Qeveria ka hartuar ligjin e ri të falimentit, që pritet t’i japë zgjidhjeve një ndër shqetësimeve kryesore të biznesit. Drafti që disponohet nga Ora News parashikon ngritjen e Gjykatës së Falimentit, si një strukturë brenda Gjykatës së Rrethit, e cila do të ketë kompetenca të shtuara për të gjitha proçedurat e falimentit, duke përfshirë edhe bllokimin e pasurisë së debitorit, por edhe përcaktimin e një administratori të përkohshëm për kompaninë debitore që është në proces falimenti.
Qeveria ka bërë gati draftin e ri për falimentin në përpjekje për t’i dhënë zgjidhje një prej problemeve kryesore të ekonomisë shqiptare, ku shumë kompani që nuk kanë mundësi të paguajnë detyrimet, edhe pse janë të falimentuara prej vitesh, nuk shpallen si të tilla, për shkak të proçedurave të tejzgjarura.
Drafti i ri, që disponohet nga Ora News, parashikon ngritjen e Gjykatës së Falimentit, si një strukturë brenda gjykatës së rrethit, e cila do të merret me të gjitha proçedurat e falimentit.
Gjykata vihet në lëvizje pas kërkesës që ka bërë kreditori, që mund të jetë individ, kompani private ose institucion.
Ligji përcakton afate të qarta për dorëzimin e kërkesës për fillimin e procedurave të falimentit, ankimimit nga debitori dhe nisjes së seancave gjyqësore, të gjitha brenda një afati prej 1 muaj e gjysmë.
Gjithashtu, me ligjin e ri Gjykata e Falimentit ka kompetencën për të bllokuar pasurinë e debitorit, apo dhe të përcaktojë një administrator të përkohshëm deri në mbylljen e të gjitha proçedurave gjyqësore.
Drafti për falimentin është ende duke u diskutuar mes institucioneve për ndryshime të mundshme, ndërsa konsiderohet një ndër ligjet kryesore që qeveria është zotuar të hartojë dhe të zbatojë.
Ligji aktual është pengues për bizneset që kanë falimentuar, pasi për shkak të proçedurave të tejzgjatura kërkon vite të tëra për të përfituar statusin e falimentit, ndërkohë që detyrimet e papaguara të subjektit ndaj institucioneve shtetërore shtohen, duke e bërë të papërballueshëm pagesën e borxhit për të, në kushtet kur nuk ka aftësi paguese prej vitesh.