Feja e pellazgëve ka qenë natyralizmi, perënditë e tyre ishin personifikime të forcave, që lëvizin e veprojnë në natyrë.
Feja e Pellazgëve
Të gjitha shkrimet e lashtësisë na njoftojnë se pellazgët ishin një popull plot ndjenja tepër fetare dhe se gjithë mitologjia antike u atribuohet atyre. Ky mendim nuk duhet kundërshtuar.
Sa për mendimin e sotëm, se pellazgët kanë pësuar ndikimin fetar të fenikasve dhe të mesopotamasve të tjerë për të krijuar, sipas shëmbëllimit të hyjnive përgjegjëse lindore, Herkulin e tyre, Venusin etj., ne nuk lëkundemi të pohojmë, se një mendim i tillë është i mundshëm vetëm për dijetarë, që nuk e çojnë botën më tej se mbi tre mijë vjet para K. dhe përtej kësaj date ata nuk shohin asgjë. Këta dijetarë, në fakt, deri në kohët e fundit dhe sidomos deri te gërmimet e fundit nuk kanë bërë gjë tjetër, veçse t’ua vishnin gjithçka semitëve dhe nuk kanë pushuar së cituari si provë ose si pohim për mbështetje të thënieve të tyre, Biblën, ndonëse teksti i saj nuk përputhej me të dhënat e tyre dhe gjithmonë ka qenë i nevojshëm një interpretim adekuat. Për t’i pajtuar të dy mitologjitë: mitologjinë pellazge, greke, etruske ose romake, dhe mitologjinë fenikase ose mesopotamase dhe për t’i vënë në vendet e tyre, i duhet dhënë përparësia konceptimit pellazgjik, që është vënë dy herë në origjinën e të gjitha ideve fetare: herën e parë sepse populli pellazg është populli primitiv i Sirisë, Fenikisë, Palestinës dhe gjithë Lindjes së Azisë së Vogël para se të përziheshin me shumerët, akadiasit dhe mesopotamasit e tjerë për të bërë të lindin “semitët”; dhe herën e dytë, sepse është pjesa e Ekspeditës I të argëve, ariasve ose pellazgëve, që u shkëput nga masa e kësaj Ekspedite, u vendos në Siri dhe nguli rrënjë, duke futur në origjinë elementë të fesë, mitologjisë dhe kultit të veçantë të hyjnive dhe hyjneshave pellazge, të cilat ishin gjithandej po ato, që nga Kaukazi deri te shtyllat e Herkulit. Të pretendosh se Venusi grek është kopjuar sipas Astartes fenikase, Herkuli grek e ka prejardhjen nga Herkuli i Sirisë, etj., – kur në fakt është e kundërta, – do të thotë të japësh prova për një njohje të keqe të historisë së lashtë e sidomos të parahistorisë; kjo është njësoj sikur të pretendohet, – po të na lejohet ky imazh, – që çatia e mitologjisë pellazge është ndërtuar para se të viheshin themelet.
Sipas mendimit të përgjithshëm të lashtësisë megjithatë duket, se Πελαργοι, argët dhe ariasit parahistorikë e pellazgët historikë kanë qenë populli i madh ose raca, që ka pasur ndjenjën fetare më të thellë dhe që ka dhënë prova të misticizmit më të madh të njohur në lashtësi. HERODOTI ua quan atyre nocionet e para të fuqive hyjnore dhe format elementare të kultit. Feja e pellazgëve ka qenë natyralizmi, domethënë hyjnizimi i dukurive të natyrës, i agjentëve fizikë, i forcave shkatërrimtare ose organizuese dhe i fuqive të mbinatyrshme. Ata janë krijuesit e kësaj mitologjie të habitshme dhe të mrekullueshme të grekëve, etruskëve dhe (romakëve ose) latinëve, të cilët besonin në qenie që ishin njëherësh të ndryshme nga njerëzit dhe eprore ndaj tyre, të quajtura hyjni e hyjnesha, pasi këto hyjni e hyjnesha ushtronin mbi njerëzit si drejtpërdrejt, edhe nëpërmjet dukurive natyrore, një ndikim favorizues ose dëmtues dhe ogurmirë ose ogurkeq, që praktikat rituale ose ceremonitë e kultit e kishin si rol ta provokonin në rastin e parë, dhe ta pengonin ose ta asnjanësonin në rastin e dytë. Kulti i pellazgëve, që është trashëguar brez pas brezi te grekët, etruskët edhe romakët, që të tria palët pasardhës të drejtpërdrejtë të tyre, që përbënin po atë popull dhe që flisnin po atë gjuhë: pellazgjishten ose shqipen, ka qenë pra, i thjeshtë dhe aspak trashanik; ata nuk adhuronin as gurin e as drurin; perënditë e tyre ishin personifikime të forcave, që lëvizin e veprojnë në natyrë.
Disa hyjni e hyjnesha të Olimpit
Do të japim këtu disa shembuj të konceptimit mitologjik të pellazgëve lidhur me idenë, që ata kishin për hyjnitë që banonin në majën e Olimpit.
Zeusi
Në shkallën e parë të hyjnive pellazgët vinin Zeusin, të cilin latinët e quanin Jupiter. Për të shpjeguar etimologjinë e termit Zευς, do të kujtojmë se që të lashtët e cilësonin hyjninë ”bubullues”, sepse midis të tjerash, ai ishte perëndia i gjëmimit. Kuptimi bubullues jepet plotësisht nga pellazgjishtja: Zë-ës, në greqishten φωνεις dhe që ka epërsinë se i përgjigjet plotësisht Zευς=zëës. Pra, nuk ka asnjë dyshim që: Zευς është një shtrëmbërim i vogël ose më mirë një evoluim i pellazgjishtes: Zëës: gjëmues. Për shpjegimin e termit latin: Jupiter, ai po ashtu jepet nga gjuha e pellazgëve: tirrenëve ose etruskëve: Jupiteri do të thoshte ati ynë: ju(ni) piter, ashtu si Junon shënohet nga: ju(na)nân: nana jonë, ashtu si Iovi – ov Πελαγος ka kuptimin e famshëm: mare nostrum = deti ynë, latin, i cili në të vërtetë është pellazg ose etrusk, sepse janë këta të fundit që e kanë quajtur kështu: deti jonë = mare nostrum = deti ynë = ιονιον πελαγος. Së fundi Ιων-ες do të thotë jon-ët = tanët. Më vonë Zeusi mori një personalitet moral dhe u bë hyjnia epror, gjë që konfirmon shpjegimin tonë të etimologjisë latine, që kemi dhënë më lart. Tradita e bën të lindur nga Saturni dhe Rea. Legjenda mitologjike na e tregon se zbret në tokë dhe viziton të vdekshmit; i joshte femrat që i pëlqenin dhe që pastaj i ngrinte në nderin e hyjnive, si për shembull, Temis, Tetis, Ceres, Mnemosina, Latona e Junona, që ishte vetë shoqja e tij e pavdekshme.
Kulti i Zeusit ose Jupiterit, që nga solemniteti ia kalonte kultit të çdo perëndie tjetër, ishte i përhapur në gjithë Azinë e Vogël, në Greqi, Itali dhe në gjithë shtrirjen e pafund të botës pellazge. I kushtohej dushku. Atribute të tij ishin skeptri, shqiponja dhe rrufeja. Por njerëzimi, duke u nisur nga parimi se asgjë nuk është e pamundur për perënditë, i atribuonte atij edhe një absurditet: besohej se Zeusi kishte lindur vetë Athinën ose Minervën, të cilën e kishte nxjerrë, – siç do ta shohim në pjesën për këtë hyjneshë, – nga truri i vet.
Hera ose Junona
Sipas legjendës Hera ishte bija më e madhe e Kronosit ose Saturnit dhe Reas, lindur në ishullin Samos; por fëmijërinë e kaloi në ishullin Eubea, deri ditën kur Zeusi vajti ta kërkonte për ta bërë të fejuarën e tij dhe për t’i dhënë sovranitetin, duke e ngritur që të rrinte pranë tij në Olimp. Junona, “perëndesha llërëbardhë” kujdesej shumë për bukurinë e vet dhe nuk do t’i mungonin adhuruesit, po të kishte dashur; por me gjithë tradhtitë e shumta të Zeusit, ajo gjithmonë i ruajti të shoqit një besnikëri shembullore. Megjithatë disa herë u revoltua, por më shpesh këto i sillnin ndëshkime të ashpra, që e detyronin të nënshtrohej. Hera nuk ia fali kurrë trojanit Paris, që parapëlqeu Afërditën ose Venusin, kur u bë gara e famshme e tri hyjneshave: Herës, Venusit dhe Athinës mbi malin Ida pranë Ilionit për të dhënë “Mollën e Sherrit” ose μηλον τις εριδος. Kështu zemërimi i saj, bashkë me atë të Athinës, u kënaq vetëm kur e gjithë raca e trojanëve u asgjësua. Hyjnesha greke Ηρα identifikohej me perëndeshën e romakëve dhe të popujve të tjerë të Italisë Juno. Në fillim Juno ishte kryesisht hyjnesha e dritës së hënës dhe prandaj quhej Lucina e Lucetia, duke u përzier për këtë arsye me Dianën ose Αρτεμις.
Por më pas vetitë ose atributet e saj u shtuan dhe Junona u bë hyjnesha e dritës qiellore përgjithësisht, hyjneshë e qiellit, mbrojtëse si te grekët e martesës; për këtë arsye e kanë mbiquajtur Pronuba. Me emrin Juga ajo ishte mbrojtësja e damave romake, të cilat e mbiquajtën Matrona dhe e nderonin gjatë festës së quajtur “Matronalia” në kalendarin e Marsit. Së fundi, e kanë mbiquajtur “hyjnesha mbretëreshë”, meqë ishte e shoqja e Jupiterit, mbretëreshë e qiellit dhe zonjë e Kapitolit. Asaj i kushtoheshin kafshët: lopët dhe nga zogjtë patat që rriteshin në Kapitol. Prandaj asaj i bënin fli lopë e pata.
Krijoni Kontakt