Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 7
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17

    Intervista me Ermonela Jaho, yllin e skenës operistike botërore

    Debati: "Ermonela Jaho", nga Roland Qafoku

    "Babai i shtetit është Ismail "Qemali", e zbuloi Edvin shkencëtari!"

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Intervista me Ermonela Jaho, yllin e skenës operistike botërore

    Jaho: S’isha e talentuar sa duhet që të bëhesha e famshme në Shqipëri

    Sopranoja me famë botërore, Ermonela Jaho, ndodhet në Shqipëri për të interpretuar në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit në operën “Suor Angelica”. Në një kalendar të tejmbushur me ngjarje në skenat më të mëdha të botës, ajo gjen kohën të vijë në Shqipëri. Sot e vlerë- sojnë të gjithë, por nuk ka qenë kështu dikur. “Ndoshta nuk kam qenë shumë e talentuar”, thotë ajo. Në një intervistë për gazetarin Roland Qafoku, në studion e “Debati në Channel One”, Jaho rrëfen për veten, për fillimet e vështira në Shqipëri, suksesin që njohu në botë, vlerësimin nga Kryeministri, por edhe për partnerin e saj, me të cilin ka studiuar në të njëjtën shkollë.

    Çfarë ka ndryshuar te ju që prej intervistës sonë të fundit? Kanë kaluar 7 vjet tashmë…

    Mund të them se si të gjithë njerëzit, ne jemi çdo ditë ndryshe. Nga ana fiziologjike ndryshojmë, sepse, siç kemi qenë mbrëmë, nuk jemi sot. Është një ditë e re edhe në përkushtimin dhe përballimin me jetën e përditshme. Nga 2007 e deri më tani, ka qenë një rrugë e gjatë, një kërkim i vazhdueshëm për të përmirësuar veten. Nuk dua të them se jam në majë, sepse po të kap atë, duhet të them se ku të shkoj më. Kam gjëra për të dhënë akoma. Ndryshon nga ana shpirtërore, psikologjike, sepse jeta të jep një lloj eksperience që të shënjon. Kjo ka bërë që Ermonela të ndryshojë, t’i shohë gjërat me një sy tjetër edhe në përballimin me karrierën. Mund të marr një shembull më konkret: Po të marrim operën “La Traviata”, është opera që nisën ëndrrat e mia për t’u bërë këngëtare dhe e kam kënduar mbi 200 herë, deri më sot. Nga viti 2007 deri në 2015, është kënduar shumë-shumë herë. Shoh që është e njëjta muzikë, i njëjti person që e këndon, por emocioni është ndryshe. Është një Ermonelë me një eksperiencë tjetër dhe këtë ndryshim te vetja e shoh në rezultatin që kam në skenë dhe mënyrën se si më pret spektatori.

    Ju flisni me shumë dashuri për vendin tuaj, edhe pse ju u bëtë e famshme në Shqipëri, pasi u bëtë e famshme në botë…

    Të gjithë e kemi ndjekur filmin “Odisea” të Homerit, ku thoshte se rruga për në shtëpinë tënde vjen përmes botës. Ndoshta, asnjë nuk është profet në vendin e tij. Mbaj mend në kohën time mënyrën se si trajtoheshin talentet. Talent në kohën time ishte ai që e kapte mësimin shpejt. Ai ishte gjeni. Ti, që kishe nevojë për më shumë kohë, nuk do të bëheshe gjë. Në rastin tim, kjo nuk ka funksionuar. Të gjithë kemi lindur me diçka, të gjithë e kemi brenda vetes. Por, mendoj që 10% është dedikim. Ndoshta nuk kam qenë e talentuar sa duhet, që të dilja në fillim nga Shqipëria, të bëja rrugën e kundërt. Tani, të gjithë mund të thonë se “Ermonela do të bëhej e madhe”, se “Ermonela ka qenë talent që atëherë”… Nuk është e vërtetë.

    E ke dëgjuar këtë?

    Po. Unë studioja. Asnjë nuk lind i madh. Ti bëhesh në momentin që i vë detyrë vetes. Kam mësuar se sa më shumë të punoj, aq më shumë fat kam.

    Sa orë punoni në ditë?

    Mund të them se jeta ime i është e dedikuar punës, sepse këndoj nga një vend i botës në tjetër, nga një repertor në tjetrin. Flasim për opera, për role protagonisti dy-tri orëshe. Je një gladiator i skenës. Është një punë kolosale edhe nga ana teknike dhe psikologjike. Për mua është i rëndësishëm emocioni që jap te publiku. Puna është e përditshme dhe nuk mund të bësh dot pazar me talentin, me përkushtimin. Të gjithë jemi unikë dhe kemi një energji të jashtëzakonshme për të nxjerrë gjëra të jashtëzakonshme.

    A veçoni dikë që ishte i pari, që ju afroi pas suksesit që morët në skenat botërore?

    Ata që më kanë mbështetur më shumë, kanë qenë prindërit e mi. Ata më kanë shtyrë që të njihesha në Shqipëri. Ndoshta ka qenë mentaliteti i vendit të vogël. Por, konkurrenca në vendin tonë s’e kuptoi. Ai që ka kaluar me ty një lloj eksperience shkolle, nuk e pranonte dot.

    Pse?

    Nuk e di. Disa gjëra i kam akoma sot e kësaj dite. Ndoshta nga mentaliteti.

    Ju e vuani këtë?

    Më përpara, po. Për shkak të tim ati, sepse thoshte: “Ti ke bërë këtë, ke bërë atë… Përse të mos i tregojmë?” I thashë se nuk do të tregojmë asgjë. Do të vijë momenti që jehona nga jashtë do të vijë në Shqipëri. Dhe kisha të drejtë! Pritshmëria ishte shumë e madhe për të kënduar dhe zhgënjimi po ashtu. Në kohët e fundit, kemi filluar njëlloj bashkëpunimi, që të jap më tepër eksperiencën time, se çfarë ka arritur Ermonela. Vendi është i hapur ndaj çdo informacioni.

    Si ia del Ermonela? Në komunikimet tona më thojsh: “Jam në Londër, jam në Milano, jam në Vjenë”..?

    Është pasioni. Për mua, të kënduarit është ideal. Është katarsis. Odisea apo Magelani? E ndiej veten më mirë si Odisea. Nëpërmjet artit zbuloj veten time. Arti është një ekspresion i ndjenjave të realizuara. Do një regjim të jashtëzakonshëm. Nga ana fizike, duhet të kesh kujdes. Me kalimin e kohës dhe, sa më shumë kalon mosha, edhe kjo energji që ti ke pasur kur ke qenë 20 vjeç edhe pasioni, është po ai. Që të mbash edhe nga ana fizike një energji të tillë, të duhet një përgatitje e jashtëzakonshme fizike. Zakonisht thuhej për këngëtaret se duhet të flenë shumë, t’i marrin gjërat me qetësi. Por, kam zbuluar të kundërtën. Çdo ditë, bëj ushtrime për zërin edhe për trupin. Ka ndryshuar edhe imazhi i këngëtarit në botë, që duhej të jesh shumë i shëndoshë. Edhe lëvizjet skenike në të kaluarën ishin të ngrije dorën edhe aktro. Sot duhet të jesh edhe aktor. Sepse duhet të japësh emocionin përmes këngës. Duhet të këndosh në pozicione të jashtëzakonshme, që nuk janë komode në skenë. Por elasticiteti që arrin përmes ushtrimeve fizike, të bën të këndosh në çdo lloj pozicioni, pa dëmtuar edhe tingullin që del.

    Sa do të zgjasë ky pasion?

    Pasioni, nëse është i vërtetë, zgjat gjithë jetën. Po të flasim nëse do të zgjasë gjithmonë në këto nivele, në këto role të vështira, është të gënjej veten. Asgjë nuk zgjat përgjithmonë.

    A e keni arritur majën apo synoni gjëra të reja?

    Synoj akoma. Nëse do të kisha arritur majën, tashmë duhet të isha duke rënë. Kam frikë të them se kam arritur në majë. Kam akoma gjëra për të dhënë.

    Si është jeta juaj në New York?

    Shpenzoj shumë pak kohë në shtëpi. Mund të them se duke mbledhur ditët, 2 muaj në vit i kaloj atje. Është shumë e vështirë, do doja që të shpenzoja pak kohë më shumë me shokun tim të jetës, me të cilin edhe kam studiuar.

    Mund të na thuash diçka më shumë për të?

    Quhet Ervin Stafa. Kemi studiuar bashkë Muzikë, kemi qenë në Pallatin e Pionierëve në Tiranë. Jeta na ndau. Unë vajta në Itali, ai shkoi në New York. Jeta na bashkoi përsëri. Mendoj që po të mos kisha një mbështetje, dashuri nga personi që kam në krah, do të ishte edhe për mua e vështirë të bëja këtë profesion. Ai ka mbaruar për Muzikologji dhe e kam kritikun më të ashpër. Bëjmë edhe një shkëmbim idesh të dy shokëve që kanë studiuar Muzikë. Do doja të kaloja më shumë kohë me të në New York.

    Ju morët një vlerësim nga Kryeministri shqiptar, a keni frikë që kur merr famë shqiptari, të gjithë vijnë aty?

    Unë jam artiste dhe flas me gjuhën e zemrën e artistes. Për mua është një ndjenjë e madhe kur ndihesh e vlerë- suar nga Kryeministri. U respektova si artiste. Unë do të jap kontributin tim gjithmonë, pavarësisht se çfarë partie është në pushtet. Nuk e prisja çmimin që më dhanë. Një moment shumë i bukur.

    E lidhni me faktin që kryeministri është artist, i dyti në Shqipëri, pas Fan Nolit?

    Dhe ajo ndikon. Artisti me artistin kupton detajet, mënyrën e të shprehurit.

    Jeni e madhe, sepse jeni modeste…

    Të gjithë ne kemi pasur vështirësi në jetë. E dimë shumë mirë që nuk do të na duan të gjithë kur jemi në karrierë publike. Ma kanë thënë që e ke defekt që je modeste. Por nuk do të isha unë nëse do ta bëja. Nuk ka gjë më të bukur t’i urosh më të mirën.

    Shkoni t’i shihni kolegët tuaj në sallë?

    Shkoj shumë rrallë, sepse vuaj bashkë me kolegët. Nuk është aq e lehtë, sepse i njoh të gjithë ato sikletet që përjeton një artist kur është në skenë përditë dhe e vuaj jashtë mase, ndaj qëndroj rrallë nga ana tjetër e skenës. Shumë-shumë rrallë. Dhe shkoj më tepër në balet, sepse është një formë tjetër arti, ku ti shprehesh pa vënë fjalën dhe këndimin, siç është në rastin e operës, është një tjetër ekspresion ndjenjash, një lloj tjetër arti brenda trupit, brenda gjesteve. Ato i shoh më me qetësi.

    Besoni në Zot?

    Besoj! Është një, e di se është një definicion, nuk e ndiej veten të bëj një definicion me dy-tri fjalë, e di që në gjithë këtë hapësirë nuk jemi të vetmit, mendoj kështu që ekziston.

    Cilit besimi i përkisni ju?

    Unë i përkas besimit bektashi, nga të dyja palët, edhe nga nëna edhe nga babai.

    Ju e vëreni këtë që ne e quajmë një vlerë të madhe të shoqërisë shqiptare, harmoninë fetarë?

    Absolutisht dhe jam shumë krenare! Është një gjë shumë e bukur dhe mendoj se të gjitha fetë kanë diç- ka të përbashkët; është një filozofi e jetës, për të përmirësuar jetën…

    Panorama

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Intervista me Ermonela Jaho, yllin e skenës operistike botërore

    Modeli ynë Ermonela Jaho

    ROLAND QAFOKU

    Në një orë mësimi në fund të viteve ’80, një nga pedagogët tanë ndau me ne studentët një lajm familjar: Ime bijë fitoi konkursin dhe nisi studimet në Liceun Artistik “Jordan Misja”. Vajza e tij ishte 14 vjeçe, quhej Ermonela Jaho dhe te pedagogu seç kishte një ngazëllim të pakuptueshëm për mua në atë kohë. Si bashkëmoshatar dhe shok me të birin e pedagogut, mendoja se të nisje studimet në lice nuk ishte asgjë përpara asaj që vëllai i Ermonelës, Fatosi, kishte luajtur një rol episodik në një film të Kinostudios “Shqipëria e Re”. Dhe të luaje një film në atë kohë, ka të njëjtin perceptim sot si të luash në një film të Holliwood-it.
    Por lajmet për Ermonelën vit pas viti erdhën duke u bërë jo thjesht një habi, por një e nga një lajme që i ngjanë ortekut: Nisën nga një top i vogël bore dhe më pas u bënë një masë gjigante.
    Ermonela fitoi konkursin për të vijuar Akademinë e Arteve në Tiranë. Fitoi konkursin për të vijuar studimet në Akademinë e Santa Cecilia-s në Romë. Fitoi konkursin “Giacomo Pucini” në Milano në 1997. Fitoi konkursin në Ankona në 1998 dhe në vitin 2000 u shpall këngëtarja më e mirë e festivalit “Wexford”.
    Pas këtyre triumfeve, lajmet për të ishin thjesht lajmi i parë i botës operistike botërore, duke performuar në “Royal Opera” në Londër, “Metropolitan Opera” në Nju Jork, në Berlin, Filadelfia, Marsejë, Veronë e deri në “La Scala” të Milanos, duke u shndërruar kështu në një lloj Magelani operistik.
    Sot e kuptoj më mirë ngazëllimin e të atit të Ermonelës, teksa jepte lajmin e parë të suksesit të parë të Ermonelës, për t’u ndjekur më pas vetëm me lajme plot suksese.
    Dhe këto lloj lajmesh janë të jashtëzakonshme për ne shqiptarët, që në këto 25 vjet bota na ka njohur si mos më keq. Na ka njohur me lajme ku përmendeshin trafiqet, droga, prostitucioni dhe kur në shumicë e liga ka triumfuar ndaj së mirës. Dhe në shumë raste për të rinjtë ka triumfuar modeli i këngëtarit të “zhanrit” tallava dhe se si mund të bësh para pa djersë, një rrugë që gjithnjë në fund të çon matanë hekurave të qelisë.
    Të mësuar me lloj-lloj modelesh si këto, për rastin e Ermonelës ne shqiptarët nuk kemi thjesht vetëm një superyll të skenave botërore. Ne nuk kemi vetëm një superyll, që pas Ismail Kadaresë, nuk e teproj të them, se aktualisht është shqiptarja më e famshme në rruzull dhe që i jep emrin më pozitiv Shqipërisë.
    Më shumë se kaq, ne shqiptarët sot kemi një supermodel për rininë dhe fëmijët tanë. Një model që i tregon brezit të ri dhe brezave që do vijnë se mund të jesh shqiptar, i një vendi të vogël si Shqipëria, e vockël në hartë dhe në glob, e papërfillshme për historinë dhe atë që ka, por me punë, me djersë mund të bëhesh një yll jo vetëm brenda Shqipërisë, por dhe yll i botës. Më mirë se kushdo për këtë sukses, e tha vetë Ermonela në intervistën që unë i mora pak ditë më parë në emisionin “Debati në Channel One” që drejtoj: “Nuk mund të arrish kurrë një sukses pa vuajtje”, tha me gojën e saj diva e skenave të botës.
    Në karrierën time si gazetar, Ermonela Jaho është personazhi shqiptar më i rëndësishëm që kam intervistuar pas Ismail Kadaresë. Ajo nuk më impresionoi vetëm duke treguar ato që kishte arritur në jetë falë formulës “selfmade”. Në rrëfimin e saj ajo që spikaste më shume tek Ermonela Jaho ishte modestia. Një modesti që ne shqiptarët këtu pak e kultivojmë. Kur shohim në ekrane politikanë, qeveritarë, artistë, e gazetarë që kapardisen plot vanitozitet, edhe pse nuk kanë arritur gjë prej gjëje në jetë, shembull krahasimi duhet të kemi Ermonela Jahon. Sopranoja më e kërkuar e momentit sot në botë, me shumë përulësi deklaron se nuk ka arritur majën, edhe pse kritikët e vlerësojnë se është një nga sopranot më të mira në botë për kohën që po kalojmë. Ndërsa për ne, më shumë se kaq, Ermonela Jaho është shqiptarja që i jep më shumë se kushdo emrin e mirë Shqipërisë.
    Prandaj sot, pas afro 25 vjetësh, unë e kuptoj shumë e shumë mirë lajmin që i ati Ermonelës ndau me ne studentët.
    Ermonela, je modeli më i mirë për fëmijët tanë!

    Panorama

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Intervista me Ermonela Jaho, yllin e skenës operistike botërore

    Gishtin në plagë: “As si Metropolitani, por dhe asgjë fare, jo e jo »

    Prof. Dr. Vasil Tole

    Në një intervistë, të fundit nga rradha dhënë për mediat shqiptare, artistja lirike me njohje ndërkombëtare zonja e nderuar Ermonela JAHO, preku temën e nxehtë të mbështetjes së artit në Shqipëri, e posaçërisht të artit muzikor. Po e citoj « ad litteram » : … nuk mund të kërkoj kashen (pagesën-shënimi im) atë që marr jashtë shtetit, në vendin tim. Çfarë po i jap vendit tim? Vendi im është në vështirësi. Unë dua të jap eksperiencën time. Kjo është hera e dytë që kam ardhur edhe e bëj për vendin tim. Nuk do të bëhem e pasur në vendin tim. Jam dakord që artisti duhet të paguhet. Në një vend si ky i yni, në një teatër që po rilind, duhet të nisë nga diçka. Nuk mund të marrim një standard si ai i Metropolitantit apo i Parisit.
    Eshtë e mirëkuptueshme që artistë interpretues të këtij kalibri të mbajnë kontaktet e vazhdueshme artistike me vendlindjen, kuptohet krahas atyre marrëdhënieve familjare dhe shoqërore aq të çmuara për çdo njeri. Artistët tanë interpretues në botë si Inva Mula, Saimir Pirgu, Eda Zari, Enkelejda Shkoza, Frano Lufi, Josif Gjipali, Adrian Xhema, Gezim Myshketa etj e kanë bërë këtë gjë në vijimësi dhe publiku shqiptar i ka prekur arritjet e tyre të rëndësishme dhe i ka duartrokitur përzemërsisht.
    Në këtë pikë nuk po merrem me faktin që çdo artist i cili dëshiron të mbështesë një kauzë në vendin e tij është gjithashtu i mirëpritur ta bëjë atë individualisht dhe me financat e veta, kjo përmes nismave personale, organizimit të workshopeve, ngritjes së fondeve e gjithshkaje tjetër, në liri të plotë. Çështja shtrohet se si duhen organizuar marrëdheniet kur artistë të shquar përfshihen në kalendarët artistikë të institucioneve shtetërore, të cilat ekzistojnë prej vitesh dhe shpenzojnë para publike për përmbushjen e misionit të tyre? Pra, cilat janë ato mekanizma që duhet të funksionojnë që artistë të këtij kalibri si Ermonela të jenë prezent në skenat shqiptare, kjo jo thjesht për patriotizëm, por duke i parë ata si vlera artistike të çmuara të cilat kanë një çmim për tu paguar!
    Artistët duhen paguar, ashtu si edhe artistët tanë të operas e baletit, falë të cilëve prej gati 62 vitesh publiku ndjek, prek dhe shijon veprat me të shquara të repertorit operistik kombëtar e botëror. Në kushtet e integrimeve evropiane, është tërësisht e mundur gjetja e rrugëve dhe formave që kalendari artistik vjetor i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit të “vizitohet” natyrshëm dhe me pagesë edhe nga interpretë të kalibrit europian e më gjerë! Forma bazë është që Teatri i Operas brenda mundësive të buxhetit të tij ose përmes bashkëpunimeve me donatorë të paguajë kontributin e këtyre artistëve; më tej mund ti shpërblejë ata nga shitjet e biletave dhe pse jo, një formë mund të jetë përdorimi i fondeve të ekselencës që qeveria shqiptare jep çdo vit për supertalentet në fushën e artit dhe shkencës, gjë e cila kërkon që për këtë të shtrohen rrugët e mirëkuptimin mes Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Kulturës. Në çdo rast, ajo që përjashtohet është mospagimi i vlerave artistike të krijuesve dhe interpretuesve, pasi kështu nuk mund të kemi një skenë të vërtetë të artit muzikor në Shqipëri!
    Duke i shprehur mirëkuptimin të plotë mikut tim Ilir Kerni Drejtor i TKOB-së dhe sopranos sonë të nderuar Ermonela Jaho për përkushtimin e tyre, duhet vënë gishti në plagë, ashtu si tek piktura e Karavaxhos: zgjidhja është pagesa e artistëve të ftuar, pasi kështu vlerësojmë me respektin e duhur në rrradhë të parë publikun i cili paguan për të pare shfaqjen, më pas vetë artistin e ftuar si dhe padyshim duhet të rivlerësojmë artistët tanë, pa të cilët nuk do të kishim sot e gjithë ditën asnjë shfaqje, megjithëse ata nuk paguhen aq sa do të duheshin të paguheshin!

  5. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Intervista me Ermonela Jaho, yllin e skenës operistike botërore

    Ermonela Jaho: Më kërcënuan me letra anonime në Tiranë

    Rrëfime për fëmijërinë, këngët e para kur admironte Vaçe Zelën, ngritjen në karrierë dhe rikthimet e herëpashershme në Shqipëri.

    Një prej ngjarjeve ku ajo ndalet gjatë është një kërcënim me një letër anonime, në të cilën ishin ngjitur shkronja gazetash…

    Mbrëmë ajo u shfaq në TVSH tek emisioni i Enkel Demit, “Shih programin” ku dha edhe këtë rrëfim.
    Si ia bën që je kaq e dobët? Nëse nuk do të të njihja, do mendoja se je balerinë klasike?
    Eh, është një stërvitje e përditshme. Ashtu siç praktikoj zërin përditë, ashtu praktikoj edhe trupin. Nuk e kam nga natyra. Se zakonisht ne femrat kur duam të dukemi themi se nuk ha shumë, ha sa të dua, i bëj të gjitha gjërat normalisht, nuk mbaj dietë. Jo, jo për mua nuk është kështu. Është një punë aq e madhe, aq e lodhshme, që më kushton shumë.

    Kam përshtypjen Ermonelë se ti je një krijim i vetvetes?

    Ajo e të bërit vetë është e vërtetë. Ne të gjithë lindim me një potencial, për të zbuluar dhe për të shprehur veten tonë në fusha të ndryshme, por ai potencial që kemi varet nga kushtet ekonomike, shoqërore, nga familja, nga ambienti që mund të të ndihmojnë, por siç mund edhe të të pengojnë. Duhet ta marrësh me një lloj idealizmi, pasion të jashtëzakonshëm, paksa patologjik do të thosha, që i bie edhe murit me kokë, rrëzohesh, ngrihesh, bën çdo gjë për të gjetur më të mirën tende, të paktën si e kam gjetur unë në muzikë. Vetëm kjo të bën të kapërcesh çdo lloj vështirësie. Në të njëjtën kohë duhet të jesh edhe shumë mendjehapur. Dhe kjo puna kolosale, me rëniet e ringritjet më ka bërë që t’i shoh gjërat, t’i prek me duart e mia. I kam marrë të gjitha si një lloj eksperience njerëzore dhe për fat të mirë mund të them kam gjetur këtë kanalizim ndjenjash dhe eksperiencash. Ka qenë një punë e jashtëzakonshme.

    Unë kam kërkuar në një farë mënyre të gjeja një “tutor” tëndin, siç ka zakonisht në fushën tuaj, dikë që të jep një dorë, që të referon dhe i referohesh. Nuk gjeta askënd që të mund të thoja Ermonela Jahon e ndihmoi X apo Y për të mbërritur deri këtu…

    Ashtu është Keli, prandaj unë të thashë më sipër se ndonjëherë njerëzit që ke rrotull mund t’i kesh mbështetje ose pengesë. Mua përveç familjes që më ka dhënë këtë shtytje, nuk kam patur njeri tjetër. Kanë qenë edhe pedagogët. Të gjithë i kam vënë si copëzat e vogla të një mozaiku për të ndërtuar figurën e madhe, po që të them se ky “tutor”, apo ai, jo. Secili më ka dhënë diçka, por unë nuk mund të them se ka qenë një “kujdestar”.

    Nëse unë të kthej në fëmijëri, cila është gjëja e parë që kujton?

    Në fëmijëri mbaj mend kur kam qenë 4-5 vjeçe më pëlqente muzika e lehtë. Dëgjoja shumë këngët e Vaçe Zelës, kisha flokë të gjata dhe prindërit e të afërmit më thonin të gjithë: “E ke gojën e madhe si Vaçe Zela”. Ndonjëherë më vinte e keq dhe kundërshtoja, thoja nuk e kam gojën e madhe, por kur mahnitesha nga Vaçja, iu kthehesha, atëherë do të bëhem edhe unë këngëtare. Në atë kohë më kujtohet që bëja shfaqjen time në shtëpi. Skena e parë ka qenë aneksi, dilja nga pas perdes dhe lajmëroja: “Tani do të këndojë Ermonela Jaho!” dhe këndoja këngën e Vaçes “Nënën moj do pres gërshetin”, që as arrija ta shqiptoja saktë, por e këndoja ‘nënë moj do preth gërshetin”. Ky është kujtimi i parë me këtë pasion. Më tej si çdo fëmijë, doja të bëhesha si vajzat e bukura të asaj kohe, doja të bëhesha si Parashqevi Simaku, Nertila Koka. Mbase është instiktive, doja më shumë vëmendje. Babai e vuri re këtë gjë, sepse kam qenë fëmijë i turpshëm dhe ndjehesha mirë vetëm kur këndoja.

    Ju nuk e keni muzikën traditë familjare apo jo? Babai ka qenë ushtarak apo jo?

    Po, është e vërtetë. Nuk kemi pasur një traditë të mirëfilltë që dikush të ishte marrë me muzikë, gjyshi i binte violinës në Pallatin e Kulturës së Vlorës, por jo dikush që të jetë marrë mirëfilltasi me muzikë në familjen time nuk ka patur.

    Je larguar nga Shqipëria në ‘93 dhe rikthehesh pas 11 vitesh në 2004, për të vendosur ne skenë “Elisir d’amour”, por kjo shfaqje iku pa bërë shumë zhurmë. Por pas saj, ty, një divë tashmë e skenës botërore, të çojnë për të festuar në një lokal popullor, me babën tënd në krye…

    E vërtetë. Pas asaj shfaqjeje e gjeta veten në një darkë të organizuar me shumë dashuri dhe aty unë nuk doja të isha unë qendra e vëmendjes, por im atë. Në atë moment, kishte rëndësi që të gëzonte ai, sepse ai më ka shtyrë sa herë kisha nevojë, por nga ana tjetër sot edhe atë darkë e shikoj ndryshe. Tim atë e kam patur pranë në çdo hap, sa herë fitoja ndonjë konkurs, sa herë mediat e huaja shkruanin për mua gëzonte dhe i sillte gazetat këtu që të përcillte në shtyp ndonjë informacion, por ia mbyllnin dyert. E vuante jashtë mase. Pyeste “po përse nuk flasin për ty? Pse kështu pse ashtu?” Dhe të them të drejtën nuk pata kohë të mendoja për vete, por doja vetëm ta shikoja atë të lumtur, me mua në krahë dhe përballë miqve të tij.

    Pastaj atë natë, para se të mendoja se po festoja në një lokal me muzikë popullore, e kisha mendjen gjetkë, pasi mora një letër anonime. Unë isha e ftuar tek “Elisir d’amour” dhe kam kënduar vetëm natën e tretë, sepse ndoshta dikush mund të kishte frikë se mund t’i zija vendin. Ne shqiptarët jemi pak të çuditshëm në këtë pikë. Kemi ndjenjë të lartë xhelozie me njëri-tjetrin edhe pse flasim të njëjtën gjuhë. Ti mund të kesh arritur diçka, të jesh bërë dikushi edhe jashtë kufijve të vendit tënd, por kur kthehesh këtu e kemi shumë, shumë të vështirë që ta pranojmë zotësinë e tjetrit. E njëjta gjë ndodhi edhe për “Elisir d’amour”, nga nata e parë kalova në natën e tretë, unë doja të këndoja, sapo e kisha kënduar në Itali, pastaj është në mes edhe egoja e artistit. Megjithëse ndodhën gjërat kështu, vendosa ta këndoja. E bëra edhe për tim atë. Kështu shkova në Teatrin e Operas dy orë përpara shfaqjes dhe supozohej që të kishe kostumet, do të visheshe nën petkun e dikujt tjetër. Nuk gjej kostumet, nuk gjej këpucët. Por prapë thashë do ta bëjë këtë për tim atë, do të dalë në skenë. Dhe u rregullova si munda e dola. Nuk mjaftoi kjo, por në skenën gjatë shfaqjes, kjo është një opera komike dhe sipas libretit në skenë mua më vjen një letër me tekstin e një kënge ku tallej një personazh, por mua më erdhi një letër anonime, e bërë me shkrime gazetash, të marra dy rrokje këtu, një fjalë atje, ishin ngjitur me merak si nëpër filma. Lexoj letrën që ishte e gjitha një xhelozi e plotë, ku më kërkohej që të ikja. E lexova dhe nuk po i besoja vetës. Pashë rreth e rrotull, jam në skenë apo ishte ëndërr dhe sinqerisht instikti im i parë pas asaj letre ishte i thjeshtë. Thashë me vete personin që e ka dërguar duhet ta kem në publik, ndaj e mora letrën e bëra copa-copa të vogla dhe e hodha në ajër si dëborë dhe qeshja mesa kisha në kokë. Lëvizja nëpër skenë, këndoja, qeshja.

    E për t’u rikthyer pak tek darka që më kujtuar ju, mund t’ju them se u ndjeva pakëz si jetime në vendin tim. Nuk dua të jem negative, por ne na mungon vlerësimi për njëri-tjetrin. Luftën më të madhe për të njohur punën time dhe mua e kam patur me vendin tim.


    Në cilën opera të ka qëlluar të zëvendësosh një soprano ruse që ka qenë e sëmurë …

    Ka qenë në Londër ky rast. Unë isha në Nju Jork, sepse jetoj aty me familjen aty. Në Londër ishte kolegia ruse, jashtëzakonisht e njohur në media, me shumë famë si këngëtare. Dihet që rusët në përgjithësi janë adhurues të muzikës klasike, por masonët rus në veçanti janë të përqendruar në Londër dhe natyrisht që ndjekin me fanatizëm çdo koncert të bashkëpatriotëve të tyre në Teatrin Mbretëror të Londrës, i cili konsiderohet si pikë arritje për të gjithë këngëtarët. Të gjithë kemi folur për Callas, Pavarotin, Del Monaco që kanë qenë gjithmonë në këto ambiente. Unë sapo kisha mbërritur, kisha qenë në një produksion tjetër, kur më merr menaxheri im dhe më thotë nesër është premiera në Londër, janë shitur të gjitha biletat, mediat janë aty, por këngëtarja ruse është e sëmurë dhe nuk e di nëse këndon dot apo jo. Do të vish për të qenë aty që të jemi të sigurtë në çdo rast. Joshja ishte e madhe, por pata dhe një farë ngurrimi, flitej për “Royal Theater House” dhe mendimi i parë që më ka ardhur kishte lidhje me ëndrrën time për t’u bërë këngëtare operistike me operan “Traviata”. E kisha kënduar para Londrës disa herë në produksione të tjera. Muzikën natyrisht e dija, por regjia duhej të ishte krejt ndryshe, nuk ia kisha idenë se nga duhej të hyja dhe të dilja. Kisha vetëm pesë minuta kohë të mendohesha për të thënë po ose jo. Në atë periudhë kisha patur edhe një fatkeqësi, pata humbur mamanë krejt befas dhe në një farë mënyrë me ikjen e saj kishte marrë fund dhe një lloj ankthi, padurimi që zakonisht kanë të rinjtë. I thashë vetës: “Ky është një rast fantastik, provo sa e zonja je të bësh, provoje me gjigantët, lëri fjalët!” I thashë vetës: “Çfarë do humb?! Nënën time nuk ma kthen më njeri, kjo derë nuk dihet nëse do të hapet një herë tjetër apo do të të mbyllet përgjithmonë”. Dhe u nisa. Kam udhëtuar gjithë natën nga Nju Jorku në Londër. Thashë e pranoj këtë sfidë. Kur mbërrita shikoj telefonin, asnjë thirrje. Nisa të mendoj do Zoti këndon sonte këngëtarja ruse që të shoh edhe shfaqjen, të kuptoj më shumë se për çfarë bëhet fjalë. Por, sapo mbërrita në hotel më morën në telefon dhe më thonë “eja se këngëtarja e ka anuluar shfaqjen, janë shitur të gjitha biletat dhe nuk e anulojmë dot”, flasim për një shfaqje ku një biletë kushtonte 700 deri në 800 paund se bëhej fjalë për premierën dhe flasim për një teatër me 4 mijë vende, plot me media. Kisha vetëm katër orë për t’u bërë gati. Regjinë nuk e dija, kostumet m’i bënë në atë çast dhe më thonin, do hysh këtej, do të dalësh andej, por gjithçka po më thuhej në një studio të vogël, jo në skenë, atë nuk e kisha parë akoma. Unë isha aq e përqendruar, po mundohesha të thithja sa më shumë, mos ta humbisja këtë mundësi. Afrohet ora e shfaqjes, salla plot, ishte skenografia e tillë që unë hyja në skenë dy-tri minuta para shfaqjes dhe duhej të qëndroja pas një tyli. Aty pashë për herë të parë skenën dhe sikur të mos mjaftonte kjo, kishin harruar të më prezantonin kolegët dhe rolet e tyre, përveç tenorit. Por nuk mjaftoi as kjo. Para së të fillonte shfaqja del drejtori artistik, se nuk ia kishte komunikuar publikut më përpara dhe iu thotë: “Na falni, këngëtarja filan nuk këndon sonte për arsye shëndetësore, por ne kemi marrë një artiste tjetër, ju nuk e njihni, por nuk do të ngeleni të zhgënjyer. Quhet Ermonela Jaho. Nëse do të mbeteni të zhgënjyer, do t’ju rimbursojmë biletat”. Mua as drejtori nuk më kishte dëgjuar “live” asnjëherë. Dhe dëgjoj publikun të irrituar dhe më dukej sikur kishte marrë edhe pozicionin trego se çfarë di të bësh tani. Unë dridhesha. Nuk mjaftoi edhe kjo. Drejtori doli duke i thënë publikut dëgjojmë aktin e parë dhe nëse gjërat nuk shkojnë siç duhet, e ndërpresim. Ky del duke thënë “Zoti qoftë më ne dhe me këtë bashkë”. Fillova shfaqjen. Shoh dirigjentin, por kurrë nuk më ishte dukur më larg. Salla m’u duk gjigante në atë moment dhe pastaj thashë me vete: “Mjaft ke thënë pasioni im kështu, pasioni im ashtu, tani është momenti ta tregosh veten para këtij publiku”. Dhe filloi një logjikë e ftohtë në kokë. Nisa të këndoj, derisa u thye akulli dhe çdo gjë shkoi mirë. Erdhi fundi i aktit të parë, është skena më e vështirë për një këngëtare lirike për ta kënduar. Qetësi varri. Fillova ta këndoj dhe pas tij njerëzit ishin tepër-tepër entuziastë. Aty fillova të marrë sërish frymë. Gazetat të nesërmen kanë shkruar gjëra të jashtëzakonshme…

    Kjo është e vërtetë. Historia e 2004 është shumë e sikletshme. Çfarë ka publiku shqiptar që të bën ty të të marrë malli?

    Nuk e di pse. Ndoshta është si në ato terapitë, ku ti shikon dhe analizon boshllëqet e jetës tënde që nga fëmijëria e më pas dhe ti mundohesh t’i plotësosh. Kështu është edhe me vendin tënd. Mund të pushtosh botën, por nëse nuk ke vendin tënd, të duket sikur nuk ke asgjë. Ka qenë më pas një periudhë gati shtatë vjet që unë nuk erdha. Jam rikthyer më tepër për të dhënë eksperiencën time, për të dhënë gjithmonë mesazhin pozitiv se mund t’ia dilet.

    Ti vjen e merr identitet këtu. Ke nevojë për të?

    Ekzakt. Doja të bëja paqe me të kaluarën, ndaj jam lidhur më fort me brezin e ri këtu.

    E ke ndjerë veten ndonjëherë emigrante? Ose ku e ke kuptuar që je emigrante?

    E kam ndjerë që ç’ke me të! E kam ndjerë veten emigrante, kur shkoja në ‘93-‘94 konkurrova për në konservatorin “Santa Cecila”, fitova konkursin dhe më duhej edhe një dokument shtetëror. Fillimisht, kisha shkuar në Itali me Katia Riçarelin, ajo merrte këngëtarë të rinj nga e gjithë bota dhe ishte një tip master-class. Aty pata kontaktin me madhështinë e operas klasike në Itali. Thashë me vete se kjo është ajo që dua, ndaj doja të rrija më shumë. Për të zgjatur këtë leje qëndrimi duhej të shkoja në shkollë. Fitova konkursin dhe më duhej një dokument nga ambasada shqiptare ku të vërtetonte që Ermonela ka fituar shkollën dhe është qytetare shqiptare. Shkova të marr këtë vërtetim dhe jam përcjellë duke më thënë: “Po ik moj vajzë tani, duhet të kthehesh në Shqipëri, shko në Ministrinë e Jashtme, ku duhet të marrësh një letër”. U thashë: “Më falni, më jepni këtë vërtetim, sepse më duhet patjetër”. Asaj kohe unë nuk kisha ende një bursë studimi dhe punoja si babysiter për të mbijetuar, vërtetë për të mbijetuar. Dhe për mua fakti që isha futur në atë shkollë pa asnjë përkrahje m’u duk më e lehtë se sa të një copë letër me dy rreshta. Kjo më dukej absurde. Atë letër nuk e mora dot.

    Kam vajtur në sekretarinë e shkollës dhe i thashë sekretarit, një burrë i moshuar ky, nuk ma dhanë letrën dhe e shikoja në sy ndërsa qaja. Kam qarë aq shumë aty, u ula në karrige dhe qaja. I thoja se nuk doja ta humbisja shkollën, por nuk kisha çfarë të bëja. Ai më pa dhe mbylli derën. Më tha vetëm se unë do të doja shumë të kisha një vajzë që të kishte këtë pasion. Më tha që unë ta shkruaja në shqip, ta përkthenim në italisht dhe ta fusnim në dosje. Një dokument fals me një fjalë, se më vjen edhe turp ta kujtoj dhe ta them këtë gjë. Ky ka qenë një rast, kur jam ndjerë emigrante, se në raste të tjera kur duhet të bindësh një publik, t’i japësh atë markën tënde si artiste nga vjen e kush je, ajo është një luftë që ne e bëjmë përditë. Nuk e kam ndjerë veten emigrante si artiste, por për çështjen e dokumenteve e kam ndjerë, sepse më janë djegur edhe dy-tri raste të tjera.

    Kur ishe Ermonela që punoje për të paguar studimet, që bëje audicionet për të gjetur rrugën tënde, çfarë ëndërroje të kishe…

    Ëndrrën e kam kapur mund të them, sepse kam dashur të këndoj një sërë rolesh në karrierën time dhe ato tashmë i kam bërë.

    Diçka vanitoze? Fjala vjen, kur të jem e pasur do të kem këtë makinë, do të kem një shtëpi të madhe...

    Jo, jo, asnjëherë nuk mendoj për këto gjëra dhe e di pse?! Sepse pikërisht është ajo vuajtja e fillimit që më kanë shënjuar aq shumë, sa nuk e di, por ndoshta është bërë një lloj traume dhe unë nuk e imagjinoj dot veten vanitoze, ajo më mban me këmbë në tokë. Një ëndërr që unë e kam patur me kohë është për të bërë një shkollë kantoje që të dalin sa më shumë këngëtarë lirikë.

    Ta bësh në Shqipëri?

    Po, ta bëj këtu.

    Prapë në Shqipëri! Këtë nuk do ta kuptoj deri në fund të bisedës… Dëgjon muzikë rock?

    Dëgjoj, sidomos kur shkoj në palestër. I dëgjoj të gjitha llojet e muzikës aty, sepse kam shumë nevojë që të shkarkoj energji. I dëgjoj të gjithë nga Rita Ora tek Fredy Mercury…A e di kush ka qenë roker i
    shkëlqyer? Josif Gjipali. Ai ka qenë vërtetë i tillë dhe tani është një tenor i shkëlqyer.

    Ti ke vese? Duhan, alkool?

    Vese? Duhan, alkool? Absolutisht jo. Asnjëherë.

    Ëmbëlsira?

    Jo, vetëm specin djegës. E dua pafund dhe në lokalet ku më njohin ma sjellin vetë tashmë.

    Cili është një gatim shqiptar që të merr malli?

    Gjellët e mamit tim. Mbaj mend bënte një çomlek fantastik, më pëlqenin shumë sardelet në tenxhere me presion, kulaçi me përshesh, me mishin e gjelit.

    Ke interesa të tjera veç muzikës?

    Po, më pëlqen shumë psikologjia, filozofia, mësimdhënia. Lexoj shumë. Unë kam studiuar dhe për mjekësinë e kordave të zërit, këtë e kam bërë jo vetëm për veten, por sepse teknika e kantos është aq delikate dhe një këshillë nuk është kurrë e tepërt. Sepse çfarë ndodh?! Shumë shpesh janë vetë profesorët e kantos që nuk e dinë sesi janë të formuara kordat e zërit, e nëse nuk e dinë këtë, atëherë sa siguri kemi që mund t’i dijë si prodhohet zëri, çfarë mund të bëjë mund të arrijë.

    Ti ke ndopak kohë të lirë? Qëndis?

    Më përpara po. Kam ditur të qëndis shumë mirë, bëja punime me grep, madje dija dhe të qepja qilima.

    A e di sesi qëndrojnë çentrot e ngrira fare?

    Niseshte.

    Ti e dije, kurse unë, kur e kam mësuar jam shokuar…

    Nuk kam më shumë kohë të lirë, as për t’iu dedikuar njerëzve të mi të dashur, familjes sime. E di, qëllon ndonjëherë që dua shumë të jem në shtëpi me tuta e çorape. Qëllon ndonjëherë që jam në pritjen e koktejlit pas shfaqjes, atë që unë e quaj gjithmonë, akti i fundit dhe e vetmja gjë që dua në ato momente është që të isha rehat në shtëpi. Sapo mbërrij, vesh teshat e shtëpisë, ulem përdhe duke parë televizor.

  6. #6
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Intervista me Ermonela Jaho, yllin e skenës operistike botërore

    Anetaret dhe vizitoret e forumit shqiptar, kane patur mundesine te njihen dhe ndjekin hap pas hapi suksesin e Ermonela Jaho qe prej vitit 2006:

    http://www.forumishqiptar.com/thread...hqiptare/page2

    Ermonela Jaho duhet te jete artistja model per te gjithe artistet e rinj shqiptare dhe per te gjithe femijet e vegjel te apasionuar pas arteve te bukura.

    Ajo qe e ben Ermonelen te vecante eshte se eshte jo vetem nje artiste e madhe me fame boterore, por eshte edhe nje njeri i mrekullueshem.

    Suksese te metejshme Ermonela dhe je ambasadorja me e mire jo vetem e artit shqiptar ne bote, por edhe e virtyteteve shqiptare.

    Albo

  7. #7
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    29-11-2010
    Postime
    16,202

    Për: Intervista me Ermonela Jaho, yllin e skenës operistike botërore



    ERMONELA JAHO - VIP Club

    Nëntor 2018 - Top Channel Albania

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •