Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 6
  1. #1
    V per Vendeta Maska e ORIONI
    Anëtarësuar
    10-12-2003
    Vendndodhja
    Shkup-Prishtine-Ulqin-Tirane-Cameri
    Postime
    919

    Si e helmuan në Peruxha të Italisë Ismail Qemalin.

    Si e helmuan në Peruxha të Italisë Ismail Qemalin.


    Ka qenë ora 10:20 minuta e datës 24 Janar të 1919, kur Ismail Qemali donte vetëm tre ditë të mbushte plot 75 vjeç, doli para gazetarëve në një konferencë për shtyp të organizuar në një sallon hoteli në Peruxha. Hyrja e tij në sallën e mbushur me mbi 100 gazetarë dhe fotoreporterë i befasoi të gjithë të pranishmit që kishin mbi dy orë që prisnin diplomatin e njohur të Shqipërisë.

    Ndërsa ecte për t’u ulur në tavolinën në krye të sallës, në fytyrë i fashitet një çehre e verdhë që sa vinte e i shtohej. Nuk kaluan shumë minuta dhe disa të dridhura i mbërthyen trupin. Askush nuk po pipëtinte, vetëm plaku mjekërbardhë, që megjithë gjendjen që po kalonte, gjeti forca për të folur. Nga goja i dolën vetëm pak fjalë dhe dukej qartë që ai po mundohej t’i lidhte me njëra-tjetrën. Në atë çast kërkoi ndihmë nga i biri Qamili, të cilin e mbante pranë vetes si sekretar. I kërkon që të shkojë në tualet. I biri, duke e kapur për krahu, u kërkoi të falur gazetarëve të pranishëm dhe mori hapat drejt derës së tualetit. Aty mësohet se sa vuri këmbën për t’u drejtuar te lavamani filloi të shkumëzonte dhe të dridhej më shumë. Ajo gjendje nuk zgjati shumë. Në pak çaste zemra e tij pushoi së rrahuri. I biri del para gazetarëve ku u komunikon lajmin se i ati, të cilin para pak çastesh e kishin në tavolinën përballë, tashmë nuk jetonte më. Ajo situatë ishte e rëndë për të gjithë. Aty dhimbja njerëzore i kaloi kufijtë.

    Situatat që Ismail Qemali kishte kaluar ato ditë në Peruxha të Italisë i kishin shkaktuar një gjendje të rëndë mendore dhe fizike. Edhe pse në atë gjendje, ai nuk kishte ngurruar të dilte para shtypit. Ai donte të denonconte krerët e diplomacisë italiane, në atë kohë kur në Paris diskutohej fati i Shqipërisë dhe ata kishin mundur ta hanin në besë. Megjithatë, për çudinë e tij, ajo konferencë ishte organizuar nga të tjerët. Nuk u mësua asnjëherë se kush i kishte thirrur gazetarët. Plakut 75-vjeçar i kishin thënë se media kishte interes të dëgjonte nga ai se përse në ato momente nuk ndodhej në Konferencën e Paqes në Paris. E këshilluan që të hante mirë pasi në atë konferencë shtypi do t’i duhej të fliste gjatë. Pikërisht pas ushqimit nuk vonoi shumë, ai doli në sallën e takimit dhe në atë moment jeta e tij filloi të shuhej. Këto janë momentet e fundit të jetës së njeriut që është njohur historikisht si kryeministri i parë i shtetit shqiptar. Ndërkohë që opinioni është njohur me shumë hollësi të jetës diplomatike të plakut të mençur, mund të jenë shumë pak ata që i njohin momentet kur ai ka mbyllur sytë. Pikërisht për ato çaste redaksia e gazetës “Panorama”, duke hulumtuar në shumë dokumente dhe dorëshkrime të dosjes së Ismail Qemalit në A.Q.SH. dhe duke u mbështetur në dëshmitë gojore të njohësve kopetentë, ka arritur të zbardhë historinë kur plaku diplomat mbylli sytë. Një dëshmi të plotë për gazetën ka qenë edhe ajo ish-komandantit të Aviacionit Shqiptar Edip Ohrit dhe e ish-komandantit të Nëndetëseve të Pashalimanit, Dashamir Ohrit, i cili është edhe vëllai i Edipit. Këta dy vëllezër djalin e Ismail Qemalit, Qazimin, e kanë pasur njerkun e tyre.

    Ismail Qemali pritet ne bese nga kryeministri italian
    “Më hëngrën në besë!” bërtiti Ismail Qemali sapo zbriti në Peruxha të Italisë. Ai ishte nisur për një vizitë urgjente në Romë, me ftesë të autoriteteve më të larta të vendit, nga kryeministri dhe ministri i Jashtëm. Kjo kishte ndodhur pas një kërkese këmbëngulëse të tij, nëpërmjet një telegrami të nisur për këtë qëllim. Synimi i diplomatit shqiptar ishte që të ndihmohej nga përfaqësuesit e Italisë, të cilët do të ndërhynin pranë autoriteteve më të larta të Konferencës së Paqes që mbahej në Paris, për të mundësuar që delegacioni shqiptar të shtohej edhe me tre përfaqësues të tjerë. Ndërsa Ismail Qemali kishte marrë përgjigje se kryeministri italian i asaj kohe, Orlando dhe ministri i Jashtëm, Sonino e prisnin në Romë, ai pa humbur kohë u nis për të realizuar takimin e kërkuar nga i cili shpresonte të dilte me rezultate pozitive në favor të Shqipërisë. Por befasisht dhe çuditërisht diplomati 75-vjeçar nga Shqipëria u përball sapo zbriti në Peruxha me përgjigje negative; kryeministri dhe ministri i Jashtëm kishin shkuar në Konferencën e Parisit për të cilin interesohej edhe Ismail Qemali. Kjo do të thoshte që ai jo vetëm se nuk do të ndihmohej edhe me tre delegatë të tjerë, por madje as ai vetë nuk do të merrte pjesë në të. Diplomati shqiptar u bind menjëherë se bëhej fjalë për një dredhi të pastër politike pikërisht nga ata që ai i kishte konsideruar miq të vendit të tij, por që tashmë kishin marrë nismën për ta izoluar. Tronditja që pësoi pas marrjes së lajmit të papritur, se ishte mashtruar që ishte thirrur në Itali, ishte e papërballueshme për moshën e tij 75-vjeçare, prandaj edhe klithma e tij “Më hëngrën në besë!” doli shpërthyeshëm me dhimbje.

    Si nisi historia tragjike

    Ishte janari i vitit 1919. Atë muaj në Paris do të zhvillonte punimet Konferenca e Paqes, e cila fatkeqësisht do të hynte fuqishëm dhe dhimbshëm në historinë e mëvonshme të Shqipërisë. Aty do të vendosej edhe fati i saj.
    “Sot është dita vendimtare për Shqipërinë”, shkruante Ismail Qemali në fillim të atij muaji. “Do të ngjallemi ose do të vdesim”. Nën zjarrminë e një patriotizmi të jashtëzakonshëm që i kishte mbërthyer qenien, kishte kohë që luftonte me të gjitha mundësitë dhe format për të ndikuar mbi konkluzionet e konferencës për të cilat ai ishte i interesuar që të ishin sa më afër interesave të bashkëkombasve dhe atdheut të tij. Për të arritur këtë qëllim ai zgjodhi partnerin kryesor diplomatik, Italinë, e cila duhej të mundësonte që me delegacionin shqiptar në konferencë të shkonin së paku edhe tre apo gjashtë delegatë më shumë. Këta delegatë do të ishin nga trojet shqiptare të cilët do të bashkoheshin me ata që vinin nga Amerika. “Sikur të kisha të holla,- vazhdon më tej në ditarin e tij të atyre ditëve Ismail Qemali, - do të isha hedhur deri në Amerikë për një marrëveshje të plotë me gjithë atdhetarët e atjeshëm. Por në marrëveshje me qeverinë italiane e quaj të nevojshme të shkoj në Romë. Prej andej mund të bëj një marrëveshje me gjithë shqiptarët e Shqipërisë për të vendosur një aksion kombëtar në një moment kaq kritik e të rrezikshëm, që të mund të përpilojmë programin përfundimtar. Nga Italia kërkoj të nxis nisjen nga Shqipëria veriore, qendrore dhe jugore të tre ose gjashtë delegatëve, në mënyrë që së bashku me delegatët që vijnë nga Amerika të shkojmë në Paris të gjithë së bashku për t’i propozuar konferencës kërkesat dhe të drejtat e Shqiptarëve”.

    Për synimet që i kishte vënë vetes, diplomati shqiptar filloi menjëherë për të zbatuar në mënyrë konkrete të gjithë programin e paramenduar. Detyra e parë dhe më emergjente ishte takimi i menjëhershëm i tij me diplomacinë e Romës. Data 19 Janar 1919. Kryeministri italian Orlando për pak ditë do të nisej drejt Parisit për të marrë pjesë në Konferencën e Paqes. Ismail Qemali i dërgon një telegram urgjent, të shkruar në gjuhën frënge. Një kopje të asaj letre ia dërgoi edhe ministrit Sonino. Ja çfarë shkruhej në të:

    “Shkëlqesisë së tij Orlando, Kryetar i Këshillit të Ministrave Romë.
    Përveç ndjenjave të mia të admirimit personal me cilësinë e përfaqësuesit të idealeve shqiptare, realizimit të të cilave u kam kushtuar gjithë jetën time, ndjej detyrën t’i besoj shpresat e mia për lirinë e vendit tim në mbështetjen dhe në mbrojtjen e lartë të Italisë…… I lutem shkëlqesisë Tuaj t’i marrë në konsideratë serioze këto lutjet e mia duke më transmetuar telegrafisht urdhrat dhe udhëzimet tuaja”. Ajo promemorje e shkruar me aq urgjencë nga Ismail Qemali ka arritur në Romë pikërisht mbrëmjen e 18 janarit, ku nga dokumentet e sotme arkivore vërtetohet se është regjistruar më 19 janar. Pas kësaj korrespodence, Ismail Qemali ftohet nga ministri i Jashtëm në Romë, për të marrë pjesë në takimin e kërkuar nga vetë ai, ku do t’i ndodhte edhe tragjedia më e madhe; do t’i merrej jeta.

    Sa zbriti në Peruxha të Italisë, Ismail Qemali njoftohet se autoritetet italiane që e kishin ftuar ishin nisur për në Paris, duke mos e pritur atë sipas njoftimit që i kishin bërë. Ata kishin lënë njoftim që Ismail Qemali të priste deri sa ata të ktheheshin nga Konferenca e madhe e Paqes. Në këtë moment, ai kuptoi se flitej për një izolim të qëllimshëm që i qe bërë. Kjo mësohet nga rrëfimet e djemve të tij. Sapo mësoi lajmin për pabesinë, menjëherë i erdhi një goditje apopletike gjë që për moshën e tij ishte shumë e rëndë. Kanë qenë pikërisht ato momente që provokuan klithmën e tij të egërsuar dhe të papërmbajtur “Më hëngrën në besë!”. Situata në të cilën ishte vendosur Ismail Qemali bëri që ai jo vetëm të mos realizonte planin që t’i shtonte delegacionit shqiptar edhe tre apo gjashtë delegatë, por në një kohë që në Paris do të hidhej për diskutim edhe çështja e Shqipërisë, ai të mos merrte pjesë as vetë. Ky fakt për të do të thoshte vdekje e parapërgatitur. Gjithsesi, në kushtet që i ishin krijuar, ai u detyrua të vendosej në hotelin që i kishin rezervuar.

    Pavarësisht se diplomati shqiptar nuk mundi të shkonte në Paris, loja e parapërgatitur mbi të do të ndiqej deri në fund. Në një nga ato ditë, kur gjithë qenien e tij e kishte pushtuar tensioni dhe ankthi, më 24 janar, pikërisht 3 ditë para datës 27 kur ai mbushte plot 75 vjeç, në Paris vazhdonte me intensitet punimet Konferenca e madhe Ndërkombëtare me pjesëmarrjen e shumë shteteve, kur shtetet e mëdha vendosnin fatet e shteteve të vogla, Isamil Qemalit iu provokua një konferencë shtypi. Ajo iu servir si dëshirë e gazetarëve për të dëgjuar prononcimet e tij. Ajo konferencë, pavarësisht se nuk ishte kërkuar nga vetë ai, dukej se ishte edhe në dëshirën e tij, sepse ishte momenti që më shumë se kurrë ai donte të denonconte mashtruesit dhe izoluesit e tij.

    Pak kohë para se të fillonte konferenca e shtypit, Ismail Qemalit iu servir fillimisht buka, me pretekstin se duhet të hante para konferencës. Pasi hëngri, ai hyri në sallën e rekomanduar, ku e prisnin dhjetëra gazetarë e fotoreporterë të ndryshëm. Sipas rrëfimeve që djali i Ismail Qemalit, Ethemi, i ka bërë më vonë kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Ali Asllanit, mësohet se sapo hyri në sallë Qemalit i kaloi një çehre e verdhë në fytyrë. Nuk vonoi shumë, ai u ul në tavolinë dhe befasisht në trup i kaloi një valë rrëqethjeje. Ndërsa nisi të belbëzojë me vështirësi, filloi të dridhej dhe ndërkohë u konstatua se nuk mundte t’i lidhte dot fjalët. Pas kësaj situate, ai arriti të kërkonte ta shoqëronin për në banjë. Kur arriti aty, e mbyti shkuma që nxirrte nga goja dhe të vjellët. Në pak çaste pulsi i tij pushoi së rrahuri. Në këto momente gazetarëve të mbledhur për konferencën e shtypit në atë sallë iu komunikua fakti që Ismail Qemali, i cili pak çaste më parë kishte qenë para tyre, nuk jetonte më.

    Peripeci të tjera ishin planifikuar për trupin e pajetë të diplomatit të jashtëzakonshëm të Shqipërisë, Ismail Qemali. Pas vdekjes së tij, çuditërisht në mbarë kancelaritë diplomatike të botës pati një sensibilizim të veçantë. Për vetë jehonën e madhe që pati vdekja e tij, pala italiane me justifikimin që ai kishte vdekur në vendin e tyre, donte t’i bënte “nderimet” që meritonte një diplomat i atij rangu. Ata vendosën që trupin e tij ta balsamosnin. Ajo kërkesë dhe ai interesim i palës italiane bëri që trupi pa jetë i Ismail Qemalit të qëndronte plot dy javë në Peruxha, ku ai kishte mbyllur sytë.

    Me gjithë përpjekjet e palës italiane dhe shumë peripeci të tjera që dolën pas vdekjes së Ismail Qemalit, djemtë e tij nuk reshtën së u përpjekuri që babanë e tyre ta sillnin në Vlorë, e cila e priste me padurim për ta varrosur në lartësinë madhështore të Kaninës. Vdekja e tij në atë kohë kishte tronditur mbarë kombin dhe grupe të shumta shqiptarësh, të ardhur nga të gjitha trevat, po përqendroheshin në Vlorë për t’i bërë nderimet e merituara diplomatit të famshëm. Së fundmi gjithçka u bë realitet. Ishte pikërisht data 12 shkurt i vitit 1919, kur trupi pa jetë i Ismail Qemalit, i shoqëruar nga tre djemtë e tij, Ethemi, Qazimi dhe Qamili, si dhe nga përfaqësuesit e Ministrisë së Jashtme italiane mbërriti në portin e vogël të Vlorës. Ai ishte transportuar fillimisht me tren dhe së fundmi me anijen e posaçme italiane. Sipas bashkëkohësve të atyre momenteve, siç ishin vetë djali i Ismail Qemalit, Qazimi apo edhe mikut të tij, Safet bej Vlorës bëhet e ditur se hyrja e arkivolit në Vlorë ka qenë tepër emocionuese. Të qarat e njerëzve dhe shkrepjet e armëve shkaktuan një gjendje emocionale të papërshkrueshme. Gjithë rrugët, kodrat dhe çdo gjë nxinte nga pjesëmarrja e jashtëzakonshme në atë varrim, i cili, ashtu siç ishte menduar në atë kohë u bë pikërisht në lartësitë dominante të Kaninës.
    Konkretisht për ato momente, në shënimet e Safet bej Vlorës, të gjendura në dosjen e posaçme të Ismail Qemalit në Arkivin Qendror të Shtetit shkruhet:

    “Nëse e matim madhështinë e një personazhi politik me dashurinë e popullit të thjeshtë, duhet të pohojmë se asnjë nuk i afrohet Ismail Qemal Vlorës. Gjatë ceremonisë së varrimit të tij, asnjë fshatar dhe asnjë qytetar nuk mbeti në shtëpi. Të gjitha faqet e maleve dhe të brigjeve gjatë rrugës së kortezhit funeral ishin plot me njerëz. Qe një apotezë madhështore e mbarë popullit, pa përjashtim, ndaj një tribuni që i shërbeu vendit të tij deri në frymën e fundit”.

  2. #2
    SHQIPËRIA është GJAKU im Maska e fano
    Anëtarësuar
    11-05-2009
    Vendndodhja
    Shkup
    Postime
    193

    Post Vdekja dhe varrimet e Ismail Qemalit

    Vdekja dhe varrimet e Ismail Qemalit


    Kur mbaroi Lufta e Parë Botërore, më 11 nëntor 1918, Ismail Qemali ndodhej jashtë Shqipërisë. Ai ishte larguar nga Atdheu fill pasi më 22 janar 1913 dha dorëheqjen si kryetar i qeverisë së përkohshme shqiptare të krijuar nga Kuvendi Kombëtar i Vlorës më 28 Nëntor 1912. Ai qëndroi në mërgim edhe gjatë viteve të Luftës së Parë Botërore, për arsye se Shqipëria qe pushtuar prej fuqive ndërluftuese.

    Shkruan: Fatjon BALLIU

    Në mërgim ai qëndroi në vendet perëndimore. Gjatë luftës mbajti anën e Antantës. Megjithatë, në mbarim të luftës, ai u zemërua nga fuqitë e Antantës. Kjo, për arsye se më 1918-n, pa mbaruar ende lufta, u mor vesh se anëtaret e saj - Anglia, Franca, Rusia dhe Italia - kishin nënshkruar më 26 prill 1915 Traktatin e fshehtë të Londrës. Dihet se me këtë traktat ato merrnin përsipër se po ta fitonin luftën do ta copëtonin Shqipërinë duke e kënaqur Serbinë dhe Malin e Zi me një pjesë të viseve veriore, Greqinë me një pjesë të viseve jugore dhe juglindore, Italinë me qytetin e Vlorës së bashku me rrethinën e saj. Me pjesën që do të mbetej në Shqipërinë Qendrore do të formohej një principatë e vogël myslimane nën protektoratin e Italisë. Vetëkuptohet se me zbatimin e këtij traktati, vepra kryesore e Ismail Qemalit, Shqipëria e Pavarur, fshihej nga historia. Ismail Qemali
    Nga fuqitë që fituan luftën, vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e kishin nënshkruar Traktatin e Londrës, pra nuk ishin të detyruara për zbatimin e tij. Veç kësaj, nga nënshkruesit e traktatit Rusia, tani pas fitores së Revolucionit të Tetorit, kishte hequr dorë nga Traktati i Londrës. Kështu, çështja shqiptare tani varej kryesisht nga vullneti i Anglisë, Francës, Italisë, sidomos nga kjo e fundit, e cila përfitonte prej tij.
    Në kohën kur Traktati i Londrës mbahej ende i fshehtë, Roma, me oreksin e saj për ta gllabëruar krejt Shqipërinë, kishte shpallur në Gjirokastër më 3 qershor 1917 një proklamatë me të cilën deklaronte se ajo do ta ruante pavarësinë dhe tërësinë tokësore të Shqipërisë, por nën protektoratin e Italisë. Me këtë projekt, Roma shpresonte të gjente mbështetjen e shqiptarëve, të cilët, sipas saj, përballë copëtimit të thellë të Atdheut, copëtim i barabartë me zhdukjen, do të mbështetnin protektoratin e Italisë.
    Sapo në verën e vitit 1918 ranë në dijeni të Traktatit të fshehtë të Londrës, qarqet patriotike shqiptare u vunë në lëvizje. Në atë kohë, Ismail Qemali ndodhej në Spanjë. Aty kishte zënë miqësi të ngushtë me ambasadorin e ShBA-së. Në themel të miqësisë ishte simpatia që po tregonte ambasadori amerikan në Madrid për çështjen shqiptare. Meqenëse qarqet politike shqiptare, brenda dhe jashtë Shqipërisë po përgatiteshin të dërgonin delegacione në Paris, ku do të mblidhej Konferenca e Paqes edhe Ismail Qemali u vu në lëvizje. Për të siguruar një mandat përfaqësimi, Ismail Qemali u lidh me shoqërinë patriotike "Partia politike" e emigrantëve shqiptarë, e cila vepronte në ShBA, me qendër në Worcester, Massachussets dhe kishte për kryetar Kristo Dakon. Ajo nxirrte organin periodik "Koha", me drejtor Mihal Gramenon. "Partia politike" kishte ngritur një organizëm të veçantë me emrin "Komiteti për shpëtimin e Shqipërisë". Komiteti kryesohej nga Sevasti Qiriaz Dako, themeluesja e Shkollës Shqipe të vashave në Korçë, më 1892. Ajo ishte një intelektuale e rrallë nga radhët e gruas shqiptare, publiciste dhe aktiviste e palodhur e çështjes kombëtare. Gjatë luftës ajo drejtonte revistën patriotike kulturore "Ylli i mëngjesit".
    Sapo u nënshkrua, më 11 nëntor 1918, armëpushimi, Ismail Qemali u nis për në Paris, ku do të mblidhej së afërmi Konferenca e Paqes. Por, qeveria franceze, e cila në atë kohë përkrahte qeverinë fantazmë të Esat Pashë Toptanit, përveçse e pengoi Ismail Qemalin të zhvillonte korrespondencë me "Partinë politike" në Amerikë, e detyroi atë të largohej nga Franca. Për më tepër, edhe ambasadori i ShBA-së në Paris nuk pranoi që korrespondencën midis tij dhe Sevasti Dakos në ShBA ta kalonte nëpërmjet postës së ambasadës amerikane. Atëherë, Ismail Qemali vrapoi në Madrid. Atje, korrespondenca midis Ismail Qemalit dhe Sevasti Dakos u zhvillua nëpërmjet mikut të tij, ambasadorit të ShBA-së. Midis akteve që Plaku i Vlorës i drejtoi zonjës Dako është dhe programi që Ismail Qemali do të mbronte në Konferencën e Paqes, në favor të çështjes shqiptare. Thelbi i saj parashihte pavarësinë e plotë të Shqipërisë. Synimi për pavarësinë e plotë të Shqipërisë binte në kundërshtim të plotë me programin që kishte përpunuar qeveria italiane, e cila sikurse u tha, përmbajtjen e Traktatit të Londrës përpiqej ta zëvendësonte me formulën e shpallur në Gjirokastër më 3 qershor 1917. Madje, qeveria e Romës kishte siguruar përkrahjen në favor të platformës së shpallur në Gjirokastër, të disa personaliteteve shqiptare, si Mehmet Konica, Myfit Libohova, Medi Frashëri, Feizi Alizoti, Mustafa Kruja e të tjerë. Madje, ata po përgatiteshin të krijonin një organ politik në Shqipëri, i cili të miratonte platformën e Romës - Shqipëri autonome nën mandatin italian, pa Vlorën dhe krahinën e saj.
    Ismail Qemali ishte kategorikisht kundër synimeve italiane, të cilat binin në kundërshtim me veprën që ai kishte shpallur vetë më 28 Nëntor 1912, pavarësinë e plotë të Shqipërisë. Me pëlqimin e "Partisë politike", Ismail Qemali vendosi të ndërmerrte një udhëtim për në Romë. Qëllimin e udhëtimit na e thotë shkoqur drejtori i gazetës "Koha", Mihal Grameno, i cili shkruante më 12 dhjetor 1918: udhëtimi i Ismail Qemalit në Romë na gëzon shumë, pasi atje ai do të ketë mundësi t‘i parashtrojë qeverisë italiane dëshirat e kombit shqiptar dhe ta largojë synimin e Romës për një protektorat italian mbi Shqipërinë dhe ta bindë që Italia të përkrahë të drejtat e shqiptarëve duke e siguruar atë se kombi shqiptar do t‘i jetë asaj mirënjohës përjetë. Sikurse del nga përmbajtja e artikullit, luftëtari rilindës Mihal Grameno kishte besim vetëm tek Ismail Qemali, tek aftësitë e tij diplomatike, mbasi nga të tjerët, theksonte ai, deri atëherë kishin dëgjuar vetëm gjepura (Artikulli "Ç‘thotë Plaku i Shqipërisë", në "Koha", Boston, Mass., 12 dhjetor 1918).
    Në Romë, Ismail Qemali nuk arriti kurrë. Kur hyri në Itali, Roma e njoftoi të qëndronte në qytetin Peruxha e të priste atje përgjigjen e kërkesës së tij. Ai bujti në hotelin "Brufani".
    Ndërsa priste përgjigjen nga Roma, kundërshtarët e platformës së Ismail Qemalit, pra përkrahësit shqiptarë të platformës së Romës, e kritikuan ashpër misionin e tij. Me këtë rast, Mihal Grameno njoftonte, më 15 janar 1919, se Ismail Qemali në një letër që u kishte drejtuar krerëve të "Partisë politike", u thoshte ndër të tjera: "Lërini të tjerët me ëndrrat e tyre që të punojnë ashtu siç u pëlqen, për mbrojtjen e Shqipërisë dhe patriotët e vërtetë duhet sot që të mos humbasin asnjë sekondë për shpëtimin e së dashurës Shqipëri se koha është shumë kritike" ("Koha", Boston, Mass., 15 janar 1919).
    Qartësia diplomatike e Ismail Qemalit detyroi krerët e federatës "Vatra" të hiqnin dorë nga kritikat e ashpra që kishin zhvilluar deri atëherë kundër Plakut të Vlorës dhe të pranonin se vetëm ai po ua "rrokulliste planet e bukura" miqve të Italisë.

    Sidney Sonnino Vittorio Emauele Orlando

    Nga Peruxha, Ismail Qemali i nisi një letër më 15 janar 1919 Kryeministrit italian V. E. Orlando, të cilin ndërsa e njoftonte se priste me padurim takimin me të, e lajmëronte se kishte përgatitur një parashtresë ose një punim, sikurse e quan ai, për ta paraqitur në Konferencën e Paqes në Paris, në emër të shoqërisë shqiptare të Amerikës. Parashtresën ia dorëzoi prefektit të Peruxhës për t‘ia përcjellë Romës. Sipas njoftimit që na jep Renzo Fallaschi, bashkëshorti i Nermin Vlora Fallaschi-t, kjo një stërmbesë nga vija amësore e Ismail Qemalit, letra arriti në Romë pas tri ditësh, mbrëmjen e 18 janarit dhe në kancelarinë e Kryeministrit mbërritja e saj u regjistrua të nesërmen, më 19 janar. Pikërisht atë ditë Kryeministri italian Orlando u nis së bashku me ministrin e Jashtëm, S. Sonnino, për në Paris për të marrë pjesë në Konferencën e Paqes.
    Njëri nga djemtë e Ismail Qemalit ka deklaruar në ato ditë se qëndrimi i Romës e dëshpëroi shumë babanë e tyre. Për të mos e lënë në harresë misionin e tij, Ismail Qemali ftoi më 23 janar 1919 në hotelin "Brufani" ku kishte bujtur, korrespondentët e disa gazetave italiane që ndodheshin në Peruxha. Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi dhe dy djemtë e Ismailit.
    Sipas të birit, Et‘hemit, kur Ismail Qemali, pasi kishte ngrënë drekë doli para gazetarëve që po e prisnin, sapo filloi të fliste u zverdh dhe filloi të dridhej e të belbëzonte. Ali Asllani, kryetari i Bashkisë së Vlorës, tregon se Ethemi i kishte thënë që Ismail Qemali "kërkoi ta shoqëronin në banjë. Atje e mbyti shkuma e të vjellët". Pas tri ditë sëmundjeje ai vdiq më 26 janar 1919.
    Vdekjen e tij e njoftoi, ndër të tjera, me një komunikatë të veçantë gazeta italiane "L‘Unione Liberale", organ i Partisë Liberale të Italisë, e qendrës së djathtë, me këto fjalë:
    "Dje në mbrëmje, më 26 janar, në orën 23.30 pushoi së jetuari në hotel ‘Brufani‘ mysafiri i shquar i qytetit, Ismail Qemal Bej Vlora.
    Ai përfaqësonte denjësisht një familje të madhe dhe të lashtë nga Vlora. Meqenëse ishte patriot i flaktë, mik i Italisë sonë, i frymëzuar nga parimet e lirisë dhe drejtësisë, shihej me sy të keq nga qeveria turke, e cila e kishte dënuar dhe detyruar të kërkonte shpëtim në mërgim.
    Ishte 75 vjeç, ruante mendimin e kthjellët dhe fuqinë trupore, i palodhur në punë, sikur të ishte i ri dhe i përzemërt me të gjithë.
    Hemorragjia cerebrale e goditi më 23 janar dhe si pasojë paralizimi. Për të përballuar sëmundjen nuk patën dobi as mjekimi më i kujdesshëm i mjekut që e kuroi, doktor Leone Pernossi dhe të konsulentëve, prof. Silvestrini dhe prof. Righetti dhe as prania e dhembshur e djemve, të cilëve po u dërgojmë me zemër të pikëlluar ngushëllimet tona".
    Lajmërimi i gazetës "L‘Unione Liberale".
    Kjo radhë ngjarjesh - ndalesa me urdhër qeveritar në Peruxha, refuzimi i takimit me të me ministrin e Jashtëm italian, veshin e shurdhër që bëri Kryeministri i Italisë Orlando, i cili nuk iu përgjigj po ose jo kërkesës së Ismail Qemalit, udhëtimi i tyre për në Paris pa e njoftuar diplomatin shqiptar, më në fund vdekja e tij e papritur, kur nuk ishte ankuar asnjëherë më parë për shqetësime shëndetësore - dhanë rast për të lindur dyshime se për t‘ia mbyllur gojën Plakut të Vlorës, e kishin helmuar. Këtë tezë, e cila më parë qarkullonte në heshtje, e shpalli publikisht Skënder Luarasi në biografinë që ai botoi për Ismail Qemalin në vitin 1962. Skënder Luarasi shkruan tekstualisht se kur I. Qemali mori vesh se edhe Kryeministri italian u largua për në Paris pa iu përgjigjur fare kërkesës së tij, u revoltua jashtë mase. "Më prenë në besë", paskësh thënë plaku i prekur thellë në sedrën e vet. Sipas Ismail Qemalit, urdhri për të pritur në Peruxha përgjigjen ishte një mashtrim. Megjithatë, vazhdon S. Luarasi, shkaku i vërtetë i vdekjes duhet të ketë qenë një dozë helmi e dhënë nga një dorë e fshehtë para konferencës së shtypit.
    Tezën e helmimit të Ismail Qemalit nga organet e sigurimit italian e ka kundërshtuar diplomati italian Renzo Fallaschi, sikurse u tha, bashkëshorti i Nermin Vlora Fallaschi-t. Në jetëshkrimin që ai ka hartuar për Ismail Qemalin, si shtojcë në vëllimin e kujtimeve që ka diktuar vetë Plaku i Vlorës, ai pranon se shkaku i vdekjes së Ismail Qemalit ishte një hemorragji cerebrale e shkaktuar nga një vrull i furishëm zemërimi, i krijuar tek ai nga njohja e papritur e një lajmi, që ai kishte qenë viktimë e një mashtrimi të rëndë. Mbetet të zbulohet - vazhdon ai - se cili ishte shkaku i emocionit që e shpërtheu zemërimin e tij e që sigurisht lidhet me thirrjen përbuzëse për "njerëzit e pabesë". Por - vazhdon R. Fallaschi - rrethanat e përjashtojnë që Ismail Qemali t‘i drejtohej për pabesi Orlandos. Sipas tij, mungesa e përgjigjes nga Orlandoja nuk mund të ishte arsyeja e zemërimit të Plakut të Vlorës, mbasi dihej se Kryeministri italian do të shkonte në Paris, pra nuk kishte kohë të takohej me të. Ai shton se edhe ministri i Jashtëm italian, Sonnino, nuk kishte mundësi t‘i përgjigjej, pasi edhe ai u nis për në Paris për përgatitjen e Konferencës së Paqes. Si rrjedhim - përfundon ai - shkaku i zemërimit të thellë duhej kërkuar gjetkë. Me këtë rast, ai supozon se revoltimi mund të jetë shkaktuar, ngase Ismail Qemali mund të ketë zbuluar këtë pabesi të re nga po ata kundërshtarë të vjetër. Renzo Fallaschi shkruan tekstualisht: Ismail Qemali mund të ketë zbuluar një pabesi të re nga kundërshtarët e tij të vjetër, gjë që zemra e tij fisnike të mos e ketë përballuar dot.

    Raporti i vdekjes së Ismail Qemalit
    Për kundërshtarët e vjetër të Plakut të Vlorës, ndoshta R. Fallaschi e ka fjalën për personalitetet shqiptare, të cilat shkaktuan më 1913-n dorëheqjen e Ismail Qemalit si kryetar i qeverisë së parë të Shqipërisë dhe që tani ishin miq të Italisë.
    Që atëherë kanë kaluar 90 vjet. Përveç S. Luarasit dhe R. Fallaschi-t, me shkaqet e vdekjes së tij nuk është marrë më njeri. Ne, sigurisht, nuk jemi në gjendje të merremi me të. Për ne, më tepër se dyshimet e të parit dhe hamendjet e të dytit, hëpërhë mbetet për t‘u marrë në konsideratë raporti mjekësor i hartuar nga profesorët e spitalit të Peruxhas, në të cilin mbi vdekjen e Ismail Qemalit flitet thjesht për hemorragji cerebrale.

    Mbi varrimin e parë

    Ismail Qemali vdiq në një kohë kur në Shqipëri, për shkak të okupacioneve të huaja, nuk ekzistonte shtypi i lirë shqiptar. Nuk ka dyshim se vdekja e tij shkaktoi një dhimbje të përgjithshme në mbarë bashkatdhetarët. Këtë e dëshmojnë pak organe shtypi që botoheshin atë vit, ndonjëra në Shqipëri e të tjerat jashtë.
    Nikolla Ivanaj në gazetën "Koha e Re", që nxirrte në Shkodër, kur qyteti ndodhej nën pushtimin ushtarak frëng, shkruante pesë ditë pas vdekjes së Ismail Qemalit, më 31 janar 1919: "Na mbërriti lajmi i zi si korbi, i ftohtë si akulli e i mprehtë si shpata e mejdanit: Vdiq Ismail Qemali i Vlorës." Më tej: "Historia e Shqipërisë së re, në kohën e vet do të flasë më gjerë e gjatë për këtë burrë të shkëlqyeshëm të atdheut tonë." N. Ivanaj e mbyllte fjalën e tij: "Ne, sot i lutemi shpirtit të tij që të na ndihmojë në këtë kohë të vështirë e kritike, ku na lypej ende trupi e mendja e tij, më tepër se kurrë deri sot."
    Gazeta "Kuvendi", organ që dilte një herë në javë në Romë, nën drejtimin e Sotir Gjikës, në shqip e italisht, njoftonte më 8 shkurt 1919, vdekjen e Ismail Qemalit, me këto fjalë:
    "Më 26 të janarit 1919, në hotel Brufani të qytetit Perugia (Itali), vdiq në duart e të bijve, Etem e Qazim, Ismail Qemal Bej Vlora, ish-kryetar i Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë e tani përfaqësues në Europë i ‘Partisë Politike‘".
    Shumësia e lëndës nuk na jep leje sot të merremi gjatë me biografinë e burrit të shtetit shqiptar. Padyshim, Ismail Qemali do të zërë një faqe të gjerë në historinë e Përlindjes shqiptare, se veçanërisht i shquar është roli që luajti ky burrë me mendje të madhe i farës sonë.
    Ai pati fatin të ngrejë në Vlorë më 28 Nëntor 1912 flamurin e mëvetësisë shqiptare, ngjarje që e bëri të mbetet fytyrë historike, meritë të cilën nuk do t‘ia hedhin dot poshtë as kundërshtarët e tij më të rreptë.
    Kuvendi merr pjesë në këtë zi kombëtare e i dërgon së fort të helmuarës familje të ndjesëpastit ngushëllime të përzemërta.
    Qeveria italiane bëri, nga ana e saj, fort fisnikërisht, ç‘duhej për ta shpënë trupin e Ismail Qemalit në Vlorë".
    Mihal Grameno, në një artikull me titull "Humbja e Ismail Qemalit", botuar më 12 mars 1919, në gazetën e tij "Koha" (Boston, Mass.), shkruante ndër të tjera:
    "Si vetëtima u përhap lajmi i hidhur për humbjen e Plakut të Shqipërisë, Ismail Qemalit, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë anët e botës.
    Ky lajm ishte si rrufeja edhe një nga më të mëdhatë goditje për kombin shqiptar, se humbi burrin më të madh që kishte nxjerrë, pas Skënderbeut, Shqipëria. Humbi diplomatin e madh e të famshëm, humbi shtyllën e çelniktë të programit kombëtar, humbi Atin e kombit, i cili e shpëtoi nga rreziku, humbi luanin që dërrmoi zinxhirët e robërisë dhe që ngriti flamurin e Skënderbeut e shpalli vetëqeverimin e Shqipërisë.
    Jemi shumë të vegjël edhe fuqia jonë është e dobët që të mund të përshkruajmë veprat e larta dhe të shenjta që ka sjellë Plaku i pavdekur, përmbi altarin e atdheut."
    Luftëtari rilindës përvijon në artikullin e tij këtë portret njerëzor për Plakun e Vlorës: "Tek Ismail Qemali përmblidheshin gjithë virtytet e mira, të cilat mund të gjenden në botë." (Gazeta "Koha", Boston, Mass., 12 mars 1919).
    Për të treguar se kishte respekt ndaj Ismail Qemalit, qeveria e Romës mori përsipër ta zhvillonte varrimin e Plakut të Vlorës me ceremoni zyrtare dhe me shpenzimet e veta. Ajo iu përgjigj menjëherë ftesës së Bashkisë së Vlorës për ta përcjellë trupin e Ismail Qemalit për në qytetin e tij të lindjes, në Vlorë. Varrimi i burrit të shquar në Vlorë, që konsiderohej si Ati i Pavarësisë së Shqipërisë, përveç rëndësisë politike përmbante me vete edhe probleme politike. Vlora ndodhej nën pushtimin ushtarak italian. Veç kësaj, Roma e ndiente veten të sigurt, se me vendimin që do të merrte Konferenca e Paqes që po zhvillohej në Paris do ta aneksonte, në bazë të Traktatit të Londrës, qytetin e Vlorës së bashku me rrethinën e saj. Pasi ta aneksonte, ajo mendonte ta përfshinte krahinën e Vlorës në provincën italiane të Puljes. Por, në Vlorë ekzistonte një frymë e theksuar patriotike për rezistencë kundër synimeve italiane. Sikurse pohon një dëshmitar i kohës, Sali Hallkokondi, në një punim të botuar në vitin 1923, komanda italiane e pushtimit e kishte ndaluar që më 17 maj 1916 përdorimin e flamurit shqiptar në Vlorë, kurse më 20 gusht 1916 e kishte nxjerrë jashtë ligjit (Sali Hallkokondi, "Historia e Shqipërisë së Re", Vlorë 1923, fq. 241).
    Dy muaj para vdekjes së Ismail Qemalit, më 28 Nëntor 1918, në përvjetorin e shpalljes së pavarësisë Kombëtare, në Vlorë shpërtheu një demonstratë patriotike, gjatë së cilës Avni Rustemi dhe Bajram Hallkoja në fjalimet që mbajtën dënuan synimet imperialiste të Romës ndaj Vlorës (Sali Hallkokondi, "Historia e Shqipërisë së Re", Vlorë 1923, fq. 241-242). Si pasojë e kësaj demonstrate, me dhjetëra qytetarë qenë burgosur dhe jo pak figura të shquara ishin internuar në ishullin e Sazanit. Në mënyrë të veçantë, komanda e trup-ekspeditës ushtarake italiane në Vlorë me në krye gjeneralin Settimio Piacentini druheshin se ardhja e arkivolit me trupin e Ismail Qemalit në Vlorë do të shërbente si shkëndijë për manifestime të reja patriotike. Si rrjedhim, ajo tregonte shumë kujdes në organizimin e procesionit të varrimit të trupit të Ismail Qemalit në vendlindje dhe në qytetin ku ai kishte shpallur pavarësinë e Shqipërisë. Këshilli bashkiak i qytetit, ku mbisundonin patriotët, propozoi që varri i Ismail Qemalit të vendosej në sheshin qendror të qytetit, pranë selisë ku ishte shpallur më 28 Nëntor 1912 Pavarësia Kombëtare e Shqipërisë. Por, komanda ushtarake italiane, duke u kapur pas projektit ende në studim të rregullimit të sheshit qendror të qytetit, nguli këmbë që trupi të vendosej në kalanë e Kaninës, të paktën përkohësisht, aty ku qenë vendosur stërgjyshërit e Ismail Qemalit, pinjollët e familjes Sinanaj apo të Sinanpashallarëve, gjatë shekujve të kaluar. Madje, ajo vetë mori përsipër organizimin e ceremonisë së varrimit, por vuri si kusht që gjatë procesionit të mos shpalosej asnjë flamur kombëtar shqiptar dhe të mos kishte shpërthime patriotike. Ajo kërkoi gjithashtu të censuronte dhe fjalimet e përmortshme që do të mbaheshin. Pas disa debatesh u arrit marrëveshja e komandës italiane me këshillin bashkiak shqiptar, që gjatë kortezhit vetëm arkivoli të ishte i mbuluar me flamurin shqiptar. Kryesia e bashkisë, nga ana e saj, me qëllim që t‘i kryente homazh të madh birit të shquar të Vlorës dhe të Shqipërisë, një homazh të madh pa incidente, të cilat mund të prishnin varrimin, u lëshoi një thirrje qytetarëve dhe fshatarëve të zonës së okupuar që të merrnin pjesë në varrim jo me flamurin kombëtar në dorë, por ta nderonin në heshtje patriotin e madh me praninë e tyre sa më të shumtë gjatë ceremonisë së varrimit.
    Në të vërtetë, kështu ndodhi. Nga Peruxha, trupi i pajetë i Ismail Qemalit, i cili fill pas vdekjes u balsamos, i shoqëruar nga djemtë e tij, u nis drejt Brindisit. Aty u vendos mbi luftanijen italiane "Alpino" dhe arriti në Vlorë në mbrëmjen e 10 shkurtit 1919. Atë natë arkivoli u vendos në komandën ushtarake italiane që ndodhej në skelë. Aty qëndroi dy ditë.
    Ceremonia e varrimit u krye dy ditë më pas, ditën e mërkurë më 12 shkurt 1919. Përcjellja e trupit nga skela filloi në orën 10.00 paradite. Aty qenë të grumbulluar gjithë popullsia e Vlorës, si edhe reparte ushtarake italiane me bandën e tyre muzikore. Kortezhin e prinin 12 kurora lulesh të dërguara nga populli i Vlorës, organet e qarkut e të krahinës së Vlorës, shkollat fillore të qytetit, qyteti i Fierit, shoqëria "Djelmoshat e Vlorës". Një nga kurorat ishte e gazetës "Kuvendi", në të cilën thuhej: "Ismail Qemal Vlorës! Diplomatit të vlerët". Edhe në këtë formulim shihej censura italiane, e cila lejonte që Ismail Qemali të nderohej jo si patriot, as si Ati i Pavarësisë së Shqipërisë, por si "diplomat i vlerët".
    Kur kortezhi u nis nga skela për në qytet, në krye qëndronin anëtarët e shoqërisë "Djelmoshat e Vlorës", që mbanin kurorat. Pas kurorave vinin anëtarë të tjerë të "Shoqërisë djaloshare". Pas tyre vinte banda ushtarake, e cila ekzekutonte melodinë e përmortshme "Jone" të kompozitorit italian Petrella. Më tutje, një grup ushtarësh të regjimentit të 86, si dhe një repart italian mitraljerësh. Pas tyre vinte karroca që mbante arkivolin e mbështjellë me flamurin kombëtar. Karrocën e tërhiqnin gjashtë kuaj të murrmë. Anës karrocës ecnin dy rreshta ushtarësh. Më pas vinin hoxhallarët. Pas tyre tre djemtë e Ismail Qemalit. Pastaj vinte gjenerali Settimio Piacentini, kundëradmirali Lubetti, autoritetet ushtarake e civile të krahinës, parësia e qytetit dhe e qarkut, qytetarët, nxënësit e shkollave fillore të qytetit dhe një tufë ushtarësh kalorësie.
    Duke ecur me hap të ngadalshëm, kortezhi i përmortshëm arriti në qytet. Atë ditë, thotë korrespondenti i gazetës "Kuvendi", Vlora ishte në zi. Tregu ishte mbyllur. Në dyqane qenë ngjitur letra nekrologjie me rrip të zi anash, ku ishte shkruar: "Zi kombëtare për të madhin patriot Ismail Qemalin." Duket se flamurin kombëtar të ndaluar nga komanda e pushtimit, qytetarët vlonjatë e zëvendësuan me nderimin nëpërmjet shpalljeve nekrologjike për Ismail Qemalin, "patriotin e madh".
    Nëpër dyert dhe dritaret e shtëpive, shkruante korrespondenti, kishin dalë gra dhe vajza, për të nderuar "Plakun e Shqipërisë", disa nga të cilat e kishin njohur në rini. Kur arriti në tregun e qytetit kortezhi u ndal. Aty u mbajtën dy fjalime të përmortshme. Mbi ceremoninë e varrimit kemi dy burime historike - një nga autoritetet ushtarake italiane të pushtimit, tjetrën nga kujtime qytetarësh vlonjatë të atyre kohëve.
    Në lidhje me këtë ceremoni, gjenerali S. Piacentini i raportonte Ministrisë së Jashtme të Romës po atë mbrëmje: se anija luftarake "Alpino" arriti në skelë mbrëmjen e ditës së hënë më 10 shkurt 1919; se më 12 shkurt ora 10.00 paradite u krye ceremonia e varrimit; se arkivoli me trupin e Ismail Qemalit u nis nga skela në orën 10.00 paradite; se sipas programit të parashikuar, mori pjesë batalioni i këmbësorisë së ushtrisë italiane me muzikë e flamuj.
    Ai nënvizonte se nuk pati "asnjë flamur shqiptar, përveç atij që mbulonte arkivolin. U mbajtën dy fjalime nga paria shqiptare, të cilat, theksonte gjenerali italian, më ishin bërë të njohura më parë (sigurisht për t‘i censuruar - F. B.). Pjesëmarrja ishte e madhe. Rregulli qe maksimal. Nuk pati asnjë incident."
    Autori R. Fallaschi, i cili ka botuar relacionin e S. Piacentini-t, shënon nga ana e vet se "mbushesh me hidhërim mbi varrimin e Ismail Qemalit, kur mendon se në qytetin e tij të lindjes, ku vetëm gjashtë vjet më parë patrioti i madh shpalli pavarësinë e Shqipërisë me entuziazmin e kombit dhe me pëlqimin e Italisë, tani ai nderohej jo nga ushtarë të vendit të tij, por nga trupat ushtarake italiane e që i vetmi flamur shqiptar i pranishëm ishte ai që mbulonte arkivolin e tij." Pjesë nga ditari i komandës italiane në Vlorë.
    Edhe pse mungonte aty ushtria shqiptare, në orën e varrimit tërë popullsia e qytetit dhe e rrethit qe rreshtuar anës rrugës nga skela në Kaninë nga do të kalonte arkivoli, ndërsa fshatarët mbushën dhe kodrat. Sipas dëshmitarëve nga mizëria e fshatarëve kodrat dukeshin si koshere bletësh.
    Gjenerali italian nuk na thotë se cilët qenë dy personalitetet që mbajtën fjalimet e përmortshme në tregun e qytetit. Emrat e tyre i njofton korrespondenti i gazetës "Kuvendi". Ata qenë Jani Minga dhe Qazim Kokoshi, dy delegatë që kishin marrë pjesë bashkë me Ismail Qemalin si përfaqësues të Vlorës në Kuvendin Historik që shpalli Pavarësinë Kombëtare, më 28 Nëntor 1912. Madje, ai na jep edhe fjalimet e tyre.
    Vlorë, 12 shkurt 1919. Pamje nga ceremonia e varrimit të Ismail Qemalit.
    Jani Minga tha ndër të tjera: "Popull i përzishëm!
    Shumë të brengosur dhe shumë të vrenjtur të shoh sot. Jani Minga
    Vallë ç‘gjëmë e tmerrshme të ka ngjarë e ç‘mandatë të zezë ke dëgjuar? Pyes me pikëllim shpirti. Pyes me zemër të dridhur. Po mjerisht kudo ku rrotulloj sytë, kudo ku mbaj veshët një zë përgjigjet për çdo anë, nga çdo fytyrë e venitur dhe e shkëmbyer e juaja del një zë i helmueshëm dhe i shëmtuar dëgjohet "Vdiq Ismail Qemali! Vdiq Plaku i Vlorës! Plaku i Shqipërisë!" Heu! Thuaj më mirë o i mjerë popull "vdiq burri më i madh i Shqipërisë, luftëtari më i fortë i mendjes, i ndjenjave dhe i mendimeve kombëtare, vdiq mburoja më e fortë dhe më e madhe e kombit, vdiq politikani ynë më i madh dhe diplomati ynë më i dëgjueshëm në fushë të politikës e të diplomacisë europiane."
    Nga fjala që mbajti Qazim Kokoshi përpara trupit të Ismail Qemalit, shkëputim këto rreshta: "Helmi dhe dëshpërimi që goditi gjithë bashkatdhetarët nga kjo gjëmë ishin aq të mëdha sa na pëlqente në ditën e shpalljes së pavarësisë Kombëtare,
    që të mos ta besonim, donim të shpresonim që lajmi të mos ishte i vërtetë dhe Ismail Qemali të mos kishte vdekur që kësisoj ai me gjalljen e tij të mund të kryente plotësisht qëllimin e shenjtë që kishte filluar që në kohën e djalërisë dhe për të cilin kishte marrë në sy pësimet e mërgimin me shumë rreziqe, me shumë rruajtje e të këqija. Qazim Kokoshi. Por, mjerisht, këto shpresa nuk u vërtetuan pse thonjtë e tmerruar të vdekjes e rrëmbyen Ismail Qemalin. Një e tillë humbje, sidomos në një kohë kur atdheu i tij priste shërbimin më të madh, priste nga fuqia e mendjes së tij kurorëzimin e të drejtave dhe të dëshirave kombëtare, një e tillë mynxyrë, në një kohë të tillë, kur fati i të gjorit komb shqiptar është duke u shqyer përjetë, na duket se e shton helmin e dëshpërimin tonë më shumë se çdo herë."
    Qazim Kokoshi e mbylli fjalën e tij kështu: "Ismail bej!
    Të përunjemi dhe të sigurojmë që Shqipëria, ndonëse e vogël, e varfër dhe e paditur, të çmon dhe kujtimin tënd do ta ketë si rrënjë të idealit të saj."
    Pas fjalimit të tyre, ushtria italiane i bëri nderimin e fundit Ismail Qemalit, duke ekzekutuar himnin mbretëror, sigurisht të Italisë. Që këtej reparti i kalorësisë italiane së bashku me të parët e fesë, parësinë e qytetit e një masë e madhe qytetarësh vlonjatë e shoqëruan arkivolin drejt e në Kaninë, ku u varros. Në këtë mënyrë mori fund dhe ceremonia e varrimit.

    Rivarrimi i trupit të Ismail Qemalit

    Varrimi i Ismail Qemalit në Kaninë u bë, sikurse u tha, në kundërshtim me dëshirën e parisë së Vlorës, e cila ngulte këmbë që varri të vendosej në qendër të qytetit. Nuk dimë nëse ishte i saktë apo pretekst argumenti që përdori komanda italiane se Ismail Qemali nuk mund të varrosej hëpërhë në qendër të qytetit të Vlorës, sepse plani rregullues i qytetit ende nuk ishte miratuar. Në të vërtetë, më 1919-n në emër të planit rregullues të qytetit, nuk dimë bashkia apo komanda italiane, dha urdhër që të prishej ndërtesa ku qe mbajtur Kuvendi Kombëtar i Pavarësisë më 28 Nëntor 1912, dhe ta kthente truallin e saj në sheshin qendror të qytetit ose në lulishte popullore. Kjo mbetet për t‘u sqaruar. Në të vërtetë, edhe pasi u krijua sheshi qendror, i cili sot mban emrin Sheshi i Flamurit, çështja e varrit të Ismail Qemalit mbeti për më tepër se një dhjetëvjeçar në heshtje. Vetëm në vitin 1932 qeveria e Tiranës vendosi ta rivarroste Ismail Qemalin në qendër të qytetit. Rivarrimi u caktua të bëhej më 28 Nëntor 1932 me rastin e 20-vjetorit të shpalljes së pavarësisë.
    Zyrtarisht nismën e mori mbreti Zog. Varri i ri u caktua në Sheshin e Flamurit, afërsisht aty ku Ismail Qemali kishte shpalosur për të parën herë më 28 Nëntor 1912 flamurin kombëtar. Me organizimin e varrimit u ngarkua prefekti i Vlorës, Abedin Nepravishta. Edhe për këtë ceremoni kemi një reportazh, pak a shumë të plotë, drejtuar gazetës "Besa" që botohej në Tiranë, nga korrespondenti i saj në Vlorë. Emri i korrespondentit edhe në këtë rast nuk thuhet.
    Ismail Qemali me nipërit e tij
    Njoftimet që përmban korrespondenca e botuar të nesërmen e ceremonisë, më 29 Nëntor 1932 në gazetën "Besa" e ndriçojnë relativisht mirë madhështinë e shpërnguljes së eshtrave të Ismail Qemalit nga kalaja e Kaninës në qendër të Vlorës.

    Më 28 Nëntor 1932 Vlora ishte zbukuruar nga të katër anët me flamuj kombëtarë. Këtë radhë kishte dy motive: të përkujtonte 20-vjetorin e ngjarjes së madhe historike dhe të nderonte Plakun e Vlorës, emri i të cilit është i lidhur sa askush tjetër me shpalljen e pavarësisë kombëtare. Vlorë, Monumenti për nder të Ismail Qemalit
    Korrespondenti na njofton se kur autoritetet qeveritare zunë vend në tribunën e ngritur posaçërisht në Sheshin e Flamurit, brohoritje shpërthyen nga populli i shumtë që ishte mbledhur rreth e rrotull sheshit. Pas fjalës së rastit nga prefekti dhe pas ekzekutimit nga banda muzikore e himneve kombëtare dhe mbretërore, kortezhi i kryesuar nga autoritetet shtetërore dhe përfaqësitë e ndryshme të qytetit, bashkë me nxënësit e shkollave dhe me qindra qytetarë, u nisën në pelegrinazh drejt Kaninës. Kur kortezhi arriti në Kaninë, u hap varri dhe trupi i Ismail Qemalit, pjesërisht i tretur, u rivendos në një arkivol të përgatitur posaçërisht. Në atë çast, biri i Ismail Qemalit, Et‘hem Vlora, ia dorëzoi prefektit të qytetit flamurin që kishte shpalosur Ismail Qemali më 28 Nëntor 1912, për t‘ia dhuruar Ministrisë së Arsimit, e cila do ta vendoste në Muzeun Kombëtar. Pastaj, arkivoli i shoqëruar nga një kortezh i madh
    njerëzish dhe nga 40 kurora të dërguara nga sovrani, qeveria, Parlamenti, prefektura, nga bashkitë dhe nga trupi
    konsullor, u nis për në Vlorë.
    Rruga Vlorë - Skelë nga ka kaluar kortezhi i përmortshëm. Fotografi e vitit 1912
    Gjatë rrugës për në Vlorë, kortezhin e paraprinte banda muzikore, e cila ekzekutonte marshe funebër. Në reportazh thuhet: "Kur kortezhi funeral arriti para ndërtesës së Teatrit të Qytetit, trupat paraushtarake të Vlorës e pritën me nderime dhe pastaj duke u bashkuar edhe këta me popullsinë e shumtë që ishte mbledhur aty, morën drejtimin për në lulishten ku ishte përgatitur varri dhe përmendorja e veteranit, e cila përfytyronte ushtarin e panjohur të kombit tonë si mbrojtës i flamurit."
    Para se arkivoli të vihej në varr, i dërguari i posaçëm i mbretit, gjenerali Leon de Ghilardi, zbuloi monumentin e luftëtarit mbuluar me një napë të zezë. Dihet se monumentin e kishte realizuar skulptori i njohur Odhise Paskali. Paraqiste, sikurse shihet edhe sot, një luftëtar, përfaqësues i çetave patriotike të Rilindjes Kombëtare, në njërën dorë flamurin dhe në tjetrën pushkën. Sipas autorit të skulpturës, luftëtari në atë pozicion simbolizonte brezat shqiptarë, të cilët e sigurojnë Plakun e Vlorës të prehet i qetë se ata janë të vendosur ta mbrojnë me armë veprën e tij madhore - Flamurin Kombëtar që simbolizon pavarësinë e Shqipërisë.
    Pasi u zbulua monumenti, gjeneral Ghilardi mbajti një fjalë, në të cilën tha ndër të tjera:
    "Sot, kur populli shqiptar i përfaqësuar nga të gjitha anët e Atdheut tonë, është mbledhur në këtë qytet historik përpara varrit të Ismail Qemalit, patriotit të shquar të historisë sonë bashkëkohore, në emër të Lartmadhërisë së Tij mbretit vij për të shfaqur ndjenjat e mirënjohjes për veprën patriotike e madhështore që tash njëzet vjet më parë Ismail Qemali, i rrethuar prej shumë patriotëve shqiptarë, kreu duke ngritur në këtë qytet shenjën e lirisë dhe të pavarësisë së Atdheut tonë, flamurin e bekuar me të cilin këputi hekurat e robërisë." Gjenerali Leon de Ghilardi
    Gjenerali e mbylli nderimin e tij me këto fjalë: "Me respektin më të thellë, duke kujtuar edhe një herë veprën patriotike të Ismail Qemalit, përpara hijes së tij të prekshme dhe të kujtimit të tij të paharrueshëm, përulem edhe depozitoj këtë tufë lule. Rroftë Shqipëria! Rroftë populli shqiptar!"
    Pas fjalës së tij u krye ceremonia e varrimit dhe mbi varr u vendosën gjithë kurorat me radhë. Pas varrimit fjalën e mori ministri i Arsimit, Hilë Mosi, i cili në rininë e tij i kishte qëndruar afër Ismail Qemalit. Ai tha ndër të tjera: "Vëllezër shqiptarë,
    Sot mbushen plot njëzet vjet që kur se Ismail Qemali, një nga bijtë më të çmuar të kësaj Vlore trime, mu këtu në këtë shesh shpalli vetësundimin e Shqipërisë edhe valëviti në ajrin e lirë flamurin tonë të shenjtë kombëtar.

    Vlorë. Kurorat e vendosura mbi Monumentin e Ismail Qemalit
    Me këtë vepër, Shqipëria, e cila për më shumë se katër shekuj kishte lënguar nën zgjedhën e huaj, në mes të zjarrit të luftës ballkanike, nën udhëheqjen e një plaku, i cili për së afërmi i kishte ndjekur lëvizjet kombëtare të rilindjes, qysh më 28 Nëntor 1912 u shpall si shtet i lirë e i pavarur."
    Më tej vazhdoi: "Këtë shtatore, që hijeshon varrin e Ismail Qemalit e që simbolizon flamurin kombëtar, si edhe ata luftëtarë që ranë theror për nder të tij, e deklarojmë monument kombëtar, edhe mirëmbajtjen e ruajtjen e saj ia ngarkojmë prefektit të Vlorës si kryetar i këshillit arsimor. Hilë Mosi
    Shqiptarë! Për një çast t‘i mbledhim zemrat tona rreth këtij veterani dhe t‘i betohemi se atë flamur që dora e tij shkundi nga pluhuri i robërisë, ne do të jemi gjithnjë gati ta mbrojmë e ta lartësojmë me mendjen, me zemrën edhe me gjakun tonë."
    Pas Hilë Mosit foli kryetari i Parlamentit, Eshref Frashëri, fjalën e të cilit gazeta nuk e ka riprodhuar. Më pas fjalën e mori prefekti i Vlorës, Abedin Nepravishta, i cili lexoi dhe mesazhin e mbretit drejtuar Bashkisë së Vlorës, në të cilin thuhej:
    "Me kënaqësinë më të madhe marr pjesë në gëzimin e popullit të Vlorës, në këtë ditë të shenjtë për kombin tonë. Sakrificat që ka bërë populli i Vlorës për pavarësinë dhe për mbrojtjen e Atdheut, janë fakte patriotizmi të paharrueshme. Siguroni popullin kreshnik të Vlorës se bashkë me patriotin e madh të Kombit tonë, Ismail Qemalin, të gjithë dëshmorët janë gjallë në shpirtin tim."
    Abedin Nepravishta
    Ceremonia u mbyll me parakalimin e nxënësve dhe paraushtarakëve. Pastaj qytetarët u shpërndanë, e mbyll korrespondencën e vet gazeta, duke kënduar këngë patriotike.
    Edhe pse në reportazhin e gazetës "Besa" nuk thuhet, dihet nga burime të tjera se ditën e rivarrimit të Ismail Qemalit, më 28 Nëntor 1932, djaloshi i ri nga Dhërmiu i Himarës, Petro Marko, i cili më vonë do të bëhet poet dhe shkrimtar i njohur, recitoi këtë sonet prej 14 vargjesh kushtuar Ismail Qemalit:

    Petro Marko

    FATOS, burimi që çele po shtohet,
    Dhe nuk do shteret jo, bota t‘humbasë!
    Sa zëri i qiellit - fundi! - të bërtasë
    - Drita e diellit mbi dhe të pushohet! -

    Vepra e jote, përdita ndriçohet!
    Po ti o Burrë, na ike pa gas,
    Na le përjetë, po ti le pas
    Lirinë, Lirinë që Kombi lëvdohet.

    Heshtur ti prehesh mejtuar në varr,
    Dhe shqipja e lirë flutron si e marrë,
    Vërtitet nga brigjet në fush‘ e në mal,

    Zemrat shqiptare përvlohen si zjarr!
    Pa digjet dhe Vlora, djepi ku u shpall
    Idea jot‘ e shenjt‘ o Ismail Qemal!

    Që nga ajo kohë e këtej, varri i Ismail Qemalit në Vlorë, nderohet çdo vit me tufa lulesh nga qeveritarë dhe qytetarë, nga të rinj dhe të reja, me përulje para varrit të tij. Para varrit të tij përulen bashkatdhetarët e tij dy herë në vit - jo vetëm në ditëlindjen e tij, më 24 janar, por edhe në ditën e veprës së tij historike, 28 Nëntor 1912.
    Më 1972 u ngrit në Sheshin e Flamurit në Vlorë, një tjetër monument kombëtar, Monumenti i Pavarësisë, vepër e përbashkët e skulptorëve Kristaq Rama, Muntaz Dhrami, Shaban Hadëri, në qendër të së cilës qëndron Ismail Qemali me patriotë të tjerë.

    http://www.albaniapress.com/lajme/10...l-Qemalit.html
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  
    SHQIPËRIA është GJAKU im që nuk falet!

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17
    Flamuri me të cilën u varros Ismail Qemali

    Nga Frederik Stamati dhe Ariola Prifti

    Më 2 dhjetor 2011 u zbulua në fondin etnografik të Qendrës së Studimeve Albanologjike flamuri me të cilin u varros Ismail Qemali!

    Ismail Qemali vdiq në Peruxhia, në hotelin “Brufani” me 26 janar 1919, (FESH). Në darkën e 10 shkurtit të atij viti luftanija italiane “Alpino” solli në Skelë të Vlorës arkivolin me trupin pa jetë të burrit. Vlora ndodhej nën pushtimin italian.

    U vendos që Ismail Qemali të varrosej në Kaninë, në varrezën familjare të familjes Vlora, meqë në qytet nuk kishte mundësi urbanistike. Komanda italiane, që ia kishte frikën rebelimit, urdhëroi që në ceremoni të mos përdorej asnjë flamur shqiptar. Kjo ishte poshtëruese për ndjenjat e një populli patriot.

    Këshilli bashkiak i Vlorës këmbënguli në përdorimin e simbolit shqiptar. Komanda italiane e kuptoi mirë ultimatumin atdhetar dhe lejoi që gjatë ceremonisë arkivoli të mbulohej me flamurin shqiptar. Dhe ashtu u bë. Arkivoli u mbulua me flamurin e kuq me shqiponjën e zezë. Këtë flamur ia kishte dhuruar Ismail Qemalit duka i Monpasiesë në mars 1913, kur ai bëri një vizitë në Vlorë. Në ato ditë flamurin e mbante me vete djali i madh i Ismail Qemalit, Et’hem Bej Vlora.

    Ceremonia e varrimit u bë me 12 shkurt 1919. Ishte e mërkurë. U mbajtën dy fjalime mbresëlënëse nga Jani Minga dhe nga Qazim Kokoshi. Mbas heshtjes u ekzekutua hymni mbretëror italian. Pastaj kortezhi i gjatë u nis për në Kaninë. Ishte ora dhjetë. Karroca ku ndodhej arkivoli tërhiqej nga gjashtë kuaj. Anash ecnin me ngadalë dy rreshta ushtarësh. Banda ushtarake ekzekutonte melodinë e përmortshme “Jone” të kompozitorit italian Petrella.

    Kortezhi prihej nga dymbëdhjetë kurora që mbaheshin nga “Djelmoshat e Vlorës”, të shoqërisë me po këtë emër. Kurorat ishin gjithë lule, nderim dhe dashuri nga populli i Vlorës, nga shkollat, nga shoqëria “Djelmoshat e Vlorës” dhe nga gazeta “Kuvendi”. Mbas këtyre vinte “Shoqëria djaloshare”. Pastaj ecte banda ushtarake që luante marshin funebër. Mbas bandës ushtarake ishin ushtarët e regjimentit 86 dhe reparti i mitralierëve italianë. Mbas këtyre ecte karroca me arkivolin e mbuluar me flamurin e kuq dhe shqiponjën e zezë, e nderuar dhe e ruajtur nga dy rreshta ushtarësh. Mbas karrocës ecte grupi i hoxhallarëve dhe mbas tyre të tre djemtë e Ismail Qemalit. Pastaj gjenerali Settimo Pacentini, kundëradmirali Lrubetti, autoritete ushtarake dhe civile të krahinës, paria e qytetit dhe e qarkut, qytetarët, nxënësit e shkollave dhe në fund ushtarët e kavalerisë.

    Përpara varrimit flamurin e morën djemtë e Ismail Qemalit, të cilin flamur e përdorën përsëri në rivarrimin e tij në “Sheshin e Flamurit” me 28 nëntor 1932. Mbas kësaj Et’hem Bej Vlora e dhuroi flamurin për Muzeun Kombëtar.



    Në Arkivin e Shtetit ruhen disa dokumente që vërtetojnë ngjarjen. Po i paraqesim:

    Dokumenti: AQSH, fondi 195, viti 1933, dosja 173.

    “MBRETNIJA SHQIPTQRE

    PREFEKTURA MBRETNORE

    VLONЁ



    Nr. 172

    Vlonë me 21. Kallnuer. 1933

    P.T.

    Ministris Aresimit

    Tirane

    Kétu ngjitun kemi nderin me Ju paraqite process-verbalin e mbajtun me rastin e marrjes né dorézim té Flamurit qé ashte ngritun pér té parén here né Vlone, prej Patriotit Ismail Qemalit.

    Gjith ashtu né pako te veҫnté dhe po me kété shkresé dérgohet edhe Flamuri né fjalé.

    Shtojme se me gjithqe Z. Etéhem Vlora pretendon se ky Flamur ashte ngritur pér té parén here né ndértesén Qeveritare me doren Atit tij, por nga sa kemi hetue ky Flamur ashte ngritur me té vértet mem 28 Nanduer 1912, por jo né ndértesén Qeveritare, por né Zyren e doganave né Vlone.

    Lutemi me na njoftue marrjen né dorézim.

    Prefekti

    A. Nepravishta”



    Shkruar me dorë:

    “T’i dërgohet ky flamur Bibliotekës”

    Nën këtë shënim, është një tjetër, që konfirmon marrjen e flamurit në dorëzim:

    “asht këtu në bibliotekën t’onë”

    (firma)

    28/10/33

    Vijojnë disa vula dhe firma dhe në fund:

    “Marrë në dorzim me 29-X-933”.

    Po paraqesim edhe proces-verbalin shoqërues:

    “PROCES-VERBAL

    Sot mé 28 Nanduer 1932, ditén e Héné, me rrastin e transferimit té eshtravet té shénjtorit té Kombit té ndjerit Ismail Qemalit nga Kanina né Pemendoren kujtimore té ngrehun prej N.M. Tij Mbretit dhe né pranie té Pérfaqesuesit té N.M.Tij Mbretit Shkelqésis sé tij Gjeneral Leon De Gjilardi dhe té shkelqesave té tyne Z.Z. Hil Mosi, Ministér i Arésimit, Milto Tutulani, Ministér i Drejtésis dhe té Prefektit té Vlonés Z. Abedin Nepravishta, Zoti Ethem Bej Vlora, i biri i té ndjerit Ismail Qemal pér kujtim Kombétar i dorézoj Prefektit té Vlonés Flamurin Kombétar té cilin mé 28 Nanduer 1912 ati i tij Eroj i Kombit i ndjeri Ismail Qemal e ngriti né qytetin e Vlonés tue prokllamuar indinpendencén e Shqipnisé pas shumé shekujsh rrobnije.

    Kété Flamur té shenjté Prefekti i Vlonés ja dorézoj Ministrit té Arésimit Shk. tij Z. Hil Mosi pér t’a dépozituar né Muzeun Kombétar né Tirané.

    Pér sa ma nalté u redaktua ky Proces-Verbal i mbajtun né katér kopje dhe i nénéshkruem prej té gjithéve qe pérménden ma sipér.



    Nga shkresa e mëposhtme, e firmosur nga vetë ministri i arsimit Mirash Ivanaj, vërtetohet se flamuri iu dorëzua Muzeut Kombëtar. E citojmë:



    Dokumenti: AQSH, fondi 195, viti 1933, dosja 173.

    “MINISTRI E ARSIMIT

    Nr. Prot. 1208. Dërgohet Flamuri Komtar i ngrehun për herë të parë në Vlonë.

    Drejtoris së Muzeut Komtar, Tiranë

    Këtu ngjitun i dërgojmë asajë Drejtorije kopjen e process-verbalit të mbajtun me 28 Nanduer 1932 mbi flamurin komtar qi asht ngreh për herë të parë nga i ndjeri Ismail Qemali në Vlonë.

    Për njiherit me këto shkresa ju dërgojmë dhe kët flamur historik për t’a ruejtun me kujdes në muzeun komtar.

    Ministr’i Arsimit

    Mirash Ivanaj (firma)



    Nisur me 6/XI/1933”

    Kështu, në bazë të këtij dokumenti, Shqipëria u bë me flamur kombëtar. Por kjo nuk ishte e vërtetë. E vërtetojnë mohimet që i u bënë faktit të servirur nga dëshmitarët e atyre ngjarjeve, që detyruan autoritetet e kohës të bënin verifikime të shumta, për të sqaruar të vërtetën. Mirëpo patriotizmi vulosi mendimin. Për shumë kohë u besua se flamuri i pavarësisë ndodhej i ruajtur në Muzeun Kombëtar. U desh kohë që ngatërresa të shpështillej, por kjo është ҫështje që nuk lidhet me këtë shkrim, aq më tepër që është sqaruar.



    Vijojmë të paraqesim dokumente të tjerë që shkojnë më pranë të vërtetës.

    “M.A.

    Nri 402/749

    Flamuri i Vlorësë

    Mënistërijës’ së Arësimitë

    Q y t e t



    Bashkë me shkresën’ Nri 1208 të së 6s’ së këtij muaji, të shoqëruarë me verbalin’ e endur’në Vlorë më 28 të Vjeshtës’ së Tretë 1932. Muarëm’ në dorëim:

    Flamurin’ kombëtar që shtolli në Vlorë vetë Ismail Qemal Vlora, mbë 28 të Vjeshtës së Tretë 1912.

    Ky flamur zu vëndin’ në rjeshtën’ e kujtimevet’ t’ tjerë, me vlejë të jëstorijëtë, që ruhen’ në Tiranë, 9 Vjesht’ e Tretë 1933

    Drejtori

    (Firma dhe vula )



    Ngjitur’ pas kësaj’ dorë-dëftesa

    e jonë Nri C. 208”

    Dokumenti: AQSH, Fondi 195, viti 1936, dosja 62.

    “Flamuri i Vlorësë

    Për punën, e flamurit’ kombëtar që valoj në Vlorë për here të pare ditën’ e të lëçiturit’ të Shqipërijsë mbë krye të vehtë, Zoti Et-hem Bej Vlora, bir i të ndjerit Iamail Qemal Bej Vlora, pati mirësijën’ të shtronjë këta kujtime:

    1) flamuri upat nga shtëpija e Zotit’ Syreja Bej Vlora. (Shënim nga F. Stamati: fjalët, “nga shtëpija e Zotit’ Syreja Bej Vlora”, janë të shuara me një vijë përsipër).

    2) Pëlhura e flamurit’ qe e leshtë dhe shkaba e shtampuarë; nuk’ mban mënt të ketë pasur,’ theka o kravatë.

    3) Të madhët’ të tijë, gjer sa mund të caktohet’ me të maturë syri, munt të qe afëro 0 m. 80 për së gjati, dhe 0 m. 50 për së gjëri.

    Sa për fundin ‘ e këtij, flamuri Zoti Et-hem Bej Vlora ësht’ i mejtimit’ se flamuri nuk’ ka qënë shdukurë, po se ndodhet’ i ruajturë në Shqipërijë, ndër duar’ që do të kujtohen’ ndofta ndonjë ditë t’i a falin’ Muzejës’ Kombëtare.

    Tiranë, 10 shkurt 1936”



    Më poshtë, në të majtë, është vula e Bibliotekës dhe Muzeut Kombëtar, si dhe firma, ndërsa në të djathtë, firma e Et’hem Bej Vlorës. Poshtë ka një shënim:

    (a) Zoti Et-hem Bej Vlora ndreqi me dorën’ e vehtë:

    “nga shtëpija e Zotit’ Xhemil Bej Vlora”.

    Ёshtë me interes edhe një dokument tjetër nga AQSH, fondi 195, viti 1936, dosja 62. Po e citojmë:

    “Flamuri i Doganës’ së Vlorësë.

    Me shkresën’ e Mënistërijës’ së Arësimitë Nri 1208 të së 6s’ së Vjeshtës’ së Tretë 1933, i u dorëzua Muzejës’ Kombëtare një flamur i trajtuarë prej dy fijesh pëlhure të leshtë, 1 m. 45 i gjatë dhe 0 m. 95 i gjërë, me shkabën’, me dy krerë dhe me krahë të shtallurë mbë të përpjetë, pa theka dhe pa kravatë.

    Pas shkresës’ që i përsillte Muzejës’ Kombëare këtë flamurë, janë mpështeturë:

    1) një verbal me ditë 28 të Vjeshtës së Tretë 1932, në të cilin’ kan’ vënë duarëtë:

    Përfaqësi I L. Madhërijës’ së Tijë Mbëretitë, Gjeneral Leon de Ghilardi,

    Ministri i Arësimitë, Hil Mosi,

    Ministri i Drejtësijësë, Milto Tutulani,

    Zoti Et-hem bej Vlora, përfaqësi i Fëmijës’ së të ndjerit’ Ismail Qemal Beutë, Prefekti i Vlorësë, A. Nepravishta.

    Në këtë verbal është shënuarë se flamuri i dhuruarë Muzejës’ Kombëtare është muu ay që pati ngriturë në Vlorë me dorën’ e vehtë i ndjeri Ismail Qemal Beu, të 28në të Vjeshtës’ së tretë 1912.

    2) një shkresë e Prefekturës’ së Vlorësë, Nri 172 me ditë 21 Jenar 1933, në të cilën’, ndër t’ jera, është shënuarë se si pas kërkim’ e hetimeve të bërë nga Prefektura e Vlorësë, ky flamur nuk ‘ ka qënë ngritur’ kurrë mbi ndërtesën’ qëverritare as ditën’ që ulëҫit të krye-mbë-vehtët’ të Shqipërijésë as mëë pas, po ka valuarë vetëmë për një kohë të gjatë mbi godinën’ e Doganës’ së detitë të Vlorësë.

    Për të kthillurë këtë pikë u kërkuanë hollësija nga Zoti Et’hem Bej Vlora, i cili pati mirësijën’ të apinj’ këta shënime:

    1) flamurin’ që i u dorëzua Muzejës’ Kombëtare, i a fali të ndjerit’ Ismail Qemal Beutë Duku i Monpansierit’, kur pat’ ardhurë në Vlorë, nga Marsi i vitit’ 1913.

    2) qëverrija e Shqipërijësë e përdori për Doganën’ e Vlorësë, mbi ndërtesën’ e së cilësë valoj gjer ditën’ që Ismail Qemal Beu hoqi dorë nga Kryesija e Qëverrijësë.

    3) mbë t’ ularguarë nga Vlora Ismail Qemal Beu, kërkoj të ketë si kujtim një nga flamuret’ të Qëverrijësë; usgjoth ky flamur dhe i udorëua Zotit’ Et-hem Bej Vlora, i cili e pati me vehte gjatë kohës’ që bashkë me t’ anë undodhën’ ndëpër Evropë.

    4) ditën’ që i ndjeri Ismail Qemal Vlora ndërroj jetë në Perugia të Italijësë (25 Jenar 1919) Zoti Et-hem Bej Vlora mbuloj trupin’ e t’et me këtë flamur.

    5) kur upru i vdekuri në Vlorë dhe uvendos në sallën’ e fllugërijës’ së përmortëshme, që pati navaturë Kumanda e Ushtërijës’ Italjane, prapë ky flamur under mbi arqivolin’ e të vdekuritë.

    6) gjatë përsjellës’ së trupitë nga Vlora në Kaninë, arqivoli qe mbuluarë me po këtë flamur.

    7) edhe ditën’ që eshtërat’ të të ndjerit’ Ismail Qemal Beutë umbartën’ nga Kanina në Vlorë, për t’ ukallurë në varrin’-monoment, që ngrehu Qëverrija Mbëretërore e Shqipërijësë, ky flamur qe nderur’ mbi arqivolin’ edhe gjatë rrugësë edhe gjer sa mori funt shërbesa e të kalluritë, pas së cilësë Zoti Et-hem Bej Vlora u a dorëzoj Përfaqësvet’ të Qëverrijësë Mbëretërore, si kujtim për t’ uruajtur’ në Muzejën’ Kombëtare.

    Tiranë, 10 Shkurt 1936”

    Më poshtë, majtas, është firma dhe vula e Bibliotekës dhe Muzeut Kombëtar, ndërsa djathtas firma e Et-hem Bej Vlorës.

    ………………………………………..

    Në vitin 1946 materialet e Muzeut Kombëtar i kaluan Institutit të Shkencave. Në vitin 1957, kur u krijua Universiteti i Tiranës, mori jetë edhe Instituti i Histori-Gjuhësisë, i cili pati në vartësi të vet edhe Muzeun Arkeologjik-Etnografik, si edhe fondin etnografik. Në këtë fond kaluan edhe flamujt, që ndodheshin dikur në Bibliotekën dhe Muzeun Kombëtar. Mirëpo nuk pati asnjë dokument për historinë e tyre. Kështu, ata mbetën enigmë. Edhe i ndjeri Rrok Zojzi, themeluesi dhe shefi i etnografisë dhe i fondit etnografik, e kishte me të dëgjuar se dikush i kishte dorëzuar flamujt pa dhënë ndonjë sqarim për ta, duke thënë: merrini dhe ruajini edhe këta! Punonjësja më e vjetër e fondit etnografik Znj. Pandora Plaku, kujton edhe në ditët e sotme porosinë e Rrok Zojzit për kujdesin ndaj këtyre flamujve dhe punën që ka bërë ajo me kolegët e saj për t’i mbrojtur këta flamuj nga infeksionet e insekteve dhe nga dëmtime të tjera.

    Ishin tetëmbëdhjetë. Puna për identifikimin e tyre filloi dhjetë vjet më parë. Më 2 dhjetor 2011 i erdhi radha këtij. Se si ndodhi mund ta tregojmë ndonjë herë tjetër.

    Flamuri është i plotë, por ka dëmtime të shumta. Ngjyra e kuqe është zbehur nga veprimi i diellit. Duket të jetë pis. Duhet restauruar. Do të jetë një punë jo e lehtë në gjendjen që është ai!

    Pavarësisht nga të dhënat e grumbulluara deri më sot, rëndësia e këtij flamuri dikton domosdoshmërinë e studimeve gjithnjë edhe më të gjera për të ndriçuar maksimalisht këtë simbol kombëtar.

    Edhe disa ditë dhe ky flamur do të ekspozohet përkohësisht në mjediset e Qendrës së Studimeve Albanologjike për të kujtuar përvjetorin e vdekjes së Ismail Qemalit.

    Shekulli
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17
    Nata e fundit e Ismail Qemalit në Peruxhia, dyshimet për helmim. Rrëfimi i të birit: I hodhën helm në kafe

    Dokumentari për të pathënat e biografisë së themeluesit të shtetit shqiptar.

    Rrethanat e panjohura të tragjedisë gjatë udhëtimit për në Konferencën e Paqes në Paris.

    Et’hem Vlora, i biri i Ismail Qemalit: I hodhën helm në kafe.

    Fjalët e fundit të Ismail Beut: Më hëngër me të pabesë.

    Çastet fatale gjatë konferencës së shtypit në hotel “Brufani”

    Në episodet e zbuluara nga jeta e panjohur e krijuesit të shtetit shqiptar në dokumentarin e gazetarit Roland Qafoku “Ismail Qemali që nuk kemi njohur”, ajo e çasteve fatale në Peruxhia të Italisë, është ndër më interesantet. Ismail Vlora, që pas shpalljes së pavarësisë mori rrugën të përmbushte pjesën tjetër të sfidës, njohjen e shtetit shqiptar nga Fuqitë e Mëdha në Konferencës e Paqes, në rrethana misterioze ndërroi jetë në hotel “Brufani”. Dilemave të shumta për vdekjen e papritur të babait të kombit, në dokumentar u jep një farë zgjidhjeje dëshmia e Et’hem Vlorës, djalit të Ismail Beut, i cili ka qenë i pranishëm në çastin e vdekjes. Sipas tij, nuk bëhet fjalë për vdekje natyrale, por për një helmim të qëllimshëm. Në këtë argument bashkohen pak a shumë edhe studiuesit e ekspertët e thirrur nga gazetari për të shkuar tek e vërteta. Përtej këtij momenti kulmor, dokumentari i Qafokut ndriçon të tjera fakte e ngjarje të panjohura nga jeta e Ismail Qemalit. Ndër to tërheqin vëmendjen të pathënat e përplasjeve në kabinetin e tij qeveritar, konflikti me ministrin e Brendshëm Libohova, marrëdhëniet problematike me Konicën e Nolin, mosmarrëveshjet me pjesëtarët e tjerë të fisit Vlora etj.


    KARRIERA NE PERANDORINE OSMANE

    Në vlerësim të punës së Ismail Qemalit, në dosjen personale të administratës turke shkruhet: “Vali i denjë, diplomat, deputet, udhëheqës shteti, mendimtar dhe kryetar i parë i shtetit shqiptar”. Ja cilat janë detyrat që Ismail Vlora mbajti në administratën e Perandorisë Osmane: Përkthyes në zyrën speciale në Ministrinë e Jashtme, guvernator i Përgjithshëm i Talcea, Bullgari, guvernator i Danubit të Poshtëm, kryetar i Komisionit Europian të Danubit, sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Jashtme, guvernator në Bolu dhe në Galipoli (Turqi), anëtar i Këshillit të Shtetit, guvernator i Përgjithshëm në Bejrut (Liban), guvernator (ad interim) i Sirisë, deputet në Parlament, i zgjedhur nga Berati dhe Vlora, kryetar i Parlamentit turk, kryetar i partisë turke, bashkëhartues i Kushtetutës së parë osmane 1876. Në dokumente bëhet e ditur se Ismail Qemali ka refuzuar detyrën e ambasadorit të Perandorisë në Angli, si dhe atë të ministrit të Brendshëm e të Jashtëm. Kulmi profesional i Ismail Vlorës arrin në pjesëmarrjen e tij në hartimin e Kushtetutës së Perandorisë Osmane. Artikulli 108 i kësaj Kushtetute pranonte që “Administrata e krahinave do të kishte si themel parimin e decentralizimit”(17). Një nga idetë e Mit’hat Pashës, emëruar për të dytën herë Vezir i Madh, në 1876-n, ishte krijimi i një vilajeti shqiptar. Fatkeqësisht, pak muaj pas emërimit, reformatori i madh turk u arrestua, u dëbua nga Turqia dhe më vonë u vra. Kushtetuta, e cila kishte për qëllim forcimin e Perandorisë, mbeti e pazbatuar deri në 1908-n. Për idetë e tij liberale dhe bashkëpunimin me Mit’hat Pashën, që binin ndesh me regjimin absolutist të Abdul Hamid-it II, Ismail Qemali vuajti 7 vite internim (1877-1884).


    UDHETIMI DREJT VLORES

    Vapori “Baroni Beck”, në të cilin udhëtonte Ismail Qemali drejt Shqipërisë për të shpallur pavarësinë, ndoqi rrugën Stamboll, Bukuresht, Budapest, Durrës, Vlorë. Mbërritja në Durrës u shoqërua me një situatë të pakëndshme e të papritur. Ismail Qemali, duke iu kthyer këtyre çasteve kujton: “Me të vënë këmbë në qytet, moskuptimi i durrsakëve për Aktin e Shpalljes së Pavarësisë na dha të kuptonim se një punë e tillë nuk mund të bëhej atje. Ne u thoshim të përpiqemi për shpëtimin e atdheut, ata na thanë tradhtarë. Turqia nuk ka humbur dhe nuk humbet. Qysh mundeshim ne tua mbushnim kokën këtyre njerëzve? Kështu u shtrënguam t’u thoshim të mirëmbetëshin, Zoti u dhëntë mend dhe u nismë për në Vlorë”.
    Në përpjekjen për të shpallur pavarësinë në Durrës, Ismail Qemali u përball me tentativën e një arrestimi. Ja si e kujton Mehmet Ndroqi, sekretar i Hamid Toptanit, mbërritjen e Ismailit në Durrës. “Kur doli Ismail Qemali në Durrës, ra në hotel ‘Konstandinople’ që gjindej në breg të detit. Dhespoti Jakovi në bashkëpunim me turkomanët, thanë se i kishin qenë besnikë flamurit turk në 500 vjet dhe ashtu do të vdisnin. Autoritet turke menduan ta arrestojnë Ismail Benë, por Hamid Toptani, që ishte komandanti i rezervistëve, gjithsej 800 veta, e ndaloi këtë punë. Për të shmangur arrestimin e Ismail Beut, Hamid Toptani mblodhi një tufë me kuaj dhe ia vuri në dispozicion për udhëtimin që nisi më 23 nëntor dhe e shoqëroi atë deri në Kavajë. Karvani me në krye Ismail Beun, 27 delegatë nga zonat përreth dhe një shpurë shoqëruesish ndërmorën kështu udhëtimin e gjatë, të vështirë, të rrezikshëm, por më të rëndësishmin, një udhëtim që kishte si finale ngritjen e një shteti të ri në Ballkan, Europë e në botë. Një repart turk ua preu rrugën dhe shefi i Xhandarmërisë, i hipur në kalë, i tundte në ajër një urdhër. Aty shkruhej se Ismail bej Vlora duhet të arrestohej. Fati e deshi të mbërrinte edhe një urdhër i dytë, sipas të cilit Ismail Beu duhet të lihej i lirë. Karvani mori sërish rrugë, por andrallat nuk kishin të mbaruar. Një stuhi e fuqishme me shi të rrëmbyeshëm përmbyti tokat rreth e qark dhe lumi i Vjosës dhe Semanit doli nga shtrati. Karroca ku Ismail Beu udhëtonte u prish dhe udhëtimi nuk ishte më i mundur. Sakaq, koha nuk priste, serbët tanimë në Durrës, grekët po afroheshin drejt Vlorës, një tjetër ushtri serbe po afrohej nga Ohri në Tiranë dhe nëse vazhdonte kjo situatë, historia do të shkruhej ndryshe. Megjithatë, plaku i Vlorës, falë edhe ndihmës së fshatarëve të zonës, pas tri ditë e tri netësh udhëtim, në mbrëmjen e 26 nëntorit mbërriti në Vlorë. Të lodhur, të rraskapitur, të dërrmuar nga ajo rrugë e gjatë, por me një gëzim dhe dëshirë të zjarrtë për të përligjur ëndrrën shekullore të shqiptarëve, për të shpallur pavarësinë. Gazeta “Dielli” e datës 5 dhjetor 1912, në editorialin e saj shkruante: Historia e Shqipërisë do të përmendë me ngashërim ditën e bukur që Ismail Qemali u nis nga Durrësi me shokët e tij për të mbaruar në Vlorë “misionin e madh”. Ka një hije politike të rrallë ky udhëtim i një grushti shqiptarësh për të shpëtuar Shqipërinë, për të bërë të vdekurin të gjallë, dhe për të shëruar trupin e asaj nëne fisnike, e cila po humbet gjakun nga një mijë plagë.

    SHPALLJA E PAVARESISE

    Aktin e Shpalljes së Pavarësisë plaku i urtë i Vlorës e kishte paralajmëruar më herët. Më 19 nëntor 1912, Ismail Qemali, përpara nisjes për në Durrës, i deklaronte gazetës italiane “Piçolo”: “Shpallja e pavarësisë është e pashmangshme. Ne duam t’i paraqesim Europës faktin e kryer. Do të krijohet një qeveri e përkohshme dhe ndoshta, unë do të jem kryetar. Ju siguroj se për idenë e pavarësisë jemi të gjithë në një mendje”. Ndërkaq, duke përshkruar momentin e Shpalljes së Pavarësisë, Ismail Qemali kujton: “28 NËNTOR 1912, ORA 14:00. Ky është moment më i rëndësishëm në të gjithë historinë e Shqipërisë. Oh, sa të lumtur e ndjej vehten sot që shoh këtu në Vlorë kaq burra shqiptarë të mbledhur tok, duke pritur me kureshti e padurim përfundimin e kësaj mbledhjeje historike për fatin e atdheut tonë të dashur. Plot me gaz e me lot ndër sy nga mallëngjimi, pra po dal këtu para jush që t’ju gëzoj me sihariqin e madh se sot edhe këtë minutë Kongresi çpalli mëvehtësinë e Shqipërisë, duke lajmëruar gjithë botën mbarë për këtë punë e duke më ngarkuar mua kryesinë e qeverisë së përkohshme të Shqipërisë së lirë”. Atë çast fatlum për Shqipërinë e kemi të përshkruar aq mjeshtërisht nga Luigj Gurakuqi: “Në krye të tavolinës rrinte Ismail Qemali, kurrë s’ishte dukur më i ri. Fytyra e tij e ëmbël fiton me të parë zemrat dhe nderimin”. Ky ishte plaku i urtë i Vlorës, babai i kombit, themelues i shtetit shqiptar, njeriu që ngriti flamurin, duke u dhuruar shqiptarëve shtetin e tyre.

    PËRPLASJA ME MYFIT LIBOHOVËN

    Studiuesit e shumtë e vlerësojnë Ismail Qemalin një produkt më të madh se statuja e popullit që e përfaqësonte. Ai ishte një personalitet që spikaste për maturi dhe i besonte më shumë diplomacisë dhe zgjuarsisë, sesa forcës kur përballej në debate të tilla si ai me Myfit Libohovën, që zbulohet për herë të parë pas 100 vjetësh. Aty nga mesi i vitit 1913, kur Kryeministri shqiptar ballafaqohej me çështje nga më kritiket për fatet e vendit, i del hapur një tjetër kundërshtar, madje nga radhët e kabinetit qeveritar. Myfit bej Libohova, asokohe ministër i Punëve të Brendshme, në një letër denoncuese i drejtohej Ismail Qemalit: Ju njoftoj naltësia tuaj të ndiqni rrugën e ndërgjegjes e të njerëzillikut dhe të na paguani borxhet që na detyroheni me dëftesë e pa dëftesë.” As më shumë dhe as më pak: Ministri Brendshëm i kërkon Kryeministrit t’i kthejë ato pare që ia dha për të shkuar delegacion në Europë për njohjen e shtetit shqiptar! Sidoqoftë, ankesa e Libohovës nuk ishte fare pa arsye. Sipas të dhënave të kohës, pakënaqësia e tij paska qenë përse Kryeministri Ismail Qemali nuk e caktoi atë, por Luigj Gurakuqin në Komisionin Ndërkombëtar të Kontrollit(!). Një natyrë sjelljeje kjo si e politikanëve të sotëm që e kanë trashëguar nga një takëm paraardhësish si Libohova, që paratë e vëna në shërbim të Pavarësisë së Shqipërisë ia kërkonte më pas Ismail Qemalit në formë borxhi.

    QEVERISJA

    Akti i Shpalljes së Pavarësisë është simbolik dhe me ide vizionare, sepse për qeverisje të Ismail Qemalit është shumë pak të thuash. Kjo qeveri kishte nën kontroll vetëm pesëkëndëshin Vlorë-Gjirokastër-Tepelenë-Fier-Berat. Por, edhe në këtë zonë nuk kishim të bënim me një administratë solide. Aq e theksuar ishte kjo, sa mjafton të sjellim një telegram urgjent të datës 13 mars të vitit 1913 nga Selman Shehu, nënprefekti i Tepelenës për Kryeministrin Ismail Qemali, i cili thotë: “Për shkak të kushteve të këqija, janë arratisur nga detyra të gjithë xhandarët dhe nuk ka ndonjë fuqi për të siguruar rendin dhe qetësinë e vendit”. Të tilla detaje janë shumë kuptimplote kur flasim për madhështinë e Ismail Qemal bej Vlorës. Plaku i Vlorës ngriti një shtet ku nuk ekzistonte asgjë. Ndërkohë që rrethohet nga të gjitha anët nga shtete që donin t’i merrnin ç’të mundin. Duke iu referuar këtij fakti, mbesa e Kryeministrit anglez Gerorge Lloyd, Margaret Macmillan, në librin e saj “Paris 1919″, shkuan: “E gjora Shqipëri, sa e vogël, por me sa shumë armiq të mëdhenj!”

    TENTATIVA PER VRASJE

    Tentativa e parë për eliminimin e Ismail Vlorës ndodhi më 7 shtator 1901. Gazeta greke “Sotiria” shkruan: “Me tre fëmijët e vegjël shkoi në një anije anglezë, ku Ismail Vlora i dorëzoi ambasadorit anglez N.O.Konor letrën: “I lutem shkëlqesisë tuaj që të kini mirësinë të më ofroni mbrojtjen tuaj të lartë duke i dhënë kapitenit të anijes udhëzimet e duhura që të më nxjerrë jashtë atdheut tim, të cilin po e braktis për arsye të patriotizmit të tepruar”. Ishte koha e përndjekjes së Sulltanit ndaj Ismail Vlorës për shkak të bashkëpunimit të tij me Vezirin e Madh, Mit’hat Pashën, një reformator që pasi u dënua, u vra. Kjo solli edhe përndjekjen ndaj Ismail Vlorës.
    Tentativa e dytë kishte të bënte me Gani Toptanin, vëllain e Esat Pashë Toptanit. Sipas dokumenteve të kohës, Ganiu ishte një agjent direkt i Sulltanit të Perandorisë Osmane dhe nuk ishin të pakta rastet që Ganiu kishte kryer vrasje me porosi direkte të tij. Ngjarja mori përmasa reale, kur dy miqtë e Ismail Vlorës i thonë që Sulltani kishte urdhëruar Gani Toptanin për ta vrarë. Duhet kujtuar që dy vëllezërit Gani dhe Esat Toptani kishin për motër nënën e Eqrem bej Vlorës, djalin e kushëririt të Ismail Vlorës, të cilin e quante nip. Në bisedë e sipër, miqtë i kishin thënë Ismail Qemal Vlorës se Ganiu i kishte garantuar se edhe pse sulltani i kishte dhënë urdhër, ai nuk do ta vriste Ismail Vlorën, në të kundërt, do të arratisej ose do të vriste veten. Nuk ndodhi as e para, as e dyta, por ndodhi kjo e treta. Për fatin e Ismail Vlorës, Ganiu vrau veten aksidentalisht, duke luajtur me një mikun e tij.

    NJE VDEKJE PLOT DYSHIME

    Akti i Shpalljes së Pavarësisë për Ismail Qemalin, sado i rëndësishëm, ishte vetëm një pjesë e sfidës. Pjesa tjetër e aktit final kishte të bënte me konfirmimin e saj nga Fuqitë e Mëdha. Rasti dukej se po vinte në Konferencën e Paqes në Paris. Viti 1919 sapo kishte hyrë dhe themeluesi i shtetit shqiptar po kërkonte mundësinë për të qenë aty i pranishëm. Me premtimin e liderëve të Italisë deri te Kryeministri Vittorio Emenuale Orlando, Ismail Vlora u bë gati të shkonte në kryeqytetin e Francës, ku do të mbronte çështjen e Shqipërisë. Por aty nuk do arrinte kurrë. “Çështjen e cilës Shqipëri?, pyet Ismail Vlorën gazetari William Fullerton i gazetës “Times” dhe po aty përgjigjet vetë: “Plaku i gjorë ishte simbol i zhgënjimit që i priste 50 popuj të ardhur me vrap në Paris, sikur po vinin në Mekë”. Vetëm katër ditë para vdekjes, Ismail Vlora shkruan në një letër: “Sot është dita vendimtare e Shqipërisë, do të ngjallemi apo do të vdesim. Unë e dua Shqipërinë nën regjimin demokrat e federal për popullin shqiptar”. Por teksa priste në Peruxhia të Italisë, në hotel “Brufani” lajmin për të takuar politikanët italianë, vdiq papritur. Një vdekje shokuese dhe plot mister, për të cilën është folur në vite. Sidoqoftë, ata që kanë qenë pranë tij në momentet fatale kanë regjistruar fjalët e fundit të babait të Pavarësisë: “Më hëngër me të pabesë”.

    Et’hem Beu, djali i Ismail Vlorës, që ka qenë i pranishëm në çastet kur ka ndërruar jetë i ati, duke i treguar kryetarit të Bashkisë Ali Asllani situatat gjatë qëndrimit të tyre në Peruxhia, shpjegon: “Një ditë i përgatitën babait një konferencë për gazetarët. Pas buke ai hyri në sallon ku e prisnin korrespodentët. Që në fjalitë e para të bisedës, i zverdhur e i lëkundur nisi të belbëzojë e të mos lidhte dot fjalët. Kërkoi ta çonin në banjë. Atje e mbyti shkuma dhe të vjellët. Dyshimet e para përafronin idenë se diçka ishte hedhur në të dy filxhanët e kafesë që kishin pirë at e bir në barin e hotelit, pak minuta para konferencës së shtypit. Gazeta “L’Unione Liberale” e datës 27 janar 1919, shkruan: “Dje në mbrëmje, në orën 23:30, pushoi së jetuari në hotel “Brufani” miku i shquar i qytetit, Ismail Qemal bej Vlora”. Gjithçka nga ai moment e deri më sot nuk është sqaruar plotësisht. Një sërë dilemash vazhdojnë të preokupojnë studiuesit e shumtë: Në çfarë rrethanash u izolua Ismail Vlora në Peruxhia? Çfarë fshihej pas konferencës së shtypit që u lajmërua jashtë axhendës? Pse u vonua ndihma mjekësore dhe pse nuk iu krye autopsia kufomës? Kush ishin shqiptarët që atë ditë udhëtuan në Peruxhia dhe qëndruan vetëm pesë orë? Përse djali i pronarit të hotelit ku vdiq Ismail Beu ka thënë se i ati e kishte pengun e jetës vdekjen e tij? Cili ishte rrethi i njerëzve që i interesonte eliminimi i Ismail Qemalit dhe kush përfitonte nga vdekja e tij? Kujt i hapej rruga për karrierë politike dhe sundim të Shqipërisë pas kësaj? Kishin kaluar pak më shumë se shtatë vjet nga Akti suprem për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Çdokush që njihet sadopak me rrethanat si ndërroi jetë Ismail Vlora dhe mënyrën e papritur të vdekjes, në mendje i vijnë fjalët e fundit në fjalimin e tij kur ngriti flamurin shqiptar në ballkonin më të famshëm në Shqipëri:…Të pranoj që këtej e tutje të jem unë dëshmori i parë i atdheut, ashtu siç pata nderin dhe fatin që të jem i pari ta puth e ta bëj të valëvitet i lirë flamuri ynë në atdhenë tonë të lirë. Dhe ndodhi vërtet që Ismail Qemali u bë dëshmori i parë i shtetit shqiptar.

    Tre dokumentarë për pavarësinë
    Përveç dokumentarit “Ismail Qemali që nuk e kemi njohur”, gazetari Roland Qafoku ka përgatitur edhe dy të tjerë. Njëri syresh për 100 personalitetet më të rëndësishme në 100 vitet e shtetit shqiptar, që ka në fokus një aradhë shumë interesante figurash, të cilët kanë bërë realisht historinë e Shqipërisë, me të mirat dhe të këqijat e tyre. Dokumentari i dytë u kushtohet delegatëve dhe firmëtarëve të Pavarësisë, atyre që shpallën aktin më sublim të shtetit shqiptar, duke sjellë për herë të parë pa asnjë censurë profilin e plotë të tyre, me identitetet dhe jetëshkrimet përkatëse, me kontributet e gjithsecilit, përtej vështrimit bardhë e zi. Filmi për Ismail Qemalin, për autorin vlerësohet më i rëndësishmi. Për realizimin e tij, Qafokut i janë dashur disa vite për të hulumtuar në kërkim të jetës së panjohur të themeluesit të shtetit shqiptar.

    Panorama

    Shenim: Ne foto eshte Ismail Qemali dhe protagonistë të tjerë të Aktit të Pavarësisë, në 1-vjetorin e shpalljes së saj.
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  

  5. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Kush e helmoi Ismail Bej Vlorën në Itali?

    A u helmua Ismail Bej Vlora nga kundërshtarët e tij politikë? (FOTO)

    Emri:  11f6932293b8f0b52d651934d3488370_XL.jpg

Shikime: 2419

Madhësia:  74.1 KB

    Emri:  km.jpg

Shikime: 1218

Madhësia:  83.8 KB

    Si sot 96 vjet më parë, krijuesi i shtetit shqiptar, Ismail Bej Vlora, ndërroi jetë në Peruxhia të Italisë.

    Gazetari Roland Qafoku thotë se ai është helmuar nga kundërshtarët e tij politikë.

    “Ismail Qemal Vlora ka vdekur si pasojë e një helmimi në ushqim nga kundërshtarët politikë, shqiptarë dhe të huaj.

    Nëse një ditë shteti shqiptar do investohet për të kryer një hetim special me analiza, padyshim vdekja e tij do jetë skandali më i madh dhe ngjarja më e rëndë që ka ndodhur në historinë e Shqipërisë.

    Nderim për burrin e shtetit më të madh që ka nxjerrë shteti shqiptar”, shkruan Qafoku.

    Koha Jone

  6. #6
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Kush e helmoi Ismail Bej Vlorën në Itali?

    Helmim apo hemorragji cerebrale/ Misteri i vdekjes së Ismail Qemalit

    Emri:  ismail-qemali.jpg

Shikime: 43

Madhësia:  31.5 KB

    Në çastet e fundit të jetës së vet, Ismail Qemali kishte thirrur një konferencë shtypi me gazetarët italianë, për të shprehur shqetësimet lidhur me atë që konferenca e paqes në Paris do të vendoste për kufijtë e Shqipërisë.

    Ishte 75 vjeç dhe prej vjetësh ishte larguar nga drejtimi i qeverisë së parë shqiptare në Vlorë, ku më 1912 kish shpallur pavarësinë. Situatat që Ismail Qemali kishte kaluar ato ditë në Peruxha të Italisë i kishin shkaktuar një gjendje të rëndë mendore dhe fizike. Edhe pse në atë gjendje, ai nuk kishte ngurruar të dilte para shtypit.

    Njëri nga djemtë e Ismail Qemalit ka deklaruar në ato ditë se qëndrimi i Romës ndaj vendit të tij e dëshpëroi shumë babanë e tyre. Për të mos e lënë në harresë misionin e tij, Ismail Qemali ftoi më 23 janar 1919 në hotelin “Brufani” ku kishte bujtur, korrespondentët e disa gazetave italiane që ndodheshin në Peruxha.

    Sipas të birit, Ethemit, kur Ismail Qemali, pasi kishte ngrënë drekë doli para gazetarëve që po e prisnin, sapo filloi të fliste u zverdh dhe filloi të dridhej e të belbëzonte. Ali Asllani, kryetari i Bashkisë së Vlorës, tregon se Ethemi i kishte thënë që Ismail Qemali “kërkoi ta shoqëronin në banjë. Atje e mbyti shkuma e të vjellët”.

    Vdekjen e tij e njoftoi, ndër të tjera, me një komunikatë të veçantë gazeta italiane “L‘Unione Liberale”, organ i Partisë Liberale të Italisë, e qendrës së djathtë, me këto fjalë: “Dje në mbrëmje, në orën 23.30 pushoi së jetuari në hotel ‘Brufani‘ mysafiri i shquar i qytetit, Ismail Qemal Bej Vlora”.

    Hemorragjia cerebrale e goditi më 23 janar dhe si pasojë paralizimi. Për të përballuar sëmundjen nuk patën dobi as mjekimi më i kujdesshëm i mjekut që e kuroi, doktor Leone Pernossi dhe të konsulentëve, prof. Silvestrini dhe prof. Righetti dhe as prania e dhembshur e djemve.

    Kufoma e Ismail Qemalit është mbajtur në Peruxha për dy javë pas vdekjes, me idenë e balsamosjes. Por, kjo i shtoi edhe më shumë dyshimet për helmim, pasi i kanë nxjerrë të gjitha organet e brendshme për të zhdukur çdo shenjë për autopsinë.

    I shoqëruar nga tre djem të tij: Ethemi, Qazimi dhe Qamili dhe nga përfaqësues të Ministrisë së Jashtme italiane, më 8 shkurt 1919, trupi i Ismail Qemalit u dërgua me tren në Brindizi nga ku, në bordin e torpedinieres “Alpino”, u shoqërua në Vlorë.

    Më 12 shkurt, nën një ceremoni madhështore, trupi i tij, i vendosur mbi shtratin e topit dhe i mbështjellë me Flamurin Kombëtar, u shoqërua në Kaninë, ku u varros në oborrin e Teqesë, në varrezat e familjes Vlora.

    “…Nëse masim madhështinë e një personaliteti politik me dashurinë e popullit të thjeshtë”, – shkruante në ‘Kujtime familjare’, Safa Vlora, – “duhet të pohojmë se asnjë nuk i afrohet Ismail Qemal Vlorës. Në ceremoninë e përmortshme… as fshatar as qytetar nuk qëndroi në shtëpi.

    Tërë faqet e maleve dhe brigjeve, që qëndronin gjatë udhëtimit, ishin mbushur me njerëz. Ishte një apoteozë madhështore e të gjithë popullit, pa dallim dhe një kurorë që Ai e fitoi me punën e tij të madhe në shërbim të vendit të tij, derisa dha frymën e fundit…” – e mbyll ai.

    Lapsi

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •