Theodhori, greku që përqafoi Islamin në Shqipëri



22 Mars 2015 - 23:37
Ai, në fakt, është shtetas grek, dhe në dejet e tij thotë se rrjedh edhe gjaku vllah, por si rrallëkush nga të ngjashmit e tij, ka përqafuar islamin. Sigurisht me vullnet, dëshirë e vetëdije të plotë.

Tashmë jeton prej gjashtë muajsh në Shqipëri e pret që të bëhet baba, ndërsa e shoqja me profesion mësuese, është gjithashtu shqiptare nga fshatrat rreth Përmetit.

Në Shqipëri erdhi para tre vjetësh duke vizituar në fillim Këlcyrën, si turist, por më pas thotë se ka parë shumë qytete e lokalitete në brendësi të vendit.

Pohon se quhet Theodhori, Jorgo ose Gjergj, siç e saktëson edhe vetë në fillim të bisedës me gazetën “Shqip”, duke besuar se kështu na ndihmon për ta sjellë më pranë nesh versionin origjinal të emrit të tij. Por nuk mbaron me kaq, pasi emri i tij në botën islame tingëllon krejt ndryshe.

Ai thotë se shokët e vet besimtarë e thërrasin Ali, pasi ai është një besimtar mysliman. Ndërsa mbiemrin e ka Cala. Madje, për të bërë sërish një lidhje me shqiptarët, kujton se ministri i parë i Bujqësisë në shtetin e pavarur shqiptar mbante të njëjtin mbiemër. Sidoqoftë, nuk habitemi shumë, pasi na pohon se ka studiuar histori në Komotini, një lokalitet me minoritet turk në Thraki, pranë Selanikut ku dhe ka lindur e kaluar fëmijërinë.

Ndërsa e pyesim se çfarë e bëri të konvertohej në Islam, nis të rrëfejë historinë e tij, duke mos pranuar gjithsesi ta quajë zgjedhjen e tij religjioze në jetë, si një “konvertim”.

“Fillimisht, në moshën 5-vjeçare, ndërsa festoja ditëlindjen, i rrethuar nga prindërit e të afërmit, dëgjova një zë të cilin në atë kohë nuk e kuptoja, por më vonë kuptova se ishte një ezan, pra thirrje për falje në fenë islame”, thotë ai.

Por vetë islamin e pranoi vite më vonë, në moshën 18-vjeçare, pasi kishte dëgjuar fillimisht shumë këngë në turqisht e arabisht, e më pas ishte thelluar duke studiuar në thellësi Kur’anin e fenë islame, duke rrëmuar në shumë tekste në turqisht, arabisht, persisht, çka e bëri të ndërmerrte një hap, le të themi minimalisht, “jo të zakonshëm” për një nënshtetas me rrënjë greke.

Nuk gjen në paraardhësit e tij në fakt asgjë që ta lidhë me islamin, madje pjesërisht as me fenë, pasi njerëzit e të atit, siç na thotë Jorgo (ose Aliu), më shumë ishin ateistë e komunistë, duke na rrëfyer se i ati kish qenë shofer autobusi në Selanik.

Tashmë në moshën 30-vjeçare, ai duket se gëzon pjekurinë e duhur për të gjykuar më së miri vetë për vendimet që ka marrë në jetën e tij, por edhe për shumëçka ndodh këtej e andej kufijve të Shqipërisë e Greqisë, në një botë të trazuar e plot konflikte, ku edhe islami dhe roli i tij janë bërë objekt i ethshëm diskutimesh.

“Në Greqi, përtej emigrantëve, ka edhe grekë etnikë që kanë përqafuar islamin, por këta janë një pakicë jo e konsiderueshme, e disa syresh e kanë të vështirë ta thonë publikisht këtë gjë, për shkak se i fshihen opinionit në një vend që fenë e krishterë ortodokse e ka një element të fortë identiteti”, na thotë Jorgo. Lutjet thotë se i kanë bërë në disa ambiente të përshtatura për xhami, pa minare, por pohon se në Athinë ka më shumë mundësi për ta ushtuar islamin se sa në qytete të tjera.
“Në Selanik vetë njoh tre grekë që kanë pranuar islamin”, thotë ai. “Për zgjedhjen e bërë në jetë, kam pasur edhe përplasje me njerëzit e mi të afërm, shokë e miq, por islami që të kuptohet më së miri, duhet studiuar sa më thellë”, shton më pas.

Nga ana tjetër, për sa i përket Greqisë, na thotë se sigurisht se imazhi i islamit atje përcillet me shtrembërime, duke i cilësuar propagandë e gënjeshtra ato që thuhen mbi të në Greqi e më gjerë.

“Nuk kanë asnjë lidhje e ata s’kanë të bëjnë fare me islamin, pasi vetë islami është fe e paqes”, thotë ai në lidhje me të ashtuquajturit “xhihadistë”, që shkojnë e luftojnë në Siri apo gjetkë për llogari të Shtetit Islamik, duke shtuar se “askund nuk gjen dot ndonjë referencë ku besimtarit mysliman t’i thuhet: vrit e prit të pafajshëm, mos respekto rregullat e shtetit ku shkon e shkakto trazira”.

“Prandaj duhet të këmbëngulim më shumë te mësimet e vërteta, te cilësia e përcjelljes së këtyre mësimeve e t’u ruhemi mësimeve të rreme e ekstremizmave”.

Ai frekuenton rregullisht xhamitë në Tiranë dhe thotë se nuk sheh asnjë diferencë mes brezave të myslimanëve të rinj e atyre “tradicionalë” apo kontingjenteve që falen në këtë apo atë xhami, dhe se trajtohet me mirësjellje e respekt nga të gjithë vëllezërit myslimanë shqiptarë.

Por ai na shfaqet edhe me një tjetër dimension: atë të studiuesit e të historianit, duke na pohuar se së shpejti pret edhe botimin e një libri rreth historisë së Shqipërisë. Kjo, pasi beson se tashmë e njeh më mirë rrugëtimin e shqiptarëve në histori, për të cilën na thotë se duhet të ndihemi krenarë.

Njeh tashmë disa autorë vendas e të huaj që kanë shkruar rreth historisë sonë, si Arben Puto, Stefanaq Pollo, Kristo Frashëri, Miranda Vickers etj., por pohon se nuk e njeh për shembull Ben Blushin e mendimet që ai përfaqëson në lidhje me këto çështje. “Libri që po shkruaj – na thotë Aliu – trajton disa periudha të rëndësishme historike të shqiptarëve dhe në të do të gjejmë edhe rolin e arvanitasve në historinë greke, e pika të ndryshme takimi mes shqiptarëve e grekëve, por edhe rolin e ish-perandorisë otomane”.

Në lidhje me çështjen e shumëdebatueshme të konvertimeve masive të shqiptarëve në islam, në shekujt e pushtimit osman, thotë se fenomeni ka ndodhur në mënyrë të përzier, pasi nuk verifikon dot konvertim plotësisht të dhunshëm e as plotësisht të lirë, duke pasur parasysh sigurisht, edhe kushtet e rrethanat historike në të cilat ndodhi ky proces.

Pyetjes nëse islami duhet t’i nënshtrohet një reforme apo një procesi të ngjashëm, çka e kanë përjetuar edhe religjione të tjera monoteiste, apo dhe asaj çka përfaqëson rryma apo sekti mysliman i vehabistëve, ai i përgjigjet se: islami e ndalon terrorizmin. Njerëzit duhet të dinë më shumë për islamin, të mësojnë më shumë. Edhe vetë komuniteti i vehabistëve e refuzon islamin ekstremist. “Islami është paqe”, përfundon ai./Shqip
koha/net