Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 1
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17

    Nuçi Koço Kota

    Tetë faqe të shkruara për figurën e ndritur të intelektualit dhe patriotit Nuçi Kota, në gazetën “Atdheu” organ i OKLL, në vitin 1965, nuk mujtën me e ndal keqardhjen për humbjen e një udhëheqësi të ardhshëm të Shqipërisë së Lirë.

    Historia e pabesueshme dhe aventurat e mbijetesës së Nuçi Kota, djalit të ish ryeminsitrit të Zogut Koço Kota

    - Strategjia e paraqitur nga dr.Nuçi Kota për rëzimin e pushtetit diktatorial komunist në Shqipëri, nga vetë populli shqiptar, u konsiderua më e favorizuar

    NUÇI KOÇO KOTTA: Kur të vdes, më digjni dhe hirin ma shpërndani në tërë Shqipërinë Etnike


    Jetëshkrimi

    Nuçi Kota, lindi në Korçë më 21 dhjetor 1919, në një familje me tradita atdhetare. Mjaft bij të shquar të kësaj familje janë dalluar midis rretheve atdhetare shqiptare me kontributet, angazhimin e vazhdueshëm dhe pjesëmarjen e tyre në veprimtaritë patriotike. Midis tyre spikatën: Av.Vasil Kota, gjykatës në Prefekturën e Korçës, anëtar i kryesisë së Kishës Ortodokse, mbështetës i Autoqefalisë Noliste, i priftërinjve shqiptar dhe delegat i Korçës në Kongresin Themeltar të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, mbajtur në Berat më 10-19 shtator 1922. Av.Sotir Kota, kryetar në Bashkinë e Korçës në vitet e vështira kur edhe Korça ju bashkua qeverisë së Tiranës. Llambi N.Kota, intelektual i diplomuar në shkencat e historisë, gjuhësi dhe agrobisnesit, kontributor në Kongresin e Manastirit dhe delegat i Korçës në Kongresin e Dibrës, lidhur me njësimin e alfabetit të gjuhës shqipe me germa latine, i dalluar edhe në hapjen e shkollave shqipe, ngritjen e bandës muzikore të qytetit, marjen e inisiativës për tharjen e kënetës së Maliqit dhe organizimin e drejtimin e klubit të emigrantëve shqiptar në Aleksandri, madje u zgjodh Kryetar i Pleqësisë së Përgjithshme të gjithë emigrantëve shqiptar që asokohe jetonin dhe punonin në qytete dhe krahina të ndryshme të Egjiptit.


    Koço N. Kota

    Koço N.Kota, babai i Nuçit, kishte lindur në qytetin e Korçës në vitin 1889, shkollën fillore e kreu në Korçë, ndërsa mësimet e ciklit të mesëm sipas kujtimeve të familjarëve, i mori në gjimnazin Zosimea të Janinës. Studimet e larta i ndoqi në Universitetin e Athinës, ku u diplomua në shkencat politike. Më pas emigroi në SHBA ku studioi dhe mori gradën shkencore Doktor. U dallua midis intelektualëve shqiptar, u puq me krerët drejtues të emigracionit dhe bashkë me Fan Nolin, Faik Konicën, Kristo Floqin etj., themeluan shoqërinë panshqiptare “VATRA”. Më 28 nëndor 1912, babai i Nuçit, Koço Kota, ka qenë në Vlorë në ditën e ngritjen së flamurit që u qëndis nga Marigoja, tezja e Nuçit. Gjatë punimeve të Kuvendit Kombëtar Koço Kota ka shërbyer si shkrues (sekretar). Pas asaj date historike, Koço Kota ka patur një karierë patriotike dhe politike të gjatë, duke i shërbyer me besnikëri çështjes shqiptare, ngritjes së administratës dhe forcimit të shtetit shqiptar. Koço Kota ka qenë kryesekretar në ministrinë e Arësimit në qeverinë e Ismail Qemalit dhe inspektor në Ministrinë e arësimit në qeverinë e Turhan Pashës. Në fillim të vitit 1916, ishte ndër organizatorët e themelimit të organizatës politike “Krahu Kombëtar”. Me largimin e Princ Ëidit, bashkë me disa shokë të Krahut Kombëtar, shkoi në Shkodër për të organizuar “Komitetin e Mbrojtjes së Kosovës”.

    Në prill të vitit 1919, Koço Kota, me disa patriotë e pushtetarë të Prefekturës së Beratit, midis tyre: Hekur be Vrioni –kryetari i Katundariës; Zarif Aga –kryetari i klubit “BASHKIM”; Fevzi Ruli –advokat; Themistokli Kassapi –notabël i krishter; Salih Gjuka –direktori i Arrësimit; Adem Shehu –sekretari i arrësimit; Islam be Vrioni –notabël muhamedan; Melek be Frashëri–kapitanë; Xhevdet Mehqemea –advokat; Zejnal be Prodani –notable; Teki be Selenica –notabël; Tevfik Orgocka –financier; Zoj Tonçi –tregtar; Todi Naska –nëpunës drejtësie; Bektash H.Berberi –zanatli; Gaqe Papa Zaharia –direktori i kancelariës së Prefekturës; Emrullah Psarizi –sekretar i perlimtares; Hajredin Kuçi -notabël; Andon Capo –tregtar; Hysni Aga Kafazi –këshilltari i Perlimtares dhe Nuri Osman Smundja –sekretari i Drejtësiës, kishte firmosur një Memorandum, drejtuar përfaqësuesit të qeverisë amerikane në Shqipëri dhe komandës ushtarake franceze në Shkodër, që Shteti Shqiptar të mbetej nën Mandatin Amerikan. Babai i Nuçit, Koço Kota, ishte delegat i Korçës në Kongresin e Lushnjës ku u zgjodh Senator dhe sekretar i atij Kongresi. Në vitin 1921, caktohet Prefekt i Korçës, zgjidhet deputet i prefekturës së Korçës në zgjedhjet e para parlamentare. Ishte Prefekt i Beratit në vitet 1921-1923, ministër i P.Botore 1924, ministër i Arësimit 1925, president i dhomës së deputetëve 1925-1928, kryeministër 1928-1930, përsëri president i dhomës së deputetëve 1930-1936 dhe kryeministër 1936-1939. Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste Koço Kota, babai i Nuçit nuk pranoi të merte pjesë në asnjë qeveri kuislinge apo kolaboracioniste. Me largimin e pushtuesve Italian e gjerman nga Shqipëria, Koço Kota u rëmbye nga komunistët grek dhe agjenturat sllavo-komuniste, u soll në Shqipëri dhe u izolua në burgun e Burrelit. Koço Kota u dënua nga gjyqi special me burgim të përjetshëm dhe pas shumë torturash vdiq në vitin 1949 po në burgun e Burrelit.


    Studimet dhe doktoratura “Shqipëria dhe çështja e kufijve shqiptaro-grekë”,

    Nuçi Kota, njëlloj si paraardhësit e tij, mësimet e para i morri në qytetin e lindjes, në Korçë. Pasi mbaroi shkëlqyeshëm dhe tregonte cilësi të larta intelektuale, i jati e mundësoi të studionte në Francë. Në vitet 1933-1936, ndoqi mësimet në shkollën e mesme më në zë të Parisit, në Liceun Michelet dhe më pas në të famshmin Lice Louis-le-Grand. Në vitin 1938 merr bakaloreatin e parë dhe del i pari në frëngjisht, latinisht e gjermanisht. Më 1939 merr bakaloreatin e dytë. Tashmë Nuçi Kota, e kishte përcaktuar udhën e tijë. U rregjistrua në Universitetin e Sorbonës në fakultetin e Drejtësisë, të cilin e mbaroi në vitin 1942. Pas përfundimit të studimeve Nuçi Kota, mbrojti një tezë në fushën e të drejtës ndërkombëtare, me titull “L’Albanie et la question des frontiers albino-grecques” (“Shqipëria dhe çështja e kufijve shqiptaro-grekë”). Mbrojtja me sukses e kësaj teze, i dha Nuçi Kotës gradën Docteur es letters (Doktor letrash) . Kjo doktoratë, e hartuar në frëngjisht është përkthyer dhe botuar edhe në anglisht nga bashkëshortja e tij Suzan Kotta. Me tezën, “Shqipëria dhe çështja e kufijve shqiptaro-grekë”, dr.Nuçi Kota i udhëhequr nga një frymë e lartë atdhetarizmi rrëzon me argumenta shkencore dhe dokumenta historike, rivendikimet shoviniste greke mbi Shqipërinë e Jugut. Doktoratura e tij është me vlerë të veçantë për historinë e Shqipërisë, sidomos me shumë interes për historinë e marëdhënieve me Greqinë. Duke qenë një punim tepër serioz dhe shkencor, doktoratura me tezën, “Shqipëria dhe çështja e kufijve shqiptaro-grekë”, i dha mundësinë dr. Nuçi Kotës për tu punësuar në vitin 1945 si mësues i frengjishtes dhe i historisë në shkollën e mesme private Ronsard-Montesquieu të Parisit.


    Rrëmbmi i Kocco Kotas në Selanik të Greqisë nga sigurimi sovjeto-shqiptar

    Pikërisht në atë vit, mori lajmin e rrëmbimit të Koços, babait të tij, nga forcat e sigurimit sovjetik të ndihmuar nga EAM-i grek dhe transportimin e tij nga Selaniku në Shqipëri. I jati i kishte shërbyer Shqipërisë dhe kishte qenë kryeministër në mbretërinë shqiptare të Mbretit Zog-I. Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, ai ishte tërhequr nga politika dhe nuk kishte pranuar të merte pjesë në asnjë qeveri fashiste dhe naziste. Edhe Nuçi Kota, nuk dëshironte të ngatërohej me politikë, por të bëhej njeri i ditur, intelektual dhe të shkruante historinë e vëndit të tij. Me arestimin e të jatit, mendimi i tij ndryshoi menjëherë dhe ndjeu që koha po e thëriste të ngrihej në lartësinë e një lideri politik. Ndërkohë, në vitin 1946, dr. Nuçi Kota, krahas mësimdhënies së frengjishtes e historisë, u ngarkua të hapë një kurs të lirë të gjuhës shqipe, për tu mësuar francezëve, amerikanëve dhe frankofonëve gjuhën shqipe, të cilin e kreu me kompetencë të përsosur dhe ndërgjegje të lartë duke marrë të gjitha lavdërimet nga organizatorët e këtij kursi. Nuçi Kota i donte gjuhët, ndaj mësoi e fliste, veç shqipes gjuhës së të parëve, frëngjishten si francez i lindur, anglishten si gjuhë pune, latinishten, gjermanishten dhe italishten si gjuhë kulture.


    Në Kajro, themelohet organizata kombëtare “Lëvizja e Legalitetit

    Pikërisht në këtë vit, u riorganizua në Kajro, organizata kombëtare “Lëvizja e Legalitetit (OKLL), me kryetar Abaz Kupin. Është e qartë tashmë, që Koço Kota –babai i Nuçit nuk mund të ishte në listën e drejtuesve të kësaj organizate, pasi ndodhej i burgosur në burgun e Burrelit. Në fillim të vitit 1947, kur Koço Kota mbahej i izoluar në burgun e Burrelit, Mbreti Zog u kishte propozuar në Kajro disa prej krerëve të emigracionit si Abaz Kupit, Hiqmet Delvinës, Musa Jukës, Sali Myftisë, Ali Këlcyrës, Koço Mukës, Xhafer Devës, Ernest Koliqit, Mustafa Krujës, etj., arritjen e një bashkimi, duke pranuar njohjen e të drejtave mbretërore, mbledhjen e të gjithë emigrantëve në Greqi, financimin e tyre dhe emërimin e Abaz Kupit si komandant ushtarak. Ballistët nën porosinë e kryetarit të tyre Mithat Frashërit, nuk ranë dakort për dy pikat e para dhe ndërprenë bisedimet.


    Organizata politike atdhetare “Lëvizja Patriotike Shqiptare”.

    Për të paqtuar grupimet politike dhe bashkuar fuqitë antikomuniste të emigracionit, Nuçi Kota krijoi organizatën politike atdhetare “Lëvizja Patriotike Shqiptare”. Platforma politike e kësaj organizate,ndryshonte nga ato të organizatave politike të tjera,pasi synimi i largimit të komunistëve nga pushteti do të arrihej me vullnetin e popullit shqiptar. Nisur nga ky qëndrim i moderuar politik, Nuçi Kota po bëhej një personalitet politik i pranushëm nga emigracioni antikomunist dhe nga qeveritë Perëndimore. Ndoshta tek personaliteti i tij, patriotizma antikomuniste e emigracionit, tashmë e plakur dhe e lodhur nga mosmarrëveshjet e konfliktet cfilitëse ndaj njani tjetrit, po shihnin udhëheqësin e tyne të ardhshëm. Dalja e Nuçit në skenën politike antikomuniste, dhe aktivizimi i tij në forumet perendimore, e frikësoi edhe më tej qeverinë komuniste të Tiranës. Si pasojë izolimi i Koço Kotës u rëndua dhe torturat ndaj tij mbëritën në shkallën më shtazarake. Lajmet që i vinin për torturat ndaj të jatit në burgun e Burrelit, i dhanë forcë të mëtejshme Nuçit dhe padyshim përfshirjen e tij në të gjitha organizimet politike brenda emigracionit dhe në organizatat antikomuniste perendimore.

    Dr. Nuçi Kota, si personalitet shkencor dhe intelektual i njohur tashmë në organizmat intelektuale, shkencore dhe politike botërore, me pjesëmarjen e tij në këto organizma, sensibilizonte opinionin publik botëror ndaj vuajtjeve të popullit shqiptar nga rregjimi komunist i Enver Hoxhës. Ai i kërkonte misioneve diplomatike, ekonomike dhe ushtarake, vëmendjen e tyre ndaj Shqipërisë dhe ndaj popullit të robëruar shqiptar. Nuçi punonte papushim dhe sqaronte opinionin botëror, për vuajtjet e popullit shqiptar nën rregjimin komunist. Nuçi, ishte i bindur në taktikën e tij, dhe punonte për ta ndërgjegjësuar popullin shqiptar, që duhej vetë ai, të përpiqej për tu çliruar nga diktatura komuniste, të kërkonte ndryshimet politike në Shqipëri, dhe të zgjidhte formën e rregjimit që do ishte e pranushme nga demokracitë perëndimore. Nuçi i edukuar me frymën e lirisë nga ideologjia e iluminizmit frances, preferonte që shqiptarët të pëlqenin demokracinë amerikane.


    Konferenca e TORINOS

    Në fund të vitit 1947, Balli Kombëtar Indipedent thirri një konferencë në Torino, të cilën Legalistët e bojkotuan, për shkak të mosnjohjes nga ballistët, të Zogut si mbret. Madje Mithat Frashëri shprehej se Zogu duhej të hiqte dorë nga mëtimet e tij. Orvajtje për bashkimin e forcave politike antikomuniste të emigracionit vazhduan pa reshtur. Më 12 korrik 1948, Ismail Vërlaci propozoi bashkimin pa kushte të emigracionit politik. Ftesa ishte për legalistët, ballistët, grupin kosovar dhe elementë të pavarur si Muharem Bajraktari. Një muaj më vonë më 12 gusht 1948, në Aleksandri të Egjiptit, me nismën e Ernest Koliqit, u arrit “Beslidhja Demokratike Shqiptare”. Marëveshja u nënshkrua nga Abaz Kupi e Hiqmet Delvina (Legaliteti); Koço Muka (Balli Kombëtar-vëzhgues); Ernest Koliqi, Ago Agaj e Nexhmedin Qoraliu (BKI); Xhafer Deva e Bajazit Boletini (grupi kosovar). Marëveshja përcaktonte : “Forma e rregjimit në Shqipëri pas largimit të komunistëve do t’i lihej në dorë popullit”. Por në fakt edhe kjo nismë nuk ja arriti qëllimit për bashkim. Emigracioni antikomunist shqiptar po tregonte shenja të një konfliktualiteti dhe përçarjeje të vazhdueshme, madje pa asnjë mundësi organizimi midis tyre. Kjo dukuri po e kompromentonte rëndë emigracionin karshi qeverive perëndimore. Sidoqoftë, piksynimi i perëndimorëve ishte mobilizimi i emigracionit në luftën kundër komunizmit. Ky piksynim ishte arësyeja kryesore e përkrahjes dhe e mbështetjes së tyre financiare. Por, mundimet e tyre nuk po justifikoheshin, prandaj duheshin gjetur individ të rinj dhe mënyra të tjera. Rrethanat historike, kërkonin domosdoshmërinë e organizimit politik të qendrueshëm dhe individ të pranushëm, siç ishte edhe dr.Nuçi Kota me personalitetin e tij intelektual, patriotik dhe të paanshëm. Për t’ja arritur qëllimit, qeveritë perëndimore në fundin e vitit 1948, krijuan në Washington “Zyrën e Bashkërendimit Politik” dhe në fillim të vitit 1949, organizatën politike “Komiteti i Europës së Lirë”. Vendi i parë që do eksperimentohej për të përmbysur komunizmin ishte Shqipëria. Qendrat e organizimit të emigrantëve shqiptarë u krijuan në Itali, Turqi e Greqi, të cilat u vizituan nga Abaz Kupi, Mithat Frashëri dhe Sait Kryeziu. Grupi i parë i desantëve ajror erdhi në Shqipëri më 8 korrik 1949 dhe u zbulua nga sigurimi shqiptar. Më pas u organizua nga KGB dhe sigurimi i shtetit radioloja “Buza e Bredhit”, që zgjati 5 muaj dhe u asgjësuan të gjithë diversantët. Situata u vështirësua për organizatorët e sulmeve diversive. Kapja e njerëzve të tyre, krijoi dyshime për aktivizimin e spiunëve brenda emigracionit. Dyshimi përforcohej edhe nga konfliktet midis grupimeve politike dhe individëve të ndryshëm, se kush do e merte pushtetin pas largimit të komunistëve.

    Duke e ndjekur me vëmëndje këtë situate, si dhe përçarjen e thellë midis formacioneve politike, shtetet perëndimore bënë të gjitha përpkjekjet për bashkimin e tyre. Si rezultat i këtyre mbështetjeve dashamirëse, më 26 gusht 1949, u formua në Paris “Komiteti Shqipëria e Lirë”. Në përbërje të tij ishte: Mithat Frashëri –kryetar; dhe anëtar: Abaz Kupi –nga organizata kombëtare lëvizja legalitetit; Sait Kryeziu – nga partia fshatare; Zef Pali –nga Balli Kombëtar; Nuçi Kotta –nga lëvizja patriotike shqiptare. Në organizatën politike “Komiteti Shqipëria e Lirë”, nuk mori pjesë Balli Kombëtar Indipedent. Si pasojë BKI dhe KSHL sulmonin njeri tjetrin me anën e shtypit të tyre. Edhe Ahmet Zogu, nuk e njohu Komitetin dhe deklaronte nga rezidenca e tij në Kajro, se ishte i vetmi autoritet legjitim pas 7 prillit 1939. Në fillim të shtatorit 1949, komiteti ekzekutiv i “Komitetit Shqipëria e Lirë”, u vendos për disa ditë në Angli dhe më pas në SHBA. Në Neë York, qendruan vetëm Mithat Frashëri dhe Nuçi Kota, ndërsa Abaz Kupi, Zef Pali dhe Sait Kryeziu u kthyen në Romë.


    Vdekja e papritur e Mithat Frashërit

    Vdekja e papritur e Mithat Frashërit, në hotelin “Vinthrop” të New Yurkut, më 3 tetor 1949, i cili ishte kryetar i “Komitetit Shqipëria e Lirë”, ishte edhe fillimi i grindjeve të reja për ta zëvëndësuar. Midis kandidaturave të paraqitura u vendos që vendin e kryetarit ta zinte Hasan Dosti. Anëtarësimi i Shqipërisë në fund të vitit 1949, në organizatën politike “Asambleja e Kombeve të Robëruara të Europës”, erdhi si rezultat i kontributit të emigracionit politik shqiptar. Anëtarësimi, ndikoi fuqishëm për rifillimin e zbarkimeve në Shqipëri për të larguar komunistët nga pushteti. Më 26 dhjetor zbarkoi grupi i dytë i desantëve ajror, më 8 shkurt 1950 grupi i tretë dhe 21 korrik grupi i katërt. Zbarkimet vazhduan edhe në vitet 1951-1953 por të gjithë diversantët ranë në duart e sigurimit të shtetit të drejtuar nga KGB. Qeveritë perëndimore i quajtën të gabuara zbarkimet në Shqipëri, të guximtarëve antikomunist, të cilët u kapën, u asgjësuan apo u dënuan nga gjyqet komuniste. Strategjia e paraqitur nga dr.Nuçi Kota për rëzimin e pushtetit diktatorial komunist në Shqipëri, nga vetë populli shqiptar, u konsiderua më e favorizuar në momentet e një lufte të ftohtë midis dy kampeve kundërshtare deri në vdekje, atij kapitalist perendimor dhe atij sllavo-komunist lindor. Shenjat e rënies ekonomike të sistemit komunist ishin shfaqur në shtetet e vogla ballkanike dhe padyshim Shqipëria ishte më e dallueshmja.


    “Asambleja e Kombeve të Robëruara të Europës”

    Për ta thelluar luftën ideologjike e ekonomike kundër komunizmit, në vitin 1955, qeveritë perendimore e caktuan dr.Nuçi Kotën me detyrën e zv/sekretarit të përgjithshëm të organizatës politike “Asambleja e Kombeve të Robëruara të Europës”. Pikërisht në këtë moment historik për kombin shqiptar, filloi përçarja brenda Partisë Mbretërore. Gaqo Gogo, duke u shpallur kundërshar i Abaz Kupit, i shkaktoi fraksion Legalitetit. Ky veprim, nuk u pranua nga Ahmet Zogu, i cili i zëmëruar nga plasaritjet brenda kampit të tij, kërkoi ribashkimin e të dy fraksioneve. Por tashmë ishte tepër vonë, pasi në 9 prill 1961 Mbreti i Shqiptarëve Ahmet Zogu vdiq. Legalistët e ndjenë nevojën e një udhëheqësi të ri dhe ai ishte dr.Nuçi Kota. Për fat detyra e tij si zv/sekretar i organizatës politike “Asambleja e Kombeve të Robëruara të Europës”, kishte përfunduar në fund të dhjetorit të vitit 1960, para se të largohej nga jeta Naltmadhënia e tij Zog-I. Pas vdekjes së Mbretit, “Organizata Kombëtare Lëvizja Legalitetit” u nda në dy fraksione kryesore: Një Fraksion me në krye Leka Zogun dhe Fraksioni Tjetër me në krye dr.Nuçi Kotën dhe anëtarë Selim Damanin, Fuat Myftinë etj.

    Fraksioni i drejtuar nga Leka Zogu, ishte i orientuar nga aksioni politik dhe ndërhyrja diversioniste për rrëzimin e pushtetit komunist në Shqipëri. Ndërsa fraksioni i drejtuar nga dr.Nuçi Kota, synonte rrugën demokratike të largimit të komunistëve nga pushteti. Kjo ishte edhe arësyeja, që Abaz Kupi ngarkoi dr.Nuçi Kotën e Selim Damanin t’i jepnin organizatës OKLL-së një strukturë organizative demokratike, duke krijuar Komitetin Qendror dhe organet drejtuese. Programi i hartuar nga ky grup pune, u paraqit në Kongresin e parë që mbajti OKLL në nëndor 1962. Kongresi zgjodhi Abaz Kupin kryetar nderi dhe Komitetin Qendror me kryetar Selim Damanin, si dhe një zyrë në Në York me sekretar Reshat Agaj. OKLL shpalli qëllimin e saj me moton: Atdheu mbi të gjitha; Luftën kundër komunizmit, Rikthimin e mbretërisë në Shqipëri; Parimin e Shqipërisë etnike; dhe Përkrahjen e Kosovës. Edhe pas mbajtjes së Kongresit, partia mbretërore vazhdonte e ndarë me dy fraksione, njera e drejtuar nga mëtusi i fronit Leka Zogu dhe tjetra nga dr.Nuçi Kota. Çuditërisht, me kalimin e viteve, mjaft mërgimtar të pakënaqur nga mëtusi i fronit Leka Zogu, krijuan edhe një fraksion tjetër duke e quajtur “Legaliteti i Vërtetë”. Situatat politike kërkonin kualitete drejtuese, të pranuara nga diplomacitë perendimore. Kjo u kuptua edhe nga legalistët, të cilët pa u mbyllur viti 1962, e zgjodhën dr.Nuçi Kotën, Sekretar të Përgjithshëm dhe Kryetar të Komitetit Qendror të organizatës kombëtare “Lëvizja e Legalitetit”.


    Dr. Nuçi Kota, nuk merej vetëm me politikë.

    Ai kishte krijuar tashmë edhe fizionominë e një intelektuali të shkallës më të lartë. Sikur të mos i mjaftonte doktoratura e mbrojtur në vitin 1942 në Paris, në Universitetin e Sorbonës, me temë “Shqipëria dhe çështja e kufijve shqiptaro-grekë”, intelektuali i palodhur Nuçi Kota, në vitin 1965 mbrojti në Neë York një doktoraturë të dytë me titull: Lhomme aux quarante ecus. A Studu of Voltarian Themes ( Njeriu me dyzet eku). Ky studim u botua në Hagë më 1966 dhe trajton temën volteriane mbi fiziokracinë, e cila është teoria e parë e ekonomisë politike, shkollë e mendimit ekonomik dhe politik, sipas së cilës pasuritë e një vendi vijnë kryesisht nga bujqësia. Me këtë studim, dr. Nuçi Kota heton çështjen që fshikullon Volteri, si korupsioni, mosbarazia në pasuri dhe se njeriu mund të jetë i lumtur edhe me dyzet grosh. I frymëzuar nga vepra e Volterit, dr.Nuçi Kota hartoi në anglisht një artikull për një shkrim politik të filozofit të madh francez me titull: ”Voltere s Histoire du parlement de Paris”. Duke u angazhuar në fushën e letërsisë së krahësuar dhe filozofisë, sipas këndvështrimit të Prof.Dr.Remzi Pernaska, Nuçi Kota, “do të portretizohej edhe si kritik letrar dhe studiues i filozofisë, shkurt si intelektual i radhës së lartë, që i kalon caqet e Shqipërisë”. Krahas studimeve në fushat e sipërpermendura, dr.Nuçi Kota ishte mjaft aktiv në jetën e gjallë të shumë shoqatave dhe forumeve ndërkombëtare. Merte pjesë në të gjitha Kongreset e “Komisionit Ndërkombëtar të Juristëve”. Ishte anëtar i tre shoqatave të mëdha, “Internacional Bar Association” ; “Patron” dhe “Modern Language Association”. Më 20 korrik 1965, në mëngjes herët, Nuçi Kota pati një infarkt të rëndë në zemër dhe vdiq në spital, duke lënë jetim Gjergjin në moshën dy vjeç e gjysëm dhe të ve gruan Zuzan Kota shtatzënë me fëmijën e tyre të dytë.

    Para se të vdiste, Nuçi Kota kishte kërkuar të digjej dhe hiri i tij të shpërndahej në tërë Shqipërinë Etnike.

    Një pjesë e Hiri të Tij, u varos dhe Nuçi Kota prehet në varrezën familjare, në Long Island të Nju–Jorkut.

    Vdekja e dr.Nuçi Kotës tronditi mbarë emigracionin antikomunist shqiptar dhe diplomacinë e shteteve perëndimore.

    Telegrafi

  2. Anetarët më poshtë kanë falenderuar Albo për postimin:

    SERAFIM DILO (12-11-2015)

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •