Emri:  ismail-qemali_arkiva_albert-vataj_p1080483.jpg

Shikime: 1138

Madhësia:  46.7 KB

Çdo përvjetor të kjes së Ismail Qemal Vlorës, mbarë shqiptarët kudo që janë, e kujtojnë atë me nderim, si një nga figurat më të shquara të historisë sonë kombëtare, këtë politikan e diplomat me cilësi të larta të kalibrit europian. Çdo periudhë e veprimtarisë së tij në dobi të çështjes kombëtare shqiptare ka veçoritë e aktivitetit të tij historik, që i ngre vlerat e këtij burri shteti që mbi gjithçka vuri çështjen shqiptare dhe mbrojtjen e saj, pavarësisht posteve të larta që gëzonte në Perandorinë osmane.
I formuar si një person me pikëpamje liberale dhe demokrate, me mendime dhe veprime të njeriut me kulturë të gjerë dhe njohës nga më të mirët e gjendjes së Perandorisë Osmane dhe të rrugëve që mund ta nxirrnin atë nga kriza e rëndë, bëri që peshën e veprimtarisë së tij të anojë nga çlirimi i Shqipërisë. Drejt kësaj e shpuri jo vetëm atdhetarizmi dhe frymëzimi me idetë e rilindjes, por edhe mprehtësia politike në njohjen e thellë të situatës dhe të kuptuarit mirë të rolit të shqiptarëve si popull e si komb.

Lufta e tij e papajtueshme me Portën e Lartë duke iu kundërvënë asaj me fakte, analiza e memorandume e radhiti atë, në personalitetet, më progresive të Turqisë dhe Europës dhe e vendosi në radhën e parë të rilindësve të shquar të vendit të tij. Kurorëzimi i këtij ideali ishte dhe braktisja e posteve të larta të akorduara nga sulltani, për t’iu përkushtuar çështjes kombëtare dhe popullit të tij.
Postet e tij i përdori jo vetëm për të ndihmuar lëvizjen çlirimtare të bashkatdhetarëve, por edhe për të lehtësuar sado pak gjendjen e vështirë të popujve të shtypur të perandorisë duke luftuar kundër obskurantizmit e dallimit racor dhe duke përkrahur përhapjen e kulturës e të dijeve shkencore. Kërkesat e Ismail Qemalit për zbatimin e reformave demokratike e çuan në konflikt me rrethet konservatore të Stambollit.

Krahas funksioneve dhe emërimeve të kryera në poste të tjera , emërimin e tij në Tripoli , në një post me pagë shumë të lartë Ismail Qemali nuk e pranoi. Në Stamboll ai i dha një intervistë korrespondentit të gazetës “Frankfurter Zeitung „. Në të ai theksoi se preferonte të hiqte dorë nga paga mujore prej 500 lirash turke të cilat i takonin si guvernator se sa ta vinte jetën në rrezik në Tripoli». Vetë gazeta theksonte se Ismail Qemal beu, shqiptar, i emëruar guvernator i Tripolit, e kuptoi se emërimi në Tripoli do të thoshte internim, burgim e ndoshta vdekje. Prandaj, i bindur se do të pësonte fatin e Mithat Pashës mendoi të largohej nga Stambolli dhe të arratisej jashtë Perandorisë Osmane. Kjo do t’i jepte atij një mundësi që të shprehte lirisht pikëpamjet e tij dhe t’i kushtonte kujdesin e duhur çështjes së atdheut të vet, më saktë, siç shprehet vetë Ismail Qemali,”të bënja diçka të dobishme për vendin tim lindor, për Shqipërinë».

Mendimi i tij për t’u arratisur nuk ishte i çastit, por ish pjekur prej kohësh. Kjo dukej në një letër që Abdurrahman Bederhan i dërgonte më 1899 dr. Ibrahim Temos në Paris, ku i thoshte se në Turqi mendonin të arratiseshin mjaft personalitete, ndërmjet të cilëve ishte edhe Ismail Qemali i cili vazhdonte t’i përmbahej doktrinës së tij politike.

Për të mos shkaktuar dyshime ai pranoi formalisht detyrën e ngarkuar nga sulltani. Më 28 prill 1900 ai hipi në luftanijen angleze “Salamander, prej nga i dërgoi sulltanit dorëheqjen e tij. Sulltani i kërkoi ambasadorit anglez që t’ia dorëzojë Ismailin, por ky e refuzoi. Atëherë Këshilli i Ministrave edhe vetë sulltani u detyruan ta pranonin dorëheqjen e Ismail Qemalit. Kështu më 1 maj 1900 Ismail Qemali u arratis nga Turqia së bashku me tre djemtë e tij. Më 3 maj mbërriti në Athinë. Autoritetet osmane u munduan t’i fshihnin motivet kryesore që e shtynë Ismail Qemalin të kryente këtë veprim duke paraqitur sikur arratisja ishte nxitur nga disa armiq të Perandorisë. Por shkaqet e vërteta dolën shumë shpejt në shesh. Në një telegram që ambasadori gjerman në Stamboll i dërgoi kancelarit të Rajhut në Berlin, theksohej ndër të tjera: “Ismail Qemali ka qenë gjithnjë partizan i reformave në jetën qytetare turke dhe se me një burrëri të shënuar i ka shprehur hapur bindjet e tij. Si pasojë e intrigave të pallatit dhe për arsye se ai i mbështeste gjallërisht synimet autonomiste të Shqipërisë, pozita e tij ndaj sulltanit u keqësua gjithnjë e më shumë gjersa erdhi çasti që atë e kanoste internimi”.
Gjatë gjashtë ditëve që qëndroi në Greqi, ai shpërndau proklamata, për t’i bërë të qarta në sytë e shqiptarëve qëllimet e arratisjes së tij nga Turqia. Aty ai u takua me shumë patriotë shqiptarë midis tyre edhe me Jani Vreton, me të cilët bisedoi për hallet e vendit të vet.

Në Athinë Ismail Qemali pati dhe takime me personalitete politike greke. Atë e pritën mjaft mirë, sepse njihej si një ndër pjesëtarët e opozitës qeveritare osmane, që kishte përkrahur kërkesat e popullsisë greke të Kretës në luftën për autonominë lokale të saj. Veç kësaj qarqet qeveritare greke kishin interes ta bënin për vete Ismail Qemalin edhe në kuadrin e politikës së tyre ndaj Shqipërisë. Ndërsa sulltani nuk i ndërpreu përpjekjet për ta bindur Ismail Qemalin që të kthehej në Stamboll. Arratisja e tij vazhdonte të bënte përshtypje të madhe jo vetëm në Turqi, por edhe në mbarë Evropën. Revista «La Nazione Albanese» theksonte se “shtypi evropian është marrë këta dy muajt e fundit me këtë personarlitet, në dejet e të cilit rrjedh gjak shqiptari dhe që padyshim është një nga njerëzit më të shquar të Perandorisë Osmane». «Për këtë ikje, e cila e tërboi sulltanin – theksonte revista «Albania» – lartmadhëria e tij dërgoi pa humbur kohë në Athinë një dinjitor të madh që t’i lutet Ismail beut të kthehet prapë në Stamboll. Po ky nuk ia vuri veshin, e i tha se nuk kthehet para se të bëhet gjuha shqipe, gjuha e guvernës në Shqipëri e të bëhen në vend tonë reformat e nevojshme…”.

Për lidhjet e Ismail Qemal Vlorës me patriotët shqiptarë, që punonin për çështjen shqiptare dëshmohet nga një raport që i dërgon nga Vlora konsulli austro-hungarez A. H. Petroviç ministrit të Punëve të Jashtme në Vjenë në lidhje me arratisjen e tij. Ai e quan Ismail Qemalin, si “ personalitetin më të nderuar dhe më popullor ndër shqiptarët që jetojnë sot „. Më poshtë ai shton se Ismaili «asnjëherë nuk është udhëhequr nga interesat materiale me gjithë postet e tij”, dhe se ..tek ai patriotët shohin shqiptarin më të shquar, pastaj shohin atë kreun e tyre me nder dhe udhëheqësin e tyre të ardhshëm».
Më 10 qershor 1900 Ismaili u nis nga Athina për në Itali. Gjatë qendrimit në Romë ai i dha publicistit italian Sombreros një intervistë për gazetën «Tribuna » e cila u botua më 21 qershor 1900 dhe dilte në Romë. (G.Schiro. Gli Albanesi e le questione balcanica. Napoli, 1904, f. 325)Intervista është një dokument me rëndësi për të ndriçuar pikëpamjet e Ismail Qemalit për çështjen shqiptare.
Edhe në Romë ashtu si dhe në Greqi, sulltani nuk e la pa mbikqyrur veprimtarinë e Ismail Qemal Vlorës. Në një telegram qe sulltani i dërgoi ambasadorit turk në Romë i thoshte ndër të tjera “mallkime mbi të arratisurin Ismail Qemal beun» dhe kërkonte që të ndërhynte pranë qeverisë italiane për të mos i dhënë atij strehim politik. Qëndrim armiqësor ndaj tij mbajtën dhe disa autoritete me origjinë shqiptare që ishin në shërbim të plotë të Portës së Lartë, si kryeministri Ferid pashë Vlora, i cili e akuzonte Ismail Qemalin se për shkak të “ideve të sëmura» nuk diti t’ia shpërblente qeverisë osmane të mirat që i kishte sjellë. Ndryshe nga ky qendrim, opinioni i huaj theksonte se arratisja e tij kishte ndikuar në zgjimin e popullit dhe kishte krijuar kushte të përshtatshme për përhapjen e librave shqip të ndaluar.

Pas tri javësh qendrimi në Romë, ai shkoi më pas në Gjenevë të Zvicrës, dhe prej andej u hodh në Paris ku mbërriti më 14 korrik 1900. Në Paris qendroi disa javë. Që andej ai shkoi në Londër dhe më vonë në Bruksel, ku vendosi të zhvillojë veprimtarinë e tij patriotike dhe të hyjë në rrethet diplomatike evropiane, për të shfrytëzuar me mirë situatat e krijuara në interes të Shqipërisë. Me mjaft interes është dhe thirrja drejtuar popullit të tij nga Brukseli në tetor të vitit 1900 “Të gjithë sa jemi shqiptarë të mëdhenj e të vegjël, të pasur e të varfër, pleq e të rinj duhet të bashkohemi dhe ta çojmë vendin përpara në rrugën e qytetërimit duke i treguar Evropës se shqiptari ka mbetur gjithmonë europian në gjak dhe se nuk dëshiron gjë tjetër veçse të forcojë kombësinë e tij dhe të qytetërohet”. ( « Albania e vogël » Bruksel, nr.19, 15 tetor 1900) Qëndrimet dhe shpalosja e ideve të tij për cështjen kombëtare u pritën mjaft mirë nga patriotët shqiptarë dhe nga arbëreshët e Italisë.”Neve themi me ndërgjegje të plotë – shkuante A. Lorekio në një artikull të tij – se Ismail Qemal beu nuk duhet të ngatërrohet me agjitatorët e rëndomtë, të cilët vetëm për vetëm marrin përsipër të ngrejnë popujt dhe të përmbysin mbretëri e perandori por që sorollaten nëpër kryeqytetet e Evropës, për të fituar namin që nuk kanë mundësi ta fitojnë. Si shqiptar ai e ruan të paprekur dashurinë për atdheun tonë fatkeq, ashtu siç do ta mbajë çdo shqiptar i ndershëm».

Gjatë udhëtimeve që Ismaili ndërmori nëpër Evropë, lidhjet që vendosi me patriotë shqiptarë, elementë përparimtarë, njohja nga afër e ngjarjeve që zhvilloheshin në Shqipëri, si dhe vendosja e kontakteve me elementët e rinj të lëvizjes së re borgjeze xhonturke që po lindte e lidhën atë më shumë me Shqipërinë dhe Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, për të vijuar më tej luftën e tij politike, diplomatike në arritjen e qëllimit final të kurorëzimit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare e të ngritjes së Shtetit të Parë kombëtar .

* Albanian University. Titulli origjinal i shkrimit është: Arratisja e Ismail Qemal Vlorës nga Perandoria Osmane në vitin 1900 dhe përkushtimi i tij ndaj çështjes kombëtare shqiptare

Gazeta Shqiptare