Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 4
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,408
    Postimet në Bllog
    17

    Reforma në Drejtësi miratohet me 140 vota nga Kuvendi i Shqipërisë

    Emri:  kuvendi-pro.jpg

Shikime: 161

Madhësia:  40.0 KB

    Me vota unanime është miratuar Reforma në Drejtësi. Një ditë historike për Shqipërinë dhe për drejtësinë, një ditë që erdhi pas negociatave të shumta mes mazhorancës dhe opozitës.

    Mes kërcënimeve të ndërkombëtarëve për ndëshkim të deputetëve që nuk e votojnë dhe me takime të shumta e ndërhyrje nga Uashingtoni, Brukseli, Berlini, Parisi, Roma e kryeqytete të tjera.

    Fillimisht deputetët e Kuvendit të Shqipërisë e kanë miratuar me 139 vota pro në parim draftin për Reformën në Drejtësi.

    Në tërësi të gjithë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë e kanë miratuar me 140 vota Reformën në Drejtësi.

    Javën që vjen do të diskutohen dhe miratohen edhe 7 ligje të tjera që do të bëjnë të mundur vënien në funksion të Reformës në Drejtësi.

    Syri

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,408
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Reforma në Drejtësi miratohet me 140 vota nga Kuvendi i Shqipërisë

    Meta: Basha kishte të drejtë për nenin 88. Politikanët të dalin para drejtësisë

    Emri:  Meta-Amerike.jpg

Shikime: 69

Madhësia:  28.9 KB

    Kreu i Kuvendit Ilir Meta ka dhënë sot një intervistë për Zërin e Amerikës, ku foli për miratimin e reformës në drejtësi. Sipas Metës, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka pasur të drejtë për nenin 88 dhe këtë ai e ka kuptuar vetëm pasi është takuar. Edhe një herë, Meta theksoi se qëndrimi i tij ka qenë që reforma të bëhej vetëm sipas rekomandimit të Venecias.

    “Qëndrimi im si kryetar i parlamentit ka qenë vetëm një, konsensus sipas Venecias dhe nëse opozita nuk do ta pranonte, ne do të votonim edhe pa opozitën. Kisha biseduar më herët me kreun e opozitës, Lulzim Basha dhe ai ishte dakord që reforma të votohej me konsensus. Opozita kishte plotësisht të drejtë për nenin 88. U binda për këtë vetëm pasi u takova me Lulzim Bashën. Me ardhjen e Nuland dhe ndërhyrja e Hahn dhe ambasadorëve bënë të mundur një gjë që nuk ishte besuar.Politikanët do të shkojnë e të përgjigjen para drejtësisë, kjo është e qartë. Nuk bëhet reformë në drejtësi duke i thënë kundërshtarit që do shkosh në burg. Por politikanët duhet të thonë të parët se vetë do shkojnë në burg”, tha Meta.

    Pas thirrjes së ndërkombëtarëve për miratimin e 7 ligjeve sa më parë, kryetari i Kuvendit, Ilir Meta ka deklaruar se Kuvendi mund të mblidhet këtë të enjte, ndërsa u ka bërë thirrje anëtarëve të komisionit për procedurat. “Jam në kontakt me sekretaren e përgjithshme të kuvendit, ambasadoren e BE dhe besoj se kjo është e mundur që të enjten të mblidhet kuvendi për miratimin e 7 ligjeve që reforma të zbatohet. Parlamenti do mblidhet në çdo moment që ne do ta vlerësojmë të rëndësishëm me gjithë aktorët për çështjen e reformës”, paralajmëroi Meta.

    Intervista e plotë

    Këtu në Filadelfia për të ndjekur Kuvendin Demokrat kanë ardhur edhe udhëheqës nga vende të ndryshme, të ftuar nga Instituti Demokratik Amerikan. Mes tyre është edhe Kryetari i Parlamentit të Shqipërisë z. Ilir Meta. Z. Meta mirë se vini!

    Faleminderit! Përshëndetje të gjithë dëgjuesve të Zërit të Amerikës.

    Meta ju vini në një kohë tensionesh politike në Shqipëri ku u vu në diskutim edhe vazhdimi i qeverisë. Por para se të kalojmë tek ato marrëdhënie, mund të na flisni pak për përshtypjet e Kuvendit ku dihet siç thamë edhe nga raporti që ka pasur edhe debat dhe dramë për të tërhequr mbështetësit e z. Sanders që të përqafojnë kandidaturën e znj. Clinton?
    Unë nuk do të dëshiroja të hyja në çështjet e brendshme as të demokratëve dhe as të qytetarëve amerikanë. Nuk mund të mos e fshehim simpatinë për bashkëpunimin që kemi patur me znj. Clinton në pozicione të ndryshme në të kaluarën. Por padyshim për mua kjo është një eksperiencë e mrekullueshme sepse jam për herë të parë në Konventën e Demokratëve dhe besoj se do të më vlejë dhe mua, dhe gjithë të pranishmëve që janë dhe nga vendi ynë për të mësuar më shumë, për të çuar demokracinë më përpara në vendin tonë dhe brenda partive tona.

    Po të bënin një paralelizëm ka një farë ndryshimi në mënyrën e bërit të politikës në Shtetet e Bashkuara me Shqipërinë. Për shembull një nga prirjet politike në Shqipëri është se në qoftë se anëtarët e parlamentit duhet të votojnë, nga drejtimi i partisë i kërkohet që të votohet në një mënyrë të caktuar, duke folur ndonjëherë edhe për shitje votash, ndërkohë që ata mund të votojnë si të duan apo jo?



    Duhet të kemi parasysh që sistemi ynë politik në Shqipëri është i tillë që bazohet në listat e partive, që nuk është sistemi që ne kemi dëshiruar dhe e kemi kontestuar, pra flas si Lëvizje Socialiste për Integrim. Në këtë kuptim mendoj që ka të bëjë patjetër vendimi politik i partisë. Por në qoftë se ju e keni fjalën për rastin konkret, mendoj që mund të ishin harxhuar fare pak energji për konsensusin sepse ishte plotësisht i mundur se sa u harxhuan për vota individuale duke vënë shpesh herë në pozicion të vështirë deputetë të caktuar.

    Meta më lejoni të bëj disa pyetje për reformën në Shqipëri. Së pari në traditën e politikës shqiptare, nuk është herë e parë që krijohet një dramë e madhe përpara se të arrihet zgjidhja. Pra shkohet, nëse do të shprehem figurativisht, deri në buzë të greminës, dhe pastaj në sekondën e fundit palët arrijnë kompromisin. Por përshtypja këtë herë është se niveli i dramacitetit u ngrit në një shkallë të re të pa parë dhe shumë thonë se rreziqet nga reforma ishin personale dhe të larta për vetë ata që do e miratonin atë. A ndani edhe ju mendimin që shumë politikanë në Shqipëri kanë frikë nga një sistem i pavarur drejtësie?
    Unë mendoj se të gjithë ata politikanë të cilët nuk i kanë shërbyer konsensusit sipas standardeve të Komisioni të Venecias, kanë shprehur shqetësime për të ardhmen e sistemit të drejtësisë në Shqipëri. Së dyti dua t’ju siguroj se qëndrimi im, edhe si Kryetar i Parlamentit që ka përgjegjësitë e caktuara në rastin konkret, edhe përsa i takon procedurave dhe jo vetëm kaq, por edhe si Kryetar i LSI-së që kishte një rol të rëndësishëm në këtë proces, pra në çdo rast, si në arritjen e konsensusit, akoma më tepër në mos arritjen e konsensusit, ka qenë një dhe vetëm një: Konsensus dhe sipas Komisionit të Venecias. Dhe në rast se opozita nuk do të pranonte një draft të standardeve të Komisionit të Venecias, ne do të votonim edhe pa opozitën. Por unë besoj dhe u sqarova shumë qartë pas takimit me z. Basha se ishte tërësisht i mundshëm konsensusi. Opozita mund ta them sot pa ndroje dhe pa asnjë hezitim, sepse procesi ka përfunduar mrekullisht shumë mirë në të mirë të gjithë shqiptarëve dhe në radhë të parë të kësaj reforme që duhet të prodhojë drejtësi të pavarur, opozita kishte plotësisht të drejtë për rekomandimin 88.

    Unë u binda pasi u takova me z. Basha. Këtë qëndrim ia kam shprehur edhe partnerëve të mi të koalicionit. Ua kam shprehur edhe përfaqësuesve ndërkombëtarëve pasi jam konsultuar dhe e kam konsultuar këtë rekomandim me ekspertët nga më të mirët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të cilët na asistojnë për reformën në drejtësi. Po të vëmë re më pas, ardhja e znj. Nuland, Ndihmës Sekretarja Amerikane për Europën, e cila përcaktoi që duhet punuar për konsensus dhe duhet respektuar edhe sovraniteti i vendit, ndërhyrja e Komisionerit Hahn, por edhe ndërhyrjet e jashtëzakonshme të ambasadorit Lu në ditën para votimit, bënë të mundur që një gjë që askush nuk e besonte, edhe unë vetë nuk e besoja deri në 140. Një votim i cili mund të quhet një konsensus patriotik që nuk duhet helmuar me reagime, deklarata si parlamenti i djeshëm. Por duke qenë se dje ka qenë pushim në Shqipëri, le të mos e quajmë dhe le të vazhdojmë në atë seancë të atij votimi të përgjegjshëm, patriotik të 140 deputetëve të popullit shqiptar në mënyrë që ajo dritë që lindi në mesnatën e 21-22 korrikut, të ndryshojë rrugën e Shqipërisë evropiane dhe ne për gjerat që janë në interes të shtetit të arrijmë konsensusin, të arrijmë bashkëpunimin sepse Shqipëria bën edhe pa Ilir Metën Kryetar Parlamenti, bën edhe pa Edi Ramën Kryeministër, bën edhe pa Lulzim Bashën Kryetar i Opozitës, edhe pa të tre sëbashku në jetën politike. Por Shqipëria nuk bën dot asnjë hap të rëndësishëm përpara pa konsensus për çështjet më të mëdha të shtetit, pa bashkëpunim, pa dialog politik.

    Meta ju bëtë disa lëvizje të pazakonta politike duke kërcënuar me qeverisje teknike apo dhe me dorëheqje nëse reforma nuk do të miratohej me konsensus. Ju jeni ndër politikanët më me përvojë në Shqipëri, që keni arritur sot të bëheni përcaktues se cila forcë e mban pushtetit dhe vetësakrifikimi nuk është në natyrën tuaj. Si duhen kuptuar këto lëvizjet tuaja?
    Së pari kjo është çështje e kujtesës sepse unë kam dhënë dorëheqje nga kryeministër për arsye sepse Partia Socialiste bëri një faull me zgjedhjet e vitit 2001 me çështje e “Dushkut”, dhe madje mund t’ju them sot këtu publikisht para gjithë shqiptarëve se për shkak se Parlamenti Europian vendosi sanksione që Presidenti në Shqipëri nuk duhej të zgjidhej me 84, edhe pse mazhoranca jonë kishte 87 vota për shkak të “Dushkut”, unë nuk pranova kompromisin e propozuar nga kryetari i PS në atë kohë që unë të bëhesha edhe Kryeministër edhe Kryetar i PS-së në atë kohë, dhe ai të bëhej President. Përkundrazi, i shërbeva një zgjidhjeje që sakrifikonte edhe karrierën time duke pranuar që ai të ishte në detyrën e Kryeministrit dhe më pas kemi pranuar që të zgjedhim një President konsensual, siç ka qenë rasti i z. Moisiu.

    Së dyti, unë kam qenë ai politikan që ka qenë në koalicion me Sali Berishën për të liberalizuar vizat, për të stabilizuar vendin, por kur ka ardhur momenti kritik që është krijuar një konflikt me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për një ligj të caktuar, kam dalë para Parlamentit dhe e kam bërë të qartë që jo vetëm nuk do ta mbështesnim atë ligj sepse cënonte këto marrëdhënie, por kam vënë në diskutim edhe koalicionin me Sali Berishën. Dhe së treti, unë mund të kem vënë në diskutim shumë gjera, mund të kem vënë në diskutim qeverinë, mund të kem vënë në diskutim pozicionin tim si Kryetar Parlamenti dhe në rast se ajo do të miratohej pa konsensus, nuk do të isha më Kryetar Parlamenti. Mund të kem vënë në diskutim shumë gjera, por asnjëherë nuk kam vënë në diskutim reformën në drejtësi. Dhe jam i lumtur që jam sot në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe që mund t’iu them të gjithë kolegëve amerikanë në mënyrë të veçantë Ndihmës Sekretarit të Shtetit, z. Broënfield, i cili më ka dhënë fuqi për të arritur një marrëveshje, mund t’i themi Ndihmës Sekretares Nuland që porositë e saj u zbatuan, mund t’i themi komisionarit Hahn i cili më telefoni dje dhe ai ishte i habitur dhe shumë i lumtur për konsensusin, se ne do të vazhdojmë këtë rrugë, duke filluar me ligjin për vettingun dhe me të gjitha ligjet e tjera sepse kjo reformë, e cila sapo ka lindur nuk duhet të lëndohet nga politika. Nuk duhet të ketë dorën e politikës. Më pas politikanët cilëtdo qofshin, duke filluar nga Ilir Meta i pari, nga Edi Rama i dyti, nga Lulzim Basha i treti e kështu me radhë duhet të shkojnë dhe të përgjigjen përpara drejtësisë. Kjo është një gjë fare e qartë dhe fare e hapur. Unë e kam thënë që nuk bëhet reforma në drejtësi duke i thënë kundërshtarit do shkosh ti në burg, sepse nuk janë politikanët që bëjnë këto gjëra, por reforma në drejtësi bëhet duke thënë do të shkoj unë i pari në burg në rast se kam shkelur ligjin dhe kështu të shkojnë të gjithë të tjerët. Por, Shqipëria nuk mund të rrijë peng i konfliktit politik në asnjë mënyrë.

    Meta, a pritet të mblidhet parlamenti këto ditë? Ka zëra dhe kërkesa që të mblidhet për të miratuar disa prej ligjeve dytësore që rrjedhin nga ndryshimet kushtetuese, siç është ai për shembull për vlerësimin e figurës së gjyqtarit?
    Patjetër ne do të fillojmë me këtë projektligj. Kam pasur rastin të flas edhe sot me z. Basha. Jam në kontakt edhe me Sekretaren e Përgjithshme të Kuvendit, kam qenë në kontakt me ambasadoren e Bashkimit Europian në Shqipëri. Dje e kam siguruar edhe komisionarin Hahn se do të bëjmë çdo gjë që kjo frymë konsensusi të vazhdojë sepse e tillë ka qenë marrëveshja edhe me miratimin e ligjeve. Dhe unë besoj absolutisht që kjo është plotësisht e mundur dhe të mësojmë nga kjo reformë dhe nga gabimet që kemi bërë deri në momentin e fundit, që për fat të mirë e kurorëzuam me sukses, për t’i bërë në kohë, me cilësi, me transparencë dhe me standarde të gjitha reformat që kërkon një Shqipëri e vërtetë evropiane.

    A është e mundur mbledhja e Parlamentit përpara se të fillojë sezoni i rregullt në shtator? A do të mblidhet Parlamenti këtë javë?

    Parlamenti do të mblidhet në çdo moment që ne do ta vlerësojmë të rëndësishme, të gjithë aktorët e reformës në drejtësi, vendas dhe ndërkombëtarë. Pra, unë si Kryetar Parlamenti, z. Rama si Kryetar i Qeverisë dhe i Partisë Socialiste, z. Basha si Kryetar i Opozitës dhe dy ambasadorët e nderuar që përfaqësojnë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian, partnerët tanë kryesorë në këtë reformë. Në këto momente, në çdo sekondë. Nuk ka gjë më të rëndësishme.

    Meta, a shikoni mundësi praktike që të mblidhet parlamenti këtë javë, këtë të enjte?
    Po, po patjetër, asnjë pamundësi praktike nuk ka, kjo është çështje vullneti, do respektohen procedurat kushtetuese. Ndërkohë, duhet të fillojë puna dhe i ftoj anëtarët e komisionit të posaçëm që të fillojnë punën që tani, që të shohin në radhë të parë ligjin për vettingun, që t’i hapet rruga menjëherë operacionit të monitorimit ndërkombëtar, që është një garanci tjetër për seriozitetin në implementimin e kësaj reforme dhe më pas të gjithë ligjet për Prokurorinë Speciale, për Byronë Kombëtare të Hetimit dhe gjithçka tjetër.

    Meta le të kalojmë pak tek marrëdhënies mes koalicionit. Figura me zë të Partisë Socialiste kanë thënë që nuk është më normale mënyra e funksionimit të koalicionit me LSI-në, ndërkohë që, vetë z. Luan Rama, një nga figurat e partisë suaj, ka shprehur rezerva për këtë koalicion. Si është situata?
    Duhet të kemi parasysh që nuk duhet të ngatërrojmë qëndrimet për reformën në drejtësi, që është një reformë madhore, me interes kombëtar, me qëndrimet e koalicionit, që kanë rëndësinë e tyre. Unë dua t’i siguroj të gjithë socialistët, pra ata në Partinë Socialiste se unë jam ai njeri që i qëndron fjalëve, që i qëndron marrëveshjeve. Por duke qenë se politika jonë është e ngarkuar shumë me intriga, thashetheme, që u vunë re edhe gjatë reformës në drejtësi, unë për respekt të tyre dhe të cilitdo që ka një shqetësim apo keqinformim, jam gati të shkoj në Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste, qoftë edhe me ministrat e propozuar nga LSI dhe t’i sqarojmë për çdo çështje që ka të bëjë me përmirësimin e qeverisjes. Po kështu, e ftoj edhe zotin Rama, apo cilindo koleg nga Partia Socialiste të bëjë të njëjtën gjë, apo t’i mbledhim të dy grupet bashkë. Por, nuk duhet të përziejmë asnjëherë çështjet e shtetit, çështjet që kanë të bëjnë me Shqipërinë në 20 – 30 vitet që vijnë, me çështjet e koalicionit tonë. Ne jemi gati të marrim çdo përgjegjësi për mosmbarëvajtjen e koalicionit në qoftë se kjo vlerësohet, dhe ne i pranojmë edhe gabimet, në qoftë se ka të tilla.

    Domethënë ju mendoni se koalicioni juaj do ta mbyllë mandatin 4 – vjeçar? A ka çarje aq të mëdha sa ta vërë këtë në rrezik?

    Unë besoj se koalicioni ynë i ka të gjitha mundësitë ta mbyllë këtë mandat. Ka mundësi të përmbushë akoma më mirë pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë dhe ne jemi të angazhuar për këtë çështje. Dhe nuk i shoh këto dy çështje të lidhura me njëra – tjetrën, sepse në momentin që i shoh të lidhura, atëherë kam frikë se fillojmë dhe deformojmë këtë reformë të re që ka lindur në Shqipëri me shumë sukses, pavarësisht nga dhimbjet, nga vështirësitë e mëdha në mesnatën e 21 – 22 korrikut.

    Meta, në këtë dinamikë politike duket që qëndrimet tuaja kanë ndryshuar karshi z. Basha. Ndërkohë që më parë ju e kritikonit, tashmë flisni për të me superlativa. E njëjta gjë vihet re edhe nga z. Basha…
    Nuk e di se çfarë quhet superlativë në rastin konkret. Është e vërtetë që unë për z. Basha, në fushatën elektorale, në zgjedhjet lokale kur ai fliste për kandidatët e LSI-së dhe për LSI-në kam thënë që ai gënjen edhe për orën, kjo është shumë e vërtetë. Por, më duhet ta them, për hir të së vërtetës dhe të asaj që ndodhi, pavarësisht nga dyshimet që edhe unë kam pasur, se fjalën që Lulzim Basha më ka dhënë në takimin që kemi pasur përpara se të fillonin procedurat parlamentare, se në rast se ‘88-ta’ do të plotësohej, ai dhe Partia Demokratike do të mbështesnin miratimin e reformës në drejtësi, ai e ka mbajtur plotësisht. Dhe unë besoj që kjo është një gjë shumë pozitive dhe duhet vlerësuar. Dhe shpresoj që ai të vazhdojë në këtë linjë që të tregojë një lidership të ri, sepse kjo i bën mirë Shqipërisë dhe këtu nuk ka vend për diversione.

    Zëri i Amerikës

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,408
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Reforma në Drejtësi miratohet me 140 vota nga Kuvendi i Shqipërisë

    Berisha: PD pengoi kapjen e drejtësisë nga Rama

    Emri:  Sali-Berisha.jpg

Shikime: 89

Madhësia:  78.3 KB

    Për deputetin demokrat Sali Berisha kundërshtitë e opozitës për Reformën në Drejtësi nuk ishin për të mbrojtur një grusht njerëzish të Partisë Demokratike, sikundër ka deklaruar kryeministri Edi Rama, por qëndresë për parimet themelore kushtetuese. Për këtë arsye, ish-kryeministri thotë se konsnesusi i reformës u imponua nga opozita, ndërsa humbësi shprehet ai, ishte kryeministri Rama. Rreshtimin e Kryetarit të Kuvendit Ilir Meta krah opozitës në këtë proces, Berisha e sheh si një zhvillim që kontribuoi në arritjen e konsensusit, pa mohuar një traditë bashkëpunimi, që Partia Demokratike ka patur me aleatin e saj të vjetër, Lëvizjen Socialiste për Integrim. Për herë të parë ish-kryeministri Berisha komenton edhe pozicionimin e disa deputetëve të opozitës pro Reformës pavarësisht vendimit të grupit, gjë që sipas tij, nuk ishin veprime të drejta. “Nuk e quaj një veprim të drejtë, të jemi të hapur, por ka patur edhe një moment. Çështjet shkonin në nivele të larta dhe shumë të larta dhe nuk mund të them se ata kishin një informacion online, i cili mund të bëhej publik nga Kryetari i Partisë, pa patur rezultatin e tij. Kështu që, edhe kjo ka qenë një faktor që ka ndikuar”- shprehet Berisha.

    Intervista e plotë e Sali Berishës për Tv Klan

    Zoti Berisha, kundërshtitë e opozitës për Reformën në Drejtësi ishin në fakt për të mbrojtur një grup njerëzish të Partisë Demokratike, sikundër thotë Kryeministri Rama, apo për të mbrojtur standardet? Pasi për të thënë të drejtën, qytetarët e kanë disi të vështirë të kuptojnë gjërat teknike sa i përket Reformës në Drejtësi.

    Qëndrimi ynë kishte vetëm një qëllim, mbrojtjen e standardeve dhe për definicion nuk kishte lidhje për të mbrojtur asnjë person. Nuk kam pranuar dekonstitucionalizimin e Presidentit të Republikës, përsa kohë ai është në detyrë. Dhe të garantoj se këtë do ta bëja për çdo President Republike. I gjithë qëndrimi ynë nuk ka patur asnjë lidhje dhe nuk ka patur parasysh asnjë person. Por ka patur parasysh strikt parimet e një drejtësie të pavarur, të pakapur, transparente, efiçente. Ne nuk mund të pranonim ndërprerjen e mandatit, sepse Komisioni i Venecias, sa herë ka qenë koha për të ndërprerë mandate, qoftë në qeverinë e tyre, qoftë në qeverinë time ka qenë kategorikisht kundër. Kur është miratuar Kushtetuta e re në vitin 1978, ka patur aty një amendament tranzitor, i vendosur nga Komisioni i Venecias: Mandatet ekzistuese vazhdojnë deri në përfundimin e tyre.

    Zoti Berisha, ju keni qenë një aktor shumë i rëndësishëm sa i përket Reformës në Drejtësi. Ambasadori amerikan Donald Lu, pasi takohej me Kryetarin Basha vinte edhe në zyrën tuaj. A keni folur ndonjëherë mes jush për vija të kuqe që nuk duhet të kaloheshin kryesisht për vetingun?

    Dua t’ju siguroj se udhëheqjen e këtij procesi e ka bërë lidershipi i PD – së, e ka bërë Lulzim Basha dhe grupi që drejton Partinë Demokratike dhe ekspertë të saj. Padiskutim, Sali Berisha ka një eksperiencë shumë të gjatë si President, si Kryeministër dhe për kohë të tëra ka qenë Kushtetuta dhe kushtetutat, librat më të lexuar, sepse ma donte detyra. Jam përpjekur qoftë në Partinë Demokratike, por qoftë dhe me partnerët të jap ndihmesën time, të jap mendimet e mia, në mbështetje të një reforme e cila duhet të garantojë një sistem gjyqësor të pavarur, efiçent, transparent dhe përgjegjës para ligjit. Ky ka qenë mendoj i gjithë angazhimi dhe përkushtimi im.

    Gjatë negociatave, LSI ka patur një qëndrim të ngjashëm më opozitën, duke i mëshuar miratimit me konsensus të Reformës në Drejtësi dhe sipas rekomandive të Venecias. Madje ka kërcënuar edhe qeveri teknike apo zgjedhje të parakohëshme sikundër ka artikuluar opozita dhe ju vetë. A është kjo një premisë për një bashkëpunim të mundshëm mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, përpara apo pas zgjedhjeve?

    Është në interes të shtrohet një pyetje: Kur ka ndryshuar qëndrimi i LSI –së? Padiskutimin që ka ndryshuar. Qëndrimi i Ilir Metës dhe LSI ka ndryshuar thelbësisht pasi erdhi projekti i Venecias, i cili kishte rrëzuar në 38 nene projektin Rama – Xhafa. Ilir Meta, veçanërisht në momentin kur ai dërgoi krahas projektit të dytë Rama – Xhafa në Venecia, ai faktikisht e shkatërroi projektin e dytë, bashkë me oponencën tonë, sepse i tha Komisionit që qeveria është e ndarë në dysh. Një krah i saj do drejtësi të pavarur, një krah do të kapë drejtësinë. A është kjo një prologativë për të bashkëpunuar midis dy partive? Unë mendoj se të dyja partitë kanë një trashëgimi bashkëpunimi. A do të bashkëpunojnë apo jo? Ajo varet nga rezultatet elektorale dhe faktorë të tjerë, por nuk mund të mohoj se ato kanë një traditë bashkëpunimi. Unë absolutisht e kam vlerësuar dhe e vlerësoj si një zhvillim që kontribuoi në mënyrë të qenësishme në konsensusin e datës 22 Korrik.

    Disa deputetë të PD deklaruan votën e tyre pro miratimit të Reformës, pavarësisht vendimit të Grupit Parlamentar. A është kjo një dëshmi e kundërshtimit të lidershipit të Partisë Demokratike, apo duhet konsideruar thjeshtë si një qëndrim parimor?

    Ata që kanë deklaruar këtu, unë mendoj se Zoti Selami nuk e ka mohuar një gjë të tillë. Nuk e quaj një veprim të drejtë, të jemi të hapur, por ka patur edhe një moment. Çështjet shkonin në nivele të larta dhe shumë të larta dhe nuk mund të them se ata kishin një informacion online, i cili mund të bëhej publik nga Kryetari i Partisë, pa patur rezultatin e tij. Kështu që, edhe kjo ka qenë një faktor që ka ndikuar.

    Duhet të ketë pasoja për këta deputetë?

    Në asnjë problem organizativ të Partisë Demokratike nuk ndërhyj. Unë jam një ish – Kryetar i dorëhequr plotësisht.

    Dje në seancën plenare ju deklaruar se humbësi në të gjithë këtë proces të gjatë negociatash, që u finalizua më në fund dhe me një konsensus mes palëve për Reformën në Drejtësi, ishte Kryeministri Rama. Vërtetë besoni se ishte kreu i qeverisë ai që humbi në gjithë këtë reformë?

    Ablsolutisht, ai dhe vetëm ai. Në radhë të parë, pastaj dhe të gjithë ata që e ndoqën. Le të marrim pak cili ishte koncepti ‘Rama’ për drejtësinë? Koncepti ‘Rama’ për drejtësinë ishte: Ministri i Drejtësisë, anëtar në katër forumet kryesore të sistemit gjyqësor, përfshirë Tribunalin Gjyqësor. Pra, Ministri i Drejtësisë, kushdo që lexon projektin e Shtatorit, do të gjejë se ai është Ministër i gjykatësve, i prokurorëve, i sistemit gjyqësor. Shef i ekzekutivit të tyre. Vetë Rama mori hetimin. Shqiptarët e kanë të qartë qëllimin e tij ndaj Byrosë Kombëtare të Hetimit. Vendosjes së saj në Drejtorinë e Policisë, në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme. Tjetër, përjashtim të të gjitha vendimeve me 3/5 të kësaj mazhorance në emërime, gjë të cilën Venecia ia hedh poshtë menjëherë, si përpjekje për të kapur. Tjetër, pasi dështoi me të gjitha, luajti letrën e të huajve dhe më të turpshmen. Që të huajt duhet të na emëronin vetorët, që duhet të vendosnin në veting, që të huajt duhet të emëronin gjykatësit dhe prokurorët. A mund të imagjinohet një qëndrim i tillë i Kryeministrit? Ai dështoi në secilën prej këtyre dhe qytetarët duhet ta dinë se po, opozita nuk ka lëshuar asnjë milimetër nga parimet e Venecias. Vërtetë është hedhur mbi opozitën një mal akuzash, se ja që kjo është pengestarja, kjo nuk e do reformën. Në një kohë që opozita e donte më shumë se kushdo tjetër reformën. Po pse? Po duhet të shuhej Partia Demokratike, po të mos donte reformën. Kjo është reformë e të drejtave njerëzore. Partia Demokratike është parti e themeluar jo mbi solidaritetin, siç është Partia Socialiste, por mbi liritë dhe të drejtat njerëzore dhe interesin kombëtar. Kaq është filozofia e saj. PD kurrë s’mund t’ia dilte. Ia mbylli derën Edi Rama, s’ka konsensus tha. Mira tha, por futi Venecian. Pra sa javë u vonua reforma vetëm për vetorë? 6 javë. Sepse donin t’i emëronin të huajt, jo i thonim ne, do t’i emërojmë ne. Të huajt e ka përcaktuar Venecia. Opozita nuk do ketë ose do ketë përfaqësimet që dua unë. Jo, e ka përcaktuar Venecia, 88 –ta. Pra, Rama ndërtoi në këtë proces, me dhjetëra gropa, duke besuar dhe shpresuar se do të hidhte PD, në fakt ra vetë në secilën prej tyre. Në fakt, çdo vijë e kuqe që iu tha shqiptarëve, iu shndërrrua në një këpucë të kuqe për veten e tij dhe u thye. Atëherë çfarë i mbeti? Një Kryeministër i cili, nëqoftëse do të vendoste për të ndjekur parimet e Venecias, do të udhëhiqte në mënyrë të pa diskutueshme reformën dhe konsensusin dhe do t’i takonte atij. Unë dua t’i rrëfej shqiptarëve një të vërtetë, edhe kur erdhi raporti i Komisionit të Venecias që rrëzoi 38 nene, në atë vend aty, unë iu kam thënë partnerëve, që erdhën dhe më thanë tani ju të drejtoni reformën, opozita të të drejtojë reformën, ju dolën. Jo i kam thënë, ta udhëheqë qeveria reformën sepse është shumica, kështu është rregulli. Por tani të ulen dhe në konsensus, të bëjnë draftin e dytë dhe ta çojnë në Venecia. Çfarë bënë? Si skile, në kuptimin e vërtetë të fjalës, fshehtas, u futën dhe brenda katër ditëve thanë e kemi bërë draftin ne. Po si e bëtë draftin ju? A e rrëzoi Venecia? Po, po ne bëmë të dytin. Dhe në bëmë të njëjtën gjë. Ne nuk bëmë draft. Pse ne nuk bëmë draft fillimisht? Sepse ne donim të jepnim mesazhin se jemi për të punuar me konsensus. Jo ju me draftin tuaj e ne me draftin tonë, hajde të ulemi. E çuan në Venecia, Ilir Meta çoi më pas draftin e tij, ne vumë oponencën tonë. E rrëzuam përsëri draftin e dytë, e kështu me radhë. Pra, nëqoftëse, ka njeri që groposi çdo pretendim që pati, është Edi Rama. Po përse? Sepse shkonte në absurd, se nxirrte pretendime absurde. Ne nuk i japim në asnjë mënyrë opozitës vende të rezervuar, tek çështja e vetingut, njëmijë herë, por ja që i dha tek dy të tjerat, orën e fundit, ditën e fundit dhe humbi. Ky ishte konsensus i imponuar, fund e krye nga opozita. Padiskutim, Levizja Socialiste për Integrim nuk punoi për opozitën, kurrën e kurrës, punoi për programin e vet, punoi për parimësinë e vet. Njeriu që luftoi të bëhej kryeprokuror, kryegjykatës, kryehetues mori atë që meritonte.

    Shqip

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,408
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Reforma në Drejtësi miratohet me 140 vota nga Kuvendi i Shqipërisë

    Kushtetuta e re; si do të zgjidhen 31 “kryegjyqtarët” e Shqipërisë

    Beteja “dhëmb më dhëmb” e forcave politike për ruajtjen e monopolit të emërimeve në drejtësi u dorëzua mesnatën e 21 korrikut, duke i hapur rrugën një procesi më transparent, por sidoqoftë të komplikuar në përzgjedhjen e 31 pozicioneve kyçe.

    Emri:  Komisioni-i-reformes.jpg

Shikime: 112

Madhësia:  32.1 KB
    Anëtarët e Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi, pasi hodhën firmat në draftin final të ndryshimeve kushtetuese. Foto: Kuvendi i Shqipërisë

    Politika shqiptare ngriti unanimisht kartonin jeshil pro reformës në drejtësi, pas një rezistence dy vjeçare të mbushur me negociata të ethshme, kalkulime politike dhe presion të gjerë ndërkombëtar. Tensioni që mbajti pezull opinionin publik u shfry mesnatën e së enjtes, vetëm pasi politikanët e të dyja kaheve hodhën firmën mbi një projekligj të dakordësuar në minutën e fundit; ata dorëzuan monopolin e tyre shumëvjeçar mbi emërimet në sistemin e drejtësisë.

    Kushtetuta e re e Shqipërisë ndryshon në mënyrë radikale funksionimin e sistemit gjyqësor dhe atë të prokurorisë në vend. Ajo synon të pastrojë sistemin nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar përmes strukturës 9 vjeçare të vetingut si dhe të godasë kulturën e pandëshkueshmërisë në rangjet e larta të pushtetit përmes strukturës së posaçme antikorrupsion.

    Reforma synon gjithashtu që përmes një procesi efikas emërimesh të këpusë fijet e konfliktit të interesit mes politikës dhe gjyqësorit në Shqipëri. Ky objektiv i tretë prodhoi tensionin më të madh në negociatat e zgjatura të ambasadorëve me tre partitë kryesore politike në vend.

    Sistemi shqiptar i drejtësisë përbëhet nga një korpus prej rreth 740 gjyqtarësh dhe prokurorësh të të gjitha niveleve. Megjithatë, ishin vetëm 31 pozicione kyçe në sistem që mbajtën pezull për muaj me radhë kompromisin e vështirë të mesnatës së 21 korrikut.

    Ndryshimet kushtetuese i japin Kuvendit të Shqipërisë të drejtën e emërimit të 10 anëtarëve jo-gjyqtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë si dhe 21 komisionerëve të vetingut-pozicionet më të debatuara gjatë 2 viteve të procesit.

    Megjithatë, ky pushtet ndahet tanimë mes politikës, Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit dhe mekanizmave të rinj në sistemin e drejtësisë.

    Kuvendi emëron gjithashtu 3 anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, prokurorin e Përgjithshëm dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë-përcaktime që kaluan pa shumë debat politik.

    Kushtetuta e re i jep një shans politikës në përzgjedhjen e 31 zyrtarëve të lartë të drejtësisë, pa i lënë emërimet peng të mosmarrëveshjeve të saj. Negociatat e stërzgjatura mes palëve dhe përfaqësuesve ndërkombëtarë diktuan formula të komplikuara në përzgjedhjen e “kryegjyqtarëve” të Shqipërisë, por ato parashikojnë gjithashtu edhe mekanizma të qartë zhbllokues për secilin prej pozicioneve.

    Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit-një strukturë e përbërë nga gjyqtarë dhe prokurorë të huaj do të luajë rolin e hinkës për secilin prej kandidatëve që do të garojnë për pozicionet kyçe në drejtësi.

    Kompetencat e Operacionit Ndërkombëtar u bënë gjithashtu objekt debatesh gjatë javëve të fundit, pasi ndihmës-sekretarja e Shtetit, Viktoria Nuland u paraqiti partive politike një formulë konsensusi për procesin e vetingut më 10 korrik.

    Propozimi u jepte ndërkombëtarëve të drejtën e skualifikimit të kandidaturave me probleme në deklaratat e tyre të pasurisë, me lidhje të dyshimta apo me CV të diskutueshme profesionale.

    Negociatat e orëve të fundit i dhanë politikës një bonus në raport me ndërkombëtarët, por përmbysja e të ashtuquajturës “listë e zezë” mbetet gjithsesi në kufinjtë e së pamundurës.

    Formulat e kompromisit

    Struktura që do të kryejë filtrimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të Shqipërisë përbëhet nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK, Kolegji i Apelimit dhe dy Komisionerë Publikë. Në këto poste do të ulen 21 persona; të parët që do të kalojnë përmes procesit të vetingut të ndërkombëtarëve.

    Secili prej kandidatëve, bashkë me aplikimit do të duhet të dorëzojë edhe një deklaratë me shkrim, për të autorizuar kontrollin vjetor të pasurisë, monitorimin sistematik të transaksioneve financiare dhe kufizimin e së drejtës për fshehtësi të komunikimeve telefonike gjatë qëndrimit në detyrë.

    Ndryshimet kushtetuese përcaktojnë që kandidatët për KPK, Kolegjin e Apelimit dhe Komisionerët Publikë të aplikojnë në zyrën e Presidentit të Republikës. Brenda 7 ditëve, Presidenti duhet të plotësojë dy lista kandidatësh-e para me kandidatët që plotësojnë kriteret formale dhe e dyta me kandidatët që nuk i plotësojnë dhe t’ia kalojë ato Kuvendit.

    Presidenti i Republikës ka në dispozicion 45 ditë pas hyrjes në fuqi të paketës së re kushtetuese për ta kryer këtë detyrë. Nëse kjo nuk ndodh, kompetenca e tij i kalon Avokatit të Popullit.

    Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, OMN vlerëson kandidatët sipas përcaktimeve ligjore dhe ia kalon rekomandimet e saj Kuvendit të Shqipërisë përmes Presidentit të Republikës. Paketa e ndryshimeve kushtetuese nuk e specifikon mënyrën e vlerësimit të OMN, por propozimi “Nuland” i dakordësuar më pas me ndërhyrjen e komisionerit Hahn parashikon ndarjen e kandidatëve në tre lista.

    OMN harton listën e gjelbër me emrat e kandidatëve që nuk plotësojnë kriteret formale, listën e bardhë me kandidatët e kualifikuar dhe listën e zezë me kandidatët ngelës të procesit të vetingut.

    Pas vlerësimit të kandidatëve nga OMN dhe përcjelljes së tyre në Kuvend, ligji parashikon ngritjen e një komisioni të parë ad hoc, të përbërë nga 3 anëtarë të opozitës dhe 3 anëtarë të mazhorancës.

    Ky komision merr në dorë listën e kandidatëve të dërguar nga Presidenti dhe tre listat e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Kapërcimi i një kandidati nga lista e gjelbër tek ajo e bardhë kërkon 4 vota të komisionit ad hoc, ndërsa me pesë vota, komisioni partiak mund të nxjerrë një kandidat nga lista e zezë dhe ta përfshijë atë në listën e bardhë.

    Kandidaturat e përzgjedhura për secilën kategori nga komisioni 1 i kalojnë dy komisioneve të tjera bi-partizane; njëri me 12 anëtarë dhe tjetri me 6. Secili prej 12 anëtarëve të komisionit të dytë ad hoc zgjedh në mënyrë elektronike nga një kandidat për KPK dhe Komisionerët Publikë, ndërsa komisioni i tretë ad hoc zgjedh në të njëjtën mënyrë 7 anëtarët e Kolegjit të Apelimit.

    21 kandidatët e ndarë i kalojnë për votim Kuvendit, që brenda 10 ditëve duhet të votojë me 3/5 listën e kandidatëve në bllok. Nëse votimi dështon, procedura e përzgjedhjes përsëritet nga e para, ndërkohë që Kuvendit i mbetet të gjejë një mazhorancë prej 2/3 për ta rrëzuar atë. Nëse Kuvendi nuk bën 94 votat, kandidatët konsiderohen të zgjedhur.

    Emërimi i 21 komisionerëve të vetingut nuk është i vetmi procesi i komplikuar në paketën e reformës në drejtësi. Mosbesimi i lartë mes partive politike në Shqipëri diktoi një procedurë të ngjashme edhe në përzgjedhjen e 5 anëtarëve jo-gjyqtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe 5 të tjerëve në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

    Përzgjedhja e 10 pozicioneve në KLGJ dhe KLP u kthye gjithashtu një temë e nxehtë debati për javë me radhë, duke iu nënshtruar ndryshimeve tërësore nga drafti fillestar i reformës.

    Drafti final parashikon që dy anëtarë për secilin këshill të zgjidhen nga radhët e avokatëve, dy nga trupa e pedagogëve të fakultetit të Drejtësisë dhe Shkollës së Magjistraturës dhe një nga shoqëria civile.

    Kandidatët i dorëzojnë aplikimet e tyre tek Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, i cili brenda 10 ditësh përcakton listën e kandidatëve që përmbushin kriteret. Më parë, kandidatët kalojnë procesin e vetingut nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.

    Paralelisht me këtë procedurë, Komisioni i Ligjeve në Kuvend ngre një nënkomision me 3 anëtarë të mazhorancës dhe dy anëtarë të opozitës. Kandidaturat për KLGJ dhe KLP i kalojnë për shqyrtim këtij nënkomisioni.

    Katër nga pesë anëtarët e këtij nënkomisioni mund të vendosin që të përfshijnë në listë një kandidat të skualifikuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit. Secili prej kandidatëve duhet të sigurojë gjithashtu 4 vota që të quhet i kualifikuar.

    Nëse nënkomisioni dështon të sigurojë shumicën, projektligji parashikon që përzgjedhja të bëhet me short. Lista me 10 kandidatët e suksesshëm duhet të votohet në Kuvend me 2/3 e votave. Nëse kjo shumicë nuk arrihet për tre raunde votimesh radhazi, kandidatët e përzgjedhur emërohen automatikisht.

    Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë parashikohet të krijohen tetë muaj pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së re. Përzgjedhja e 21 komisionerëve të vetingut dhe 10 anëtarëve jo-gjyqtarë në KLGJ dhe KLP konsiderohet një nga sfidat më të forta në implementimin e këtij procesi të gjatë. Megjithatë, kushtetuta e re i ka mbyllur shtigjet për zvarritje përmes mekanizmave të qartë zhbllokues në të dyja rastet.

    Institucionet e tjera

    Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, KED është institucioni i parë që do të krijohet pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së re. I projektuar fillimisht si një institucion kyç në sistemin e drejtësisë, KED ka humbur shumë prej kompetencave të fillimit me ndryshimet e njëpasnjëshme të paketës së reformës.

    Drafti final i jep KED të drejtën e verifikimit të kushteve ligjore dhe kritereve morale dhe profesionale për kandidatët e Gjykatës Kushtetuese dhe kandidatët për Inspektor të Përgjithshëm. Ai përbëhet nga 9 anëtarë të cilët do të përzgjidhen me short nga Presidenti i Republikës; dy nga Gjykata Kushtetuese, një nga Gjykata e Lartë, një prokuror nga Prokuroria e Përgjithshme, dy gjyqtarë dhe dy prokurorë nga Apeli dhe një gjyqtar i Gjykatës Administrative.

    Presidenti duhet të organizojë shortin 5 ditë nga hyrja në fuqi e ligjit. Nëse kjo gjë nuk ndodh, përzgjedhja i kalon Kryetarit të Kuvendit.

    Kushtetuta e re përcakton një mënyrë të ngjashme në zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Me kompetenca të zbehura dhe me një mandate 7 vjeçar, Prokurori i ri i Përgjithshëm do të zgjidhet me 2/3 e votave në Kuvend mes 3 kandidaturave të propozuara nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.

    Nëse Kuvendi nuk e zgjedh Prokurorin e Përgjithshëm brenda 30 ditëve, kandidati i renditur në vendin e parë nga KLP konsiderohet i emëruar.

    Inspektori i Lartë i Drejtësisë, sipas draftit final ka tagrin e verifikimit të ankesave, nisjen e hetimeve disiplinore dhe hetimin me nismën e tij të shkeljeve të gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve, anëtarëve të KLGJ, KLP dhe Prokurorit të Përgjithshëm.

    Inspektori i Lartë zgjidhet nga lista e pesë kandidatëve të renditur sipas meritave nga Këshilli i Lartë i Emërimeve.

    Gjykata Kushtetuese do të ketë një ripërtëritje të ngadaltë-3 anëtarë në tre vjet. Tre anëtarë të saj emërohen nga Kuvendi, 3 nga Presidenti i republikës dhe 3 nga Gjykata e Lartë. Gjithsesi, kandidatët do të kalojnë filtrin e Këshillit të Lartë të Emërimeve dhe nëse Kuvendi nuk zgjedh brenda 30 ditëve, të renditurit e parë në listë emërohen automatikisht.

    Anëtarët e Gjykatës së Lartë emërohen nga Presidenti i Republikës, ndërsa kandidatët propozohen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor. Dhjetë ditë nga marrja e kandidatëve, presidenti është i detyruar të dekretojë kandidatët. Ai mund t’i përjashtojë ata vetëm në rastet kur kandidati nuk plotëson kriteret e kulaifikimit.

    Dekreti refuzues i Presidentit të Republikës humbet megjithatë fuqinë nëse shumica e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor voton kundër tij. Në këtë rast, kandidati shpallet i emëruar dhe fillon detyrën brenda 15 ditëve nga data e vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor.



    Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit

    OMN do të mbështesë procesin e rivlerësimit nëpërmjet monitorimit dhe mbikqyrjes së të gjithë procesit. Ky Operacion…do të udhëhiqet nga Bashkimi Europian. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit emëron vëzhguesit ndërkombëtarë, nga radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve me jo më pas se 15 vite eksperiencë në sistemin e drejtësisë së vendeve të tyre.

    Vëzhguesi ndërkombëtar ushtron këto detyra:

    A)I jep rekomandime Kuvendit lidhur me kualifikimin dhe përzgjedhjen e kandidatëve për pozicionin e anëtarit të Komisionit, gjyqtarit të Kolegjit të Apelimit dhe Komisionerit Publik;

    b) paraqet gjetje dhe mendime mbi çështje që shqyrtohen nga Komisioni dhe nga Kolegji i Apelimit, si dhe kontribuon për kontrollin e figurës sipas nenit DH. Lidhur me këto gjetje, vëzhguesi ndërkombetar mund të kërkojë që komisioni ose Kolegji i Apelimit të marre në shqyrtim prova ose të paraqesë prova të marra nga organet shtetërore, entitetet e huaja ose personat private, sipas ligjit;

    c) u jep Komisionerëve Publikë rekomandime me shkrim për të paraqitur ankim. Në rast se Komisioneri Publik nuk i zbaton rekomandimet , ai përgatit një raport me shkrim duke dhënë arsyet e refuzimit

    ç) Kanë të drejtë të marrin të gjitha informacionet menjëherë, të dhënat për persona dhe dokumentet e nevojshme, me qëllim monitorimin e procesit të rivlerësimit në të gjitha nivelet dhe fazat.


    Aleksandra Bogdani
    BIRN

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •