I dërguari i Musolinit në Shqipëri, Aloisi shtjellon raportet e Ahmed Zogut në lidhje me ekspansionin e mundshëm italian. Loja diplomatike e Zogut, afrimi me Anglinë dhe dilemat e fqinjëve për ndikimin italian. Historia shqiptare e sjell në librin “Marrëdhëniet Shqiptaro-Italiane në vitet 1920-1934”, të autorit Arben Cici

Emri:  ahmet-zogu.jpg

Shikime: 547

Madhësia:  119.8 KB

I vlerësuar nga historianë dhe kritikë letrarë si një nga librat më interesantë të botuar kohët e fundit, që hedh dritë mbi marrëdhëniet shqiptaro-italiane në vitet 1920-1934 dhe lëvizjet politike dhe ekonomike, autori Arben Cici sjell fakte të reja mbi rëndësinë që Benito Musolini i kishte dhënë jo vetëm Shqipërisë, por edhe liderit të saj Ahmet Zogu. Në libër, një vend i veçantë u jepet edhe kujtimeve të të dërguarit special të Musolinit në Shqipëri, Aloisit. Rezymeja jo vetëm politike e Shqipërisë së atyre viteve, por edhe karizma e Zogut, zënë vend në dokumentacionet e kohës dhe analizën e Aloisit. Nga ana tjetër Ahmed Zogu, për një periudhë të caktuar diti të mbajë qëndrimet e duhura në kohën e duhur. Ndërsa lëvizjet e tij diplomatike stepën qëllimet italiane për një “dorë dominuese” në Shqipëri dhe Ballkan. Më poshtë botohen pjesë nga libri “Marrëdhëniet Shqiptaro-Italiane në vitet 1920-1934”…

***

Shumë interesant është vlerësimi që i bën Aloisi në ditarin e tij këtij qëndrimi të Zogut: “Ahmed Zogu dëshironte të forconte lidhjet me Italinë, por nuk dëshironte të asfiksohej prej tyre…, por mbi të gjitha pavarësia është themeli mbi të cilën ai ka vendosur aspiratat e tij të ardhshme, të Senjorit të vetëm të padiskutueshëm të një Shqipërie, ndoshta të dobët, të varfër, të rrethuar nga armiq kërcënues, por formalisht e barabartë me të gjitha shtetet në sovranitetin e saj të plotë. Udhëzimi i Romës për përfaqësuesin italian ishte i prerë: “Nëse Presidenti shqiptar s’do të pranojë as variantin A dhe as variantin B atëherë duhet të deklarohet hapur se tratativat do të ndërpriten”, duke u shoqëruar edhe me kthimin përkohësisht në Romë të Aloisit. Përfaqësuesi italian, në zbatim të porosisë së Musolinit, u kthye në Romë duke i besuar drejtimin e përfaqësisë, por edhe të negociatave me Shqipërinë, sekretarit të saj, Francesko Jakomoni. 1 korriku shënon kulmin e presionit italian mbi Zogun të cilit, nëpërmjet Jakomonit, i erdhi një telegram i Musolinit në formë kërcënimi ku i theksonte se “Kryeministri italian kishte vendosur që çështja shqiptare të zgjidhej pa Ahmed Zogun”. Qeveria italiane e kuptoi se vazhdimi i bisedimeve me shqiptarët për marrëveshjen politike mbi bazën e Deklaratës së Parisit nuk mund të avanconte veçse duke e mënjanuar Zogun. Meqenëse ai po sillte pengesa për përfundimin e marrëveshjes politike, bisedimet u ndërprenë. I ndodhur në një situatë të hapur shantazhi dhe presioni, Presidenti shqiptar, për të parandaluar një rrezik të mundshëm dhe eminent për Shqipërinë, por edhe për të ardhmen e vet politike, zgjodhi rrugën e informimit dhe sensibilizimit të diplomacisë ndërkombëtare. Ultimatumin italian dhe kushtin për nënshkrimin e një marrëveshje sipas kërkesave të Romës ai i konsideroi si kërcënim jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Ballkanit. Në përgjigje të ultimatumit italian, Zogu i komunikoi Jakomonit më 2 korrik 1926 se, meqenëse bisedimet për paktin kishin të bënin me një subjekt të së drejtës ndërkombëtare dhe meqë Shqipëria ishte anëtare e Lidhjes së Kombeve, ai kishte informuar Anglinë, Francën dhe Jugosllavinë. Veprimi i tij synonte të parandalonte çdo të keqe dhe të pengonte çdo të papritur në dëm të Shqipërisë. Një argument tjetër i Zogut ishte edhe fakti që në të gjitha rastet kur Italia do të kishte vërejtje ndaj Shqipërisë ose do të ndërmerrte ndonjë hap ndaj saj, ajo duhej paraprakisht të paraqiste ankesën e saj pranë Lidhjes së Kombeve, pa ndërmarrë asnjë veprim tjetër që kishte të bënte me çështjen. Në planin e jashtëm, Zogu mori takim me përfaqësuesit e Anglisë, Francës dhe Jugosllavisë, të akredituar në Shqipëri. Gjatë takimit me ministrin anglez, O’Rej, ai informoi se pala italiane në formë ultimatumi, kishte kërkuar që të përfundohej një pakt politik, ku të përmbahej edhe referimi i Deklaratës së Konferencës së Ambasadorëve të vitit 1921. Në të kundërtën, Italia do të prishte marrëdhëniet me të. Duke e konsideruar këtë veprim armiqësor, Zogu i lutet diplomatit anglez që Anglia të bindë Musolinin përpara se ai të ndërmerrte ndonjë hap konkret ndaj Shqipërisë. Si pasojë e këtij hapi, më 30 qershor të vitit 1926, ambasadori i Anglisë në Romë, Graham, u takua me Musolinin, të cilit i foli për ankesën e Zogut duke i kërkuar që të mos ngrihej në këtë kohë çështja shqiptare. Për këto përçapje të Qeverisë angleze u vu në dijeni edhe vetë Zogu. O’Rej e informoi Zogun se Anglia e kishte paralajmëruar Italinë se tratativat italo-shqiptare për të firmosur një marrëveshje politike në drejtimin e propozuar ishin në kundërshtim me marrëveshjet e Fuqive të Mëdha. Reagimi i Francës ndaj kërkesës së Zogut ishte i menjëhershëm. Për rivalen e vjetër të Ballkanit u krijua një mundësi për të sfiduar forcën italiane në Adriatikun lindor. Ajo i propozoi Anglisë që së bashku të dërgonin nga një anije luftarake në brigjet e Shqipërisë për të treguar së ato ishin për ruajtjen e integritetit të Shqipërisë, por Anglia e refuzoi atë duke thënë se do ta detyronte Italinë të respektonte pavarësinë e Shqipërisë. Jugosllavia veproi edhe ajo nëpërmjet Anglisë duke e paralajmëruar atë se jo vetëm ultimatumi i Musolinit ishte për t’u marrë shumë seriozisht, por edhe pranimi i mundshëm nga ana e Zogut e nënshkrimit të një pakti të tillë do të kishte pasoja të kobshëm për pavarësinë e Shqipërisë, sepse Italia mund të hynte me ushtri dhe ta pushtonte me çfarëdo preteksti pa e cenuar brendinë e paktit. Më 10 korrik, ministri jugosllav në Londër, Gjuriç, mori përgjigje se Anglia ishte deklaruar për ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë. Ndaj presionit të Musolinit, Zogu reagoi logjikisht edhe në mënyrë direkte duke urdhëruar pezullimin e misionit të oficerëve italianë të thirrur për organizimin e ushtrisë shqiptare. Paralelisht, ai sensibilizoi opinionin vendas duke shkaktuar krijimin e një klime anti-italiane në të gjithë vendin dhe zëvendësimin e saj me një simpati ndaj ndikimit anglez. Në këto kushte, ai lejoi anijet luftarake angleze të lundronin lirisht në ujërat territoriale shqiptare të Adriatikut bile të bënin edhe manovra nën komandën e kryqëzorit “Dauntllis”. Këtë situatë të disfavorshme dhe të turbullt për interesat italiane gjeti Aloisi në Shqipëri mbas kthimit të tij nga Roma më 7 korrik 1926. Atmosfera anti-italiane e nxitur, sipas tij, nga vetë shqiptarët, por edhe nga një prani jo e zakontë angleze ishin të papranueshme për Romën. Presidenti shqiptar ishte i vendosur të mos ndryshonte qëndrimin e tij ndaj oficerëve të misionit italian dhe Aloisi i shkruante Romës se Ahmed Zogu kishte rënë nën ndikimin e Britanisë së Madhe dhe ndihej i mbrojtur prej saj nga prania e skuadronit anglez në Adriatik. Në realitet, Anglia përkrahte tendencat ekspansioniste të Italisë jo vetëm në Shqipëri por edhe në Ballkan, por gjithmonë, në një mënyrë paqësore, deri në atë shkallë sa të mos cenohej hegjemonia angleze në këtë rajon dhe të mos komprometohej politika dhe e aleateve të saj. Në këto momente, Anglia mbetej e vetmja fuqi e cila mund të frenonte, qoftë edhe përkohësisht ambiciet e Musolinit ndaj Shqipërisë dhe Zogu nuk ishte gabuar në zgjedhjen e tij. Anglia, duke qenë aleate e ngushtë e Greqisë, kuptonte se destabilizimi i situatës në Shqipëri komprometonte dhe rrezikonte jo vetëm Greqinë, por edhe interesat angleze atje.

Së fundi, një depërtim italian në Shqipëri sipas formës së kërkuar nga Musolini, patjetër, do të shkaktonte lindjen e një konflikti italo-jugosllav, i cili do të acaronte ndjeshëm marrëdhëniet me probleme tashmë midis Francës dhe Italisë për të cilat vetë Anglia ishte e interesuar që të mbeteshin të ekuilibruara. Qeveria angleze ishte e interesuar të ruante, sovranitetin, kufijtë ose integritetin territorial të Shqipërisë, si dhe stabilitetin, qetësinë dhe paqen në mënyrë që investimet e kapitalit anglez në fushën e naftës të mos rrezikoheshin tamam në momentin kur specialistët anglezë pohonin se kishin gjetur naftë dhe investimet ishin me perspektivë. Për Anglinë, fuqia më e aftë për të penguar dhe balancuar ndikimin francez dhe atë sovjetik në Evropën juglindore ishte Italia, por ajo mendonte se në lidhje me Shqipërinë, Deklarata e Parisit e vitit 1921 s’duhej prekur pasi për të kishte një procedure të caktuar në Lidhjen e Kombeve. Presidenti shqiptar, i kënaqur nga rezultati i tij diplomatik në arenën evropiane mendoi se ishte momenti të forconte marrëdhëniet me Jugosllavinë, jo më tepër për xhelozi se sa për të mbushur boshllëkun e krijuar në politikën e tij të jashtme. Ndoshta, ai, duke mos qenë shumë i qartë dhe i vendosur në orientimin e politikës së tij të jashtme, përpiqej të zinte dhe të linte aleatë politikë në interval shumë të shkurtra kohe, mbështetur në konjukturat e momentit. Kjo provon mungesën e koherencës dhe të strategjisë në diplomacinë e Zogut në atë kohë si dhe për panikun e anarkinë në të cilën ndodhej vetë qeveria shqiptare.

MAPO