Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 4
  1. #1

    Ish-prokurori i Hagës, që i po tregon botës krimet që ndodhën në Kosovë

    Ish-prokurori i Hagës, që i po tregon botës krimet që ndodhën në Kosovë





    Libri “Tell It To The World” (Tregoja botës) është shkruar nga Eliott Behar, një nga prokurorët që paraqiti padinë kundër udhëheqësve serbë për krimet në Kosovë, në Gjykatën e Krimeve Kundër Njerëzimit në Ish-Jugosllavi



    Nga Ruben Avxhiu






    Eliott Behar ishte një prokuror në Kanada kur u ftua të bëhej pjesë e grupit të juristëve në Gjykatën e Krimeve Kundër Njerëzimit në Ish-Jugosllavi që po merrte në shqyrtim fajësinë e zyrtarëve të lartë serbë për krimet e tmerrshme që ndodhën në Kosovë në vitet 1998-1999.
    Regjimi i Sllobodan Millosheviçit ishte munduar shumë të fshihte gjurmët e krimeve duke i zhvendosur trupat e të vrarëve masivisht jashtë Kosovës, në Serbi. Disa nga varret massive aty u zbuluan shpesh, disa janë ende të fshehura. Prokurori kanadez ishte një nga ata njerëz që u ul me durim për të dëgjuar dhe regjistruar dëshmitë e të mbijetuarve të masakrave. Ata që panë gjithshka me sy. Ata që shpëtuan mes grupeve që u pushkatuan dhe qendruan të shtrirë mes shokëve të tyre duke bërë si të vdekur deri sa kriminelët serbë u larguan. Ata që shpëtuan rastësisht dhe panë gjthshka që ndodhi. Këta njerëz i lanë shumë mbresa prokurorit Eliott Behar. Ata vinin me një barrë të rëndë në shpirt sepse besonin që fati i kishte lënë gjallë që t’ia tregonin të vërtetën botës. Mirëpo ndonëse biseduan gjatë me juristë si ai, pjesa e tyre në sallën e gjyqit shpesh ishte tepër e ftohtë dhe teknike.

    E para sepse që të dënosh të akuzuarit ka më shumë rëndësi që të tregosh me dokumente që këta udhëheqës serbë kishin dijeni dhe kishin urdhëruar apo frymëzuar masakrat. Në Hagë nuk diskutohej shumë nëse kishin ndodhur masakrat. Edhe të akuzuarit serbë e pranonin se kishin ndodhur krime. Por mbroheshin duke thënë se nuk kishin lidhje me to. Ishin bërë nga njerëz në terren. Për këto arsye pjesa e dëshmive të të mbijetuarve ishte e shkurtër. Edhe kur zgjatej, ajo vinte me pyetjet e avokatëve mbrojtës detyra e të cilëve në gjyq është gjithmonë vënia në dyshim dhe në pozitë të vështirë e dëshmitarit. Eliott Behar mbeti me ndjesinë se Haga u dha të mbijetuarve një mundësi për t’i treguar botës së çgfarë ndodhi dhe për ta nxjerrë nga gjoksi të vërtetën që u rëndonte prej vitesh. Por që salla e gjyqit mund të mos ketë mjaftuar gjithësesi. Ai shkroi këtë libër për të ritreguar ato që mësoi, për krimet në Kosovë gjatë luftës, për përpjekjet e pabesueshme serbe për të fshehur të vërtetën, duke fshehur të vdekurit, për punën në Hagë për të dënuar kriminelët me grada e poste qeveritare. Libri është interesant edhe sepse është shkruar nga dikush që ka punuar e jetuar në Hagë për vite, duke ofruar një vështrim nga brenda institucionit ndërkombëtar të drejtësisë, nga korridoret dhe dhomat ku përgatiteshin paditë, ku mblidheshin dëshmitë, ku fshatarë kosovarë të mbijetuar nga masakrat ishin sjellë për të thënë të vërtetën, në tryezat ku shënoheshin fjalët, ku shfletoheshin dokumentet e dosjet e ku shkruheshin e rishkruheshin argumentet ligjorë. Eliott Behar vjen nga një familje hebrejsh nga Polonia që i shpëtoi pjesërisht Holokaustit e që pastaj jetoi në Turqinë e Ataturkut përpara se të vendosej në Kanada. Në libër ai bën krahasime me çfarë ndodhi në Nyremberg por nënvizon edhe dallimet e mëdha mes kohëve dhe praktikave. Ai shqyrton synimet dhe mundësitë e drejtësisë ndërkombëtare, rolin që shpreson të luajë ajo dhe çfarë dhe si e realizon konkretisht.





    I pyetur për gazetën “Illyria” se kur filloi të materializohej idea për një libër të tillë, Eliott Behar tha:


    “Në të vërtetë nuk e mendoja shkrimin e ndonjë libri kur fillova të punoj atje dhe në fakt, librin e fillova vetëm pasi mbarova punën në Hage. Mirëpo kishte disa momente të fuqishme përgjatë gjyqit kur e ndjeja se isha tërhequr për ta menduar më thellësisht atë që kishte ndodhur në Kosovë, fuqinë e përvojave personale të këtyre dëshmitarëve dhe natyrën e vetë proçesit të gjykimit. Mendoj se ka qenë në këto momente kur libri ka filluar të lindë. Mbasi mbaroi gjyqi, gjithë kjo sipërmarrje madhore në të cilën të gjithë ne kishim derdhur kaq shumë kohë, energji dhe mendim, papritmas kishte mbaruar dhe e kuptova se nuk kisha pasur as kohën e as aftësinë për ta analizuar vërtet aspektin njerëzor të asaj që kishte ndodhur. As nuk kisha arritur të shqyrtoja çështje shumë të vështira dhe të rëndësishme që kishin ngritur këto ngjarje: për këtë lloj dhune, për këta lloj dhunuesish dhe për mënyrën sesi njerëzit arrinin t’ia justifikonin vetes këto lloj aktesh habitshmërisht çnjerëzore të dhunës. Ndjeva një lloj shtytje vërtet të fuqishme për të shkruar për këto ngjarje dhe për ide më të përgjithshme rreth tyre. Po ashtu ndjeva një nevojë për t’ua komunikuar ato njerëzve. Kjo ndjenjë qendroi me mua gjatë gjithë kohës që e shkrova këtë libër.

    Me pëlqeu titulli i librit tuaj, “Tregoja botës”. Kur vendosët për të dhe në çfarë rrethanash (nëse ju kujtohet)?


    Mund t’ju them me saktësi se në çfarë rrethanash u perceptual në kokën time. Kishim disa muaj që kishim nisur me gjyqin dhe dy dëshmitarë kishin mbërritur për të dëshmuar lidhur me një masakër të tmerrshme që kishte ndodhur në fshatin e vogël Qyshk (Çuska). Thjesht rastësisht, kishte qëlluar që atë ditë të ishte edhe 10-vjetori i masakrës. Kisha ndjesinë se e ndjeja edhe unë atë që ndjenin ata, në mënyrë instinktive – rëndësinë që ky proces kishte për ta – peshën emocionale të ngjarjeve dhe sigurisht edhe shpresën dhe pritjen për rezultatin e gjyqit. Që prej atij çasti, kam menduar shumë për vlerën e “të treguarit” – për domethënien e historive që tregojmë. GJNKNj është një gjykatë ndërkombëtare, një institucion global dhe vërtet që gjykimet e tij mund të ofrojnë një mundësi, në mos edhe peshën e përgjegjësisë, për dëshmitarët që t’ia tregojnë historitë e tyre të gjithë botës. Nga ana tjetër, historia në zemër të këtij libri – dhe në qendër të gjyqit – është historia e një operacioni vërtet të paparë për të mbuluar gjurmët nga ana e udhëheqjes serbe për të mbuluar të vërtetën mbi vrasjet që kishin kryer. Ky operacion ndodhi ndërkohë që komuniteti ndërkombëtar i kishte sytë te Kosova dhe qëllimi i qartë i operacionit ishte fshehja e të vërtetës. Kjo është një histori që duhet treguar.


    Ju përmendni në libër sesi puna e një gjykatë të tillë është më shumë e interesuar të zbulojë fajësinë e të akuzuarve dhe të japë dënimet e merituara sesa të tregojë historitë e krimeve. Si arrinit ta ruanin balancën mes dëgjimit të historive të krimeve çnjerëzore me kërkesat e punës për të mbetur profesionalë dhe të përqendruar në aspektet tenike të punës si prokuror?


    Ndodhte nganjëherë që këto dy nocione ishin në harmoni me njëra-tjetrën –duke i dhënë mundësinë dëshmitarit të tregonte historinë e tij për atë çfarë kishte ndodhur dhe duke u përqendruar në detajet njerëzore të përvojës së tij ndihmonte për të provuar vërtetësinë e padisë.
    Pa dyshim që jot ë gjithë dëshmitarët patën të njëjtën mundësi në Hagë. Për disa qe e lehtë dhe ia kuptonin siç duhet rëndësinë. Disa të tjerë e kishin shumë vështirë të flisnin. E disa një kombinim i të dyjave. Mirëpo në thelb puna jote si prokuror në gjyqe është që të provosh fajësinë e të pandehurit dhe në shumë raste evidenca në të cilën duhet të përqendrohesh nuk është historia njerëzore që ka aq shumë rëndësi për dëshmitarin. Shpesh gjëja më e vështirë për të provuar në rastet e krimeve është kur i pandehuri është një udhëheqës që ka qenë i ulur në tavolinën e tij të zyrës, shumë shumë larg prej ku ndodhi tragjedia. Ai ka lëshuar urdhëra dhe ka një lidhje mes tij dhe çfarë ka ndodhur në terren. Po që të provohet kjo shpesh duhet të përqendrohesh në detaje shumë të imëta si zhvendosja e formacioneve, ngjyrat e uniformave, koha e saktë, apo një numër faktesh të tjera plotësuese. Shpesh dëshmitarët e kishin shumë të vështirë të kuptonin se pse pyeteshin për gjithë këto gjëra në dukje pa lidhje dhe të parëndësishme si nga prokurorët, nga avokatët mbrojtës dhe nga gjykatësi. Mirëpo një prokuror gjithashtu nuk mund t’ia shpjegojë të gjitha dëshmitarit sepse dëshmia duhet të jetë e pastër dhe e panjollosur e pakompromentuar. Kështu që nuk mund t’ua tregonim konkretisht se pse ato pyetje të mërzitshme për detaje në dukje pa rëndësi kishin në fakt një peshë të madhe.


    Kur po lexoja librin “Tregoja botës” po mendoja se pyetja vijuese pas këtij titulli do të ishte: “Po a do të dëgjojë bota?” Shumëkush mendoi se pas Holokaustit dhe Luftës së Dytë Botërore nuk do të shihnim më kurrë masakra masive në Europë. E megjithatë ndodhi. A jemi vërtet në gjendje të mësojmë nga historia?


    Shpesh kam menduar edhe unë të njëjtën gjë. Mund t’ua tregosh këto histori botës. Po kush po dëgjon? Dhe çfarë po zgjedhin të dëgjojnë? Këto janë të gjitha pyetje me rëndësi. Mendoj se jemi të aftë të mësojmë nga historia dhe në një masë të caktuar sigurisht që e kemi mësuar. Po nëse ka një gjë që na mëson historia e dhunës masive është që fantazmat e të kaluarës do të rikthehen duke marrë forma të reja. Kam dëgjuar kohët e fundit, Profesor Abram de Swaan që të thotë se karakteristika moderne e dhunës masive është turpi prej saj. Ne e pranojmë sot që është diçka e gabuar dhe ky nuk është revolucion i vogël dhe mendoj se kjo pasqyrohet në përpjekjet “moderne” për ta fshehur atë në mos për ta justifikuar këtë tip dhune. Ka një arsye se pse udhëheqja serbe fshehu evidencën për krimet që po bënin. Ka diçka shumë domethënëse në atë akt. Por ata gjithësesi po i bënin vrasjet. Unë besoj se duhet të shohim më me kujdes justifikimet që përdorin autorët e krimit dhe duhet të pranojmë se është shumë e lehtë të biesh pre e këtij mentaliteti. Këto janë fakte kokëfortë me të cilët duhet të përballemi.


    Ne jetojmë në një kohë narrativash konkurruese. Teknologjia ka fuqizuar të vërtetën por u ka dhënë mjete të reja propagandës dhe përpjekjeve për të rishkruar historinë. Shoqëria serbe i ka rezistuar me forcë përballjes me të kaluarën. Po shohim mohim dhe relativizëm moral. Cila është pikëpamja juaj në këtë drejtim dhe çfarë roli mund të luajnë librat si ky i juaji në këtë periudhë të pasluftës apo të ripajtimit?


    Unë kam shkruar për mohimin në libër dhe mendoj se mohimi është ende shumë i pranishëm në disa element të shoqërisë serbe dhe kjo tregon sesa e lehtë është të biesh viktimë e tij. Historitë që ia përsërisim vetes dhe historitë që kemi frikë t’i tregojmë për shkak se druhemi se çfarë pasojash do të kenë – janë tmerrësisht të rëndësishme. Ato janë pjesë vendimtare e procesit të shërimit por edhe rrezikojnë të mobilizojnë dhe të justifikojnë dhunë të re. Është e vërtetë se jetojmë në një botë narrativash konkurruese – gjithnjë e më shumë sipas mendimit tim. Interneti na ka lejuar të zgjedhim me kujdes lajmet që lexojmë dhe opinionet që marrim. Kjo ka sjellë përparime të mëdha për burime informacioni por vjen me rreziqe. Nuk më duket rastësi që sa më shumë përfshihemi në të aq më shumë të polarizuara bëhen politikat tona. Unë shpresoj sigurisht që ky libër të ndihmojë njerëzit të njohin dhe të kuptojnë narrativat që mundësojnë dhe zbatojnë dhunën. Po nuk jam optimist se periudha e paskonfliktit do të fillojë shpejt. Nuk kam dyshim se do të shohim vazhdim të mohimit dhe justifikime, si dhe forma të ndryshme të relativizmit moral që sjellin raste të tjera dhune masive. Vitet e fundit tregojnë më shumë se po ecim në drejtimin e gabuar. Por aftësimi për të njohur këto narrativa për atë që janë është një hap thelbësor.


    Ju bëni disa krahasime interesante me Gjyqet e Nyrembergut. A kujtoheshin për to gjatë punës në Hagë? A kishte mësime nga Nyrembergu që ju vlenin në punën tuaj? A mendoni se këto krahasime ndihmojnë megjithë dallimet e kuptueshme mes dy periudhave, aktorëve dhe shkallës së tragjedive?


    Mendoj se çdo procedim i ri i krimeve të luftës, në pikënisje tenton të provokojë mendime për Nyrembergun. Përpara se të arrija në Hagë, shpesh më shkonte mendja aty. Mirëpo, tribunalet moderne dhe tani Gjykata Ndërkombëtare Kriminale kanë përparuar shumë qysh atëhere. Ato kanë zhvilluar procedurat e tyre, rastet e tyre legale, si dhe standardet dhe normat e tyre. Kur ke filluar punën aty dhe je përfshirë në atë botë, Gjyqet e Nyrembergut duken më shumë si një relike e historisë sesa pjesë e të sotmes- të paktën kjo ka qenë përvoja ime. Por, kur kam reflektuar për këto përvoja në libër më është dukur me vlerë që të rivizitoja disa nocione për Gjyqet e Nyremberg, në mos për vetë gjyqet. Ajo që nuk kisha vënë re ishte se sa pak ishte folur në Nyremberg për tragjedinë humane të Holokaustit, gjë që më duket e habitshme. Strategjia e prokurorëve ishte të fokusoheshin kryesisht në evidencën e dokumenteve, të shkruara nga vetë gjermanët në vend të dëshmive nga dëshmitarët. Unë nuk mendoj se Gjyqet e Nyrembergut ia përcollën publikut se sa i jashtëzakonshëm kishte qenë Holokausti. Nga ana tjetër, gjyqi i Aiçmanit u përqendrua te impakti njerëzor i Holokaustit duke vënë në qendër të vëmendjes dëshmitarët okularë dhe tërhoqi vëmendjen e të gjithë botës.


    Si pjesëmarrës në një Gjykatë si ajo e Hagës, a ndjeheni se keni humbur besimin te njerëzimi për se krime të tilla ndodhën përsëri, apo optimist se krime të tilla vendosen gjithësesi në fund përpara drejtësisë?


    Nuk është e lehtë t’i përgjigjesh kësaj. Sistemi i drejtësisë kriminale hyn në lojë kur shoqëria ka dështuar. Kur të ftojnë të merresh me krime lufte, krime kundër njerëzimit apo genocide, kjo do të thotë se krimet më të tmerrshme që mund të imagjinohen kanë ndodhur tashmë. Unë besoj se mekanizmi i drejtësisë ka një rëndësi shumë të madhe – në rregullimin e shoqërisë, në shprehjen e vlerave të rëndësishme të përbashkëta dhe në gjykimin e përcaktimin e qartë të të mirës dhe të keqes. Mirëpo, sistemi i drejtësisë është vetëm një pjesë e vogël e diçkaje shumë më të madhe. Mendoj se jemi duke jetuar kohëra veçnërisht sfiduese për drejtësinë ndërkombëtare kriminale dhe për institucionet qeverisëse dhe globale. Ndoshta po përpiqemi të fitojmë betejat e të sotmes me armët e të djeshmes. Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve nuk ka qenë efikase. OKB nuk po ia del t’i dëgjohet zëri, në diplomacinë botërore. Natyra e vetë problemeve me të cilat përballemi duket se po ndryshon nga një moment në tjetrin. Ngritja e fondamentalizmit dhe ekzistenca e atyre që duken si lëvozje kundër arsyes dhe tolerancës është një dukuri me të vërtetë shqetësuese. Anti-Semitizmi, që dukej sikur po zhdukej kur isha i ri, tani është kthyer me një fytyrë të re dhe shqetësuese nëpër botë. Megjithatë nuk jam pesimist. Nuk ka pasur ndonjëherë, statistikisht, ndonjë kohë më të sigurtë për të ekzistuar si qënie njerëzore në këtë planet. Botërisht jemi më të arsimuar, më të lidhur se ç’do të kishin imagjinuar paraardhësit. Ka mësime në botë, mesime me vlera të pabesueshme, nëse duam vërtet të mësojmë. Zgjidhja e këtyre problemeve kërkon jo vetëm fjalë por edhe veprime dhe këtu drejtësia mund të luajë rolin për të cilin është aq shumë e përgatitur që të luajë.

  2. #2

    Për: Ish-prokurori i Hagës, që i po tregon botës krimet që ndodhën në Kosovë

    Ky me poshte eshte libri i Eliott Behar



  3. Anetarët më poshtë kanë falenderuar Darius për postimin:

    user010 (22-04-2015)

  4. #3

    Për: Ish-prokurori i Hagës, që i po tregon botës krimet që ndodhën në Kosovë

    Eshte online gjikundi?

  5. #4

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •