I shumëpërfoluri virusi Zika ka hyrë në Europë nëpërmjet turistëve që kthehen nga Amerika Latine. Epidemia, e cila lidhet me çrregullime tek foshnjat e porsalindura, ka infektuar disa persona në Danimarkë dhe Zvicer.

Një turist danez është rasti i fundit i diagnostifikuar me virusin Zika në Europë, pas një udhëtimi të tij në Amerikën Jugore. Më parë, Zyra Federale Publike e Shëndetësisë në Zvicër konfirmoi se 2 persona që sapo ishin kthyer nga Haiti dhe Kolumbia janë mbartës të këtij virusi.

Por rastet në Europë janë edhe më të hershme, disa prej të cilëve datojnë prej marsit të vitit 2015. Holanda ka konfirmuar 10 raste dhe Britania e Madhe 5, të gjithë në mesin e njerëzve që ishin kthyer nga Amerika e Jugut.

Në Itali, Instituti Kombëtar i Sëmundjeve Infektive tha se 4 raste janë regjistruar në marsin e kaluar, ndërsa në Portugali, Ministria e Shëndetësisë tha se 4 portugeze ishin infektuar. Të gjithë ata sapo ishin kthyer nga udhëtimi në Brazil. E po ashtu, në Spanjë, saktësisht në rajonin e Katalonias, janë konfirmuar 2 raste.

Virusi Zika transmetohet nga pickimi i mushkonjes Aedes Aegypti dhe është përhapur tashmë në të paktën 24 vende. Ajo ka një sërë simptomash si temperaturë të lartë, dhimbje koke dhe skuqje të syve. Sipas studimeve, 80% e të infektuarve me këtë virus i ngatërrojnë simptomat me gripin.

Qendrat për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve në vendet ku është prezente epidemia kanë këshilluar gratë të shmangin shtatëzanitë.

Zika për herë të parë është raportuar në Afrikë, ku qëndron edhe pikëpyetja nëse virusi lidhet me mikrocefalinë, ku foshnjat lindin me një kokë shumë të vogël.

Për shkak se nuk ka asnjë trajtim apo vaksinë në dispozicion, e cila do të parandalonte virusin Zika, e vetmja mbrojtje kundër saj është shmangia e udhëtimeve në zonat ku infektimi është aktiv.

Nëse ju udhëtoni në një vend ku Zika është i pranishëm kqshillohet respektimi rigoroz i masave mbrojtëse kundër mushkonjave, si dhe veshje që mbulojnë pjesën më të madhe të trupit për të parandaluar ndonjë pickim të mundshëm.

/ Top Channel