Rrëfimi i Plotë/ Kush ishte sigurimsi që zgjidhte femrat e bukura për Enver Hoxhën, Hazbiun dhe Shehun

Në datën 10 maj 1950, rreth orës 22:00, një krismë jo e zakonshme e derës së shtëpisë më zgjoi nga gjumi… Nana doli në korridor dhe pyeti: Kush asht..? U ndigjue një za i panjohtun burri, që tha: “Hape portën, jemi Sigurimi i Shtetit!”. Nana hapi derën dhe, unë ashtu si isha i zhveshun, nga shtrati dola pranë Nanës te dera, tue u dridhë prej frikës, kur hynë tre vetë civila.

Pyeten Nanën se ku asht Alfonsi, i cili, atë kohë mbërriti nga kuzhina. Ai u përgjigj: Qe ku jam!… Ma zeshkani dhe trupmadhi prej tyne, i tha: Jeni i arrestuar si “armik i popullit”, ndërsa dy të tjerët bllokuen dyert për me fillue kontrollin e shtëpisë… Ai që njoftoi arrestimin e vëllaut, ma vonë mësuem se ishte shoferi i njohtun për vepra të tilla, Ahmet Suji, një torturues i pashpirt.

I vuni prangat vëllaut dhe dolën përdere… Vaji i Nanës na topiti aq shumë, sa harruem fare se në duert e kujt përfundoi vëllau maturant 18-vjeçar, që asokohe po përgatitej për provimet e shtetit. Edhe pse isha 10 vjeç, arrestimet e dajave dhe të afërmve na kishin “burrnue” para kohe, tue na formue në shpirt një urrejtje të pashoqe për sistemin diktatorial komunist, që, në Shkodër, asht kenë ma i pamëshirshmi, po edhe ma i mnershmi që ka njohtë historia në krejt Lindjen komuniste europiane.

Të nesërmen edhe vëllau tjetër, Tonini, u përjashtue nga gjimnazi, si një nga “elementët e papajtueshëm me frymën e shkollës së re revolucionare”, shënon në amzën e gjimnazit drejtori hetues Skënder Villa. Unë shkojsha në klasë V, po, të nesërmen, filluen edhe sofratasat që nuk na u ndanë asnjëherë për ma shumë se 40 vjet nga dera e shtëpisë…

ME KË DO TË MBUSHESHIN 26 BURGJET E BIRUCAT E SIGURIMIT TË SHKODRËS QË NGA 1946-A?

Rrobaqepësi Filip Daia, tha: “Toskënia paska kenë ma e madhe se Italia..!”, mbasi në të gjitha shtëpijat e Shkodrës nuk kishte një dhomë bosh…të gjitha ishin të mbushuna me oficera e halabakë të mbërthyem në armë e spaleta që kishin ardhë me “ndërtue” socializmin…

Mbas largimit të terroristit Zoji Thëmeli, si kryetar i Degës së Mbrendshme të Shkodrës, në vendin e tij erdhi major Hilmi Seiti. Njihej nga mjaft persona shkodranë, mbasi në vitet e rinisë së tij, aty nga 1939-40, kishte ardhë si student në Shkodër, dhe kishte kenë në konviktin “Malet tona”. Nuk dihej se nga erdhi, as nga shkoi, por njihej i ardhun nga Çamëria…

Dihej se, që në vitet e para mbas 1944-s ishte angazhue me forcat e ndjekjes, që ma vonë u quejt “Sigurimi i Shtetit”, një nga organet e njohtuna terroriste të sistemit komunist shqiptar, që në themelimin e tij, ku, asokohe (1950), punuen me zell shumë nga emnat e njohtun dhe të paharrueshëm për krime, si: Ali Xhunga, Herakli Kocani, Qamil Gavoçi, Qazim Kapisyzi, Fahri Kraja, Rasim Mushani, Rasim Dedja, Shyqyri Çoku, Dul Rrjolli, Xheudet Miloti, Isa Miloti, Çesk Shoshi, Lilo Zeneli, Kasem Troshani, Hamdi Ulqinaku, Fadil Paçrami, Xhemal Selimi, Asllan Lici, Elez Mesi, Dulaç Lekiqi e Aranit Çelat me shokë… që, nuk lanë gja pa ba mbi rininë e pleqninë shkodrane, vetëm për me zhdukë themelet e traditave atdhetare të vendosuna në shekuj nga kjo qytetari. P

ikërisht, asht ajo kohë kur major Hilmi Seiti i drejtohet Ministrisë së Mbrendshme me ket kërkesë nga ana e tij: “Në Gjimnazin e Shkodrës vlon propaganda antikomuniste, na dërgoni sa më parë 100 (njëqind) konviktorë nga Jugu”… (Dosja H. Seiti, Arkivi i M. M. Tiranë, 1998). Asht viti 1949, kur kryetari i Degës së Brendshme të Shkodrës, i posaardhun për me zbatue politiken kriminale komuniste, ndien nevojën se i duheshin edhe 100 “konviktorë”, 100 spiunë, 100 agjentë, 100 kriminelë, 100 komunistë, 100 kuadro të ardhshme të Sigurimit! Pra, duheshin edhe 100 katilë të tjerë, përveç atyne qindrave që ishin në çdo skutë e kand të qytetit.

Nuk i mjaftonin të Veriut, po i donte nga “Jugu”… për me realizue veprën e fillueme nga komunistët jugosllavë, që në themelimin e Partisë Komuniste në vitin 1941 prej tyne, vepër e cila do të lante me gjak të gjitha trojet tona, por në mënyrë të veçantë, Veriun, e posaçërisht ato troje që ndër shekuj i kishin ba ballë rrebeshit shovinist sllav e, që nuk u thyen kurrë: Malet e Veriut! “Partia” kje e gatshme me ia plotsue dëshirën, kështu u kompletue grupi i spiunëve në qytetin e Shkodrës dhe, rinia shkodrane do të survejohej e spiunohej nga: Ferit Mandia, Vehbi Çanga, Bardhyl Dushi, Feço Mandia, Vladimir Misja, Hajredin Çeliku, Çiril Pistoli, Iljaz Fishta, Agim Bejleri, Jonuz Dini, Haxhi Pela, Jonuz Tuli, Xhemal Dini, Sadush Kumbaro, Emil Mborja, Satber Jubani, Ilir Gjylbegu, Qemal Jashari, Jani Çomo, Angjelin Kumrija e deri te Bep Jubani me shokë në vitin 1956, të gjithë ishin në shërbim të diktaturës dhe organit të saj terrorist, Sigurimit të Shtetit.

Si të tillë, Sigurimi i dërgoi me krye edhe studime jashtë shtetit, prej nga këta erdhën të “formuem” si spiunë dhe agjentë, tue i shërbye partisë ata vetë bashkë me gra e trashigimtarët e tyne, edhe sot në gjiun e Partisë Socialiste nën maskën e “demokracisë”…

Në vitin 1950, prova e parë e besueshmënisë së Hilmisë ndaj Sigurimit mbas daljes nga burgu të vetë atij, asht kenë arrestimi dhe torturat që ai i ka ba me duert e veta studentave të Shkodrës, që u arrestuen njëherësh më 10 maj: Alfons Radovani, Viktor Luka, Et’hem Bakalli, Njazi Uruçi, Mërgim Dani, Nexhip Osmani, Ferit Myftia, Pjerin Vata dhe Gjon Mark Ndoi e, mbas pak ditësh, të Ismail e Olimpi Barutit…dhe, kur Alfonsi u lirue, tregoi se bash ai Hilmi ishte ai që i ka shkulë nga goja dhëmballët me pinca të elektricistit, që komandonte elektroshokun…

SEITI, DHUNUESI I RINISË

Hilmi Seiti asht ndër kryetarët e Degës së Shkodrës, që ka dhunue ma shumë se të gjithë të tjerët rininë shqiptare, tue i detyrue me dajak e tortura me nënshkrue deklarata bashkëpunimi me Sigurimin komunist, tue i premtue vende pune apo “falje” gabimesh në tentativa arratisjeje dhe, asht ndër ma të shquemit që ka shburrnue popullsinë shqiptare në brezin kufitar, tue i detyrue me spiunue jo vetëm njeni-tjetrin, por edhe tue i ba vegla të Sigurimit për shërbime edhe në shumë shtete të hueja, tue fillue nga SHBA-të e deri tek UDBja jugosllave, me të cilën bashkëpunoi deri atë ditë që i hangri kokën… E, për këtë fakt le të flasin mbarë diaspora që ka braktisë Atdheun e trojet shqiptare, e detyrueme me ikë nga votrat e veta shekullore për me ia lëshue shovinizmit e dreqit mallkuem, veç për me shpëtue nga arrestimi i sigurt dhe internimet e familjeve të tyne.

Implikimi i shumë të rinjve me organet e Sigurimit, kur ishin në shërbim ushtarak apo kur rrëmbeheshin nga dëshira e pasioni për sport, rekrutimi i tyne nga ana e Hilmi Seitit, asht kenë dhe mbetët ende sot, jo vetëm për Shkodrën, por për gjithë Shqipninë baza amorale e shkatërrimit të shumë familjeve të nderueme dhe që ka ndikue dhe vazhdon me kenë prap një dam i madh për çështjen tonë kombëtare, mbasi me djallëzi dhe inteligjencë, Hilmia ka ditë ku me prekë dhe ku me shpartallue në mënyrë të pandreqshme edukatën e shkollave fetare të Shkodrës, të cilat janë kenë vatrat kryesore të edukimit moral, kulturor, politik, ekonomik dhe atdhetar për të gjithë popullin shqiptar, pa dallim feje dhe krahine, që në hapjen e dyerve të tyne para vitit 1900.

Nëse ka njeri që ka shkatërrue qindra familje tue i internue dhe tue nxi biografitë e tyne, me aq shumë pasoja për vite të tana asht Hilmi Seiti, i cili në 1954 internoi dhjetëra familje shkodrane në Kuç të Vlonës, shumica e të cilve edhe u burgosën, vetëm se ishin intelektualë. Asht pikërisht ai grup ku përfshihej edhe daja i em, Paulin Pjetër Prennushi, i cili vuejti 4 vjet atje pa asnjë ndihmë nga familja, mbasi së shoqes nuk i epte punë askush, dhe ka jetue vetëm me ndihmën e vëllazenve të saj.

Ndërsa daja tjetër, Mikel Pjetër Prennushi, u arrestue nga Hilmia, në vitin 1952 dhe u torturue nga ai dhe Xheudet Miloti, në mënyrën ma shtazore, se ishte krejt i pafajshëm dhe i kërkohej prej Sigurimit “me pranue se ka lidhje me Muharrem Bajraktarin”, që asokohe qarkullonte në zonat e Vaut të Dejës, ku Mikeli punonte puntorë krahu në rruga-ura. Kjo ngjau prej tij vetëm se Mikeli kishte krye akademinë ushtarake në Itali… dhe, për këtë të dy katilët e dënuen 10 vjet heqje lirie, të cilat i kreu në kampet e shfarosjes…

Ç’FAT I PRISTE VIKTIMAT E SIGURIMIT-PËRBINDËSH MBAS LIRIMIT NGA BURGU…?

Kazma, lopata, fermat, rrugët, përndjekja, vuejtja, fukarallëku, frika dhe “etiketa” e varun në derën e shtëpisë: “Ky është armik i deklaruar nga lufta e klasave”, firma Hilmi Seiti. Dhe, kjo “etiketë” pasohej nga trashigimtarët e tyne deri në zhdukjen e brezit të vet… Hapni dosjen e tij dhe shihni se pse u gradue “gjeneralmajor” ai qen e bir qeni, kur Enver Hoxha po i përgatiste “qefinin”…? – Pikërisht, sepse aktiviteti i tij plotësoi të gjitha dëshirat dhe trillet e udhëheqësit të partisë, i cili, mbasi kënaqej më këta bisha në haremin e tij, kishte edhe dëshirën me u kënaqë, ashtu si shpjegon në librin e tij, i ndjeri At Konrrad Gjolaj: “Atje Ai (Don Dedë Malaj, shënimi em) kishte pasë rrezik e kishte ra ndër duert e një hamsi njerëzish, njëfarë Nevzat Haznedari, i cili njihej se para se me i pushkatue njerëzit, kishte ajamë (qejf, dëshirë) me u ra me levë kokës dhe me i pa tue u hedhë si pula kur u pret kokën…” (te libri “Çinarët”, faqe 160, viti 1996, Shkodër). Plumbi që Enver Hoxha u jepte miqve të vet ishte shpërblim i partisë për “mirënjohjen” që ai kishte për veprat kriminale të tyne!

NETËT ME FEMRA NË PALLATET LUKSOZE DHE “ARTISTET” E TEATRIT “MIGJENI”

Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu e sa katilë të tjerë, nuk e kishin sjellë pa u mendue mirë se kush u duhej atyne në Shkodër, u duhej Hilmi terroristi, që kishte dhanë prova “besnikrije” ndaj Partisë me kohë në labirintet e Ministrisë së Brendshme, që atëherë kur Koçi Xoxe me shokë e dërgonin te burgu i femnave për me zgjedhë “ato” rrezikzeza, me të cilat këta amoralë do të kalonin natën në pallatet e tyne luksoze… dhe, kur morën si shpërblim nga Partia “plumbin kokës”, thoshte pikërisht Ajo… “Nëna Kate”, që kishte mbajtë çelësat e atij burgu: “Morën atë që kanë lipur me kohë ata maskarenj…!”

Dhe, nuk duhet harrue kurrë se i tillë ishte mendimi i shumë e shumë familjeve të ndershme shkodrane, që e njohtën dhe e pësuen ndër votrat e tyne imoralitetin dhe pafëtyrsinë e Hilmi Seitit me shokë…gja, të cilën besoj e kujtojnë mirë të gjithë ata që njohtën spiunin kodosh, Palush Koliqi, apo “aktorët” e Teatrit “Migjeni” atë ditë… të veshuna me vela të zezë, me lot përfaqe, tue shkue mbas arkivolit të Hilmisë… Atë që para tij kërkoi toger Baba, atë i dha “partia” edhe Hilmi Seitit e mbas tij edhe Mehmetit, Kadriut, Feçorrit e me radhë…ashtu, “si i banë hyzmetin, ia ndjenë lezetin”, tha Shkodra atëherë…

Mos ndoshta, ju Enver Kushi, bashkëgjakës i Hilmi Seitit, kur flisni për “burrërinë e tij” me ato bushtrat e teatrit, ju keni dashtë me përfshi edhe gratë e vajzat e nderueme të Shkodrës, që u masakruen dhe u përdhunuen të lidhuna me vargoj anijesh ndër tavolinat e hetuesisë së atyne kriminelave të pamoralë e atdhe, si, Hilmi Seiti, Ahmet Suji, Ferit Mandija, Iljaz Fishta, Nevzat Haznedari, Dhimitër Shkodrani, Xheudet Miloti, kolonel Mehdi Bylbyli, Feçorr Shehu… etj.?

VDEKJA E PAPRITUR E HILMI SEITIT DHE MALLKIMI I PLAKËS QË SHKONTE NË KISHË

Hilmi Seiti duket se mori mallkimin e asaj Plakës shkodrane që, me shkarpa në dorë, ecte e zdathun te fabrika e makaronave drejt Pazarit të Vjetër. Ndërsa po ruhej nga një makinë “gas” që po fluturonte nga shpejtësia, u hap dera dhe u ndigjue një za i panjohtun: “Vishi nëne, vishi pantoflet, se do të ftohësh e nuk do të të shërojë Zoja e Shkodrës!” dhe Plaka, që po shkonte në Kishën e Zojës së Këshillit të Mirë, brinj Kalasë Rozafat, më 25 prill 1960, rreth orës 10:00 paradreke, për meshën e orës 11:00, iu përgjigj atij zani bastard, pa pritë e pa e mendue fare: “Zoja e Shkodrës, jarebi deri nesër të theftë qafën..!”

Një rast i rrallë dhe i veçantë, po me të vërtetë ndodhi. Në datën 26 prill 1960, papritmas u hap lajmi në Shkodër: “Ka vdekë Hilmi Seiti!”. Flitej se Sigurimi kishte kërkue me gjet cila kje ajo Plakë gojëmjaltë, siç e quejti gjithë populli i Shkodrës, por nuk mujti me i ra në të… “Fjala e saj në vesh të Perëndisë…!”. Më datë 27 prill, mbas homazheve në komitetin ekzekutiv të Shkodrës, të gjithë në rresht e pa ba za, as majtas, as djathtas, u drejtuem kah vorrezat e dëshmorve te spitali civil…

Autori: FRITZ RADOVANI

Panorama