Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,325
    Postimet në Bllog
    17

    Dokumentat: Si tentuan Enver Hoxha e Mehmet Shehu të ndryshonin Himnin Kombëtar

    Hoxha, Shehut: Ta zëvendësojmë pa zhurmë

    “Na duhet një Himn si Internacionalja që të pasqyrojë realitetin tonë socialist”

    Emri:  Enver-Hoxha-Mehmet-Shehu.jpg

Shikime: 1526

Madhësia:  40.3 KB

    Enver Hoxha, lideri komunist që drejtoi Shqipërinë me dorë të hekurt për çerek shekulli, nuk e ka dashur asnjëherë Himnin Kombëtar. Nuk është shprehur për këtë publikisht, por që nga dita e ardhjes në pushtet nuk ka reshtur përpjekjet për ta ndryshuar me çdo kusht.

    Ende pa u familjarizuar mirë me zyrën e kryeministrit dhe të kreut të vendit, Enver Hoxha urdhëronte në dhjetor të vitit 1945 formimin e një komisioni zyrtar për krijimin e një himni të ri kombëtar. Në kushtet e reja, porosiste kreu i regjimit, na duhet një tjetër himn për Shqipërinë e re, ku t’i këndohet Partisë, socializmit, atdheut, revolucionit, Moskës, Stalinit. Një himn pak a shumë si ai i Internacionales(!). Sprova e parë rezultoi e pasuksesshme. Si vargjet e Skënder Luarasit dhe muzika e Kristo Konos, pavarësisht miratimit të komisionit zyrtar, s’mundën ta kalojnë klasën për të zyrtarizuar zëvendësimin e himnit kombëtar. Sidoqoftë, Hoxha nuk do të mjaftohej me kaq. Në vitin 1954, me një tjetër urdhër të tij u ngrit një tjetër komision për të shpallur konkursin e radhës për tekstin dhe muzikën e Himnit të Republikës. Këtë radhë komisioni i ishte besuar për ta drejtuar bashkëshortes së tij, Nexhmije Hoxha, asokohe drejtoresh e Agjitropit të Partisë, dhe Liri Belishovës, sekretare e Komitetit Qendror të Partisë. Po ndodhi që edhe këtë herë produkti i përzgjedhur ishte i pamjaftueshëm për të realizuar qëllimin. As vargjet e Andrea Varfit dhe as poezia me autor treshen Llazar Siliqi-Fatmir Gjata-Vandush Vinçani (poezi me tre autorë (!), nuk tejkalonin ligjërimin e Asdrenit. Që këtej Enver Hoxha e provoi sërish në fillimin e viteve ’70. Sipas porosisë së tij, Këshilli i Ministrave, në bashkëpunim me Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve, shpallën një konkurs ku morën pjesë emrat më në zë të krijuesve shqiptarë, duke filluar nga Ismail Kadareja, Çesk Zadeja, Fatos Arapi, Nikolla Zoraqi, Pjetër Gaci e deri te më i riu, Xhevahir Spahiu. Në epilog të procesit disamujor, komisioni artistik paraqiti para organit vendimmarrës (alias Byroja Politike) tri alternativa për modelin e himnit të ri: krijimin e Nikolla Zoraqit, atë të Çesk Zadesë dhe baladën e Pjetër Gacit “Për ty Atdhe”. Përfundimisht edhe kjo përpjekje nuk solli ndonjë rezultat konkret për ndryshimin e Himnit të flamurit. Nuk dihen arsyet pse kupola e regjimit rrëzoi tri alternativat e përzgjedhura nga komisioni artistik. Gazeta “Panorama” ka zbuluar dosjen e korrespodencës shkresore të Enver Hoxhës me Mehmet Shehun, kryeministër i kohës në fillim të procesit. Përtej shtjellimeve të tjera me objekt revolucionarizimin e shkollës, për të cilat bëhet fjalë në dokument, dallohet në të, madje qartë, edhe qasja që ndajnë me njëri-tjetrin dy krerët e lartë për Himnin e flamurit. Për Shehun, kryeministrin më jetëgjatë të regjimit komunist, ka ardhur koha, madje është vonë, që fëmijët të këndojnë në shkollë Internacionalen, se është turp të vazhdojnë me Himnin e Zogut (!). Sakaq, për Hoxhën që e mirëkupton në thelb shqetësimin e vartësit për një himn tjetër të Republikës, kërkesa është e drejtë, por zëvendësimi duhet bërë në kohë dhe pa zhurmë. Më poshtë po zbardhim të plotë shkëmbimin e mendimeve midis dy njerëzve më të pushtetshëm të regjimit komunist…

    Shehu: Himni ynë, Internacionalja

    “Internacionalja duhet të jetë kënga e parë që duhet të mësohet në shkollat tona, duke filluar që nga klasa e parë”. Kështu shkruan Mehmet Shehu, kryeministër i kohës, në raportin e përgatitur për Komitetin Qendror të Partisë në shkurt të vitit 1969 “Mbi revolucionarizimin e mëtejshëm të shkollës së detyruar 8-vjeçare të arsimit të përgjithshëm”. As më pak dhe as më shumë platforma e reformës së parashtruar nga Këshilli i Ministrave në fushën e arsimit, siç artikulon Shehu, duhej nisur nga ndryshimi i gjendjes, ku “asnjë nga nxënësit, madje as studentët e pedagogët, nuk di të këndojë dhe nuk e njeh melodinë dhe fjalët e Internacionales, që duhet të jetë kënga e parë që duhet të mësohet në shkollat tona, duke filluar që nga klasa e parë”. I shqetësuar pse nuk ka zënë vend te nxënësit e studentët Internacionalja e famshme, numri dy i regjimit i propozon Komitetit Qendror për të realizuar procedurat e nevojshme që të rikthehet në shkollë “Himni i Flamurit”, jo ai i vjetri, por një himn i ri me frymë revolucionare. “Duhet të shpresojmë, – nënvizon në raport Shehu, – që poetët dhe kompozitorët tanë të na ndërtojnë së shpejti, të paktën deri në jubileun e 25-vjetorit të çlirimit të atdheut, Himnin e Republikës, se është turp për ne që akoma nuk kemi një himn të saktë, por vazhdojmë me atë të vjetrin e Mbretit Zog”. Çuditërisht, njeriu që drejtonte qeverinë e regjimit, i njohur nga kalemxhinjtë e oborrit si erudit i madh, nuk njihte historinë e Himnit. E vetmja gjë që shqetëson atë është përmbajtja e vjershërimit të nxënësve dhe studentëve, melodia revolucionare e këngës me të cilën duhet të fillojë një ditë e re në shkollat shqiptare…

    Enveri: Një himn të ri pa zhurmë

    Faksimile e letrës së Enver Hoxhës për Mehmet Shehun

    I njohur me platformën për revolucionarizimin e shkollës me firmën e Mehmet Shehut, ku propozohet krijimi i një himni të ri, Enver Hoxha, që ka provuar pa sukses disa herë zëvendësimin e tij, i tërheq me takt vëmendjen kryeministrit për shprehjen e pasaktë të tij lidhur me origjinën e Himnit të Flamurit dhe po aty i shprehet se ideja për një himn tjetër është e drejtë dhe në kohë. “Mendoj mos ta thuaç çështjen e ‘Himnit të Flamurit’ në atë formë, – i shkruan Hoxha Kryeministrit Shehu, – se do merret shtrembër, pse ay ka qenë edhe para Zogut. Për himn të ri, po, është drejt, me kohë dhe pa zhurmë, ky do të zëvendësohet”. Në ato pak rreshta që kreu i regjimit shkruan për vartësin e tij, njeriun që i ka besuar drejtimin e Këshillit të Ministrave, përveç qortimit për lajthitjen mbi historinë e Himnit, ka skicuar telegrafisht projeksionin sipas të cilit do të procedohet për himnin e ri, duke lënë të kuptohet përmbajtjen e kësaj sfide, e konsumuar tashmë prej kohësh në nivelet e larta të vendimmarrjes politike. Një himn që nuk u realizua asnjëherë, pavarësisht përpjekjeve të herëpashershme të autoriteteve zyrtare dhe preokupimit të veçantë të Hoxhës. Sidoqoftë, letërkëmbimi i Enverit me Mehmetin në shkurt të vitit 1969 dëshmon shpërfilljen e tyre për Himnin e Flamurit dhe përpjekjet e dështuara për të bërë një himn të tipit të Internacionales, ku të himnizohej revolucioni proletar dhe Partia e Punës.

    Teksti i letrës, Enveri: Nuk është himni i Zogut

    Mendoj, sikur mos ta thuaç çështjen e “Himnit të Flamurit” në atë formë, se do merret shtrembër, pse ay himn ka qenë edhe para Zogut dhe ka hyrë në traditat e popullit. Për himn tjetër të Republikës është drejt, me kohë dhe pa zhurmë, ky do të zëvendësohet.

    Mehmeti: Jo me Himnin e mbretit

    “Sot nxënësi ynë nuk di të këndojë, as studentët nuk dinë të këndojnë, as pedagogët nuk dinë të këndojnë. Nuk e njohin nxënësit as melodinë dhe as fjalët e Internacionales, që duhet të jetë kënga e parë që duhet të mësohet në shkollat tona, duke filluar që nga klasa e parë. Dhe meqë ra rasti, desha të them se duhet të shpresojmë që poetët dhe kompozitorët tanë të na ndërtojnë së shpejti, të paktën deri në jubileun e 25-vjetorit të çlirimit të atdheut, Himnin e Republikës, se është turp për ata dhe për ne që akoma nuk kemi një himn të saktë, por vazhdojmë me atë të vjetrin të mbretit Zog”.


    Byroja: Një himn si i sovjetikëve

    Zbardhet mbledhja që shqyrtoi relacionin e Nexhmije Hoxhës dhe Liri Belishovës mbi tekstin e Himnit
    “Të flitet për Tetorin e Madh dhe triumfin e revolucionit”


    Emri:  Faksimile-e-letrës-së-Enver-Hoxhës-për-Mehmet-Shehun.jpg

Shikime: 1069

Madhësia:  87.1 KB
    Faksimile e raportit të Mehmet Shehut në vitin 1969

    Në datën 8 shtator 1954, Byroja Politike ka zhvilluar një mbledhje për të shqyrtuar relacionin e Nexhmije Hoxhës, ish-drejtoreshë e Agjitropit, dhe Liri Belishovës, ish-sekretare e Komitetit Qendror të Partisë, mbi tekstin e Himnit të ri të Republikës. Që në krye të tij bëhet e ditur se nga poezitë e paraqitura në konkursin e shpallur, juria ka zgjedhur dy prej tyre, të cilat mbeteshin konkurrente të forta për tekstin definitiv të Himnit të Republikës: atë të poetit Andrea Varfi dhe vjershën e autorëve Llazar Siliqi-Fatmir Gjata-Vandush Vinçani. Poezia e shkruar nga Andrea Varfi, theksohet në relacion, është më e mirë si në mendime dhe në formë artistike, ndërsa ajo e treshes Siliqi-Gjata-Vinçani, megjithëse ka mendime të drejta, është mjaft e thatë nga ana poetike. Sakaq, Hoxha dhe Belishova, duke qëndruar te poezia fituese, vënë në vëmendje të byroistëve sugjerimet e tyre për përmirësimin e saj.
    “Në vargun e dytë fjala ‘Kremlini’, – shkruajnë ato, – të zëvendësohet me fjalën ‘Moska’ ose ‘Tetori i madh’, se logjikisht është më e drejtë. Në vargun e tretë, fjala ‘si grusht’ është një imazh i zvogëluar në krahasim me fjalën ‘shtrëngatë’. Në fjalën ‘si grusht’, sikur nuk del forca e Partisë dhe zvogëlohet roli i saj. Në strofën e dytë, vargu i fundit ‘dhe ja, socializmi të lumtur na pret’, duhet ndryshuar se lë përshtypjen sikur nuk e ndërtojmë socializmin, por ai na pret. Në strofën e tretë, vargu i fundit, ‘na prij, i lavdishëm Bashkim Sovjetik!’, të mos jetë në formë thirrjeje, por të shprehet udhëheqja e Bashkimit Sovjetik drejtpërdrejt e më thjesht. Po në këtë strofë duhet të rregullohet edhe rima ‘Adriatik-Bashkim Sovjetik’, se vështirëson kompozitorin. Kërkohet të dalë më e qartë ideja e mbrojtjes së kufijve të atdheut, të përmenden fjalët ‘ushtri’, ‘popull’, ‘kufi’…”.
    Po cili ishte reagimi i anëtarëve të Byrosë Politike për përmbajtjen e tekstit të Himnit? Më poshtë po zbardhim debatet në Byro rreth këtij relacioni:

    Mbledhje e Byrosë politike, datë 8 shtator 1954

    Enver Hoxha: Jemi mbledhur sot të shqyrtojmë relacionin mbi tekstin e Himnit të ri të Republikës. Pas një pune disamujore, komisioni që kemi ngritur po na paraqet sot dy variante për t’i diskutuar dhe për të vendosur se cilin do të miratojmë.
    Rita Marko: Meqenëse ky është Himn i Republikës, nuk e di nëse shkon të thuhen në tekstin e Andrea Varfit “…na prin Bashkim Sovjetik”, ose shprehja “…në shtrëngata…”, duke marrë parasysh dhe situatën. Në vend të fjalës “Kremlin”, në strofën e parë ndoshta mund të thuhej populli ose atdheu.
    Enver Hoxha: Unë mendoj të diskutojmë rreth propozimeve të Drejtorisë së Agit-propit dhe t’i japim asaj disa ide për këtë çështje.
    Liri Belishova: Ne edhe këto dy tekste na duken të papërshtatshme për të qenë himne republike, po meqenëse juria i gjykoi të përshtatshme dhe kjo juri është aprovuar nga Byroja Politike, ne e sollëm çështjen gjer këtu.
    Mehmet Shehu: Unë jam dakord të shtyhet kjo çështje dhe të mos lidhet me 10-vjeçarin. Vlerësimi i jurisë dhe i Drejtorisë së Agit-Propit për këto dy himne nuk është i drejtë. Unë mendoj se himni i përpiluar nga Siliqi-Gjata-Vinçani është i përshtatshëm si nga ana e përmbajtjes, ashtu edhe e metrikës. Teksti i Andrea Varfit, sidomos nga ana e metrikës, nuk është i mirë. Unë jam dakord me propozimin që këto të ripunohen dhe duhet t’i shohim dhe të bëjmë vërejtje nga ana parimore.
    Enver Hoxha: Ja, në Himnin rumun shprehet mendimi që ndërtojmë uzina, punojmë në ara etj.
    Manush Myftiu: Edhe unë kështu mendoj, që idetë himni i treshit Siliqi-Siliqi-Gjata i ka më të mira, vetëm duhen theksuar më mirë disa gjëra. Për shembull, rreshti i parë duhet të bëhet më i qartë.
    Spiro Koleka: Edhe unë i një mendimi me Mehmetin jam për tekstin e dytë, megjithëse asnjëri nuk e ka metrikën e poezive të popullit tonë. Prandaj edhe unë jam dakord që kjo çështje të shtyhet që të ripunohet.
    Manush Myftiu: Zakonisht himnet këndohen nga të gjithë, nga të mëdhenj e nxënës, prandaj gjuha e përdorur duhet të jetë e qartë dhe e kuptueshme.
    Gogo Nushi: Edhe unë jam dakord me shokët.

    Historia e konkurseve për krijimin e Himnit të Flamurit
    Përpjekja e parë në vitin ‘37, me rastin e 25-vjetorit të pavarësisë


    Në historinë njëshekullore të shtetit shqiptar janë bërë me dhjetëra konkurse për të krijuar një himn të ri që të zëvendësonte atë të Azdrenit, me muzikë të rumunit Ciprion Porumbesku. Përpjekja e parë zyrtarisht është bërë në vitin 1937, ku me rastin e 25-vjetorit të pavarësisë, Mbreti Ahmet Zogu urdhëroi çeljen e një konkursi kombëtar. Juria e ngritur për këtë qëllim, pasi shqyrtoi rreth 80 krijime, i propozoi komisionit shtetëror të zgjidhte për tekst të himnit poezinë e Beqir Çelës. Pas miratimit, filluan procedurat për të sjellë nga Italia një nga kompozitorët e njohur, Xhovani Gaeto, të cilit iu besua kompozimi i himnit të ri. U deshën shumë përpjekje nga autoritetet shqiptare për të bindur këtë të fundit që të bëhej autori i Himnit të Flamurit shqiptar, por nuk dihet pse projekti mbeti në letër. Katër konkurse të tjera, që rezultuan të dështuara, u organizuan në periudhën e regjimit komunist. As përkujdesja e veçantë e Enver Hoxhës nuk dha rezultat në zëvendësimin e Himnit Kombëtar. I vetmi ndryshim në tekstin e Himnit të Asdrenit, i bërë në kohën e Hoxhës, është redaktimi i fjalës Zot, pasi regjimi pretendonte se i përkiste një shteti ateist. Sidoqoftë, Himni në tërësisë e tij mbeti ai i pari. Është interesant fakti që për krijimin e vargjeve të një himni tjetër janë provuar firmat më të shquara të letërsisë shqiptare, duke filluar nga At Gjergj Fishta më 1913-n, Ernest Koliqi më 1921-shin, Fan S. Noli më 1926-n, Mihal Grameno, Hil Mosi, Lasgush Poradeci më 1933-shin, e deri te më i riu, Xhevahir Spahiu.

    AFRIM IMAJ

    Panorama

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e SERAFIM DILO
    Anëtarësuar
    06-01-2008
    Postime
    7,507

    Për: Dokumentat: Si tentuan Enver Hoxha e Mehment Shehu të ndryshonin Himnin Kombëtar

    Nuk duhet te jete e vertete qe Enveri deshte te ndryshonte himnin,o nuk duhet te ket qene i interesuar...Po te donte Enveri himni ndryshohej brenda nates,ne mengjes gjeje himnin e ri.

    Himni,gjuha historia ne pergjithsi ishin gjera qe nuk i interesonin.I interesonin kur kishte "luften e kllasave",dhe kllasat nuk i interesonin i interesonte vetem "lufta" e pushteti.

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •