Zbardhet letra e Ramës për Cipras: Të rifillojmë një program europian

Emri:  edi-rama2_1.jpg

Shikime: 779

Madhësia:  88.1 KB
Emri:  lista-tsipras-altra-europa_1.jpg

Shikime: 587

Madhësia:  110.0 KB

Letra – Në thelb ndajmë nevojën e përbashkët për të rifilluar një program social europian, ku të marrin pjesë të gjithë, ku integrimi të mbështetet në një solidaritet të vazhdueshëm
Problemet – Përveç problemit të kufirit detar dhe çështjes çame mes dy shteteve është dhe ai i dokumentacioneve të emigrantëve shqiptarë në Greqi.

Ishte vetë Kryeministri Edi Rama që në një intervistë pak kohë më parë bëri të ditur lajmin se ai i kishte dërguar një letër urimi Kryeministrit të ri të Greqisë, Aleksis Cipras, letër e cila është bërë publike dje nga mediat greke. Gazeta “Kathimerini” ka zbardhur një pjesë të letrës që Kryeministri Rama i ka dërguar kreut të SYRIZA-s, duke i rikujtuar kështu edhe faktin se mes dy vendeve vijojnë të mbeten ende çështje që kërkojnë një zgjidhje dypalëshe siç është ajo e kufirit detar apo dhe ajo e çështjes çame. Në letër, Kryeministri shqiptar i shpreh hapur ftesën për homologun grek për vizitë në Tiranë. “Kathimerini” shkruan se qeveritë e vendeve fqinje, përfshi këtu dhe Shqipërinë janë në pritje të qëndrimeve që do të mbajë qeveria “Cipras” për zvarritjen e çështjes së kufirit detar, për të cilin palët nuk kanë gjetur ende një zgjidhje pavarësisht ndryshimit të qeverive nga të dyja palët. “Duke qenë se në thelb ndajmë nevojën e përbashkët për të rifilluar një program social europian, ku të marrin pjesë të gjithë, ku integrimi të mbështetet në një solidaritet të vazhdueshëm dhe të mos bazohet në një Europë të qendrës apo në një Europë të periferisë dhe të getove do të ishte kënaqësi për mua t’ju kisha takuar dhjetorin e kaluar, ashtu siç ishte planifikuar”, thuhet në një pjesë të letrës drejtuar Kryeministrit të ri grek. Ndërkohë që anulimi i vizitës së Cipras në Tiranë dhjetorin e kaluar është kërkuar nga kreu i SYRIZA-s për shkak të zhvillimeve në Greqi, gjë që konfirmohet edhe nga vetë letra e Ramës. “Zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme në Greqi e bëri të pamundur këtë takim, por rezultati i zgjedhjeve e bën akoma më të nevojshëm këtë takim. Ju pres në Tiranë në kohën më të përshtatshme për ju”, thuhet në letrën që Rama i ka dërguar Cipras. Gjithsesi, mësohet se zyra e shtypit të Kryeministrisë e kishte përcjellë letrën në Athinë përmes ambasadës greke në Tiranë, ndonëse për arsye që ende nuk dihen dhe që nuk janë sqaruar nga qeveria, Kryeministri Rama nuk e shpërndau për mediat letrën e urimit që i dërgoi Cipras për fitoren.

Qëndrimi

Janë një sërë çështjesh që me vizitën e Kryeministrit të ri grek në Shqipëri pritet të marrin zgjidhje. Përveç problemit të kufirit detar dhe çështjes çame është dhe ai i dokumentacioneve të emigrantëve shqiptarë në Greqi. Vetë Kryeministri grek, Aleksis Cipras, në një intervistë dhënë për “Plus” gazetë e Athinës premton për dhënien e nënshtetësisë së fëmijëve të emigrantëve, duke bërë të ditur se ata që jetojnë prej 5 vitesh në shtetin fqinj, do të kenë të drejtën e votës në zgjedhjet lokale. Por pala greke nga ana tjetër ka ngritur si shqetësim për vendin tonë respektimin e minoritet grek në Shqipëri. Ka qenë zëvendësministri i shtetit në qeverinë e re të Aleksis Cipras, Terens Kuik, i cili gjatë një takimi të zhvilluar me të rinjtë e Epirit të Veriut, u shpreh se “Athina zyrtare do të mbështesë Shqipërinë në rrugën e anëtarësimit drejt BE­së”, duke i kujtuar si kusht respektimin e së drejtës së minoritetit grek që jeton në Shqipëri. Madje, përfaqësuesi i ekstremit të djathtë në qeverinë e Cipras, të ANEL, ka folur me tezën e Epirit të Veriut. “Shqipëria duhet të respektojë të drejtat e Epirit të Veriut. Shqipëria duhet t’i japë fund çdo qasjeje që synon tjetërsimin e popullsisë greke në jug të vendit përmes ndryshimeve administrative në qeverisjen lokale”, u shpreh zv.ministri grek. Kuik ndërkohë ka prekur edhe çështjen çame, duke e lidhur atë me tezën e Shqipërisë së Madhe. “Qeveria shqiptare të ndalë referencat që lidhen me Shqipërinë e madhe dhe t’u vërë fre zërave që flasin për çështjen çame, duke u përpjekur ta ndërkombëtarizojnë atë”, ka deklaruar zëvendësministri i Shtetit në qeverinë e re greke. Pak ditë më parë, këshilltari për Marrëdhëniet me Jashtë i Kryeministrit të Greqisë, në një intervistë për “Top Channel” tha se çështja për Paktin Detar Greqi-Shqipëri duhet të zgjidhet. “Ajo që dua të them tani është që Syriza ka programin e saj për politikën e jashtme, por marrëveshja mes Greqisë dhe Shqipërisë është konsideruar si një marrëveshje e përfunduar, më pas Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë e rrëzoi atë. Tani ne duhet të flasim për këtë çështje dhe të gjejmë një zgjidhje”, u shpreh Giorgos Cipras.

Shqip