Ekspertët e Komisariatit Numër 1 të policisë janë rikthyer në vendin ku, pasditen e së martës, u krye grabitja me dhunë e një shume të konsiderueshme parash.

Ata kanë bërë matjet dhe kanë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë të “Hotel Sheraton” dhe të gjithë bizneseve rreth e rrotull vendit të ngjarjes.

Sipas policisë, nga hetimet paraprake dhe kqyrjes së kamerave është zbardhur dinamika e ngjarjes, të cilën Tv Klan e rindërtuar grafikisht.
38 – vjeçarit Sajmir Hasani, me detyrë arkëtar i një firme këmbimi valutor dhe shtetasit me inicialet, B. Xh., 55 – vjeç, me detyrën e shoqëruesit të vlerave monetare të kësaj pike të këmbimit valutor, të dy me banim në Tiranë, në momentin që kanë dalë nga një bankë e nivelit të dytë, u janë afruar dy persona pa maska dhe pa armë. Njëri prej tyre i ka marrë çantën me shumën monetare Sajmir Hasanit, ndërsa bashkëpunëtori ka goditur me shqelm shoqëruesin.

Ky moment është fiksuar edhe në kamerat e parkimit të Bashkisë përpara stadiumit, ku duket pjesërisht momenti i grabitjes.

Siç shihet edhe në pamje, autorët janë larguar me vrap, në drejtim të një motori që e kishin parkuar në afërsi të sheshit “Nënë Tereza”.

Por një deshmitar okular në vendin e ngjarjes sqaron se, ata ishin të maskuar me shami të zezë dhe se janë larguar me një motor, me një tabelë ‘shitet’, në drejtim të rrugës mbrapa Liqenit Artificial.

Dëshmitari rrëfen se motorin e përdorur nga grabitësit e kishte parë të parkuar në rrugën para hotelit, edhe një ditë para ngjarjes.

Kjo dëshmi përforcon dyshimet e policisë se autorët ishin në dijeni të faktit, që dy punonjësit e agjencisë së këmbimit valutor do të tërhiqnin para nga banka dhe e kanë planifikuar në detaje grabitjen.

Policia ka dyshime të forta se, ata janë ndihmuar nga stafi i agjencisë së këmbimit valuator, të cilët mund t’u kënë dhënë informacion për të gjitha lëvizjet. Për këtë arsye janë marrë në pyetje i gjithë stafi dhe familjarët e pronarit të agjencisë së këmbimit valutor.

Tv Klan