Feçor Shehu: Me emigrantët politikë duhet të bashkëpunojmë






Sot për herë të parë në “Gazeta Shqiptare” po publikojmë të plota disa prej kabllogrameve sekrete të Ministrisë së Punëve të Brendshme (të firmosura nga ministri Kadri Hazbiu, zv/ ministrave dhe drejtorëve kryesorë të Sigurimit të Shtetit) në drejtim të Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, (Hysni Kapos dhe Ramiz Alisë. Kabllogramet sekrete zyrtare në drejtim të KQ të PPSH-së konsistojnë veçanërisht në ato që klasifikoheshin si “komentet armiqësore revizioniste” në drejtim të situatës kritike që po kalonte Shqipëria, gjë që do të përfundonte me vendimin për daljen e saj nga Traktati i Varshavës.

RAPORTI SEKRET I FEÇOR SHEHUT PER MINISTRIN BEHAR SHTYLLA REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPERISE TEPER SEKRET MINISTRIA E PUNEVE TE BRENDSHME Ekzemplar Nr. 5 DREJTORIA E PARE Tiranë, më 31 .8.1968 Nr. 1600 Prot.

Lënda: Mbi komentet armiqësore KOMITETIT QENDROR TE PPSH SHOKUT BEHAR SHTYLLA TIRANE Kur populli ynë është ngritur kundër invazionit Sovjetik në Çekosllovaki dhe aprovon plotësisht deklaratën e Partisë dhe të qeverisë, elementët armiq duke marrë shkas nga këto ngjarje, kanë intensifikuar veprimtarinë armiqësore dhe kanë zhvilluar agjitacion e propagandë më të gjerë. Kështu, brenda tetë ditëve janë marrë shumë të dhëna nga këta elementë, si dhe mbi 30 të dhëna nga përfaqësuesit diplomatikë dhe tregtarë që janë në vendin tonë.

I. KOMENTE NGA ARMIQ TE BRENDSHEM

Edhe gjatë këtyre ditëve elementët armiq të brendshëm kanë vazhduar të komentojnë në mënyrë të gjithanshme kryesisht për ngjarjet në Çekosllovaki. Këta elementë deri tani kanë folur vetëm për periudhën e parë të invadimit: 1.Më të mprehta komentet armiqësore janë bërë nga elementë antiparti, të cilët shfaqin mendime nga më të ndryshmet, por qëllimi i tyre kryesor është që të godasin vijën politike të Partisë dhe udhëheqjen e saj. Disa kohë më parë shtypi ynë thoshte se Çekia po binte në prehrin e imperializmit, po të jetë kështu, atëherë Bashkimi Sovjetik ka bërë shumë mirë që e invadoi, sepse ai mbrojti socializmin. Atëherë cili është qëllimi i Partisë sonë me Çekosllovakinë, që po shkon drejt kapitalizmit apo me Çekosllovakinë që po shkon drejt socializmit? Më keq akoma është qëndrimi ynë kur u dënua ndërhyrja e forcave të Traktatit të Varshavës dhe u radhitën në një anë me imperializmin amerikan dhe Titon. Deri tani Partia dhe qeveria jonë sulmonte Bashkimin Sovjetik se është lidhur me imperializmin amerikan, por tani që ata sulmojnë Dubçekun pse u lidh me amerikanët, gjë që tregoi se B.S. nuk është i lidhur me amerikanët por me Traktatin e Varshavës, përse përsëri dënon B.S. si agresor? Kjo merret vesh, këta flasin se iu leverdis.

-Shtetet socialiste duhen të kenë demokraci dhe bashkëpunim, por në fakt këta po hanë kokat e njëritjetrit dhe kështu do të vazhdojnë deri sa të mbarojnë së ekzistuari. -Çekia po vazhdon të ecë me politikën e Kongresit të XX-të të P.K. të Bashkimit Sovjetik, mbasi çekët thonë se socializëm pa demokraci nuk ka kuptim? Ajo që bënë udhëheqësit çekë është për t’u adhuruar, sepse ata kanë filluar një luftë të madhe për të zhdukur çdo mbeturinë të stalinizmit dhe vetëm kështu mund ta ndjejnë veten të lirë, duke ju përgjigjur plotësisht kërkesave të kohës. -Nga këta tanët flitet shumë për lëvizjet marksiste-leniniste në Evropë, kjo nuk është aspak e vërtetë, ata janë disa grupe pa autoritet, vagabondë dhe renegatë që nuk luajnë asnjë rol në jetën e këtyre vendeve dhe ajo që thuhet se gjoja këta udhëheqin grevat, është gënjeshtër. Komunistëve të vërtetë dhe partitë e tyre në Evropë as ju duket as nami as nishani.

RAPORTI: “NE, EMIGRANTET POLITIKE, DUHET TE BASHKEPUNOJME”

-2. Elementë armiq që vijnë nga radhët e emigracionit reaksionar jugosllav kanë bërë një seri komentesh shumë armiqësore. -Rusët më në fund kanë vendosur t’u tregojnë edhe njëherë të gjithë tradhtarëve se kush janë ata. Bolshevikët kanë mbetur bolshevikë, ky është një sukses i madh për ne. -Populli çekosllovak është më i civilizuar se ai sovjetik, prandaj e kanë më kollaj çekët të zbatojnë vijën e re të socializmit të ngjashëm me atë jugosllav, i cili shahet më shumë vetëm nga komunistët shqiptarë. Çekia për çlirimin e vet nuk ka hedhur asnjë pushkë, por ishin vendet socialiste që e çliruan atë, prandaj edhe hyrja e tyre është e ligjshme. Opinioni publik i dënon veprimet e B.S., por duhet ditur se B.S. sapo e ka filluar misionin e vet. -Ne emigrantët politikë duhet të shtrëngojmë radhët tona dhe të mos i diskutojmë këto ngjarje me shqiptarët, mbasi këta do të fillojnë menjëherë të gërmojnë te ne për të marrë informata për shokët tanë, mbasi duhet ditur njëherë e mirë se shqiptarët nuk e duan sllavizimin dhe neve.

3. Elementë të ndryshëm armiq që përpunohen nga organet tona, kanë zgjeruar komentet e tyre armiqësore edhe në ngjarjet në Çekosllovaki, ata shikojnë njëkohësisht shpresat e tyre. -Ne këtë situatë e kemi pritur me kohë, tani këtyre u ka hyrë frika në palcë dhe s’kanë ku mbahen. Deklaratat i bëjnë vetëm për të trembur të tjerët, por në fakt dhe ata vetë e dinë se s’kanë ç’të bëjnë. Duke e parë keq punën në këtë situatë, do të përpiqen të marrin masa, por ne duhet të kemi kujdes, duhet të ruhemi dhe po erdhi puna që të okupohemi, jo vetëm që s’duhet të hedhim asnjë pushkë, por përkundrazi, t’u biem këtyre. -Çekia u sulmua, sepse ajo bashkë me Jugosllavinë dhe Rumaninë do të krijonin Antantën e vogël kundër Traktatit të Varshavës, kjo tregon se ata janë popuj me traditë dhe me kulturë, ata bëjnë një politikë të tyre të pavarur, që u përgjigjet interesave të tyre, e jo si ne që tërhiqemi nga hundët nga të tjerët.

-Sulmi i B.S. kundër Çekisë është shpëtimtar për ne, kjo tregon se rrota e historisë filloi të lëvizë, kontradiktat po i mprehin vendet socialiste, pra ky është sinjali i ndryshimeve, ky nuk do të jetë i vetmi sulm i B.S. Mbas Çekisë, ata do të sulmojnë edhe vende të tjera, duke përfshirë dhe vendin tonë. -Në qoftë se do të sulmohet vendi ynë, populli nuk do të luftojë për të mbrojtur këtë regjim, mbasi është shumë i pakënaqur nga masat që janë marrë.

RAPORTI: “SOVJETIKET BENE GABIM QE U MBESHTETEN TE TEME SEJKO”

-B.S. bëri gabim në vendin tonë që e mbështeti punën e tij te Teme Sejko, ai duhet të kishte bërë siç e bëri në Çekosllovaki, por megjithatë kjo punë akoma nuk dihet. -Rusëve iu lumtë, ata e dinë që opinion botëror do t’i dënonte, por sidoqoftë karshi amerikanëve u treguan të fortë, duke u treguar atyre se në Evropë ne bëjmë si të duam, atje ku nuk binden me fjalë, ne jemi në gjendje t’i bindim me forcë. -Këta tanët flasin për revolucionarizim, mirëpo harrojnë se rinia do liri dhe do të bëjë ashtu siç bënë çekët. Udhëheqja jonë nuk mban parasysh ndryshimin e kohëve, por i hyri kësaj rruge dhe nuk po kthehet vetëm për kokëfortësi, duke mos iu përshtatur popujve të Evropës. Edhe kësaj do t’i vijë fundi.

-Çekët janë të vendosur, në rrugën e janarit të këtij viti. Deri më sot historia nuk ka njohur raste që të ketë unitet midis popullit dhe udhëheqjes, pasi ç’duket, udhëheqësit e tanishëm çekë ia kanë gjetur damarin popullit dhe ai i përkrah ata. -Edhe në vendin tonë, gjendja nuk mund të qëndrojë kështu, ajo do të ndryshojë patjetër, megjithëse këtyre tanëve u duket vetja kushedi se çfarë, por shtetet e tjera nuk pyetën për Çekosllovakinë e jo të pyesin për ne. Tani ka ardhur koha që të durojmë dhe të kemi kujdes, sepse siç e fillojë B.S., do t’i vijë dita edhe vendit tonë, mbasi ai nuk do t’i harrojë fyerjet që ne i kemi bërë atij.

-Disa klerikë katolikë kanë shfaqur mendimin se Shqipërinë do ta sulmojë Bashkimi Sovjetik, por edhe sikur të mos e sulmojë, qeveria shqiptare do të detyrohet të ndryshojë politikën e saj të brendshme nga frika.

4. Nga disa intelektualë rreth këtyre ngjarjeve janë bërë këto komente të ndryshme: RAPORTI: “MOS E QUANI AGRESION, FUTJEN E RUSEVE NE ÇEKOSLLOVAKI”

-Një piktor iu drejtua disa punëtorëve kështu: “Sa shpejt e quani agresion, sa shpejt, duroni se nuk dini asgjë se si është puna. Bashkimi Sovjetik mund të ketë pasur të drejtë, sepse çekët donin të largoheshin nga Traktati i Varshavës, por çfarë ndryshimi ka midis ndërhyrjes që bëri Bashkimi Sovjetik në 1956 dhe kësaj tashti? Pse atëherë e aprovuam ndërhyrjen në Hungari dhe tani nuk e aprovojnë, kur është i njëjti veprim? -B.S. nuk ka interesa ekonomike në këto shtete, por ky ishte një rast për të treguar superfuqinë e vet, të cilën vërtet e ka dhe e tregoi, kështu BS tregoj se mbështetet vetë në fuqitë e tij dhe satelitët duhet ta konsiderojnë atë gjithnjë si mbrojtës.

-Dubçeku në ndryshimet që bëri në Çekosllovaki, mundi të përmirësonte gjendjen, prandaj rezistenca e tij e heshtur është e drejtë. Me këtë rast ai bëri analogji me luftën tonë, duke thënë se në rast se partizanët nuk do t’i sulmonin gjermanët, këta të fundit nuk do ta dëmtonin vendin tonë se ishin tranzit.

DREJTORI I DREJTORISE SE PARE FEÇOR SHEHU

(IV KALOCI)