Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17

    Prokuroria: Sekuestro 220 ha tokë në Karaburun me vlerë €110 mln, me pronar Raimond Mëzi

    Vlorë, sekuestrohet prona 100 mln €, ja si u zbulua falsifikimi



    220 hektarë tokë me vlerë tregu prej 100 milion euro është sekuestruar nga prokuroria e Vlorës pas dyshimeve se ajo ishte përvetësuar me dokumenta të falsifikuara.
    Hetimet për këtë rast sqaron akuza e Vlorës janë nisur kryesisht e më pas janë bashkuar dhe kallëzimet e dy shtetasve të cilët pretendojnë pronësi mbi këtë sipërfaqe.

    Kjo masë sekuestro është vendosur me lejen e gjykatës ndërsa si prova janë paraqitur një sërë dokumentesh të falsifikuara të marra në hipotekën e qytetit të Vlorës.
    Sipërfaqa prej 220 hektarë ndodhet në zonën e njohur si Shën Vasil në Karaburin dhe është regjistruar fillimisht në emër të Rajmond Mezinit.

    Historiku i falsifikimit të dokumenteve të pronësisë nis me ato të kthimit dhe njohjes së pronës prej 1943 ku fillimisht ka rezultuar pronar Jakup Mezini.
    Kjo pronë me dokumente të falsifikuar është regjistruar në hipotekë në vitin 2002 me përshkrimin Një sipërfaqe Kullotë prej 220 ha në emër të Rajmon Mezinit.

    Por tjetërsimi i kësaj prone do të vazhdonte duke u ndarë në dy parcela 130 ha dhe 90 ha. Sipas prokurorisë kjo pronë ka kaluar dhe një sërë transaksionesh të dyshimta të pasqyruara në regjistrat e hipotekës.

    Këto transaksione thotë prokuroria janë bërë me qëllim fshehjen e origjinës së pronës. Për të cilën tashmë ka nisur procedimi për falsifikim dokumentash, shpërdorim detyre, pastrim parash.


    Njoftimi i Prokurorisë
    Prokuroria e Vlorës, sekuestron sipërfaqe trualli me vlerë 100 milionë euro në Karaburun

    Prokuroria e Vlorës ka vendosur nën sekuestro 220 hektarë tokë në zonën e Karaburunit, vlera e të cilës përllogaritet sipas çmimeve zyrtare në rreth 100 (njëqind) milionë euro, e dyshuar si e përfituar në bazë të dokumentave të fallsifikuar.

    Prokuroria e Vlorës ka nisur kryesisht hetimin dhe më tej i janë bashkuar edhe kallëzimet e dy shtetasve, të cilët pretendojnë pronësinë në një pjesë të kësaj hapësire. Pas veprimeve proceduriale, Prokuroria mori lejen e gjykatës për të vendosur nën sekuestro preventive të gjithë sipërfaqen e tokës, e cila është regjistruar në Hipotekën e Vlorës, bazuar në një seri dokumentash të fallsifikuar.

    Në bazë të veprimeve hetimore të kryera deri në këtë fazë të hetimit të Njësisë Task-Forcë së Prokurorisë së Vlorës, ka rezultuar se prona me sipërfaqe 220 hektarë në Shën Vasil, Karaburun, fillimisht është regjistruar në emrin e shtetasi Rajmond Mezi.

    Nga hetimet e kryera, ka rezultuar se dokumentacioni që ka shërbyer për njohjen, kthimin dhe më pas regjistrimin e kësaj prone, është i fallsifikuar.

    Konkretisht, rezulton se është fallsifikuar dokumenti datë 13/05/1943, në bazë të të cilës figuron si pronar shtetasi Jakup Mezi. Ky dokument i fallsifikuar është paraqitur me pas në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë, gjatë shqyrtimit gjyqësor për njohjen e pronësisë trashëgimtarit Rajmond Nezi.

    Po kështu, nga hetimet rezulton e provuar se vendimi nr. 100, datë 19/04/1994 ish-KKKP-së Bashkia e Qytetit Vlorë, i paraqitur në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë, është i falsifikuar.

    Gjithashtu nga hetimet rezulton se edhe vendimi gjyqësor civil nr. 1360, datë 29/12/2000 i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, përmes të cilit është kthyer fizikisht sipërfaqja e pronës prej 220 ha, është i falsifikuar.

    Kjo është e provuar pasi, nga të dhënat e deritanishme, është provuar se e gjithë dosja që i përket këtij vendimi gjyqësor është fallsifikuar dhe më pas është regjistruar ne indeksin e vendimeve gjyqësore dhe bërë pjesë e arkivit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, në kundërshtim të plotë me ligjin.

    Nga hetimet e kryera, është provuar se pasuria e mësipërme, është regjistruar në regjistrin hipotekor datë 12/10/2012, me përshkrimin “Një sipërfaqe kullotë prej 220 ha, në vendin Karaburun sipas kufinjëve”, në emër të shtetasit Rajmond Mezi.
    Pas regjistrimit të kësaj pasurie, ajo është ndarë në dy pasuri të tjera, me sipërfaqe prej 130 ha dhe 90 ha. Më tej, mbi këto pasuri janë kryer transaksione të ndryshme, duke u tjetërsuar tek persona të tjerë dhe veprimet e tjetërsimit të kësaj pasurie janë pasqyruar më pas edhe ne regjistrat e ZVRPP Vlorë, veprime të cilat janë kryer me qëllim fshehjen e origjinës së pasurisë së mësipërme.

    Lidhur me sa më sipër, deri në këtë fazë të hetimit, ndodhen nën hetim disa persona të dyshuar se kanë kryer veprat penale të “Falsifikimi i dokumentave” e kryer në bashkëpunim, “Shpërdorim detyre”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

    Shqiptarja

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Prokuroria: Sekuestro 220 ha tokë në Karaburun me vlerë €110 mln, me pronar Rajmon Mezini

    Pronarit të tokës në Karaburun - Sekuestrohet 100 mln euro truall në Zvërnec, falsifikuan vendimin në emër të gjyqtarit Skerdilajd Konomi



    Prokuroria e Vlorës ka vendosur masën e sekuestros për 89 hektarë tokë në bregdetin e Zvërnecit, me vlerë 110 milionë euro. Nga hetimet e Prokurorisë rezulton se prona është tjetërsuar përmes një procesi zinxhir falsifikimesh në emër të personit që rezulton pronar edhe në rastin e truallit në Karaburun, sekuestruar nga Prokuroria e Vlorës rreth dy javë më parë. Nga hetimet e Prokurorisë ka dalë dhe emri i gjyqtarit të ndjerë Skerdilajd Konomi, i cili rezulton se nuk ka qenë gjyqtar në datën kur rezulton vendimi i gjykatës për njohje pronësie.

    Vijon sekuestrimi i pronave në qytetin brengdetar të cilat dyshohen se janë përfituar në mënyrë të jashtëligjshme.

    Prokuroria e Vlorës ka sekuestruar 89 hektarë tokë në zonën e Zvërnecit, me vlerë rreth 110 milionë euro sipas çmimeve zyrtare, e dyshuar se është përfituar në mënyrë të paligjshme nga shtetasi Raimond Mezi, të cilit disa ditë më parë iu sekuestruan 220 ha tokë në Karaburun me vlerë njëqind milionë euro.

    Skema e përdorur këtë rast sipas Prokurorisë është realizuar në të njëjtën mënyrë dhe nga të njëjtët persona, të cilët kanë regjistruar në mënyrë të paligjshme edhe 220 hektarë truall të sekuestruar tashmë, në zonën e Karaburunit.

    Në vijim të hetimeve, Prokuroria ka kërkuar caktimin e sekuestros preventive mbi këtë sipërfaqe, kërkesë e cila është pranuar nga ana e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë.

    Proçesi gjyqësor fiktiv, u falsifikua vendimi gjyqësor në emër të Konomit

    Në bazë të hetimeve të Prokurorisë së Vlorës, rezulton se trualli 89 hektarë në zonën e Zvërnecit është regjistruar në Hipotekën e Vlorës, në bazë të dokumentave të fallsifikuar dhe nëpërmjet një procesi gjyqësor njohjeje prone, tërësisht fiktiv.

    Në kuadër të hetimit, Prokuroria e Vlorës ka sekuestruar praktikën e njohjes dhe më tej regjistrimit të kësaj prone.

    Prokuroria thotë se nga aktet hetimore, rezulton se shtetasi Raimond Mezi është njohur me vendim gjyqësor si pronar i sipërfaqes 89 hektarë, në bazë të një vendimi gjyqësor të vitit 2003, dhënë nga gjyqtari Skerdilajd Konomi. Prokuroria e Vlorës e ka konstatuar tërësisht fiktiv këtë vendim, pasi, në kohën e dhënies së vendimit, i ndjeri Konomi nuk ka qenë gjyqtar.


    Të njëjtët persona dhe i njëjti mekanizëm që u përdor në Karaburun

    “Nga sekuestrimi i dosjes gjyqësore, që i përket vendimit te mesipërm nr. 2217, datë 29/12/2003 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, rezulton se kjo dosje pasi është falsifikuar është bërë pjesë e arkivit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë. Ky fakt provohet edhe nga sekuestrimi i numratorit civil të vitit 2003, ku duket qartë se janë shtuar në këtë libër të dhënat e vendimit të mësipërm gjyqësor.

    Pra, del qartë se është përdorur i njëjti mekanizëm që është përdorur për të falsifikuar dhe pastaj bërë pjesë të arkivit edhe dosjen gjyqësore që i përket vendimit nr. 1360, datë 29/12/2000 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, lidhur me sipërfaqen 220 ha tokë ne Karaburun, si dhe nga të njëjtët persona”.

    Gjithashtu rezulton se edhe vendimi nr. 100, datë 19/04/1996 i ish-KKKP-së Bashkia e Qytetit Vlorë, në emër të subjektit të shpronësuar Jakup Mezi (paraardhës i Raimond Mezi), si dhe nota e transkriptimit, në favor të shtetasit Jakup Mezi, që janë paraqitur në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Vlorë, janë dokumente të falsifikuara.

    Po ashtu, nga hetimi i Prokurorisë provohet se pasuria e përshkruar në vendimin e mësipërm të falsifikuar është regjistruar pranë ZVRPP Vlorë nga personi nën hetim Blerina Dhrami.

    Nga hetimi është provuar se pas regjistrimit të pasurisë së mësipërme mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara, janë kryer veprime tjetërsimi, duke kaluar e gjithë pasuria ne emër të personave të tretë.

    Nga hetimi i deritanishëm, rezulton qartë se pasuria e paluajtshme me sipërfaqe 89 Ha, regjistruar fillimisht në emër të shtetasit Raimond Mëzi është produkt i veprave penale të parashikuara nga nenet 186/2 dhe 248 të Kodit Penal.

    Kjo pasuri është regjistruar mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara, si dhe në kundërshtim me ligjin nr. 33/2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” e udhëzimet përkatëse.

    Rezulton se në lidhje me këtë pasuri janë kryer veprime juridike tjetërsimi, me qëllim fshehjen e origjinës së pasurisë, e cila është produkt i veprave penale të parashikuara nga nenet 186/2 dhe 248 të Kodit Penal.

    ORA NEWS

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •