Lumin e Vlorës, sipas saj, e kontrollojnë Habilajt, kushërinj të ministrit Tahiri.

Opozita pretendon se Tahiri dhe kryeministri Rama përfitojnë 30 % të fitimeve nga ky aktivitet kriminal, para të cilat i përdorin për të mbajtur pushtetin, ashtu siç ndodhi me zgjedhjet e 11 shatorit në Dibër.

Ministri i Brendshëm, këtyre akuzave u është përgjigjur duke thënë se “po kapet më shumë kanabis për shkak se policia po punon më shumë”. Por ai nuk ka mbajtur ende përgjegjësi se përse është lejuar kultivimi në këtë masë.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, i kujtoi dje se politika duhet të mbajë përgjegjësi dhe nuk duhet të bëjë sikur kjo situatë nuk ekziston.

I irrituar me Metën që përgjegjësinë ia faturon atij, Tahiri reagoi ashpër duke e sulmuar aleatin qeverisës, duke i kujtuar se kanabis ka patur edhe në vitin 2013 kur ai ishte në qeveri me Berishën, por atëherë gjendja nuk pasqyrohej realisht për shkak të përfitimeve që ndaheshin nga pushteti.

Por a është situata e njëjtë me vitin 2013?

Opozita e atëhershme e drejtuar nga Edi Rama, pjesë e të cilës ishte edhe ministri Tahiri, ka qenë tepër agresive, veçanërisht ndaj policisë, kupolën e së cilës e akuzonte për lidhje direkte me krimin. Por përveç Lazaratit, prej PS –së së asaj kohe nuk është denoncuar ndonjë zonë tjetër e mbjellë me kanabis.

Sot vetë policia, me njoftime e saj për aksionet antidrogë, njofton se gjen bimë narkotike në të katër anët e vendit.

Dhe kjo situatë tashmë ka dalë jashtë kontrollit. Kanabisi po mbillet dhe po korret hapur, ndërsa policia akuzohet se është selektive në operacionet e saj. Për shkak të prodhimit në sasi tepër të mëdha, një pjesë e drogës po trafikohet edhe drejt Greqisë e Maqedonisë.

Vetë ministri i Brendshëm është nën akuzë se po u shërben grupeve të narkotrafikut. Rasti më i fundit është ai pilotit Guido Andrea Guidi. Opozita e akuzon për dekonspirim të hetimeve të prokurorisë së krimeve të rënda me qëllim vënien në dijeni të bashkëpunëtorëve të italianit. Lapsi.al zbuloi se Ministri Tahiri u ka dërguar mesazhe disa gazetarëve, përfshirë edhe Artan Hoxhën që është marrë në pyetje nga prokuroria, për t’i njoftuar se piloti italian kishte folur dhe kishte pranuar se në Shqipëri kishte ardhur për të marrë drogë dhe kishte nxjerrë emrat e trafikantëve.

Lapsi.al