Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 7
  1. #1

    Protokolli i dështuar i Korfuzit – vepër e fuqive të mëdha

    Protokolli i dështuar i Korfuzit – vepër e fuqive të mëdha


    “Unë e di farë mirë se, kur gjithçka do të bëhet e njohur, kjo zgjidhje në shumë pika do të japë shkas për kritika të mëdha, nga kushdo që e njeh vendin dhe që e gjykon çështjen nga një pikëpamje e ngushtë locale. Duhet të mos harrohet se gjatë përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje të tillë, qëllimi kryesor ka qenë që të ruhej marrëveshja ndërmjet vetë Fuqive të Mëdha dhe, në qoftë se vendimi për Shqipërinë e ka siguruar këtë, atëherë ai e ka bërë punën më të rëndësishme në të mirë të paqes së Evropës”.

    Deklaratë e Edward Grey, sekretari i jashtëm i Britanisë së Madhe,

    më 12.8.1913 në Dhomën e Komunave në Londër.






    “Protokolli i Korfuzit, nuk bazohej në asgjë të vërtetë e prandaj, logjikisht, duhej hedhur në shportën e plehrave, sepse Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit në Korfuz, marrëveshjen e bëri me përfaqësues të qeverisë greke dhe jo të Shqipërisë së jugut, siç paraqitej komedia".

    Sir Harry Lamb, anëtari i Britanisë së Madhe në Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit

    Protokolli i Korfuzit i 17 majit 1914 ka qenë akti që Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit i Fuqive të Mëdha nënshkroi me qeverinë greke, në emër të qeverisë së Vilhelm Vidit. Sipas Protokollit të Korfuzit, krahinat e Shqipërisë jugore vendoseshin në një pozitë të veçantë pro greke, duke u njohur atyre një lloj autonomie që përfshinte si pika kryesore: një administratë më vete, një xhandarmëri lokale që do të vepronte vetëm në krahinat jugore, njihej greqishtja si gjuhë e vetme fetare e komuniteteve ortodokse, ndërsa në shkolla, në organet shtetërore e gjyqësore greqishtja do të ishte e barabartë me gjuhën shqipe. Protokolli i Korfuzit mori vulën si “protokoll i turpit”. Ai shkeli shumë rëndë sovranitetin e shtetit shqiptar, që ishte krijuar vetëm dy vjet para nënshkrimit të Protokollit. Protokolli i Korfuzit synonte krijimin e një lloj autoriteti të veçantë brenda trupit të “Shqipërisë londineze”. Ky ishte një lëshim që Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit i bënte politikës greke dhe “udhëheqësve” shqiptarë për të penguar zbrazjen nga ushtritë greke dhe andartët të Shqipërisë së Jugut dhe aneksimin e krahinave jugore shqiptare. Firmëtarët e Protokllit famëkeq të Korfuzit, të cilët nënshkruan në Hotelin “Orea Elvetia” ishin: përfaqësuesi anglez Sir Harry Lamb, përfaqësuesi gjerman Bigel, përfaqësuesi austro-hungarez Kral Sahtain, përfaqësuesi francez Krazefski, përfaqësuesi rus Petrof, përfaqësuesi Italian Lauro, Përfaqësues të Pric Vidit, Kolonel Tomsoni dhe Mehdi Frashëri dhe përfaqësues të Greqisë Zografos dhe Karapanos. Korfuzi i 14-tës ishte kazmë ndaj tërësisë territoriale të shtetit shqiptar dhe sovranitetit të tij. Protokolli i Korfuzit legjitimoi “minoritarët” ortodoks kur në fakt ishin shqiptarë, mohoi çamët ortodoks dhe arvanitët ortodoks se gjoja ishin: “kristiani ortodoksi”, krijoi gangrenën njëshekullore në emër të ortodoksisë kërkon kocka e territore në kurriz të shqiptarëve. Mbi të gjitha me ndihmën e Mehdi Frashërit, Esat Pashës, Ludovik Tomsonit etj., arriti të krijojë artificialisht çështjen e “vorio-epirit”. Ai synonte të zgjeronte “vathën” e pjesës jugore të Epirit që nuk kishte qenë kurrë e tyre as në kushtetuten greke të vitit 1827. “Protokolli i Korfuzit”, nuk “ka vdekur” siç përshkruhet nga ndonjë historian e analist bashkëkohor. Ai “rri zgjuar” dhe “ngjallet” përderisa mungon ndjesa e të mëdhenjve europianë ndaj shqiptarëve, por edhe përderisa në “xhaketat e vjetra” dhe “xhaketat e reja” greke rron ëndërra e vjetër e Idesë së Madhe. Protokolli i “arkitektëve” në ishullin e Korfuzit, nuk u realizua në sajë të qëndresës dhe vendosmërisë së popullit shqiptar në jugun e vendit. Ishin shqiptarët që i thanë “ndal” dorës kriminale pushtuese me veprime energjike luftarake.







  2. #2

    Për: Protokolli i dështuar i Korfuzit – vepër e fuqive të mëdha

    Kufijtë e Shqipërisë të nënshkruar në Firence dhe pas saj


    Menjëherë pas caktimit të kufijve shqiptarë me Protokollin e Firencës, një shekull më parë, fuqitë e mëdha kërkuan nga shteti fqinj jugor, Greqia të bënte lëshimin e krahinave të Shqipërisë politike “londineze” brenda një muaji. Kryeministri grek në këtë kohë e kishte peshuar mirë situatën gjeopolitike. Si serbët edhe malazezët nuk mundën të gjenin asnjë lloj mbështetje tek Shqipëria dhe shqiptarët e veriut sepse myslimanë e katolikë, ishin kundër tyre, në jug paraqitej gjendja ndryshe: një pjesë e shqiptarëve orthodoks ishin grekomanë, të punuar me kohë prej shkollave helene, dhe mund t’i shërbenin Greqisë si një bazë për të bërë lodrën e saj. Synimi i fqinjëve tanë ishte që dy krahinat jugore, Korçë e Gjirokastër, të shpalleshin si “shtet autonom” i Vorio-Epirit dhe të veçoheshin nga Shqipëria. Më tej do të ishte e lehtë bashkimi me Greqinë.

    Firencia është qyteti Italian që dy herë është bërë symbol i debatit mbi kufijtë e Shqipërisë. Kufiri që është shënuar në protokollin e 17 dhjetorit 1913 është në fuqi edhe sot me përjashtim të disa ndreqjeve të vogla që u bënë në zonën e Korçës pas Luftës së Parë Botërore. Komisioni i kufirit shqiptaro grek përfundimisht u vendos më 27 janar 1925 ndërsa kufiri në veri midis shqiptarëve dhe mbretërtisë serbo-kroato-sllovene u hartua më 26 korrik 1926. Në këtë periudhë edhe Komisioni vetë u bë fushë kontraditash midis dy blloqeve të Fuqive të Mëdha ku interest e palëve sillnin kontraditat të ashpra diplomatike që më vonë do të shpaloseshin edhe në planet e ballafaqimet ushtarake përgjatë Luftës së Parë Botërore. Vendimet e vitit 1913 patën rëndësi principiale për Shqipërinë, sepse e shënuan atë në hartën e Europës. Por për të pasur mirë parasysh rëndësinë e vendimit të 29 korrikut 1913 mjafton të përmendim direktivën që u jepte Pashiçi përfaqësuesve të Serbisë në kryeqytetet e Fuqive të Europës: “ja të shuhet Shqipëria, ja të bëhet sa më e vogël dhe e paaftë për të jetuar”.

    Mbi bazën e këtij perceptimi dhe në unison me konceptin, “një Shqipëri e paaftë për të jetuar” pas Konferencës së Londrës e deri më sot ka vepruar platform “naçertanie” duke e përcjellë brez pas brezi dhe duke masakruar shqiptarët e Kosovës për t’i shpërngulur me dhunë nga trojet e tyre, të cilët gjetën strehë dhe mikpritje pikërisht në atë pjesë Shqipërie të njohur më 29 korrik 1913 në Londër nga përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha. Kosova është shembulli më i mirë i mbijetesës së një populli që ka provuar më shumë padrejtësitë e “kohës së re” që prej 29.7.1913 e deri më 17 shkurt 2008. Kosova, shqipëtarët e ngelur jashtë trojeve etnike në anët veriperëndimore të saj, por dhe Çamëria, si vatra të rëndësishme të Lëvizjes Kombëtare, përfshi këtu dhe kuvendet e kongreset historike të Rilindjes të viteve 1878, 1880, 1909, nuk pajtohen me fatin historik që i servirën përfaqësuesit e Fuqive të Mëdha në Konferencën e Londrës më 1913. Gjithë drama shqiptare u luajt jashtë dëshirës dhe vullnetit të shqiptarëve, pa dëgjuar zërin e përfaqësuesve legjitimë të popullit shqiptar. Gjithë shqiptarët nuk ua patën borxh atyre që u vunë në shërbim të armiqve të kombit tonë në të gjithë atë vorbull të pazarllëqeve diplomatike të Fuqive të Mëdha dhe të monarkive të Ballkanit në kurriz të trojeve të tyre.

    Kryengritja e parë pas vendimeve të të mëdhenjve europianë, në shtator të vitit vitit 1913 kundër zgjedhës serbe vërtetoi padrejtësinë e vendimeve të Konferencës së Londrës përsa i takon kufijve të shtetit shqiptar. Pretendimet e fqinjëve tanë të pangopur për justifikimin e synimeve të tyre aneksioniste, veç të tjerash kamufluar dhe me “misionin e tyre qytetërues mbi shqiptarët”, të quajtur prej tyre, primitivë e të egër i rrëzoi koha dhe historia i përmblodhi në koshin e saj. Në rrafsh ballkanik që më 1913 u shpalos pesha e faktorit shqiptar në zhvillimet politike ndërshtetërore dhe ndërnacionale në gadishullin tonë, fill pas vendimeve të Konferencës së Londrës. Këtë faktor, aleatët ballkanikë nuk e kishin marrë në konsideratë dhe e nuk e përfillën gjatë kryengritjeve të mëdha të shqiptarëve në vitet 1909-1912 dhe gjatë Luftës së Parë Ballkanike. Më pas, është i padyshimtë ndikimi i kryengritjejes shqiptare në ecurinë e bisedimeve turko-bullgare që kishin nisur për krijimin e një aleance të re kundër Greqisë, Serbisë dhe Malit të Zi. Ideatorët e saj e patën të qartë se në kontekstin ballkanik faktori shqiptar, tashmë, nuk do të mund të injorohej në të ardhmen në asnjë projekt të tillë.

    Në këtë kontekst tjetër problem ishte se në çfarë mase do të përfillej. Kështu në rrethet politike shqiptare shtypja e egër e kryengritjes së shtatorit 1913 përforcoi bindjen se në rrethanat e krijuara, të brendshme dhe të jashtme, detyra e çlirimit dhe e bashkimit të trojeve shqiptare nuk mund të zgjidhej pa siguruar aleatë të jashtëm, pa krijuar miq e strategji të qarta zhvillimi. Kombinimet politike që po projektoheshin midis Perandorisë Osmane dhe Bullgarisë u dhanë atyre një rast të mirë për të vepruar. Por në fakt autoriteti, përvoja dhe maturia e kryetarit të qeverisë së Vlorës, Ismail Qemali nuk mund të gjendej një interpret më i mirë dhe më vital i mendimit dhe i veprimit për kohën, e atdhetarit patriot që në mendje kishte 116 mijë km² në të katër vilajetet shqiptare. Intelektualizmi shqiptar kishte mbrojtësin më të mençur dhe më veprues për kohën.







  3. #3

    Për: Protokolli i dështuar i Korfuzit – vepër e fuqive të mëdha

    Protokolli i Korfuzit dhe antishqiptarizmi i orkestruar



    Fqinjët tanë jugorë duke shfrytëzuar pozitat e dobëta të shtetit të sapokrijuar shqiptar dhe duke pasur frikë nga përbashkimi i katër vilajeteve dhe marrja nën mbrojtje të ndonjë nga Fuqive të Mëdha të kohës nxitoi të armatosë ushtrinë e saj dhe të vërë në veprim diplomacinë dhe gjithë segmented e miqësisë për të përfituar sa më shumë në rrëmbimin e kufijve ende të pastabilizuar. Kështu pasi mbajti nën presion qeverinë e Vlorës që të mos kishte mundësi të lidhej me botën veproi dhe u parapriu edhe veprimeve në terren. Mbretërisë fqinje në jug të Shqipërisë i duhej të fitonte kohë, gjer sa të përgatiste vënien në zbatim të helenizimit të jugut të Shqipërisë. Më 30 dhjetor 1913, Venizelloja u përgjigj se do t’a tërhiqte ushtrinë prej krahinave të Shqipërisë jugore pasi të ishte zgidhur në dobi të Greqisë çështja e ishujvet të Egjeut. Ushtria greke organizoi bandat famëkeqe të quajtura “kompani të shenjta” (hierolohitët) me hajdutë dhe kriminelë të lëshuar prej burgjeve, dhe i dërgoi në krahinat e Korçës e të Gjirokastrës për t’a shkretuar vendin në zjarr e në gjak. Shpalli gjithashtu mobilizimin e përgjithshëm për orthodoksët shqiptarë të cilët i shikonte si “të vetët”. Por atdhetarët nuk pranuan të tradhëtonin vendin e tyre. Pati edhe nga ata që u vëllazëruan me kriminelët e Gjiritit dhe bënë lodrën e mbretërisë fqinje si në qarkun e Korçës dhe në Përmet, Delvinë, Gjirokastër, Himarë etj. Ata formuan banda të rrezikshme kundër popullsisë myslimane dhe që e shkelën vendin me zjarr me e me hekur. Më 13 shkurt 1914, fuqitë e mëdha, me anën e një note të përbashkët, ia kujtuan edhe njëherë qeverisë greke se duhej t’i lironte tokat e Shqipërise gjer në fund të marsit 1914, dhe se vetëm atëhere mund të merrëshin parasysh kërkesat e saja në lidhje me ishujt e Egjeut.

    Por bizantizmi vijonte dhe se “qeveria helenike zotohej të mos ndërhynte, drejtpërdrejtë as tërthorazi, për të kundërshtuar vendimet e fuqive të mëdha në lidhje me Shqipërinë e jugut” etj. Por qeveria greke s’kishte të bënte në “problematikën” nëqoftëse vetë “Epirotët e Veriut” s’donin të bashkohëshin me shtetin shqiptar. Megjithatë, për të mos ardhur në kundërshtim të hapët me fuqitë e mëdha, u urdhrua që ushtria e rregullt “ta lëshonte” Korçën më 1 Mars 1914. Më 2 mars 1914 hyri në qytet xhandarmëria shqiptare dhe u vu një administratë e varur prej Komisionit ndërkombëtar të Kontrollit. Kjo ishte vetëm një dredhi e qeverisë greke për t’ju treguar fuqive të mëdha se po “e tërhiqte ushtrinë e rregullt”. Ndërkohë që vendimi i Konferencës së Londrës fiksoi kufirin midis Greqisë dhe Shqipërisë, miratimi i të cilit në Protokollin e Firences është dokumenti bazë edhe sot për kufirin midis Shqipërisë dhe Greqisë. Por për shqiptarët u zhvillua një situatë tragjike, sepse autoritetet greke, natyrisht, nuk mund t`i kundërviheshin vendimit të Konferencës së Ambasadorëve, por ata inskenuan një “lëvizje popullore” që u vetëquajt “Qeveria autonome Vorioepirote”, nën kryesinë J. K. Zografit. Por forcat ushtarake ua lanë vendin “Legjioneve të Shenjta”, “Batalione të Shenjta” apo “Kompani të Shenjta” që u bënë tmerri i Shqipërisë së jugut, nga kontigjente “kokëkrisurish” nga Kreta me kriminelë të lëshuar nga burgjet me emigrantë dhe partizanë grekë dhe nga shqiptarë që u detyruan ose u joshën të bashkoheshin me ta”. Nga ana tjetër kish përgatitur shpalljen e “autonomisë së Epirit të Veriut” dhe hedhjen në veprim të “kompanive e batalioneve të shenjta”, që paraqitëshin si “forcë vorio-epirote”.

    Kështu më 2 mars1914 u thirr kongresi vorio-epiriot në Gjirokastër, ngjarje kjo disa ditë përpara ardhjes së Vidit në Durrës dhe që fqinjët realizimin e synimeve kërkonin ta bënin përmes besueshmërisë dhe ndikimit besimtar. Por fakt është se besimet myslimane dhe ortodoksia atdhetarë përbënin shumicën e madhe, ndërkohë që fqinjët shqfrytëzonin një pakicë ortodokse të paguar, por edhe të detyruar me forcë e që shërbente si një mbulesë për të fshehur prapa tyre kriminelët e prurë nga Gjiriti (Kreta) dhe prej viseve të tjera të Greqisë. Qëllimet politike dhe synimet strategjike greke kishin filluar të vinin si një re e zezë mbi Shqipërinë. Zjarrin fillestar nisën ta hidhnin me “autonomitë që synonin në Korçë, në Gjirokastër dhe në Himarë. Pas dështimit në Korçë, grekët ngarkuan një shqiptar me origjinë nga Qesarati i Lunxhërisë në Gjirokastër, ish ministër i jashtëm grek si dhe guvernator i Janinës, për të shpallur në Gjirokastër “Republikën Autonome të Epirit të Veriut të fillimvitit 1914. Qeveria e “Epirit të Veriut”, jetoi 253 ditë, që ishin ditë tmerri e masakrash për popullsinë e Jugut të Shqipërisë. Në Himarë majori i ushtrisë greke Spiro Spiromilo shpalli autonominë krahinore me shtatë fshatra dhe synonte ta zgjeronte rrethin e fshtrave me autonomi qeveritare më vete në 18 fshatra. Strukturat ushtarake greke gjatë viteve 1913-1914, angazhuan potencialet e resurset më antishqiptare të quajtura “Kompani e Batalione të Shenjta”, të përbërë nga kriminelë lufte, dezertorë dhe të burgosur nga burgjet greke, të cilët do të njiheshin si “Andartë”, veçanërisht të sjellë nga Kreta dhe Peloponezi. Njësitë e rregullta greke, të ashtuquajturit “epirotë” apo “andartë” zotëronin armë, municione, pushkë, mitralozë dhe madje dhe topa grekë të njëjtë. “Formacionet e shenjta” të dirigjuara nga fqinjët jugorë shqiptarë kanë kryer masakra në të gjithë Jugun e Shqipërisë, duke vrarë gra, pleq e fëmijë për të spastruar zonën nga shqiptarët pasi më parë kishte pastruar Çamërinë dhe Gjirokastrën.

    Fakt është se ushtarakët me urdhër, hoqën uniformat dhe nisën masakrat, djegiet duke argumentuar se nuk pranonin vendimin e Evropës për: “lënien jashtë Greqisë të Korçës dhe Gjirokastrës”. Situata u rëndua pas bisedimeve ndërmjet KNK dhe përfaqësuesve “vorio-epirotë nga 10 maj deri 17 maj 1914, përfunduan me “Protokollin e Korfuzit” ose “Marrëveshjen e Korfuzit” të 17.5.1914 të nënshkruar në Hotelin “Orea Elvetia”. Protokolli “udhëheqësve” shqiptarë, grekë e ndërkombëtarë mori vulën si “protokoll i turpit” sepse Shqipërinë e jugut ja falte mbretërisë greke. Por kush janë arkitektët e Protokollit të Korfuzit? Protoklli Korfuzit i 17 maj 1914 u firmos nga përfaqësuesit e Britanisë së Madhe: Sir Harry Lamb; Gjermanisë: Bigel; Austro-Hungarisë: Kral Sahtain; Francës: Krazefski; Rusisë: Petrof; Italisë: Lauro; Shqipërisë: Kolonel Tomson, Mehdi Frashëri dhe Greqisë: Zografos, Karapanos. Por më 1919 në Paris u krijuan konturet e Evropës së re dhe protokolli i Korfuzit e humbi rëndësinë, por nuk u çfuqizua. Megjithatë 40 mijë ushtarë e andartë kryen masakra të pashembullta në qytete e fshatra të Korçës, Përmetit, Gjirokastrës, Sarandës, Labërisë etj. Çetat e armatosura shqiptare megjithë depërtimin dhe masakrat e andartëve në shumë beteja i ripërsëritën një mësim historie fqinjëve si në Betejën e Skërficës, në Senicë, Bashaj, Vergo, Kopaçez, Palavli, Rusan të Delvinës, në Fushëbardhë, Zhulat, Kapariel, Golem, Shkallë të Zezë, Shtëpëz, në Kodrat e Humelicës, Cepo, Kodrat e Shehe në Çepunë, nën Kolonjë, në grykën e Borshit, në Kallarat, në Lajthizë të Gusmarit etj. Lufta vazhdoi dhe në Kurvelesh, Këndrevicë e gjithë zonat labe për mbrojtjen e truallit arbëror.

    Protokollin e Korfuzit ishte një marrëveshje turpi që dogji jugun e Shqipërisë dhe që dëshmitë janë tepër tronditëse në gjithë jugun e vendit. Sulmeve andarte të vitit 1914 u paraprinë masakra të shumta si “Masakra e Paramithisë më 27 mars 1913, ku u vranë 72 udhëheqës të krahinës së Çamërisë; masakra e Panaritit në janarit 1914 në fshatin Panarit, si hakmarrje për ngritjen e Flamurit Kombëtar Shqiptar u therrën mbi 400 burra, gra, fëmijë e pleq. 300 burra nga Panariti e Grabocka u keqtrajtuan dhundshëm në Karakoll, në krye të Rripës së Melckës, dhe u prenë kokat djemve panaritas, ku gjaku rridhte si në thertore; më 25 shkurt 1914 në Pacomit e Kuqan dy fshatra afër Kosinës së Përmetit të banuar nga myslimanë, ku gjithë fëmijët që kishin mbetur në fshat u therën 75 vetë; në Hormovë vranë 217 vetë, në mars 1914. Dëmi total i masakrës së andartëve dhe ushtrisë greke në jug të Shqipërisë është katastrofik: 2500 të vrarë, 400 fshatra të djegura e mbi 200 milionë franga ari dëme. Opinioni publik ndërkombëtar sidomos ai britanik u indinjua nga ky veprim i Greqisë dhe protestoi përmes deputetëve britanikë “Miqve të Shqipërisë” Sir Walter Guinness, Aubrey Herbert, Lord Laëington, etj. Ish-ministri i SHBA në Athinë, Fred Williams, që ishte edhe anëtar i Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit protestoi në atë kohë me forcë kundër aktit çnjerëzor të qeverisë greke dhe pasi vizitoi Shqipërinë e Jugut, në shenjë proteste, u kthye në SHBA, dhe u bë mbrojtës i hapur i shqiptarëve”. Rreth këtyre ngjarjeve mikja e shqiptarëve Edith Durham shkruan: “Nuk mund t’i besoj ato që kam parë. Më duket sikur jam në një ëndërr të keqe dhe grekët edhe sikur një shekull të tërë, të bëjnë pendesë, ata nuk mund t’i shlyejnë krimet e urryera që kanë bërë ndaj shqiptarëve”. Masakrat, djegiet e shkatërrimet e gjithçkaje, në ngjarjet e vitit të mbrapsht 1914, mund t’ju kujtojnë fqinjëve jugorë të shqiptarëve se në botën e civilizuar reflektohet dhe kërkohet edhe ndjesë.

  4. #4

    Për: Protokolli i dështuar i Korfuzit – vepër e fuqive të mëdha

    Historiografia ka të dokumentuar dhe objekt studimi në dhjetra e dhjetra botime mbi 17 maj 1914 ku marrëveshja në ishullin e Korfuzit, legalizonte “autonominë” vorio-epiriote dhe krijonte administratën e veçantë në jug. Përveç firmës së KNK-së, Fuqitë u bënë garant për zbatimin e Protokollit, për shkëputjen e jugut të Shqipërisë nga pushteti i qeverisë së Princit, në kundërshtim flagrant me vendimet e Londrës, që ishte një kundërshti i hapur e vetëvetes së të “mëdhenjve”. Në këtë rast binte në sy edhe pozicioni i KNK si pushtet suprem i ndërkombëtarëve, që dilte mbi qeverinë e Princit kukull. Fakt është se menjëherë pas kësaj tragjikomedie, Zografi bëri të njohur se “as Greqia as fuqitë e mëdha nuk kishin të drejtë të ndërhynin në punët e brendëshme të “shtetit hije” të “Epirit të Veriut” duke kërkuar nga Komisioni ndërkombëtar i Kontrollit që të mos i lejonte forcat shqiptare të shkelnin “kufijtë e këtij shteti”. Por kur princi Wilhelm von Wied ose Vidi, siç e quanin thjesht e pa përkëdheli e ndoshta dhe pa besim ndaj tij nga shqiptarët, zbriti në Durrës më 7 Mars l9l4. Ai u ndodh përpara një gjendjeje tepër komplekse. Ardhja e tij u prit diku me gëzim, diku me shpresë, diku me mosbesim. Por në këtë situatë kaq komplekse nuk mjaftonte që Vidi të quhej “njeri i mirë”. Shqiptarëve u nevojitej zotësia për ta nxjerrë vendin nga gjendje tepër e vështirë e pamjaftueshmërisqë së sigurisë dhe të ekonomisë. Kryeqytet zgjodhi Durrësi. Më 17 Mars 1914, u formua qeveria shqiptare nën kryesinë e Turhan Pashë Përmetit, një diplomat i vjetër që kishte qënë ambasador i Turqisë në Shën Petërburg. Esad Toptani nuk u vu dot në krye të qeverisë, ai mbeti prapë se prapë njeriu më i fuqishëm sepse mori dy ministritë më të rëndësishme, të Punëve të Brendëshme dhe të Luftës. Kjo tregonte se Vidi nuk e njihte fare ambjentin shqiptar duke keqpërdorur kështu dy vende kyç në qeveri. Vidi gaboi edhe në kushtin e dytë se nuk u garantua nga Fuqitë e Mëdha për çlirimin e krejt tokës shqiptare prej ushtërive greke përpara se ai të vinte në Shqipëri. Dobi fasadë e ardhjes së Vidit në vendin tonë ishte vetëm se ky u njoh si princ i Shqipërisë prej gjithë Fuqive të Mëdha dhe shteteve të tjerë të Evropës e të Ballkanit, duke i dhënë kështu pavarësisë shqiptare një “çertifikim” ndërkombëtar.

    Qeveria që u formua nën Vidin përbëhej prej çifligarësh a bejlerësh të mëdhenj të tokave të cilët mbështesnin më fort interesat e tyre se sa ato të Shqipërisë. Por sido që të kishte qënë qeveria kombëtare, ata që propozonin dhe vendosnin në punët e Shqipërisë ishin të huajtë: Këshilli Ndërkombëtar i Kontrollit dhe këshilltarët e huaj që rrethonin Princin. Në fakt nuk ishin as këta të huaj në një mendje, sidomos këshilltarët austriakë dhe italianë. Është i njohur rivaliteti i vjetër ndërmjet Italisë dhe Austro-Hungarisë për çështjen e ndikimit e të sundimit të tyre në Shqipëri. Por gjatë Luftës ballkanike dhe vendimeve të Konferencës së Londrës, këto dy fuqi kishin mbajtur një politikë pak a shumë të përbashkët kundrejt Shqipërisë. Me mbëritjen e Vilhelm Vidit, Italia e ndryshoi qëndrimin dhe nisi të bënte një politikë të sajën në lidhje me çështjen shqiptare, kundër Austro-Hungarisë dhe në dëm të madh të Shqipërisë. Vidi, si Gjerman, ishte më i afërt me Austrinë dhe Italia u vu të gjente vegla midis Shqiptarëve kundër tij. Filloi gjithashtu të bënte me Greqinë një politikë më vehte duke i lëshuar pe në Shqipërinë e jugut. Pas formimit të qeverisë së Durrësit, kundërshtimi i parë ndërmjet fuqive të mëdha u çfaq për çështjen e huas që do t’i jepej Shqipërisë dhe për krijimin e bankës kombëtare të saj. Austria kërkoi edhe njëherë që banka shqiptare të krijohej me kapitale austro-italiane dhe huaja prej 75 milionë frangash ari, vendosur prej Konferencës së Londrës, t’i jepej Shqipërisë pikërisht prej Austrisë dhe Italisë. Franca ndërhyri energjikisht që banka e Shqipërisë dhe huaja të plotësohëshin me kapitale prej gjashtë Fuqive të Mëdha. Më 10 Prill 1914 në Vlorë u hartua prej Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit dhe u nënshkrua prej tij, Statuti Organik i Shqipërisë, që është ndryshe edhe Kushtetuta e parë e shtetit shqiptar. Statuti ishte një përmbajtje e vendimevet themelore që pati marrë për Shqipërinë Konferenca e Londrës, më 29 Korrik 1913. Neni 1, i statutit parashikonte se, Shqipëria shpallej principatë kushtetutore, sovrane e trashëgimore, nën garantinë e gjashtë Fuqive të Mëdha. Neni 2: Fuqitë e Mëdha garantonin tërësinë dhe paprekshmëninë e tokës së Shqipërisë me kufijtë që ato patën caktuar. Neni 3: Shteti shqiptar ishte asnjanës dhe asnjanësia e tij garantohej po prej gjashtë fuqive të mëdha.

    Në fronin e Shqipërisë njihej me të drejta sovrane Princi Wilhelm von Wied, i cili ishte kryetari i administratës civile e ushtarake dhe emëronte këshillin e ministrave. Gjithashtu Kushtetura shqiptare parashikonte gjuhën shqipe, organet legjislative, bankat, ushtrinë, arsimin, administratën, pushtein vendor etj. Statuti organik i jepte Shqipërisë vendin e një principate të pavarur në radhën e shteteve Europiane. Një pikë enigmatike e “Kushtetutës” ishte pika e katërt, me anën e së cilës principata shqiptare detyrohej të mbante në fuqi traktatet, konventat dhe rregullimet ndërkombëtare të Perandorisë Otomane në lidhje me konçesionet a privilegjet që ajo iu kishte njohur të huajvet në tokat e Shqipërisë. Por në Gjirokastër e ashtuquajtura qeveri e “Epirit të Veriut” shtoi përpjekjet për të zotëruar vendin. Dhe jo vetëm kaq sepse fokusi i tyre u drejtua për të bërë miq për të marrë “çdo metër të tokës shqiptare”. Koloneli holandez Thomson, i ngarkuar si komisar për krahinat e jugut, shkoi në Korfuz ku pati një bisedim me Karapanon, përfaqësonjësin e “qeverisë së Vorio-Epirit”, për të gjetur një zgjidhje të çështjeve të jugut të Shqipërisë. Thomsoni, duke shprehur mendimet e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, i cili s’donte të kishte shumë kokëçarje, iu premtoi grekëve disa “të drejta të veçanta” për popullsinë e “Epirit të Veriut”. Por qeveria e Durrësit fillimisht nuk i pranoi këto lëshime dhe u tregua kundër çdo forme autonomie për krahinat e jugut.

    Tomsoni shkoi shumë larg në premtime, duke pranuar në të vërtetë autonominë e dy krahinave të Korçës dhe të Gjirokastrës, të cilat do të mbanin lidhje thjesht formale me Shqipërinë. Krahas diplomacisë grekët, duke parë qëndrimin e lëkundshëm të Komisionit të Kontrollit dhe mosinteresimin e Fuqive të Mëdha, tentonin të pushtonin përsëri Korçën sikurse ndodhi në befasi natën më 2 Prill 1914. Ushtria e rregullt greke e “tërhequr” më 1 Mars 1914 sa për të mashtruar Fuqitë e Mëdha, sepse në të vërtetën ata kishin lënë forca të fshehura brenda në qytet dhe nëpër fshatrat rreth Korçës, kishin lënë gjithashtu në spitalin e Korçës një numër ushtarësh gjoja “të sëmurë” dhe “mjekët” e tyre, që nuk ishin veçse oficerë për të drejtuar grushtin e befasisë në çastin e duhur, kishin depot e fshehta të armëve nëpër shtëpitë e disa ortodoksëve si dhe në kishat orthodokse, si dhe një rrjetë spiunësh të mitropolitisë së Korçës. Por befasia e grekëve u demaskua dhe shkatërrua nga xhandarmëria shqiptare, nën kumandën e majorit holandez G. Snellen, që i thyen forcat armike. Ky guxim iu dha zemër Shqiptarëve të cilët u ngritën me shumicë, të udhëhequr nga Themistokli Gërmënjit dhe të komanduar prej Sali Butkës. Vidi dhe qeveria e Durrësit e Turan Pashë Përmetit shpresuan se erdhi rasti për t’i përzënë pushtuesit nga Shqipëria jugore dhe synonin të pregatitnin një forcë prej 10000 vullnetarësh në ndihmë të luftëtarëve të jugut. Por zbatues i planit do të ishte ministri i Luftës, Esat Pashë Toptani, i cili nuk kishte asnjë dëshirë për të ndihmuar “Toskët”, edhe për faktin se kishte miqësi me grekët. Duke qenë se Shqipëria jugore nuk do të ishte kurrë me ministrin e luftës së Vidit jo vetëm që nuk ndihmonte por sabotonte si për mbledhjen e forcave ashtu edhe për fshehjen e një sasie armësh e municionesh që u nisën nga Durrësi për në jug të Shqipërisë, por që nuk arritën kurrë në destinacion. Nga ana tjetër në trevat shqiptare jugore fatin e vendit e kishin marrë në dorë kapedanët popullorë, të cilët në fakt ishin mbledhur në Kuvendin ei besëlidhjes popullore të Shtëpëzit më 10 prill 1914.

    Më në vështirësi ishin vendosur qarqet mbështetëse të Zografs. Kur panë vendosmërinë e çetave që komandoheshin nga Sulo Beqiri, Çerçiz Topulli, Halil Sullo, Selam Musai etj, dhe forcat e tyre kishin arritur gjer në Virua më 22 prill 1914, përpara Gjirokastrës, qeveria greke bashkë me Zografin iu paraqitën Fuqive të Mëdha kërkesa më të zbutura, në dukje, por që në të vërtetë s’e ndryshonin aspak qëllimin dhe planin e Greqisë. Ishte një manovër për të fituar kohë e për t’a pushtuar vendin ca nga ca. Nga të dhënat dokumentare del se në rajonin e Tepelenës e Përmetit kanë qenë dhe të dërguarit e Vilhelm Vidit që ishte Kolonel Tomsoni, roli i të cilit ngeli në hije gjatë dhe pas gjithë masakrave që ndodhën në të gjithë jugun e Shqipërisë dhe sidomos pas nënshkrimin e Marrëveshjes së Korfuzit. Tomsoni në fillim të marsit shkoi në Korfuz dhe i kërkoi guvernatorit Varatas si mik i Zografosit ta ndërmjetësonte për të takuar “ministrat” vorioepiriotë. Guvernatori, sikurse shkruan Dr.G.T. Goslinga, në librin “Hollandezët në Shqipëri”, mohoi se kishte lidhje me rebelët. Më 13 mars 1914 Karapanos me atributet e ministrit të jashtëm vorioepiriot erdhi në Korfuz dhe u takua me Kolonel Tomsonin, i cili tejkaloi të drejtat e tij dhe premtoi autonomi qeverisë së Zografosit. Kjo ishte një lajthitje e Tomsonit me kosto të jashtëzakonshme për shqiptarët, që me gjakftohtësi historianët e trasjtojnë tradhëti e interesave shqiptare, që edhe pas më shumë se një shekulli nuk është e zbardhur çështja tërësisht. Shteti grek në këtë periudhë ka qenë “kanakari” i përkedhelur i Antantës dhe Bllokut Qëndror, pasi ato lakmonin pozitën e saj strategjike. Më 24.4.1914, Fuqitë e Mëdha, joshën kryeministrin grek Venizellosin me lëshime “vorio-epirotëve” dhe se, joshja shkonte deri në pranim rishkimi të kufirit greko-shqiptar në favor të Greqisë. Pas dhjetë ditësh më 5 maj 1914, qeveria e Turhan Pashë Përmetit, nga presioni i gjithanshëm ia besoi KNK-së zgjidhjen e konfliktit shqiptaro-grek.

    Bisedimet ndërmjet NKN dhe përfaqësuesve “vorio-epirotë” u zhvilluan shtatë ditë në Korfuz. Bisedimet filluan më 10 maj 1914 dhe përfunduan më 17 maj 1914 me nënshkrimin e një protokolli, që u quajt, “Protokolli i Korfuzit” ose siç quhet ndryshe edhe “Marrëveshja e Korfuzit e 17 majit 1914”. Është fakt historik i hidhur se Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit nënshkroi me qeverin greke, në emër të qeverisë 6 mujore të Vilhelm Vidit, që përfaqësonte shqiptarët dhe po u bënte gjëmën shqiptarëve nën firmat e Tomsonit dhe Mehdi Frashërit. Tomsoni po u jepte “nga xhepi” vorioepirioteve disa “të drejtave të veçanta” fqinjëve tanë jugorë. Ishte një lëshim që i bëhej, në marrëveshje midis Fuqive, politikës e diplomacisë greke, e cila nëpërmjet të ashtuquajturës “Lëvizja autonomiste verioepirote” synonte të pengonte tërheqjen e ushtrisë greke nga Shqipëria e jugut të parashikuar në protokollin e Firences të dhjetorit 1913, por edhe të synimeve të mëvonshme aneksioniste. Vendosja e një pozite të veçantë e krahinave të jugut duke u njohur atyre njëlloj autonomie, që përfshinte një administratë më vete si dhe një xhandarmëri lokale, që do të vepronte vetëm në krahinat jugore. Synohej gjithashtu të njihej greqishtja, si gjuhë e vetme fetare e komuniteteve ortodokse, ndërsa në shkolla, në organet shtetërore e gjyqësore gjuha e fqinjëve do të ishte e barabartë me shqipen. Por “Protokolli”, shërbeu për një manifestim të fuqishëm të qëndresës së popullsisë shqiptare përballë fabrikimeve historike të fqinjëve. Faktikisht bisedimet që u zhvilluan dy herë, në mars dhe në maj 1914, në ishullin e Korfuzit, vend i zgjedhur që paracaktonte qëllimin dhe vendimin.

    Pretendimet e oreksi i fqinjëve ishin po aq të pabaza, sa ishte e tepruar “fryma e pajtimit dhe e kompromisit” e të dërguarve “përfaqësues” të Shqipërisë. Protokolli i Korfuzit ishte një njollë turpi për “udhëheqësit shqiptarë” që lëshonin fare lehtësisht Shqipërinë e jugut. Protokolli i Korfuzit ngjalli zemërim në të gjithë vendin, por sidomos në krahinat e prekura drejtpërsëdrejti si Korça, Erseka, Përmeti, Gjirokastra, Delvina, Saranda e deri në Himarë”. Historiografia shqiptare dhe historianë të klasit të lartë si Gazmend Shpuza në shkrimin “Tomsoni dhe Vorio-Epiri” zbulon me vërtetësi të dhëna të sakta, të zhveshura nga servilizmat shtetërore, për të cilat nuk ka as hezitim në trajtimin e figurave të huaja vetëm me vlera të dukshme. Nëse figura komplekse historike, kanë ndihmuar në ngritjen e ushtrisë shqiptare, i është dhënë e njohur merita, por në momente kryesore e kyçe të historisë shqiptare është ngatërruar me interesat antikombëtare, atëherë figurat në hije duhet të ndriçohen sepse zbulimi i të vërtetave të historike është mbarësi për historinë tonë kombëtare. Fushatat, ndonjëherë edhe të ethshme për të ngritur lartë figura, qofshin këto edhe të “njohura”, por edhe komplekse sikurse ishte dhe Tomsoni që erdhi në Shqipëri sipas vendimit të Konferencës së Londrës për organizimin e xhandarmërisë shqiptare. Oficeri holandez Koloneli Tomson, që kishte ardhur në Shqipëri, me vendim të Fuqive të Mëdha, për të ngritjen e xhandarmërinë shqiptare ishte caktuar nga Vidi edhe si Komisar i Jashtëzakonshëm për Shqipërinë e Jugut, u ngarkua të hyjë në bisedime me përfaqësuesit autonomist grek, ku më tej “shtriu këmbët” edhe jashtë mandatit të tij në Korfuz.

    Ka një shprehje proverbiale me qytetari e “çertifikim” global, “jepi Çezarit çfarë i takon!” Respekti për veprimtaritë konkrete në forcimin e sigurisë së shtetit të ri shqiptar, ruajtjes dhe forcimit të sovranitetit dhe të lirisë territoriale të tij, por jo për “Protokollin e Korfuzit”, që ngriti në luftë një popull të tërë të jugut dhe që bëri që të kishte qindra e mijëra të masakruar por edhe qindra dëshmorë në gjithë jugun e Shqipërisë, siç ishin edhe dëshmorët e rënë në betejën luftarake të Skërficës në jug të vendit. Historia është si një “plak” i moçëm që ka jetuar një jetë e di të tregojë jetën me mendje të kthjellët. Kështu dhe për aktivitetin e komplotit xhonturk, të Beqir Grebenesë, për përballjen me Çerçiz Topullin, për gjyqet specialë të KNK-së edhe ndaj figurave më të larta të qeverisë së Vlorës historiografia ka e mban rezerva. Organizatorët e xhandarmërisë shqiptare përballë shqiptarëve “rebelë” nuk nguruan të angazhoheshin aktivisht në luftime, ndërkohë që duke qenë ushtarakë në Shqipëri, morën përsipër dhe detyra politike e diplomatike. Vidi nëpërmjet Kolonel Tomsonit u fut në vorbullën për të ashtuquajturin Verio-Epir, të pretenduar nga qarqet sunduese të Athinës. Vilhelm Vidi urdhëroi Kolonel Lodewijk Tomson të hynte në bisedime, me të ashtuquajturin përfaqësues të “Vorioepirotëve”. Në bisedime u pranua “Protokolli i Korfuzit”, ku me këtë dokument do krijohej “shtet brenda një shteti”. Ushtaraku madhor hollandez kishte tejkaluar kufirin e veprimit të tij ligjor, kishte hedhur bazat e një akti fatal për fatet e shtetit të ri shqiptar. Vajtimi i “kolonelit hero” do të bëhej nga fqinjët pas vrasjes së tij, megjithëse kjo është historia e vështirë me fakte kokëfortë, që vërtetoi atë se Tomsoni ishte viktimë e rivalitetit të huaj në Shqipëri. Ai nuk ofroi asgjë për frontin shqiptar siç ishte fronti i Skërficës, fronti i Cepos, Fronti i Labërisë kundër fqinjëve jugorë grabitqarë të një Shqipërie të brishtë. Tomsoni ndërhyri si “diplomat” pa diplomaci në luftën e brendshme politike të shtetit të ri shqiptar, në dëm të forcave të kryesuara kapedanët dhe të frymëzuar nga Ismail Qemali. Vlerësimet e shtypit grek në prill–maj 1914, për rolin të tij në bisedimet e Korfuzit, për përgatitjen e “Protokollit” flasin qartë. Një “personalitet” nuk mund ta vajtonë për bëmat e tij në mars-qershor të vitit 1914, edhe shqiptarët!, edhe grekët! Historiografia duhet të marrë në konsideratë edhe referencat historike të Kristo Floqit, Vasil Dilos, Arben Putos, Kristo Frashërit, Gazment Shpuzës e të tjerë, për ata që i vunë kazmën tërësisë territoriale të shtetit shqiptar dhe sovranitetit të tij.

    Diplomati Ferdinanto Salleo shkruan: “Komisioni ndërkombëtar i ngarkuar nga Fuqitë e Mëdha dhe i mbështetur nga marrëveshja italo-austriake, vijoi negociatat me autoritetet greke, ku ishin të pranishëm edhe “epirotët” e Zografosit. Negociatat që u mbyllën më 17 maj 1914, me “dispozitat e Korfuzit, të cilat do t’u parashtroheshin kryeqyteteve evropiane, që lipsej të garantonin vënien e tyre në jetë. Në të vërtetë, miratimi erdhi më 2 korrik 1914. Më 23 qershor 1914, qeveria shqiptare njoftoi zyrtarisht Zografon se kish pranuar plotësisht dhe pa asnjë rezervë Paktin e Korfuzit, që ishte pjesë e besimit të tepëruar të elitës së shqiptarëve tek “kali i trojës”. “Dispozitat” konfirmuan domosdoshmërinë e tërheqjes së plotë të grekëve nga Shqipëria” siç shkruan Armstrongu në librin “Shqipëria gjashtë muaj mbretëri”. “Protokolli i Korfuzit” ose “protokolli i turpit”, i cili, sipas shprehjes së anëtarit britanik të atij komisioni, Sir Harry Lamb, “nuk bazohej në asnjë të vërtetë historike e prandaj, logjikisht, duhej hedhur në shportën e plehrave”. Harry Lamb e kuptoi se KNK, në Korfuz, bëri marëveshjen me përfaqësues të qeverisë greke dhe jo të Shqipërisë së Jugut dhe sigurisht reflektimi ishte i vonuar. Në këtë Protokoll parashikohej që dy prefekturat në jug të Shqipërisë, ajo e Korçës dhe e Gjirokastrës, ndonëse formalisht do të bënin pjesë në shtetin shqiptar, do të kishin një administratë më vete, pothuajse autonome, organizimi i së cilës i lihej në dorë KNK-së. Qeveria shqiptare fillimisht nuk deshi ta ratifikonte Protokollin e Korfuzit, i cili, si shumë vepërime të tjera të këtij lloji, tregonte mënyrat e neveritshme të Fuqive të Mëdha kundrejt popujve të vegjël e pambrojtje. Protokolli i turpit pati jetëgjatësi deri në vitin 1921 kur Lidhja e Kombeve vendosi përfundimisht mbi kufirin shqiptar. Mizoritë e “kompanive të shenjta” që dogjën e vranë masivisht shqiptarët në jug të vendit u dëgjuan gjer në Evropë. Në Londër, Markezi Lansdoëne ngriti zërin kundër Greqisë në Dhomën e Lordave, duke e paditur për krimet, djegiet dhe mizoritë më të neveritshme kundrejt shqiptarëve. Gjithashtu miku i shqiptarëve Aubrey Herbert, protestoi me të njëjtin shpirt në Dhomën e Komuneve. Herbert lexoi përpara deputetëve një letër që kishte marrë nga një miku i tij dëshmonjës i ngjarjeve të tmerrshme të Shqipërisë, i cili shkruante: “Vajtimi i grave, ulërimat e fëmijëve dhe foshnjave të njoma në gji të nënave është gjëja më rrënqethëse që kam parë, ndonëse kam parë shumë llahtari të tjera në jetën time”. Por ministri britanik i Punëve të Jashtëme, Edward Grey, nuk merrej me gjëra “të vogla”!

    Një gazetë shkruante se, “Ai i gjente të vlefshme deklaratat e Elefteri Venizellos, të cilat kishin aq vleftë “sa të lehurat e një qeni”. Refugjatët e shpërngulur prej krahinavet të jugut kaluan numrin njëqind mijë. Populli i Vlorës, Mallakastrës e Beratit ndau kafshatën e bukës me këta të mjerë, që ishin në gjendje të papërshkruarshme nga uria, nga sëmundjet. Qeveria e Durrësit bëri thirrje për ndihma në Evropë pranë organizatave të Kryqit të Kuq e të tjera të këtij lloji, por askush nuk u shqetësua për shqiptarët. Përpara kësaj tragjedie, qeveria e Durrësit i kërkoi Zografit që të lejonte kthimin e këtyre refugjatëve nëpër vatrat e tyre, ndonëse të djegura, duke i siguruar se nuk do të përndiqeshin. Por në fillimshekullin e kaluar histeria e fqinjëve nuk kishte të ngopur me kufoma shqiptarësh, prandaj nuk e pranoi kërkesën. Vendi ishte rrënuar prej tre-katër vjet lufte të paprerë, tokat kishin mbetur të papunuara. Për shqiptarët viti i parë i Luftës së Parë Botërore ishte një vit zie i tmerrshëm për bukë, ku drithi ishte fare i pakët, dhe importimi u bë i pamundur me shpërthimin e Luftës botërore. Në një pjesë të madhe të Shqipërisë së jugut filloi vdekja nga uria në masë tek popullsia. Në Ullishtet e Vlorës, përveç urisë dhe të ftohtit, u përhapën epidemitë, tek mijëra e mijëra burra, gra e fëmijë. Nga Vlora nisi edhe një emigracion drejt Turqisë e gjetkë deri në Amerikë. Historiografia nuk ka mundur ta përshkruajë dhe dokumentojë si duhet dramën e shqiptarëve në jug dhe në veri të Shqipërisë në fillimshekullin e kaluar.

    Është ndër tragjeditë më të hidhura e më të dhimbshme që ka njohur historia e njerëzimit. Si përfundim, Protokolli i Korfuzit legalizoi autonominë e Epirit të Veriut dhe të Himarës në juridiksionin e shtetit shqiptar dhe me nënshkrimin e tij anullohej de fakto dhe de jure Protokolli i Firencës. Protokolli i Korfuzit, bindi Fuqitë e Mëdha të cilat pranuan kushtet që Epiri i Veriut është autonom, në përbërje të Shqipërisë, i varur prej saj por me disa kopetenca locale duke njohur Princ Vidin si mbret të ligjshëm, me deputetë në parlamenti shqiptar. Gjuha zyrtare e Epirit të Veriu të ishte gjuha greke. Në bashkësitë greke gjuha e shkollave do të jetë greqishtja dhe shqipja do të mësohet njëkohësisht në shkollë në tre vitet e shkollës fillore. Do të kenë forcat e tyre të armatosura me oficerët e vet dhe në rast lufte në rajonet e jugut, asnjë repart ushtarak jo vendas nuk do përdoret në këto zona. Ndërsa për zonën e Himarës janë ndërmarrë edhe vendime të veçanta si zonë heroike, që lidheshin me favoret që edhe sulltanati osman kishte përdorur ndaj trevave të ndryshme, që shpesh janë quajtur edhe “venome”.

  5. Anetarët më poshtë kanë falenderuar Darius për postimin:

    martini1984 (30-05-2015)

  6. #5
    i/e regjistruar Maska e martini1984
    Anëtarësuar
    02-04-2009
    Postime
    5,594

    Për: Protokolli i dështuar i Korfuzit – vepër e fuqive të mëdha

    EU-
    ahhhhhhhhhhhhhhhhhhh
    Kush nuk mendon sipas menyres se tij,nuk ka llogjike!

  7. #6
    Perjashtuar
    Anëtarësuar
    25-09-2002
    Vendndodhja
    Mudder
    Postime
    447

    Për: Protokolli i dështuar i Korfuzit – vepër e fuqive të mëdha

    Nuk i shoh dot fotot Darius

  8. #7

    Për: Protokolli i dështuar i Korfuzit – vepër e fuqive të mëdha

    As une nuk i shoh dot me. Do i kerkoj t'i gjej dhe ripostoj

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •