Rimëkëmbja ekonomike shtyhet për në vitin 2018

Pas tri vitesh përpjekje për të rritur inflacionin dhe normën e rritjes ekonomike drejt "normalitetit", parashikimet e Bankës së Shqipërisë, FMN-së dhe Ministrisë së Financave për kohën se kur ekonomia shqiptare do të kthehet në gjendjen e shëndoshë janë shtyrë për nga fundi i vitit 2018.

Emri:  Gent-Sejko.jpg

Shikime: 104

Madhësia:  23.4 KB
Guvernatori Gent Sejko duke folur në konferencë për shtyp më 3 gusht 2016. Foto kortezi: Banka e Shqipërisë

Parashikimet për rikthim të inflacionit në “objektiv” dhe të rritjes ekonomike në “potencial” janë shtyrë vazhdimisht për “më vonë” gjatë tri viteve të fundit dhe pësuan një shtyrje të re këtë vit, tregojnë të dhënat zyrtare të Bankës së Shqipërisë dhe rishikimet e herëpashershme të kuadrit makroekonomik që përgatitet nga Ministria e Financave.

Në fund të vitit 2013, kur qeveria aktuale përgatiti buxhetin e parë vjetor, parashikimi makroekonomik afatmesëm qe që inflacioni mesatar të arrinte në 3 për qind në vitin 2016 ndërsa rritja ekonomike të rikthehej në potencialin e saj të vlerësuar në atë kohë në 4.5 për qind në vit.

Por deklarata e fundit e Bankës së Shqipërisë tregon që 3 vjet më vonë ky objektiv nuk është arritur akoma.

Më 3 Gusht Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko deklaroi se parashikimet e institucionit që ai drejton qenë që inflacioni do të kthehet “në objektiv” rreth fundit të vitit 2018 ndërsa Ministria e Financave u detyrua të rishikojë në ulje rritjen ekonomike nominale të vitit 2016 pasi inflacioni i këtij viti pritet të jetë edhe më i ulët se sa qe në vitin 2015.

Ndërkohë, ekonomia shqiptare vijon të vuajë nga të njëjtat probleme që e kanë mbajtur peng zhvillimin e saj që nga viti 2009 – mungesa e rritjes së kreditimit të bizneseve dhe konsumatorëve pavarësisht se interesat e depozitave kanë rënë në zero dhe interesat e kredive janë në nivelin më të ulët në historinë e re të Shqipërisë.

Objektivi i inflacionit

Objektivi i inflacionit në Shqipëri është aktualisht 3 për qind me një hapësirë luhatjeje plus ose minus 1 për qind. Zakonisht kur ekonomia ecën keq, inflacioni është më i ulët se 2 për qind ndërsa kur ecën tepër mirë, rritet mbi 4 për qind.

Rikthimi i inflacionit në nivelin e dëshirueshëm prej 3 për qind, nënkupton që ekonomia të jetë në rritje prej 4 apo 4.5 për qind dhe fuqia blerëse të jetë gjithashtu në rritje të mjaftueshme për të shkaktuar inflacion të çmimeve.

Për ta realizuar këtë objektiv, Banka e Shqipërisë ka në dorë të ulë interesat bazë të lekut në mënyrë që bankat të ulin interesat e depozitave dhe kredive, dhe si rrjedhim bizneset e konsumatorët të marrin më shumë kredi. Banka e Shqipërisë me të vërtetë e ka ulur interesin bazë nga 3.5 për qind që qe në fund të vitit 2013, në vetëm 1,25 për qind që është aktualisht. Qytetarët shqiptarë e kanë paguar këtë politikë përmes rënies drastike të interesit mesatar të paguar për depozitat e kursimit në lekë, ndërkohë që interesat e kredive kanë ardhur gjithashtu në rënie, por në fund, kreditimi total nuk është rritur. Rrjedhimisht, pagat nuk janë rritur, konsumi nuk është rritur dhe inflacioni nuk është rritur.

Ky realitet ka bërë që Banka e Shqipërisë të parashikojë se “rikthimi i ekonomisë në ekuilibër”, termi që ky institucion përdor për të përshkruar situatën kur rritja ekonomike është mbi 4 për qind dhe inflacioni rreth 3 për qind, të projektohet gjithnjë e më shumë në të ardhmen.

Në gusht 2015, Banka e Shqipërisë deklaroi se inflacioni pritet të kthehet në ekuilibër në fund të vitit 2017, por në muajt që pasuan, parashikimi u shty për “fillimin e vitit 2018”, e më pas, për “fundin e vitit 2018”.

PBB 200 milionë euro më pak

Ndonëse zyrtarisht nuk e shpjegon me fjalë, Ministria e Financave ka kryer rishikimin e saj në rënie për pritshmërinë e inflacionit. Në shkurt të këtij viti, kjo ministri parashikonte që inflacioni i vitit 2016 të ishte 2.3 për qind, sipas kuadrit Makroekonomik dhe Fiskal, ndërsa në Aktin Normativ për rishikimin e buxhetit 2016, inflacioni për vitin 2016 parashikohet të jetë vetëm 1 për qind.

Në mungesë të inflacionit, parashikimi për prodhimin e brendshëm bruto në vlerë nominale për këtë vit është ulur nga 1.53 trilionë lekë në 1.5 trilionë lekë. Diferenca prej 28.6 miliardë lekë do të thotë se ekonomia shqiptare do të jetë këtë vit plot 200 milionë euro më e vogël nga sa parashikohej të ishte dhe se ky zvogëlim në parashikim është bërë nga vetë Ministria e Financave. Akti Normativ nga ana tjetër parashikon që rritja ekonomike reale, (rritja ekonomike nominale minus inflacion) do të vijojë të mbetet në masën 3.4 për qind siç ka qenë parashikimi, pavarësisht se rritja ekonomike nominale do të jetë më e vogël nga sa pritej. Me pak fjalë, në dokumentin Kuadri Makroekonomik dhe Fiskal të shkurtit 2016, Ministria e Financave parashikonte rritje ekonomike nominale prej 5.9 për qind, inflacion 2.3 për qind dhe rritje ekonomike reale 3.4 për qind. Parashikimi i shprehur në Aktin Normativ është që rritja ekonomike nominale do të jetë 4.6, inflacioni do të jetë 1 për qind dhe rritja ekonomike reale do të qëndrojë e pandryshuar.

Ka një diferencë të dukshme mes parashikimit të qeverisë dhe parashikimit të Bankës së Shqipërisë sa i përket normës së inflacionit dhe normës së rritjes reale të ekonomisë. Banka e Shqipërisë beson se rritja ekonomike këtë vit “do të jetë më e lartë se sa 2.6 për qind i vitit të kaluar por më e ulët se sa parashikimi i mëparshëm” prej 3.4 %, ndërsa parashikon se inflacioni në fund të këtij viti nuk parashikohet të jetë në nivelin minimal prej 1 për qind. Pavarësisht diferencave, fakti është që ekonomia po ecën më keq nga sa pritej të ecte, ndonëse ritmet e rritjes janë më të larta nga sa kanë qenë në vitet e fundit.

Në fund, shtyrja për më vonë e pritshmërisë se kur ekonomia shqiptare do të kthehet në “ekuilibër” siç e quan Banka e Shqipërisë rritjen e PBB-së reale në masën 4 për qind dhe rritjen e inflacionit në masën 3 për qind, është diçka që ka ndodhur në vijimësi që nga viti 2013 e pas. Në thelb, ekonomia shqiptare ka ecur keq që nga viti 2009. Në rast se parashikimi i fundit i Bankës së Shqipërisë për vitin 2018 nuk shtyhet për më vonë, dekada që kaluam do të duhet të cilësohet si një stanjacion i gjatë i ekonomisë shqiptare, një periudhë kur rritja ekonomike ka qenë e ngadaltë, interesat e parasë kanë qenë të ulëta dhe varfëria ka ardhur në rritje.

Gjergj Erebara
BIRN