Close
Faqja 3 prej 9 FillimFillim 12345 ... FunditFundit
Duke shfaqur rezultatin 41 deri 60 prej 180
  1. #41
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-08-2013
    Postime
    559

    Për: Përmbledje e doktrinës shoqërore të Kishës Katolike.


    PJESA E DYTË



    «… doktrina shoqërore ka në vetvete vlerën e një mjeti të ungjillëzimit:

    si e tillë, ia shpall Hyjin dhe misterin e shpëtimit në Krishtin çdo njeriu

    dhe, për të njëjtën arsye, ia zbulon njeriut vetveten.

    Në këtë dritë dhe vetëm në këtë dritë, merret me gjërat e tjera:

    me të drejtat njerëzore të secilit dhe, në veçanti, me “proletariatin”,

    me familjen dhe me edukimin, me detyrat e shtetit,

    me rendin e shoqërisë kombëtare e ndërkombëtare, me jetën ekonomike,

    me kulturën, me luftën e me paqen, me respektimin e jetës

    që prej momentit të ngjizjes e deri në vdekje».

    (Centesimus annus, 54)




    KAPITULLI I SHTATË

    JETA EKONOMIKE


    I. ASPEKTE BIBLIKE



    b) Pasuria ekziston për t’u bashkëndarë

    328 Të mirat, edhe pse zotërohen ligjësisht, ruajnë gjithmonë një adresim universal; është imorale33* çdo formë e padrejtë grumbullimi, pasi është në kontrast të hapur me adresimin universal që Hyji Krijues u ka caktuar të gjitha të mirave. Shpëtimi i krishterë, është një lirim tërësor i njeriut, lirimi nga nevoja, por edhe respektimi i vetë zotërimit: “Rrënja e të gjitha të këqijave, veç, është lakmimi i të hollave; për arsye të tij disa e lanë fenë dhe e munduan vetveten me shumë vuajtje” (1 Tim 6, 10). Etërit e Kishës ngulin këmbë për nevojën e kthimit dhe të shndërrimit të ndërgjegjes së besimtarëve, më shumë se për nevojën e ndryshimit të strukturave shoqërore dhe politike të kohës së tyre, duke e nxitur atë që kryen një veprimtari ekonomike dhe që zotëron të mira ta konsiderojë veten administrator apo mbarështues të asaj që Hyji i ka besuar atij.

    329 Pasuritë e realizojnë funksionin e tyre në shërbim të njeriut kur përdoren për të prodhuar të mira për të tjerët dhe shoqërinë:685 “Si do të mund t’i bënim mirë të afërmit pyet Klementi Aleksandrin nëse të gjithë nuk kanë asgjë?”.686 Në vizionin e shën Gjon Gojartit, pasuritë u përkasin disave me qëllim që ata të mund të fitojnë merita duke ua bashkëndarë të tjerëve.687 Ato janë një e mirë që vjen prej Hyjit: ai që e ka këtë të mirë duhet ta përdorë dhe ta qarkullojë atë, kështu që edhe nevojtarët të mund ta gëzojnë këtë të mirë; e keqja duhet të shihet në ngjitjen e tepruar ndaj pasurive, në vullnetin për t’i përvetësuar dhe për t’i akaparuar ato. Shën Bazili i Madh i fton të pasurit që t’i hapin dyert e magazinave të tyre dhe thërret: “Një lumë i madh derdhet, nëpërmjet mijëra kanalesh, në tokën pjellore: po kështu, nëpërmjet mijëra rrugësh, edhe ti bëj që pasuria të mbërrijë në banesat e të varfërve”.688 Pasuria, shpjegon shën Bazili, është si uji që buron gjithnjë e më i pastër nga burimi nëse merret ujë shpesh, ndërsa ai qelbet nëse burimi nuk përdoret.689 I pasuri, do të thotë më vonë shën Gregori i Madh, nuk është veçse një administrator i asaj që ka; t’i japë nevojtarit atë për të cilën ai ka nevojë, është një vepër që ky duhet ta bëjë me përvujtëri, pasi të mirat nuk i përkasin atij që i shpërndan ato. Kush i mban pasuritë vetëm për veten e vet nuk është i pafajshëm; t’ia japësh ato atij që ka nevojë do të thotë të paguash një borxh.690

  2. #42
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-08-2013
    Postime
    559

    Për: Përmbledje e doktrinës shoqërore të Kishës Katolike.

    II. MORALI DHE EKONOMIA


    330 Doktrina shoqërore e Kishës ngul këmbë për bashkëpërcaktimin moral të ekonomisë. Piu XI, në një faqe të enciklikës “Quadragesimo anno”, trajton marrëdhënien mes ekonomisë dhe moralit: “Edhe pse ekonomia e disiplina morale, secila në rrethin e vet, mbështeten në parimet e veta, do të ishte gabim të pohohet se rendi ekonomik dhe rendi moral janë kaq të ndryshëm dhe të huaj për njëri-tjetrin, që i pari në asnjë mënyrë nuk varet nga i dyti. Sigurisht, ligjet, që mbahen si ekonomike, të nxjerra nga vetë natyra e gjërave, e shpirtit dhe e trupit njerëzor, caktojnë se cilat kufizime në fushën ekonomike mund të arrijë apo jo pushteti i njeriut, dhe me çfarë mjetesh; dhe vetë arsyeja, nga natyra e gjërave, nga natyra individuale dhe shoqërore e njeriut, qartësisht arrin në përfundimin se cili është qëllimi që Hyji Krijues i ka vënë krejt rendit ekonomik. Vetëm ligji moral është ai që, ashtu siç na urdhëron për të kërkuar në tërësinë e veprimeve tona qëllimin suprem dhe të fundit, ashtu edhe në llojet e veçanta të veprimtarive tona na thotë t’i kërkojmë ato qëllime të posaçme, që natyra, apo më mirë, Hyji, autori i natyrës, i ka caktuar në këto rende veprimesh dhe ia ka nënrenditur ato në mënyrë të harmonishme qëllimit suprem”.691

    331 Marrëdhënia mes moralit dhe ekonomisë është e nevojshme, e brendshme: veprimtaria ekonomike dhe sjellja morale bashkëdepërtohen thellësisht. Dallimi i nevojshëm mes moralit dhe ekonomisë nuk bashkëmbart një ndarje mes dy rretheve, por, të kundërtën, një ndërsjellshmëri të rëndësishme. Ashtu si në rrethin moral duhet të kihen parasysh arsyet dhe kërkesat e ekonomisë, duke vepruar në fushën ekonomike duhet t’u hapemi instancave morale: “Edhe në jetën ekonomiko-shoqërore duhet ta nderojmë dhe ta nxisim dinjitetin e personit njerëzor, thirrjen e tij tërësore dhe të mirën e gjithë shoqërisë. Njeriu në fakt, është autori, qendra dhe qëllimi i krejt jetës ekonomiko-shoqërore”.692 T’u jepet pesha e drejtë dhe e duhur arsyeve të ekonomisë nuk do të thotë të mos pranojmë si irracional çdo vlerësim të rendit metaekonomik, pikërisht sepse qëllimi i ekonomisë nuk është në vetë ekonominë, por në qëllimin e saj njerëzor dhe shoqëror.693 Ekonomisë, në fakt, si në rrethin shkencor ashtu edhe në nivelin e veprimtarisë praktike, nuk i është besuar adresimi i realizimit të njeriut dhe i bashkëjetesës së mirë njerëzore, por një detyrë e pjesshme: prodhimi, shpërndarja dhe konsumimi i të mirave materiale dhe i shërbimeve.

    332 Përmasa morale e ekonomisë bën që të kuptohen si pikësynime të pazgjidhshme, sesa të ndara dhe alternative, begatia ekonomike dhe nxitja e një zhvillimi solidar të njerëzimit. Morali, përbërës i jetës ekonomike, nuk është as kundërshtues, as asnjanës: nëse frymëzohet nga drejtësia dhe solidariteti, përbën një faktor të begatisë shoqërore të vetë ekonomisë. E kemi për detyrë të kryejmë në mënyrë të efektshme veprimtarinë e prodhimit të të mirave, përndryshe burimet harxhohen kot; por nuk është e pranueshme një rritje ekonomike në dëm të qenieve njerëzore, në dëm të popujve të tërë dhe të grupeve shoqërore, të dënuar me varfëri dhe përjashtim.

    Zgjerimi i pasurisë, i dukshëm në mundësinë për t’i përdorur të mirat dhe shërbimet, si dhe kërkesa morale e një shpërndarjeje të barabartë të këtyre të fundit duhet ta stimulojnë njeriun dhe shoqërinë në tërësi për ta praktikuar virtytin themelor të solidaritetit694 që t’i luftojë, me shpirtin e drejtësisë dhe të dashurisë, kudo ku është vënë re prania e tyre, ato “struktura të mëkatit”695 që krijojnë dhe mbajnë varfërinë, nënzhvillimin dhe degradimin. Këto struktura janë të ndërtuara dhe të përforcuara nga shumë vepra konkrete egoizmi njerëzor.

    333 Për të marrë një profil moral, veprimtaria ekonomike duhet të ketë si subjekt të gjithë njerëzit dhe të gjithë popujt. Të gjithë kanë të drejtë të marrin pjesë në jetën ekonomike dhe kanë detyrën për të ndihmuar, sipas aftësive të veta, në përparimin e Vendit të tyre dhe të krejt familjes njerëzore.696 Nëse, në ndonjë mënyrë, të gjithë janë përgjegjës të të gjithëve, secili ka për detyrë të angazhohet për zhvillimin ekonomik të të gjithëve:697 Është detyrë solidariteti dhe drejtësie, por është edhe rruga më e mirë për përparimin e krejt njerëzimit. Nëse jetohet moralisht, ekonomia është pra, kryerja e një shërbimi të ndërsjellë, nëpërmjet prodhimit të të mirave dhe të shërbimeve të dobishme për rritjen e secilit, dhe bëhet një mundësi për secilin që ta jetojë solidaritetin e thirrjen për “bashkësi me njerëzit e tjerë për të cilën Hyji e ka krijuar atë”.698 Përpjekja për të konceptuar dhe për të realizuar projekte ekonomiko-shoqërore të afta për të favorizuar një shoqëri më të barabartë dhe një botë më njerëzore paraqet një sfidë të ashpër, por edhe një detyrë stimuluese, për të gjithë operatorët ekonomikë dhe lëvruesit e shkencave ekonomike.699

    334 Objekti i ekonomisë është formimi i pasurisë dhe shtimi i vazhdueshëm i saj, në terma jo vetëm sasiorë, por edhe cilësorë: e gjithë kjo është moralisht e rregullt nëse finalizohet me zhvillimin global dhe solidar të njeriut dhe të shoqërisë në të cilën ai jeton dhe vepron. Zhvillimi, në fakt, nuk mund të kthehet thjesht në një grumbullim të të mirave dhe të shërbimeve. Është e kundërta, grumbullimi i pastër, edhe atëherë kur është për të mirën e përbashkët, nuk është një kusht i mjaftueshëm për të realizuar lumturinë e vërtetë njerëzore. Në këtë kuptim, Magjisteri shoqëror na paralajmëron nga kurthi që një zhvillim vetëm sasior fsheh, pasi «mundësia e tepërt për t’i pasur dhe për t’i përdorur të gjitha të mirat materiale në dobi të disa grup-moshave shoqërore i bën me lehtësi njerëzit skllevër të “zotërimit” dhe të kënaqjes së menjëhershme… Është i ashtuquajturi qytetërim i “konsumit”, apo konsumizmi…».700

    335 Në perspektivën e zhvillimit tërësor dhe solidar, mund t’i bëhet një çmuarje e drejtë vlerësimit moral që doktrina shoqërore i bën ekonomisë së tregut ose, thjesht, ekonomisë së lirë: «Nëse me “kapitalizëm” kuptohet një sistem ekonomik që njeh rolin themelor dhe pozitiv të sipërmarrjes, të tregut, të pronës private dhe të përgjegjësisë që rrjedh prej tyre për shkak të mjeteve të prodhimit, të krijimtarisë së lirë njerëzore në sektorin ekonomik, përgjigjja është sigurisht pozitive, edhe nëse ndoshta do të ishte më e saktë të flisnim për “ekonomi sipërmarrëse” ose “ekonomi tregu”, ose thjesht “ekonomi të lirë”. Por nëse me “kapitalizëm” kuptohet një sistem në të cilin liria në sektorin ekonomik nuk inkuadrohet në një kontekst të fortë juridik, që e vë në shërbim të lirisë tërësore njerëzore dhe që e konsideron atë si një përmasë të veçantë të kësaj lirie, qendra etike dhe fetare e të cilit ajo është, atëherë përgjigjja është vendosmërisht negative».701 Në këtë mënyrë përcaktohet perspektiva e krishterë e kushteve shoqërore dhe politike të veprimtarisë ekonomike: jo vetëm rregullat e saj, por edhe cilësia dhe domethënia e saj morale.

  3. #43
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-08-2013
    Postime
    559

    Për: Përmbledje e doktrinës shoqërore të Kishës Katolike.


    PJESA E DYTË



    «… doktrina shoqërore ka në vetvete vlerën e një mjeti të ungjillëzimit:

    si e tillë, ia shpall Hyjin dhe misterin e shpëtimit në Krishtin çdo njeriu

    dhe, për të njëjtën arsye, ia zbulon njeriut vetveten.

    Në këtë dritë dhe vetëm në këtë dritë, merret me gjërat e tjera:

    me të drejtat njerëzore të secilit dhe, në veçanti, me “proletariatin”,

    me familjen dhe me edukimin, me detyrat e shtetit,

    me rendin e shoqërisë kombëtare e ndërkombëtare, me jetën ekonomike,

    me kulturën, me luftën e me paqen, me respektimin e jetës

    që prej momentit të ngjizjes e deri në vdekje».

    (Centesimus annus, 54)




    KAPITULLI I SHTATË

    JETA EKONOMIKE



    III. NISMA PRIVATE DHE SIPËRMARRJA


    336 Doktrina shoqërore e Kishës e konsideron lirinë e personit në fushën ekonomike si një vlerë themelore dhe si një të drejtë të patjetërsueshme që duhet të nxitet dhe të mbrohet: “Çdo njeri gëzon të drejtën e nismës ekonomike; çdo njeri do t’i përdorë ligjshmërisht talentet e veta që të bashkëpunojë për një bollëk, të cilin të gjithë mund ta shijojnë, dhe që të mbledhë nga përpjekjet e veta frytet e duhura”.702 Ky mësim paralajmëron rrjedhojat negative që do të rridhnin nga cenimi apo mohimi i të drejtës për nismë ekonomike: “Përvoja tregon se mohimi i kësaj të drejte ose kufizimi i saj në emër të një pretendimi “barazie” të të gjithëve në shoqëri ul, apo madje shkatërron faktikisht shpirtin e nismës, domethënë të subjektivitetit krijues të shtetasit”.703 Në këtë perspektivë, nisma e lirë dhe përgjegjëse në fushën ekonomike mund të përcaktohet edhe si një akt që zbulon njerëzinë e njeriut si subjekt krijues dhe marrëdhënor. Kjo nismë duhet të gëzojë, për këtë, një hapësirë të gjerë. Shteti ka detyrën morale që të vendosë detyrime shtrënguese në lidhje me mospërputhjen mes ndjekjes së të mirës së përbashkët dhe veprimtarisë ekonomike të filluar apo të mënyrave të zhvillimit të saj.704

    337 Përmasa krijuese është një element thelbësor i veprimit njerëzor, edhe në fushën e sipërmarrjes, dhe shfaqet sidomos në prirjen projektuese dhe novatore: “Organizimi i një përpjekjeje të tillë prodhuese, planifikimi i kohëzgjatjes së saj, sigurimi që ajo t’u përgjigjet në mënyrë pozitive nevojave që duhet të kënaqë, duke marrë përsipër rreziqet e nevojshme: është, edhe kjo, një burim pasurie për shoqërinë e sotme. Kështu bëhet gjithnjë e më i dukshëm dhe përcaktues roli i punës njerëzore, të disiplinuar dhe krijuese dhe si pjesë thelbësore e kësaj pune roli i aftësive për nismë dhe sipërmarrje”.705 Në bazë të këtij mësimi duhet të dallohet bindja se “burimi kryesor i njeriut së bashku me tokën është vetë njeriu. Është mençuria e tij që e bën të zbulojë potencialet prodhuese të tokës dhe mënyrat e shumta me anë të të cilave mund të plotësohen nevojat njerëzore”.706

    a) Sipërmarrja dhe qëllimet e saj

    338 Sipërmarrja duhet të karakterizohet për aftësinë që t’i shërbejë të mirës së përbashkët të shoqërisë përmes prodhimit të të mirave dhe të shërbimeve të nevojshme. Duke kërkuar që të prodhohen të mira dhe shërbime në një logjikë efektiviteti dhe plotësimi të interesave të subjekteve të ndryshëm të përfshirë, ajo krijon pasuri për krejt shoqërinë: jo vetëm për pronarët, por edhe për subjektet e tjerë të interesuar për veprimtarinë e saj. Përtej këtij funksioni tipik ekonomik, sipërmarrja luan edhe një funksion shoqëror, duke krijuar mundësi takimi, bashkëpunimi dhe vlerësimi të aftësive të personave të përfshirë. Në sipërmarrje, për këtë, përmasa ekonomike është kushti për arritjen e objektivave jo vetëm ekonomik, por edhe shoqëror dhe moral, që duhet të arrihen së bashku.

    Objektivi i sipërmarrjes duhet të realizohet në terma dhe me kritere ekonomike, por nuk duhet të lihen pas dore vlerat autentike që mundësojnë zhvillimin konkret të personit dhe të shoqërisë. Në këtë vizion personalist dhe bashkësior, «ndërmarrja nuk mund të konsiderohet vetëm si një “shoqëri kapitalesh”; ajo, në të njëjtën kohë, është një “shoqëri personash”, në të cilën bëjnë pjesë në mënyrë të ndryshme dhe me përgjegjësi specifike si ata që japin kapitalin e nevojshëm për veprimtarinë e saj, ashtu edhe ata që bashkëpunojnë me punën e tyre».707

    339 Përbërësit e sipërmarrjes duhet të jenë të vetëdijshëm se bashkësia në të cilën veprojnë paraqet një të mirë për të gjithë dhe jo një strukturë që mundëson plotësimin ekskluzivisht të të mirave personale të dikujt. Vetëm kjo vetëdije mundëson arritjen e krijimit të një ekonomie me të vërtetë në shërbim të njeriut dhe përpunimin e një projekti bashkëveprimi real mes palëve shoqërore.

    Një shembull shumë i rëndësishëm dhe domethënës në këtë drejtim vjen nga veprimtaria që mund t’u referohet sipërmarrjeve kooperativiste, sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme, ndërmarrjeve artizanale dhe atyre bujqësore me përmasë familjare. Doktrina shoqërore ka theksuar ndihmesën që këto sipërmarrje japin për vlerësimin e punës, për rritjen e ndjenjës së përgjegjësisë personale dhe shoqërore, për jetën demokratike, për vlerat njerëzore të dobishme në përparimin e tregut dhe të shoqërisë.708

    340 Doktrina shoqërore njeh funksionin e drejtë të përfitimit, si treguesin e parë të mbarëvajtjes së ndërmarrjes: “kur një ndërmarrje ka përfitim, kjo do të thotë se faktorët prodhues janë përdorur si duhet”.709 Kjo nuk errëson vetëdijen e faktit se jo gjithmonë përfitimi tregon se ndërmarrja është duke i shërbyer si duhet shoqërisë.710 Është e mundur, për shembull, “që llogaritë ekonomike të jenë në rregull dhe njëkohësisht njerëzit, që përbëjnë pasurinë më të çmueshme të ndërmarrjes, të poshtërohen dhe të shkelen në dinjitetin e tyre”.711 Kjo ndodh kur sipërmarrja është futur në sistemet socio-kulturore që shfrytëzojnë personat, që priren t’u ikin detyrimeve të drejtësisë shoqërore dhe që dhunojnë të drejtat e punëtorëve.

    Është e domosdoshme që, brenda sipërmarrjes, arritja e ligjshme e përfitimit të harmonizohet me mbrojtjen, prej së cilës s’mund të hiqet dorë të dinjitetit të personave, që me titull të ndryshëm veprojnë në të njëjtën sipërmarrje. Dy kërkesat nuk janë aspak në kontrast me njëra-tjetrën, nga momenti kur, nga njëra anë, nuk do të ishte realiste të mendonim që t’i garantonim të ardhmen sipërmarrjes pa prodhimin e të mirave dhe të shërbimeve dhe pa arritur përfitime që janë fryti i veprimtarisë ekonomike; nga ana tjetër, duke i dhënë mundësi punëtorit që të rritet, favorizohet një prodhimtari më e madhe dhe më e efektshme e vetë punës. Sipërmarrja duhet të jetë një bashkësi solidare712 jo e mbyllur në interesat e korporatës, të priret drejt një “ekologjie shoqërore”713 të punës, dhe të ndihmojë për të mirën e përbashkët edhe nëpërmjet mbrojtjes së mjedisit natyror.

    341 Nëse në veprimtarinë ekonomike dhe financiare kërkimi i një përfitimi të barabartë është i pranueshëm, përdorimi i fajdeve me interesa të padrejta është moralisht i dënueshëm: “Të gjithë ata që në tregti përdorin praktika fajdesh me interesa të padrejta dhe tregtare që shkaktojnë urinë dhe vdekjen e vëllezërve të tyre, vëllezër për faktin se janë njerëz sikurse edhe ata kryejnë në mënyrë jo të drejtpërdrejtë një vrasje për të cilën janë të përgjegjshëm”.714 Ky dënim vlen edhe për marrëdhëniet ekonomike ndërkombëtare, sidomos për sa i përket situatës së Vendeve më pak të zhvilluara, të cilave s’mund t’u aplikohen “sisteme financiare kundër ligjit, ose aq më shumë fajdesh me interesa të padrejta”.715 Magjisteri i kohëve të fundit ka përdorur fjalë të forta dhe të qarta për një praktikë edhe sot e kësaj dite të shtrirë në mënyrë tragjike: “praktikimin e fajdeve me interesa të padrejta, plagë që edhe në ditët tona është një realitet i turpshëm, i aftë për t’ua marrë frymën shumë personave”.716

    342 Sipërmarrja lëviz sot në kuadrin e skenareve ekonomike me përmasa gjithnjë e më të gjera, brenda të cilave Shtetet kombëtare tregojnë kufizime në aftësinë për të mbarështuar proceset e shpejta të ndryshimeve që prekin marrëdhëniet ekonomike-financiare ndërkombëtare; kjo gjendje i çon sipërmarrjet që të marrin përsipër përgjegjësi të reja dhe më të mëdha në krahasim me të kaluarën. Kurrë si sot roli i tyre nuk rezulton përcaktues për një zhvillim autentikisht solidar dhe tërësor të njerëzimit dhe është po aq vendimtar, në këtë kuptim, niveli i tyre i vetëdijes për faktin se “zhvillimi ose bëhet i njëjtë në të gjithë botën, ose pëson një proces sprapsjeje edhe në zonat me një përparim të vazhdueshëm. Dukuri, kjo, veçanërisht treguese e natyrës së zhvillimit autentik: ose marrin pjesë të gjitha Kombet e botës, ose nuk do të jetë me të vërtetë i tillë”.717

    b) Roli i sipërmarrësit dhe i drejtuesit të ndërmarrjes

    343 Nisma ekonomike është shprehje e mençurisë njerëzore dhe e kërkesës për t’iu përgjigjur nevojave të njeriut në mënyrë krijuese dhe bashkëpunuese. Në krijimtari dhe në bashkëpunim gjendet konceptimi autentik i konkurrimit mes ndërmarrjeve: një cum-petere, domethënë kërkimi i përbashkët i zgjedhjeve më të drejta, për t’iu përgjigjur në mënyrë sa më të përshtatshme nevojave që lindin herë pas here. Ndjenja e përgjegjësisë që lind prej nismës së lirë ekonomike përvijohet jo vetëm si virtyt individual i domosdoshëm për rritjen njerëzore të individit, por edhe si virtyt shoqëror i nevojshëm për zhvillimin e një bashkësie solidare: “Në këtë proces përfshihen virtyte të rëndësishme, si drejtimi, zelli për punën, maturia në marrjen përsipër të rreziqeve të logjikshme, besueshmëria dhe besnikëria në marrëdhëniet ndërpersonale, qëndresa në zbatimin e vendimeve të vështira dhe të dhimbshme, por të nevojshme për punën e tyre të përbashkët dhe për t’u bërë ballë përmbysjeve të mundshme të mbarësisë”.718

    344 Rolet e sipërmarrësit dhe të drejtuesit marrin një rëndësi qendrore për nga këndvështrimi shoqëror, pasi vihen në zemrën e atij rrjeti lidhjesh teknike, tregtare, financiare, kulturore, që karakterizojnë realitetin modern të sipërmarrjes. Nga çasti kur vendimet e ndërmarrjes prodhojnë, për shkak të gërshetueshmërisë në rritje të veprimtarisë sipërmarrëse, një shumëllojshmëri efektesh të përbashkëta me rëndësi të madhe jo vetëm ekonomike, por edhe shoqërore, ushtrimi i përgjegjësisë sipërmarrëse dhe drejtuese kërkon, edhe përveçse një përpjekje të vazhdueshme përditësimi specifik, një reflektim të vazhdueshëm për motivet morale që duhet të drejtojnë zgjedhjet personale të atij që është i ngarkuar me këto detyra.

    Sipërmarrësit dhe drejtuesit nuk mund të kenë parasysh ekskluzivisht objektivin ekonomik të sipërmarrjes, kriteret e efektshmërisë ekonomike, kërkesat e përkujdesjes për “kapitalin” si tërësi mjetesh prodhuese: detyrë e tyre është pikërisht edhe respektimi konkret i dinjitetit njerëzor të punëtorëve që veprojnë në këto sipërmarrje.719 Këta të fundit përbëjnë “pasurinë më të çmueshme të ndërmarrjes”,720faktorin vendimtar të prodhimit.721 Në vendimet e mëdha strategjike dhe financiare, të blerjes apo të shitjes, të shkurtimit apo të mbylljes së impianteve, të politikës së shkrirjeve, nuk mund të kufizohemi ekskluzivisht me kriteret që kanë natyrë financiare apo tregtare.

    345 Doktrika shoqërore ngul këmbë mbi nevojën që sipërmarrësi dhe drejtuesi të angazhohen për ta strukturuar veprimtarinë e punës së ndërmarrjeve të tyre në mënyrë që të favorizojnë familjen, sidomos nënat, në kryerjen e detyrave të tyre;722 duke plotësuar, në dritën e një vizioni tërësor të njeriut dhe të zhvillimit, kërkesën për cilësi “të mallrave që duhen prodhuar dhe konsumuar, të shërbimeve që duhen përfituar, të mjediseve dhe të jetës në përgjithësi”;723 të investojnë, kur ekzistojnë kushtet ekonomike dhe kushtet politike të qëndrueshme, në ato vende dhe në ato sektorë prodhues që u ofrojnë individëve dhe popujve “rastin për ta vlerësuar punën e tyre”.724

  4. #44
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-08-2013
    Postime
    559

    Për: Përmbledje e doktrinës shoqërore të Kishës Katolike.

    PJESA E DYTË



    «… doktrina shoqërore ka në vetvete vlerën e një mjeti të ungjillëzimit:

    si e tillë, ia shpall Hyjin dhe misterin e shpëtimit në Krishtin çdo njeriu

    dhe, për të njëjtën arsye, ia zbulon njeriut vetveten.

    Në këtë dritë dhe vetëm në këtë dritë, merret me gjërat e tjera:

    me të drejtat njerëzore të secilit dhe, në veçanti, me “proletariatin”,

    me familjen dhe me edukimin, me detyrat e shtetit,

    me rendin e shoqërisë kombëtare e ndërkombëtare, me jetën ekonomike,

    me kulturën, me luftën e me paqen, me respektimin e jetës

    që prej momentit të ngjizjes e deri në vdekje».

    (Centesimus annus, 54)




    KAPITULLI I SHTATË

    JETA EKONOMIKE

    IV. INSTITUCIONET EKONOMIKE

    NË SHËRBIM TË NJERIUT



    346 Njëra prej çështjeve përparësore në ekonomi është përdorimi i burimeve,725 domethënë i të gjitha atyre të mirave dhe shërbimeve të cilave subjektet ekonomike, prodhuese dhe konsumatore private dhe publike, u japin një vlerë për dobishmërinë e tyre në fushën e prodhimit dhe të konsumit. Burimet në natyrë janë të pakta në numër dhe kjo bashkëpërcakton, domosdoshmërisht, që çdo subjekt ekonomik, ashtu si çdo shoqëri, të sajojë ndonjë strategji për t’i përdorur në mënyrën më racionale të mundshme, duke ndjekur logjikën e diktuar nga parimi i ekonomishmërisë. Nga kjo varet si zgjidhja reale e problemit ekonomik më të përgjithshëm, dhe themelor, të kufizimeve të mjeteve në krahasim me nevojat individuale dhe shoqërore, private dhe publike, ashtu edhe efektiviteti i përgjithshëm, strukturor dhe funksional, i krejt sistemit ekonomik. Ky efektivitet përfshin drejtpërsëdrejti përgjegjësinë dhe aftësinë e subjekteve të ndryshëm, si tregun, Shtetin dhe trupat shoqëror të ndërmjetëm.

    a) Roli i tregtisë së lirë

    347 Tregu i lirë është një institucion i rëndësishëm nga ana shoqërore për aftësinë e tij që të garantojë rezultate të efektshme në prodhimin e të mirave dhe të shërbimeve. Historikisht, tregu ka dhënë prova se di ta nisë dhe ta mbështesë, për një kohë të gjatë, zhvillimin ekonomik. Ka arsye të mira për të pohuar se, në shumë rrethana, “tregu i lirë është mjeti më i efektshëm për të shpërndarë burimet dhe për t’iu përgjigjur në mënyrë të efektshme nevojave”.726 Doktrina shoqërore e Kishës vlerëson përfitimet e sigurta që mekanizmat e tregut të lirë ofrojnë, si për një përdorim më të mirë të burimeve, ashtu edhe për kushtet lehtësuese në shkëmbimet e prodhimeve; këto mekanizma, “sidomos, vënë në qendër vullnetin dhe parapëlqimet e personit që në kontratë takohen me ata të një personi tjetër”.727

    Një treg i vërtetë konkurrues është një mjet i efektshëm për të arritur objektiva të rëndësishëm drejtësie: të matë tepricat e përfitimit të sipërmarrjeve të veçanta; t’u përgjigjet kërkesave të konsumatorëve; të realizojë një përdorim dhe një kursim më të mirë të burimeve; të çmojë përpjekjet sipërmarrëse dhe aftësinë e risisë; të bëjë qarkullimin e informacionit, në mënyrë që me të vërtetë të jetë i mundur krahasimi dhe blerja e prodhimeve në një kontekst konkurrence të shëndetshme.

    348 Tregu i ri nuk mund të gjykohet duke hequr dorë nga qëllimet që ndjek dhe nga vlerat që përçon në nivelin shoqëror. Tregu, në fakt, nuk mund ta gjejë në vetvete parimin e ligjësimit të vet. I përket ndërgjegjes individuale dhe përgjegjësisë publike të përcaktojnë një marrëdhënie të drejtë mes mjeteve dhe qëllimeve.728 Përfitimi individual i operatorit ekonomik, edhe pse i ligjshëm, nuk duhet të bëhet kurrë objektivi i vetëm. Krahas tij, ekziston edhe një tjetër, po aq themelor dhe i lartë, ai i dobishmërisë shoqërore, që duhet të realizohet jo në kontrast, por në koherencë me logjikën e tregut. Kur kryen funksionet e rëndësishme të lartpërmendura, tregu i lirë bëhet funksional për të mirën e përbashkët dhe zhvillimin tërësor të njeriut, ndërsa ndryshimi i marrëdhënies mes mjeteve dhe qëllimit mund ta degjenerojë atë në një institucion jonjerëzor dhe tjetërsues, me ndikime të pakontrollueshme.

    349 Doktrina shoqërore e Kishës, edhe pse ia njeh tregut funksionin e mjetit të pazëvendësueshëm të rregullimit brenda sistemit ekonomik, vë në dukje nevojën për ta lidhur atë me qëllime morale, që të sigurojnë dhe, në të njëjtën kohë, të përcaktojnë si duhet hapësirën e autonomisë së tij.729 Ideja se vetëm tregut mund t’i besohet furnizimi me të gjitha kategoritë e të mirave nuk është e bashkëndashme, pasi bazohet në një vizion zvogëlues të personit dhe të shoqërisë.730 Përballë rrezikut konkret të një “idhujtarie” të tregut, doktrina shoqërore e Kishës thekson kufirin, që dallohet me lehtësi në paaftësinë e konstatuar për të plotësuar kërkesa të rëndësishme njerëzore për plotësimin e të cilave ka nevojë për të mira që, “për vetë natyrën e tyre nuk mund të jenë thjesht mallra”,731 të mira jo të tregtueshme sipas rregullit “të shkëmbimit mes gjërave të barazvlefshme” dhe logjikës së kontratës, tipike për tregun.

    350 Tregu merr një funksion shoqëror të rëndësishëm në shoqërinë bashkëkohore, për këtë është e rëndësishme që të dallojmë potencialitetet më pozitive të tij dhe të krijojmë kushtet që mundësojnë shpalosjen konkrete të tij. Operatorët duhet të jenë efektivisht të lirë për të krahasuar, për të vlerësuar dhe për të zgjedhur mes mundësive të ndryshme, megjithatë, liria në rrethin ekonomik, duhet të rregullohet nga një kuadër i duhur juridik, i tillë që ta vërë atë në shërbim të lirisë tërësore njerëzore: liria ekonomike është vetëm një element i lirisë njerëzore. Kur ajo bëhet autonome, domethënë kur njeriu shihet më shumë si një prodhues apo një konsumator të mirash, sesa si një subjekt që prodhon dhe konsumon për të jetuar, atëherë humbet marrëdhënien e vet të nevojshme me personin njerëzor dhe arrin ta tjetërsojë e ta shtypë atë”.732

    b) Veprimi i Shtetit

    351 Veprimi i Shtetit dhe i pushteteve të tjera publike duhet të përshtatet me parimin e subsidiaritetit dhe të krijojë situata të favorshme për ushtrimin e lirë të veprimtarisë ekonomike; ai duhet të frymëzohet edhe nga parimi i solidaritetit dhe të përcaktojë kufijtë e autonomisë së palëve për të mbrojtur më të dobëtin.733 Solidariteti pa subsidiaritet, në fakt, mund të degjenerojë lehtësisht në asistencializëm, kurse subsidiariteti pa solidaritet rrezikon të ushqejë forma lokalizmi35* egoist. Për të respektuar këto dy parime themelore, ndërhyrja e Shtetit në rrethin ekonomik nuk duhet të jetë as furacake, as e dobët, por sipas kërkesave reale të shoqërisë: “Shteti… ka për detyrë ta ndihmojë veprimtarinë e sipërmarrjeve, duke krijuar kushte që sigurojnë raste pune, duke e nxitur atë aty ku ajo rezulton e pamjaftueshme apo duke e mbështetur atë në çaste krize. Shteti, gjithashtu, ka të drejtë të ndërhyjë kur situata të veçanta monopoli krijojnë ndalesa apo pengesa për zhvillimin. Por, përveç detyrave të harmonizimit dhe të drejtimit të zhvillimit, Shteti mund të kryejë funksione zëvendësuese në raste të jashtëzakonshme”.734

    352 Detyra themelore e Shtetit në rrethin ekonomik është ajo e përcaktimit të një kuadri juridik që rregullon marrëdhëniet ekonomike, me qëllim që “të mbrojë… kushtet e para të një ekonomie të lirë, që supozon një barazi mes palëve, të tillë që njëra prej tyre të mos jetë më me pushtet se tjetra dhe ta skllavërojë praktikisht atë”.735 Veprimtaria ekonomike, sidomos në një kontekst tregu të lirë, nuk mund të zhvillohet në një boshllëk institucional, juridik e politik: “Ajo supozon, përkundrazi, sigurinë rreth garancive të lirisë individuale dhe të pronësisë, përveç një monedhe të qëndrueshme dhe shërbime publike të efektshme”.736 Për ta kryer detyrën e vet, Shteti duhet të përpunojë një legjislacion të përshtatshëm, por edhe të drejtojë në mënyrë të matur politikat ekonomike dhe shoqërore, që të mos bëhet kurrë mbizotërues dhe shpërdorues në veprimtaritë e ndryshme të tregut, zhvillimi i të cilave duhet të mbetet i lirë nga superstruktura dhe detyrimet autoritare apo, më keq, totalitare.

    353 Duhet që tregu dhe Shteti të veprojnë konkretisht me njëri-tjetrin dhe të bëhen përplotësues. Tregu i lirë mund të ketë efekte të mira për kolektivitetin vetëm në prani të një organizimi të Shtetit që përcakton dhe orienton drejtimin e zhvillimit ekonomik, i cili bën që të respektohen rregulla të barabarta dhe transparente, që të ndërhyjë edhe në mënyrë të drejtpërdrejtë, për një kohë të nevojshme,737 në rastet kur tregu nuk arrin të marrë rezultatet e efektivitetit të dëshiruar dhe kur bëhet fjalë për vënien në jetë të parimit të rishpërndarjes. Në disa rrethe, tregu, në fakt, nuk është në gjendje, duke u mbështetur vetëm në mekanizmat e veta, të garantojë një shpërndarje të barabartë të disa të mirave dhe shërbimeve thelbësore për rritjen njerëzore të shtetasve: në këtë rast përplotësimi mes Shtetit dhe tregut është i nevojshëm më shumë se kurrë.

    354 Shteti mund t’i shtyjë shtetasit dhe sipërmarrjet për nxitjen e të mirave të përbashkëta duke u kujdesur për zbatimin e një politike ekonomike që favorizon pjesëmarrjen e të gjithë shtetasve në veprimtaritë prodhuese. Respektimi i parimit të subsidiaritetit duhet t’i shtyjë autoritetet publike që të kërkojnë kushte të favorshme për zhvillimin e aftësive nismëtare individuale, të autonomisë dhe të përgjegjësisë personale të shtetasve, duke u shmangur nga çdo ndërhyrje që mund të përbëjë një kushtëzim të padrejtë të forcave sipërmarrëse.

    Duke pasur parasysh të mirën e përbashkët gjithmonë duhet të ndiqet me vendosmëri të vazhdueshme objektivi i një ekuilibri të drejtë mes lirisë private dhe veprimit publik, të kuptuar edhe si ndërhyrje e drejtpërdrejtë në ekonomi, edhe si veprimtari që mbështet zhvillimin ekonomik. Në çdo rast, ndërhyrja publike duhet të mbetet në kriteret e barazisë, të racionalitetit dhe të efektshmërisë, dhe jo të zëvendësojë veprimin e individëve, kundër të drejtës së tyre për lirinë e nismës ekonomike. Shteti, në këtë rast, bëhet i dëmshëm për shoqërinë: një ndërhyrje e drejtpërdrejtë tepër pushtuese çon në heqjen e përgjegjësisë së shtetasve dhe prodhon një rritje të tepërt të aparateve publike, të drejtuara më shumë nga logjika burokratike sesa nga pikësynimi për të plotësuar nevojat e personave.738

    355 Mbledhja fiskale dhe shpenzimi publik marrin një rëndësi ekonomike vendimtare për çdo bashkësi civile dhe politike: objektivi drejt të cilit duhet të orientohemi është një financë publike e aftë që të paraqitet si një mjet zhvillimi dhe solidariteti. Një financë publike e drejtë, vepruese dhe e efektshme, prodhon efekte të virtytshme për ekonominë, pasi arrin të favorizojë rritjen e punësimit, të mbështesë veprimtaritë sipërmarrëse dhe nismat pa qëllim fitimi, si dhe të ndihmojë për rritjen e besueshmërisë së Shtetit si garant i sistemeve të sigurimit dhe të mbrojtjes shoqërore, që në veçanti kanë për qëllim mbrojtjen e më të dobëtit.

    Financa publike orientohet drejt të mirës së përbashkët kur mbahet nga disa parime themelore: pagimi i taksash739 si specifikim i detyrës së solidaritetit; racionalitet dhe barazi në vendosjen e detyrimeve;740 rreptësi dhe integritet në administrimin dhe në adresimin e burimeve publike.741 Në rishpërndarjen e burimeve, financa publike duhet të ndjekë parimet e solidaritetit, të barazisë, të vlerësimit të talenteve dhe t’i kushtojë një vëmendje të madhe mbështetjes së familjeve, duke caktuar për këtë qëllim një sasi të përshtatshme burimesh.742

    c) Roli i trupave të ndërmjetëm

    356 Sistemi ekonomiko-shoqëror duhet të karakterizohet nga bashkëprania e veprimit publik dhe privat, përfshirë veprimin publik pa qëllim fitimi. Përvijohet në këtë mënyrë një shumicë qendrash vendimmarrëse dhe logjikash veprimi. Ka disa kategori të mirash, kolektive dhe të përbashkëta, përdorimi i të cilave nuk mund të mos varet nga mekanizmat e tregut743 dhe nuk është as kompetencë ekskluzive e Shtetit. Detyra e Shtetit, në lidhje me këto të mira, është ajo e vlerësimit të të gjitha nismave shoqërore dhe ekonomike që kanë efekt publik, të nxitura nga formacione të ndërmjetme. Shoqëria civile, e organizuar në trupat e saj të ndërmjetëm, është e aftë të ndihmojë në arritjen e të mirës së përbashkët duke u vënë në një marrëdhënie bashkëpunimi dhe përplotësie të efektshme me Shtetin dhe tregun, duke favorizuar kështu zhvillimin e një demokracie të mundshme ekonomike. Në një kontekst të tillë, ndërhyrja e Shtetit duhet të ketë vulën e ushtrimit të një solidariteti të vërtetë, që si i tillë nuk duhet të jetë kurrë i ndarë nga subsidiariteti.

    357 Organizatat private pa qëllim fitimi kanë një hapësirë të tyre specifike në rrethin ekonomik. Këto organizata dallohen nga tentativa për të ndërthurur në mënyrë harmonike efektivitetin prodhues dhe solidaritetin. Në përgjithësi ato krijohen mbi bazën e një pakti ortakësor dhe janë shprehje e një tensioni të përbashkët ideal të subjekteve që lirisht vendosin të bëjnë pjesë në të. Shteti është i thirrur që të respektojë natyrën e këtyre organizatave dhe të vlerësojë karakteristikat e tyre, duke e vënë konkretisht në zbatim parimin e subsidiaritetit, që kërkon me ngulm pikërisht respektimin dhe nxitjen e dinjitetit dhe të përgjegjësisë autonome të subjektit “të ndihmuar”.

    d) Kursimi dhe konsumi

    358 Konsumatorët, që në shumë raste kanë hapësira të gjera të fuqisë së blerjes, mjaft larg pragut të subsidiaritetit, mund të ndikojnë dukshëm në realitetin ekonomik me zgjedhjet e tyre të lira mes konsumit dhe kursimit. Mundësia për të ndikuar në zgjedhjet e sistemit ekonomik, në fakt, është në duart e atij që duhet të vendosë për adresimin e burimeve të veta financiare. Sot më shumë se në të kaluarën është e mundur të vlerësohen alternativat jo vetëm në bazë të rendimentit të parashikuar apo të shkallës së tyre të rrezikut, por edhe duke shprehur një gjykim vlerësimi për projektet e investimeve që burimet do të financojnë, me vetëdijen se “zgjedhja e investimit në një vend dhe jo në një tjetër, në një sektor prodhues dhe jo në një tjetër, është gjithmonë një zgjedhje morale dhe kulturore”.744

    359 Përdorimi i fuqisë vetjake të blerjes ushtrohet në kontekstin e kërkesave morale të drejtësisë, të solidaritetit dhe të përgjegjësive të caktuara shoqërore: nuk duhet ta harrojmë «detyrën e bamirësisë, domethënë detyrën për të ndihmuar me “tepricën” vetjake dhe, nganjëherë edhe me të “nevojshmen” vetjake, për t’i dhënë të varfrit atë që është e domosdoshme për jetesën e tij».745 Kjo përgjegjësi u jep mundësinë konsumatorëve për të drejtuar, falë qarkullimit më të madh të informacionit, sjelljen e prodhuesve, nëpërmjet vendimeve individuale apo kolektive që të parapëlqejnë prodhimet e disa sipërmarrjeve më shumë se të disa të tjerave, duke pasur parasysh jo vetëm çmimet dhe cilësinë e prodhimeve, por edhe ekzistencën e kushteve të rregullta të punës në sipërmarrje, si edhe shkallën e mbrojtjes së siguruar për mjedisin natyror që e rrethon.

    360 Dukuria e konsumizmit ruan një orientim këmbëngulës drejt “të pasurit”, sesa “të qenët”. Ai ndalon “dallimin pa gabime të formave të reja dhe më të spikatura të plotësimit të nevojave njerëzore nga futja e nevojave të reja, që pengojnë formimin e një personaliteti të pjekur”.746 Për ta kundërshtuar këtë dukurie është e nevojshme që t’i futemi punës për të krijuar “stile jetese, në të cilat kërkimi i të vërtetës, i të bukurës, i të mirës dhe i bashkësisë me njerëzit e tjerë për një rritje të përbashkët të jenë elementet që përcaktojnë zgjedhjet e konsumit, të kursimit dhe të investimit”.747 Është e pamohueshme që ndikimet e kontekstit shoqëror në stilet e jetesës janë të dukshme: për këtë, sfida kulturore që konsumizmi dikton sot, duhet të trajtohet me një mprehtësi më të madhe, sidomos nëse kihen parasysh breznitë e ardhshme, të cilat rrezikojnë të jetojnë në një mjedis natyror të plaçkitur për shkak të një konsumimi të tepruar dhe të çrregullt.748

  5. #45
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-08-2013
    Postime
    559

    Për: Përmbledje e doktrinës shoqërore të Kishës Katolike.

    PJESA E DYTË



    «… doktrina shoqërore ka në vetvete vlerën e një mjeti të ungjillëzimit:

    si e tillë, ia shpall Hyjin dhe misterin e shpëtimit në Krishtin çdo njeriu

    dhe, për të njëjtën arsye, ia zbulon njeriut vetveten.

    Në këtë dritë dhe vetëm në këtë dritë, merret me gjërat e tjera:

    me të drejtat njerëzore të secilit dhe, në veçanti, me “proletariatin”,

    me familjen dhe me edukimin, me detyrat e shtetit,

    me rendin e shoqërisë kombëtare e ndërkombëtare, me jetën ekonomike,

    me kulturën, me luftën e me paqen, me respektimin e jetës

    që prej momentit të ngjizjes e deri në vdekje».

    (Centesimus annus, 54)




    KAPITULLI I SHTATË

    JETA EKONOMIKE


    V. “RISITË” NË EKONOMI

    a) Globalizimi: mundësitë dhe rreziqet

    361 Koha jonë është e shënuar nga dukuria komplekse e globalizimit ekonomiko-financiar, domethënë një proces integrimi në rritje i ekonomisë kombëtare, në planin e tregut të të mirave e të shërbimeve dhe të transaksioneve36* financiare, në të cilin një numër gjithnjë e më i madh operatorësh marrin parasysh një horizont global për zgjedhjet që duhet të bëjnë në funksion të mundësive të rritjes dhe të përfitimit. Horizonti i ri i shoqërisë globale nuk jepet thjesht nga prania e lidhjeve ekonomike dhe financiare mes aktorëve kombëtarë veprues në Vende të ndryshme, që nga ana tjetër kanë ekzistuar gjithmonë, sesa nga përhapja pushtuese dhe natyra absolutisht krejt e re e sistemit të marrëdhënieve që po zhvillohet. Gjithnjë e më vendimtar dhe qendror bëhet roli i tregjeve financiare, përmasat e të cilëve, në vijim të liberalizimit të shkëmbimeve dhe të qarkullimit të kapitaleve, janë shtuar me një shpejtësi marramendëse, deri në atë pikë sa u mundësojnë operatorëve të zhvendosin “në kohë reale”, nga njëra anë në anën tjetër të globit, kapitale me sasi të mëdha. Bëhet fjalë për një realitet shumëformësh dhe jo të thjeshtë për t’u deshifruar, për sa shpalos në nivele të ndryshme dhe zhvillohet vazhdimisht, përgjatë trajektoreve të vështira për t’u parashikuar.

    362 Globalizimi ushqen shpresa të reja, por krijon edhe pikëpyetje shqetësuese.749

    Ai mund të prodhojë efekte potencialisht të mira për krejt njerëzimin: duke u gërshetuar me zhvillimin e vrullshëm të telekomunikacionit, ecja e rritjes së sistemit të marrëdhënieve ekonomike e financiare ka mundësuar njëkohësisht një ulje të dukshme të kostove të komunikimit dhe të teknologjive të reja, si edhe një përshpejtim të proceseve të shtrirjes në shkallë planetare të shkëmbimeve tregtare dhe të tranzacioneve financiare. Me fjalë të tjera, ka ndodhur që të dyja dukuritë, globalizimi ekonomiko-financiar dhe përparimi teknologjik, janë përforcuar në mënyrë të ndërsjellë, duke e bërë tejet të shpejtë dinamikën e përgjithshme të fazës së sotme ekonomike.

    Duke analizuar kontekstin e sotëm, përveç dallimit të mundësive që përfshihen në erën e ekonomisë globale, kuptohen edhe rreziqet e lidhura me përmasat e reja të marrëdhënieve tregtare dhe financiare. Nuk mungojnë, në fakt, tregues spikatës të një prirje të shtimit të pabarazive, si mes Vendeve të përparuara dhe Vendeve në zhvillim, ashtu edhe brenda vetë Vendeve të industrializuara. Pasuria ekonomike në rritje, e mundësuar nga proceset e përshkruara, shoqërohet me një rritje të varfërisë relative.

    363 Përkujdesja ndaj të mirës së përbashkët dikton dallimin e rasteve të reja të rishpërndarjes së pasurive mes zonave të ndryshme të planetit, në dobi të atyre më të pafavorizuara dhe deri tani të mbetura jashtë apo të lëna mënjanë përparimit shoqëror dhe ekonomik.750 “Sfida pra, është ajo e sigurimit të një globalizimi në solidaritet, një globalizim pa lënie mënjanë”.751 Vetë përparimi teknologjik rrezikon të ndajë padrejtësisht efektet e veta pozitive mes Vendeve të ndryshme. Risitë, në fakt, mund të depërtojnë dhe të përhapen brenda një kolektiviteti të përcaktuar, nëse potencialet e tyre përfituese arrijnë një prag minimal të njohurive dhe të burimeve financiare: është e dukshme që, në prani të pabarazive të forta mes Vendeve për mundësinë që kanë në përdorimin e njohurive tekniko-shkencore dhe të prodhimeve më të fundit teknologjike, procesi i globalizimit zmadhon, në vend që të zvogëlojë, pabarazitë mes Vendeve, në terma zhvillimi ekonomik dhe shoqëror. Për shkak të natyrës së dinamikave që po zhvillohen, qarkullimi i lirë i kapitaleve nuk është në vetvete i mjaftueshëm për të favorizuar afrimin e Vendeve në rrugën e zhvillimit me Vendet më të përparuara.

    364 Tregtia paraqet një përbërës themelor në marrëdhëniet ekonomike ndërkombëtare, duke ndihmuar në mënyrë përcaktuese në specializimin prodhues dhe në rritjen ekonomike të Vendeve të ndryshme. Sot më shumë se kurrë tregtia ndërkombëtare, nëse orientohet si duhet, nxit zhvillimin dhe është e aftë të krijojë vende të reja pune dhe të pajisë me burime të nevojshme. Doktrina shoqërore më shumë se një herë ka vënë në dukje shtrembërimet e sistemit tregtar ndërkombëtar752 që shpesh, për shkak të politikave që mbrojnë prodhimet vendase, diskriminon prodhimet që vijnë nga Vendet e varfra dhe pengon rritjen e veprimtarisë industriale e transferimin e teknologjive drejt këtyre Vendeve.753 Përkeqësimi i vazhdueshëm në terma shkëmbimi të lëndës së parë dhe rëndimi i hendekut mes Vendeve të pasura dhe të varfra e ka shtyrë Magjisterin që ta tërheqë vëmendjen mbi rëndësinë e kritereve etike që do të duhej të orientonin marrëdhëniet ekonomike ndërkombëtare: arritjen e të mirës së përbashkët dhe adresimin universal të të mirave; barazinë në marrëdhëniet tregtare; vëmendjen ndaj të drejtave dhe nevojave të më të varfërve në politikat tregtare dhe të bashkëpunimit ndërkombëtar. Përndryshe, “të varfrit mbesin gjithmonë të varfër, ndërsa të pasurit bëhen gjithnjë e më të pasur”.754

    365 Një solidaritet i përshtatshëm për erën e globalizimit kërkon mbrojtjen e të drejtave njerëzore. Në lidhje me këtë Magjisteri sinjalizon që jo vetëm “perspektiva… e një autoriteti publik ndërkombëtar në shërbim të të drejtave njerëzore, të lirisë dhe të paqes, nuk është realizuar krejtësisht, por duhet të regjistrohet, për fat të keq, hezitimi jo i rrallë i bashkësisë ndërkombëtare në detyrën për të respektuar dhe për të vënë në jetë të drejtat njerëzore. Kjo detyrë prek të gjitha të drejtat themelore dhe nuk mundëson zgjedhje arbitrare, që do të çonin në krijimin e formave diskriminuese dhe të padrejta. Në të njëjtën kohë, jemi dëshmitarë të përhapjes dhe të rrënjosjes së një gërshëre shqetësuese mes një serie “të drejtash” të reja të nxitura në shoqëritë teknologjikisht të përparuara dhe të drejtave elementare (bazë) njerëzore, që edhe sot nuk plotësohen sidomos në situata nënzhvillimi: mendoj, për shembull, për të drejtën për bukë, për ujë të pijshëm, për vetë-vendosje dhe pavarësi”.755

    366 Shtrirja e globalizimit duhet të shoqërohet me një vetëdijësim më të pjekur, nga ana e organizatave të shoqërisë civile, për detyrat e reja për të cilat ato janë të thirrura në nivel botëror. Edhe falë një veprimi të mprehtë nga ana e këtyre organizatave, do të jetë e mundur që, procesi i sotëm i rritjes ekonomike dhe i financës të vihet, në shkallë planetare, në një horizont që garanton një respektim real të të drejtave të njeriut dhe të popujve, si edhe një shpërndarje të drejtë të burimeve, brenda çdo Vendi dhe mes Vendeve të ndryshme: “Liria e shkëmbimeve nuk është e drejtë nëse nuk varet prej kërkesave të drejtësisë shoqërore”.756

    Një vëmendje e veçantë i drejtohet specifikës lokale dhe ndryshimit kulturor, që rrezikojnë të humbin vlerën e tyre prej proceseve ekonomiko--financiare që po zhvillohen: “Globalizimi nuk duhet të jetë një lloj i ri kolonializmi. Ai duhet të respektojë ndryshimet kulturore që, në rrethin e harmonisë universale të popujve, janë çelësi interpretues i jetës. Në veçanti, nuk duhet t’i privojë të varfrit prej asaj që kanë më të çmuar, përfshirë besimet dhe praktikat fetare, pasi bindjet autentike fetare janë shfaqja më e qartë e lirisë njerëzore”.757

    367 Në epokën e globalizimit duhet të theksohet me forcë solidariteti mes breznive: “Në të kaluarën solidariteti mes breznive në shumë Vende ishte një qëndrim natyror i familjes; sot është bërë edhe një detyrë e bashkësisë”.758 Është mirë që ky solidaritet të vazhdohet të ndiqet nga bashkësitë politike kombëtare, por sot problemi shtrohet edhe për bashkësinë globale politike, me qëllim që përbotëzimi të mos realizohet në dëm të më nevojtarëve dhe të më të dobëtve. Solidariteti mes breznive kërkon që në planifikimin global të veprohet sipas parimit të adresimit universal të të mirave, që e bën moralisht të paligjshëm dhe ekonomikisht kundërprodhues shkarkimin e kostove aktuale mbi brezat e ardhshëm: moralisht të paligjshëm, sepse do të thotë që të mos marrë përsipër përgjegjësitë e duhura, ekonomikisht kundërprodhues, sepse korrigjimi i dëmeve është më i madh se parandalimi i tyre. Ky parim duhet të zbatohet sidomos edhe pse jo vetëm në fushën e burimeve të tokës dhe të mbrojtjes së krijimit, i bërë veçanërisht delikat nga globalizimi, i cili ka të bëjë me krejt planetin, të kuptuar si një ekosistem të vetëm.759

    b) Sistemi financiar ndërkombëtar

    368 Tregjet financiare nuk janë sigurisht një risi e epokës sonë: qysh prej shumë kohësh, në forma të ndryshme, ata kanë marrë përsipër që t’u përgjigjen kërkesave të veprimtarive financiare prodhuese. Përvoja historike vërteton se, në mungesë të sistemeve financiare të përshtatshme, nuk do të kishte ndodhur një rritje ekonomike. Investimet në shkallë të gjerë, tipike për ekonomitë moderne të tregut, nuk do të kishin qenë të mundura pa rolin themelor të ndërmjetësimit të bërë nga tregjet financiare, që kanë mundësuar, mes të tjerave, vlerësimin e funksioneve pozitive të kursimit për zhvillimin e përgjithshëm të sistemit ekonomik dhe shoqëror. Nëse krijimi i asaj që është përcaktuar si “tregu global i kapitalit” ka prodhuar efekte përfituese, falë faktit se lëvizshmëria më e madhe e kapitaleve u ka mundësuar veprimtarive prodhuese të kenë një mundësi më të madhe dhe më të lehtë për t’i përdorur burimet, lëvizshmëria në rritje, nga ana tjetër, ka shtuar edhe rrezikun e krizave financiare. Zhvillimi i financës, marrëveshjet e së cilës na kanë kaluar tepër, në vëllim, atyre realeve, rrezikon të ndjekë një logjikë gjithnjë e më vetëreferuese, pa pasur lidhje me bazën reale të ekonomisë.

    369 Një ekonomi që ka për qëllim vetveten është e caktuar të kundërshtojë qëllimet e veta, pasi privohet nga rrënjët e veta dhe nga arsyeja për të cilën ajo ekziston, domethënë nga roli i saj zanafillor dhe thelbësor në shërbim të ekonomisë reale dhe, si përfundim, në zhvillimin e personave dhe të bashkësive njerëzore. Kuadri i përgjithshëm rezulton ende shumë shqetësues në dritën e përvijimit tepër asimetrik që shënon sistemin financiar ndërkombëtar: proceset e risive dhe të çrregullimit të tregjeve financiare priren në fakt, të konsolidohen vetëm në disa pjesë të globit. Kjo është burim shqetësimesh të rënda me natyrë etike, pasi Vendet e përjashtuara nga procesi i mësipërm, edhe pse nuk gëzojnë të mira nga këto prodhime, nuk janë megjithatë të mbrojtura nga rrjedhojat e mundshme negative të paqëndrueshmërisë financiare mbi sistemet e tyre ekonomike reale, sidomos nëse janë të dobëta dhe të zhvilluara me vonesë.760

    Përshpejtimi i papritur i proceseve si p.sh. shtimi i stërmadh në vlerën e portofoleve të administruara nga institucionet financiare dhe shtimi i shpejtë i mjeteve të reja e të sofistikuara financiare e bën më shumë se kurrë të ngutshme gjetjen e zgjidhjeve institucionale të afta për të favorizuar me efektshmëri qëndrueshmërinë e sistemit, pa ulur potencialet dhe efektivitetin. Është e domosdoshme të fusim një kuadër normativ që mundëson mbrojtjen e kësaj qëndrueshmërie në të gjitha nyjet e saj komplekse, që nxit konkurrencën mes ndërmjetësuesve dhe që siguron transparencën maksimale në dobi të investuesve.

    c) Roli i bashkësisë ndërkombëtare në epokën e ekonomisë globale

    370 Humbja e qendërsisë nga ana e aktorëve shtetërorë duhet të përkojë me një angazhim më të madh të bashkësisë ndërkombëtare në ushtrimin e një roli të qartë me drejtim ekonomik dhe financiar. Një rrjedhim i rëndësishëm i procesit të globalizimit, në fakt, ka të bëjë me humbjen graduale të efektshmërisë së Shtetit kombëtar në drejtimin e dinamikave ekonomiko-financiare kombëtare. Qeveritë e çdo Vendi e shohin veprimin e tyre në fushën ekonomike dhe shoqërore gjithmonë e më shumë të kushtëzuar nga pritjet e tregut ndërkombëtar të kapitalit dhe nga kërkesat gjithnjë e më të forta të besueshmërisë që vijnë nga bota financiare. Për shkak të lidhjeve të reja mes operatorëve globalë, masat tradicionale mbrojtëse të Shtetit duket se janë të dënuara të dështojnë dhe, përballë zonave të reja të konkurrencës, kalon në plan të dytë vetë nocioni i tregut kombëtar.

    371 Sa më shumë që sistemi ekonomiko-financiar botëror arrin nivele të larta kompleksiteti organizativ dhe funksional, aq më shumë shihet si parësore detyra për t’i rregulluar këto procese, duke i caktuar për arritjen e të mirës së përbashkët të familjes njerëzore. Del konkretisht kërkesa që, përveç Shteteve kombëtare, të jetë vetë bashkësia ndërkombëtare që merr përsipër këtë funksion delikat, me mjete politike dhe juridike të përshtatshme dhe të efektshme.

    Pra, është e domosdoshme që institucionet ekonomike dhe financiare ndërkombëtare të dinë të gjejnë zgjidhjet institucionale më të përshtatshme dhe të përpunojnë strategjitë më të duhura të veprimit, me qëllim që të orientojnë një ndryshim që, po të pësohej pasivisht dhe nëse askush të mos interesohej për të, do të shkaktonte rezultate dramatike sidomos në dëm të shtresave më të dobëta dhe të pambrojtura të popullatës botërore.

    Në Organizmat ndërkombëtarë duhet të paraqiten në mënyrë të barabartë interesat e familjes së madhe njerëzore; është e nevojshme që këto institucione, “në vlerësimin e rrjedhojave të vendimeve të tyre, duhet t’i mbajnë gjithmonë parasysh siç duhet ata popuj dhe Vende që kanë një peshë të vogël në tregun ndërkombëtar, por që kanë nevoja më të ngutshme dhe më të dhimbshme, si dhe që kanë nevojë për një mbështetje më të madhe për zhvillimin e tyre”.761

    372 Edhe politika, njëlloj si ekonomia, duhet të dijë ta shtrijë rrezen e vet të veprimit përtej kufijve kombëtarë, duke arritur me të shpejtë atë përmasë vepruese botërore që mund të mundësojë drejtimin e proceseve në veprim kah drita e parametrave jo vetëm ekonomikë, por edhe moralë. Objektivi bazë do të jetë ai i drejtimit të këtyre proceseve duke siguruar respektimin e dinjitetit të njeriut dhe zhvillimin e krejt personalitetit të tij, në horizontin e të mirës së përbashkët.762 Marrja përsipër e kësaj detyre bashkëmbart përgjegjësinë e përshpejtimit të konsolidimit të institucioneve ekzistuese dhe krijimin e organeve të reja, të cilave duhet t’u besohen këto përgjegjësi.763 Zhvillimi ekonomik, në fakt, mund të jetë i qëndrueshëm nëse shtrihet brenda një kuadri të qartë dhe të përcaktuar normash dhe në një projekt të gjerë të rritjes morale, civile dhe kulturore, brenda familjes njerëzore.

    d) Një zhvillim i tërësishëm dhe solidar

    373 Njëra prej detyrave themelore e aktorëve të ekonomisë ndërkombëtare është arritja e një zhvillimi tërësor dhe solidar për njerëzimin, me një fjalë, “nxitja e çdo njeriu dhe e të gjithë njerëzve”.764 Kjo detyrë kërkon një konceptim të ekonomisë që garanton, në nivel ndërkombëtar, shpërndarjen e barabartë të burimeve dhe i përgjigjet vetëdijes së ndërvarësisë ekonomike, politike dhe kulturore që bashkon tashmë përfundimisht popujt mes tyre dhe i bën të ndihen të lidhur rreth një fati të vetëm.765 Problemet shoqërore marrin gjithnjë e më shumë një përmasë planetare. Asnjë Shtet nuk mund t’i bëjë ballë dhe t’i zgjidhë më i vetëm ato. Brezat e sotëm prekin me dorë nevojën për solidaritet dhe vënë re konkretisht nevojën për të kapërcyer kulturën individualiste.766 Regjistrohet gjithnjë e më shpesh kërkesa e modeleve të zhvillimit që nuk parashikon vetëm “t’i ngrejë të gjithë popujt në nivelin që sot gëzojnë Popujt më të pasur, por të ndërtojë me punën solidare një jetë më të denjë, të bëjë që të rritet efektivisht dinjiteti dhe krijimtaria e çdo personi të veçantë, aftësia e tij për t’iu përgjigjur thirrjes së vet dhe, pra, thirrjes së Hyjit, që përmbahet në të”.767

    374 Një zhvillim më njerëzor dhe solidar do t’i ndihmojë edhe vetë Vendet e pasura. Ato “vënë re një lloj përhumbjeje ekzistenciale, një paaftësi për ta jetuar dhe për ta shijuar si duhet domethënien e jetës, edhe në mes të bollëkut të të mirave materiale, një tjetërsim dhe një humbje të njerëzisë në shumë persona, që ndihen të vënë në një nivel me rolin e ingranazheve të mekanizmit të prodhimit e të konsumit dhe nuk gjejnë mënyrën për ta pohuar dinjitetin e tyre si njerëz, të bërë në shëmbëlltyrë dhe në përngjasim të Hyjit”.768 Vendet e pasura kanë treguar se kanë aftësinë për të krijuar mirëqenie materiale, por shpesh në dëm të njeriut dhe të shtresave shoqërore më të dobëta: “Nuk mund të shpërfillet që kufijtë e pasurisë dhe të varfërisë përshkojnë nga brenda, si shoqëritë e zhvilluara, ashtu edhe shoqëritë jo të zhvilluara. Në fakt, ashtu siç ekzistojnë pabarazi shoqërore deri në nivelin e mjerimit në Vendet e pasura, po ashtu, në mënyrë paralele, në Vendet më pak të zhvilluara shihen jo rrallë shprehje të egoizmit dhe të mburrjes për pasurinë e zotëruar, sa tronditëse aq edhe shkandulluese”.769

    e) Nevoja e një vepre të madhe edukative dhe kulturore

    375 Për doktrinën shoqërore, ekonomia “është vetëm një aspekt dhe një përmasë e veprimtarisë së shumëllojshme njerëzore. Nëse ajo absolutizohet, nëse prodhimi dhe konsumi i mallrave zë qendrën e jetës shoqërore dhe bëhet vlera e vetme e shoqërisë, që nuk varet nga asgjë tjetër, shkaku duhet të kërkohet jo vetëm dhe jo aq në vetë sistemin ekonomik, por në faktin se krejt sistemi socio- ekono-mik, duke shpërfillur përmasën etike dhe fetare, është dobësuar dhe tashmë kufizohet vetëm në prodhimin e të mirave dhe të shërbimeve”.770 Jeta e njeriut, njëlloj me jetën shoqërore të kolektivitetit, nuk mund të ulet në nivelin e një përmase materialistike, edhe nëse të mirat materiale janë tejet të nevojshme si për qëllimin thjesht të mbijetesës, ashtu edhe për përmirësimin e nivelit të jetesës: “në bazë të çdo zhvillimi të plotë të shoqërisë njerëzore qëndron rritja e ndjenjës së Hyjit dhe e njohjes së vetvetes”.771

    376 Përballë ecjes hijerëndë e të shpejtë të përparimit tekniko-ekonomik dhe të ndryshueshmërisë, po aq të shpejtë të procesit të prodhimit dhe të konsumit, Magjisteri ndien nevojën që të propozojë një vepër të madhe edukative dhe kulturore: “kërkesa për një ekzistencë cilësisht më kënaqëse dhe më të pasur është në vetvete një gjë e ligjshme; por nuk mund të mos theksohen përgjegjësitë e reja dhe rreziqet që lidhen me këtë fazë historike… Duke dalluar nevojat dhe mënyrat e reja të plotësimit të tyre, është e nevojshme ta lëmë veten që të drejtohemi prej një imazhi tërësor të njeriut, i cili respekton të gjitha përmasat e qenies së tij dhe kërkesat materiale e instinktive t’i vërë në varësi të kërkesave të brendshme e shpirtërore… Për këtë, është e nevojshme dhe e ngutshme një vepër e madhe edukative dhe kulturore, e cila të përfshijë edukimin e konsumatorëve për një përdorim të përgjegjshëm të fuqisë së tyre të zgjedhjes, formimin e një ndjenje të lartë përgjegjësie tek prodhuesit dhe, sidomos, tek profesionistët e komun
    i[/COLOR]kimit në masë, përveç ndërhyrjes së nevojshme të Autoriteteve publike”.772
    Ndryshuar për herë të fundit nga ribaldi : 06-02-2016 më 04:08

  6. #46
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-08-2013
    Postime
    559

    Për: Përmbledje e doktrinës shoqërore të Kishës Katolike.

    KAPITULLI I TETË

    BASHKËSIA POLITIKE



    I. ASPEKTE BIBLIKE


    a) Zotërimi i Hyjit

    377 Populli i Izraelit, në fazën fillestare të historisë së vet, nuk ka mbret, si popujt e tjerë, pasi njeh vetëm zotërimin e Jahvesë. Është Hyji që ndërhyn në histori nëpërmjet njerëzve karizmatikë, siç dëshmon Libri i Gjyqtarëve. Të fundit, Samuelit, profet dhe gjyqtar, populli do t’i kërkojë një mbret (krh. 1 Sam 8, 5; 10, 18-19). Samueli paralajmëron izraelitasit për rrjedhojat e një ushtrimi despotik të mbretërimit (krh. 1 Sam 8, 11-18); pushteti mbretëror, megjithatë, mund të jetohet edhe si një dhuratë e Jahvesë, që i vjen në ndihmë popullit të Vet (krh. 1 Sam 9, 16). Në fund, Sauli do të marrë lyerjen mbretërore (krh. 1 Sam 10, 1-2). Ndodhia vë në dukje tensionet që e çuan Izraelin në një konceptim të mbretërimit të ndryshëm nga ai i popujve përreth: mbreti, i zgjedhur nga Jahve (krh. Lp 17, 15; 1 Sam 9, 16) dhe prej Tij i shuguruar (krh. 1 Sam 16, 12-13), do të shihet si biri i Tij (krh. Ps 2, 7) dhe këtij të fundit do t’i duhet ta bëjë të dukshëm zotërimin dhe planin e shpëtimit (krh. Ps 72). Pra, duhet të bëhet mbrojtësi i të dobëtve dhe t’i sigurojë popullit drejtësinë: denoncimet e profetëve do t’i drejtohen pikërisht mospërmbushjes së detyrave nga ana e mbretërve (krh. 1 Mbr 21; Is 10, 1-4; Am 2, 6-8; 8, 4-8; Mik 3, 1-4).

    378 Prototipi i mbretit të zgjedhur nga Jahve është Davidi, për të cilin tregimi biblik thekson me kënaqësi gjendjen e tij të përvuajtë (krh. 1 Sam 16, 1-13). Davidi është ruajtësi i premtimit (krh. 2 Sam 7, 13-16; Ps 89, 2-38; 132, 11-18), që e bën atë nismëtar të një tradite të veçantë mbretërore, traditën “mesianike”. Ajo, me gjithë mëkatet dhe pabesnikëritë e Davidit dhe të pasardhësve të tij, kulmon në Jezu Krishtin, “të lyerin e Jahvesë” (domethënë “të shuguruarin e Zotit”: krh. 1 Sam 2, 35; 24, 7.11; 26, 9.16; krh. edhe Dal 30, 22-32) në shkallën më të lartë, bir i Davidit (krh. dy gjenealogjitë tek Mt 1, 1-17 dhe Lk 3, 23-38; krh. edhe Rom 1, 3).

    Dështimi i mbretërimit në planin historik nuk do të çojë në zhdukjen e idealit të një mbreti që, duke i qëndruar besnik Jahvesë, të qeverisë me urtësi dhe të veprojë me drejtësi. Kjo shpresë shfaqet shumë herë në Psalme (krh. Ps 2; 20; 21; 72). Në profecitë mesianike është pritur, për kohën eskatologjike, figura e një mbreti në të cilin banon Shpirti i Zotit, plot me urti e dituri dhe në gjendje që t’u japë të drejtën të varfërve (krh. Is 11, 2-5; Jer 23, 5-6). Bari i vërtetë i popullit të Izraelit (krh. Ez 34, 23-24; 37, 24), ai do t’u sjellë paqen njerëzve (krh. Zak 9, 9-10). Në letërsinë e librave që në Bibël paraqesin urtinë e popullit hebre, mbreti paraqitet si ai që jep gjykime të drejta dhe që e urren papastërtinë (krh. Fu 16, 12), që i gjykon të varfrit me drejtësi (krh. Fu 29, 14) dhe që është mik i njeriut me zemër të pastër (krh. Fu 22, 11). Bëhet gjithnjë e më eksplicite kumtimi i asaj që Ungjijtë dhe tekstet e tjera të Besëlidhjes së Re e shohin të realizuar në Jezu Krishtin, mishërimi përfundimtar i figurës së mbretit të përshkruar nga Besëlidhja e Vjetër.

    b) Jezusi dhe autoriteti politik

    379 Jezusi nuk e pranon pushtetin shtypës dhe despotik të krerëve të Kombeve (krh. Mk 10, 42) dhe pretendimin e tyre që të quhen bamirës (krh. Lk 22, 25), por nuk u kundërvihet kurrë drejtpërsëdrejti autoriteteve të kohës së Vet. Në diskutimin për tatimin që duhet t’i jepet Cezarit (krh. Mk 12, 13-17; Mt 22, 15-22; Lk 20, 20-26), Ai pohon se duhet t’i japim Hyjit atë që është e Hyjit, duke dënuar në mënyrë implicite çdo përpjekje për të hyjnizuar dhe absolutizuar pushtetin tokësor: vetëm Hyji mund të kërkojë gjithçka nga njeriu. Në të njëjtën kohë, pushteti tokësor ka të drejtë për atë që i takon: Jezusi nuk e quan të padrejtë tatimin që duhet t’i jepet Cezarit.

    Jezusi, Mesia i premtuar, ka luftuar dhe ka ngadhënjyer mbi tundimin e një mesianizmi politik, të karakterizuar nga zotërimi i Kombeve (krh. Mt 4, 8-11; Lk 4, 5-8). Ai është Biri i njeriut që ka ardhur “të shërbejë e të japë jetën e Vet” (Mk 10, 45; krh. Mt 20, 24-28; Lk 22, 24-27). Nxënësve të Vet që bisedojnë se kush është më i madhi, Zoti u mëson të bëhen të përvuajtë dhe t’u shërbejnë të gjithëve (krh. Mk 9, 33-35), duke u treguar bijve të Zebedeut, Jakobit dhe Gjonit, që lakmojnë të ulen në të djathtën e Tij, udhën e kryqit (krh. Mk 10, 35-40; Mt 20, 20-23).

    c) Bashkësitë e para të krishtera

    380 Nënshtrimi, jo pasiv, por për arsye të ndërgjegjes (krh. Rom 13, 5), ndaj pushtetit në fuqi i përgjigjet rendit të caktuar prej Hyjit. Shën Pali flet dhe përcakton marrëdhëniet dhe detyrat e të krishterëve ndaj autoriteteve (krh. Rom 13, 1-7). Ai ngul këmbë për detyrën civile të pagimit të tatimit: “Jepni gjithkujt çka i përket: tatimtarit tatimin, doganierit doganën, atij që është për t’u druajtur drojën, atij që është për nderim nderimin” (Rom 13, 7). Apostulli sigurisht nuk dëshiron të përligjë çdo pushtet, por t’i ndihmojë të krishterët për të pasur kujdes që ta bëjnë të mirën para të gjithë njerëzve (krh. Rom 12, 17), edhe në lidhje me autoritetin, pasi ai është në shërbim të Hyjit për të mirën e personit (krh. Rom, 13, 4; 1 Tim 2, 1-2; Tit 3, 1) dhe “shfren hidhërimin e Hyjit në atë që bën të keqen” (Rom 13, 4).

    Shën Pjetri kështu i fton të krishterët: “nënshtrohuni çdo pushteti njerëzor për arsye të Zotit” (1 Pjt 2, 13). Mbreti dhe qeveritarët kanë detyrën “për të ndëshkuar bakëqijtë e për të lavdëruar ata që bëjnë mirë” (1 Pjt 2, 14). Autoriteti i tyre duhet të “nderohet” (krh. 1 Pjt 2, 17), domethënë të njihet, pasi Hyji kërkon një sjellje të drejtë, që t’ia mbyllë “gojën padijes së njerëzve të pamendë” (1 Pjt 2, 15). Liria nuk mund të përdoret për të mbuluar dashakeqësinë e tyre, por për t’i shërbyer Hyjit (krh. po aty). Bëhet fjalë atëherë për një dëgjesë të lirë dhe përgjegjëse ndaj një autoriteti që respekton drejtësinë, duke siguruar të mirën e përbashkët.

    381 Lutja për qeveritarët, e porositur nga shën Pali gjatë përndjekjeve, tregon në mënyrë eksplicite atë që autoriteti politik duhet të garantojë: një jetë të qetë dhe të paqtë, për ta jetuar atë me dhembshuri dhe dinjitet të plotë (krh. 1 Tim 2, 1-2). Të krishterët duhet “të jenë të gatshëm për të kryer çdo vepër të mirë” (Tit 3, 1), “duke treguar butësi të vazhdueshme kundrejt të gjithë njerëzve” (Tit 3, 2), të vetëdijshëm se janë shpëtuar jo prej veprave të tyre, por prej mëshirës së Hyjit. Pa “një larje të rilindjes dhe të ripërtëritjes që jep Shpirti Shenjt, të cilin me begati e ndikoi në ne nëpër Jezu Krishtin, Shëlbuesin tonë” (Tit 3, 5-6), të gjithë njerëzit janë “të pamendë, të padëgjueshëm; (endeshim) larg së vërtetës, robër të dëshirave dhe të prirjeve të ndryshme; (kemi jetuar), në të këqija dhe në smirë, të denjë për të qenë të përbuzur, (kemi) urryer njëri-tjetrin” (Tit 3, 3). Nuk duhet të harrohet mjerimi i gjendjes njerëzore, të shënuar nga mëkati dhe të shpërblyer nga dashuria e Hyjit.

    382 Kur pushteti njerëzor del prej kufijve të rendit të dashur prej Hyjit, vetëhyjnizohet dhe kërkon nënshtrimin absolut; bëhet atëherë Bisha e Zbulesës, imazhi i pushtetit sundues përndjekës, e dehur “me gjak të shenjtërve dhe me gjak të dëshmitarëve të Jezusit” (Zb 17, 6). Bisha ka në shërbim të vet “profetin e rrejshëm” (Zb 19, 20), që i shtyn njerëzit ta adhurojnë me shenja të mrekullueshme, që joshin. Ky vegim tregon në mënyrë profetike të gjitha kurthet e përdorura nga Djalli për të qeverisur mbi njerëzit, duke futur në shpirtin e tyre gënjeshtrën. Por Krishti është Qengji Fitimtar i çdo pushteti që absolutizohet, gjatë rrjedhës së historisë njerëzore. Përballë këtij pushteti, shën Gjoni porosit rezistencën e martirëve: në këtë mënyrë besimtarët duhet të dëshmojnë se pushteti i korruptuar dhe djallëzor është mundur, pasi nuk ka më asnjë ndikim mbi ta.

    383 Kisha kumton se Krishti, ngadhënjyes mbi vdekjen, mbretëron mbi gjithësinë që Ai vetë ka shpërblyer. Mbretëria e Tij shtrihet edhe në kohën e tashme dhe do të mbarojë vetëm kur gjithçka do t’i dorëzohet Atit dhe historia njerëzore do të arrijë në plotësi me gjykimin përfundimtar (krh. 1 Kor 15, 20-28). Krishti i zbulon autoritetit njerëzor, gjithnjë të tunduar nga zotërimi, domethënien e tij autentike dhe të plotësuar nga shërbimi. Hyji është Ati i vetëm dhe Krishti i vetmi mësues për të gjithë njerëzit, që janë vëllezër. Sovraniteti i përket Hyjit. Zoti, megjithatë, “nuk ka dashur ta ruajë vetëm për vete ushtrimin e të gjitha pushteteve. Ai i jep çdo krijese funksionet që ajo është në gjendje të ushtrojë, sipas aftësive vetjake të natyrës së vet. Kjo mënyrë të qeverisuri duhet të imitohet në jetën shoqërore. Sjellja e Hyjit në qeverisjen e botës, që dëshmon një respektim shumë të thellë të lirisë njerëzore, duhet të frymëzojë urtinë e atyre që qeverisin bashkësitë njerëzore. Ata duhet të sillen si mbarështues të provanisë hyjnore”.773

    Mesazhi biblik frymëzon pareshtur mendimin e krishterë mbi pushtetin politik, duke kujtuar se ai buron nga Hyji dhe është pjesë përbërëse e rendit të krijuar prej Tij. Ky rend perceptohet nga ndërgjegjet dhe realizohet, në jetën shoqërore, përmes të vërtetës, drejtësisë, lirisë dhe solidaritetit që sjellin paqen.774

  7. #47
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-08-2013
    Postime
    559

    Për: Përmbledje e doktrinës shoqërore të Kishës Katolike.

    KAPITULLI I TETË

    BASHKËSIA POLITIKE



    II. THEMELI

    DHE QËLLIMI I BASHKËSISË POLITIKE



    a) Bashkësia politike, personi njerëzor dhe populli

    384 Personi njerëzor është themeli dhe qëllimi i bashkëjetesës politike.775 I pajisur me racionalitet, ai është përgjegjës për zgjedhjet e veta dhe është i aftë të ndjekë ato projekte që i japin domethënie jetës së tij, në nivel individual dhe shoqëror. Hapja ndaj Transhendentes dhe ndaj të tjerëve është veçoria që e karakterizon dhe e dallon atë: vetëm në lidhje me Transhendenten dhe me të tjerët, personi njerëzor arrin realizimin e plotë të vetvetes. Kjo do të thotë se, për njeriun, krijesë shoqërore dhe politike nga ana natyrore, “jeta shoqërore nuk është diçka dytësore”,776 por një përmasë thelbësore dhe e paeliminueshme.

    Bashkësia politike buron nga natyra e personave, ndërgjegjja e të cilëve “zbulon dhe urdhëron prerazi për të ndjekur”777 urdhrin e gdhendur nga Hyji në të gjitha krijesat e Veta: “një rend etiko-fetar, i cili ndikon më shumë se çdo vlerë tjetër materiale mbi drejtimet dhe zgjidhjet që duhet t’u jepen problemeve të jetës individuale dhe të shoqërisë brenda bashkësive kombëtare dhe në marrëdhëniet mes tyre”.778 Ky rend duhet të zbulohet dhe të zhvillohet gradualisht nga njerëzimi. Bashkësia politike, realitet bashkënatyror i njerëzve, ekziston për të arritur një qëllim përndryshe të paarritshëm: rritjen më të plotë të secilës prej gjymtyrëve të saja, të thirrura për të bashkëpunuar në mënyrë të qëndrueshme që të realizojnë të mirën e përbashkët,779nën shtytjen e tensionit të tyre ndaj të vërtetës dhe të mirës.

    385 Bashkësia politike gjen në referimin ndaj popullit përmasën e vet autentike: ajo “është, dhe duhet të jetë në realitet, njësia organike dhe organizuese e një populli të vërtetë”.780 Populli nuk është një turmë e patrajtë, një masë e palëvizshme që manipulohet dhe instrumentalizohet, por një tërësi personash, secili prej të cilëve “në vendin e vet dhe sipas mënyrës së vet”781 ka mundësinë që të formojë një opinion të vetin mbi gjërat publike dhe lirinë për ta shprehur ndjeshmërinë e vet politike dhe ta bëjë të vlejë në mënyrë të përshtatshme për të mirën e përbashkët. Populli “jeton nga plotësia e jetës së njerëzve që e përbëjnë, secili prej të cilëve… është një person i vetëdijshëm për përgjegjësitë dhe bindjet e veta”.782 Anëtarët e një bashkësie politike, edhe pse të bashkuar në mënyrë organike mes tyre si një popull, ruajnë, megjithatë, një autonomi të domosdoshme në nivel ekzistence personale dhe të qëllimeve që duhen ndjekur.

    386 Ajo që karakterizon së pari një popull është bashkëndarja e jetës dhe e vlerave, që është burim bashkësie në nivel shpirtëror dhe moral: “Bashkëjetesa njerëzore… duhet të konsiderohet para së gjithash si një fakt shpirtëror: si komunikim njohjesh në dritën e të vërtetës; ushtrim i të drejtave dhe përmbushje e detyrave; impuls dhe thirrje për të mirën morale; shijim i fisshëm dhe i përbashkët i të bukurës në të gjitha shprehjet e saja të ligjshme; gatishmëri e përhershme për të përçuar tek njëri-tjetri më të mirën e vetvetes; dëshirë e zjarrtë për një përvetësim të ndërsjellë dhe gjithnjë e më të pasur të vlerave shpirtërore: vlera në të cilat gjejnë gjallërimin e përhershëm dhe orientimin e tyre shoqëror, lëvizjet dhe regjimet politike, sistemet juridike dhe të gjitha elementet e tjerë të jashtëm, në të cilët nyjëzohet dhe shprehet bashkëjetesa në zhvillimin e saj të pareshtur”.783

    387 Çdo populli i përgjigjet në përgjithësi një Komb, por për arsye të ndryshme jo gjithmonë kufijtë kombëtarë përkojnë me ata etnikë.784 Lind kështu çështja e pakicave, që historikisht ka krijuar jo pak konflikte. Magjisteri pohon se pakicat përbëjnë grupe me të drejta dhe detyra specifike. Në vend të parë, një pakicë gëzon të drejtën për të ekzistuar: “Kjo e drejtë mund të mos plotësohet në mënyra të ndryshme, deri në rastet e skajshme ku ajo mohohet nëpërmjet formave të shfaqura apo jo të drejtpërdrejta të genocidit”.785 Përveç kësaj, pakicat kanë të drejtë ta ruajnë kulturën e tyre, përfshirë edhe gjuhën, si edhe bindjet e tyre fetare, përfshirë kremtimin e kultit. Në kërkimin e ligjshëm të të drejtave, pakicat mund të shtyhen që të kërkojnë një autonomi më të madhe apo madje edhe pavarësinë: në këto rrethana delikate, dialogu dhe marrëveshjet janë udha për të arritur paqen. Në çdo rast përdorimi i terrorizmit është i pajustifikueshëm dhe do të dëmtonte çështjen që dëshirohet të mbrohet. Pakicat kanë edhe detyra për të përmbushur, mes të cilave, para së gjithash, bashkëveprimin për të mirën e përbashkët të Shtetit ku ndodhen. Në veçanti, “një pakicë ka për detyrë të nxisë lirinë dhe dinjitetin e secilit prej anëtarëve të vet dhe të respektojë zgjedhjet e çdo individi të saj, edhe kur njëri prej tyre ka vendosur të kalojë në kulturën e shumicës”.786

    b) Mbrojtja dhe nxitja e të drejtave njerëzore

    388 Ta konsiderosh personin njerëzor si themel dhe qëllim të bashkësisë politike do të thotë të punosh, para së gjithash, për njohjen dhe respektimin e dinjitetit të tij nëpërmjet mbrojtjes dhe nxitjes së të drejtave themelore e të pamohueshme të njeriut: “Në epokën moderne, vënia në jetë e të mirës së përbashkët gjen specifikimin e vet bazë në të drejtat dhe detyrat e personit”.787 Në të drejtat njerëzore janë përmbledhur kërkesat kryesore morale dhe juridike që duhet të çojnë në ndërtimin e bashkësisë politike. Ato përbëjnë një normë objektive që është në themel të së drejtës pozitive dhe që nuk mund të shpërfillet nga bashkësia politike, pasi personi është ontologjikisht dhe finalistikisht më përpara: e drejta pozitive duhet të garantojë plotësimin e nevojave themelore njerëzore.

    389 Bashkësia politike e ndjek të mirën kur vepron për krijimin e një mjedisi njerëzor në të cilin shtetasve u jepet mundësia për një ushtrim real të të drejtave njerëzore dhe për një përmbushje të plotë të detyrave përkatëse: “përvoja tregon se kur mungon një veprim i përshtatshëm i pushtetit publik, mosekuilibrat ekonomikë, shoqërorë dhe kulturorë mes qenieve njerëzore priren, sidomos në epokën tonë, të shtohen; si rrjedhim, të drejtat themelore të personit rrezikojnë të mbeten pa përmbajtje e domethënie; dhe vihet në rrezik plotësimi i detyrave përkatëse”.788

    Realizimi i plotë i të mirës së përbashkët kërkon që bashkësia politike të zhvillojë, në rrethin e të drejtave njerëzore, një veprim të dyfishtë dhe përplotësues, mbrojtjeje dhe nxitjeje: “Pra, duhet të shmanget që, nëpërmjet parapëlqimit të mbrojtjes së të drejtave të disa individëve apo grupeve shoqërore, të krijohen pozita privilegji; gjithashtu duhet të shmanget që, duke pasur si qëllim nxitjen e të drejtave të lartpërmendura, të arrihet në rezultatin absurd të uljes së tepërt apo të bërjes së pamundur të ushtrimit si duhet të tyre”.789

    c) Bashkëjetesa e bazuar në miqësinë civile

    390 Domethënia e thellë e bashkëjetesës civile dhe politike nuk spikat menjëherë nga lista e të drejtave dhe e detyrave të personit. Kjo bashkëjetesë e fiton krejt domethënien e vet nëse bazohet në miqësinë civile dhe në vëllazërinë.790 Fusha e të drejtës, në fakt, është ajo e interesit të mbrojtur dhe e respektimit të jashtëm, të mbrojtjes së të mirave materiale dhe të ndarjes së tyre sipas rregullave të caktuara; fusha e miqësisë, në fakt, është ajo e mosinteresit, e shkëputjes ndaj të mirave materiale, e dhurimit të tyre, e gatishmërisë së brendshme ndaj kërkesave të tjetrit.791 Miqësia civile,792 e kuptuar në këtë mënyrë, është zbatimi më autentik i parimit të vëllazërisë, që është e pandashme nga ajo e lirisë dhe e barazisë.793 Bëhet fjalë për një parim që në pjesën më të madhe të tij ka mbetur pa u vënë në jetë në shoqëritë politike moderne dhe bashkëkohore, sidomos për shkak të ndikimit të ushtruar nga ideologjitë individualistike dhe kolektivistike.

    391 Një bashkësi është e themeluar në mënyrë të qëndrueshme kur priret ta nxisë në mënyrë tërësore personin dhe të mirën e përbashkët; në këtë rast, e drejta përcaktohet, respektohet dhe jetohet edhe sipas mënyrave të solidaritetit dhe të përkushtimit ndaj të afërmit. Drejtësia kërkon që secili të mund të gëzojë të mirat dhe të drejtat e veta dhe të mund të konsiderohet si masa minimale e dashurisë.794 Bashkëjetesa bëhet më njerëzore sa më shumë që karakterizohet nga sforcimi për një vetëdije më të pjekur të idealit ndaj së cilës ajo priret, që është “qytetërimi i Dashurisë”.795

    Njeriu është një person, jo vetëm një individ.796 Me termin “person” tregohet “një natyrë e pajisur me inteligjencë dhe vullnet të lirë”:797 është pra, një realitet shumë më i lartë se ai i një subjekti që shprehet në nevojat e prodhuara thjesht nga përmasa materiale. Personi njerëzor, në fakt, edhe pse duke marrë pjesë në mënyrë vepruese në veprën e endur për plotësimin e nevojave në gjirin e shoqërisë familjare, civile dhe politike, nuk gjen realizimin e plotë të vetvetes derisa nuk kapërcen logjikën e nevojës për t’u projektuar në atë të të qenët falas dhe të dhurimit, që në një mënyrë më të plotë i përgjigjet thelbit dhe thirrjes së tij bashkësiore.

    392 Këshilla ungjillore e dashurisë i ndriçon të krishterët për domethënien më të thellë të bashkëjetesës politike. Për ta bërë me të vërtetë njerëzore, “nuk ka asgjë më të mirë se sa favorizimi i domethënies së brendshme të drejtësisë, të mirësisë dhe të shërbimit të së mirës së përbashkët, dhe forcimi i bindjeve themelore mbi natyrën e vërtetë të bashkësisë politike dhe mbi qëllimin, ushtrimin e ligjshëm dhe kufijtë e autoritetit publik”.798 Objektivi që besimtarët duhet të caktojnë është realizimi i marrëdhënieve bashkësiore mes personave. Vizioni i krishterë i shoqërisë politike i jep rëndësinë maksimale vlerës së bashkësisë, si model organizativ i bashkëjetesës dhe si stil i jetës së përditshme.

  8. #48
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-08-2013
    Postime
    559

    Për: Përmbledje e doktrinës shoqërore të Kishës Katolike.

    KAPITULLI I TETË

    BASHKËSIA POLITIKE


    III. AUTORITETI POLITIK




    a) Themeli i autoritetit politik

    393 Kisha është ballafaquar me konceptime të ndryshme të autoritetit, duke pasur gjithmonë kujdes që të mbrojë dhe të propozojë një model të themeluar në natyrën shoqërore të personave: «Hyji, në fakt, qeniet njerëzore i ka krijuar shoqërore prej natyre; dhe meqë nuk mund të ketë “një shoqëri të qëndrueshme, nëse nuk është dikush që sundon mbi të tjerët, duke lëvizur çdonjërin me efektshmëri dhe me njësi mjetesh drejt një qëllimi të përbashkët, rrjedh që për bashkëjetesën civile është i domosdoshëm autoriteti që ta drejtojë atë; i cili, ashtu si edhe shoqëria, vjen prej natyrës, dhe për këtë ai vjen prej Hyjit”».799 Autoriteti politik është pra i nevojshëm800 për arsye të detyrave që i janë dhënë dhe duhet të jetë një përbërës pozitiv dhe i pazëvendësueshëm i bashkëjetesës civile.801

    394 Autoriteti politik duhet të garantojë jetën e rregullt dhe të ndershme të bashkësisë, pa zëvendësuar veprimtarinë e lirë të individëve dhe të grupeve, por duke e disiplinuar dhe duke e orientuar atë, në respektimin dhe mbrojtjen e pavarësisë së subjekteve individuale e shoqërore, drejt realizimit të së mirës së përbashkët. Autoriteti politik është mjeti i bashkërenditjes dhe i drejtimit nëpërmjet të cilit individët dhe trupat e ndërmjetëm duhet të orientohen drejt një rendi, marrëdhëniet, institucionet dhe procedurat e të cilit të jenë në shërbim të rritjes tërësore njerëzore. Ushtrimi i autoritetit politik, në fakt, “qoftë në bashkësi si të tillë, qoftë në organizma që përfaqësojnë shtetin, duhet të praktikohet gjithmonë brenda kufijve të rendit moral, për të arritur të mirën e përbashkët por të konceptuar në mënyrë dinamike sipas një rendi juridik ligjësisht të përcaktuar apo për t’u përcaktuar. Atëherë shtetasit janë të detyruar në ndërgjegje që të jenë të dëgjueshëm”.802

    395 Subjekti i autoritetit politik është populli, i konsideruar në tërësinë e vet si mbajtës i sovranitetit. Populli, në forma të ndryshme, ua transferon ushtrimin e sovranitetit të vet atyre që lirisht zgjedh si përfaqësues të vet, por ruan aftësinë që ta bëjë të vlejë në kontrollimin e të vepruarit të qeveritarëve dhe në zëvendësimin e tyre, kur ata nuk përmbushin në mënyrë të kënaqshme funksionet e veta. Edhe pse kjo është një e drejtë e vlefshme në çdo Shtet dhe në çdo regjim politik, sistemi i demokracisë, falë procedurave të veta të kontrollit, mundëson dhe garanton vënien më të mirë në zbatim.803 Megjithatë vetëm miratimi popullor nuk është i mjaftueshëm për t’i quajtur të drejta mënyrat e ushtrimit të autoritetit politik.

    b) Autoriteti si forcë morale

    396 Autoriteti duhet ta lërë veten që të drejtohet nga ligjet morale: krejt ky dinjitet rrjedh nga zhvillimi i tij në rrethin e rendit moral,804 “i cili i ka themelet në Hyjin, që është fillimi i parë dhe qëllimi i fundit”.805 Për shkak të referimit të nevojshëm ndaj këtij urdhri, që e paraprin dhe e themelon atë, të pikësynimeve të tij dhe të marrësve, autoriteti nuk mund të kuptohet si një forcë e përcaktuar nga kritere që kanë karakter vetëm sociologjik dhe historik: “Në disa… konceptime, për fat të keq, nuk njihet ekzistenca e rendit moral: rend transhendent, universal, absolut, i barabartë dhe i vlefshëm për të gjithë. Kështu nuk jepet mundësia për t’u takuar dhe për t’u kuptuar plotësisht dhe sigurisht në dritën e një ligji drejtësie të njëjtë, të pranuar dhe të ndjekur nga të gjithë”.806 Ky rend “nuk mbështetet veçse në Hyjin: i ndarë nga Hyji ai shpërbëhet”.807 Pikërisht prej këtij rendi autoriteti merr forcën për të detyruar808 dhe ligjshmërinë e vet morale;809 jo nga arbitrariteti apo nga vullneti i fuqisë,810 dhe duhet ta kthejë këtë rend në veprime konkrete për të arritur të mirën e përbashkët.811

    397 Autoriteti duhet t’i njohë, t’i respektojë dhe t’i nxisë vlerat thelbësore njerëzore dhe morale. Ato janë të lindura, “burojnë nga vetë e vërteta e qenies njerëzore, shprehin dhe mbrojnë dinjitetin e personit: vlera, për këtë, që asnjë individ, asnjë shumicë dhe asnjë Shtet nuk mund t’i krijojë, t’i modifikojë apo t’i shkatërrojë ndonjëherë”.812 Ato nuk gjejnë themel në “shumica” opinionesh të përkohshme dhe të ndryshueshme, por thjesht duhet të njihen, të respektohen dhe të nxiten si elemente të një ligji moral objektiv, ligj moral që është i shkruar thellë në zemrën e njeriut (krh. Rom 2, 15), dhe pikë referimi normativ për vetë ligjin civil.813 Kur, për një errësim tragjik të ndërgjegjes kolektive, skepticizmi të arrinte të vërë në dyshim edhe parimet themelore të ligjit moral,814 vetë rendi shtetëror do të tronditej në themelet e veta, duke u kthyer thjesht në një mekanizëm rregullimi pragmatik të interesave të ndryshme dhe të kundërta.815

    398 Autoriteti duhet të shpallë ligje të drejta, domethënë në përputhje me dinjitetin e personit njerëzor dhe të diktimeve të arsyes së drejtë: “Ligji njerëzor është i tillë meqë është sipas arsyes së drejtë dhe pra, rrjedh nga ligji i përjetshëm. Kur një ligj është në kontrast me arsyen, emërtohet si ligj i padrejtë; në këtë rast resht së ekzistuari si ligj dhe bëhet një akt dhune”.816 Autoriteti që komandon sipas arsyes e vë shtetasin në marrëdhënie jo aq nënshtrimi ndaj një njeriu tjetër, sa dëgjese ndaj rendit moral, dhe, pra, ndaj vetë Hyjit që është burimi i fundit.817 Ai që nuk pranon të jetë i dëgjueshëm ndaj autoritetit, i cili vepron sipas rendit moral, “i kundërshton rendit të vendosur prej Hyjit” (Rom 13, 2).818 Në mënyrë analoge autoriteti publik, që e ka themelin e vet në natyrën njerëzore dhe i përket rendit të paravendosur prej Hyjit,819 në rast se nuk punon për të realizuar të mirën e përbashkët, nuk ndjek qëllimin e vet të mirëfilltë dhe për këtë arsye shligjësohet.

    c) E drejta e kundërshtimit për arsye të ndërgjegjes

    399 Shtetasi nuk është i detyruar në ndërgjegjen e vet që t’i ndjekë parashkrimet e autoriteteve civile nëse ato janë kundër kërkesave të rendit moral, të drejtave themelore të personave apo mësimeve të Ungjillit.820 Ligjet e padrejta i vënë njerëzit moralisht të drejtë përballë problemeve dramatike të ndërgjegjes: kur ata janë të thirrur për të bashkëpunuar në veprime moralisht të këqija, kanë detyrimin që të heqin dorë prej tyre.821 Përveç faktit se është një detyrë morale, kjo heqje dorë është edhe një e drejtë njerëzore bazë që, pikërisht pse është e tillë, vetë ligji civil duhet ta njohë dhe ta mbrojë atë: “Kush ushtron kundërshtimin për arsye të ndërgjegjes duhet të mbrohet jo vetëm nga sanksionet penale, por edhe nga çfarëdo dëmi në planin ligjor, disiplinor, ekonomik dhe profesional”.822

    Është një detyrë e rëndësishme e ndërgjegjes të mos bashkëpunojë, as formalisht, me ato praktika që, edhe pse të pranuara nga ligji civil, shkojnë kundër Ligjit të Hyjit. Ky bashkëpunim, në fakt, nuk mund të justifikohet kurrë, as duke kërkuar respektimin e lirisë së të tjerëve, as duke u mbështetur në faktin se ligji civil e parashikon dhe e kërkon një gjë të tillë. Askush s’mund t’u ikë përgjegjësisë morale të akteve të bëra dhe mbi këtë përgjegjësi secili do të gjykohet nga vetë Hyji (krh. Rom 2, 6; 14, 12).

    d) E drejta për të rezistuar

    400 Të pranosh se e drejta natyrore themelon dhe e kufizon të drejtën pozitive do të thotë të pohosh se është e ligjshme t’i rezistosh autoritetit kur ai dhunon rëndë dhe shpesh parimet e të drejtës natyrore. Shën Tomë Akuini shkruan: “duhet që të jemi të dëgjueshëm… për sa e kërkon rendi i drejtësisë”.823 Themeli i të drejtës për të rezistuar është pra, një e drejtë natyrore.

    Të ndryshme mund të jenë shfaqjet konkrete që realizimi i kësaj të drejte mund të marrë. Të ndryshme mund të jenë edhe qëllimet e ndjekura. Rezistenca ndaj autoritetit ka për qëllim të ripohojë vlefshmërinë e një vizioni të ndryshëm të gjërave, si kur kërkohet të arrihet një ndryshim i pjesshëm, duke u bërë ndryshime për shembull disa ligjeve, ashtu edhe kur luftohet për një ndryshim rrënjësor të situatës.

    401 Doktrina shoqërore tregon kriteret për ushtrimin e të drejtës për të rezistuar: “Rezistenca ndaj shtypjes së pushtetit politik nuk do t’i përdorë ligjshmërisht armët, përjashto rastin kur ekzistojnë të gjitha kushtet në vijim: 1. në rast dhunimesh të pamohueshme, të rënda dhe të zgjatura të të drejtave themelore; 2. pasi të jenë provuar të gjitha rrugët e tjera; 3. pa shkaktuar çrregullime më të këqija; 4. në rast se ka një shpresë të bazuar për sukses; 5. nëse është e pamundur të mendohet se ka zgjidhje më të mira”.824 Lufta e armatosur është parë si rrugëzgjidhja e skajshme për t’i dhënë fund një “tiranie të qartë dhe të zgjatur që do të cenonte rëndë të drejtat themelore të personit dhe do të dëmtonte në mënyrë të rrezikshme të mirën e përbashkët të një vendi”.825 Rreziku i rreziqeve që përdorimi i dhunës bashkëmbart sot, bën që të parapëlqehet rruga e rezistencës pasive, që më së shumti është “në përputhje me parimin moral dhe jo më pak shpresëdhënëse për sukses”.826

    e) Dhënia e dënimeve

    402 Për të mbrojtur të mirën e përbashkët, autoriteti i ligjshëm publik ka të drejtën dhe detyrën që të parashikojë dënime sipas rëndësisë së krimeve.827 Shteti ka detyrën e dyfishtë të shtypë sjelljet cenuese të të drejtave të njeriut dhe të rregullave themelore të një bashkëjetese civile, si edhe të riparojë, nëpërmjet sistemit të dënimeve, çrregullimet e shkaktuara nga veprat kriminale. Në Shtetin e të drejtës, pushteti për të dhënë dënime u është besuar drejtësisht institucioneve të drejtësisë: “Kushtetutat e Shteteve moderne, duke përcaktuar marrëdhëniet që duhet të ekzistojnë mes pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, i garantojnë këtij të fundit pavarësinë e nevojshme në rrethin e ligjit”.828

    403 Dënimi nuk shërben vetëm për të mbrojtur rendin publik dhe për të garantuar sigurinë e personave: ai bëhet, po ashtu, një mjet për korrigjimin e fajtorit, një korrigjim që merr edhe vlerën morale të shlyerjes kur fajtori pranon vullnetarisht dënimin e vet.829 Qëllimi prej së cilës priret është i dyfishtë: nga njëra anë favorizon rifutjen e personave të dënuar në shoqëri; nga ana tjetër nxit një drejtësi pajtuese, të aftë për të rivendosur marrëdhëniet e bashkëjetesës së harmonishme të thyera nga akti kriminal.

    Për sa i përket kësaj gjëje, është e rëndësishme veprimtaria që kapelanët e burgjeve janë të thirrur të zhvillojnë, jo vetëm në profilin fetar, por edhe në mbrojtje të dinjitetit të personave të dënuar. Për fat të keq, kushtet në të cilat vuajnë dënimin nuk favorizojnë gjithmonë respektimin e dinjitetit të tyre; shpesh burgjet bëhen madje teatër krimesh të reja. Mjedisi i instituteve të dënimit ofron, megjithatë, një terren të privilegjuar në të cilin të dëshmohet, edhe një herë, përkujdesi i krishterë në fushën shoqërore: “…isha në burg e erdhët tek unë” (Mt 25, 35-36).

    404 Veprimtaria e zyrave që merren me vërtetimin e përgjegjësisë penale, që ka gjithmonë karakter personal, duhet të priret drejt kërkimit të saktë të së vërtetës dhe duhet të drejtohet kah respektimi i plotë i dinjitetit dhe i të drejtave të personit njerëzor: bëhet fjalë për sigurimin e të drejtave të fajtorit, si edhe të të pafajshmit. Gjithmonë duhet të mbahet parasysh parimi juridik i përgjithshëm, i cili thotë se nuk mund të parashikohet një dënim nëse më parë nuk është provuar krimi.

    Në kryerjen e hetimeve zbatohet me shumë kujdes rregulli që ndalon praktikën e torturës, edhe në rastet e krimeve më të rënda: “Nxënësi i Jezusit hedh tej çdo përdorim të këtyre mjeteve, që asgjë s’mund t’i justifikojë dhe ku dinjiteti i njeriut poshtërohet shumë si në atë që goditet ashtu edhe në xhelatin e tij”.830

    Mjetet juridike ndërkombëtare që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut tregojnë me të drejtë ndalimin e torturës si një parim të cilin s’mund ta përdorim në asnjë rrethanë.

    Po ashtu përjashtohet “përdorimi i një burgimi të motivuar vetëm nga tentativa për të marrë të dhëna domethënëse për procesin”.831 Po ashtu, duhet të sigurohet “përshpejtimi i plotë i proceseve: një zgjatje e tepërt e tyre bëhet e patolerueshme për shtetasit dhe kthehet në një padrejtësi të mirëfilltë”.832

    Gjykatësit janë të detyruar që të tregojnë një vetëpërmbajtje të detyrueshme gjatë zhvillimit të hetimeve të tyre për të mos cenuar të drejtën e të pandehurve, që të mos u përhapen të dhënat mbi ta, dhe për të mos dobësuar parimin e pafajësisë së hamendësuar. Meqë edhe një gjykatës mund të gabojë, është e rastit që legjislacioni të ketë një zhdëmtim të drejtë për atë që bie viktimë e një gabimi gjyqësor.

    405 Kisha e sheh si një shenjë shprese “kundërshtimin gjithnjë e më të përhapur të opinionit publik për dënimin me vdekje edhe vetëm si mjet “për mbrojtjen e ligjshme” shoqërore, duke marrë parasysh mundësitë që ka një shoqëri moderne për ta shtypur efektshmërisht krimin në mënyrë që, ndërsa e bëjnë të parrezikshëm atë që e ka bërë, nuk i heqin përfundimisht mundësinë për t’u shëlbuar”.833 Megjithëse mësimi tradicional i Kishës nuk e përjashton pasi është bërë vërtetimi i plotë i identitetit dhe i përgjegjësisë së fajtorit dënimin me vdekje “kur ai është e vetmja rrugë e praktikueshme për ta mbrojtur me efektshmëri jetën e qenieve njerëzore nga agresori i padrejtë”,834 metodat jo të përgjakshme të shtypjes dhe të ndëshkimit parapëlqehen pasi “u përgjigjen më së miri kushteve konkrete të së mirës së përbashkët dhe dinjitetit të personit njerëzor”.835 Numri në rritje i Vendeve që marrin masa paraprake për të shfuqizuar dënimin me vdekje apo për të pezulluar zbatimin e tij është edhe një provë konkrete se rastet kur është absolutisht e nevojshme të shtypet fajtori “janë tashmë shumë të rralla, madje edhe praktikisht të paekzistueshme”.836 Kundërshtimi në rritje i opinionit publik për dënimin me vdekje dhe masat e ndryshme për shfuqizimin e tij, apo më mirë për pezullimin e zbatimit të tij, përbëjnë shfaqje të dukshme të një ndjeshmërie më të madhe morale.

  9. #49
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-08-2013
    Postime
    559

    Për: Përmbledje e doktrinës shoqërore të Kishës Katolike.

    PJESA E DYTË



    «… doktrina shoqërore ka në vetvete vlerën e një mjeti të ungjillëzimit:

    si e tillë, ia shpall Hyjin dhe misterin e shpëtimit në Krishtin çdo njeriu

    dhe, për të njëjtën arsye, ia zbulon njeriut vetveten.

    Në këtë dritë dhe vetëm në këtë dritë, merret me gjërat e tjera:

    me të drejtat njerëzore të secilit dhe, në veçanti, me “proletariatin”,

    me familjen dhe me edukimin, me detyrat e shtetit,

    me rendin e shoqërisë kombëtare e ndërkombëtare, me jetën ekonomike,

    me kulturën, me luftën e me paqen, me respektimin e jetës

    që prej momentit të ngjizjes e deri në vdekje».




    KAPITULLI I TETË

    BASHKËSIA POLITIKE







    IV. SISTEMI I DEMOKRACISË

    406 Një gjykim eksplicit dhe i nyjëzuar mbi demokracinë gjendet në enciklikën “Centesimus annus”: “Kisha vlerëson sistemin e demokracisë, meqë ai siguron pjesëmarrjen e shtetasve në zgjedhjet politike dhe u garanton të qeverisurve mundësinë si për të zgjedhur dhe për të kontrolluar qeveritarët e vet, ashtu edhe për t’i ndërruar në mënyrë paqësore, aty ku është e mundur. Ajo, për këtë, nuk mund të favorizojë formimin e grupeve të ngushta drejtuesish, të cilët për interesa të posaçme apo për qëllime ideologjike ushtrojnë me pa të drejtë pushtetin e Shtetit. Një demokraci autentike është e mundur vetëm në një Shtet të së drejtës dhe mbi bazën e një konceptimi të drejtë të personit njerëzor. Ajo kërkon që të verifikohen kushtet e nevojshme për nxitjen si të çdo personi në veçanti, nëpërmjet edukimit e formimit të idealeve të vërteta, ashtu edhe “të subjektivitetit” të shoqërisë, nëpërmjet krijimit të strukturave të pjesëmarrjes dhe të bashkëpërgjegjësisë”.837

    a) Vlerat dhe demokracia

    407 Një demokraci autentike nuk është vetëm rezultati i një respektimi formal të rregullave, por është fryti i pranimit të dëgjueshëm të vlerave që frymëzojnë procedurat demokratike: dinjiteti i çdo personi njerëzor, respektimi i të drejtave të njeriut, marrja përsipër “e të mirës së përbashkët” si qëllim dhe kriter rregullues i jetës politike. Nëse nuk ka një miratim të përgjithshëm rreth këtyre vlerave, humbet domethënia e demokracisë dhe rrezikohet qëndrueshmëria e saj.

    Doktrina shoqërore dallon në relativizmin etik njërin prej rreziqeve më të mëdha për demokracitë aktuale, relativizëm ky që na bën të mendojmë se nuk ekziston një kriter objektiv dhe universal për të vendosur themelin dhe hierarkinë e drejtë të vlerave: “Sot ekziston prirja që të pohohet se agnosticizmi dhe relativizmi skeptik janë filozofia dhe qëndrimi themelor që u përgjigjen formave politike demokratike, dhe ata që janë të bindur se e njohin të vërtetën dhe i bashkëngjiten asaj me qëndrueshmëri, nuk janë të besueshëm nga pikëpamja demokratike, pasi nuk pranojnë se e vërteta përcaktohet nga shumica apo ndryshon sipas ekuilibrave të ndryshëm politikë. Për këtë, duhet të vëmë në dukje se, nëse nuk ekziston asnjë e vërtetë e fundit, e cila udhëheq dhe drejton veprimin politik, atëherë idetë dhe bindjet mund të instrumentalizohen me lehtësi për qëllime pushteti. Një demokraci pa vlera kthehet kollaj në një totalitarizëm të hapur apo mashtrues, siç tregon edhe historia”.838 Demokracia është në themel «një “sistem” dhe, si i tillë, një mjet dhe një qëllim. Karakteri i tij “moral” nuk është automatik, por varet nga përputhja me ligjin moral prej të cilit, si çdo sjellje tjetër njerëzore, duhet të varet: domethënë varet nga moraliteti i qëllimeve që do të arrijë dhe nga mjetet që do të përdorë për këtë gjë».839

    b) Institucionet dhe demokracia

    408 Magjisteri njeh vlefshmërinë e parimit që ka lidhje me ndarjen e pushteteve në një Shtet: «Është e parapëlqyeshme që çdo pushtet të drejtpeshohet nga pushtete dhe sfera të tjera kompetencash, që ta mbajnë atë brenda kufijve të vet të drejtë. Ky është parimi i “Shtetit të së drejtës” në të cilin është sovran ligji, dhe jo vullneti arbitrar i njerëzve».840

    Në sistemin demokratik, autoriteti politik është përgjegjës përpara popullit. Organizmat përfaqësues duhet t’u nënshtrohen një kontrolli real nga ana e trupit shoqëror. Ky kontroll është i mundur para së gjithash nëpërmjet zgjedhjeve të lira, që mundësojnë zgjedhjen dhe zëvendësimin e përfaqësuesve të vet. Detyrimi, nga ana e të zgjedhurve, që të japin llogari për të vepruarin e tyre, të garantuar nga respektimi i skadencave elektorale, është element përbërës i përfaqësisë demokratike.

    409 Në fushën e tyre specifike (përpunimi i ligjeve, veprimtaritë e qeverisë dhe kontrollet mbi të), të zgjedhurit duhet të angazhohen për kërkimin dhe zbatimin e asaj që mund të ndihmojë një mbarëvajtje të mirë të bashkëjetesës civile në tërësinë e vet.841 Detyrimi i qeveritarëve për t’iu përgjigjur të qeverisurve nuk bashkëpërcakton aspak që përfaqësuesit të jenë thjesht përfaqësues pasivë të të zgjedhurve. Kontrolli i ushtruar nga shtetasit, në fakt, nuk përjashton lirinë e nevojshme të cilën të zgjedhurit duhet ta gëzojnë gjatë mandatit të tyre në lidhje me objektivat që duhen arritur: këto nuk varen ekskluzivisht nga interesa palësh, por në mënyrë shumë më të madhe nga funksione përmbledhjeje dhe ndërmjetësimi për arritjen e të mirës së përbashkët, që përbën njërin prej qëllimeve thelbësore dhe prej të cilave nuk mund të hiqet dorë të autoritetit politik.

    c) Përbërësit moralë të përfaqësisë politike

    410 Ata që kanë përgjegjësi politike nuk duhet ta harrojnë apo ta nënvlerësojnë përmasën morale të përfaqësimit, që ka të bëjë me angazhimin për të bashkëndarë fatet e popullit dhe për të kërkuar zgjidhjen e problemeve shoqërore. Në këtë perspektivë, autoritet përgjegjës do të thotë edhe autoritet i ushtruar nëpërmjet ushtrimit të virtyteve që favorizojnë praktikën e pushtetit me shpirt shërbimi842 (durim, thjeshtësi, përkormëri, bamirësi, përpjekje për bashkëndarje); një autoritet i ushtruar nga persona në gjendje për të marrë përsipër, në mënyrë autentike, si qëllim të veprimit të tyre, të mirën e përbashkët dhe jo prestigjin apo të pasurit e përfitimeve personale.

    411 Mes shformimeve të sistemit demokratik, korrupsioni politik është njëri prej më të rëndëve,843 sepse tradhton në të njëjtën kohë parimet e moralit dhe normat e drejtësisë shoqërore; rrezikon funksionimin e rregullt të Shtetit, duke ndikuar në mënyrë negative mbi marrëdhëniet mes qeveritarëve dhe të qeverisurve; fut një mosbesim në rritje ndaj institucioneve publike, duke shkaktuar një largim në rritje të shtetasve ndaj politikës dhe përfaqësuesve të saj, që ka si rrjedhojë dobësimin e institucioneve. Korrupsioni shtrembëron qysh në rrënjë rolin e institucioneve përfaqësuese, sepse i përdor si terren shkëmbimi politik mes kërkesave klienteliste dhe shërbimeve të të qeverisurve. Në këtë mënyrë, zgjedhjet politike favorizojnë objektivat e ngushtë të atyre që zotërojnë mjetet për të ndikuar dhe pengojnë realizimin e të mirës së përbashkët të të gjithë shtetasve.

    412 Administrimi publik, në çfarëdo niveli kombëtar, rajonal, bashkiak si mjet i Shtetit, ka si qëllim që t’i shërbejë qytetarëve: “I vënë në shërbim të qytetarëve, Shteti është mbarështuesi i të mirave të popullit, që duhet t’i administrojë për të arritur të mirën e përbashkët”.844 Është në kundërshtim me këtë perspektivë tepria e burokratizimeve, që verifikohet kur “institucionet, duke u bërë të ndërlikuara në organizim dhe duke pretenduar të mbarështojnë çdo hapësirë të mundshme, shkatërrohen nga funksionalizmi impersonal, nga burokracia e tepërt, nga interesat e padrejta private, nga mosangazhimi i lehtë dhe i përgjithësuar”.845 Roli i atij që punon në administratën publike nuk duhet të konceptohet si diçka impersonale dhe burokratike, por si një ndihmë e kujdesshme për shtetasit, e ushtruar me shpirt shërbimi.

    d) Mjetet për të marrë pjesë në politikë

    413 Partitë politike kanë për detyrë të favorizojnë një pjesëmarrje të përhapur dhe mundësi që të gjithë të marrin pjesë në përgjegjësitë publike. Partitë janë të thirrura për të interpretuar aspiratat e shoqërisë civile duke i orientuar ato nga e mira e përbashkët,846 duke u ofruar shtetasve mundësinë reale për të ndihmuar në formimin e zgjedhjeve politike. Partitë duhet të jenë demokratike brenda tyre, të afta për të bërë përmbledhje politike dhe për projektueshmëri.

    Mjet për të marrë pjesë në politikë është edhe referendumi, në të cilin realizohet një formë e drejtpërdrejtë e mundësisë për të marrë pjesë në zgjedhjet politike. Instituti i përfaqësisë nuk përjashton, në fakt, që shtetasit të mund të pyeten drejtpërsëdrejti për zgjedhje me rëndësi të madhe për jetën shoqërore.

    e) Informacioni dhe demokracia

    414 Informacioni është mes mjeteve kryesore të pjesëmarrjes demokratike. Nuk është e mendueshme asnjë pjesëmarrje pa njohjen e problemeve të bashkësisë politike, të të dhënave të faktit dhe të propozimeve të ndryshme për zgjidhje. Duhet të sigurohet një pluralizëm real në këtë rreth delikat të jetës shoqërore, duke garantuar një shumëllojshmëri formash dhe mjetesh në fushën e informacionit dhe të komunikacionit, si edhe duke favorizuar kushte barazie në zotërimin dhe përdorimin e këtyre mjeteve nëpërmjet ligjeve të përshtatshme. Mes pengesave që vihen për realizimin e plotë të të drejtës së objektivitetit të informacionit,847 një vëmendje të veçantë meriton dukuria e përqendrimeve botuese dhe televizive, me efekte të rrezikshme për krejt sistemin demokratik, kur kësaj dukurie i përgjigjen lidhje gjithnjë e më të ngushta mes veprimtarisë qeverisëse, pushteteve financiare dhe informacionit.

    415 Mjetet e komunikimit shoqëror duhet të përdoren për të ndërtuar dhe për të mbajtur bashkësinë njerëzore, në sektorë të ndryshëm, ekonomikë, politikë, kulturorë, edukativ dhe fetar:848 “Informacioni përmes mas-mediave është në shërbim të së mirës së përbashkët. Shoqëria ka të drejtë të ketë një informacion të bazuar në të vërtetën, lirinë, drejtësinë dhe solidaritetin”.849

    Çështja themelore rreth sistemit ekzistues informativ është nëse ai jep ndihmesën e vet që ta bëjë personin njerëzor me të vërtetë më të mirë, domethënë më të pjekur shpirtërisht, më të vetëdijshëm për dinjitetin e tij të të qenët njeri, më të përgjegjshëm, më të hapur ndaj të tjerëve, në veçanti ndaj më nevojtarëve dhe më të dobëtve. Një aspekt tjetër me rëndësi të madhe është nevoja që teknologjitë e reja të respektojnë ndryshimet e ligjshme kulturore.

    416 Në botën e mjeteve të komunikimit shoqëror vështirësitë e brendshme të komunikimit shpesh fryhen nga ideologjia, nga dëshira e përfitimit dhe kontrolli politik, nga rivaliteti dhe konflikti mes grupeve, si edhe nga të këqija të tjera shoqërore. Vlerat dhe parimet morale vlejnë edhe në sektorin e komunikimit shoqëror: “Përmasa etike prek jo vetëm përmbajtjen e komunikimit (mesazhin) dhe procesin e komunikimit (si bëhet komunikimi), por edhe çështjet themelore strukturore dhe sistemore, që shpesh përfshijnë tema që kanë të bëjnë me politikat e shpërndarjes së teknologjive dhe të prodhimeve të sofistikuara (kush do të jetë i pasur dhe kush i varfër me informacion?)”.850

    Në të tri fushat mesazhi, procesi, çështjet strukturore është gjithmonë i vlefshëm parimi moral themelor: personi dhe bashkësia njerëzore janë qëllimi i fundit dhe masa e përdorimit të mjeteve të komunikimit shoqëror. Një parim i dytë është përplotësues i të parit: e mira e personave nuk mund të realizohet pavarësisht prej të mirës së përbashkët të bashkësisë së cilës personat i përkasin.851 Është e nevojshme një pjesëmarrje në procesin vendimmarrës që ka të bëjë me politikën e komunikimit. Kjo pjesëmarrje, në formë publike, duhet të jetë në mënyrë autentike e përfaqësuar dhe jo e drejtuar në dobi të grupeve të veçanta, kur mjetet e komunikimit shoqëror duan të arrijnë qëllime fitimi.852

  10. #50
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-08-2013
    Postime
    559

    Për: Përmbledje e doktrinës shoqërore të Kishës Katolike.

    V. BASHKËSIA POLITIKE

    NË SHËRBIM TË SHOQËRISË CIVILE



    a) Vlera e shoqërisë civile.

    417 Bashkësia politike është krijuar për të qenë në shërbim të shoqërisë civile, prej së cilës ajo rrjedh. Në dallimin mes bashkësisë politike dhe shoqërisë civile Kisha ka ndihmuar sidomos me vizionin e vet për njeriun, të kuptuar si qenie autonome, marrëdhënore, të hapur ndaj Transhendentes, të kundërshtuar si nga ideologjitë politike individualiste, ashtu edhe nga ato totalitare, që priren ta thithin shoqërinë civile në sferën e Shtetit. Angazhimi i Kishës në dobi të pluralizmit shoqëror ka për qëllim që të ndjekë një realizim më të përshtatshëm të së mirës së përbashkët dhe të vetë demokracisë, sipas parimeve të solidaritetit, të subsidiaritetit dhe të drejtësisë.

    Shoqëria civile është një tërësi marrëdhëniesh dhe burimesh, kulturore dhe organizuese, relativisht autonome nga rrethi politik dhe ekonomik: “Qëllimi i shoqërisë civile është universal, pasi ka të bëjë me të mirën e përbashkët, ndaj të cilës çdo shtetas ka të drejtë për një përpjesëtim të përshtatshëm”.853 Ajo karakterizohet nga një aftësi vetjake për të projektuar, e orientuar që të favorizojë një bashkëjetesë shoqërore më të lirë dhe më të drejtë, ku grupe të ndryshme shtetasish bashkohen, duke u mobilizuar për të përpunuar dhe për të shprehur orientimet e veta, për t’u bërë ballë nevojave të veta themelore, për të mbrojtur interesa të ligjshme.

    b) Parësia e shoqërisë civile

    418 Bashkësia politike dhe shoqëria civile, edhe pse të lidhura dhe të ndërvarura në mënyrë të ndërsjellë, nuk janë të barabarta në hierarkinë e qëllimeve. Bashkësia politike është thelbësisht në shërbim të shoqërisë civile dhe, në një analizë të fundit, të personave dhe të grupeve që e përbëjnë atë.854 Shoqëria civile, pra, nuk mund të konsiderohet një shtojcë apo një variabël i bashkësisë politike: madje, ajo ka epërsinë, pasi në vetë shoqërinë civile gjen justifikim ekzistenca e bashkësisë politike.

    Shteti duhet t’i japë një kornizë juridike të përshtatshme ushtrimit të lirë të veprimtarive të subjekteve dhe të jetë i gatshëm për të ndërhyrë, kur është e nevojshme dhe duke respektuar parimin e subsidiaritetit, për të orientuar kah e mira e përbashkët dialektikën mes shoqatave të lira vepruese në jetën demokratike. Shoqëria civile është e përbërë nga elemente të ndryshëm dhe të çrregullt, jo pa dykuptimësi dhe kundërshti: është edhe vendi i ndeshjeve mes interesave të ndryshme, me rrezikun se më i forti do të mbizotërojë mbi më të pambrojturin.

    c) Zbatimi i parimit të subsidiaritetit

    419 Bashkësia politike duhet të rregullojë marrëdhëniet e veta në lidhje me shoqërinë civile sipas parimit të subsidiaritetit:855 është thelbësore që rritja e jetës demokratike të marrë fill në indin shoqëror. Veprimtaritë e shoqërisë civile sidomos shërbimi vullnetar dhe bashkëpunimi në rrethin privat-shoqëror, të përkufizuar në mënyrë përmbledhëse si “sektori i tretë” për ta dalluar nga rrethi i Shtetit dhe i tregut përbëjnë mënyrat më të përshtatshme për të zhvilluar përmasën shoqërore të personit, që në këto veprimtari mund të gjejë hapësirë për t’u shprehur në mënyrë të përmbushur. Zgjerimi në rritje i nismave shoqërore përtej sferës shtetërore krijon hapësira të reja për praninë vepruese dhe veprimin e drejtpërdrejtë të shtetasve, duke integruar funksionet që kryen Shteti. Kjo dukuri e rëndësishme shpesh është zbatuar nëpër rrugë dhe me mjete gjerësisht informale, duke u dhënë jetë mënyrave të reja dhe pozitive të ushtrimit të të drejtave të personit që pasuron cilësisht jetën demokratike.

    420 Bashkëpunimi, edhe në format e veta më pak të strukturuara, përvijohet si njëra prej përgjigjeve më të forta ndaj logjikës së konfliktit dhe të konkurrencës pa kufi, që sot duket mbizotëruese. Marrëdhëniet që vendosen në një klimë bashkëveprimi dhe solidare kapërcejnë ndarjet ideologjike, duke shtyrë për të kërkuar atë që bashkon përtej asaj që ndan.

    Shumë përvoja të shërbimit vullnetar përbëjnë një shembull tjetër me vlerë të madhe, që na shtyn ta konsiderojmë shoqërinë civile si vendi ku gjithmonë është i mundshëm rindërtimi i një etike publike të përqendruar në solidaritetin, bashkëpunimin konkret, dialogun vëllazëror. Për potencialitetet që shfaqen në këtë mënyrë të gjithë janë të thirrur që të shikojnë me besim dhe t’ia kushtojnë punën e tyre personale të mirës së bashkësisë në përgjithësi dhe, në veçanti, asaj të më të dobëtve dhe të më nevojtarëve. Edhe kështu rrënjoset parimi i “subjektivitetit të shoqërisë”.856.
    Ndryshuar për herë të fundit nga ribaldi : 14-02-2016 më 10:11

  11. #51
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-08-2013
    Postime
    559

    Për: Përmbledje e doktrinës shoqërore të Kishës Katolike.

    PJESA E DYTË



    «… doktrina shoqërore ka në vetvete vlerën e një mjeti të ungjillëzimit:

    si e tillë, ia shpall Hyjin dhe misterin e shpëtimit në Krishtin çdo njeriu

    dhe, për të njëjtën arsye, ia zbulon njeriut vetveten.

    Në këtë dritë dhe vetëm në këtë dritë, merret me gjërat e tjera:

    me të drejtat njerëzore të secilit dhe, në veçanti, me “proletariatin”,

    me familjen dhe me edukimin, me detyrat e shtetit,

    me rendin e shoqërisë kombëtare e ndërkombëtare, me jetën ekonomike,

    me kulturën, me luftën e me paqen, me respektimin e jetës

    që prej momentit të ngjizjes e deri në vdekje».





    KAPITULLI I TETË

    BASHKËSIA POLITIKE



    VI. SHTETI DHE BASHKËSITË FETARE

    A) Liria Fetare, një e Drejtë Themelore Njerëzore

    421 Koncili II i Vatikanit e ka angazhuar Kishën Katolike në nxitjen e lirisë fetare. Deklarata “Dignitatis humanae” saktëson në nëntitullin që kërkon të shpallë “të drejtën e personit dhe të bashkësive për lirinë shoqërore e civile në fushën fetare”. Me qëllim që kjo liri e dashur nga Hyji dhe e gdhendur në natyrën njerëzore të mund të ushtrohet, nuk duhet të pengohet, meqë “e vërteta nuk diktohet në mënyrë tjetër vetëm në bazë të vetë të vërtetës”.857 Dinjiteti i personit dhe vetë natyra e kërkimit të Hyjit kërkojnë prej të gjithë njerëzve paprekshmërinë nga çdo shtrëngim në fushën fetare.858 Shoqëria dhe Shteti nuk duhet ta shtrëngojnë një person që të veprojë kundër ndërgjegjes së vet, as ta pengojnë që të veprojë sipas saj.859 Liria fetare nuk është leje morale për të rënë në gabim, as edhe një e drejtë implicite ndaj gabimit.860

    422 Liria e ndërgjegjes dhe e fesë “ka të bëjë me njeriun në mënyrë individuale dhe shoqërore”861 : e drejta për liri fetare duhet të njihet në rregulloret juridike dhe të sanksionohet si e drejtë civile,862 megjithatë nuk është një e drejtë e pakufizuar. Kufijtë e drejtë të ushtrimit të lirisë fetare duhet të përcaktohen për çdo situatë shoqërore me maturi politike, sipas kërkesave të së mirës së përbashkët, dhe të ratifikuara nga autoriteti civil nëpërmjet normave juridike sipas rendit moral objektiv: këto norma kërkohen “nga mbrojtja e efektshme e të drejtave të të gjithë qytetarëve dhe e bashkekzistencës së tyre paqësore, nga një përkujdesje e mjaftueshme për atë paqe të ndershme publike, që është bashkëjetesë e rregulluar dhe e orientuar nga drejtësia e vërtetë, dhe nga ruajtja e duhur e moralitetit publik”.863

    423 Për shkak të lidhjeve të saj historike dhe kulturore me një Komb, një bashkësi fetare mund të arrijë një njohje të veçantë nga Shteti: kjo njohje nuk duhet në asnjë mënyrë të krijojë një diskriminim të rendit civil apo shoqëror për grupet e tjera fetare.864 Vizioni i marrëdhënieve mes Shtetit dhe organizmave fetarë, i nxitur nga Koncili II i Vatikanit, i përgjigjet kërkesave të Shtetit të së drejtës dhe normave të së drejtës ndërkombëtare.865 Kisha është shumë e vetëdijshme që ky vizion nuk është i pranuar nga të gjithë: e drejta për liri fetare, për fat të keq, “dhunohet nga shumë Shtete, deri në atë pikë se sa të japësh, apo të bësh që të japin, apo të të bëjnë katekezë bëhet një krim që mund të pësojë masa ndëshkimore”.866

    B. Kisha Katolike dhe Bashkësia Politike

    a) Autonomia dhe pavarësia

    424 Kisha dhe bashkësia politike, edhe pse duke u shprehur të dyja me struktura organizative të dukshme, kanë një natyrë të ndryshme si në përvijimin e tyre, ashtu edhe në qëllimin që duan të arrijnë. Koncili II i Vatikanit ka ripohuar solemnisht: “Në fushën e vet, bashkësia politike dhe Kisha janë të pavarura dhe autonome nga njëra-tjetra”.867 Kisha organizohet me forma që kanë për qëllim plotësimin e kërkesave shpirtërore të besimtarëve të vet, ndërsa bashkësitë e ndryshme politike krijojnë marrëdhënie dhe institucione në shërbim të gjithçkaje që përbën të mirën e përbashkët tokësore. Autonomia dhe pavarësia e këtyre dy realiteteve shfaqen qartësisht sidomos në rendin e qëllimeve.

    Detyra për të respektuar lirinë fetare i dikton bashkësisë politike që t’i garantojë Kishës hapësirën e nevojshme të veprimit. Kisha, nga ana tjetër, nuk ka një fushë kompetencash specifike për sa i përket strukturës së bashkësisë politike: “Kisha respekton autonominë e ligjshme të rendit demokratik dhe nuk ka titull që të shprehë parapëlqimet për njërën apo tjetrën zgjidhje institucionale apo kushtetutore”868 dhe nuk ka as detyrën që të marrë meritat e programeve politike, vetëm atëherë kur bëhet fjalë për implikimet e tyre fetare dhe morale.

    b) Bashkëpunimi

    425 Autonomia e ndërsjellë e Kishës dhe e bashkësisë politike nuk bashkëmbart një ndarje që përjashton bashkëpunimin e tyre: të dyja, edhe pse me titull të ndryshëm, janë në shërbim të thirrjes personale dhe shoqërore të po atyre njerëzve. Kisha dhe bashkësia politike, në fakt, shprehen me forma organizative, që nuk janë qëllime në vetvete, por në shërbim të njeriut, për t’i mundësuar atij ushtrimin e plotë të të drejtave të veta, që kanë të bëjnë me dinjitetin e tyre si qytetarë dhe të krishterë, dhe një përmbushje korrekte të detyrave përkatëse. Kisha dhe bashkësia politike mund ta zhvillojnë shërbimin e tyre “në dobi të të gjithëve në mënyrë aq më të efektshme sa më mirë që të dyja të krijojnë mes tyre një bashkëpunim të shëndetshëm, duke marrë parasysh edhe rrethanat e vendit dhe të kohës”.869

    426 Kisha ka të drejtë që t’i njihet juridikisht identiteti i saj. Pikërisht sepse misioni i saj përqafon krejt realitetin njerëzor, Kisha, duke u ndier “me të vërtetë dhe thellësisht solidare me gjininë njerëzore dhe historinë e saj”,870 rivendikon lirinë që të shprehë gjykimin e vet moral për këtë realitet, sa herë që kërkohet për mbrojtjen e të drejtave themelore të personit apo për shpëtimin e shpirtrave.871

    Për këtë Kisha kërkon: liri të shprehjes, të mësimit, të ungjillëzimit; liri për të shfaqur kultin në publik; liri për t’u organizuar dhe për rregullimet e saj të brendshme; liri zgjedhjeje, edukimi, emërimi dhe transferimi të mbarështuesve të vet; liri për të ndërtuar struktura fetare; liri për të blerë dhe për të zotëruar të mira të përshtatshme për veprimtarinë e vet; liri për t’u organizuar në shoqata për qëllime jo vetëm fetare, por edhe edukative, kulturore, shëndetësore dhe bamirëse.872

    427 Me qëllim që të parandalojë apo fashisë konflikte të mundshme mes Kishës dhe bashkësisë politike, përvoja juridike e Kishës dhe e Shtetit ka përvijuar në mënyra të ndryshme forma të qëndrueshme marrëdhëniesh dhe mjetesh të përshtatshme për të garantuar marrëdhënie harmonike. Kjo përvojë është një pikë referimi thelbësore për të gjitha rastet në të cilat Shteti pretendon të hyjë me të padrejtë në fushën e veprimit të Kishës, duke e penguar atë në zhvillimin e veprimtarisë së lirë deri në përndjekjen haptazi të saj ose, e kundërta, në rastet kur organizatat kishtare nuk veprojnë korrektësisht në lidhje me Shtetin.

  12. #52
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-08-2013
    Postime
    559

    Për: Përmbledje e doktrinës shoqërore të Kishës Katolike.

    PJESA E DYTË



    «… doktrina shoqërore ka në vetvete vlerën e një mjeti të ungjillëzimit:

    si e tillë, ia shpall Hyjin dhe misterin e shpëtimit në Krishtin çdo njeriu

    dhe, për të njëjtën arsye, ia zbulon njeriut vetveten.

    Në këtë dritë dhe vetëm në këtë dritë, merret me gjërat e tjera:

    me të drejtat njerëzore të secilit dhe, në veçanti, me “proletariatin”,

    me familjen dhe me edukimin, me detyrat e shtetit,

    me rendin e shoqërisë kombëtare e ndërkombëtare, me jetën ekonomike,

    me kulturën, me luftën e me paqen, me respektimin e jetës

    që prej momentit të ngjizjes e deri në vdekje».

    (Centesimus annus, 54)



    KAPITULLI I NËNTË

    BASHKËSIA NDËRKOMBËTARE


    I. ASPEKTE BIBLIKE


    a) Njësia e familjes njerëzore

    428 Tregimet biblike mbi zanafillën tregojnë njësinë e llojit njerëzor dhe mësojnë se Hyji i Izraelit është Zoti i historisë dhe i kozmosit: veprimi i Tij përqafon tërë botën dhe krejt familjen njerëzore, së cilës i është caktuar vepra e krijimit. Vendimi i Hyjit për ta bërë njeriun në shëmbëlltyrë dhe në përngjasim të Vet (krh. Zan 1, 26-27) i jep krijesës njerëzore një dinjitet të vetëm, që shtrihet në të gjitha breznitë (krh. Zan 5) dhe mbi mbarë tokën (krh. Zan 10). Libri i Zanafillës tregon, gjithashtu, se qenia njerëzore nuk është krijuar e izoluar, por brenda një konteksti, në të cilin janë pjesë përbërëse hapësira jetësore, që i siguron lirinë (kopshti), mundësia për t’u ushqyer (pemët e kopshtit), puna (urdhri për ta punuar dhe për ta mbjellë tokën) dhe sidomos bashkësia (dhurata e ndihmës së ngjashme me të) (krh. Zan 2, 8-24). Kushtet që sigurojnë plotësinë e jetës njerëzore janë, në krejt Besëlidhjen e Vjetër, objekt i bekimit hyjnor. Hyji dëshiron t’i garantojë njeriut të mirat e nevojshme për rritjen e tij, mundësinë për t’u shprehur lirisht, rezultatin pozitiv të punës, pasurinë e marrëdhënieve mes qenieve të ngjashme.

    429 Besëlidhja e Hyjit me Noenë (krh. Zan 9, 1-17), dhe në të me krejt njerëzimin, pas shkatërrimit të shkaktuar nga përmbytja, tregon se Hyji dëshiron ta mbajë bekimin e lindshmërisë për bashkësinë njerëzore, detyrën për ta zotëruar krijimin, dinjitetin absolut dhe paprekshmërinë e jetës njerëzore, që kishte karakterizuar krijimin e parë, megjithëse ishte futur në të, me mëkatin, degjenerimi i dhunës dhe i padrejtësisë, të ndëshkuara me përmbytjen. Libri i Zanafillës paraqet me admirim larminë e popujve, vepër e veprimit të Hyjit (krh. Zan 10, 1-32) dhe, në të njëjtën kohë, stigmatizon mospranimin, nga ana e njeriut, të gjendjes së tij si krijesë, me episodin e kullës së Babelit (krh. Zan 11, 1-9). Të gjithë popujt, në planin hyjnor, kishin “një gjuhë të vetme dhe të njëjtat fjalë” (Zan 11, 1), por njerëzit u ndanë, duke ia kthyer shpinën Krijuesit (krh. Zan 11, 4).

    430 Besëlidhja e vendosur nga Hyji me Abrahamin, të zgjedhur si “atë i një shumice populli” (Zan 17, 4), hap rrugën e ribashkimit të familjes njerëzore me Krijuesin e Vet. Historia shpëtimtare e shtyn popullin e Izraelit të mendojë se veprimi hyjnor kufizohet vetëm rreth tokës së vet, megjithatë konsolidohet pak nga pak bindja se Hyji vepron edhe mes Kombeve të tjera (krh. Is 19, 18-25). Profetët do të kumtojnë për kohën eskatologjike shtegtimin e popujve në tempullin e Zotit dhe një erë paqeje mes Kombeve (krh. Is 2, 2-5; 66, 18-23). Izraeli, i shpërndarë në mërgim, do të bëhet përfundimisht i vetëdijshëm për rolin e vet në dëshmimin e të vetmit Hyj (krh. Is 44, 6-8), Zot të tokës dhe të historisë së popujve (krh. Is 44, 24-28).

    b) Jezu Krishti prototip dhe themel i njerëzimit të ri

    431 Zoti Jezus është prototipi dhe themeli i njerëzimit të ri. Në Të, “shëmbëlltyrë e vërtetë e Hyjit” (2 Kor 4, 4), gjen plotësi njeriu i krijuar nga Hyji në shëmbëlltyrë të Vet. Në dëshminë përfundimtare të dashurisë që Hyji ka treguar në kryqin e Krishtit, të gjitha pengesat e armiqësisë kanë rënë tashmë (krh. Ef 2, 12-18) dhe për ata, që jetojnë jetën e re të Krishtit, ndryshimet racore dhe kulturore, nuk janë më arsye ndarjeje (krh. Rom 10, 12; Gal 3, 26-28; Kol 3, 11).

    Falë Shpirtit Shenjt, Kisha e njeh planin hyjnor që përqafon krejt gjininë njerëzore (krh. Vap 17, 26) dhe që ka për qëllim të bashkojë, në misterin e një shpëtimi të realizuar nën zotërimin e Krishtit (krh. Ef 1, 8-10), krejt realitetin e krijuar të copëtuar dhe të shpërndarë. Nga dita e Rrëshajëve, kur Ngjallja u është kumtuar popujve të ndryshëm dhe është kuptuar nga secili në gjuhën e vet (krh. Vap 2, 6), Kisha përmbush detyrën e vet për të rimëkëmbur dhe për të dëshmuar njësinë e humbur të Babelit: falë këtij mbarështimi kishtar, familja njerëzore është e thirrur që të rizbulojë njësinë e vet dhe të rinjohë pasurinë e ndryshimeve të veta, për të arritur “njësinë e plotë në Krishtin”.873

    c) Thirrja universale e krishterimit

    432 Mesazhi i krishterë ofron një vizion universal të jetës së njerëzve dhe të popujve të tokës,874 që na bën të kuptojmë njësinë e familjes njerëzore.875 Kjo njësi nuk ndërtohet me forcën e armëve, të terrorit apo të shtypjes, por është rezultat i atij “modeli suprem të njësisë, pasqyrim i jetës intime të Hyjit, një në Tre Vetë, … që ne të krishterët përcaktojmë me fjalën “bashkësi”876, dhe ngadhënjim i forcës morale e kulturore të lirisë.877 Mesazhi i krishterë ka qenë vendimtar që njerëzimi të kuptojë se popujt priren të bashkohen jo vetëm në formën e organizatave, për ngjarje politike, projekte ekonomike apo në emër të një internacionalizmi37* abstrakt e ideologjik, por sepse lirisht orientohen drejt bashkëpunimit, të vetëdijshëm “se janë gjymtyrë të gjalla të një bashkësie botërore”.878 Bashkësia botërore duhet të propozohet gjithnjë e më shumë dhe gjithnjë e më mirë si figurë konkrete e njësisë së dashur nga Krijuesi: “Njësia e familjes njerëzore ka ekzistuar në çdo kohë, meqë ajo ka si gjymtyrë qeniet njerëzore, që kanë qenë të barabarta për nga dinjiteti natyror. Si rrjedhim do të ekzistojë gjithmonë nevoja objektive për ta vënë në jetë, në shkallën e nevojshme, të mirën e përbashkët universale, domethënë të mirën e përbashkët të krejt familjes njerëzore”.879

  13. #53
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-08-2013
    Postime
    559

    Për: Përmbledje e doktrinës shoqërore të Kishës Katolike.


    PJESA E DYTË



    «… doktrina shoqërore ka në vetvete vlerën e një mjeti të ungjillëzimit:

    si e tillë, ia shpall Hyjin dhe misterin e shpëtimit në Krishtin çdo njeriu

    dhe, për të njëjtën arsye, ia zbulon njeriut vetveten.

    Në këtë dritë dhe vetëm në këtë dritë, merret me gjërat e tjera:

    me të drejtat njerëzore të secilit dhe, në veçanti, me “proletariatin”,

    me familjen dhe me edukimin, me detyrat e shtetit,

    me rendin e shoqërisë kombëtare e ndërkombëtare, me jetën ekonomike,

    me kulturën, me luftën e me paqen, me respektimin e jetës

    që prej momentit të ngjizjes e deri në vdekje».

    (Centesimus annus, 54)


    KAPITULLI I NËNTË

    BASHKËSIA NDËRKOMBËTARE


    II. RREGULLAT THEMELORE

    TË BASHKËSISË NDËRKOMBËTARE



    a) Bashkësia ndërkombëtare dhe vlerat

    433 Qendërsia e personit njerëzor dhe prirja natyrore e personit dhe e popujve për të krijuar marrëdhënie mes tyre janë elementet themelore për të ndërtuar një Bashkësi ndërkombëtare, organizimi i së cilës duhet të priret drejt një të mire reale universale.880 Megjithëse është përhapur frymëzimi drejt një bashkësie autentike ndërkombëtare, njësia e familjes njerëzore ende nuk arrin të realizohet, pasi pengohet nga ideologji materialistike dhe nacionalistike, të cilat mohojnë vlerat që mbart personi i vlerësuar në mënyrë tërësore, në të gjitha përmasat, materiale dhe shpirtërore, individuale dhe bashkësiore. Në veçanti, është moralisht e papranueshme çdo teori apo sjellje që mbart gjurmën e racizmit dhe të diskriminimit racor.881

    Bashkëjetesa mes Kombeve bazohet në po ato vlera që duhet të orientojnë atë të qenieve njerëzore: të vërtetën, drejtësinë, solidaritetin dhe lirinë.882 Mësimi i Kishës, në planin e parimeve kushtetuese të Bashkësive ndërkombëtare, kërkon që marrëdhëniet mes popujve dhe bashkësive politike të gjejnë rregullimin e tyre të drejtë në arsye, barazi, të drejtë, në bisedime, ndërsa përjashton përdorimin e dhunës dhe të luftës, të formave të diskriminimit, të frikësimit dhe të mashtrimit.883

    434 E drejta diktohet si mjet garancie për rendin ndërkombëtar,884 apo për bashkëjetesën mes bashkësisë politike, që secila më vete kërkojnë të arrijnë të mirën e përbashkët të qytetarëve të vet dhe të gjitha bashkë priren drejt asaj të të gjithë popujve,885 me bindjen se e mira e përbashkët e një Kombi është e pandashme nga e mira e krejt familjes njerëzore.886

    Bashkësia ndërkombëtare është një bashkësi juridike e bazuar në sovranitetin e çdo Shteti anëtar, pa lidhje nënvarësie që t’i mohojë apo t’i kufizojë atij pavarësinë.887 Një konceptim i tillë i bashkësisë njerëzore nuk do të thotë aspak t’i relativizosh dhe t’i bësh të kota ndryshimet dhe veçantitë karakteristike të çdo populli, por të favorizosh shprehjen e tyre.888 Vlerësimi i identiteteve të ndryshme ndihmon tejkalimin e formave të ndryshme të përçarjeve, që priren t’i ndajnë popujt dhe t’i bëjnë mbartës të një egoizmi me efekte destabilizuese.

    435 Magjisteri njeh rëndësinë e sovranitetit kombëtar, të konceptuar para së gjithash si shprehje e lirisë që duhet të rregullojë marrëdhëniet mes Shteteve.889 Sovraniteti paraqet subjektivitetin890 e një Kombi në profilin politik, ekonomik, shoqëror dhe kulturor. Përmasa kulturore merr një rëndësi të veçantë si pikë force për rezistencën ndaj akteve agresive apo formave të zotërimit, që kushtëzojnë lirinë e një Vendi: kultura përbën garancinë e ruajtjes së identitetit të një populli, shpreh dhe nxit sovranitetin e tij shpirtëror.891

    Sovraniteti kombëtar megjithatë nuk është një sovranitet absolut. Kombet mund të heqin dorë lirisht nga ushtrimi i disa të drejtave të tyre duke pasur parasysh një objektiv të përbashkët, në vetëdijen e formimit të një “familjeje”,892 ku duhet të mbretërojë në mënyrë të ndërsjellë besimi, mbështetja e shoqishoqme dhe respekti i dyanshëm. Në këtë perspektivë, meriton një shqyrtim të kujdesshëm mungesa e një marrëveshjeje ndërkombëtare që të trajtojë siç duhet “të drejtat e Kombeve”,893 përgatitja e së cilave mund të trajtojë siç duhet çështjet që kanë lidhje me drejtësinë dhe lirinë në botën bashkëkohore.

    b) Marrëdhënie të bazuara në harmoninë mes rendit juridik dhe rendit moral

    436 Për të realizuar dhe për të konsoliduar një rend ndërkombëtar që garanton në mënyrë të efektshme bashkëjetesën mes popujve, vetë ligji moral që mban jetën e njerëzve duhet të rregullojë edhe marrëdhëniet mes Shteteve: “ligji moral, zbatimi i të cilit duhet të ngulitet dhe të nxitet nga opinioni publik i të gjitha Kombeve dhe i të gjitha Shteteve me një unanimitet të tillë zëri dhe force, që askush të mos guxojë ta vërë në dyshim apo ta zbusë detyrimin e tij detyrues”.894 Është e nevojshme që ligji moral universal, i shkruar në zemrën e njeriut, të konsiderohet real dhe i pashlyeshëm, si shprehje e gjallë e ndërgjegjes që njerëzimi ka të përbashkët, një “gramatikë”895 që të jetë në gjendje të orientojë dialogun rreth të ardhmes së botës.

    437 Respektimi universal i parimeve që frymëzojnë një “rend juridik në harmoni me rendin moral”896 është një kusht i nevojshëm për qëndrueshmërinë e jetës ndërkombëtare. Kërkimi i një qëndrueshmërie të tillë ka favorizuar përpunimin gradual të një të drejte të njerëzve897 (‘ius gentium’), që mund të konsiderohet si “paraardhëse e të drejtës ndërkombëtare”.898 Përsiatja juridike dhe teologjike lidhur me të drejtën natyrore, ka formuluar “parimet universale që janë para dhe më të larta se të drejtat brenda Shteteve”,899 si njësia e gjinisë njerëzore, barazia në dinjitetin e një populli, mospranimi i luftës për të kapërcyer grindjet, detyrimi i bashkëpunimit për të mirën e përbashkët, kërkesa që të mbahen angazhimet e nënshkruara (“pacta sunt servanda”). Ky parim i fundit duhet të theksohet në mënyrë të veçantë për të shmangur “tundimin që të bëhet thirrje për përdorimin e të drejtës së forcës më shumë se të forcës së të drejtës”.900

    438 Për të zgjidhur konfliktet që lindin mes bashkësive të ndryshme politike dhe që rrezikojnë qëndrueshmërinë e Kombeve dhe sigurinë ndërkombëtare, është e domosdoshme t’i referohemi rregullave të përbashkëta besuar bisedimeve, duke hequr dorë përfundimisht nga ideja për ta kërkuar drejtësinë përmes përdorimit të luftës:901 “lufta mund të përfundojë pa fitues dhe pa të mundur në një vetëvrasje të njerëzimit, dhe për këtë duhet të hidhet poshtë logjika që çon tek ajo, tek ideja se lufta për shkatërrimin e kundërshtarit, kontradikta dhe vetë lufta janë faktorë përparimi të historisë”.902

    Karta e Kombeve të Bashkuara ka ndaluar jo vetëm përdorimin e forcës, por edhe kërcënimin për përdorimin e saj:903 një dispozitë e tillë ka lindur nga përvoja tragjike e Luftës së Dytë Botërore. Magjisteri kishte dalluar gjatë atij konflikti disa faktorë të domosdoshëm për të ndërtuar një rend të ripërtërirë ndërkombëtar: lirinë dhe integritetin territorial të çdo Kombi; mbrojtjen e të drejtave të pakicave; një bashkëndarje të barabartë të burimeve të tokës; mospranimin e luftës dhe vënien në jetë të çarmatimit; zbatimin e marrëveshjeve të miratuara; reshtjen e përndjekjes fetare.904

    439 Për të konsoliduar parësinë e të drejtës, vlen para së gjithash parimi i besimit të ndërsjellë.905 Në këtë perspektivë, mjetet normative për zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve duhet të rimendohen në mënyrë që të përforcohet rëndësia dhe detyrueshmëria e tyre. Institutet e negocimit, të ndërmjetësimit, të pajtimit, të arbitrazhit, që janë shprehje e ligjshmërisë ndërkombëtare, duhet të mbështeten nga krijimi i një “autoriteti juridik plotësisht veprues në një botë të paqësuar”.906 Një përparim në këtë drejtim do t’i mundësojë Bashkësisë ndërkombëtare që të propozohet jo më thjesht si një moment agregimi të jetës së Shteteve, por si një strukturë në të cilën konfliktet mund të zgjidhen në mënyrë të paqtë: “Si brenda çdo Shteti … sistemi i hakmarrjes private dhe i raprezaljeve është zëvendësuar nga perandoria e ligjit, kështu tani është e ngutshme që një përparim i tillë të zërë vend në Bashkësinë ndërkombëtare”.907 Si përfundim, e drejta ndërkombëtare “duhet të shmangë që të mbizotërojë ligji i më të fortit”.908

  14. #54
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-08-2013
    Postime
    559

    Për: Përmbledje e doktrinës shoqërore të Kishës Katolike.

    KAPITULLI I NËNTË

    BASHKËSIA NDËRKOMBËTARE

    III. ORGANIZATA

    E BASHKËSISË NDËRKOMBËTARE

    a) Vlera e Organizatave ndërkombëtare


    440 Udha drejt një “bashkësie” autentike ndërkombëtare, që ka marrë një drejtim të qartë me themelimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në vitin 1945, është shoqëruar nga Kisha: kjo Organizatë “ka ndihmuar dukshëm në nxitjen e respektimit të dinjitetit njerëzor, të lirisë së popujve dhe të nevojës për zhvillim, duke përgatitur terrenin kulturor dhe institucional mbi të cilën të ndërtohet paqja”.909 Doktrina shoqërore, në përgjithësi, e konsideron pozitivisht rolin e Organizatave ndër-qeveritare, në veçanti të atyre që veprojnë në sektorë specifikë,910 edhe pse shpreh rezerva kur ato në mënyrë jo korrekte i përballojnë problemet.911 Magjisteri porosit se veprimi i Organizmave ndërkombëtarë i përgjigjet nevojave njerëzore të jetës shoqërore dhe rretheve me rëndësi për bashkëjetesën e paqtë, të rregulluar dhe të orientuar të Kombeve dhe të popujve.912

    441 Përkujdesi për një bashkëjetesë të orientuar në mënyrë të renditur dhe të paqtë të familjes njerëzore e shtyn Magjisterin që të vërë në dukje nevojën për të krijuar “ndonjë autoritet universal, të njohur prej të gjithëve, që gëzon një pushtet real për t’u garantuar të gjithëve sigurinë, zbatimin e drejtësisë dhe respektimin e të drejtave”.913 Përgjatë historisë, me gjithë ndryshimet e perspektivës së epokave të ndryshme, është ndier vazhdimisht nevoja për një autoritet që t’u përgjigjet problemeve të përmasës botërore, i diktuar nga kërkimi i të mirës së përbashkët: është thelbësore që një autoritet i tillë të jetë fryti i një marrëveshjeje dhe jo i një diktimi, dhe të mos kuptohet si “një super-shtet global”.914

    Një autoritet politik i ushtruar në kuadrin e Bashkësisë ndërkombëtare duhet të rregullohet nga e drejta, e rregulluar dhe e orientuar nga e mira e përbashkët dhe të respektojë parimin e susidiaritetit: “Pushtetet publike të bashkësisë botërore nuk kanë për qëllim të kufizojnë sferën e veprimit të pushteteve publike të çdo bashkësie politike dhe aq më pak t’i zëvendësojnë ato; në fakt, ato kanë për qëllim të japin ndihmesën e tyre në krijimin, në plan botëror, të një mjedisi në të cilin pushtetet publike të çdo bashkësie politike, qytetarët përkatës dhe trupat e ndërmjetëm të mund të bëjnë detyrat e tyre, të përmbushin detyrimet e tyre, të ushtrojnë të drejtat e tyre me një siguri më të madhe”.915

    442 Një politikë ndërkombëtare e drejtuar nga objektivi i paqes dhe i zhvillimit nëpërmjet përdorimit të masave të bashkërenditura916 është bërë më se kurrë e nevojshme nga globalizimi i problemeve. Magjisteri zbulon se ndërvarësia mes njerëzve dhe mes Kombeve merr një përmasë morale dhe përcakton marrëdhëniet në botën e sotme në profilin ekonomik, kulturor, politik dhe fetar. Në këtë kontekst urohet një rishikim i Organizatave ndërkombëtare, një proces që “supozon kapërcimin e rivaliteteve politike dhe heqjen dorë nga çdo vullnet për të instrumentalizuar këto Organizata, që janë ngritur vetëm për të mirën e përbashkët”,917 me qëllim që të arrijë “një shkallë më të lartë organizimi ndërkombëtar”.918

    Në veçanti, strukturat ndër-qeveritare duhet të ushtrojnë me efektshmëri funksionet e tyre të kontrollit dhe të drejtimit në fushën e ekonomisë, meqenëse e mira e përbashkët s’mund të arritet tashmë prej asnjë Shteti veç e veç, edhe pse zotërues në terma pushteti, pasurie, force politike.919 Organizmat ndërkombëtarë duhet, gjithashtu, të garantojnë atë barazi që është themeli i të drejtës së të gjithëve për të marrë pjesë në procesin e zhvillimit të plotë, në respektimin e ndryshimeve të ligjshme.920

    443 Magjisteri vlerëson pozitivisht rolin e grupimeve që janë formuar në shoqërinë civile për të zhvilluar një funksion të rëndësishëm në sensibilizimin e opinionit publik për aspekte të ndryshme të jetës ndërkombëtare, duke i kushtuar vëmendje respektimit të të drejtave të njeriut, siç bën të ditur “numri i shoqatave private, disa me rëndësi botërore, të ngritura kohët e fundit, dhe gati të gjitha të angazhuara në ndjekjen, me shumë përkujdesje dhe me objektivitet të lavdërueshëm, të ngjarjeve ndërkombëtare në një lëmë kaq delikate”.921

    Qeveritë do të duhej të ndiheshin të inkurajuara nga një angazhim i tillë, që synon të kthejë në praktikë idealet që frymëzojnë bashkësinë ndërkombëtare, “në veçanti nëpërmjet gjesteve konkrete të solidaritetit dhe të paqes së shumë personave që veprojnë edhe në Organizatat Jo-Qeveritare dhe në Lëvizjet për të drejtat e njeriut”.922

    b) Personaliteti juridik i Selisë së Shenjtë

    444 Selia e Shenjtë - apo Selia Apostolike923 - gëzon subjektivitetin e plotë ndërkombëtar si autoritet sovran që sendërton akte juridikisht të veta. Ajo ushtron një sovranitet të jashtëm, të njohur në kuadrin e Bashkësisë ndërkombëtare, që pasqyron atë të ushtruar brenda Kishës dhe që karakterizohet nga njësia organizative dhe nga ndërvarësia. Kisha shërbehet me ato modalitete juridike që rezultojnë të nevojshme apo të dobishme për pëmbushjen e misionit të vet.

    Veprimtaria ndërkombëtare e Selisë së Shenjtë shfaqet objektivisht nën aspekte të ndryshme, mes të cilave: e drejta për legata aktive dhe pasive; ushtrimi i “ius contrahendi” (e drejta për të lidhur kontrata apo për të bërë marrëveshje), me nënshkrimin e traktateve; me pjesëmarrjen në organizata jo qeveritare, si për shembull në ato që i përkasin sistemit të Kombeve të Bashkuara; me nismat e ndërmjetësimit në rast konfliktesh. Një veprimtari e tillë dëshiron t’i ofrojë një shërbim të painteres Bashkësisë ndërkombëtare, pasi nuk kërkon përfitime për vetveten, por propozon të mirën e përbashkët të krejt familjes njerëzore. Në këtë kontekst, Selia e Shenjtë ndihmohet në mënyrë të veçantë nga personeli i saj diplomatik.

    445 Shërbimi diplomatik i Selisë së Shenjtë, fryt i një veprimtarie praktike të lashtë dhe të konsoliduar, është një mjet që vepron jo vetëm për “libertas Ecclessiae”, por edhe për mbrojtjen dhe nxitjen e dinjitetit njerëzor, si edhe të një rendi shoqëror të bazuar në vlerat e drejtësisë, të së vërtetës, të lirisë dhe të dashurisë: “Për një të drejtë të lindur që ka lidhje me vetë misionin tonë shpirtëror, të favorizuar nga një zhvillim shekullar ngjarjesh historike, ne ua dërgojmë edhe legatët tonë autoriteteve më të larta të shteteve në të cilat ka lëshuar rrënjë apo është e pranishme në njëfarë mënyre Kisha Katolike. Është po aq e vërtetë edhe se qëllimet e Kishës dhe të Shtetit janë të rendeve të ndryshme, dhe se të dyja janë shoqëri të përsosura, të pajisura, me një fjalë, me mjete të përshtatshme, dhe janë të pavarura në sferën përkatëse të veprimit, por është po aq e vërtetë edhe se njëra e tjetra veprojnë për të mirën e të njëjtit subjekt, njeriut, të thirrur nga Hyji për shpëtimin e amshuar dhe të vënë në tokë për t’ia bërë të mundur, me ndihmën e hirit, që ta arrijë atë duke punuar, për t’i sjellë atij mirëqenie, në një bashkëjetesë të paqtë”.924 E mira e personave dhe e bashkësive njerëzore është favorizuar nga një dialog i strukturuar mes Kishës dhe autoriteteve civile, që gjen shprehje edhe nëpërmjet nënshkrimit të marrëveshjeve të dyanshme. Ky dialog priret të vendosë apo të përforcojë marrëdhënie të ndërsjella mirëkuptimi dhe bashkëpunimi, si edhe të parandalojë apo të shërojë mosmarrëveshjet e mundshme, me objektivin që të ndihmojë në përparimin e çdo populli dhe të krejt njerëzimit në drejtësi dhe paqe.

  15. #55
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-08-2013
    Postime
    559

    Për: Përmbledje e doktrinës shoqërore të Kishës Katolike.

    KAPITULLI I NËNTË

    BASHKËSIA NDËRKOMBËTARE



    IV. BASHKËVEPRIMI NDËRKOMBËTAR

    PËR ZHVILLIM




    a) Bashkëpunimi për të garantuar të drejtën e zhvillimit

    446 Zgjidhja e problemit të zhvillimit kërkon bashkëveprimin mes bashkësive politike: “Bashkësitë politike kushtëzohen në mënyrë të ndërsjellë dhe mund të ngulet këmbë që secila arrin ta zhvillojë vetveten duke ndihmuar kështu edhe për zhvillimin e të tjerave. Për këtë, mes tyre duhet të mbizotërojë mirëkuptimi dhe bashkëpunimi”.925 Nënzhvillimi duket një situatë e pamundshme, për t’u eliminuar, gati si një dënim fatal, nëse merret parasysh fakti se ai nuk është vetëm fryti i zgjedhjeve të gabuara njerëzore, por edhe rezultati i “mekanizmave ekonomikë, financiarë dhe shoqërorë”926 dhe i “strukturave të mëkatit”,927 që pengojnë zhvillimin e plotë të njerëzve dhe të popujve.

    Këto vështirësi, megjithatë, duhet të përballohen me vendosmëri të prerë dhe ngulmuese, pasi zhvillimi nuk është vetëm një aspiratë, por një e drejtë928 që, si të gjitha të drejtat, bashkëpërcakton një detyrim: “Bashkëpunimi për zhvillimin e krejt njeriut dhe të çdo njeriu, në fakt, është një detyrë e të gjithëve ndaj të gjithëve dhe duhet, në të njëjtën kohë, të jetë e përbashkët për mbarë botën: Lindje dhe Perëndim, Veri dhe Jug”.929 Në vizionin e Magjisterit, e drejta për zhvillim bazohet në parimet në vijim: njësia e origjinës dhe fati i përbashkët i familjes njerëzore; barazia mes çdo personi dhe mes çdo bashkësie të bazuar në dinjitetin njerëzor; adresimi universal i të mirave të tokës; tërësueshmëria e nocionit të zhvillimit; qendërsia e personit; solidariteti.

    447 Doktrina shoqërore mbështet format e bashkëveprimit, të afta për të nxitur hyrjen në tregun ndërkombëtar, të Vendeve të shënuara nga varfëria dhe nënzhvillimi: “Jo shumë vite më parë mendohej se zhvillimi varej prej izolimit të Vendeve më të varfra nga tregu botëror dhe nga besimi i tyre vetëm në forcat e veta. Përvoja e kohëve të fundit ka treguar se Vendet që janë përjashtuar, kanë njohur një gjendje amullie dhe rënieje, ndërsa kanë njohur zhvillim Vendet që kanë arritur të hyjnë në ndërlidhjen e përgjithshme të veprimtarive ekonomike në nivel ndërkombëtar. Duket, pra, se problemi më i madh është arritja e hyrjes së barabartë në tregun ndërkombëtar, të bazuar jo në parimin e njëanshëm të shfrytëzimit të burimeve natyrore, por në vlerësimin e burimeve njerëzore”.930 Mes shkaqeve që më së shumti ndihmojnë në përcaktimin e nënzhvillimit dhe të varfërisë, përveç pamundësisë për të hyrë në tregun ndërkombëtar,931 duhet të numërohen analfabetizmi, pasiguria ushqimore, mungesa e strukturave dhe e shërbimeve, mungesa e masave për të garantuar asistencën shëndetësore bazë, mungesa e ujit të pijshëm, korrupsioni, paqëndrueshmëria e institucioneve dhe e vetë jetës politike. Në shumë Vende ekziston një lidhje mes varfërisë dhe mungesës së lirisë, mundësisë për nismë ekonomike, administrimit shtetëror të aftë për të parapërgatitur një sistem të përshtatshëm edukimi dhe informacioni.

    448 Fryma e bashkëveprimit ndërkombëtar kërkon që përtej logjikës së ngushtë të tregut të jetë edhe vetëdija e një detyre solidariteti, drejtësie shoqërore dhe dashurie universale;932 në fakt, ekziston “diçka që i detyrohet njeriut tamam sepse është njeri, në bazë të dinjitetit të tij të lartë”.933 Bashkëveprimi është rruga që Bashkësia ndërkombëtare në tërësinë e vet duhet të angazhohet për ta përshkuar “sipas një konceptimi të përshtatshëm të së mirës së përbashkët në lidhje me krejt familjen njerëzore”.934 Do të ketë efekte shumë pozitive, si për shembull një rritje të besimit në potencialitetet e personave të varfër dhe pra, të Vendeve të varfra, si dhe një shpërndarje të drejtë të të mirave.

    b) Luftë varfërisë

    449 Në fillim të mijëvjeçarit të ri, varfëria e miliarda burrave dhe grave është “çështja që më se çdo tjetër i bën thirrje ndërgjegjes sonë njerëzore dhe të krishterë”.935 Varfëria dikton një problem dramatik drejtësie: varfëria, në format dhe pasojat e saja të ndryshme, karakterizohet nga një rritje e pabarabartë dhe nuk i njeh asnjë populli «të drejtën e barabartë “për t’u ulur në tryezën e banketit të përbashkët”».936 Kjo varfëri e bën të pamundur realizimin e atij humanizmi plenar që Kisha uron dhe kërkon të arrijë, me qëllim që personat dhe popujt të mund “të jenë më shumë”937 dhe të jetojnë në “kushte më njerëzore”.938

    Lufta kundër varfërisë gjen një motivim të fortë në zgjedhjen, apo në dashurinë parapëlqyese, të Kishës për të varfrit.939 Në krejt mësimin e saj shoqëror Kisha nuk lodhet së përsërituri edhe disa parime të tjera të saj themelore: i pari ndër të gjithë, ai i adresimit universal të të mirave.940 Me ripohimin e vazhdueshëm të parimit të solidaritetit, doktrina shoqërore na shtyn të kalojmë nga veprimi për të nxitur “të mirën e të gjithëve dhe të secilit, sepse të gjithë jemi me të vërtetë të përgjegjshëm për të gjithë”.941 Parimi i solidaritetit, edhe në luftën kundër varfërisë, duhet të përkrahet gjithmonë me vend nga ai i subsidiaritetit, falë të cilit është e mundur të nxitet fryma i nismës, bazë themelore e çdo zhvillimi socio-ekonomik, në vetë Vendet e varfra:942 të varfrit duhet t’i shikojmë “jo si një problem, por si ata që mund të bëhen subjekte dhe protagonistë të një të ardhmeje të re dhe më njerëzore për mbarë botën”.943

    c) Borxhi i jashtëm

    450 E drejta për zhvillim duhet të mbahet parasysh në çështjet e lidhura me krizën e borxhit të shumë Vendeve të varfra.944 Kjo krizë ka në origjinë të vet shkaqe komplekse dhe të ndryshme, si me karakter ndërkombëtar luhatjet e këmbimeve, spekullimet financiare, neokolonializmi38* ekonomik ashtu edhe brenda çdo Vendi borxhli korrupsion mbarështim të keq të parave publike, përdorim të shtrembëruar të huave të marra. Vuajtjet më të mëdha, që burojnë apo që kanë lidhje me çështjet strukturore, por edhe me sjelljet vetjake, godasin popullatat e Vendeve borxhlinj dhe të varfër, të cilat nuk kanë asnjë përgjegjësi. Bashkësia ndërkombëtare nuk mund të lërë pas dore një situatë të tillë: edhe pse duke ripohuar parimin se borxhi me kontratë duhet të respektohet, duhet të gjenden rrugët për të mos rrezikuar “të drejtën themelore të popujve për jetesë dhe përparim”.945

  16. #56
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-08-2013
    Postime
    559

    Për: Përmbledje e doktrinës shoqërore të Kishës Katolike.


    PJESA E DYTË



    «… doktrina shoqërore ka në vetvete vlerën e një mjeti të ungjillëzimit:

    si e tillë, ia shpall Hyjin dhe misterin e shpëtimit në Krishtin çdo njeriu

    dhe, për të njëjtën arsye, ia zbulon njeriut vetveten.

    Në këtë dritë dhe vetëm në këtë dritë, merret me gjërat e tjera:

    me të drejtat njerëzore të secilit dhe, në veçanti, me “proletariatin”,

    me familjen dhe me edukimin, me detyrat e shtetit,

    me rendin e shoqërisë kombëtare e ndërkombëtare, me jetën ekonomike,

    me kulturën, me luftën e me paqen, me respektimin e jetës

    që prej momentit të ngjizjes e deri në vdekje».

    (Centesimus annus, 54)



    KAPITULLI I DHJETË

    MBROJTJA E MJEDISIT



    I. ASPEKTE BIBLIKE



    451 Përvoja e gjallë e pranisë hyjnore në histori është themeli i fesë së popullit të Hyjit: “Ishim skllevër të faraonit në Egjipt, dhe Zoti na nxori me dorë të fuqishme” (Lp 6, 21). Reflektimi mbi historinë mundëson përmbledhjen e të kaluarës dhe zbulimin e veprës së Hyjit deri në rrënjët vetjake: “Im atë ishte një sirian endacak” (Lp 26, 5); një Hyj që mund t’i thotë popullit të Vet: “Prandaj unë e mora Abrahamin, babain tuaj, prej tokës së Mesopotamisë” (Joz 24, 3). Është një reflektim që mundëson t’i drejtohemi me besim të ardhmes, falë premtimit dhe besëlidhjes që Hyji përtërin vazhdimisht.

    Feja e Izraelit jeton në kohën dhe në hapësirën e kësaj bote, të perceptuar jo si një mjedis armiqësor apo një e keqe prej të cilës duhet të lirohemi, por si një dhuratë të vetë Hyjit, vendin dhe projektin që Ai ia beson drejtimit të përgjegjshëm dhe punës së njeriut. Natyra, vepër e veprimit krijues hyjnor, nuk është një konkurrente e rrezikshme. Hyji, që i ka bërë të gjitha gjërat, për secilën prej tyre “pa se ishte gjë e mirë” (Zan 1, 4.10.12.18.21.25). Në majë të krijimit të Vet, si “shumë të mirë” (Zan 1, 31), Krijuesi vendosi njeriun. Vetëm burri dhe gruaja, mes të gjitha krijesave, janë dashur nga Zoti “në përngjasimin e Hyjit” (Zan 1, 27): atyre Ai u beson përgjegjësinë e krejt krijimit, detyrën për të mbrojtur harmoninë dhe zhvillimin e tyre (krh. Zan 1, 26-30). Lidhja e veçantë me Hyjin shpjegon pozicionin e privilegjuar të çiftit njerëzor në rendin e krijimit.

    452 Marrëdhënia e njeriut me botën është një element përbërës i dinjitetit njerëzor. Bëhet fjalë për një marrëdhënie që lind si fryt i lidhjes, edhe më të thellë, të njeriut me Hyjin. Zoti e ka dashur personin njerëzor si bashkëbisedues të Tij: vetëm në dialogun me Hyjin krijesa njerëzore gjen të vërtetën e vet, nga e cila frymëzohet dhe nxjerr norma për të projektuar të ardhmen e botës, një kopsht që Hyji i ka dhënë me qëllim që ta kyltivojë dhe ta ruajë (krh. Zan 2, 15). As mëkati nuk e zhduk këtë detyrë, edhe pse ai e rëndon me dhimbje dhe vuajtje fisnikërinë e punës (krh. Zan 3, 17-19).

    Krijimi është gjithmonë objekt i lavdit në lutjen e Izraelit: “Sa të shumta janë, o Zot, veprat e Tua! Të gjitha i ke bërë me urti të madhe” (Ps 104, 24). Shpëtimi kuptohet si një krijim i ri, që rivendos atë harmoni dhe atë potencialitet të rritjes që mëkati ka rrezikuar: “Ja, unë po krijoj, qiell të ri e tokë të re” (Is 65, 17) thotë Zoti “atëherë shkretëtira në kopsht do të shndërrohet… në kopsht drejtësia do ta ketë selinë… populli im do të banojë në një vend paqeje” (Is 32, 15b-18a).

    453 Shpëtimi përfundimtar, që Hyji i ofron krejt njerëzimit nëpërmjet vetë Birit të Vet, nuk vihet në jetë jashtë kësaj bote. Edhe pse e plagosur prej mëkatit, ajo ka për qëllim të njohë një pastrim rrënjësor (krh. 2 Pjt 3, 10) prej të cilit do të dalë i ripërtërirë (krh. Is 65, 17; 66, 22; Zb 21, 1), duke u bërë më në fund vendi në të cilin “do të banojë drejtësia” (krh. 2 Pjt 3, 13).

    Në shërbesën e Vet publike Jezusi vlerëson elementet natyrore. Ai nuk është vetëm interpretues i ditur i shëmbëlltyrave që do të ofrojë, por edhe zotërues (krh. episodin e stuhisë në Mt 14, 22-33; Mk 6, 45-52; Gjn 6, 16-21): Zoti e vë në shërbim të planit të Vet shëlbues. Ai u kërkon nxënësve të Vet që t’i shikojnë sendet, stinët dhe njerëzit me besimin e bijve që dinë se nuk mund të braktisen nga një Atë provanor (krh. Lk 11, 11-13). Larg nga të bërit skllav, nxënësi i Krishtit duhet të dijë t’i përdorë ato për të krijuar bashkëndarje dhe vëllazëri (krh. Lk 16, 9-13).

    454 Hyrja e Jezu Krishtit në historinë e botës kulmon në Pashkë, ku vetë natyra merr pjesë në dramën e Birit të mospranuar të Hyjit dhe në ngadhënjimin e Ngjalljes (krh. Mt 27, 45.51; 28, 2). Duke përshkuar vdekjen dhe duke futur në këtë vdekje të renë e shkëlqyeshme të Ngjalljes, Jezusi inauguron një botë të re në të cilën gjithçka i është nënshtruar Atij (krh. 1 Kor 15, 20-28) dhe rivendosë ato marrëdhënie të rendit dhe të harmonisë që mëkati kishte shkatërruar. Vetëdija e çekuilibrave mes njeriut dhe natyrës duhet të shoqërohet me vetëdijen se në Jezusin është bërë pajtimi i njeriut dhe i botës me Hyjin, kështu që çdo qenie njerëzore, e vetëdijshme për Dashurinë hyjnore, mund të rigjejë paqen e humbur: “Pra, nëse ndokush është në Krishtin, është një krijesë e re: e vjetra u zhduk, dhe, ja, u bë e reja” (2 Kor 5, 17). Natyra, që ishte krijuar në Fjalën, me anë të vetë Fjalës, së bërë mish, pajtohet dhe paqtohet me Hyjin (krh. Kol 1, 15-20).

    455 Jo vetëm brendësia e njeriut rishërohet, por krejt trupëria e tij është prekur nga forca shëlbuese e Krishtit; krejt krijimi merr pjesë në ripërtëritjen që buron nga Pashka e Zotit, edhe pse në gjëmimet e dhimbjeve të lindjes (krh. Rom 8, 19-23), në pritje që të nxjerrë në dritë “një qiell të ri dhe një tokë të re” (Zb 21, 1) që janë dhurata e kohëve të fundit, të shpëtimit të përmbushur. Ndërkohë, asgjë nuk është e huaj për këtë shpëtim: në çfarëdo kushtesh, i krishteri është thirrur t’i shërbejë Krishtit, të jetojë sipas Shpirtit të Tij, duke e lënë veten të drejtohet nga dashuria, parimi i një jete të re, që e çon botën dhe njeriun në projektin e zanafillës së tyre: “bota, jeta, vdekja, e tashmja, e ardhmja! Gjithçka është juaja, ju jeni të Krishtit e Krishti është i Hyjit” (1 Kor 3, 22-23).

  17. #57
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-08-2013
    Postime
    559

    Për: Përmbledje e doktrinës shoqërore të Kishës Katolike.

    PJESA E DYTË


    «… doktrina shoqërore ka në vetvete vlerën e një mjeti të ungjillëzimit:

    si e tillë, ia shpall Hyjin dhe misterin e shpëtimit në Krishtin çdo njeriu

    dhe, për të njëjtën arsye, ia zbulon njeriut vetveten.

    Në këtë dritë dhe vetëm në këtë dritë, merret me gjërat e tjera:

    me të drejtat njerëzore të secilit dhe, në veçanti, me “proletariatin”,

    me familjen dhe me edukimin, me detyrat e shtetit,

    me rendin e shoqërisë kombëtare e ndërkombëtare, me jetën ekonomike,

    me kulturën, me luftën e me paqen, me respektimin e jetës

    që prej momentit të ngjizjes e deri në vdekje».

    (Centesimus annus, 54)


    KAPITULLI I DHJETË

    MBROJTJA E MJEDISIT


    II. NJERIU DHE GJITHËSIA E GJËRAVE



    456 Vizioni biblik i frymëzon qëndrimet e të krishterëve në lidhje me përdorimin e tokës, si edhe të zhvillimit të shkencës dhe të teknikës. Koncili II i Vatikanit pohon se njeriu “pjesëmarrës i dritës së mendjes hyjnore, për mençuri të tij… me të drejtë mendon se i kapërcen të gjitha realitetet”;946 Etërit Konciliarë njohin përparimet e bëra falë zbatimit të palodhshëm të zgjuarsisë njerëzore përgjatë shekujve, në shkencat empirike, në artet teknike dhe në disiplinat liberale.947 Njeriu sot, “sidomos nëpërmjet shkencës dhe teknikës, e ka shtrirë dhe vazhdon ta shtrijë zotërimin e vet gati mbi krejt natyrën”.948

    Meqë njeriu “i krijuar në shëmbëlltyrë të Hyjit, ka marrë mandatin që ta qeverisë botën me drejtësi dhe shenjtëri, duke ia nënshtruar vetvetes tokën dhe gjithçka ajo ka, si dhe duke e vënë vetveten dhe krejt gjithësinë në raport39* me Hyjin, duke e njohur dhe duke e pranuar Hyjin si Krijues të të gjitha gjërave, pasi, në nënshtrimin e të gjitha gjërave njeriut, të jetë i madh emri i Hyjit mbi mbarë tokën”, Koncili mëson se “veprimtaria njerëzore individuale dhe kolektive, apo ajo përpjekje shumë e madhe me të cilën njerëzit përgjatë shekujve kërkojnë të përmirësojnë kushtet e tyre të jetës, në vetvete konsiderohet si në përputhje me projektin e Hyjit”.949

    457 Rezultatet e shkencës dhe të teknikës janë, në vetvete, pozitive: të krishterët “as nuk mendojnë t’ia kundërvënë atë që njerëzit kanë prodhuar me zgjuarsinë dhe me forcën e tyre fuqisë së Hyjit, as që krijesa racionale të jetë gati kundërshtare e Krijuesit; përkundrazi, ata janë të bindur se arritjet e njerëzimit janë shenjë e madhësisë së Hyjit dhe fryt i projektit të Tij të patregueshëm”.950 Etërit Konciliarë theksojnë edhe faktin se “sa më shumë që rritet pushteti i njerëzve, aq më shumë shtrihet përgjegjësia si e individëve dhe e bashkësisë”,951 dhe që çdo veprimtari njerëzore duhet të përputhet, sipas planit të Hyjit dhe vullnetit të Tij, me të mirën e vërtetë të njerëzimit.952 Në këtë perspektivë, Magjisteri shumë herë ka theksuar se Kisha Katolike nuk i kundërvihet në asnjë mënyrë përparimit,953 madje konsideron “shkencën dhe teknologjinë… një prodhim të mrekullueshëm të krijimtarisë njerëzore që është një dhuratë e Hyjit, nga momenti që na kanë dhënë mundësi të mrekullueshme, prej të cilave kemi dobi të gjithë me zemër mirënjohëse”.954 Për këtë arsye «si besimtarë të Hyjit, që e ka gjykuar “të mirë” natyrën e krijuar prej Tij, ne gëzojmë prej përparimit teknik dhe ekonomik, që njeriu me mençurinë e vet arrin të realizojë».955

    458 Konsiderimet e Magjisterit mbi shkencën dhe teknologjinë në përgjithësi vlejnë edhe për zbatimin e tyre në mjediset natyrore dhe bujqësore. Kisha çmon “përfitimet që rrjedhin dhe që mund të vazhdojnë të rrjedhin nga studimi dhe zbatimi i biologjisë molekulare, të plotësuar nga disiplina të tjera si gjenetika dhe zbatimi i saj teknologjik në bujqësi dhe industri”.956 Në fakt, “teknika mund të përbëjë, me një zbatim të drejtë, një mjet të çmueshëm dhe të vlefshëm për zgjidhjen e problemeve të rënda, duke filluar nga ato të urisë dhe të sëmundjes, nëpërmjet prodhimit të varieteteve të bimëve më të zhvilluara e më të qëndrueshme, si edhe të ilaçeve të vlefshme”.957 Por është e rëndësishme që të ripërsërisim konceptin e “zbatimit të drejtë”, pasi “ne e dimë se ky potencial nuk është asnjanës: ai mund të përdoret si për përparimin e njeriut, ashtu edhe për degradimin e tij”.958 Për këtë arsye “është e nevojshme … të kihet kujdes dhe të shqyrtohet me sy të kujdesshëm natyra, qëllimet dhe mënyrat e formave të ndryshme të teknologjisë së zbatuar”.959 Shkencëtarët, pra, duhet t’i përdorin me të vërtetë kërkimet e tyre dhe aftësitë e tyre teknike për shërbim të njerëzimit”,960 duke ditur t’i vënë nën vartësinë “e parimeve dhe të vlerave morale, me qëllim që ta respektojnë dhe ta realizojnë në plotësinë e vet dinjitetin e njeriut”.961

    459 Pikë qendrore referimi për çdo zbatim shkencor dhe teknik është respektimi i njeriut, që duhet të shoqërohet nga një qëndrim i drejtë respekti ndaj krijesave të tjera të gjalla. Edhe kur mendohet për një tjetërsim të tyre, “duhet të kihet parasysh natyra e çdo qenieje dhe lidhja e saj e ndërsjellë në një sistem të orientuar në mënyrë të renditur drejt një qëllimi”.962 Në këtë kuptim, mundësitë e mrekullueshme të kërkimit biologjik ngjallin shqetësime të thella, meqë “nuk jemi ende në gjendje që të masin çrregullimet që kemi futur në natyrë nga një manipulim pa dallim gjenetik dhe nga zhvillimi i pamend i llojeve të reja të bimëve dhe i formave të reja të kafshëve, për të mos folur për ndërhyrjet e papranueshme në zanafillën e vetë jetës njerëzore”.963 Në fakt, “nuk është marrë parasysh se zbatimi i disa zbulimeve në rrethin industrial dhe bujqësor prodhon, me kalimin e kohës, efekte negative. Kjo ka vënë ashpër në dukje se si asnjë ndërhyrje në një zonë të ekosistemit nuk mund të lërë mënjanë konsiderimin e rrjedhojave në sfera të tjera dhe, në përgjithësi, në mirëqenien e brezave të ardhshëm”.964

    460 Njeriu, pra, nuk duhet të harrojë se “aftësia e tij për të shndërruar dhe, në njëfarë kuptimi, për ta krijuar botën me punën e vet … zhvillohet gjithmonë në bazë të dhurimit të parë zanafillor të gjërave nga Hyji”.965 Ai nuk duhet “ta përdorë në mënyrë arbitrare tokën, t’ia nënshtrojë pa rezerva vullnetit të vet, sikur ajo të mos kishte një formë të vetën dhe një adresim të mëparshëm të caktuar nga Hyji, që njeriu mundet, po, ta zhvillojë, por jo ta tradhtojë atë”.966 Kur sillet në këtë mënyrë, “në vend që ta zhvillojë rolin e vet si bashkëpunëtor i Hyjit në veprën e krijimit, njeriu e zëvendëson Hyjin dhe arrin të shkaktojë kryengritjen e natyrës, më shumë të tiranizuar sesa të qeverisur prej tij”.967

    Nëse njeriu ndërhyn mbi natyrën pa abuzuar dhe pa e dëmtuar atë, mund të thuhet se “ndërhyn jo për ta modifikuar natyrën, por për ta ndihmuar atë që të zhvillohet sipas thelbit të saj, atij të krijimit, të dashur prej Hyjit. Duke punuar në këtë fushë, kaq dukshëm delikate, kërkuesi bashkëngjitet me planin e Hyjit. Hyji ka dashur që njeriu të ishte mbreti i krijimit”.968 Në fund, është vetë Hyji që i jep njeriut nderin për të bashkëvepruar me të gjitha forcat e inteligjencës në veprën e krijimit.

  18. #58
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-08-2013
    Postime
    559

    Për: Përmbledje e doktrinës shoqërore të Kishës Katolike.

    PJESA E DYTË


    «… doktrina shoqërore ka në vetvete vlerën e një mjeti të ungjillëzimit:

    si e tillë, ia shpall Hyjin dhe misterin e shpëtimit në Krishtin çdo njeriu

    dhe, për të njëjtën arsye, ia zbulon njeriut vetveten.

    Në këtë dritë dhe vetëm në këtë dritë, merret me gjërat e tjera:

    me të drejtat njerëzore të secilit dhe, në veçanti, me “proletariatin”,

    me familjen dhe me edukimin, me detyrat e shtetit,

    me rendin e shoqërisë kombëtare e ndërkombëtare, me jetën ekonomike,

    me kulturën, me luftën e me paqen, me respektimin e jetës

    që prej momentit të ngjizjes e deri në vdekje».

    (Centesimus annus, 54)


    KAPITULLI I DHJETË

    MBROJTJA E MJEDISIT

    III. KRIZA NË MARRËDHËNIEN

    MES NJERIUT DHE MJEDISIT


    461 Mesazhi biblik dhe Magjisteri kishtar përbëjnë pikat e referimit thelbësor për të vlerësuar problemet që vihen në marrëdhëniet mes njeriut dhe mjedisit.969 Në zanafillë të këtyre problemeve mund të dallohet pretendimi i ushtrimit të një zotërimi të pakushtëzuar të gjërave nga njeriu, një njeri moskokëçarës ndaj këtyre konsideratave të rendit moral që duhet të dallojnë çdo veprimtari njerëzore.

    Tendenca për një shfrytëzim “moskokëçarës”970 të burimeve të krijimit është rezultati i një procesi të gjatë historik dhe kulturor: “Epoka moderne ka regjistruar një aftësi në rritje të ndërhyrjeve shndërruese nga njeriu. Aspekti i bërjes për vete dhe i shfrytëzimit të burimeve është bërë mbisundues dhe është përhapur në mënyrë pushtuese, si edhe ka arritur sot të kërcënojë vetë aftësinë mikpritëse të mjedisit: mjedisi si “burim” rrezikon të kërcënojë mjedisin si “shtëpi”. Për shkak të mjeteve të fuqishme të shndërrimit, të ofruara nga qytetërimi teknologjik, nganjëherë duket se ekuilibri njeri-mjedis ka arritur një pikë kritike”.971

    462 Natyra duket si një vegël në duart e njeriut, një realitet që ai duhet ta manipulojë vazhdimisht, sidomos nëpërmjet teknologjisë. Duke u nisur nga premisa, që ka dalë e gabuar, se ekziston një sasi e pakufizuar energjie dhe burimi për t’u përdorur, se ripërtëritja e tyre është e mundur në mënyrë të menjëhershme dhe se efektet negative të manipulimit të rendit natyror lehtësisht mund të përthithen, është përhapur një konceptim zvogëlues që e lexon botën natyrore nga një këndvështrim mekanikistik dhe zhvillimin nga ai konsumistik; parësia që i është veshur të bërit dhe të pasurit më shumë se të qenët shkakton forma të rënda tjetërsimi njerëzor”.972

    Një qëndrim i tillë nuk rrjedh nga kërkimi shkencor dhe teknologjik, por nga një ideologji shkencëtiste40* dhe teknokratike41* që priret ta kushtëzojë atë. Shkenca dhe teknika, me përparimin e tyre, nuk eliminojnë nevojën për transhendencë dhe nuk janë në vetvete shkak i shekullarizimit të egërsuar që çon në nihilizëm42*; ndërsa përparojnë në udhën e tyre, ato ngjallin pyetje rreth domethënies së tyre dhe bëjnë që të shtohet nevoja për të respektuar përmasën transhendente të personit njerëzor dhe të vetë krijimit.

    463 Një konceptim i drejtë i mjedisit, ndërsa nga njëra anë nuk mund ta ulë në mënyrë utilitariste43* natyrën thjesht në një objekt manipulimi dhe shfrytëzimi, nga ana tjetër nuk duhet ta absolutizojë dhe ta vendosë atë në dinjitet mbi vetë personin njerëzor. Në këtë rast, arrihet deri në hyjnizimin e natyrës apo të tokës, ashtu siç mund të ndeshet me lehtësi në disa lëvizje ekologjiste që kërkojnë t’u jepet një profil i garantuar institucional nga ana ndërkombëtare konceptimeve të tyre.973

    Magjisteri e ka motivuar kundërshtimin e vet për një konceptim të mjedisit të frymëzuar nga ekocentrizmi dhe biocentrizmi44*, pasi ai “propozon të eliminojë ndryshimin ontologjik dhe aksiologjik45* mes njeriut dhe qenieve të tjera të gjalla, duke e konsideruar biosferën si një njësi bioetike me vlerë të padiferencuar. Kështu arrihet në eliminimin e përgjegjësisë më të lartë të njeriut në dobi të një konsiderimi të barazueshmërisë së “dinjitetit” të të gjitha qenieve të gjalla”.974

    464 Një vizion i njeriut dhe i sendeve i shkëputur nga çdo referim me transhendencën ka çuar në mospranimin e konceptit mbi krijimin dhe që t’u vishet njeriut e natyrës një ekzistencë krejtësisht autonome. Lidhja që bashkon botën me Hyjin në këtë mënyrë është këputur: kjo prishje ka çuar në shkëputjen nga toka edhe të njeriut dhe, më rrënjësisht, ka varfëruar vetë identitetin e tij. Qenia njerëzore është gjendur në ato kushte që të mendojë se është një i huaj në kontekstin e mjedisit ku jeton. Është krejt e qartë pasoja që rrjedh prej kësaj: “është marrëdhënia e njeriut me Hyjin që përcakton marrëdhënien e njeriut me të ngjashmit e vet dhe me mjedisin e vet. Ja pse kultura e krishterë gjithmonë i ka njohur krijesat që e rrethojnë njeriun si dhurata të Hyjit, me të cilat duhet të merret dhe të cilat duhet t’i ruajë me ndjenjë mirënjohjeje ndaj Krijuesit. Në veçanti, përshpirtëria benediktine dhe ajo françeskane kanë dëshmuar këtë lloj lidhjeje të thellë të njeriut me mjedisin e krijuar, duke ushqyer tek njeriu një qëndrim respektimi për çdo realitet të botës që e rrethon”.975 Duhet të vihet më në dukje lidhja e thellë që ekziston mes ekologjisë mjedisore dhe “ekologjisë njerëzore”.976

    465 Magjisteri thekson përgjegjësinë njerëzore në mbrojtjen e një mjedisi të plotë dhe të shëndetshëm për të gjithë:977 “Njerëzimi i sotëm, nëse do t’ia arrijë t’i bashkojë aftësitë e reja shkencore me një përmasë të fortë etike, do të jetë me siguri në gjendje të nxisë mjedisin si shtëpi dhe si burim në dobi të njeriut dhe të të gjithë njerëzve, do të jetë në gjendje të eliminojë faktorët ndotës, të sigurojë kushte higjiene dhe shëndeti të përshtatshme për grupet e vogla ashtu si edhe për ngulimet e mëdha njerëzore. Teknologjia që ndot mund edhe të mos ndotë, prodhimin që grumbullon mund ta shpërndajë në mënyrë të barabartë, me kusht që të mbizotërojë etika e respektimit të jetës dhe e dinjitetit të njeriut, e të drejtave të brezave njerëzore të sotëm dhe të atyre që do të vijnë”.978

  19. #59
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-08-2013
    Postime
    559

    Për: Përmbledje e doktrinës shoqërore të Kishës Katolike.

    PJESA E DYTË


    «… doktrina shoqërore ka në vetvete vlerën e një mjeti të ungjillëzimit:

    si e tillë, ia shpall Hyjin dhe misterin e shpëtimit në Krishtin çdo njeriu

    dhe, për të njëjtën arsye, ia zbulon njeriut vetveten.

    Në këtë dritë dhe vetëm në këtë dritë, merret me gjërat e tjera:

    me të drejtat njerëzore të secilit dhe, në veçanti, me “proletariatin”,

    me familjen dhe me edukimin, me detyrat e shtetit,

    me rendin e shoqërisë kombëtare e ndërkombëtare, me jetën ekonomike,

    me kulturën, me luftën e me paqen, me respektimin e jetës

    që prej momentit të ngjizjes e deri në vdekje».

    (Centesimus annus, 54)


    KAPITULLI I DHJETË

    MBROJTJA E MJEDISIT

    IV. NJË PËRGJEGJËSI E PËRBASHKËT



    a) Mjedisi, një e mirë kolektive

    466 Mbrojtja e mjedisit përbën një sfidë për krejt njerëzimin: bëhet fjalë për detyrën e përbashkët dhe universale, të respektimit të një të mire kolektive,979 që është për të gjithë, duke penguar që të mund të bëhet “një përdorim i pandëshkuar i kategorive të ndryshme të qenieve, frymore apo jo frymore kafshë, bimë, elemente të natyrës sipas dëshirës, sipas nevojave vetjake”.980 Është një përgjegjësi që duhet të piqet në bazë të globalitetit të krizës së sotme ekologjike dhe të nevojës që rrjedh prej saj për t’i bërë ballë në mënyrë globale, meqë të gjitha qeniet varen nga njëra-tjetra në rendin universal të caktuar nga Krijuesi: “duhet të kihet parasysh natyra e çdo qenieje dhe e lidhjes së saj të dyanshme me një sistem të orientuar në mënyrë të renditur drejt një qëllimi, që është pra kozmosi”.981

    Kjo perspektivë merr një rëndësi të veçantë kur merret në shqyrtim, në kontekstin e lidhjeve të ngushta që bashkojnë mes tyre ekosisteme të ndryshme, vlera mjedisore të biodiversitetit46*, që trajtohet me ndjenjë përgjegjësie dhe mbrohet në mënyrë të përshtatshme, sepse përbën një pasuri të jashtëzakonshme për krejt njerëzimin. Për këtë, secili ndoshta mund të vërë re, për shembull, rëndësinë e krahinës së Amazonës, “njëra prej hapësirave më të vlerësuara në botë për diversitetin e saj biologjik, që e bën jetike për ekuilibrin mjedisor të krejt planetit”.982 Pyjet ndihmojnë në ruajtjen e ekuilibrave thelbësorë natyrorë të domosdoshëm për jetën.983 Shkatërrimi i tyre, edhe nëpërmjet zjarreve të pamend të vëna me dashje, përshpejton proceset e shkretimit me rrjedhoja të rrezikshme për rezervat e ujit dhe vë në rrezik jetën e shumë popujve vendas dhe mirëqenien e brezave të ardhshëm. Të gjithë, individë dhe subjekte institucionale, duhet të ndihen të angazhuar në mbrojtjen e pasurisë pyjore dhe, kur është e nevojshme, të nxiten programe të përshtatshme ripyllëzimi.

    467 Përgjegjësia ndaj mjedisit, pasuri e përbashkët e gjinisë njerëzore, shtrihet jo vetëm për nevojat e sotme, por edhe për ato të ardhshme: “Trashëgimtarë të brezave të kaluar dhe përfitues të punës së bashkëkohësve tanë, ne kemi detyrime ndaj të gjithëve, dhe nuk mund të mos interesohemi për ata që do të vijnë pas nesh për ta zgjeruar rrethin e familjes njerëzore. Solidariteti universal, që është një fakt dhe për ne një e mirë, është edhe ai një detyrë”.984 Bëhet fjalë për një përgjegjësi që brezat e sotëm kanë në lidhje me ata të ardhshëm,985 një përgjegjësi që i përket edhe çdo Shteti dhe Bashkësisë ndërkombëtare.

    468 Përgjegjësia ndaj mjedisit duhet të gjejë një përkthim të përshtatshëm në nivel juridik. Është e rëndësishme që Bashkësia ndërkombëtare të përpunojë rregulla të njëjta, me qëllim që ky rregullim t’u mundësojë Shteteve që të kontrollojnë me një efektshmëri më të madhe veprimtaritë e ndryshme, që shkaktojnë efekte negative në mjedis, dhe të ruajnë ekosistemet, duke parandaluar zjarre të mundshme: “Çdo Shteti i përket, në rrethin e territorit të vet, detyra që të parandalojë degradimin e atmosferës dhe të biosferës, duke kontrolluar me kujdes, përveç të tjerave, efektet e zbulimeve të reja teknologjike apo shkencore dhe duke u ofruar qytetarëve të vet garancinë që të mos ekspozohen ndaj lëndëve ndotëse apo mbeturinave helmuese”.986

    Përmbajtjet juridike “të së drejtës për një mjedis të shëndetshëm dhe të sigurt”987 do të jenë fryti i një përpunimi shkallë-shkallë, të nxitur nga shqetësimi i opinionit publik për ta disiplinuar përdorimin e të mirave të krijimit sipas kërkesave të së mirës së përbashkët dhe me një vullnet të përbashkët për të vendosur sanksione për ata që ndotin. Megjithatë, nuk mjaftojnë vetëm normat juridike;988 krahas tyre duhet të piqet një ndjenjë e fortë përgjegjësie dhe një ndryshim real i mendësisë dhe i stilit të jetës.

    469 Autoritetet e thirrura që të marrin vendime për t’u bërë ballë rreziqeve shëndetësore dhe mjedisore, nganjëherë gjenden përballë situatave në të cilat, të dhënat shkencore që zotërojnë janë kontradiktore apo të pamjaftueshme nga ana sasiore: atëherë mund të jetë me vend të bëhet një vlerësim i frymëzuar nga “parimi i masave paraprake”, që nuk bashkëmbart zbatimin e një rregulli, por të një orientimi të drejtuar për të mbarështuar situata të pasigurta. Ai tregon nevojën për një vendim të përkohshëm dhe të modifikueshëm në bazë të njohurive të reja që arrihen. Vendimi duhet të jetë në përpjesëtim me masat që po merren tashmë për rreziqet e tjera. Politikat parandaluese, të bazuara në parimin e masave paraprake, kërkojnë që vendimet të bazohen mbi një krahasim mes rreziqeve dhe të mirave të hipotizuara për çdo zgjedhje të mundshme alternative, përfshirë këtu edhe vendimin për të mos ndërhyrë fare. Me përçapjen e masave paraprake lidhet nevoja që të nxitet çdo përpjekje për të fituar dije më të thelluara, edhe pse të vetëdijshëm se shkenca nuk mund të arrijë me shpejtësi përfundime rreth mungesës së rreziqeve. Rrethanat e pasigurisë dhe të përkohësisë e bëjnë veçanërisht të rëndësishme transparencën në procesin vendimmarrës.

    470 Programimi i zhvillimit ekonomik duhet ta shqyrtojë me kujdes “nevojën për të respektuar integritetin dhe ritmet e natyrës”989, pasi burimet natyrore janë të kufizuara dhe disa nuk mund të ripërtërihen. Ritmi i sotëm i shfrytëzimit rrezikon seriozisht mundësinë e përdorimit të disa burimeve natyrore sot dhe në të ardhmen.990 Zgjidhja e problemit ekologjik kërkon që veprimtaria ekonomike ta respektojë më shumë mjedisin, duke pajtuar kërkesat për zhvillim ekonomik me ato të mbrojtjes mjedisore. Çdo veprimtari ekonomike që shfrytëzon burimet natyrore, duhet të shqetësohet edhe për ruajtjen e mjedisit dhe të parashikojë shpenzimet, të cilat duhet të vlerësohen si “një zë thelbësor i shpenzimeve të veprimtarisë ekonomike”.991 Në këtë kontekst duhet të shqyrtohen marrëdhëniet mes veprimtarisë njerëzore dhe ndryshimeve klimaterike që, falë kompleksitetit të tyre të skajshëm, duhet të ndiqen si duhet dhe vazhdimisht në nivel shkencor, politik dhe juridik, kombëtar dhe ndërkombëtar. Klima është një e mirë që duhet të mbrohet dhe kërkon që, në sjelljet e tyre, konsumatorët dhe operatorët e veprimtarisë industriale të zhvillojnë një ndjenjë më të madhe përgjegjësie.992

    Një ekonomi që respekton mjedisin nuk ndjek vetëm objektivin e ngritjes në maksimum të fitimit, pasi mbrojtja e mjedisit nuk mund të sigurohet vetëm në bazë të llogaritjeve të shpenzimeve dhe të përfitimit. Mjedisi është njëra prej atyre të mirave që mekanizmat e tregut nuk janë në gjendje ta mbrojnë apo ta nxisin si duhet.993 Të gjitha vendet, në veçanti ato të zhvilluara, duhet ta ndiejnë si të ngutshëm detyrimin e rishqyrtimit të mënyrave të përdorimit të të mirave natyrore. Kërkimi i risive të afta për të ulur ndikimin negativ të mjedisit të shkaktuar nga prodhimi dhe nga konsumi duhet të stimulohet në mënyrë të efektshme.

    Një vëmendje më e veçantë duhet të kihet për problematikat më komplekse që kanë lidhje me burimet energjitike.994 Ato të paripërtëritshmet, të cilat përdoren nga Vendet shumë të industrializuara dhe ato të industrializuara kohët e fundit, duhet të vihen në shërbim të krejt njerëzimit. Në një perspektivë morale që mbart gjurmën e barazisë dhe të solidaritetit ndërbreznor, do të duhej, gjithashtu, të vazhdohej, nëpërmjet ndihmesës së bashkësisë shkencore, me identifikimin e burimeve të reja energjitike, me zhvillimin e burimeve alternative dhe me ngritjen e niveleve të sigurisë së energjisë bërthamore.995 Përdorimi i energjisë, për vetë lidhjet që ka me çështjet e zhvillimit të mjedisit, përfshin përgjegjësitë politike të Shteteve, të bashkësisë ndërkombëtare dhe të operatorëve ekonomikë; këto përgjegjësi do të duhet të ndriçohen dhe të drejtohen nga kërkimi i vazhdueshëm i të mirës së përbashkët universale.

    471 Një vëmendje të posaçme meriton marrëdhënia që popujt vendas kanë me tokën e tyre dhe me burimet e saj: bëhet fjalë për një shprehje themelore të identitetit të tyre.996 Shumë popuj kanë humbur tashmë apo rrezikojnë të humbin, në përfitim të interesave të fuqishme agro--industriale apo për shkak të proceseve të asimilimit dhe të urbanizimit, tokat në të cilat jetojnë,997 me të cilat është e lidhur vetë domethënia e jetës së tyre.998 Të drejtat e popujve vendas duhet të mbrohen siç duhet.999 Këta popuj japin një shembull jete në harmoni me mjedisin që ato kanë mësuar ta njohin dhe ta ruajnë:1000 përvoja e tyre e jashtëzakonshme, që është një pasuri e pazëvendësueshme për krejt njerëzimin, rrezikon të humbasë së bashku me mjedisin prej ku ajo zë fill.

    b) Përdorimi i bioteknologjive

    472 Në vitet e fundit është diktuar me forcë çështja e përdorimit të bioteknologjive të reja për qëllime që lidhen me bujqësinë, zooteknikën, mjekësinë dhe mbrojtjen e mjedisit. Mundësitë e reja të ofruara nga teknikat e reja biologjike dhe biogjenetike ngjallin, nga njëra anë, shpresë dhe entuziazëm dhe, nga ana tjetër, alarm dhe armiqësi. Zbatimet e bioteknologjisë, lejueshmëria e tyre nga këndvështrimi moral, rrjedhojat e tyre për shëndetin e njeriut, ndikimi i tyre mbi mjedisin dhe ekonominë, përbëjnë një objekt studimi të thelluar dhe diskutimi të ndezur. Bëhet fjalë për çështje të diskutueshme që përfshijnë shkencëtarë dhe kërkues, politikanë dhe ligjvënës, ekonomistë dhe ambientalistë, prodhues dhe konsumatorë. Të krishterët nuk janë mospërfillës ndaj këtyre problematikave, të vetëdijshëm për rëndësinë e vlerave që janë në lojë.1001

    473 Vizioni i krishterë i krijimit bashkëmbart një gjykim pozitiv rreth lejueshmërisë së ndërhyrjeve të njeriut mbi natyrën, përfshirë këtu edhe qeniet e tjera të gjalla, dhe, në të njëjtën kohë, një thirrje të fortë për domethënien e përgjegjësisë.1002 Natyra nuk është, në fakt, një realitet i shenjtë apo hyjnor, që s’ka të bëjë me veprimin njerëzor. Ajo është saktësisht dhurata që Krijuesi i ka bërë bashkësisë njerëzore, ia ka besuar mençurisë dhe përgjegjësisë morale të njeriut. Për këtë, ky i fundit nuk kryen një akt të paligjshëm kur, duke respektuar rendin, bukurinë dhe dobinë e çdo qenieje të gjallë dhe funksionin e tyre në ekosistem, ndërhyn duke modifikuar disa karakteristika dhe veçori të tyre. Janë të dënueshme ato ndërhyrje të njeriut që dëmtojnë qeniet e gjalla apo mjedisin natyror, ndërsa janë të lavdërueshme kur kthehen në një përmirësim të tyre. Lejueshmëria e përdorimit të teknikave biologjike dhe të biogjenetikës nuk e sos krejt problematikën etike: ashtu si për çdo sjellje njerëzore, është e nevojshme të vlerësojmë me kujdes dobishmërinë e tyre reale, si dhe rrjedhojat e tyre të mundshme edhe në terma rrezikshmërie. Në rrethin e ndërhyrjeve tekniko-shkencore me mprehtësi të fortë dhe të gjerë tek organizmat e gjallë, me mundësinë e ndikimeve të forta me kalimin e kohës, nuk është e ligjshme të veprohet me mendjelehtësi dhe papërgjegjësi.

    474 Bioteknologjitë moderne kanë një ndikim të fortë shoqëror, ekonomik dhe politik, në planin lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar: ato duhet të vlerësohen në përputhje me kriteret etike, që gjithmonë duhet të orientojnë veprimtaritë dhe marrëdhëniet njerëzore në rrethin socio-ekonomik dhe në atë politik.1003 Duhet të mbahen parasysh sidomos kriteret e drejtësisë dhe të solidaritetit, të cilave duhet t’u përmbahen para së gjithash individët dhe grupet që veprojnë në kërkimin dhe tregtimin në fushën e bioteknologjive. Megjithatë, nuk duhet të biem në gabim e të besojmë se vetëm përhapja e përfitimeve të lidhura me bioteknologjitë e reja mund t’i zgjidhë të gjitha problemet e ngutshme të varfërisë dhe të nënzhvillimit, që ende vazhdojnë të mundojnë shumë Vende të planetit.

    475 Në një frymë solidariteti ndërkombëtar, masa të ndryshme mund të vihen në jetë në lidhje me përdorimin e bioteknologjive të reja. Lehtësohet, në vend të parë, ndërshkëmbimi tregtar i barabartë, i lirë nga lidhjet e padrejta. Por nxitja e zhvillimit të popujve në gjendje më të pavolitshme nuk do të jetë autentike dhe e efektshme nëse ajo ulet vetëm në nivelin e ndërshkëmbimit të mallrave. Është e domosdoshme të favorizohet edhe pjekuria e një autonomie të nevojshme shkencore dhe teknologjike nga ana e këtyre popujve, duke nxitur ndërshkëmbimet e njohurive shkencore dhe teknologjike, si dhe transferimin e teknologjive drejt Vendeve në rrugën e zhvillimit.

    476 Solidariteti bashkëmbart edhe një thirrje për përgjegjësinë që kanë Vendet në rrugën e zhvillimit dhe në veçanti, autoritetet politike, që të nxisin një politikë tregtare në favor të popujve të tyre dhe një ndërshkëmbim teknologjishë të përshtatshme për të përmirësuar kushtet e tyre ushqimore dhe shëndetësore. Në këto Vende duhet të rriten investimet për kërkimet, me një vëmendje të veçantë ndaj karakteristikave dhe nevojave të posaçme të territorit dhe të popullatës së tyre, sidomos duke pasur parasysh që disa kërkime në fushën e bioteknologjive, potencialisht të dobishme, kërkojnë investime relativisht modeste. Për këtë qëllim do të ishte i nevojshëm krijimi i Organizmave kombëtarë të caktuar për mbrojtjen e të mirës së përbashkët nëpërmjet një mbarështimi të kujdesshëm të rreziqeve.

    477 Shkencëtarët dhe teknikët e angazhuar në sektorin e bioteknologjive janë të thirrur që të punojnë me mençuri dhe ngulmim në kërkimin e zgjidhjeve më të mira për problemet e rënda dhe të ngutshme të ushqyerjes dhe të shëndetësisë. Ata nuk duhet të harrojnë se veprimtaritë e tyre kanë të bëjnë me materiale, frymore dhe jo, që i përkasin njerëzimit si një pasuri, e caktuar edhe për brezat e ardhshëm; për besimtarët bëhet fjalë për një dhuratë të marrë nga Krijuesi, besuar mençurisë dhe lirisë njerëzore, edhe ato dhuratë të Tejet të Lartit. Që shkencëtarët të dinë t’i angazhojnë energjitë dhe aftësitë e tyre në një kërkim plot pasion, të drejtuar nga një ndërgjegje e pastër dhe e ndershme.1004

    478 Sipërmarrësit dhe përgjegjësit e enteve publike që merren me kërkimin, prodhimin dhe tregtimin e prodhimeve të bioteknologjive të reja duhet të kenë parasysh jo vetëm përfitimin e ligjshëm, por edhe të mirën e përbashkët. Ky parim, i vlefshëm për çdo lloj veprimtarie ekomomike, bëhet veçanërisht i rëndësishëm kur bëhet fjalë për veprimtari që kanë të bëjnë me të ushqyerit, mjekësinë, mbrojtjen e shëndetit dhe të mjedisit. Me vendimet e tyre, sipërmarrësit dhe përgjegjësit e enteve të interesuara publike mund t’i orientojnë zhvillimet në sektorin e bioteknologjive drejt pikarritjeve shumë premtuese për sa i përket luftës kundër varfërisë, sidomos në Vendet më të varfra, kundër sëmundjeve dhe mbrojtjes së ekosistemit, pasurisë së të gjithëve.

    479 Politikanët, ligjvënësit dhe administratorët publikë kanë përgjegjësinë për të vlerësuar potencialitetet, përfitimet dhe rreziqet e mundshme të lidhura me përdorimin e bioteknologjive. Nuk është për t’u uruar që vendimet e tyre, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, të diktohen nga presione që vijnë nga interesat e palëve. Autoritetet publike duhet të favorizojnë edhe një informacion të saktë të opinionit publik dhe të dinë, megjithatë, të marrin vendimet më të përshtatshme për të mirën e përbashkët.

    480 Edhe përgjegjësit e informacionit kanë një detyrë të rëndësishme, që duhet ta kryejnë me kujdes dhe objektivitet. Shoqëria pret prej tyre një informacion të plotë dhe objektiv, që t’i ndihmojë qytetarët të formohen sipas një opinioni të saktë mbi prodhimet bioteknologjike, sidomos sepse bëhet fjalë për diçka që u përket drejtpërsëdrejti si konsumatorë të mundshëm të tyre. Duhet të shmanget rënia në tundimin e një informacioni sipërfaqësor, të ushqyer nga entuziazme të lehta apo nga alarmizma47* të pajustifikueshëm.

    c) Mjedisi dhe bashkëndarja e të mirave

    481 Edhe në fushën e ekologjisë, Doktrina shoqërore fton që të kihet parasysh se të mirat e tokës janë krijuar nga Hyji për t’u përdorur me urti nga të gjithë: këto të mira duhet të ndahen me drejtësi, në përputhje me drejtësinë dhe dashurinë. Thelbësisht bëhet fjalë për pengimin e padrejtësisë për akaparimin e të mirave: koprracia, qoftë individuale apo kolektive, është kundër rendit të krijimit.1005 Problemet e sotme ekologjike, me karakter planetar, mund të trajtohen me efektshmëri vetëm falë një bashkëveprimi ndërkombëtar të aftë për të garantuar një bashkërenditje më të madhe të përdorimit të burimeve të tokës.

    482 Parimi i adresimit universal të të mirave ofron një orientim themelor, moral dhe kulturor, për të zgjidhur nyjën komplekse dhe dramatike që lidh bashkë krizën e mjedisit dhe varfërinë. Kriza e sotme mjedisore godet në mënyrë të veçantë më të varfrit, si për faktin se këta të fundit jetojnë në toka nën kërcënimin e erozioneve dhe shkretimeve apo janë të përfshirë në konflikte të armatosura ose të shtrënguar që të dynden në mënyrë të detyruar, ashtu edhe për faktin se nuk kanë mjete ekonomike dhe teknologji për t’u mbrojtur nga fatkeqësitë natyrore.

    Shumë prej këtyre të varfërve jetojnë në rrethinat e ndotura të qyteteve në strehime të rastit apo në qendra banimi me shtëpi në rrezik shembjeje dhe të rrezikshme (slums, bidonville, barrios, favelas). Në rast se ata duhet të transferohen dhe për të mos i shtuar vuajtjes vuajtje të tjera, është e nevojshme t’u jepet një informacion i përshtatshëm dhe paraprak, t’u ofrohen alternativa banesash dinjitoze dhe të përfshihen drejtpërsëdrejti të interesuarit.

    Të kihet parasysh, gjithashtu, gjendja e Vendeve të penalizuara nga rregullat e një tregtie ndërkombëtare jo të drejtë, në të cilat vazhdon një skamje kapitalesh të rënduar shpesh nga barra e borxhit të jashtëm: në këto raste uria dhe varfëria e bëjnë gati të pashmangshëm një shfrytëzim intensiv dhe të tepruar të mjedisit.

    483 Lidhja e ngushtë që ekziston mes zhvillimit të vendeve më të varfra, ndryshimet demografike dhe një përdorim i pranueshëm i mjedisit, nuk duhet të përdoret si pretekst për zgjedhje politike dhe ekonomike pak në përputhje me dinjitetin e personit njerëzor. Në Veri të planetit asistohet në një “rënie të numrit të lindjeve, me ndikime në plakjen e popullsisë, të paaftë edhe për t’u ripërtërirë biologjikisht”,1006 ndërsa në Jug gjendja është krejt tjetër. Nëse është e vërtetë që shpërndarja e pabarabartë e popullatës dhe e burimeve në dispozicion krijon pengesa për zhvillimin dhe për një përdorim të pranueshëm të mjedisit, duhet të pranohet se rritja demografike është plotësisht e pajtueshme me një zhvillim tërësor dhe solidar:1007 “Të gjithë jemi të një mendjeje se një politikë demografike është vetëm një pjesë e krejt strategjisë së zhvillimit global. Si rrjedhim është e rëndësishme që të gjitha diskutimet rreth politikave demografike të marrin parasysh zhvillimin e sotëm dhe të ardhshëm të shteteve dhe të rajoneve. Në të njëjtën kohë është e pamundur që të mos kihet parasysh natyra autentike e domethënies së termit “zhvillim”. Çdo zhvillim i denjë për këtë emër duhet të jetë i plotë, apo i drejtuar nga e mira autentike e çdo personi dhe e krejt personit”.1008

    484 Parimi i qëllimit universal të të mirave zbatohet natyrisht edhe për ujin, të quajtur nga Shkrimi i shenjtë si simboli i pastrimit (krh. Ps 51, 4; Gjn 13, 8) dhe i jetës (krh. Gjn 3, 5; Gal 3, 27): “Meqë është dhuratë e Hyjit, uji është element jetësor, prej të cilit s’mund të hiqet dorë për mbijetesën dhe, si rrjedhim, është një e drejtë për të gjithë”.1009 Përdorimi i ujit dhe i shërbimeve të lidhura me të duhet të orientohet drejt plotësimit të nevojave të të gjithëve dhe sidomos të personave që jetojnë në varfëri. Një mundësi e kufizuar për përdorimin e ujit të pijshëm rëndon mbi mirëqenien e një numri të stërmadh personash dhe shpesh është shkak sëmundjesh, vuajtjesh, konfliktesh, varfërish dhe madje edhe vdekjesh: që të mund të zgjidhet në mënyrë të përshtatshme, kjo çështje “duhet të inkuadrohet në mënyrë që të vendosë kritere morale të bazuara pikërisht mbi vlerat e jetës dhe mbi respektimin e të drejtave dhe të dinjitetit të të gjitha qenieve njerëzore”.1010

    485 Uji, për vetë natyrën e vet, nuk mund të trajtohet thjesht një mall si të tjerët dhe përdorimi i tij duhet të jetë racional dhe solidar. Shpërndarja e tij hyn, tradicionalisht, mes përgjegjësive të enteve publike, pasi uji gjithmonë është konsideruar si një e mirë publike, karakteristikë që duhet të ruhet edhe atëherë kur mbarështimi i besohet sektorit privat. E drejta për ujë,1011 si të gjitha të drejtat e njeriut, bazohet në dinjitetin njerëzor, dhe jo në vlerësime të llojit thjesht sasior, që e konsiderojnë ujin vetëm si një të mirë ekonomike. Pa ujë jeta është e kërcënuar. Pra, e drejta e ujit është një e drejtë universale dhe e patjetërsueshme.

    d) Stile të reja jetese

    486 Problemet e rënda ekologjike kërkojnë një ndryshim efektiv mendësie që çon në marrjen e stileve të reja të jetës,1012 “në të cilat kërkimi i të vërtetës, i të bukurës, i të mirës dhe bashkësia me njerëzit e tjerë për një rritje të përbashkët të jenë elementet që përcaktojnë zgjedhjet e konsumit, të kursimit dhe të investimeve”.1013 Këto stile jete duhet të frymëzohen nga përkorja, nga vetëpërmbajtja, nga vetëdisiplina, në planin personal dhe shoqëror. Duhet të dilet nga logjika thjesht e konsumit dhe të nxiten forma të prodhimit bujqësor e industrial që të respektojnë rendin e krijimit dhe të plotësojnë nevojat parësore të të gjithëve. Një qëndrim i tillë, i favorizuar nga një vetëdije e ripërtërirë e ndërvarësisë që lidh mes tyre të gjithë banorët e tokës, ndihmon në eliminimin e shkaqeve të ndryshme të shkatërrimeve ekologjike dhe garanton një aftësi përgjigjëse të volitshme kur këto shkatërrime godasin popuj e territore.1014 Çështja ekologjike nuk duhet të trajtohet vetëm për perspektivat ngjethëse që degradimi mjedisor përvijon: ajo duhet të kthehet, sidomos, në një motivim të fortë për një solidaritet t-ë përnjëmendtë në përmasa botërore.

    487 Qëndrimi që duhet ta karakterizojë njeriun përballë krijimit është thelbësisht ai i mirënjohjes: bota, në fakt, na çon tek Hyji që e ka krijuar dhe që e mban atë. Nëse nuk merret parasysh marrëdhënia me Hyjin, natyra boshatiset prej domethënies së vet të thellë, duke e varfëruar atë. Kurse, nëse arrihet të zbulohet natyra në përmasën e vet si krijesë, mund të krijohet me të një marrëdhënie komunikuese, mund të kapet domethënia e saj evokuese48* dhe simbolike, mund të depërtohet kështu në horizontin e misterit, që hap përpara njeriut shtegun drejt Hyjit, Krijuesit të qiellit dhe të tokës. Bota i paraqitet njeriut si gjurmë e Hyjit, vend në të cilin zbulohet fuqia e Tij krijuese, provanore dhe shëlbuese.

  20. #60
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    19-08-2013
    Postime
    559

    Për: Përmbledje e doktrinës shoqërore të Kishës Katolike.

    PJESA E DYTË


    «… doktrina shoqërore ka në vetvete vlerën e një mjeti të ungjillëzimit:

    si e tillë, ia shpall Hyjin dhe misterin e shpëtimit në Krishtin çdo njeriu

    dhe, për të njëjtën arsye, ia zbulon njeriut vetveten.

    Në këtë dritë dhe vetëm në këtë dritë, merret me gjërat e tjera:

    me të drejtat njerëzore të secilit dhe, në veçanti, me “proletariatin”,

    me familjen dhe me edukimin, me detyrat e shtetit,

    me rendin e shoqërisë kombëtare e ndërkombëtare, me jetën ekonomike,

    me kulturën, me luftën e me paqen, me respektimin e jetës

    që prej momentit të ngjizjes e deri në vdekje».

    (Centesimus annus, 54)


    KAPITULLI I NJËMBËDHJETË

    NXITJA E PAQES


    I. ASPEKTE BIBLIKE



    488 Para se të jetë një dhuratë e Hyjit për njeriun dhe një projekt njerëzor në përputhje me planin hyjnor, paqja është para së gjithash një atribut thelbësor i Hyjit: “Zoti-Paqe” (Gjq 6, 24). Krijimi, që është një pasqyrim i lavdisë hyjnore, na frymëzon për paqe. Hyji krijon çdo gjë dhe krejt krijimi formon një tërësi harmonike, të mirë në çdo pjesë të tij (krh. Zan 1, 4.10.12.18.21.25.31).

    Paqja themelohet në marrëdhënien parësore mes çdo qenieje njerëzore dhe vetë Hyjit, një marrëdhënie që është e bazuar dhe që zhvillohet në ndershmëri49* (krh. Zan 17, 1). Në vijim të aktit të vullnetshëm me të cilin njeriu prish rendin hyjnor, bota njeh derdhje gjaku dhe ndarje: dhuna shfaqet në marrëdhëniet ndërpersonale (krh. Zan 4, 1-16) dhe në ato shoqërore (krh. Zan 11, 1-9). Paqja dhe dhuna nuk mund të banojnë nën të njëjtën çati, aty ku ka dhunë nuk mund të jetë Hyji (krh. 1 Kor 22, 8-9).

    489 Në Zbulimin biblik, paqja është shumë më tepër se thjesht mungesa e luftës: ajo paraqet plotësinë e jetës (krh. Mal 2, 5); larg nga të qenët një prodhim njerëzor, paqja është një dhuratë shumë e madhe hyjnore që u është bërë të gjithë njerëzve dhe kjo bashkëmbart dëgjesën ndaj planit të Hyjit. Paqja është efekti i bekimit që Hyji i bën popullit e vet: “E sjelltë Zoti fytyrën e Vet drejt teje e ta dhëntë paqen” (Nr 6, 26). Kjo paqe përfton begati (krh. Is 48, 19), mirëqenie (krh. Is 48, 18), begati (krh. Is 54, 13), mungesë frike (krh. Lev 26, 6) dhe gëzim të thellë (krh. Fu 12, 20).

    490 Paqja është pikarritja e bashkëjetesës shoqërore, siç duket në mënyrë të jashtëzakonshme në vizionin mesianik të paqes: kur të gjithë popujt do të shkojnë në shtëpinë e Zotit dhe Ati do t’u tregojnë atyre udhët e Tij, ata do të mund të ecin përgjatë shtigjeve të paqes (krh. Is 2, 2-5). Një botë e re paqeje, që përqafon krejt natyrën, është premtuar për erën mesianike (krh. Is 11, 6-9) dhe vetë Mesia është përcaktuar “Princ i paqes” (Is 9, 5). Aty ku mbretëron paqja e Tij, aty ku ajo hershohet edhe pjesërisht, askush më nuk mund t’ia fusë frikën popullit të Hyjit (krh. Sof 3, 13). Paqja do të jetë e qëndrueshme, pasi kur mbreti qeveris në përputhje me drejtësinë e Hyjit, drejtësia mbin dhe paqja është me bollëk “derisa të jetë hëna” (Ps 72, 7). Hyji dëshiron me zjarr që t’ia japë paqen popullit të Vet “Ai premton paqe për popullin e Vet, për të dashurit e Vet, për ata që me gjithë zemër kthehen” (Ps 85, 9). Psalmisti duke dëgjuar atë që Hyji ka për t’i thënë popullit të Vet mbi paqen, dëgjon këto fjalë: “Mëshira dhe e vërteta do të përpiqen, drejtësia e paqja do të merren ngrykë” (Ps 85, 11).

    491 Premtimi i paqes, që përshkon krejt Besëlidhjen e Vjetër, e gjen plotësimin e vet në Personin e Jezusit. Paqja, në fakt, është e mira mesianike në shkallën e vet më të lartë, në të cilën kuptohen të gjithë të mirat e tjera shpëtimtare. Fjala hebreje “shalom”, në domethënien e vet etimologjike të “plotësisë”, shpreh konceptin e “paqes” në plotësinë e domethënies së saj (krh. Is 9, 5 e vijim; Mik 5, 1-4). Mbretëria e Mesisë është pikërisht mbretëria e paqes (krh. Job 25, 2; Ps 29, 11; 37, 11; 72, 3.7; 85, 9.11; 119, 165; 125, 5; 128, 6; 147, 14; Kk 8, 10; Is 26, 3.12; 32, 17 vijim; 52, 7; 54, 10; 57, 19; 60, 17; 66, 12; Agj 2, 9; Zak 9, 10). Jezusi “është Paqja jonë” (Ef 2, 14), Ai që ka rrëzuar murin ndarës të armiqësisë mes njerëzve, duke i pajtuar ata me Hyjin (krh. Ef 2, 14-16): kështu Shën Pali, me një thjeshtësi shumë të efektshme, tregon arsyen rrënjësore që i shtyn të krishterët për një jetë dhe një mision paqeje.

    Në prag të vdekjes së Tij, Jezusi flet për marrëdhënien e Vet të dashurisë me Atin dhe për forcën njësuese që rrezaton kjo dashuri mbi nxënësit; është një bisedë lamtumire që tregon domethënien e thellë të jetës së Tij dhe që mund të konsiderohet si përmbledhja e krejt mësimit të Tij. Besëlidhjen e Tij shpirtërore e vulos dhurata e paqes: “Po ju lë paqen, po ju jap paqen time! Nuk po jua jap siç e jep bota” (Gjn 14, 27). Fjalët e të Ngjallurit nuk do të ritingëllojnë ndryshe; sa herë Ai do t’i takojë të Vetët, ata do të marrin prej Tij përshëndetjen dhe dhuratën e paqes: “Paqja me ju!” (Lk 24, 36; Gjn 20, 19.21.26).

    492 Paqja e Krishtit është para së gjithash pajtimi me Atin, që vihet në jetë nëpërmjet misionit apostolik që Jezusi u ka besuar apostujve; ky mision fillon me një kumtim paqeje: «Në cilëndo shtëpi të hyni, më parë thoni: “Paqja me këtë shtëpi!”» (Lk 10, 5; krh. Rom 1, 7). Paqja pastaj, është pajtim me vëllezërit, sepse Jezusi, në lutjen që na ka mësuar, “Ati ynë”, e lidh faljen që i kërkohet Hyjit me atë që u jepet vëllezërve: “na i fal fajet tona, sikurse ua falëm ne fajtorëve tanë!” (Mt 6, 12). Me këtë pajtim të dyfishtë i krishteri mund të bëhet krijues paqeje dhe pra, pjesëmarrës i Mbretërisë së Hyjit, sipas asaj që Jezusi vetë shpall: “Lum pajtuesit, sepse do të quhen bijtë e Hyjit” (Mt 5, 9).

    493 Veprimi për paqen nuk është shkëputur kurrë nga kumtimi i Ungjillit, që është pikërisht “lajmi i mirë i paqes” (krh. Vap 10, 36; krh. Ef 6, 15), drejtuar të gjithë njerëzve. Në qendër të “Ungjillit të paqes” (Ef 6, 15) qëndron misteri i Kryqit, sepse paqja është e lidhur ngushtë dhe është e rrënjosur thellësisht në flijimin e Krishtit (krh. Is 53, 5: “Ndëshkimi, peng paqeje për ne, peshoi mbi Të: me vërragën e tij ne u shëruam”): Jezusi i kryqëzuar ka shfuqizuar ndarjen, duke vendosur paqen dhe pajtimin pikërisht “me anë të kryqit duke e asgjësuar në vetvete armiqësinë” (Ef 2, 16) dhe duke u dhuruar njerëzve shpëtimin e Ngjalljes.

Faqja 3 prej 9 FillimFillim 12345 ... FunditFundit

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •