Emri:  indonemi-655x356.jpg

Shikime: 194

Madhësia:  36.7 KB

Kur shkuan për herë të parë në Idomeni një grup të rinjsh nga Korça pjesë e Fondacionit Kenedi, u përpoqën të merrnin me vete sa më shumë ndihma, por në kampin e refugjatëve të luftës në Greqi, ata kuptuan se më shumë se sa batanijet dhe ushqimi duheshin njerëz për të lehtësuar jetën e refugjatëve dhe fëmijëve.

Lysiena, Kristina, Floriani dhe Alda janë një pjesë e grupit prej rreth 10 të rinjsh 20-25 vjeç nga Korça, të cilët u bënë vullnetarë të përjavshëm në kampin ku mijëra të ikur prej luftërave në Siri e Irak e zona të tjera ndalonin para se të ndërmerrnin rrugën për më në veri të Europës në atë që u pagëzua “Korridori Ballkanik”, apo edhe për ata që u bllokuan kur nuk mund të shkonin përtej.

“Kontakti i parë ishte me dy fëmijë të cilët sapo panë jelekun që mbaja veshur vrapuan drejt meje dhe më përqafuan”, thotë Florian Adili. Çdo të shtunë pas kësaj, deri në mbylljen e kampit të refugjatëve, Flori siç i thonë shkurt dhe të tjerët shërbyen në kamp duke ndarë ushqim, zbavitur fëmijët dhe ndihmuar si të mundeshin refugjatët.

Idomeni sot është i evakuuar, pas një marrëveshjeje mes BE dhe Turqisë që rezultoi me mbyllje të kufijve dhe rrugës për refugjatët nga Greqia drejt Gjermanisë e vendeve të tjera. Greqia i shpërndau refugjatët e Idomenit në kampe ushtarake, edhe pse kjo nuk i ka dhënë fund gjendjes së rënduar humanitare.

Vullnetarët nga Korça thonë se po presin deri në fund të qershorit për të mësuar se ku do të mund të vijojnë punën e tyre prej vullnetarësh. Ata i thanë BIRN se presin të caktohen në kampe të vogla pranë Selanikut.

“U bënë muaj tashmë dhe sigurisht që hera e parë ishte ajo kur ne u nisëm për të dhënë ndihmën tonë pa e ditur qartë se çfarë do të bënim. Morëm veshmbathje dhe ushqime për t’ua shpërndarë, por hasëm në vështirësi për t’i kaluar në kufi pasi punonjësit ishin dyshues,” kujton në një bisedë për BIRN Ian Loring i ardhur nga SHBA më 1991 për të ringritur Fondacionin e krijuar prej Fines Kenedi (Phineas Kennedy) më 1908.
Loring kujton se atje nuk mungonin ndihmat, por kapacitetet njerëzore që t’i shpërndanin. “Kishte organizata të shumta që punonin me vullnetarët e tyre për t’i ndihmuar ata njerëz dhe përsëri nuk arrinin të shpërndanin çdo gjë që kishin ndaj ne vendosëm të mos çonim ndihma të cilat nuk mund t’i shpërndanim, por vendosëm të ndihmonim organizatat e tjera për t’i shpërndarë dhe të ndihmonim fëmijët që kjo ngjarje t’u dukej si një ëndërr e keqe,” tregoi ai.

Loring dhe bashkëshortja janë rithemelues të organizatës jo-fitimiprurëse dhe vijues të traditës së familjes Kenedi, historia e të cilëve për shkak të diktaturës pak njihet në Shqipëri edhe pse bëhet fjalë për misionarë protestantë që morën në mbrojtje dhe mbështetën shkollën e parë shqipe në Korçë. Ata po ashtu si shumë të huaj që u ndodhën në atë kohë në Shqipëri u bënë zë i përpjekjeve të shqiptarëve për të krijuar shtetin e tyre.
Edhe ndihma ndaj refugjatëve nuk është e re për fondacionin. Në një letër të publikuar në revistën e “Boys Life” (Një revistë skautësh) në SHBA më 1913 Finej Kenedi pasi tregon situatën e rëndë të refugjatëve shqiptar që iknin nga fshatrat e djegur gjatë luftës Ballkanike prej ushtrisë greke shkruan se “mezi prisnin të merrnin leje të bënin punë ndihmëse, sepse vuajtjet ishin shumë të mëdha”

Një shekull më vonë aktivistët e Fondacionit Kenedi u bënë pjesë e grupeve vullnetare të kujdesit për refugjatët në Idomeni, duke i oganizuar fundjavat e tyre krejt ndryshe nga sa bëjnë moshatarët.

“Atje puna nis nga ora 8.00 e deri në 17.00 ku kujdesi ynë fokusohet tek nevojat njerëzore të tyre, kohë gjatë së cilës ne përfitojmë që të vemë në zbatim edhe qëllimin tonë që është të kujdesemi për fëmijët,” na thotë Lysiena Topi. Lysiena vullnetarizmin e ka nisur herët në adoleshencë dhe përveç kësaj tashmë është edhe punonjëse e fondacionit.

Vajza tregon se për ta ka qenë e pamundur të mos lidheshin me historinë e njerëzve që takuan në kamp sidomos fëmijët për të cilët ajo thotë se pavarësisht se nuk e kuptojnë çfarë po u ndodh, kanë më shumë nevojë për ndihmë. “Mes asaj hapësire pafund ku mbahen mijëra njerëz ne krijuam hapësirën tonë që këtyre fëmijëve t’u japim mundësinë të argëtohen pak dhe t’i shpëtojmë nga kthetrat e kësaj historie që u parashtroi fati,” tregon Lysiena. Ajo thotë se ka dëgjuar shumë histori të dhimbshme, por pavarësisht kësaj grupi ka arritur të lidhet me ata të cilët nuk arrijnë të flasin për luftën sepse “rrëmbehen nga entuziazmi i lojës dhe argëtimit”.

Sipas Lysienës në Idomeni kishte një luftë nervash, jo vetëm për refugjatët por edhe për vullnetarët të cilit kishin shkuar për t’i ndihmuar.
“Ditën e nisin duke pritur në rradhë për ushqimin dhe ende pa arritur të marrin njërin vakt duhet të shqetësohen për qëndrimin në rradhë për të marrë vaktin tjetër,” na tregojnë vullnetarët.

Për ta çdo ditë e jetuar në Idomeni është një gjurmë. “Çdokush që takohet me ata njerëz, profesionistë të cilët kanë lënë karrierën, vejusha që me foshnja kanë marrë rrugën për të lënë pas luftën, fëmijë që përshkruajnë si nëpër filma skenat me raketa që u kalojnë mbi kokë, pasi ndahet prej tyre vlerëson atë që ka,” na thonë ata.

Kristina Gocllari nga Korça, studente në vitin e I-rë, prej 8 vitesh ka nisur punën si vullnetare që ndihmon njerëzit në nevojë, por edhe pse është përballur me histori nga më të dhimbshmet, eksperiencën në Idomeni e sheh si një mësim që i ka lënë të kuptojë se me fat është që luftën nuk e ka përjetuar. Kur tregon Kristina shmang kontaktin me sytë dhe kapërcen lotët. “I jam përgjigjur menjëherë thirrjes që na u bë për të shkuar atje. E plotësova formularin pa u menduar gjatë dhe shkova. Një javë atje nuk mjafton, ajo çfarë ti arrin të bësh duket aq e vogël përballë nevojës së atyre njerëzve”, tregon studentja.

Atje ditët i kalon duke shpërndarë ushqim nëpër çadra, duke organizuar lojra për fëmijë.
Vajza që e përshkruan kampin me detaje thotë se atje “kutitë e kartonit shërbejnë si krevat për foshnja” dhe se mungesat ishin mjaft të mëdha, por se ajo sërish kishte parë njërëz të gatshëm për të ndihmuar. “Fillimisht ne nisëm të pastronim ambjentin dhe menjëherë dhjetra prej tyre nisën të na kërkonin qese dhe pastruan me ne. Teksa shpërndaja ushqime kishte fëmijë që më shoqëronin, hynin në çadra dhe bënin përkthyesin, u jepnin ushqim nënave për fëmijët e tyre më të vegjël madje ata më të rriturit shprehnin dëshirën të ishin staf me ne. Gjithë kohës kam krahasuar atë çfarë kemi ne dhe çfarë kanë ata,” thotë ajo.

Florian Adili thotë e ka mësuar nga fëmijët atje edhe disa fjalë arabisht, por “ajo që më ka impresionuar ishte korrektësia e tyre. Kur ne shkonim në çadra për t’u dhënë ushqim nëse ata kishin marrë njëhërë ata refuzonin të merrnin përsëri pasi mendonin se mund të kishte familje të tjera që nuk kishin mundur të merrnin vaktin e tyre”. Studenti 21-vjeçar Shkencave të Natyrës thotë se ishte prekur shumë kur fëmijët ofronin të ndanin ushqimin për të cilin kishin ndenjur në rradhë. “Fëmijët e shprehnin dashurinë duke ndarë me ne ushqimin e tyre. Në një moment ne ishim duke luajtur kur një djalë i vogël më tërhoqi dorën. Ktheva kokën dhe pashë se ai më zgjati një gotë me çaj dhe disa biskota. Kishte qëndruar në rradhë për t’i marrë ato dhe erdhi m’i solli mua. Nuk doja t’ia merrja, por ai nguli këmbë derisa u ulëm diku dhe i hëngrëm së bashku,” kujton ai.
Alda Nuri është e vetmja nga grupi në moshë për të mbajtur mend Shqipërinë në ditë të ngjashme. Punonjësja sociale ka lënë punën, familjen dhe ka shkuar si vullnetare në kampin e refugjatëve në Idomeni. Ajo thotë se prej vitesh punon dhe përkujdeset për fëmijët me probleme shëndetësore, por në Idomeni është ndjerë ndryshe. “Unë kam qenë e vogël, por sot kur i rikujtoj ato muaj të vështirë, perceptoj çdo të thotë të jesh në mes të luftës. Pak rëndësi kanë rrethanat e saj, arsyet, politikat, rëndësi ka çfarë bie mbi shpatullat e këtyre njerëzve, sesi nga zotër të jetës së tyre kthehen në “robër” të fatit rastësor qoftë edhe për një vakt ushqim”, thotë ajo duke bërë krahasimin me shumë shqiptarë që kaluan kufijtë në vitet ’90 për një jetë më të sigurtë në “perëndim.”

BIRN