Flet për vizitën në SHBA - Rama në Grupin PS: SHBA s’do lejojnë askënd të pengojë ‘Drejtësinë’



SHBA nuk do të lejojnë asnjë parti politike në Shqipëri të pengojë reformën në drejtësi. Kjo është garancia që ka marrë Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës në SHBA.Në mbledhjen e grupit të PS, Rama tha se kjo refomë do të jetë një test edhe për raportet mes dy vendeve, që tashmë do të kenë edhe një grup miqësie të përbashkët. Ndërkohë, në përfundim të mbledhjes foli edhe deputetja Mimoza Hafizi e cila tha se ka kërkuar sqarime për kërcënimin e kandidatit për Rektor të Universitetit të Tiranës Mynyr Koni.

Edi Rama:“SHBA si mbështetje e fuqishme e popullit shqiptar duan që aspirata e shprehur pa asnjë ekuivok nga populli ynë për një reformë të thellë të drejtësisë të korruptuar shqiptare të mos pengohet nga askush dhe për asnjë arsye”.

Kjo është garancia me të cilën është kthyer nga vizita në Uashington Kryeministri Edi Rama duke deklaruar se reforma në drejtësi do të jetë test për raportet mes Shqipërisë dhe SHBA.

Edi Rama: “ Kyçe është vlerësuar padyshim reforma në drejtësi edhe nga Shtëpia e Bardhë. Perceptimi ynë i qartë është se kjo reformë përveç të tjerash përbën në sytë e partnerit tonë strategjik edhe një test të të gjitha palëve mbi seriozitetin në marrëdhëniet me SHBA”.

Kryeministri u shpreh me nota entuziazmi për takimet ne Shtëpinë e Bardhë, dhe shprehu keqardhje për kritikat me të cilat e shoqëroi vizitën e tij opozita.
Edi Rama: “Në të gjitha frontet e bashkëpunimit me SHBA, ai ishte mbi të gjitha një vlerësim për Shqipërinë dhe për popullin shqiptar në 25 vjetorin e kësaj marrëdhënie shumë speciale, prandaj nuk kishte asnjë arsye për ta përzier Amerikën në gjellën e përditshme të kundërshtive kudo, kurdoherë dhe për çdo gjë ndaj qeverisë”.

Rezultatin e vizitës në SHBA, Rama zgjodhi ta ndajë me deputetët në mbledhjen me dyer të hapura të grupit parlamentar gjatë të cilit tha se SHBA kanë vendosur të ngrenë një grup miqësie me shoqërinë. . Ndërkohë, pa praninë e medias, ai mësohet se ka informuar për thirrjen e Asamblesë Kombëtare të PS, të shtunën në orën 10, ku do të zgjidhet Sekretari i Përgjithshëm i Partisë, kryesia dhe sekretariati.

Ndërkohë në përfundim të mbledhjes, deputetja Mimoza Hafizi tha se kishte kërkuar sqarime për kërcënimin e kandidatit për Rektor të Universitetit të Tiranës Mynyr Koni.
Mimoza Hafizi: “Kërkova të kem informacione rreth atij akti që i është referuar në media, nëse është e vërtetë është e paprecedentë, nuk ka ndodhur ndonjëherë në historinë e arsimit të lartë që manditizmi të afrohet kaq afër universitetit dhe përgjigjia ishte që Prokuroria po heton çështjen dhe gjithashtu që qeveria ka marrë shumë të mira për kandidatën e kërcënuar”.

Sa i takon zgjedhjeve brenda PS, Hafizi bëri me dije se ka depozituar në Komisionin Zgjedhor të Partisë kërkesën për hapjen e kutive të votave të referendumit.

ORA NEWS