PRISHTINE, 12 prill - Idea e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hashim Thaçi, për moratorium statutor për Kosovën, duket se nuk ka gjetur përkrahjen e subjekteve të tjera të rëndësishme politike shqiptare në Kosovë.
Lidhja Demokratike e Kosovës tha sot se ky subjekt politik qëndron fuqishëm në përcaktimin e saj për jetësimin e plotë të pavarësisë së Kosovës në bazë të vullnetit të popullit të shprehur në referendum më 1991.
“LDK-ja insiston dhe punon në njohjen formale të pavarësisë së Kosovës nga bashkësia ndërkombëtare. Kosova tashmë po e kalon fazën e protektoratit ndërkombëtar dhe pas gjithë këtij procesi të zhvillimit të gjithanshëm gjatë katër vjetëve në liri, çfarëdo përpjekjesh apo idesh joserioze dhe të tejkaluara për pezullim të punës për njohjen formale të pavarësisë së Kosovës janë të papranueshme për LDK-në. Prandaj, LDK-ja i kundërshton fuqishëm, pa marrë parasysh nga kush vijnë”, thuhet në një njoftim të LDK-së.
Anëtari i kryesisë së kësaj partie, Alush Gashi u shpreh se moratoriumi statutor nuk është vizion i Lidhjes Demokratike të Kosovës. “Ne nuk mund të shkojmë në Evropë pa adresë, ne dëshirojmë dhe angazhohemi fuqimisht që adresa jonë të jetë pavarësia e Kosovës dhe Kosova shtet i pavarur dhe sovran”, deklaroi Alush Gashi.
Nga ana tjetër, Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e ka cilësuar moratoriumin statutor për Kosovën si improvizim të panevojshëm e të padobishëm, dhe si ide që bie në kundështim me vullnetin dhe aspiratat e popullit të Kosovës. Idea për moratorium statutor është kundërshtuar, madje ashpër, edhe nga Partia e Re e Kosovës, e ish-kryeministrit të Kosovës Bujar Bukoshi.
Nga ana tjetër, kryetari i PDK-së Hashim Thaçi në mbledhjen e sotme me kryetarë të degëve të kësaj partie tha se zgjidhja përfundimtare e statusit politik të Kosovës duhet të ketë fundin e vet në kohën e duhur në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare.
Sipas Thaçit, "PDK-ja ka dinamizuar proceset politike në institucionet e Kosovës për thyerjen e status kuos, e cila rëndon dhe ngulfat procesin e zhvillimit, demokratizimit, tolerancës dhe mirëqenies së qytetarëve". Duke elaboruar propozimin e tij, z. Thaçi tha se PDK-ja angazhohet vazhdimisht për realizimin e aspiratave legjitime të qytetarëve të Kosovës.
Në mbledhjen e udhëheqjes së kësaj partie me kryetarët e degëve doli qëndrimi që "PDK-ja nuk është për veprime të nxituara që fusin institucionet e Kosovës në konfrontim të panevojshëm me ndërkombëtarët, nuk pajtohet me status kuon e as me bllokadat e iniciativave, që po bëhen në Kuvendin e Kosovës".
Edhe Enver Hasani, profesor i së drejtës ndërkombëtare, në një intervistë dhënë për radion “Evropa e Lirë” ka thënë se propozimi për shpalljen e moratoriumit për statusin përfundimtar të Kosovës është vlerësim i gabuar. Ai theksoi se ky propozim i shkon për shtat asaj pjese të bashkësisë ndërkombëtare që kërkon të shtyjë zgjidhjen e statusit të Kosovës për një kohë tjetër.
“Mendoj se propozimi i njërit prej liderëve të partive politike është synim për të legalizuar një gjendje e cila de fakto në Kosovë ekziston, përkatësisht për t'iu përshtatur një pjese të caktuar të bashkësisë ndërkombëtare, e cila synon me çdo kusht ta mbajë këtë status-quo dhe ta shtyjë për një kohë shumë të pacaktuar çështjen e zgjidhjes së statusit final të Kosovës”, ka thënë Hasani. Ai ka shtuar se një ide e tillë është gabim sepse statusi i Kosovës është duke u zgjidhur në mënyrë graduale dhe hap pas hapi.
Albanian City
Krijoni Kontakt