Me protestën e paprecedentë të një institucioni që del në rrugë kundër Gjykatës, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj kaloi në ekstrem konfliktin për çështjen e pallateve tek diga e liqenit.

Por sulmi i Erjon Veliajt kundër trupit gjykues, arriti kulmin sot, kur juristët e Bashkisë depozituan kallëzim penal kundër gjyqtares Enkelejda Metaliaj (Softa), sepse kjo e fundit paska lidhje familjare me një prej aksionerëve të kompanisë ndërtuese.

Që pas viteve të pluralizmit partiak, ky është një nga rastet e rralla kur një person akuzohet në prokurori se ka kryer vepër penale, sepse ka kushëri një person tjetër.

Për të njëjtat pretendime, Gjykata ka marrë vendim dhe nuk e ka zhvendosur gjyqtaren nga çështja në fjalë. Për më tepër që vetë gjyqtarja pretendon se e gjitha është një shpifje e Erjon Velisë, i cili kërkon të vendosë njerëz të tjerë për të gjykuar çështjen.

Çështja është shqyrtuar më parë në Gjykatën e Apelit Administrative dhe kërkesa e Bashkisë për të ndryshuar trupin gjykues është hedhur poshtë më parë, pavarësisht pretendimeve të Erjon Velisë se gjyqtarja ka lidhje familjare me një nga aksionerët.

Në fakt, kjo duket të jetë thjesht një taktikë e zgjedhur nga juristët e Bashkisë së Tiranës për të larguar një nga një anëtarët e truës gjykuese. Me anë të padive fiktive, krijohet konflikt interesi pasi pala e paditur nuk mund të gjykojë paditësin dhe në këtë mënyrë gjyqtarët tërhiqen nga çështja në fjalë.