Pranga gjyqtares dhe avokatit kapen duke marrë 200 mijë lekë
TIRANE- Ende pa u mbushur një javë nga arrestimi për korrupsion i gjyqtarit të Sarandës Rasim Doda, një tjetër gjyqtar ka rënë në pranga, ku këtë herë operacioni i Prokurorisë së Krimeve të Rënda është kryer në Lezhë. Parashqevi Ademi, është arrestuar në kushtet e flagrancës sapo kishte marrë nga avokati Gjovalin Ndokaj një shumë financiare prej 500 mijë lekë të vjetra, para këto që janë gjendur brenda në çantën e gjyqtares, ndërsa 1.5 milion lek i ka mbajtuar vetë avokati.
Ademi kishte në gjykim shtetasin Andrea Prendi, të cilin prokuroria e akuzon për veprën penale të “Shtrëngimit ose pengimit për të bashkëjetuar ose për të zgjidhur marteën”. Dosja penale i është nënshtruar hetimit gjyqësor dhe se pritej që këtë javë të shpallej vendimi. Nisur nga kjo situatë, pala e pandehur Andrea Prendi dhe avokati i tij mbrojtës Gjovalin Ndokaj kanë filluar të interesohen për krijimin e kushteve me qëllim që i pandehuri Prendi të mos dënohej me burg, por me një dënim me kusht.Në këtë proces gjyqësor, palë e tretë ka qënë dhe bashkëshortja e të pandehurit Andrea Prendi, Marie Prendi, e cila sipas dosjes së akuzës është kërcënuar nga i shoqi për të zgjidhur martesën.
Pagesa tek gjyqtarja
Punën për të shpëtuar nga dënimi të pandehurin Andrea Prendi, e ka përfunduar shumë shpejt avokati Gjovalin Ndokaj. Ky i fundit ka marrë kontakt të drejtpërdrejtë me gjyqtaren Parashqevi Ademi, e cila i ka kërkuar se për ta dënuar me kusht dhe shpëtuar nga burgu të pandehurin Prendi, ai duhet të paguante një shumë financiare prej 500 mijë lekë të vjetra. Kjo kërkesë e gjyqtares është transmetuar nga avokati Prendi tek klienti i tij, i pandehuri Andrea, duke i pohuar një shumë më të madhe nga sa kishte kërkuar gjyqtarja, shifrën prej 2 milion lekë.
Ky i fundit ka rënë dakort me avokatin e tij për të paguar shumën e parave të kërkuar, por ka kërkuar garanci që të mos dënohej me një masë shumë të rëndë. Pavarësisht kësaj, i pandehuri Andrea Prendi që hetohej dhe gjykohej në gjëndje të lirë, ka vendosur që këtë rast korruptiv ta denoncojë në prokurori. Kallëzimi është depozituar tre ditë më parë, dhe pasi është njohur me kallëzimin e Prendit, prokurorët në bashkëpunim edhe me policinë janë vënë menjëherë në lëvizje për hetimin dhe arrestimin e gjyqtares dhe avokatit Gjovalin Ndokaj.
( Gjyqtarja Parashqevi Ademi)
Përgjimi i bisedës
Për të ligjëruar të gjitha veprimet hetimore, prokuroria e Krimeve të Rënda i është drejtuar gjykatës me një kërkesë për përgjimin e bisedave telefonike dhe përgjimit ambjental. Në këtë hetim, ka bashkëpunuar dhe shtetasi i pandehur Andrea Prendi, i cili ka filmuar momentin e dhënies së parave dhe përgjuar të gjithë bisedën mes tij dhe avokatit mbrojtës. Të gjitha këto veprime janë vëzhguar nga larg prej agjentëve të policisë, ndërkohë që pas këtij takimi është gjurmuar më pas lëvizja e avokatit Gjovalin Ndokaj. Ky i fundit ka hyrë në ambjentet e gjykatës së Lezhës, ku dhe ja ka dorëzuar lekët brenda në zyrë, gjyqtares Parashqevi Ademi.
Momenti i arrestimit
Pikërisht në këtë moment teksa gjyqtarja Ademi së bashku me avokatin Gjovalin Prendi ndodheshin në zyrë, kanë ndërhyrë forcat e policisë, të cilët kanë arrestuar në kushtet e flagracës dy personat e sipërcituar. Burime pranë prokurorisë thanë se shuma e lekëve prej 2 milion lekësh është sekuestruar në cilësinë e provës materiale brenda në çantën e gjyqtares dhe tek xhepi i avokatit Ndokaj. Ndërkohë është bërë dhe shoqërimi i dy të arrestuarve në ambjentet e policisë së Tiranës, ku pritet që brenda tre ditësh gjyqtarja dhe avokati të dalin para gjykatës së Krimeve të Rënda për tu njohur me masën e sigurisë të “arrestit në burg”.
Skema e korrupsionit, Para dhëniës së pretencës nga prokuroria, gjyqtarja kërkoi lek
Lidhur me këtë çështje, prokurori i dosjes ka kërkuar dënimin me disa muaj muaj burg për të pandehurin Andrea Prendi. Në kushtet e dhënies së pretencës, dhe afrimit të periudhës së shpalljes së vendimit të gjyqit, Andrea Prendit i është kërkuar një shumë lekësh prej 2 milion lekësh, shifër kjo që duhet të merej nga gjyqtari dhe avokati me qëllim dhënien e një dënimi më të butë, duke kaluar në shërbim prove.
Të tilla raste si ky i Lezhës, janë me qindra në Shqipëri ku gjyqtarët në kuadër të dhëniës së drejtësisë, kërkojnë para, duke shituar me para drejtësinë tek persona që kanë probleme me ligjin. Rasti i Parashqevi Ademit, nuk është i vetmi në Shqipëri pasi një javë më parë u arrestua një gjyqtar në Sarandë, ndërkohë një vit më parë është arrestuar në Pukë, kryetari i kësaj gjykate, Shtjfën Lleshi.
Shqiptarja
Krijoni Kontakt