Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 6
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17

    Rrëfen për historinë Guro Zeneli, sekretari personal i Ramiz Alisë

    EKSKLUZIVE/ Flet sekretari personal: Nano dhe Pashko, të përzgjedhurit e Ramizit…

    Ish-sekretari personal i Ramiz Alisë, Guro Zeneli, në një intervistë të gjatë për gazetën “Panorama” hedh dritë mbi komunikimin e ish-udhëheqësit të lartë të Partisë së Punës së Shqipërisë me Mikhail Gorbaçovin, në lidhje me strategjinë e vendosur në mbledhjen e partive komuniste në Katovicë të Polonisë.

    Emri:  guro-zeneli-2.jpg

Shikime: 1277

Madhësia:  26.3 KB
    Guro Zeneli në 85-vjetorin e ditëlindjes së Ramiz Alisë

    Sipas Zenelit, Ramiz Alia, dikur student në Fakultetin e Filozofisë në Moskë me Gorbaçovin, edhe pse ishte ftuar që të merrte pjesë në këtë mbledhje, nuk shkoi, por atij i dërguan në Tiranë materialin e kësaj mbledhjeje dhe vendimet e marra atje. Zeneli, i cili ka qenë pranë Ramiz Alisë deri në momentet e fundit të jetës, tregon se pasi Ramizi u njoh me dokumentin e Gorbaçovit, e diskutoi atë me Foto Çamin dhe nisi një reflektim të thellë bazuar në të, duke zbutur luftën e klasave, akuzat ndaj fesë, mosmarrjen më në mbrojtje të figurës së Stalinit dhe të diskutojë më hapur për ekonominë e tregut.

    Ramiz Alia, sipas Zenelit, në vijim të strategjisë së tij për hapjen e Shqipërisë, dërgoi dy nga ekonomistët më të mirë të kohës, Fatos Nanon dhe të ndjerin Gramoz Pashko, në Gjermani dhe Suedi, për të studiuar mënyrën e adoptimit të ekonomisë shqiptare në një ekonomi të tregut.

    Kur keni filluar punë në Tiranë në Presidiumin e Kuvendit Popullor?
    Kam ardhur në 1982, pas një sugjerimi që i kishte bërë Jashar Menzenxhiu kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Haxhi Lleshi.

    Si punohej me Haxhi Lleshin?
    Haxhiu ishte një burrë zakoni, tradicional, i fjalës, aspak negativ, një njeri me shumë reputacion në Dibër, brezi i luftës, por dhe më gjërë, një njeri që ndihmonte njerëzit. Një herë kur do të shkonte në Dropull, Haxhiu më kërkon të bëj një material, një fjalë që do mbante atje para popullit. Dhe më tha mua ma përgatit se ti ke punuar në atë zonë dhe e njeh mirë. Unë e bëra materialin dhe ia dhashë. Kur shkuam atje, pati një pritje shumë të mirë. Fjalën që e kisha përgatitur për Haxhiun, unë ia dhashë dhe kryetarit të kooperativës së Dropullit, i cili ishte dhe deputet në Kuvend. I kërkova që të bënte ndonjë saktësim. Ai bëri disa saktësime dhe ma ktheu. (Kishte një porosi nga Enver Hoxha që në të gjitha fjalimet të mos kritikohej minoriteti, të mos dënoheshin për gjëra të vogla minoritarët, ndërsa një tjetër që nuk ishte minoritar për të njëjtin gabim në pune, e pushonin. Enveri kishte dhënë porosi dhe për zonën e Shkodrës të mos kishte acarime me popullin e kësaj zone, dënime të tepruara. Dhe këtë unë e kam vërtetuar në Sarandë. Jashar Menzenxhiu krijoi një marrëdhënie shumë të mirë mes minoritarëve në Sarandë, çamëve dhe popullsisë shqiptare, të cilët kishin ato ngarkesat e veta). Të kthehemi te vizita në Dropull, Haxhiu lexoi variantin e parë, por nuk lexonte dot se dhe mosha bënte të vetën. Kryetari i kooperativës më thotë: Ore Guro nuk lexoi atë fjalë që e përgatitëm bashkë?! Unë e justifikova pak me moshën. Më thotë kryetari i kooperativës: Nuk gjenit dot një tjetër që ta lexonte fjalën, por e lexoi Haxhiu që nuk mundet të lexojë?!!

    Sa vjet punuat me Haxhi Lleshin?
    Punova pak më shumë se 2 vjet. Kur unë fillova punë me Haxhi Lleshin në shkurt, qëndrova rreth një vit pa ikur në shtëpi, familjen e kisha në Sarandë. Një moment m’u sëmur nëna dhe unë i kërkova leje që të shkoja ta takoja. Më dha leje dhe shkova. Kur takova nënën, ajo më thotë labçe: “Ku je a të keqen nëna?! Mirë s’të mori malli për mua, por s’të mori malli as për gruan dhe katër fëmijët e tu?!”. Më pyet nëna se çfarë pune bëj me Haxhiun dhe i them që ja shkruaj, e ndihmoj në punët e tij, i përshkrova disa nga detyrat që kryeja. “Ishe aga në Sarandë, ç’deshe që shkove e u bëre argat i Haxhiut në Tiranë?!”, më tha nëna.

    Më pas erdhi Ramiz Alia…
    Po, punova me Ramizin pas daljes në pension të Haxhi Lleshit. Me ardhjen e Ramizit në Kuvendin Popullor u ndryshua menjëherë situata në institucion dhe në opinion shihej si një institucion më i hapur. Ramizi kishte një tjetër komunikimin, si me institucionet, ashtu dhe me njerëzit. Ndërsa Haxhiu kishte mbetur aty me dekada. Ishte brezi i këtyre që kishin marrë pjesë në luftë që kërkonin ofiqe dhe nuk mund t’i lëvizje dot nga posti dhe qëndronin aty derisa sëmureshin. Por edhe kur sëmureshin, vijonin ofiqet dhe privilegjet deri sa të vdiste. Por Ramizi ishte i veçantë. Ditën e parë të punës që erdhi në Presidiumin e Kuvendit Popullor, Ramizi më ftoi nga shtëpia. “Hajde- më tha -të të njoh me familjen”. Më mbajti edhe për drekë atë ditë. Nuk e harroj thjeshtësinë dhe njerëzillëkun e tij. Ramizi kërkonte që të mos kishte një kornizë zyrtare në marrëdhëniet me të, unë isha njeriu më i afërt me të në punë.

    “Katovica” mbledhja e thirrur nga Gorbaçovi, udhëheqësi sovjetik i viteve ’80, me liderët e vendeve ish-komuniste është trajtuar herë pas here si një model nga nisi dhe pluralizmi në Shqipëri. Ju që keni punuar me Ramiz Alinë, a keni dijeni për ndonjë dokument të tillë që Alia kishte marrë nga Gorbaçovi?
    Unë di që Ramiz Alisë i ka ardhur letër nga Gorbaçovi. Këtë letër Gorbaçovi ia kishte dërguar të gjithë sekretarëve të parë të vendeve komuniste të Lindjes, që të merrnin pjesë në këtë takim.

    Ramiz Alia dhe Gorbaçovi kanë qenë bashkë në një shkollë?
    Kanë qenë në një universitet, në Moskë për Filozofi. Nuk kanë qenë në të njëjtin kurs. Ramiz Alia, dhe pse mori letrën e Gorbaçovit, nuk shkoi fizikisht në Katovicë.

    Kur është bërë mbledhja e Katovicës?
    Mbledhja më Katovicë është zhvilluar në 1987. Edhe pse Ramiz Alia nuk shkoi në Katovicë dhe nuk mori pjesë në atë takim, në Tiranë ka mbërritur letra e Gorbaçovit, e cila kishte konkluzionet e kësaj mbledhjeje se si duhet të hapeshin vendet ish-komuniste ndaj demokracisë dhe ekonomisë së tregut. Ramizi e ka deklaruar vetë që ka marrë një letër nga Gorbaçovi.

    Si ju ra në dorë ju letra që Gorbaçovi i dërgoi Ramiz Alisë?
    Unë nuk e mora, por e pashë në tavolinën e Ramiz Alisë. Vonë unë kam siguruar një kopje të saj të përkthyer në shqip. Sapo është njohur me letrën e Gorbaçovit, Ramizi nisi nga puna për ta zbatuar atë. Pse e them këtë, sepse puna e parë që u bë filluan të moderohen disa terma që ishin thelbësore për sistemin. U hoq nga qarkullimi fjala “revolucionarizim”, duke u zëvendësuar me “demokratizim”. Ramizi na thirri disa prej personave të aparatit dhe na dha porosi që në të gjitha materialet që do të shkruheshin, fjalimet etj., fjala revolucionarizim duhej zëvendësuar me fjalën demokratizim.

    Kur ka ndodhur kjo?
    Kjo ka ndodhur rreth 1987, kur ka ardhur letra e Gorbaçovit.

    U konsultua Ramizi me të tjerë sekretarë apo anëtarë të Byrosë Politike?
    Unë di që është konsultuar me Foto Çamin, i cili ishte një nga njerëzit më të kulturuar dhe me vizion në Komitetin Qendror. Ishte më mendjehapur. Me Foton, Ramizi është konsultuar shumë se e vlerësonte për kapacitetin dhe mentalitetin e hapur që kishte. Fotoja u mërzit me Ramizin njëherë.

    Pse, çfarë ndodhi?
    Pasi ishte konsultuar me Ramizin për një takim që Foto do të bënte me intelektualë të Tiranës, artistë kishin përcaktuar se në çfarë linjash do të qëndronin. Dhe Ramizi kishte dhënë idenë e një artikulimi më të moderuar, jo dogmatik dhe të lënies së intelektualëve që të shpreheshin ata vetë për hapjen e vendit, hapjen e partisë, por me kujdes që kjo të mos dilte nga njerëzit e Partisë por të dilte si kërkesë e intelektualëve. Gjatë një bisede të gjatë me artistët, Foto nuk u shpreh hapur për pluralizmin, por “sorrollatej” tek ideja e demokratizimit, por pa i rënë në kokë konceptit dhe pse ai vetë ishte pjesë e kësaj ideje, pasi ishte konsultuar me Ramizin. “Pse nuk ma the shoku Ramiz edhe mua që t’ua kisha thënë artistëve, sepse më pyesnin nëse Partia është e hapur për pluralizëm dhe krijimin e partive të tjera, dhe unë nuk dija se çfarë t’u thosha”, kështu iu drejtua Foto Ramizit dhe e pashë që ishte i prekur nga kjo gjë. Pak ditë më vonë, Ramizi doli në takim me studentët dhe u shpreh hapur se është për pluralizëm dhe fjalën e lirë. Për këtë, Foto u mërzit se nuk e kishte deklaruar edhe ai vetë idenë e pluralizmit në takimin me artistët, por kishte ngurruar. Në fakt, në atë kohë, të gjithë këto takime me intelektualë dhe artistë kishin si qëllim testimin e inteligjencës se sa e përgatitur ishte për të pranuar një pluralizëm dhe pluripartizëm, por pa krijuar eksese dhune. Ramizi donte me çdo kusht të shmangte përplasjen në popull.

    E ka diskutuar Ramiz Alia me Byronë e Partisë letrën e Gorbaçovit?
    Po, ai ka mbledhur Byronë Politike të Komitetit Qendror të PPSH, më shumë me pjesën konservatore të Byrosë dhe u sqaroi se duhej të bëhej hapja e Shqipërisë drejt ekonomisë së tregut, se ekonomia jonë ishte në pikë të hallit.

    Ka pasur reagime nga të vjetrit e Partisë?
    Ishte periudha kur në Rumani u ekzekutua Çaushesku dhe kjo kishte krijuar një tronditje jo të vogël.

    Emri:  nano.jpg

Shikime: 972

Madhësia:  7.3 KB
    Fatos Nano

    Çfarë reagimesh kanë pasur anëtarë të Byrosë Politike rreth “Gllasnostit” dhe “Perestrojkës”?
    “Gllasnosti” kishte të bënte me lejimin e fjalës së lirë, diskutimin e hapur dhe transparencën. Ndërsa “Perestrojka” kishte të bënte me hapjen drejt ekonomisë së tregut. Realisht, Ramizi vite para se të vinin ndryshimet demokratike, dërgoi në Gjermani Fatos Nanon, një ekonomist i njohur i kohës për të njohur, në praktikë ekonominë e tregut të lirë dhe në çfarë formash mund të adoptoheshin në Shqipëri, në kushtet e ekonomisë shqiptare. Nano përgatiti një material shkencor për ekonominë e tregut, të cilin Ramizi e pranoi, madje e falënderoi për punën e mirë që kishte bërë. Ishte ky material që nxiti interesin dhe mendimin e Ramizit për Nanon, për ta emëruar më vonë sekretar të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Kryeministër dhe më vonë ta propozonte dhe kryetar të Partisë Socialiste. Ramizi dërgoi gjithashtu në Suedi Gramoz Pashkon, i cili nuk solli asnjë material të shkruar për këtë vizitë marrje eksperience. Madje, Gramoz Pashko hodhi në publik të gjitha shifrat e ekonomisë shqiptare gjatë qëndrimit në Suedi, si të ishte kryeministër i vendit. Ne, deklaratat e tij i kemi marrë vesh përmes “Agence” që vinin në Kuvendin Popullor. Ramizi më tha tërhiqi vërejtje Gramozit për këtë që ka bërë, por jo sikur të kam porositur unë, por nga ana jote… Ndërsa sa i takon pyetjes suaj, një pjesë e byroistëve ishin për ndryshimet. Në një mbledhje organizate partie, ku bënte pjesë dhe Ramiz Alia, ishte organizata e administratës së sektorit të Propagandës së Komitetit Qendror…

    Emri:  pashko.jpg

Shikime: 1000

Madhësia:  18.5 KB
    Gramoz Pashko

    Ju ishit anëtar i kësaj organizate?
    Po, po, isha anëtar.
    Kush e drejtonte atë organizatë?
    Ishte një njeri shumë i mirë, Leka Shkurti. Ishte koha kur diskutoheshin idetë e Gorbaçovit për Gllasnost dhe Perestrojkës. Gorbaçovi në vitin 1985 kishte dalë me teorinë e Perestrojkës, një rindërtimi të sistemit socialist, një revolucion që do të vinte nga lart, nga udhëheqja e partisë për të bërë reforma të shpejta demokratike që do të modernizonin socializmin e deri asaj kohe. Do të lejonte më shumë liri, lirimin dhe ndalimin e persekutimit ndaj disidentëve politikë, duke i lejuar krijimin e grupeve dhe lëvizje demokratike, ndarjen e shtetit nga partia dhe bërjen e disa reformave ekonomike duke nisur që nga lejimi i pronës private etj. Në një nga mbledhjet e organizatës, Ramizi i pyeti anëtarët e saj se çfarë mendimi kishin për Perestrojkën dhe Gllasnostin. Në fakt, para mbledhjes së organizatës, Leka, si njeri i hapur dhe që e kapte shpejt frymën e ndryshimeve, më kishte thënë se do të mbështesim Ramizin për çështjen e reformave dhe Gllasnosit, se nuk kemi ku shkojmë më. Kjo gjë do realizohet. Ja t’ju pyes unë more shokë dhe ti Mehmet (Mehmet Elezi, i cili ishte shef i shtypit) çfarë mendimi ke për këtë Gllaznostin? Inteligjenca jonë e do, e pranon Gllasnostin apo jo? Ramizi i kujdesshëm nuk shprehej nëse intelegjenca e asaj kohe e kërkon fjalën e lirë, por përdorte termin e Gorbaçovit, a e përkrahin Gllaznosin apo jo. Ishte filozofia e Ramizit që t’i jepte gjërat gradualisht dhe jo me grusht të fortë dhe revolucion. Kjo ishte zgjuarsi e Ramizit në atë terren që i duhej të punonte për të ndryshuar gjërat.

    Çfarë përgjigje mori Ramizi nga ky testim?
    -Jo, i tha Mehmeti, -në asnjë mënyrë, intelegjenca jonë në asnjë mënyrë nuk e pranon Gllasnostin.

    ARISTIR LUMEZI

    Panorama

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Rrëfen për historinë Guro Zeneli, sekretari personal i Ramiz Alisë

    EKSKLUZIVE/ Këshilltari personal: Bustet u hoqën me urdhër të Ramizit

    Ish-sekretari i Presidentit Ramiz Alia, Guro Zeneli, në vijim të rrëfimit të tij për vitet pranë ish-kreut të shtetit shqiptar në fund të viteve ’80, ndalet në momentet e zbutjes nga Alia të politikës partiake të kohës, duke nisur me heqjen nga vetë partia të busteve të Stalinit e Leninit në Tiranë.

    Por edhe pse këto ishin veprime të iniciuara nga vetë Ramiz Alia, i cili kërkonte një shfryrje të tensionit të brendshëm pas rrëzimit me dhunë të regjimit komunist të Çausheskut në Rumani, krahu konservator brenda Partisë së Punës vijonte të bënte presione.

    Emri:  ramizi.jpg

Shikime: 715

Madhësia:  115.5 KB
    Ramiz Alia, Adil Carcani dhe Simon Stefani

    Guro Zeneli tregon se si Ramizi këmbënguli dhe shpëtoi Liri Belishovën nga një persekutim i dytë, gjatë kohës që ajo ishte e internuar në Cërrik. Ish-ministri i Brendshëm, Hekuran Isai dhe ish-drejtori i Sigurimit të Shtetit në atë kohem, Zylyftar Ramizi, kërkonin që ajo të dënohej sërish si bashkëpunëtore e Mehmet Shehut në interes të shërbimit të fshehtë amerikan.

    Çfarë përgjigje mori Ramizi nga ky testim?
    Jo i tha Mehmeti, në asnjë mënyrë, intelegjenca jonë në asnjë mënyrë nuk e pranon Gllasnosin. Më pyet Ramizi edhe mua, po ti Guro çfarë mendimi ke për Gllasnostin, e mirëpresin intelektualët tanë këtë? Unë në fakt flisja hapur me Ramizin se e dija se nuk më vinte ndonjë e keqe prej tij, plus që kisha folur edhe me Leka Shkurtin më parë që duhej mbështetur Ramizi në ato që do të propozonte dhe diskutonte. Unë i thashë se intelektualët tanë e duan fjalën e lirë. Ramizi më tha mos e ke fjalën për Gllasnostin, jo i thashë, për fjalën e lirë. Mehmeti u hodh përpjetë. Jo, thoshte Mehmeti, nuk e pranojnë, do të krijojmë reaksion të keq. Rri ti Mehmet Elezi, i tha Ramizi, se e di mirë Guroja…për çfarë po flet. Në fakt, Mehmet Elezi u mërzit pak me Ramizin për mënyrën si ai e kundërshtoi në mbledhje të organizatës. Në fund foli Ramizi duke thënë se deri tani kemi pasur në fjalorin dhe punën tonë termin “revolucionar”, tani kohët kanë ndryshuar dhe ne nuk kemi pse mbetemi tek ato terma dhe veprime që koha i ka lënë pas dhe kërkon gjetje të reja nga ne. Ne duhet të bëjmë demokratizimin e jetës së vendit dhe jo revolucionarizimin siç e kemi pasur deri më sot. Në mbledhjen e organizatës Ramizi dha porosi që të mos trajtohen më tezat, sipas së cilës feja është opium për popullin. Mos kritikoni më besimet fetare. Madje na u dha porosi taksative nga Ramizi që revista e PPSH “Rruga e Partisë” të mos merrej më me çështjet e fesë, me Stalinin, të mos e merrnim më në mbrojtje.

    Kur janë hedhur këto teza?
    Duhet të ketë qenë viti 1988, para ngjarjeve të Rumanisë. Madje u dha porosia që të punohej me njerëzit për demokratizimin e jetës së vendit. Ka pasur një debat në atë kohë dhe për shtatoren e Stalinit. Ka qenë Sofo Lazri, i cili është shprehur se “atë nuk e do populli i vet, pse duhet ta mbrojmë ne?!”. Kjo deklaratë e Sofos nuk është se krijoi ndonjë reaksion, pasi dukeshin shenjat e një lloj zbutjeje nga qëndrimet dogmatike. Ishte koha kur Ramizi shpalli tezën e hapjes së partisë. Unë atëherë kam shkruar dhe një si barsaletë “Del në pension Nëna Parti me shumë fëmijë”. Dhe më thanë mua disa, ore Guro çfarë janë këto?!!!

    Emri:  Guro-Zeneli-1.jpg

Shikime: 736

Madhësia:  44.2 KB
    Guro Zeneli

    Ka pasur fjalë që bustet e Stalinit dhe Leninit u hoqën nga udhëheqja e partisë gjatë natës. Është e vërtetë?
    Është e vërtetë, bustet janë hequr natën me urdhrin tonë. Kush mund ta hiqte bustin e Stalinit dhe të Leninit po të mos donim ne?! A imagjinohet dot?! Kështu, busti i Stalinit u hoq natën pa bërë zhurmë dhe pa asgjë nga një grup ndërtuesish me urdhër të udhëheqjes. Ata ishin urdhëruar nga udhëheqja. Pastaj u hoq pa zhurmë edhe busti i Leninit. Ramizi e kishte problem, kërkonte që të hiqeshin bustet që u kishte ikur koha. Madje, njëherë, Ramizi më tha mua në afrimitet: Po na ikën koha ne, jo më busteve! U hoq edhe në Kombinatin e Tekstileve “Stalin” busti i Stalinit. Ramizi i hiqte me taktikë dhe gradualisht. Jepte urdhra natën për të shembur bustet dhe ditën thoshte: Ou, pakan hequr edhe këtë bust. Paskan hequr edhe atë bust?! Ç’bëhet kështu! Tani dalin heronj.

    Kishte reagime të hapura apo të thëna korridoreve ndaj kësaj zbutjeje të Ramizit dhe tezave për demokratizimin?
    Në atë kohë thuhej se Ramizi e tradhëtoi Enverin në vijën e partisë. Këtë e diskutonin me njëri-tjetrin anëtarët e Byrosë Politike, por jo në mbledhje zyrtare.

    Pas rekomandimeve të Katovicës, çfarë ndodhi, u shtruan këto teza për diskutim?
    Ramizi informoi Byronë Politike. Krahu konservator, Haxhi Lleshi, Shefqet Peçi, kanë kërkuar që të mos lëshohej pushteti se pushtetin e kemi marrë me gjak dhe do ta mbrojmë me gjak, dhe se duhet të sundojë diktatura e proletariatit se Shqipëria duhet të ecë në rrugën e Enverit. Por Ramizi i është përgjigjur se “nëse do të kemi dhunë dhe terror, çfarë do të thoshe ti nëse mes atyre që do të vriteshin të ishte vajza jote, si do të ndiheshe?! Edhe ata fëmijë nënash janë! Nëse duhet ta mbajmë pushtetin tonë me dhunë, kjo do të çojë në gjakderdhje”. Këtu Ramizi u bëri konservatorëve të partisë goditjen e parë, sepse ky argument i stepi. Pas asaj mbledhjeje të Byrosë, Ramizi erdhi i mërzitur në zyrë dhe më tha: More Guro, nuk e merr me mend se me çfarë njerëzish kam të bëj! Absurdi i konservatorëve arrinte deri aty sa kur Ramizi ishte president, mua më kishte lënë si detyrë që të prisja qytetarët dhe problemet që ata ngrenin t’ia paraqisja atij. Ai më kishte thënë se në Komitetin Qendror ne nuk mund të presim të gjithë njerëzit. Por ti si sekretari im do të presësh në presidiumin e Kuvendit Popullor të gjitha kategoritë e qytetarëve. Ndërsa kërkesat që sillnin kuadrot në detyrë, unë ia regjistroja si problematika dhe ia përcillja Ramizit, i cili merrej vetë me ta më pas.

    Çfarë letrash merrnit në atë kohë që ju ka bërë përshtypje?
    Një nga letrat që nuk do ta harroj, ishte ajo e Liri Belishovës, e cila në atë kohë ishte e internuar në Cërrik. Ajo kërkonte ta linin të qetë dhe të kthehej në Tiranë. Kjo ka ndodhur pas vdekjes së vajzës së Lirisë, vdekje e cila e kishte vrarë shumë shpirtërisht. Zylyftar Ramizi dhe Hekuran Isai donin ta arrestonin Lirinë si mbështetëse e Mehmet Shehut. Në librin e tij, “Rreziku AngloAmerikan për Shqipërinë”, Enveri e cilësonte Liri Belishovën si bashkëpunëtore të amerikanëve bashkë me Mehmet Shehun. Nisur nga ky fakt, këta të dy donin që ta arrestonin Lirinë. Nuk di si e kishte marrë vesh rrezikun se mund të arrestohej dhe i çon një letër Ramiz Alisë. E marr unë letrën dhe e lexoj. Kishte dy shprehje që i mbaj mend edhe sot: Kërkoj të më lini të qetë në jetën time të zezë! (sepse i kishte vdekur vajza në atë kohë); Ju Ramiz e dini se sa e kam dashur Mehmet Shehun dhe sa më ka dashur ai mua!

    Ajo kërkoi takim me Ramizin?
    Jo, jo, i kërkonte që të mos i binin më në qafë dhe ta nxirrnin nga internimi. Pasi ia lexova letrën Ramizit, ai më tha: “Guro, as na ka dashur Mehmeti e as e kemi dashur!” Për hir të së vërtetës, Ramizi mori në atë moment Hekuranin dhe i tha se çfarë janë këto gjëra që po bëni?! Mos u merrni më me Lirinë, e ka gjykuar një herë partia atë njeri dhe s’ka pse ta gjykojmë më! Mos vini dorë mbi të!

    Si mundi ta menaxhonte krahun konservator në parti Ramiz Alia?
    Ramizi kishte studiuar për Filozofi dhe e njihte mirë psikologjinë e secilit. Me konservatorët ai u gjente ndonjë pikë të dobët dhe i bllokonte në reagime, siç ishte rasti kur i kërkuan të përdorte dhunën nëse do të ngrihej populli. Me atë pjesë që ishte më e hapur dhe më liberale, Ramizi fliste në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe me tjetër gjuhë. Ramizi bëri një veprim shumë të zgjuar për kohën. Kur u ngritën shoqatat e Enverit, pas rrëzimit të shtatores në Tiranë, Ramizi i thirri të gjithë kryetarët e shoqatave në zyrë dhe u foli me shumë mjeshtri për të ulur tensionet se vendi rrezikonte në ato momente luftë civile.


    Emri:  hekuran-isai.jpg

Shikime: 638

Madhësia:  13.3 KB
    Hekuran Isai

    Ramizi ishte shprehur hapur se socializmi kishte dështuar si sistem?
    Do të të tregoj një detaj: Bzhezhinsky, një teoricien amerikan me origjinë polake, kishte botuar librin “Dimri i madh”, i cili e cilësonte socializmin si një dimër të madh. Ramizi donte ta lexonte këtë libër dhe e porositi. Erdhi libri, por ai duhej përkthyer.

    Në ç’vit ka qenë kjo?
    Duhet të ketë qenë 1983-1984. Ramizi thirri Taqo Zoton, që punonte në ATSH dhe i kërkoi që ta përkthenin, por pa bërë shumë zhurmë. Libri u përkthye dhe ia sollën Ramizit me postë konfidenciale për ta marrë vetëm Ramizi në dorë. Ramizi më tha që ky libër Guro flet për dështimin tonë.

    Ka qenë periudha kur Shtrausi i ishte afruar Shqipërisë…?!
    Po, Shtrausi kishte ardhur dhe Ramizi kishte shprehur dëshirën që Shqipëria të lidhej me Gjermaninë dhe Zvicrën. Madje Ramizi kishte hedhur tezën “Ne nuk jemi as Lindje dhe as Perëndim” dhe me këtë kishte parasysh Zvicrën. Shqipëria vendosi në ato vite linjën direkte Tiranë- Zyrih me “Swissair”, sepse deri në atë kohë në Shqipëri punonte vetëm linja ajrore hungareze “Malev”. Kam udhëtuar vetë në udhëtimin e parë të vendosjes së “Swissair”-it Tiranë-Zyrih.

    Pse nuk funksionuan propozimet e Shtrausit, çfarë thoshte Ramizi në atë kohë?
    Enver Hoxha në 1984 e ka thënë se “duhet të kthejmë sytë nga Gjermania Perëndimore”. Në këtë frymë u pranua dhe ardhja e Shtrausit në Shqipëri. Gabimi ynë ishte se u këmbëngul te reparacionet e luftës që Gjermania duhet t’i jepte Shqipërisë, si e dëmtuar prej saj dhe si pjesë e koalicionit fitues të luftës. Unë di që Shtrausi është shprehur dakord që Shqipërisë i takojnë reparacionet e luftës, por është shprehur se “ç’faj kanë djemtë tanë tani pas 40 vjetësh që të paguajnë çmenduritë e një nazisti”. Sipas tij, Gjermania nuk kishte mundësi që t’i paguante ato.

    Ju thoni që Ramizi ishte më liberal apo më i predispozuar që ta hapte vendin, ai ka pritur dhe gazetarë amerikanë, ndërkohë që SHBA ishte vend armik. Si ka qenë historia?
    Erdhi në Tiranë shumë kohë para se të vendoseshin marrëdhëniet diplomatike me SHBA, një gazetar i njohur amerikan, nuk më kujtohet mirë. Ai u takua me Ramiz Alinë. Këtë e ka dhënë në kronikë televizive dhe Televizioni Shqiptar, në një nga edicionet e fundit të orës 22:00, për të mos rënë shumë në sy. Edhe një tjetër gazetar amerikan ka ardhur dhe është takuar me Ramizin. Këto takime nuk u pritën mirë, pasi njëri prej gazetarëve amerikanë kishte shkruar keq për Enverin. Kritika erdhën nga Instituti i Studimeve Marksiste-Leniniste, nga njerëz të afërm me Nexhmije Hoxhën. Përveç kësaj, Ramizi kishte kërkuar që familjet e atyre që ishin arratisur të mos internoheshin më. Në vitin 1983-1984, në kryesinë e Kuvendit Popullor kishte kërkuar që në universitete të hiqej kontrolli i Sigurimit të Shtetit dhe kjo u bë.

    Gjithë këto ngjarje kanë qenë shumë kohë para takimit të Ramiz Alisë me intelektualët në gusht 1990. Si u përgatit ai?
    Ramizi bëri një listë të atyre personave që ishin shprehur për nevojën e ndryshimit dhe i ftoi në një takim me qëllimin që kërkesa për pluralizëm dhe pluripartizëm të dilte nga inteligjenca e vendit dhe jo si thirrje të turmave. Por fakti ishte ajo inteligjencë, ajka e kombit, përfshirë dhe Ismail Kadarenë, akademikë e shkrimtarë të tjerë ishin shumë të trysnuar dhe nuk arrinin dot, ndoshta nga frika e ndonjë persekutimi që të shpreheshin hapur. Edhe pse Ramizi i ngacmonte që të dilnin te nevoja e kohës për pluralizëm dhe krijimin e partive të reja, përsëri ata, përfshirë dhe Saliun që ishte zgjedhur vetë nga Ramizi, flisnin si të kishin arrë në gojë. Në atë takim nuk ka folur për hapjen dhe lirinë e fjalës dhe politike as Saliu dhe as Ismaili. Ramizi u kthye në zyrë gjithë inat, duke thënë se ç’janë këta që flasin poshtë e lart, unë u kërkoj të flasin dhe nuk flasin se çfarë kërkojnë, dhe se çfarë duhet bërë me të ardhmen e vendit.

    Ka një moment në histori ku pas ikjes së atyre mijëra shqiptarëve që u ngujuan në ambasadat perëndimore më 2 korrik 1990, Partia e Punës së Tiranës organizoi një miting të madh në shesh, ku mungoi Ramiz Alia. Përse iu frikësua Ramizi daljes në këtë miting?
    Në fakt, eksodi me ambasadat ishte një goditje e madhe për sistemin sepse po tregohej që kishte një rrugë për të ikur jashtë dhe se ambasadat e huaja kishin arritur të organizonin një eksod antisistem. Partia e Tiranës kërkoi organizimin e një mitingu të tillë dhe Ramizi nuk ishte kundër. Ramizi nuk ishte dakord që të zhvillohej. Spiro Dede, unë dhe një shok tjetër i kemi shkuar në zyrë Ramizit dhe i kemi thënë që ky miting nuk duhej zhvilluar, sepse pasi kanë ikur 5 mijë qytetarë jashtë, janë 5 mijë familje që qajnë dhe nuk kemi pse të ngacmojmë këtë ndjenjë dhe shqetësim të tyre. Ai na tha se “ka këmbëngulur Xhelil Gjoni, ndërsa unë i kam thënë se nuk do të shkoj në këtë miting”. Ramizi i kishte kërkuar Xhelilit që të mbante çdo përgjegjësi për këtë miting. Ramizi u konsultua me ne nëse duhet të shkonte apo jo në këtë miting. Shumica në këtë takim, ku isha dhe unë i pranishëm, ishim që ai të mos shkonte, pasi ai ishte kreu i shtetit dhe se nuk duhej të merrte ai qëndrime të forta politike ndaj ambasadave perëndimore, por dhe ndaj atyre që kishin ikur jashtë përmes këtij eksodi. Prandaj ne i sugjeruam që më mirë të përfaqësohej partia e Tiranës. Ramizi këtë mendim kishte dhe vetë, dhe pse kishte kërkuar një mendim nga ne, sepse ishte një qenie shumë inteligjente…

    Panorama

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Rrëfen për historinë Guro Zeneli, sekretari personal i Ramiz Alisë

    EKSKLUZIVE/ Këshilltari personal tregon takimin e Berishës në shtëpinë e Ramizit

    Në vijim të intervistës së tij për gazetën “Panorama”, ish-bashkëpunëtori i afërt i Ramiz Alisë, Guro Zeneli, tregon momentet kur në vitin 1991 zona e Bllokut ishte e rrethuar dhe gati të sulmohej nga turma e qytetarëve. Zeneli tregon rreth takimit që Ramiz Alia pati me Neritan Cekën, si njeriu me autoritet në Partinë Demokratike, duke e tërhequr turmën nga sulmi ndaj bllokut e duke shmangur në këtë mënyrë një përplasje të fortë të armatosur.

    Gjithashtu, Zeneli sjell në vëmendje edhe takimet e Ramiz Alisë me Sali Berishën dhe opinionet që Alia kishte për Berishën.

    Hekuran Isai u mbrojt për rastin e monumentit të Enver Hoxhës duke thënë se s’mund të vrisja fëmijët tanë…
    Hekurani, Xhelili dhe të tjerë, ishin për dorën e fortë për përdorimin e forcës. Ramizi ishte kategorik kundër përdorimit të forcës. Ata kërkuan që ushtarakët të armatosen. Ramizi dërgoi një urdhër: “Pushkët të merren, asnjë fishek në pushkë!”. Prandaj dhe Ramizin e kanë cilësuar po këta si tradhtar ndaj Enverit.

    Emri:  neritan-ceka-te-blloku.jpg

Shikime: 605

Madhësia:  14.1 KB
    Neritan Ceka duke kthyer turmën që tentoi të sulmonte Bllokun në vitin 1991


    Ka pasur kërkesë për përdorimin e armëve nga drejtuesit e asaj kohe?
    Ramizi zhvilloi një takim me studentët në Kuvend, por dhe në Qytetin Studenti dhe kishte dhënë urdhër që ndaj tyre nuk do të përdorim në asnjë mënyrë forcën. Në këtë takim ka qenë prezent edhe kreu i grevës së studentëve, Azem Hajdari, por dhe Sali Berisha dhe të tjerë drejtues të studentëve. Madje, Saliu lavdëroi me rolin e Ramiz Alisë në plotësimin e kërkesave të studentëve.

    Si ka qenë ia moment kur turma donte të sulmonte bllokun e udhëheqjes, duke e rrëzuar simbolikisht sistemin komunist. A ka komunikuar Ramiz Alia me Neritan Cekën për të frenuar turmën e qytetarëve?
    Neritani bëri një veprim shumë të mirë në atë kohë. Kishte një nxitje nga agjenturat e huaja që të krijohej përplasja në Shqipëri. Amerika kishte përhapur opinionin se Jugu i Shqipërisë ishte komunist dhe Veriu nuk e kishte qejf sistemin komunist, prandaj veriorët duhen mbështetur. Kështu ndodhi, ambasadori i parë amerikan, Rajerson, e mbështeti pa masë Sali Berishën, aq sa merrte pjesë dhe në mbledhjet e PD-së. Neritan Ceka, njeri i moderuar dhe jo ekstremist, bashkë me dy të tjerë, më duket Arben Demeti, takuan Ramizin dhe ai i orientoi se nuk kishte pse të krijoheshin konflikte, të digjet dhe shkretohet vendi, se nuk e kanë fajin ndërtesat. Neritani doli dhe e devijoi turmën dhe shmangu një përplasje të sigurt drejt luftës civile. Këtë veprim Ramizi e vlerësoi shumë.

    Mbetemi te këto zhvillime, grevën e studentëve dhe pluralizmin, çfarë roli ka pasur Skënder Gjinushi, në atë kohë ministër i Arsimit?
    Ramizi e çmonte shumë Skënderin. Ishte Ramizi që e bëri dhe ministër dhe ai donte që Skënderi të ishte pjesë e tryezës së zhvillimeve politike në vend, edhe nga fakti se historia po zhvillohej në një ambient studentor. Kam idenë se edhe në krijimin e PSD-së, Skënderi ka pasur konsultim të fortë me Ramizin.

    Emri:  ramizi-gjinushi.jpg

Shikime: 667

Madhësia:  9.9 KB
    Ramiz Alia me Skender Gjinushin


    Si ka qenë marrëdhënia e Ramiz Alisë me Sali Berishën në ditët e grevës së studentëve, apo njiheshin dhe takoheshin edhe më parë?
    Jo, nuk janë njohur. Ramizi, pasi mësoi se greva e studentëve drejtohej nga tropojanë të Qytetit Studenti, i kërkoi Xhelil Gjonit që të gjente njerëz të partisë nga Tropoja që të shkonin dhe të flisnin me ta. Të vendosej një urë komunikimi me njerëz të të njëjtit rreth, ku mund të gjendeshin lidhje farefisnore. Ramizi donte me çdo kusht që të shmangte një përplasje të dhunshme të studentëve me policinë dhe ushtrinë, donte të shmangte një përplasje civile. Xhelili e gjeti Saliun dhe i kërkoi që me porosi të Ramiz Alisë të shkonte dhe të bisedonte me studentët e grevës së urisë. Pasi kishte marrë përsipër ndërmjetësimin me studentët, Ramizi i tha Xhelil Gjonit që t’ia çonte Saliun në shtëpi që ta takonte. Dhe ashtu u bë, Xhelili e çoi Saliun te shtëpia e Ramizit dhe kanë folur bashkë. Por Ramizi ma ka shprehur se: “Këta tropojanët janë hileqarë, gënjejnë dhe luajnë me dy porta!”.

    Çfarë është folur në atë takim?
    Ajo që di unë është një kërkesë e Ramizit që të takonte vetë studentët. Por Saliu nuk ka dashur që Ramizi t’i takonte ata, por t’ia besonte atij këtë komunikim, duke dhënë garanci se gjërat do të qetësoheshin. Këtu, Ramizi dyshoi te sinqeriteti i Berishës se kërkonte ta kthente këtë situatë në favorin e tij personal. Por Ramizi këmbënguli për një takim me studentët dhe shkoi vetë në Qytetin Studenti për të folur me ta, ku u kërkoi që të ndërprisnin grevën dhe të riktheheshin në mësim, ndërkohë qeveria do të merrte të gjitha masat për plotësimin e kërkesave të tyre ekomomike. Në atë takim Saliu ka shprehur konsiderata të larta për Presidentin Ramiz Alia.

    Gjatë atyre ditëve të grevës, ka pasur takime të tjera të Ramizit dhe Berishën, ndoshta të fshehta?
    Mbase ka pasur, por nga goja e Ramizit për Saliun, unë kam dëgjuar fjalën: “Është hileqar, nuk është i sinqertë!”.

    Panorama

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Rrëfen për historinë Guro Zeneli, sekretari personal i Ramiz Alisë

    EKSKLUZIVE/ Këshilltari personal: Ramizi tha për Saliun ‘nuk doli siç e prisja’

    Ish-sekretari i Ramiz Alisë, Guro Zeneli, tregon në këtë pjesë të intervistës së tij për gazetën “Panorama” tentativën për atentat ndaj kryetarit të Kuvendit Popullor menjëherë pas marrjes së kësaj detyre në Veri të vendit. Zeneli tregon se ka qenë një tur takimesh të Ramiz Alisë në të gjithë vendin, nga Konispoli e deri në Has e Tropojë.

    Në një nga këto udhëtime, në Tropojë është zbuluar një tentativë për t’i bërë atentat, ku një i ri është kapur me një granatë në xhep. Sipas Zenelit, Ramiz Alisë, nisur nga kjo situatë, i është kërkuar që të ndërpresë vizitën në Tropojë dhe Has, por ai ka preferuar të vazhdojë takimet me popullin.

    Personi që është ndaluar si atentatori i Ramiz Alisë sipas Zenelit, ishte Skënder Haluca. Pas arrestimit të Halucës, gjykata e dënoi atë me vdekje, po ashtu dhe presidiumi i Kuvendit Popullor. Por Guro Zeneli tregon se ka qenë vetë Ramiz Alia ai që i ka falur jetën, duke e konsideruar këtë një çështje personale mes tij dhe Halucës, dhe duke lënë në fuqi dënimin me 25 vjet heqje lirie.

    Pas rënies së monizmit, Haluca bëhet gjyqtar dhe shorti i bie që të gjykojë Ramiz Alinë si ish-udhëheqës komunist, por ai jep dorëheqje nga gjykimi i Alisë. Dhe pse ju flisni për një frymë liberale, deri pak para vendosjes së pluralizmit, nga kryesia e Kuvendit Popullor jepeshin dënime me vdekje…
    Ramizi i shikonte çështjet e luftës së klasave me sy më liberal. Të tregoj një histori. Kur Ramizi ishte në Presidencë, Rita Marko donte të hiqte nga puna një inxhinier të talentuar nga Gjirokastra, Gëzim Kallfën, që punonte në administratën e Presidencës, sepse i kishte dalë gjyshja nga Kolonja me përbërje jo të mirë politike. Edhe një vajzë tjetër, Arjana, që ishte nga Vlora, kishte pasur gjyshin me Ballin Kombëtar dhe babain partizan. Të dy këta, Rita donte t’i largonte nga puna për shkak të biografisë jo të mirë. Të dy këta më vijnë dhe më thonë se do na heqin nga puna.

    Çfarë pozicioni mbante Rita Marko në atë kohë?
    Ishte zëvendëskryetar i Kuvendit Popullor. Unë shkoj dhe ia them Ramizit shqetësimin që kishin dy punonjësit e administratës nga Rita, për shkak të biografisë së gjyshërve të tyre. Kur e dëgjoi, Ramizi më tha: “Epo ky Rita ka ngelur akoma në kohën e luftës….”.

    Është folur vazhdimisht se Ramiz Alisë kanë tentuar t’i bëjnë atentat në Veri të vendit. Si ka qenë historia e vërtetë?
    Pas marrjes së detyrës të kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Ramizi bëri një tur takimesh nga Konispoli e deri në Tropojë. Unë kam shkuar në të gjitha takimet. Unë udhëtoja me makinën pararojë, bashkë me Gëzim Kallfën. Me të mbërritur në Has, Vaskë Gaspari ishte oficeri i parë i Ramizit që udhëtonte me makinën tonë, para asaj të Ramizit, zbriti i pari dhe ndaloi makinën e tij. Ai sapo kishte marrë informacion nga dega e Brendshme e Tropojës se një grup të rinjsh po përgatiteshin të kryenin një atentat ndaj Ramizit. Madje informacioni ishte se qe kapur një i ri me granatë në turmën e njerëzve që kishin dalë për ta pritur Ramizin. Vaska nuk e lejoi Ramizin që të zbriste nga makina, madje kërkoi anulimin e vizitës. Por Ramizi këmbënguli që vizita e tij të vazhdonte. Ai i tha Vaskës që ju merrni masat tuaja, por unë do të vijoj programin tim. Për të kaluar këtë situatë, Ramizi e nisi vizitën në Has, duke shkuar në shtëpinë e një dëshmori hasian, tek i cili do të shkohej më vonë sipas programit. Personi që kishte granatë u arrestua dhe u gjykua nga Gjykata e Lartë me pushkatim. Ai ishte Skënder Haluca. Gjykata e Lartë e solli vendimin për pushkatim të Halucës në Presidiumin e Kuvendit Popullor.

    E firmosi Ramiz Alia si kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor ekzekutimin e Halucës?
    Ramizi këmbënguli dhe tha se ky njeri nuk duhet të pushkatohet, sepse ky ka të bëjë me personin tim. Edhe pse jam kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe rrezikohej jeta ime, unë nuk pranoj të pushkatohet njeri pse po rrezikonte jetën time. Edhe pse kishte reagime të forta se Haluca duhej pushkatuar, në fund u pranua që ai të vuante dënimin me burg duke iu falur jeta. Ai i shpëtoi pushkatimit. Skënderi pas ndryshimit të sistemit në kohën e Partisë Demokratike u bë gjyqtar dhe u afirmua në këtë profesion. Në gjyqin ndaj byroistëve, Saliu caktoi Skënder Halucën që të gjykonte Ramizin. Por Haluca doli para gjyqit dhe tha se nuk mund ta gjykoj Ramiz Alinë se ai më ka falur jetën. U tregua njeri me shumë karakter.

    Arrestimi i Ramiz Alisë mendon se ishte pjesë e skenarit të Katovicës, ku nga akuzat për gjenocid komunist që i bëhej udhëheqjes komuniste edhe për vrasjet e të rinjve që kalonin kufirin apo atyre për shprehjen e lirë, Ramizi dhe të tjerët u dënuan për shpërdorime financiare në pritje dhe kafet e tyre?
    Nuk e di nëse ka qenë një gjë e tillë. Por Ramizi është shprehur se Saliu nuk i doli siç e priste. Ramizi më ka thënë personalisht se: “Saliu nuk është i sinqertë me mua, luan me dy porta”. Saliu njihej si njeri i devotshëm partiak. Kur nisën protestat e studentëve dhe u mor vesh se drejtuesit e tyre ishin tropojanë, atëherë u vumë në lëvizje që të gjendeshin komunistë tropojanë që të flisnin me ta për të zbutur situatën. Ramizi nuk donte në asnjë mënyrë një konfrontim dhe pse informacionet ishin që shërbimet e huaja po e përgatisnin një gjë të tillë përmes këtyre protestave që do të përfshinin dhe popullin e Tiranës.

    Më vonë Ramiz Alia u arrestua kur Sali Berisha ishte President dhe u burgos, çfarë shprehte Ramizi për këtë periudhë?
    Ramizi u burgos kur Berisha erdhi në pushtet dhe fjalët e ‘90 të Ramizit për Saliun u vërtetuan katërcipërisht. Ramizi nuk fliste, por kishte një heshtje të dhimbshme.

    Çfarë tregonte Ramizi për kohën e burgut pasi doli?
    I shmangte shumë herë bisedat rreth kohës së burgut. Por herë pas here thoshte: “Këta nuk janë njerëz!”.

    ARISTIR LUMEZI

    Panorama

  5. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Rrëfen për historinë Guro Zeneli, sekretari personal i Ramiz Alisë

    EKSKLUZIVE/ Këshilltari personal: Ramizi i tha Nexhmijes ‘mos u shqetëso se nuk u rrëzua Enveri, por vetëm bronzi’

    Ish-sekretari i Presidentit Ramiz Alia, Guro Zeneli, rrëfen marrëdhëniet e prishura të Alisë me të venë e Enver Hoxhës, Nexhmije Hoxhën. Sipas Guro Zenelit, miqësia e tyre u thye pas rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës në shkurt 1991, për të cilin Nexhmija pretendonte se pushteti duhet ta mbronte me çdo kusht.

    Emri:  enveri-ramizi-nexhmija.jpg

Shikime: 719

Madhësia:  43.0 KB
    Enver Hoxha, Ramiz Alia dhe Nexhmija


    Në rrëfimin e tij për gazetën “Panorama”, Zeneli shprehet se reagimi i Ramiz Alisë ndaj Nexhmije Hoxhës ishte ngushëllues, por dhe qetësues, duke i thënë se mbrojtja me forcë e monumentit mund të sillte viktima të mëdha deri në një luftë civile. Por duket se marrëdhënia e prishur mes Alisë dhe Nexhmije Hoxhës është përkeqësuar edhe me arrestimin dhe dënimin me burg të bashkëshortes së udhëheqësit komunist.

    Më pas, marrëdhënia e tyre ka qenë totalisht e prerë, dhe pse pas daljes nga burgu Ramiz Alia i ka dërguar Nexhmijes një mik të përbashkët, i cili do të ndërmjetësonte që ata t’i riktheheshin miqësisë së vjetër. Por Nexhmija e ka refuzuar këtë përpjekje të Ramizit, duke i lënë marrëdhëniet mes tyre të ngrira. Guro Zeneli, njeri i afërt në familjen Alia, kujton se në ceremoninë mortore të Ramizit, asnjë nga familja Hoxha nuk ka marrë pjesë në të, përveç mbesës së Ramiz Alisë, Teutës dhe bashkëshortit të saj, Ilir Hoxhës.

    Kur ka ndodhur “thyerja” mes Ramizit dhe Nexhmijes?
    Ditën që u rrëzua shtatorja e Enverit, Nexhmija e mërzitur i ka shkuar Ramizit në zyrë dhe i ka thënë: “More shoku Ramiz, si nuk u vra një njeri për Enver Hoxhën, mijëra njerëz janë betuar me emrin e tij, që do të falnin jetën, vetëm ai të rronte sa malet…”. Ramizi i tha: “Nexhmije, mos u shqetëso, nuk është rrëzuar Enveri, u rrëzua vetëm bronzi”. Ramizi i tha të mos shqetësohej se bustin e ngremë përsëri, por po të vritej një njeri, do të vriteshin edhe njëqind dhe ajo që ne po përpiqemi të bëjmë, është që të shmangim luftën civile që të huajt po mundohen të nxisin me çdo kusht. Nexhmija iku nga zyra e Ramizit duke qarë dhe që atëherë marrëdhëniet e tyre nuk ishin si më parë.

    Po reagime të tjera për rrëzimin e bustit të Enverit pati?
    Në mbledhjen e Komitetit Qendror të Partisë së Punës nga Ministria e Mbrojtjes dhe ajo e Brendshme iu lëshuan Ramizit duke i kërkuar rolin e partisë për të mbrojtur monumentin e Enverit. Ramizi i tha: “Ka ikur koha kur Partia ishte kërthiza e botës”. Në këtë mbledhje Ramizi ka thënë që asnjë të mos shqetësohet pse u rrëzua shtatorja e Enverit, sepse ne buste dhe shtatore mund të ngremë përsëri. Gazetari amerikan, për të cilin fola edhe më lart, Baider, që mbulonte çështjet e Ballkanit, është shprehur se: “Ramiz Alia mund të ketë shumë gabime, por Ramiz Alia nuk është vrasës. Ai shmangu me shumë mjeshtri përplasjen civile në Shqipëri gjatë ndërrimit të sistemit komunist”.

    Si kanë qenë marrëdhëniet e tyre pas rrëzimit të monumentit të Enverit?
    Kanë qenë marrëdhënie të prishura, ishte një bukë e thyer. Por Ramizi e ruajti Nexhmijen, duke i dhënë asaj mbështetje politike. Në Kongresin e 12 qershorit të PPSH 1991, kur u krijua Partia Socialiste, Ramizi nuk e përjashtoi Nexhmijen. E gjithë Byroja Politike u përjashtua. Por ajo që di është se që pas rrëzimit të monumentit të Enverit, Nexhmija dhe Ramizi nuk kanë pasur më shkuarje dhe ardhje.

    Ju thoni se mes Ramiz Alisë dhe Nexhmije Hoxhës nuk ka pasur komunikim. A ishte Nexhmija në vdekjen e Ramizit dhe ceremoninë e varrimit të tij?
    Jo, jo, nuk ka qenë, as edhe ndonjë nga fëmijët. Nuk e mbaj mend të kenë qenë, as për ngushëllim më pas. As telefonatë ngushëllimi nuk u ka bërë fëmijëve të Ramizit, përveç Ilirit, që është dhëndër te vëllai i Ramizit. As Ramizi nuk i ka shkuar Nexhmijes pas burgut. Por Ramizi bëri një përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet me Nexhmijen. Përmes një miku të përbashkët i çoi Nexhmijes një mesazh, ku i kërkonte që të linin pas mëritë e së shkuarës dhe të vijonin të ishin miq për kujtimet e mira që kanë pasur bashkë, që nga koha e luftës e gjatë viteve të socializmit, por Nexhmija nuk e pranoi këtë mesazh, duke i thënë që nuk pres asnjë mesazh nga Ramizi. Duket se Nexhmija nuk e kuptoi deri në fund Ramizin, i cili gjatë gjithë jetës kishte shmangur përplasjen e fortë në çdo moment.

    Pas burgut që bënë byroistët u duk njëlloj ftohjeje e tyre ndaj Ramiz Alisë, madje ata e cilësonin edhe tradhtar. Kanë komunikuar më mes tyre?
    Jo, pati njëlloj ftohjeje, një tërheqje të tyre ndaj Ramizit.

    Keni pasur dijeni për kërkesë të Ramizit që Nexhmije Hoxha dhe fëmijët e saj të largoheshin nga Shqipëria?
    Liljana Hoxha dhe fëmijët e saj kanë ikur jashtë shtetit, ndërsa Nexhmija nuk ka lëvizur dhe nuk ka dashur të lëvizë. Ishte një ide që familja e Enverit të shkonin në Kanada se i priste Partia Komuniste e Kanadasë. Nexhmija nuk ka dashur të ikte. Nuk kam dijeni që Ramizi t’i ketë kërkuar Nexhmijes të largohet me gjithë fëmijët jashtë shtetit.

    Arrestim i Nexhmije Hoxhës kishte të bënte me një lloj kompromisi për të shpëtuar rënien e qeverisë së stabilitetit?
    Në fakt ka qenë një kusht i demokratëve për burgosjen e Nexhmijes dhe shkarkimin e drejtorit të Televizionit që të mos binte qeveria e stabilitetit.

    Ramizi e pranoi në heshtje?
    Ramizi nuk kishte se ç’të bënte, e pranoi në heshtje për hir të stabilitetit të vendit, sepse nuk dihej se çfarë kolapsi dhe pasojash mund të krijonte rënia e qeverisë së stabilitetit në atë gjendje që ishte ekonomia e vendit.

    Ramizi firmosi?
    Jo, jo. Ramizi nuk ka firmosur arrestimin e Nexhmijes. Madje, Ramizi pas burgut të tij kishte një merak. Më ka kërkuar mua që të gjej dikë që të sqarohej ai vetë se kush kishte dhënë urdhër për arrestimin e Nexhmijes. Unë i sugjerova Fadil Canin që ta takonte. Shkova me Fadilin në shtëpinë e Ramizit, i cili e pyeti se si është zhvilluar ngjarja e arrestimit të Nexhmije Hoxhës. Ramizit i kishte ngelur një barrë e madhe në opinion arrestimi i saj, pasi e kishin cilësuar byroistët edhe si tradhtar, që lejoi arrestimin e bashkëshortes së Enver Hoxhës. Fadili i tregoi Ramizit se Nexhmija u arrestua me urdhër të Sali Berishës dhe Azem Hajdarit. Nuk dihet qartë se çfarë roli ka luajtur Ylli Bufi, që në atë kohë ka qenë Kryeministër. Por si i tillë, ai duhet të ekzekutonte pushtetin që i jepte ligji.

    Gjatë kohës që Nexhmije Hoxha ishte në burg, pati ndonjë vizitë apo ndonjë të dërguar për të sqaruar këtë keqkuptim mes Ramizit dhe saj. Ju keni shkuar ta takoni në emër të Ramiz Alisë Nexhmijen në burg?

    Asnjëherë, as Ramizi dhe as unë. Madje dhe kur Ramizi ishte në burg, unë nuk i vajta asnjëherë. Unë pyesja vajzën e tij Zanën se kur mund të shkoja ta takoja në burg. Ai i kishte thënë të bijës që nuk dua të më vijë njeri. Ishte shumë i vrarë shpirtërisht dhe nuk donte që unë, apo të tjerë që kishin punuar me atë si president, ta shihnim në qeli. Nuk i vajta asnjëherë sepse edhe ai nuk donte. Nuk i shkoi askush. Në fillim të burgut, qeveria i bëri një izolim total Ramizit. Nuk i lejonin as libra, as laps të shkruante, as fletore, asgjë, as komunikim me të burgosurit e tjerë. Por ka dhe një histori njerëzore burgu i Ramizit. Drejtor i burgut ishte Tanush Mulleti, djali i Qazim Mulletit. Ai kishte një histori interesante me Ramizin. Në 1942, kur ishte bërë një demonstratë në Tiranë dhe Ramizi ishte arrestuar bashkë me një shok, te prefekti i Tiranës Qazim Mulleti kishte ndërhyrë një mik nga ana e gruas së Qazimit dhe Ramizi bashkë me të arrestuarin tjetër u liruan me firmë të tij. Pas çlirimit, Ramizi kishte pushtet dhe ia ktheu këtë nder që i bëri Qazim Mulleti familjes së tij. Nuk e di saktë se në ç’mënyrë. Kur Ramizi ishte në burg e ka ndihmuar shumë Tanushi në mënyrë njerëzore, në kundërshtim me urdhrat për izolim që ishin dhënë ndaj Ramizit. Madje kur u shpërbë burgu në 1997, nga frika dhe kaosi që ishte përfshirë vendi, sepse ishte dhe rreziku se mund ta eliminonin fizikisht, Tanushi e mori nga burgu me makinën e vet dhe e dërgoi në shtëpi Ramizin. Këtë fakt Ramizi e kujtonte vazhdimisht duke evidentuar anën njerëzore, edhe pse Tanushi dhe Ramizi i përkisnin klasave të ndryshme shoqërore.

    Kishte një lloj diferencimi në marrëdhëniet e brendshme të familjes Hoxha, sepse një nga nuset e djemve, Teuta, ishte mbesa e Ramizit, ndërsa Liljana nuk kishte një prejardhje të tillë. Ndikonte ky fakt në një lloj xhelozie të brendshme?

    Unë mendoj se balancat në atë familje i ka prishur Liljana. Nuk e di nëse ka pasur ndonjë gërr-vërr, por di që Liljana ishte më e përkëdhelur nga Enveri, ai e mbante më afër. Nuk mund të them se çfarë vlerësimi ka pasur Nexhmija për Liljanën, por në atë kohë flitej se Nexhmija nuk ka dashur që ajo të ishte nusja e djalit. Por ka qenë Enveri si më parimor që të pranonte vajzën që dashuronte djali i tij.

    Si kanë qenë marrëdhëniet e Ramizit me Liljana Hoxhën?
    Marrëdhënien jo të mirë mes Liljana Hoxhës dhe Ramiz Alisë unë e kam vënë re edhe gjatë kohës kur Ramizi ishte kryetar i Kuvendit Popullor dhe Liljana ishte nëndrejtoreshë e Agjencisë Telegrafike Shqiptare. Ramizi më kërkoi të shkoja në ATSH dhe të merrja lajmet për përdorim të brendshëm që qarkullonin në nivelin e lartë të aparatit shtetëror, ishin informacione të një rëndësie të veçantë që ATSH i përpunonte dhe ua shpërndante drejtuesve të shtetit. Takova drejtorin, dhe ai më tha se me to merrej Liljana. Unë me Liljanën nuk kishim njohje, por përshëndeteshim nëpër korridoret e institucioneve. Pra, nuk isha i panjohur. I trokita në zyrë Liljanës dhe i kërkova lajmet me porosi të shokut Ramiz. Liljana me një ton të çuditshëm më tha: Ç’ju duhen ju këto lajme?! Unë i thashë që ne na duhet aq sa ju duhen edhe ju.

    Kjo ndodhte pas vdekjes së Enver Hoxhës?
    Po, po, Enveri kishte vdekur në atë kohë. Mua më bëri përshtypje për tonin që ajo përdori, një lloj toni shpërfillës. Unë di që Liljana trajtohej nga ana mjekësore në atë kohë, kishte një lloj problemi që unë nuk e di se nga i buronte. Ndoshta nga emri i madh që kishte marrë pasi ishte bërë nusja e djalit të Enver Hoxhës dhe nuk e përballonte dot këtë peshë…

    A shprehej Ramizi ndaj sulmit që i bëhej nga Liljana Hoxha?
    Jo, jo, asnjëherë nuk e kisha dëgjuar të shprehte diçka ndaj Liljanës. Unë e njihja shumë mirë Ramiz Alinë, ai nuk mund të ulej kurrë në nivelin e akuzave të Liljanës.


    Panorama

  6. #6
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Rrëfen për historinë Guro Zeneli, sekretari personal i Ramiz Alisë

    Skënder Haluci i përgjigjet këshilltarit të Ramizit: E vërteta e atentatit ndaj Alisë

    Skënder Haluci, njeriu i akuzuar në 1983 se donte t’i bënte atentat Ramiz Alisë në Tropojë, e cilëson alibi të ish- Sigurimit të Shtetit akuzën ndaj tij. Në përgjigje të rrëfimit të ish-sekretarit të Ramiz Alisë, Guro Zeneli, Haluci shprehet për gazetën “Panorama” se falja e jetës nga Alia ishte dhe për shkak të pakënaqësive që ishin krijuar në verilindje të vendit pas pushkatimeve të 5- 6 personave që u akuzuan për atentat ndaj udhëheqësit të Partisë së Punës.

    Emri:  skender-haluci.jpg

Shikime: 699

Madhësia:  16.9 KB
    Skender Haluci


    Zoti Haluci, në rrëfimet e tij ish-sekretari i Ramiz Alisë, Guro Zeneli, është shprehur se ju jeni akuzuar për atentat ndaj Alisë në vitin 1983 dhe se ju është falur jeta nga pushkatimi, dhe jeni dënuar me 25 vjet burg. Si ka qenë historia juaj?
    Atentatet ndaj Ramiz Alisë në Has dhe Tropojë janë atentate të sajuara nga Sigurimi i Shtetit. Në Has, vërtet është arrestuar dikush dhe i është gjetur granatë në xhep, dhe për këtë janë pushkatuar dy persona, por ata kanë pasur hasmëri mes dy familjeve dhe konfliktin e kanë pasur mes tyre, dhe jo me Ramiz Alinë. Sigurimi i Shtetit e dinte shumë mirë këtë. Ditën e vizitës së Ramiz Alisë, për shkak të përqendrimit të madh të policisë, personat në fjalë janë kapur me armatim dhe janë etiketuar si tentativë për atentat ndaj Ramiz Alisë. Ata janë arrestuar atë ditë.

    Po në Tropojë si ka ndodhur incidenti?
    Rasti i Tropojës është një përrallë e vërtetë. Ramiz Alinë e kanë pritur me ovacione dhe me entuziazëm të madh.

    Kur është zhvilluar kjo vizitë?
    Në 1983 dhe ne jemi arrestuar 6 muaj më vonë. Ramizi ka ardhur diku nga qershori apo korriku i atij viti dhe ne jemi arrestuar më 24 nëntor 1983.

    Me çfarë akuze jeni arrestuar?
    Akuza kryesore ishte se donim të vrisnim udhëheqësin e partisë, Ramiz Alia. Kjo ishte një akuzë e sajuar sepse Sigurimi i Shtetit në atë kohë për t’u bërë i besueshëm se kapte herë pas here armiq, sajonte ngjarje dhe situata duke marrë njerëz më qafë e duke i dënuar deri dhe me vdekje.

    Si e ngriti Sigurimi i Shtetit alibinë ndaj jush se po përgatisnit vrasjen e Ramiz Alisë?
    Ne ishim nga familje të persekutuara barbarisht nga regjimi komunist. Që nga viti 1948 deri sa u shemb regjimi komunist shqiptar, burgu politik shqiptar nuk ka ngelur pa pasur në qelitë e tij anëtarë të familjes time. Mua më ka vdekur babai në moshën 46 vjeç në dhjetor të vitit 1975, ndërkohë që vuante dënimin e dytë në Burgun e Burrelit, pasi ishte ridënuar në revoltën e të burgosurve të Spaçit të vitit 1973. Pas vizitës së Ramiz Alisë në Tropojë në pranverën e vitit 1983, Sigurimi i Shtetit ishte i interesuar për të sajuar edhe në Tropojë një atentat imagjinar ndaj Ramiz Alisë. Për këtë alibi kush më të përshtatshëm se ne që rridhnim nga familje të persekutuarish do të ishte më i besueshëm për alibinë e tyre. Pas vizitës së Ramizit në Tropojë, unë dhe shokët e mi kemi diskutuar vazhdimisht rreth kësaj vizite, duke shfaqur mendimin se sikur të vritej ky, regjimi merrte fund sepse për Enver Hoxhën thuhej se ishte i mbaruar. Madje, fantazia jonë filloi të prodhonte mënyra dhe ide se ku dhe si mund të asgjësohej më mirë dhe më thjesht. Në Tropojë jemi arrestuar dy veta, unë dhe djali i xhaxhait, Isuf Haluca.

    Sa ju dënuan atëherë për këtë akuzë?
    Mua më dënuan me vdekje. Presidiumi i Kuvendit Popullor, pas një muaji që mua më dënoi gjykata me vdekje, e ka kthyer dënimin nga “me vdekje” në “heqje lirie me 25 vjet burg”. Ajo që thotë Guro Zeneli është e vërtetë. Unë në 1997 kur isha pjesë e grupit të gjykatësve ndaj Ramiz Alisë, dhashë dorëheqjen sepse Kodi i Procedurës Penale i parashikon rastet e përjashtimit nga një çështje dhe unë isha një nga ato raste të parashikuara në Kod.

    Kishte të bënte falja e jetës suaj me një qëndrim më tolerant të Ramiz Alisë?
    Nuk është e vërtetë se Ramiz Alia ishte më i zbutur në qëndrimet dhe gjykimet e tij. Gjatë dhe pas asaj vizite të paharruar për hasjanët dhe tropojanët, në Has dhe në Tropojë janë arrestuar, torturuar dhe dënuar me afate të gjata burgimi mbi 30 veta. Nga pranvera e vitit 1983, kohë kur ka ndodhur turi politik për promovimin e Ramiz Alisë si pasardhësin e Enver Hoxhës, pasi në atë kohë thuhej së Enver Hoxha ishte në gjendje të keqe shëndetësore fizike dhe mendore, deri në pranverën e vitit 1985 janë pushkatuar 5-6 persona nga kjo zonë, të cilët do të mundohem t’i kujtoj me emra, Tom Ndoja dhe Sokol Sokoli pushkatuar pas revoltës që kishte ndodhur në Burgun e Qafë-Barit në maj të vitit 1984, Shkëlzen Doçi pushkatuar më duket më 9 prill 1985 në kohën kur po jepte shpirt krimineli Enver Hoxha, pa harruar këtu edhe hasjanët që u ekzekutuan pas vizitës së Ramiz Alisë në Has. Thuhet dhe unë e besoj këtë se sekretari i Parë i Komitetit të Partisë së Punës në atë kohë i Tropojës…

    Cili ishte sekretar i Parë në atë kohë?
    …ishte Bajram Nezaj, i cili i ka thënë Ramiz Alisë se pushkatimet e të rinjve në Veri nuk janë pritur mirë nga popullata dhe kanë krijuar shumë zemërim. Një nga arsyet e ndryshimit të vendimit të dënimit tim me vdekje ka qenë kjo. Nuk dua më të merrem më me këtë histori se kam 50 vjet që përndiqem nga ajo.

    A e keni takuar ndonjëherë Ramiz Alinë pas faljes së jetës apo edhe pas 1991?
    Jo, nuk e kam takuar asnjëherë.

    ARISTIR LUMEZI

    Panorama

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •