EKSKLUZIVE/ Flet sekretari personal: Nano dhe Pashko, të përzgjedhurit e Ramizit…
Ish-sekretari personal i Ramiz Alisë, Guro Zeneli, në një intervistë të gjatë për gazetën “Panorama” hedh dritë mbi komunikimin e ish-udhëheqësit të lartë të Partisë së Punës së Shqipërisë me Mikhail Gorbaçovin, në lidhje me strategjinë e vendosur në mbledhjen e partive komuniste në Katovicë të Polonisë.
Guro Zeneli në 85-vjetorin e ditëlindjes së Ramiz Alisë
Sipas Zenelit, Ramiz Alia, dikur student në Fakultetin e Filozofisë në Moskë me Gorbaçovin, edhe pse ishte ftuar që të merrte pjesë në këtë mbledhje, nuk shkoi, por atij i dërguan në Tiranë materialin e kësaj mbledhjeje dhe vendimet e marra atje. Zeneli, i cili ka qenë pranë Ramiz Alisë deri në momentet e fundit të jetës, tregon se pasi Ramizi u njoh me dokumentin e Gorbaçovit, e diskutoi atë me Foto Çamin dhe nisi një reflektim të thellë bazuar në të, duke zbutur luftën e klasave, akuzat ndaj fesë, mosmarrjen më në mbrojtje të figurës së Stalinit dhe të diskutojë më hapur për ekonominë e tregut.
Ramiz Alia, sipas Zenelit, në vijim të strategjisë së tij për hapjen e Shqipërisë, dërgoi dy nga ekonomistët më të mirë të kohës, Fatos Nanon dhe të ndjerin Gramoz Pashko, në Gjermani dhe Suedi, për të studiuar mënyrën e adoptimit të ekonomisë shqiptare në një ekonomi të tregut.
Kur keni filluar punë në Tiranë në Presidiumin e Kuvendit Popullor?
Kam ardhur në 1982, pas një sugjerimi që i kishte bërë Jashar Menzenxhiu kryetarit të Presidiumit të Kuvendit Popullor, Haxhi Lleshi.
Si punohej me Haxhi Lleshin?
Haxhiu ishte një burrë zakoni, tradicional, i fjalës, aspak negativ, një njeri me shumë reputacion në Dibër, brezi i luftës, por dhe më gjërë, një njeri që ndihmonte njerëzit. Një herë kur do të shkonte në Dropull, Haxhiu më kërkon të bëj një material, një fjalë që do mbante atje para popullit. Dhe më tha mua ma përgatit se ti ke punuar në atë zonë dhe e njeh mirë. Unë e bëra materialin dhe ia dhashë. Kur shkuam atje, pati një pritje shumë të mirë. Fjalën që e kisha përgatitur për Haxhiun, unë ia dhashë dhe kryetarit të kooperativës së Dropullit, i cili ishte dhe deputet në Kuvend. I kërkova që të bënte ndonjë saktësim. Ai bëri disa saktësime dhe ma ktheu. (Kishte një porosi nga Enver Hoxha që në të gjitha fjalimet të mos kritikohej minoriteti, të mos dënoheshin për gjëra të vogla minoritarët, ndërsa një tjetër që nuk ishte minoritar për të njëjtin gabim në pune, e pushonin. Enveri kishte dhënë porosi dhe për zonën e Shkodrës të mos kishte acarime me popullin e kësaj zone, dënime të tepruara. Dhe këtë unë e kam vërtetuar në Sarandë. Jashar Menzenxhiu krijoi një marrëdhënie shumë të mirë mes minoritarëve në Sarandë, çamëve dhe popullsisë shqiptare, të cilët kishin ato ngarkesat e veta). Të kthehemi te vizita në Dropull, Haxhiu lexoi variantin e parë, por nuk lexonte dot se dhe mosha bënte të vetën. Kryetari i kooperativës më thotë: Ore Guro nuk lexoi atë fjalë që e përgatitëm bashkë?! Unë e justifikova pak me moshën. Më thotë kryetari i kooperativës: Nuk gjenit dot një tjetër që ta lexonte fjalën, por e lexoi Haxhiu që nuk mundet të lexojë?!!
Sa vjet punuat me Haxhi Lleshin?
Punova pak më shumë se 2 vjet. Kur unë fillova punë me Haxhi Lleshin në shkurt, qëndrova rreth një vit pa ikur në shtëpi, familjen e kisha në Sarandë. Një moment m’u sëmur nëna dhe unë i kërkova leje që të shkoja ta takoja. Më dha leje dhe shkova. Kur takova nënën, ajo më thotë labçe: “Ku je a të keqen nëna?! Mirë s’të mori malli për mua, por s’të mori malli as për gruan dhe katër fëmijët e tu?!”. Më pyet nëna se çfarë pune bëj me Haxhiun dhe i them që ja shkruaj, e ndihmoj në punët e tij, i përshkrova disa nga detyrat që kryeja. “Ishe aga në Sarandë, ç’deshe që shkove e u bëre argat i Haxhiut në Tiranë?!”, më tha nëna.
Më pas erdhi Ramiz Alia…
Po, punova me Ramizin pas daljes në pension të Haxhi Lleshit. Me ardhjen e Ramizit në Kuvendin Popullor u ndryshua menjëherë situata në institucion dhe në opinion shihej si një institucion më i hapur. Ramizi kishte një tjetër komunikimin, si me institucionet, ashtu dhe me njerëzit. Ndërsa Haxhiu kishte mbetur aty me dekada. Ishte brezi i këtyre që kishin marrë pjesë në luftë që kërkonin ofiqe dhe nuk mund t’i lëvizje dot nga posti dhe qëndronin aty derisa sëmureshin. Por edhe kur sëmureshin, vijonin ofiqet dhe privilegjet deri sa të vdiste. Por Ramizi ishte i veçantë. Ditën e parë të punës që erdhi në Presidiumin e Kuvendit Popullor, Ramizi më ftoi nga shtëpia. “Hajde- më tha -të të njoh me familjen”. Më mbajti edhe për drekë atë ditë. Nuk e harroj thjeshtësinë dhe njerëzillëkun e tij. Ramizi kërkonte që të mos kishte një kornizë zyrtare në marrëdhëniet me të, unë isha njeriu më i afërt me të në punë.
“Katovica” mbledhja e thirrur nga Gorbaçovi, udhëheqësi sovjetik i viteve ’80, me liderët e vendeve ish-komuniste është trajtuar herë pas here si një model nga nisi dhe pluralizmi në Shqipëri. Ju që keni punuar me Ramiz Alinë, a keni dijeni për ndonjë dokument të tillë që Alia kishte marrë nga Gorbaçovi?
Unë di që Ramiz Alisë i ka ardhur letër nga Gorbaçovi. Këtë letër Gorbaçovi ia kishte dërguar të gjithë sekretarëve të parë të vendeve komuniste të Lindjes, që të merrnin pjesë në këtë takim.
Ramiz Alia dhe Gorbaçovi kanë qenë bashkë në një shkollë?
Kanë qenë në një universitet, në Moskë për Filozofi. Nuk kanë qenë në të njëjtin kurs. Ramiz Alia, dhe pse mori letrën e Gorbaçovit, nuk shkoi fizikisht në Katovicë.
Kur është bërë mbledhja e Katovicës?
Mbledhja më Katovicë është zhvilluar në 1987. Edhe pse Ramiz Alia nuk shkoi në Katovicë dhe nuk mori pjesë në atë takim, në Tiranë ka mbërritur letra e Gorbaçovit, e cila kishte konkluzionet e kësaj mbledhjeje se si duhet të hapeshin vendet ish-komuniste ndaj demokracisë dhe ekonomisë së tregut. Ramizi e ka deklaruar vetë që ka marrë një letër nga Gorbaçovi.
Si ju ra në dorë ju letra që Gorbaçovi i dërgoi Ramiz Alisë?
Unë nuk e mora, por e pashë në tavolinën e Ramiz Alisë. Vonë unë kam siguruar një kopje të saj të përkthyer në shqip. Sapo është njohur me letrën e Gorbaçovit, Ramizi nisi nga puna për ta zbatuar atë. Pse e them këtë, sepse puna e parë që u bë filluan të moderohen disa terma që ishin thelbësore për sistemin. U hoq nga qarkullimi fjala “revolucionarizim”, duke u zëvendësuar me “demokratizim”. Ramizi na thirri disa prej personave të aparatit dhe na dha porosi që në të gjitha materialet që do të shkruheshin, fjalimet etj., fjala revolucionarizim duhej zëvendësuar me fjalën demokratizim.
Kur ka ndodhur kjo?
Kjo ka ndodhur rreth 1987, kur ka ardhur letra e Gorbaçovit.
U konsultua Ramizi me të tjerë sekretarë apo anëtarë të Byrosë Politike?
Unë di që është konsultuar me Foto Çamin, i cili ishte një nga njerëzit më të kulturuar dhe me vizion në Komitetin Qendror. Ishte më mendjehapur. Me Foton, Ramizi është konsultuar shumë se e vlerësonte për kapacitetin dhe mentalitetin e hapur që kishte. Fotoja u mërzit me Ramizin njëherë.
Pse, çfarë ndodhi?
Pasi ishte konsultuar me Ramizin për një takim që Foto do të bënte me intelektualë të Tiranës, artistë kishin përcaktuar se në çfarë linjash do të qëndronin. Dhe Ramizi kishte dhënë idenë e një artikulimi më të moderuar, jo dogmatik dhe të lënies së intelektualëve që të shpreheshin ata vetë për hapjen e vendit, hapjen e partisë, por me kujdes që kjo të mos dilte nga njerëzit e Partisë por të dilte si kërkesë e intelektualëve. Gjatë një bisede të gjatë me artistët, Foto nuk u shpreh hapur për pluralizmin, por “sorrollatej” tek ideja e demokratizimit, por pa i rënë në kokë konceptit dhe pse ai vetë ishte pjesë e kësaj ideje, pasi ishte konsultuar me Ramizin. “Pse nuk ma the shoku Ramiz edhe mua që t’ua kisha thënë artistëve, sepse më pyesnin nëse Partia është e hapur për pluralizëm dhe krijimin e partive të tjera, dhe unë nuk dija se çfarë t’u thosha”, kështu iu drejtua Foto Ramizit dhe e pashë që ishte i prekur nga kjo gjë. Pak ditë më vonë, Ramizi doli në takim me studentët dhe u shpreh hapur se është për pluralizëm dhe fjalën e lirë. Për këtë, Foto u mërzit se nuk e kishte deklaruar edhe ai vetë idenë e pluralizmit në takimin me artistët, por kishte ngurruar. Në fakt, në atë kohë, të gjithë këto takime me intelektualë dhe artistë kishin si qëllim testimin e inteligjencës se sa e përgatitur ishte për të pranuar një pluralizëm dhe pluripartizëm, por pa krijuar eksese dhune. Ramizi donte me çdo kusht të shmangte përplasjen në popull.
E ka diskutuar Ramiz Alia me Byronë e Partisë letrën e Gorbaçovit?
Po, ai ka mbledhur Byronë Politike të Komitetit Qendror të PPSH, më shumë me pjesën konservatore të Byrosë dhe u sqaroi se duhej të bëhej hapja e Shqipërisë drejt ekonomisë së tregut, se ekonomia jonë ishte në pikë të hallit.
Ka pasur reagime nga të vjetrit e Partisë?
Ishte periudha kur në Rumani u ekzekutua Çaushesku dhe kjo kishte krijuar një tronditje jo të vogël.
Fatos Nano
Çfarë reagimesh kanë pasur anëtarë të Byrosë Politike rreth “Gllasnostit” dhe “Perestrojkës”?
“Gllasnosti” kishte të bënte me lejimin e fjalës së lirë, diskutimin e hapur dhe transparencën. Ndërsa “Perestrojka” kishte të bënte me hapjen drejt ekonomisë së tregut. Realisht, Ramizi vite para se të vinin ndryshimet demokratike, dërgoi në Gjermani Fatos Nanon, një ekonomist i njohur i kohës për të njohur, në praktikë ekonominë e tregut të lirë dhe në çfarë formash mund të adoptoheshin në Shqipëri, në kushtet e ekonomisë shqiptare. Nano përgatiti një material shkencor për ekonominë e tregut, të cilin Ramizi e pranoi, madje e falënderoi për punën e mirë që kishte bërë. Ishte ky material që nxiti interesin dhe mendimin e Ramizit për Nanon, për ta emëruar më vonë sekretar të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Kryeministër dhe më vonë ta propozonte dhe kryetar të Partisë Socialiste. Ramizi dërgoi gjithashtu në Suedi Gramoz Pashkon, i cili nuk solli asnjë material të shkruar për këtë vizitë marrje eksperience. Madje, Gramoz Pashko hodhi në publik të gjitha shifrat e ekonomisë shqiptare gjatë qëndrimit në Suedi, si të ishte kryeministër i vendit. Ne, deklaratat e tij i kemi marrë vesh përmes “Agence” që vinin në Kuvendin Popullor. Ramizi më tha tërhiqi vërejtje Gramozit për këtë që ka bërë, por jo sikur të kam porositur unë, por nga ana jote… Ndërsa sa i takon pyetjes suaj, një pjesë e byroistëve ishin për ndryshimet. Në një mbledhje organizate partie, ku bënte pjesë dhe Ramiz Alia, ishte organizata e administratës së sektorit të Propagandës së Komitetit Qendror…
Gramoz Pashko
Ju ishit anëtar i kësaj organizate?
Po, po, isha anëtar.
Kush e drejtonte atë organizatë?
Ishte një njeri shumë i mirë, Leka Shkurti. Ishte koha kur diskutoheshin idetë e Gorbaçovit për Gllasnost dhe Perestrojkës. Gorbaçovi në vitin 1985 kishte dalë me teorinë e Perestrojkës, një rindërtimi të sistemit socialist, një revolucion që do të vinte nga lart, nga udhëheqja e partisë për të bërë reforma të shpejta demokratike që do të modernizonin socializmin e deri asaj kohe. Do të lejonte më shumë liri, lirimin dhe ndalimin e persekutimit ndaj disidentëve politikë, duke i lejuar krijimin e grupeve dhe lëvizje demokratike, ndarjen e shtetit nga partia dhe bërjen e disa reformave ekonomike duke nisur që nga lejimi i pronës private etj. Në një nga mbledhjet e organizatës, Ramizi i pyeti anëtarët e saj se çfarë mendimi kishin për Perestrojkën dhe Gllasnostin. Në fakt, para mbledhjes së organizatës, Leka, si njeri i hapur dhe që e kapte shpejt frymën e ndryshimeve, më kishte thënë se do të mbështesim Ramizin për çështjen e reformave dhe Gllasnosit, se nuk kemi ku shkojmë më. Kjo gjë do realizohet. Ja t’ju pyes unë more shokë dhe ti Mehmet (Mehmet Elezi, i cili ishte shef i shtypit) çfarë mendimi ke për këtë Gllaznostin? Inteligjenca jonë e do, e pranon Gllasnostin apo jo? Ramizi i kujdesshëm nuk shprehej nëse intelegjenca e asaj kohe e kërkon fjalën e lirë, por përdorte termin e Gorbaçovit, a e përkrahin Gllaznosin apo jo. Ishte filozofia e Ramizit që t’i jepte gjërat gradualisht dhe jo me grusht të fortë dhe revolucion. Kjo ishte zgjuarsi e Ramizit në atë terren që i duhej të punonte për të ndryshuar gjërat.
Çfarë përgjigje mori Ramizi nga ky testim?
-Jo, i tha Mehmeti, -në asnjë mënyrë, intelegjenca jonë në asnjë mënyrë nuk e pranon Gllasnostin.
ARISTIR LUMEZI
Panorama
Krijoni Kontakt