“Parashikohet edhe përfshirja e Turqisë, për të ndalur komunizmin dhe ekspansionin sllav pas lufte”

Emri:  Mithat-Frashëri.jpg

Shikime: 2259

Madhësia:  64.5 KB
Mithat Frashëri

Në vitin 1944, një marrëveshje e propozuar nga nacionalistët shqiptarë për ata grekë për të pasur një bashkëpunim deri në krijimin e një federate greko-shqiptare ka hasur në spekulime të shumta. Mungon një qasje shteruese për këtë zhvillim mjaft interesant në pranverën e vitit 1944, kjo edhe për shkak të dokumentacionit të pakët. Ndërsa historiografia shqiptare (ajo greke është duke u marrë me këtë çështje) nuk ka ende një shpjegim të plotë mbi këtë iniciativë interesante të Ballit Kombëtar dhe qeverisë shqiptare të atij viti, në ndihmë vjen edhe dokumentacioni voluminoz britanik.
Balli Kombëtar nisi një sipërmarrje ndryshe në fillim të vitit 1944, duke pasur si prioritet luftën kundër komunizmit dhe në veçanti ekspansionit jugosllav, që po dukej më afër triumfit (Disa historianë e shohin më shumë si iniciative të qeverisë së Mehdi Frashërit dhe jo të Ballit Kombëtar). Nëpërmjet një gazetari dhe personaliteti si Dhimitër Fallo, kreu i Ballit Mithat Frashëri hapi mundësinë e bashkëpunimit me Greqinë, deri në krijimin e një federate, duke pasur si mundësi përfshirjen edhe të Turqisë në të, në mënyrë që të ndalohej komunizmi e në veçanti rritja e ndikimit sllav pas lufte. Frashëri propozoi kufirin e vitit 1939, respektimin e minoriteteve, komandën ushtarake në rast lufte ta drejtonte Greqia, por Shqipërisë t’i njihej e drejta që brenda kufirit të saj të kishte Kosovën dhe Dibrën.

Pavarësisht se nuk pati arritje konkrete apo marrëveshje, nga arkivi britanik zbulohet se ka pasur zhvillime interesante në palën greke.
Letra e Mithat Frashërit drejtuar Dhimitër Fallos në Selanik, më 10 maj 1944, ishte gjetur e plotë nga britanikët dhe, bashkë me të, edhe dokumentacioni zyrtar nga qeveria shqiptare e letrave kredenciale.

Por bashkë me to është edhe një dokument me komentet e një majori britanik Mallkeous, i cili i drejton ato drejt Ministrisë së Jashtme në Londër për të marrë një mendim në lidhje me këtë zhvillim. Pjesa interesante e dokumentit britanik është fakti se bisedimet kanë qenë të ndara. Pra, që Balli Kombëtar ka tentuar të kontaktojë forcat nacionaliste greke, ndërsa nga ana e qeverisë shqiptare të kontaktohet qeveria greke. Majori britanik informon se propozimet e Ballit Kombëtar duket se kishin zgjuar në një pjesë të madhe të zyrtarëve grekë në atë kohë. Sipas tij, mjaft oficerë grekë ishin dakord që Shqipëria të kishte brenda saj Kosovën dhe Dibrën. Ata shihnin me mjaft shqetësim bashkëpunimin që kishte nisur mes komunistëve shqiptarë dhe atyre grekë. Majori britanik vlerësonte se një marrëveshje ushtarake mes nacionalistëve të të dy vendeve ishte plotësisht e mundur dhe për këtë ai i kërkoi Londrës zyrtare të mbajë qëndrim për këtë çështje.
Në këtë situatë, dokumentacioni britanik vjen në ndihmë për të zbardhur këtë zhvillim interesant të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Pavarësisht se nuk u arrit asgjë, duket se pala greke kishte pasur një interesim të gjerë në lidhje me propozimet e Ballit Kombëtar. Nëse kjo do të realizohej, atëherë në një situatë pas lufte, të favorshme për të dyja palët, Shqipëria do të kishte Kosovën dhe Dibrën si kundërpeshë e rritjes së ndikimit nga Jugosllavia, gjë për të cilën nacionalistet grekë ishin mjaft të shqetësuar. Gjithsesi, pavarësisht se grekët ishin dakord me këtë propozim, kufiri i vitit 1939 duket se ka pasur probleme për ta nisur nga fakti se kërkesa për Epirin e Veriut dhe Shqipërinë e Jugut ishte pjesë e ëndrrës së nacionalizmit grek.

Propozimet e Mithat Frashërit, kreut të Ballit Kombëtar dhe njohës i mirë i Greqisë si ish-ambasadori i Shqipërisë në vitet ‘20, duket se nuk kaluan pa rënë në sy. Këto propozime u diskutuan mjaft gjerësisht e madje duke unifikuar qëndrime të shumta mes nacionalistëve të të dy vendeve. Por këto propozime unifikuan edhe qëndrimin e Ballit Kombëtar dhe qeverisë shqiptare të drejtuar nga Mehdi Frashëri. Xhavit Leskoviku do të përfaqësonte qeverinë në këto bisedime, ndërsa Koço Kota zogistët dhe Selman Riza për Kosovën. Bisedime për njohje të Shqipërisë së 1944-s u kërkua dhe nga Turqia neutrale nëpërmjet Ragip Frashërit, por pa rezultat. Mjaft detaje mbi bisedimet, si dhe të dhëna nga pala greke jepen edhe nga historiania Sonila Boçi në studimin e saj mbi minoritetet, e cila përdor edhe kujtimet e Athanasios Krisohut, i cili kishte luajtur rolin e ndërmjetësit. Boçi mbron tezën se Dhimitër Fallo ishte përfaqësues i qeverisë shqiptare dhe kërkoi bashkëpunimin e qeverisë greke.
Historiani shqiptar, Stavri Dajo, nga Universiteti i Selanikut, ka botuar një studim të plotë në lidhje me këto bisedime, për të cilat ai thotë se u vu në dijeni edhe qeveria kuislinge greke, por edhe ajo në mërgim që qëndronte në Kajro. Duke përdorur dokumentacionin grek, që ai e cilëson sërish të pakët, arrin në konkluzionin se kjo marrëveshje ishte më tepër spekulative, nisur nga fakti dhe koha kur propozohej. Madje, ngjarjet rrodhën aq shpejt, sa dy përfaqësues si Koço Kota dhe Xhavit Leskoviku do të arrestoheshin nga komunistët grekë në Selanik dhe do t’u dorëzoheshin komunistëve shqiptarë dhe, së bashku me Bahri Omarin, do të gjykoheshin me vdekje. Dhimitër Fallo do të kapej dhe do të ekzekutohej nga komunistët grekë, të cilët konfiskuan pothuaj dokumentacionin e plotë që ai kishte me vete

Emri:  faksimile.jpg

Shikime: 1729

Madhësia:  40.4 KB
Faksimile e dokumentit britanik, që dërgon në Londër raportin e bisedimeve mes nacionalistëve shqiptarë dhe grekë

Dokumenti nr 1
Referenca GCA/303 15 korrik 1944 Drejtuar: Këshilltarëve në Ministrinë e Jashtme

1-Dëshirojmë të shikonit përkthimin e këtyre dokumenteve shqiptare të ardhura nga Italia.
2-Nuk kemi pasur asnjë të dhënë qoftë nga pala greke me instruksionet që jepen nga Balli Kombëtar, nëse ato kanë arritur diçka. I kam bërë telegram edhe oficerit kryesor në zonën e Zervës, nëse ka ndonjë informacion në lidhje me këtë çështje.

3-Në të njëjtën kohë besoj se disa qarqe në Ministrinë e Jashtme Greke këtu janë duke menduar me të njëjtën linjë të ngjashme nga ajo që jepet dhe ndiqet nga Balli Kombëtar dhe janë duke e ngritur çështjen në shtabin e përgjithshëm grek, për një mundësi bashkëpunimi lokal mes partizanëve shqiptare dhe atyre grekë në zonën e Epirit të Veriut, për të cilën ata shpresojnë se do të jetë një formë mirëkuptimi midis Shqipërisë dhe Greqisë.

4-Për shembull, kam dëgjuar oficerë individualë që thonë se Greqia duhet të mbështesë pretendimet e Shqipërisë mbi Kosovën dhe Dibrën.
5-Në rast të një mundësie që një marrëveshje e tillë ushtarake mund të na dalë para nga shtabi i përgjithshëm grek, do të donim mendimin tuaj. Majori Mallkeous Korrespondenca e plotë 20 Qershor 1944 Më poshtë janë 3 dokumente të përkthyera të plota. Ato tregojnë për propozimin e një aleance politike dhe ushtarake mes qeverisë aktuale shqiptare dhe disa elementëve grekë. Dokumentet origjinale u inspektuan nga oficerët e ndërlidhjes në vend dhe u vlerësuan të vërteta. Letra shoqëruese mbi to është e shkruar nga Komiteti Antifashist Nacionalçlirimtar me një ton të rëndë dhe aspak koherent. Ato ngrenë shqetësime mbi pikat 3 dhe 7 në dokument. Mes individëve që janë në letër që ende nuk janë dënuar si tradhtarë, janë Koço Kota, Xhavit Leskoviku dhe Bahri Omari.


Nr1 Shqipëria e Shqiptarëve, Vdekje Tradhtarëve Shqipëria e Lirë 10 maj 1944 Komiteti Qendror i Balli Kombëtar nr 191/7

Z. Dhimitër Fallo në Selanik
I dashur z. Fallo!

I kemi marrë letrat e tua të datave 18 dhe 23 prill. Të falënderojmë për gjithçka ke bërë deri tani dhe ne shpresojmë që përmes përpjekjeve të tua të arrijmë të materializojmë diçka. Z. Xhavit Leskoviku është nisur për Athinë dhe pa dyshim që u ka takuar për t’u dhënë një fond të vogël për ju. Sipas planit tonë, ju do të jenë përfaqësuesi i Ballit Kombëtar, z. Leskoviku do të jetë përfaqësuesi i qeverisë, z. Koço Kota për partinë zogiste, si dhe z. Selman Riza për Kosovën. Bashkë me ju si përfaqësues i Ballit Kombëtar do të jetë edhe z. Koço Tasi dhe, bashkë me të, kemi vendosur edhe kushte të mira për 3 vite. Bashkë me këtë letër ne po ju dërgojmë pasaportë, si dhe letrat e përfaqësimit. Po ju përmendim edhe një herë pikat, në të cilat marrëveshja jonë duhet të bazohet:
1-Derisa çështja e aleancës sonë në formën e një federate varet nga situata e mundshme e pasluftës, për më tej të dyja palët e konsiderojnë veten e tyre nga sot në dispozicion të realizimit të këtij plani (e bërë me shkrimin e vetë Mithat Frashërit, ku shton: Le ta provojmë)
2-Baza e aleancës duhet të jetë pavarësia dhe sovraniteti i plotë për të dyja palët.

3-Kufiri greko-shqiptar duhet të deklarohet solemnisht ai i vitit 1939.

4-Të nënshkruajmë një pakt mosagresioni, një aleancë sulmi dhe mbrojtjeje, si dhe një pakt ushtarak.
5-Marrëveshje ekonomike mes dy vendeve.
6-Të ndryshojmë sa më shpejt aleancën në një tjetër mes Greqisë, Shqipërisë dhe Turqisë.

7-Në rast të një lufte, komanda e lartë ushtarake do të jetë në Greqi.

8-Si rezultat i kësaj marrëveshjeje, të dyja palët do të paraqiten në Konferencën e Paqes me një qëllim të vetëm – për të respektuar politikën e secilit vend. Greqia duhet të angazhohet që të respektojë kërkesën shqiptare mbi Kosovën dhe Dibrën, në mënyrë që në të ardhmen të dyja vendet të përballen me kërcënimin sllav, si dhe me rrezikun përtej Adriatikut (e bërë me shkrimin e vetë Mithat Frashërit, ku shton: pretendimi ynë mbi Kosovën dhe Dibrën është i bazuar në Kartën e Atlantikut).
9-Nëse çështja e minoriteteve ngrihet, kjo duhet të shërbejë më shumë si një pjesë që afron popujt tanë, sesa i mban larg ata. Për më shumë, kini parasysh që minoritetet do trajtohen mirë në të dyja vendet dhe do të kenë të drejtat e tyre.

Të fala
Kryetar: Mithat Frashëri Vula e Komitetit Qendror të Ballit Kombëtar

Nr.2 Shqipëria e Shqiptarëve, Vdekje Tradhtarëve Shqipëria e Lirë 11 maj 1944 Komiteti Qendror i Balli Kombëtar
Z. Dhimitër Fallo është autorizuar nga Komiteti Qendror i organizatës nacionaliste Balli Kombëtar të negociojë dhe të nënshkruajë me partitë nacionaliste greke në bashkëpunim me anëtarët e tjerë të caktuar nga Komiteti për këtë qëllim. Firmosur: Kryetari i Komitetit Qendror të Ballit Kombëtar, Mithat Frashëri

Nr3 Shteti Shqiptar Ministria e Punëve të Jashtme

Tiranë, 4 Maj 1944
Ministria e Punëve të Jashtme e shtetit shqiptar u lutet autoriteteve civile dhe ushtarake të ngarkuara në rendin publik në të gjitha vendet tona mike të lejojnë z. Dhimitër Fallo, i cili ndodhet jashtë vendit me mision, si dhe t’i ofrojnë atij nëse i nevojitet ndihmë dhe mbrojtjeje. Firmosur dhe vulë: Ministri i Punëve të Jashtme, Bahri Omari.

ERALD KAPRI

Panorama