Si u vranë Qemal Stafa e Vasil Shanto: A u tradhtuan dy komunistët?

Emri:  qemal_stafa_and_vasil_shanto.jpg

Shikime: 1040

Madhësia:  25.1 KB

Kujtimet e Naxhije Dumes për vrasjet enigmatike të dy komunistëve

Tregimin më interesant për vrasjen e Qemal Stafës dhe të Vasil Shantos e ka bërë një grua e jashtëzakonshme, bashkëkohëse e tyre dhe personazh i njohur i LANÇ-it. Në kujtimet e saj, Naxhije Dume rrok edhe disa nga pikat më të diskutueshme të historisë, ku më të rëndësishmet janë pikërisht vrasjet e bashkëluftëtarëve të saj. Për vrasjen e Qemal Stafës, ajo thotë se është mjaft e dyshimtë mbërritja e forcave fashiste në bazën ku ai ishte strehuar, pasi ajo ishte bazë e re dhe për të kishin dijeni Enver Hoxha, ajo dhe Drita Kosturi.
Po kështu, duke analizuar vrasjen e Vasil Shantos, Naxhije Dume ka thënë se nuk ishte e drejtë që një anëtar i KQ të PKSH-së të ishte shoqërues i një kolegu të tij, pra S. V. Tempos. Edhe për këtë vrasje përgjegjës ishte kreu i PKSH-së.

Vrasja e Qemal Stafës

Emri:  qemali.jpg

Shikime: 551

Madhësia:  10.8 KB

Në tregimin e rrethanave në të cilat u vra Qemal Stafa, Naxhije Dume ka thënë: “Në muajt prill-maj, u arrestua Zef Ndoja, i cili siç rezultoi më vonë kishte treguar gjithçka që dinte për bazat dhe teknikën e Partisë Komuniste shqiptare në hetuesinë fashiste. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, Qarkori i Tiranës mori të gjitha kundërmasat për t’u mbrojtur nga kjo goditje me pasoja gati shkatërrimtare. Por të jemi të sinqertë, humbjet tona ishin tepër të mëdha e të rënda, sepse edhe përvoja jonë mungonte në kushtet e zgjerimit të partisë dhe kur ishte i pranishëm pushtimi fashist italian, i cili kishte një përvojë shtypjeje dhe persekutimi gati 20-vjeçar të luftës kundër PK italiane, lëvizjes sindikaliste atje dhe partive të tjera. Në këto kushte, Qemali ishte urdhëruar që të shkonte me detyrë partie në Vlorë. Deri atëherë, ai banonte në shtëpinë time, në rrugën e Shën Gjergjit nr. 44 dhe më tha që të shkoja e të kontrolloja së bashku me Drita Kosturin, të fejuarën e Qemalit, shtëpinë fatale, ku një ditë më pas do të vritej. Shtëpinë unë e pashë me kujdes. Ajo ishte e porsapërfunduar dhe atje nuk banonte njeri. Shtëpia nuk kishte brenda asnjë orendi dhe për shumë arsye nuk më pëlqeu që Qemali të qëndronte në atë bazë. Ndaj, kur e takova, i thashë me insistim se ajo shtëpi ishte e papërshtatshme për të qenë bazë e tij, pasi ishte e pasigurt, e veçuar nga banesat e tjera të lagjes dhe ndodhej e zbuluar në mes të fushës, poshtë Medresesë, atje ku sot ndodhet fabrika e bukës. Qemali u shpreh se do të qëndronte në atë bazë vetëm një natë dhe kur të kthehej nga Vlora do ta bisedonim përsëri. Përveç meje, për këtë bazë kishte dijeni vetëm Enver Hoxha. Për mua ka mbetur enigmatik fakti edhe sot se nga e dinin Kristoja, e të tjerë këtë bazë kaq të rëndësishme në kushtet e konspiracionit tonë të madh! Kjo enigmë nuk u zgjidh kurrë, as pas çlirimit. Dua të theksoj se në kushte që nuk i njoh, këtë shtëpi e kishte marrë me qira kundrejt kontratës, në emrin e tij, Beqir Minxhozi, të cilin rastësisht e arrestuan në dyqanin e një rrobaqepësi. Pas një kontrolli rutinë, që ndodhte shpesh në kushtet e pushtimit, ai deklaroi adresën e tij të banimit. Përveç kësaj, Beqirit gjatë kontrollit i gjetën në xhep edhe kontratën që kishte bërë me pronarin e shtëpisë ku do të banonte Qemali. Këtu doli se Beqiri posedonte dy shtëpi, shtëpinë e tij dhe atë ku do të banonte Qemal Stafa. Në këtë rast, policia dyshoi dhe e arrestoi. E mbajti në hetuesi për pak kohë dhe fill pas kësaj policia vendosi të kontrollonte bazën e re të Qemalit. Në këto kushte, e shoqja e Zefit, Drita Kosturi, që ishte e fejuara e Qemalit dhe Marije (Lezha) Jakova, të cilat ndoshta nuk dinin se ç’kishte ndodhur me B. Minxhozin, me shpejtësi dolën nga rrethimi i bazës së tyre dhe çuditërisht shkuan në shtëpinë e Qemalit, që Drita e dinte mirë, sepse ne të dyja e kishim parë dhe skicuar atë shtëpi për t’ja treguar Qemalit. Të nesërmen ndodhi vrasja. Së bashku me to ishte edhe Kristo Themelko dhe një shok tjetër, që unë nuk e di dhe nuk e mora vesh kurrë se kush ishte ai.

Këtë shtëpi e dinte vetëm Enver Hoxha, Bardhyl Minxhozi, unë dhe Drita. Ndërkohë, një herë Enveri më tha se “po shkoj te Mërkur çela (ushtarak), por këtë që po ta them ty nuk do t’ia tregosh askujt, më kuptove?!” Ndërkohë, askush nuk erdhi të pyeste se ku ndodhej Enveri!

Vonë, pas çlirimit, vrasja e Qemalit u rihap sërish dhe Beqirin e përjashtuan nga partia, por s’kaloi shumë kohë dhe e ripranuan përsëri. Përpara se të shkonte në bazën e re, Qemali ndodhej në shtëpinë tonë. Meqenëse të nesërmen do të udhëtonte për në Vlorë, kërkoi të bënte banjë. Teshat e tij, që mbetën te ne, nëna ime ia çoi nënës së Qemalit, me gjithë dhembjen e madhe për të se e konsideronte si djalin e saj. Në shtëpinë e re, Qemali gjeti Dritën, gruan e Zefit, Marie Lezhën, Kriston dhe shokun e panjohur, ndoshta ky njeri ishte Bardhyl Minxhozi, por unë nuk e di dhe nuk jam e sigurt. Së bashku ata pritën që dikush t’u sillte ushqim, pra e dinte shtëpinë tjetër! Kur hodhën vështrimin jashtë dritares, vërejtën se forcat policore po i rrethonin. Plasi alarmi për t’u larguar sa më parë prej andej. Kështu, Kristoja, si më i fuqishëm dhe më i pjekur, pasi duhet thënë se ai kishte kryer edhe shërbimin ushtarak, kërceu jashtë shtëpisë, pasi shkatërroi tualetin e improvizuar, me dërrasa të dobëta arkash, çau drejt fushës, nëpërmjet një rrëpire, kanal i thellë, që e favorizoi largimin e tij. Të njëjtën gjë bëri edhe Qemali, por mori drejtimin e kundërt për t’u larguar dhe u vonua disi për të mbuluar me zjarr largimin e tri grave. Këtu ai u plagos dhe vdiq, ndërsa Drita, gruaja e Zefit dhe Maria, u arrestuan nga forca policore, kurse Shulja (Themelkoja) shpëtoi shëndoshë e mirë, si edhe shoku tjetër.

Vlen të theksohet se Qemali çuditërisht ishte pa rojë personale! Ndonëse shokët kryesorë atëherë nuk kishin truprojë apo badigardë siç ju thonë sot, ndaj kush rreket të vërtetojë të kundërtën, unë them se nuk thotë të vërtetën. Kjo ishte ngjarja më tronditëse për ne shokët e tij, që e përjetuam me shumë dhembje ato ditë dhe më vonë. Mendoj se asnjëherë ky problem kaq i rëndësishëm nuk u sqarua plotësisht, aq sa edhe ditët e fundit kam venë re në shtyp një polemikë spekulative. Nëse Kristo Themelko do të kishte faj për këtë që ndodhi, jam e bindur se Enveri dhe të tjerët nuk do ta linin pa e ndëshkuar rëndë. E njëjta gjë do të ndodhte edhe me tri shoqet, që u ndodhën për momentin aty. Pra, për mua, konkluzioni përfundimtar do të ishte ky: Enver Hoxhën më shumë se kompleksi i neglizhencës, e ka munduar kompleksi i vetëfajësisë për vrasjen e Qemalit”.

Vrasja e Vasil Shantos

Emri:  200px-Vasil_shanto.jpg

Shikime: 526

Madhësia:  9.0 KB

“Hera e fundit që do të bashkëpunoja në Korçë me Vasil Shanton për çështje lufte, më ka lënë një brengë të madhe. Përse do të thoni ju? Ja se si qëndron e vërteta. Ai, si shumë herë më parë, ishte caktuar të shoqëronte Tempon apo udhëheqës të tjerë jugosllavë për në Mal të Zi apo vise të tjera. Pra, as më shumë e as më pak, ai ishte caktuar si një korrier i thjeshtë i S. V. Tempos apo të tjerëve. Këto raste, unë i kam quajtur shpërdorimin më të madh që i bëhej këtij personaliteti të fuqishëm të LANç-it në Shqipëri dhe kësaj figure qendrore të lëvizjes.

Ende sot, pyes e indinjuar: Vallë ky qëndrim duhej mbajtur me një anëtar të Komitetit Qendror si Vasili? Ky hero, atentator i përsosur, mjeshtër i madh i luftës guerile në qytete, sidomos në Shkodër e në Tiranë, klandestin i papërsëritshëm e që ishte aq i vyer për Shqipërinë, duhej keqpërdorur si shoqërues-korrier i një udhëheqësi 30-vjeçar jugosllav, qoftë ai dhe anëtar i Byrosë Politike?! A thua nuk kishte sa të duash të tjerë partizanë trima që mund ta shoqëronin Tempon?! Aq më tepër që Vasil Shanto e kishte bërë disa herë këtë rrugë të rrezikshme dhe ishte ekspozuar. Unë them jo, nuk duhej vepruar kështu! Ky ishte një gabim i madh fatal. I nisa Vasilin dhe Tempon me një automjet që e drejtonte një njeriu ynë i besuar. Aq e vërtetë është kjo sa unë ju dhashë me vete nënën time, për ta lehtësuar kalimin e tyre nëpër postblloqet e armikut, të cilët ishin bërë thuajse të pakalueshëm si rezultat i kontrolleve të shpeshta dhe të imtësishme. Vasili, Tempoja dhe nëna kaluan pa probleme. Mbërritën në Tiranë dhe u vendosën në bazën tonë të sigurt, që ishte shtëpia e familjes së Zeqi Agollit. Prej andej, të dy shokët udhëtuan për në Shkodër e Mal të Zi. Para se të largohej nga Korça, Vasili më tha: “Naxhije, mendoj se ky do të jetë udhëtimi im i fundit”. Në fakt ashtu ndodhi. Vasil Shantoja u vra në rrethana enigmatike, në breg të Liqenit të Shkodrës, duke u kthyer nga misioni i tij i fundit luftarak. Kësisoj, me vrasjen e Vasilit, lufta jonë humbi një nga heronjtë e saj të pazëvendësueshëm”, është shprehur Naxhije Dume.

Tirana Observer