TIRANE - Me 84 vota pro është miratuar sot ligji për hapjen e dosjeve të sistemit komunist pas gati pesë orësh debate në seancën parlamentare. Sipas këtij ligji tashmë do të hapen dosjet e sistemit të shkuar por nuk do të ketë lustracion sikundër ishte kërkuar nga deputetja Mesila Doda që në krye të herës.
Në të njëjtën kohë mazhoranca rrëzoi nismën ligjore të propozuar nga shoqëria civile, me mbështetjen e dy deputetëve të opozitës, Mesila Doda dhe Shpëtim Idrizi. Lidhur me ligjin për hapjen e dosjeve, deputetja Mesila Doda ka hedhur akuza të rënda në drejtim të kryeminsitrit Rama e qeverisë. Sipas saj ai është i paplotë e nuk dënon ata që realisht kanë kryer krime në komunizëm.
Por ku konsiston ligji i hapjes së dosjeve konkretisht:
Ligji i miratuar sot në seancën e Kuvendit do të konsistojë në aksesin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, për periudhën 29 nëntor 1944, deri 31 mars 1990. Këto dosje dhe dokumente disponohen nga të gjitha arkivat e rrjetit arkivor të Republikës së Shqipërisë, autoritetet publike, persona fizikë dhe personat juridikë privatë.
Ligji parashikon që ky Autoritet të funksionojë si organ kolegjial, i mbështetur në veprimtarinë e tij nga një Sekretariat Teknik.
Autoriteti për Informimin me të Dhënat e ishSigurimit
Autoriteti për Informimin me të Dhënat e ishSigurimit të Shtetit si person juridik publik, i pavarur, përgjegjës për mbledhjen, administrimin, përpunimin, përdorimin e dokumenteve të ish Sigurimit të Shtetit e informimin në lidhje me to, i përbërë nga 5 anëtarë, të zgjedhur nga Kuvendi, nga radhët e shtetasve të shquar, me integritet të lartë profesional e moral, të cilët, ndër të tjera, duhet të përmbushin edhe kriterin e pastërtisë së figurës.
Në funksion të ofrimit të garancive maksimale të pavarësisë, është parashikuar zgjedhja e anëtarëve fillimisht me shumicë të cilësuar, e vetëm në rast se dështohet të zgjidhen me këtë procedurë, anëtarët zgjidhen me shumicë të thjeshtë, në votimin e dytë. Autoriteti është parashikuar të funksionojë si organ kolegjial, i mbështetur në veprimtarinë e tij nga një Sekretariat Teknik. Rregullorja e funksionimit dhe struktura e organika e Sekretariatit Teknik miratohen po nga Kuvendi.
Procesi i mbledhjes së dokumenteve
Në funksion të përmbushjes së kompetencave në mënyrë efiçente e me efektivitet, është parashikuar arkivimi i dokumenteve nga Autoriteti, në përputhje, përveçse me këtë ligj dhe rregulloren e funksionimit të tij, për aq sa është e mundur, dhe me legjislacionin në fuqi për arkivat. Për identifikimin e mbledhjen e dokumenteve parashikohet detyrimi i të gjitha autoriteteve publike dhe arkivave të mbështesin Autoritetin në gjetjen dhe mbledhjen e dokumenteve.
Procesi funksionon në dy mënyra: 1.Vënia në dijeni e Autoritetit, kryesisht, nga autoriteti publik apo arkiva kur këto janë në dijeni apo konstatojnë, gjatë përmbushjes së detyrave, se zotërojnë dokumente të ishSigurimit të Shtetit apo kopje ose dublikata të tyre. 2. Me kërkesë të Autoritetit, kur ky ka arsye të mendojë se dokumente të caktuara mund të gjenden pranë një autoriteti publik apo arkive. Detyrimi për vënien në dijeni të Autoritetit mbi ekzistencën e dokumenteve dhe vënien në dispozicion të tyre, rëndon dhe mbi personat fizikë ose juridikë privatë. Mospërmbushja e këtij detyrimi prej këtyre të fundit është parashikuar të përbëjë kundravajtje administrative.
E drejta për informim
Projektligji përcakton rregulla dhe procedura të detajuara për garantimin e të drejtës për informim për personat për të cilët ishSigurimi i Shtetit ka mbledhur të dhëna, bashkëpunëtorët e ishSigurimit, të favorizuarit, rrethin e trashëgimtarëve të këtyre të fundit, institucionet, të interesuarit për qëllime hulumtuese, historike e të rivlerësimit politik dhe median. Rregullat janë të individualizuara sipas subjektit kërkues, duke garantuar, për çdo rast, të drejtën e jetës private të të tretëve, sipas vlerësimit të interesave të ligjshëm konkurrues.
Elementët e pastërtisë së figurës për zyrtarët
Këto elementë janë integruar në mënyrën e vetme që s’ngre çështje kushtetutshmërie që lidhen me parimin e ndarjes së pushteteve dhe statusin kushtetues të zyrtarëve dhe as me nevojën miratimit të ligjit me shumicë të cilësuar apo ndërhyrjes në ligje organike, përmes një “konvertimi” ligjor të orientimeve të Kushtetueses, duke parashikuar detyrimin e Autoritetit të krijuar me këtë ligj, të informojë, deri në 5 vite pas hyrjes në fuqi të ligjit, mbi figurën e zyrtarëve, institucionet kushtetuese dhe autoritete të tjera publike, kur kjo kërkohet prej këtyre të fundit për vlerësimin e cilësive etike, morale e profesionale të kandidatëve për t’u emëruar apo promovuar në pozicione të larta të shtetit.
Këtë detyrim për informim, Autoriteti e ka edhe për zyrtarët e zgjedhshëm kur kjo i kërkohet prej vetë atyre. Detyrimi i Autoritetit përbën, njëkohësisht, mundësi për institucionet që zgjedhin e emërojnë zyrtarë të lartë dhe për kandidatët për funksione të zgjedhshme për transparencë. Projektligji parashikon efekte financiare për Buxhetin e Shtetit që lidhen me kostot e krijimit e funksionimit të një institucioni të ri, e konkretisht të Autoritetit si organ me 5 anëtarë dhe të Sekretariatit Teknik, si stafi mbështetës i tij, me numër organik që do të miratohet nga Kuvendi pas hyrjes në fuqi të ligjit.
Ligje të tjera të votuara në Kuvend sot
Po ashtu Kuvendi ka miratuar me 83 vota pro ligjin për energjinë. Përsa i përket nenit 92, ai ka kaluar në Kuvend sipas propozimit të Ruçit. Sipas ndryshimeve të nenit 92, i cili u kundërshtua edhe nga deputetë të maxhorancës, është vendosur të hiqet barra hipotekore për familjarët, ndërsa do të jetë vetëm për bizneset. Pas debateve të ashpra në Kuvend mbi vendosjen e barrës hipotekore për debitorët e energjisë elektrike, grupi parlamentar i Partisë Socialiste propozoi heqjen e saj për konsumatorët familjarë.
Ndërkohë me 83 vota pro është miratuar ligji për kompensimin e pronave, duke e shtyrë kështu kompensimin dhe kthimin e pronave deri më 30 tetor. Afati për kthimin dhe kompensimin e pronave ishte 10 prilli.
Në tjetër votim i rëndësishëm i seancës së sotme ka qenë edhe ai për anëtarët e opozitës në Këshillin e RTSH. Parlamenti ka votuar edhe për 5 anëtarët e opozitës në Këshillin Drejtues të Radio Televizionin Shqiptar. Nga votimi Saimir Kumbaro ka marrë 87 vota pro, Robert Rakipllari 81 vota pro, Altin Shegani 86 vota pro, Pashk Përvathi 88 vota pro dhe Artan Peqini 81 vota pro.
shqiptarja,com
Krijoni Kontakt