Postuar më parë nga
VOLSIV
Përse nuk duhet armatosur Ukraina. E vështirë humbja e Moskës në fushëbetejë.
Postuar më: 9 Shkurt, 2015 tek Bota
Kriza në Ukrainë po zgjat prej thuajse një viti
dhe Rusia është duke fituar. Separatistët në
Ukrainën Lindore janë duke fituar terren çdo
ditë, teksa presidenti rus Vladimir Putin nuk po
tregon asnjë shenjë se ka ndërmend të tërhiqet,
përballë sanksioneve ekonomike perëndimore.
Sikurse edhe pritej ka një kor zërash në rritje në
Shtetet e Bashkuara, që po i bëjnë thirrje
aleancës perëndimore për armatosjen e
Ukrainës.
Një raport i kohëve të fundit, i hartuar nga 3
think-tanke kryesorë amerikanë, nxit dërgimin
në Kiev të armatimeve të avancuara, Në një
kohë që kandidati kryesor i Shtëpisë së Bardhë
për Sekretarin e ri të Mbrojtjes, Eshton B.
Karter, do të deklaronte javën e shkuar, para
komitetit të Senatit për shërbimet e armatosura,
se “unë anoj shumë në atë drejtim”.
Ata janë të gjithë në rrugë të gabuar. Do të ishte
një gabim i madh për Shtetet e Bashkuara,
NATO-n dhe vetë Ukrainën, ndërmarrja e asaj
rruge. Dërgimi i armëve nuk do të shpëtonte dot
ushtrinë ukrainase. Përkundrazi, në vend të
kësaj do të kishim një përshkallëzim të
ndjeshëm të luftimeve. Një hap i tillë është
veçanërisht i rrezikshëm, edhe për shkak se
Rusia ka mijëra armë bërthamore dhe aktualisht
po përpiqet të mbrojë interesat e saj jetike dhe
strategjike.
Nuk ka asnjë dyshim se ushtria e Ukrainës është
shpartalluar keqazi nga ana e separatistëve, të
cilët kanë trupat ruse dhe armë të sofistikuara
në anën e tyre. Për shkak se balanca e pushtetit
në mënyrë vendimtare favorizon Moskën,
Uashingtoni do të duhet të dërgojë sasi të
mëdha të paisjeve për ushtrinë ukrainase, që
kjo e fundit të mund të ketë një farë shansi për
të luftuar.
Gjithësesi konflikti nuk do të përfundonte këtu.
Në kundërpërgjigje, Rusia do të përshkallëzonte
sulmet, duke zhbërë çfarëdolloj përfitimi të
përkohshëm që Kievi mund të kishte nga armët
amerikane. Autorët e think-tankut që kryen
studimin e pranojnë këtë, duke vënë ndërkaq
në dukje se “edhe me ndihmën e madhe nga
Perëndimi, ushtria e Ukrainës nuk do të jetë në
gjendje të mposhtë një sulm të vendosur nga
ushtria ruse”.
Me pak fjalë, Shtetet e Bashkuara nuk mund ta
fitojnë një garë armësh me Rusinë mbi
Ukrainën, dhe në këtë mënyrë të siguronin
humbjen e Moskës në fushën e betejës.
Përkrahësit e armatosjes së Ukrainës, kanë një
linjë të dytë argumentimi. Sipas tyre çelësi i
suksesit, nuk është mundja ushtarake e Rusisë,
por rritja e shpenzimeve mbi luftën deri në atë
pikë sa zoti Putin të rrënohej. Ata gjithashtu
supozojnë se kjo do ta detyronte Moskën të
tërhiqte trupat e saj nga Ukraina, dhe të lejonte
hyrjen e kësaj të fundit në Bashkimin Evropian
dhe NATO, duke u bërë përfundimisht një aleate
e Perëndimit.
Por kjo strategji detyruese nuk ka gjasa të
funksionojë, pa marrë parasysh se deri në çfarë
mase Perëndimi do të dëmtonte Rusinë. Ajo që
“avokatët” e armatosjes së Ukrainës nuk arrijnë
të kuptojnë, është se udhëheqësit rusë besojnë
se interesat thelbësore strategjike të vendit të
tyre janë në rrezik në Ukrainë.
Për rrjedhojë nuk ka asnjë shans që ata të
lëshojnë terren, edhe nëse kjo do të thotë
shkaktimin e kostove të mëdha. Fuqitë e mëdha
reagojnë ashpër kur rivalët e largët e projektojnë
fuqinë ushtarake në “lagjen” e tyre. Ndërkohë,
shumë më pak përpjekje nevojiten për të bërë
aleat një vend në kufi. Kjo është arsyeja së
përse Shtetet e Bashkuara kanë “Doktrinën
Monro”, dhe sot asnjë president amerikan nuk
do të toleronte kurrë një Kanada apo Meksikë të
bashkuar në një aleancë ushtarake, të kryesuar
nga një tjetër fuqi të madhe.
Në këtë drejtim, Rusia nuk përbën asnjë
përjashtim. Kështu që zoti Putin nuk tundet
përballë sanksioneve, dhe nuk ka gjasa të bëjë
lëshime të rëndësishme, edhe në rast se kostot
e luftimeve në Ukrainë do të rriteshin. Duke
rritur rezistencën e Ukrainës, gjithashtu
rrezikohet përshkallëzimi i padëshiruar. Me
siguri jo vetëm luftimet në Ukrainë Lindore do të
intensifikoheshin, por ato mund të përhapen
edhe në zona të tjera.
Dhe atëherë pasojat për Ukrainën, që tanimë
përballet me probleme të thella ekonomike dhe
sociale, do të ishin katastrofike. Mund të duket
e largët mundësia që zoti Putin të mund të
përdorë si kartë të fundit kërcënimin
bërthamor. Por nëse qëllimi i armatosjes së
Ukrainës është rritja e kostove të ndërhyrjes për
Rusinë dhe përfundimisht çuarjen e Moskës në
një krizë akute, ai skenar nuk mund të
përjashtohet.
Nëse presioni perëndimor pati disi sukses dhe
zoti Putin ndjehet aktualisht i dëshpëruar, ai do
të ketë një stimul edhe më të fuqishëm për t’u
përpjekur për të dalë nga situata, duke i
mëshuar vrullshëm “shpatës” bërthamore.
Kuptimi që ne kemi për mekanizmat e
përshkallëzimit në krizat dhe luftërat kufizohet
tek më e mira, edhe pse ne e dimë që rreziqet
janë të konsiderueshme. Të shtysh një Rusi të
armatosur me armë bërthamore, në “cepin e
ringut”, do të ishte si të luaje me zjarrin.
“Avokatët” e armatosjes së Ukrainës e njohin
problemin e përshkallëzimit. Dhe kjo është
arsyeja përse ata e theksojnë vazhdimisht se po
kërkojnë që Kievit t’i jepen armë “mbrojtëse”
dhe jo “sulmuese”. Fatkeqësisht, nuk ka ndonjë
dallim të dobishëm ndërmjet këtyre kategorive:
të gjitha armët mund të përdoren për të
sulmuar dhe mbrojtur. Ndonëse Perëndimi
mund të jetë i sigurtë që Moska nuk do t’i
shohë armët amerikane si “mbrojtëse”, duke
pasur parasysh se Uashingtoni është i vendosur
për të ndryshuar status quo-në në Ukrainën
Lindore. Pra unë them se mënyra e vetme për
të zgjidhur krizën në Ukrainë, është nëpërmjet
diplomacisë dhe jo ushtrisë.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, duket se e
njeh këtë fakt, pasi siç është shprehur në
vijimësi Berlini nuk do që të furnizojë me armë
Kievin. Megjithatë problemi i saj është se nuk e
di sesi mund t’i jepet fund kësaj krize. Ajo dhe
udhëheqës të tjerë evropianë po punojnë ende
nën iluzionin se Ukraina mund të largohet jashtë
orbitës ruse, duke u bërë pjesë e aleancës
perëndimore, dhe që liderët rusë duhet ta
pranojnë këtë gjë. Por fakt është se ata nuk
kanë ndërmend të pranojnë një zhvillim të tillë.
Për të shpëtuar Kievin dhe rivendosur
përfundimisht një marrëdhënie bashkëpunimi
me Moskën, Perëndimi duhet të përpiqet ta
shndërrojë Ukrainën, në një shtet tampon
neutral, midis Rusisë dhe NATO-s. Ajo duhet t’i
ngjajë Austrisë gjatë Luftës së Ftohtë. Drejt këtij
qëllimi, Perëndimi qartazi duhet të heqë dorë
nga zgjerimi i Bashkimit Evropian dhe të NATO-s
në lindje, duke theksuar se qëllimi i saj është
një Ukrainë e parreshtuar, që nuk kërcënon
Rusinë.
Gjithashtu Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj,
duhet të punojnë edhe me zotin Putin për të
shpëtuar ekonominë e Ukrainës, një qëllim që
qartazi është në interesin e të gjithëve. Është
ndërkaq thelbësore, që Rusia të ndihmojë
dhënies fund luftimeve në Ukrainë Lindore, në
mënyrë që Kievi të rimarrë kontrollin mbi atë
rajon. Provincave të Donjeckut dhe Luhanskut,
duhet t’u jepet një autonomi thelbësore dhe
mbrojtja e të drejtës për përdorimin e gjuhës
ruse, duhet të jetë një prioritet kryesor.
Krimea, një viktimë e përpjekjes së Perëndimit
për të shpënë NATO-n dhe Bashkimin Evropian
deri në pragun e Rusisë, me siguri u humb për
mirë. Është koha t’i jepet fund kësaj politikë të
pakujdeshme, përpara se t’i bëhen më shumë
dëme si Ukrainës, ashtu edhe marrëdhënieve
mes Rusisë dhe Perëndimit.
Shënim: John J. Mearsheimer është profesor i
shkencave politike në Universitetin e Çikagos
dhe autor i librit “Tragjedia e Fuqive të
Mëdha Politike”
/The New York Times/bota.al
Krijoni Kontakt