Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,348
    Postimet në Bllog
    17

    Jorgji Karbunara - Babë Dudë Karbunara

    Babë Dudë Karbunara, një jetë në shërbim të Shqipërisë

    Emri:  250px-Bab_dud_karbunara.jpg

Shikime: 1318

Madhësia:  22.0 KB

    Këto ditë të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë: në Shqipëri apo të shpërndarë në mbarë botën, natyrshëm e kalojnë vështrimin nga maja e këtij përvjetori të lavdishëm që po përkujtojmë, te baza e tij, atje ku ka filluar numërimi i këtyre 100 viteve, pra, më 28 nëntor 1912. Dhe sa më shumë vite e dekada do të kalojnë, aq më tepër lartësi do të marrë kjo majë ku jemi sot dhe aq më shumë do të rritet lavdia e atyre burrave që vunë themelet e saj. Të tillë burra ka nxjerrë mjaft Shqipëria. Një ndër ta është Jorgji Karbunara, ose siç quhej në Berat, Babë Dudë Karbunara, figura e të cilit lidhet ngushtë me Shpalljen e Pavarësisë jo vetëm se ai kishte qenë pjesëmarrës në atë ngjarje të shënuar, por edhe sepse ëndrra e jetës së tij ajo ditë ishte. Babë Dudë Karbunara bën pjesë në plejadën e rilindësve të mëdhenj shqiptarë, të cilët luftuan me pendë e dituri për edukimin kombëtar të shqiptarëve, po dhe, si njerëz të veprimit praktik, u rreshtuan në ballë të veprimtarëve për çështjen e madhe të lirisë e të pavarësisë së atdheut. Babë Duda është nga të rrallët rilindës shqiptarë që gjithë jetën punoi brenda vendit të tij. Është nga të rrallët rilindës, gjithashtu, që gjithë jetën e kaloi në ndeshje të vazhdueshme për jetë a vdekje me pushtuesit dhe reaksionin, pa u lodhur kurrë dhe pa u tërhequr kurrë ndonjëherë. Për veprimtarinë atdhetare dhe për të mësuarit e shqipes brezit të ri, ai u frymëzua që në moshë të vogël nga mjedisi familjar dhe shoqëror i qytetit të tij, nga abetarja e Naum Veqilharxhit dhe Alfabetarja e Stambollit, nga veprimtaria e Kostë Beratit dhe fryma e Akademisë së Voskopojës, nga mësimet që mori në shkollë: në Berat fillimisht dhe më pas në Korfuz e në Trieste. Edhe vitet e shkollës do të ndikonin në brumosjen e personalitetit të tij. Në Korfuz ishte njohur me luftën e popullit grek kundër pushtuesve turq, ku kishin marrë pjesë mjaft shqiptarë, që kishin derdhur gjakun për lirinë e Greqisë, por që kurrë s’kishin pranuar të mohonin kombësinë shqiptare. Atje kishte mësuar gjithashtu se grekët e kishin flakur tej turqishten me luftë. Në liceun klasik të Triestes ishte ndeshur me idetë përparimtare të iluministëve, të cilët kishin shpallur të drejtën e natyrshme të individit për të qenë i lirë dhe të popullit për të qenë sovran si dhe me mësimet e revolucionit francez. Idetë e tij të mëdha të lirisë e të kombësisë, kishin gjetur mishërim edhe në revolucionet çlirimtare të vendeve ballkanike. Gjatë studimeve shkollore do të shfaqeshin tek ai prirjet fillestare shkencore në interesimin për materiale dhe fakte historike e gjuhësore që hidhnin dritë mbi origjinën e gjuhës shqipe dhe mbi gjenezën e popullit shqiptar. Që atëherë, për Jorgjin, do të bëhej plotësisht e qartë se rruga e vetme për të shpëtuar nga sundimi shekullor osman ishte ajo e luftës për çlirim kombëtar, që nuk mund të ndahej nga lufta për zhvillimin e arsimit dhe kulturës, nga lufta për nxjerrjen e shqiptarit nga errësira mesjetare në dritë, që të mundte të shikonte veten dhe të mundte të bëhej zot i vetes. Po kështu, u frymëzua edhe nga ardhja e Naim Frashërit në Berat në vitet 1873-1874 e takimet që ka patur me të si dhe me Kostandin Kristoforidhin dhe Hasan Tahsinin më 1875, me të cilët pati kontakte të gjalla. Kështu Jorgji Karbunara në vitet ’70 të shek. XIX doli në ballë të veprimtarive për çështjen atdhetare dhe për gjuhën e shkollën shqipe. Veprimtaria e Babë Dudës ka ardhur vazhdimisht në ngjitje: nga folës e këshillues midis beratasve në kishë dhe në qytet, në formimin e tij si njeri i aksionit atdhetar dhe arsimor, i përhapësit të shkronjave shqipe në mënyrë ilegale, sipas devizës së tij: “kush mëson gjuhën e vet, është i nderuar për jetë”. Më 1898 është ndër nismëtarët e shoqërisë “Bashkimi” dhe programit të saj patriotik. Si mësues në gjimnazin vlleh, sipas përvojës së Voskopojës, përdor italishten për mësimin e shqipes. Më 1908 është themeluesi i dy shkollave të para shqipe në Berat. Më 1909 jep mësimin e shqipes në idadijen turke. Misioni themelor i shkollave shqipe ishte, sipas tij, që “t’u mësojnë fëmijëve të njohin dhe të duan Shqipërinë, të mësojnë dhe të duan gjuhën e bukur shqipe”, duke e gjykuar këtë veprim si një ndihmesë me vlerë në luftën shekullore për sigurimin e pavarësisë kombëtare, se, siç thoshte Naimi, “drita e diturisë përpara do na shpjerë, përpara drejt lirisë”.Feja, po sipas tij, nuk duhet të bëhet pengesë për shqiptarët, siç shprehet edhe në Ditar, pasi muhamedanë dhe të krishterë “vërtet jemi vëllezër dhe besimi s’duhet të na ndajë”. Çështjen e bashkimit dhe të vëllazërimit të popullit të thjeshtë e ka patur përherë pikësynim të punës së tij. Kjo shkuarje kaq e mirë midis njerëzve, karakteristikë e komunitetit tonë, është patjetër produkt edhe i asaj pune. Për virtutet e tij të larta për punën e madhe në dobi të atdheut dhe për heroizmin dhe therorinë e tij për shkollën shqipe, Babë Dudë Karbunara u kthye në një baba simbolik për popullin e Beratit dhe për gjithë arsimin shqiptar, sepse kredoja e tij për jetën dhe veprimtarinë ishte një: “Unë do të luftoj për Shqipërinë gjersa të vdes”. Përndjekjet politike, akuzat e ulëta të armiqve, kërcënimet si dhe përpjekjet për eliminim fizik, grabitjet e herëpashershme të librave e materialeve të tjera me vlerë, djegia e shtëpisë, etj., nuk ia kishin zbehur aspak gjallërinë, guximin e qëndresën për të përballuar sfidat. Përkundrazi, ato ishin bërë nxitje për të punuar me forca të shumëfishuara për çështjen e madhe të kombit. Se atë e rrethonin përkrahës e bashkëpunëtorë të shumtë: Sulo Resuli, Bektash Berberi, Todi Naska, Adil Lunga, Mehmet Ali Vrioni, Islam Vrioni, Llambi Goxhomani, Dhimitër Kolea, Llambi Dhaskali, Baki Gjebrea, Nyzhet Vrioni, Vangjel Kusta, Sotir Kolea, Jani Vruho apo Naim Frashëri, Kostandin Kristoforidhi e Hoxha Tahsini me të cilët u njoh këtu në Berat e shumë të tjerë. Edhe pse punoi kryesisht në rrethin e Beratit, veprimtaria e tij u njoh nga të gjithë atdhetarët më në zë të kohës. Bashkë me ta punonte dhe mbante lidhje të rregullta kudo që ndodheshin, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Siç dihet, dhjetëvjeçari i parë i shek. XX, e sidomos vitet e fundit të kësaj dekade, si kudo në Shqipëri edhe në Berat, ishin të ngjeshura me ngjarje politike e veprime luftarake, sepse në këto vite era e pavarësisë po frynte më e fuqishme.


    Formimi i klubit “Bashkimi” më 1908, me propagandimin e ideve për formimin e ndjenjës kombëtare shqiptare; organizimi i çetave të armatosura; themelimi më 1911 i degës së “Komitetit të shqiptarëve për mbrojtjen e të drejtave kombëtare”; organizimi i Kuvendit të Sinjës më 23 korrik 1912, memorandumi i të cilit synonte autonominë, për të shkuar, pastaj, drejt pavarësisë së Shqipërisë, etj., ishin ngjarje të rëndësishme, që tregonin pikërisht atë, se lëvizja patriotike në qarkun e Beratit kishte hyrë në një fazë të re, më të lartë. Kryengritjet shqiptare, që fillimisht nisën në Veri të Shqipërisë: në Kosovë e Malësi të Madhe, për t’u përhapur pastaj shkallë-shkallë, derisa më 1912 do të përfshinin gjithë Shqipërinë, së bashku me ato të popujve të tjerë të shtypur të viseve të Ballkanit si dhe lufta italo-turke, i dhanë goditje vdekjeprurëse Perandorisë Osmane, duke e futur atë në krizë të rëndë. Kjo gjë e rriti shpresën e popujve të pushtuar për t’u çliruar nga zgjedha osmane. Nga ana tjetër shtetet ballkanike që sapo kishin përfunduar lidhjen e një aleance politike e ushtarake, Shqipërinë e shikonin jo si një aleate të mundshme, por si objekt copëtimi. Në këto rrethana të vështira, plaku Ismail Qemali, i mbështetur në lëvizjen e armatosur që zhvillohej brenda në Shqipëri dhe në përkrahjen e atdhetarëve të tjerë jashtë vendit, mori përsipër veprimin e madh politik: Shpalljen e Shtetit të Pavarur Shqiptar. Delegatë nga tërë hapësira shqiptare do të mblidheshin në Vlorë. Për këtë qëllim u thirrën telegrafisht përfaqësues nga të gjitha viset e vendit. Populli i Beratit, duke vlerësuar lart veprën e Babë Dudë Karbunarës, e caktoi atë në radhën e parë të përfaqësuesve për në Kuvendin Kombëtar të Vlorës. Grupi i delegatëve të Beratit përbëhej nga 6 delegatë: Jorgji Karbunara (Babë Duda), Iljaz Vrioni, Sami Vrioni, Taq Tutulani si dhe Xhelal Koprëncka (nga Skrapari) e Hajredin Cakrani (nga Mallakastra), krahina këto, që ishin nën juridiksionin e sanxhakut të Beratit. Por, veç delegatëve, nga Berati kishin shkuar në Vlorë edhe mjaft patriotë të tjerë për të qenë pranë në çastin e ngritjes së flamurit. Siç dihet, Kuvendi i filloi punimet në dt. 28 nëntor 1912, ditën e mërkurë, në orën 14. Ismail Qemali zgjidhet Kryetar i Kuvendit. Në këtë mbledhje të parë, sipas dokumenteve të kohës (procesverbalit të Kuvendit dhe gazetës “Përlindja e Shqypnies”, organit zyrtar të qeverisë së përkohshme të Vlorës), Ismail Qemali, në fjalimin e hapjes, pasi kishte paraqitur rrethanat historike e çastin delikat që po kalonte vendi si dhe pozitën diplomatike të çështjes shqiptare në arenën ndërkombëtare, gjithnjë me shumë kujdes, maturi e takt, të cilat ky burrë shteti, njohës i mirë i kohës së tij, i quante të domosdoshme për realizimin e qëllimit final të lëvizjes kombëtare, në fund të fjalës, i vendosur e i prerë, kishte përcaktuar masat e menjëhershme që duheshin marrë: “Të bëhet Shqipëria më vehte, me një Qeveri të Përkohshme; të zgjidhet një pleqësi për ndihmë e kontroll të qeverisë; të dërgohet një komision në Evropë për të mbrojtur çështjen shqiptare para mbretërive të mëdha”. Mbi bazën e fjalimit të Ismail Qemalit, Kuvendi do të formulonte menjëherë vendimin për Shpalljen e Pavarësisë, në këtë mënyrë: “Pas fjalëve që tha Zoti Kryetari Ismail Qemal Beu, në të cilat tregoi rrezikun e madh ku ndodhet sot Shqipëria, të gjithë delegatët me një zë venduan që Shqipëria me sot të bahet në vehte, e lirë e e mosvarme”. Një nga delegatët e Kuvendit, Dhimitër Zografi, duke përshkruar atmosferën e ndezur të këtij çasti, ka dëshmuar se, sapo Ismail Qemali kishte thënë: “Tjetër shpëtim s’ka përveçse të ngrehim flamurin e Shqipërisë!”, salla kishte ushtuar nga durtrokitjet dhe thirrjet e fuqishme “Rroftë Shqipëria”, “Rroftë flamuri ynë”, aq fort, sa i ngjetheshin mishrat njeriut. Pastaj gjithë populli ishte përfshirë nga këngët kombëtare. Ndërsa vetë Ismail Qemali ka treguar: “Kur u ngrit flamuri i Skënderbeut që kishte fjetur i palosur gjatë 445 vjetëve, ky çast qe për mua i paharruar dhe duart e mia dridheshin nga shpresa dhe krenaria duke vendosur në ballkonin e shtëpisë së vjetër flamurin e atij heroi të pavdekur, që po kalonte si një zjarr i shenjtë mbi kokat e asaj popullsie që brohoriste”. Dokumenti i Shpalljes së Pavarësisë nënshkruhet menjëherë nga të gjithë delegatët. Jorgji Karbunara, gjatë hedhjes së firmës në rreshtin e parë të këtij akti, pas Ismail Qemalit dhe dom Nikollë Kacorrit, siç shihet edhe në faksimile, duke shfaqur edhe njëherë ndjenjën e thellë të dashurisë për atdheun si dhe gëzimin e madh për fitoren e arritur, kishte thënë: “Le të jetë i përjetshëm efekti i këtyre nënshkrimeve”.


    Siç dihet, pas disa ditësh e pikërisht, në mbledhjen e tij të pestë, më 4 dhjetor 1912, kur numri i delegatëve kishte arritur 63, Kuvendi zgjodhi Qeverinë e Përkohshme dhe Pleqësinë.


    Në listën e propozimeve për ministra, ndërmjet 17 kandidatëve, ishte edhe kandidatura e Babë Dudë Karbunarës që mori 14 vota. Ndërsa për në Këshillin Ministror ose Pleqësinë (siç u quajt ndryshe), u zgjodh Jorgji Karbunara (Babë Duda) me 48 vota (i treti nga renditja), ndër 18 anëtarët që e përbënin Pleqësinë. Veprimtaria e Qeverisë së Vlorës do të shtrihej, pa humbur kohë, në të gjitha fushat. Kujdes të veçantë tregoi për problemet e arsimit. Vetë Ismail Qemali do të theksonte: “Për të shkuar përpara në udhën e qytetërimit dhe të përparimit kemi nevojë për dituri, kemi nevojë për mësime, pra kemi nevojë të ngrehim në të gjithë Shqipërinë shkolla kombëtare për t’u përhapur e për t’u lexuar kudo gjuha shqipe. Kjo nevojë shkollash është më e para e reformave që kemi detyrë të kërkojmë. Kurrë një komb nuk mund të rritet më vete pa shkolla e pa mësim.”


    Me shpirtin mbushur plot gëzim e entuziazëm për fitoren e pavarësisë kombëtare, me mbresa të pashlyeshme e emocione të fuqishme, Babë Duda niset për Berat. Delegati i shquar kthehet në qytetin e tij me energji të përtëritura, për të vënë në jetë vendimet e Qeverisë së Vlorës. Në moshën 71-vjeçare, rifillon punën si mësues në shkollën fillore të lagjes Muratçelepi, ku vazhdoi deri më 1914. Për veprimtarinë e dendur patriotike, politike e arsimore, për ngritjen e shkollave shqipe në Berat, Poshnje, Paftal, Sinjë, Vokopolë, Vërtop etj. si dhe në Lushnje, Fier, Mallakastër e Skrapar, mësuesi dhe patrioti i shquar u vu në shënjestër për t’u eleminuar nga armiqtë e popullit. Qëllimi i tyre ishte të godisnin jo vetëm Babë Dudën, por bashkë me të edhe lëvizjen patriotike që kishte shpërthyer në këtë qytet. Në moshën 72-vjeçare hiqte vuajtjet më të mëdha e torturat më çnjerëzore duke qëndruar krenar e i papërkulur edhe kur rebelët e rrihnin rrugës me shkop. Musa Qazimit, udhëheqës i krahut reaksionar pro turk të kryengritjes, si për të vërtetuar drejtësinë e atij ndëshkimi e për t’i dhënë të kuptojë këtij atdhetari se ai dhe gjithë të tjerët, që nuk shkojnë në udhën e tyre, do të kenë të njëjtin fund në mos më keq, e pyeti: “Çfarë je ti osmanlli apo shqiptar”? Babë Duda edhe pse i dërmuar nga torturat sa nuk qëndronte dot në këmbë, me guxim e trimëri, ia kthen përgjigjen si e meritonte; “Me ç’gjuhë po më flet, jam shqiptar sikundër je edhe ti”! Ndërsa kthehej nga prefektura për në shtëpi, njerëzve që e shihnin me fytyrë të çjerrë e të gjakosur, u thoshte; “Mos t’ju vijë keq vëllezër, se këto të çjerra fytyre që shihni janë nishane (dekorata) për mua...”. Disa muaj më pas dhe pikërisht më 18 mars 1915, gazeta “Koha” që botohej jashtë atdheut, do të shkruante për këtë personalitet: “...Ata që patën mirësinë dhe vizituan këtë qytet (Beratin), panë se fanatizmat feudale kanë zënë rrënjë të forta... Po në mes këtyre feudalëve rron një plak me mjekër të bardhë, me një fytyrë të qeshur e çquar nga të tjerët për veprat e tij patriotike që ka vepruar gjer më sot. Ky plak shqiptar është zoti Babë Dudë Karbunara. Kishte marrë pjesë në çdo lëvizje kombëtare... Por nuk dua të zgjatem shumë për atdhetarizëm... se historia jonë do ta thotë... Ky shqiptar i vjetër, të cilit s’i trembesh syri as nga sulltan Hamiti, sot, prej veglave të tij u shtyt, u gjakësua, u sha dhe u poshtërua, me një fjalë martir u bë që të mos mohonte ndjenjat që kishte e të thoshte se nuk jam shqiptar... Por plakut shqiptar nuk iu tremb zemra megjithëqë vdekjen e kishte përpara”.

    Autori: Viktor Papa

    Botuar: Shekulli

  2. Anetarët më poshtë kanë falenderuar Albo për postimin:

    bsdev (01-03-2017)

  3. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,348
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Jorgji Karbunara - Babë Dudë Karbunara

    “LE TË JETË I PËRJETSHËM EFEKTI I KËTYRE NËNSHKRIMEVE”
    Jorgji Karbunara (Babë Dud Karbunara) Firmëtari-“Mësuesi i Popullit”

    NGA GËZIM LLOJDIA

    Emri:  JorgjiKarbunara.jpg

Shikime: 2196

Madhësia:  45.8 KB

    1.
    Pavarësia Kombëtare .Nëse do të rajvizojm me një shprehje:Përballë një sprove të këtillë, drejt ëndrrës ,në shpirtin e tyre ishte akumuluar dhimbja,që kishin pësuar gjatë shekujve të sunduar nga i huaji ,të pakrahë , të pa shpresë,të humbur dhe dhuna që vinte me një intensitet perfid,që gërryente dhe përmbyste një pushtim shekullor si ai osman. Kështu ëndrra për një shtet të pavarur, perëndimin e shpresës nëpër shekuj gjegjësisht ishte dhimbje,ishte kujtim i shtetit të arbrit shndërruar tash në rrëfim . Për ata,që ndër përpjekje për pavarësi dhanë jetën si ëndërr u mbeti streha e fundme e tyre ku ish akumuluar e ngjizur dhimbja , gëzimi, dëshpërimi, frika, dhe vdekja në fund nuk e arritën pavarësin ,u mbeti breznive si testament.
    Pa mbritur mesdita e 28 nëntorit 1912 ose me saktë rreth dy javë më parë asaj kohe,shumë shqiptarë psherëtinin se halli i Shqipërisë ishte shumë i madh. Por kombi ynë mbeti dhe nuk u rrokanis si shumë kombet të tjerë që u rrokanisën në humnerë. Ndërsa fqinji në veri synon Shkodrën me male deri në detë,serbët po hapnin një shteg të gjatë deri në Durrës,kurse grekërit donin të kapnin Shkumbinin. Pasiç-kryeministri serb rreth datës 7 nëntor 12 është shprehur kështu”Shqiperina shqiptare do të ngjallte vatra turbullimesh dhe konfliktesh. Prandaj zgjidhja më e mirë do të ishte të zbatohej për shqiptarët trajtimi që kishin në kohën e mesme kur bëjshin pjesë te shteteve bizantinë e serbe pa privilegje te veçantë,por tue i respektua individualiteti dhe gjuha e tyre. Diku aty nga 14 dhjetori 1912,kryegjenerali grek ka pohuar “Ne kemi ndërmend ti ndajmë Shqipërinë mes grekërve dhe Serbëvet,mbasi autonomia shqiptare është e parealizueshme”.Kjo quhej atmosferë e vitit 12,kur Ismail Qemali me shokë nga toka u mblodhën në Vlorë duke sjellë shpresën dhe premtimin se ‘Shqipëria nuk kishte mbaruar”.
    Në 1912 ndriçimi shqiptar solli shpresën shqiptare duke i thënë botës se ka një komb me histori,gjuhë dhe vullnet. Por ujqëria ballkanase e solli në udhëkryq çështjen me prerjen kirurgjikale të Kosovës. Një gazetar i huaj shkruan periodikja” Flamuri “është shprehur:
    ”Asnjë popull në histori nuk i është ngjitur kalvarit të përuljeve lëndore,politike e morale sa raca shqiptare. Në qoftë se duhet të çuditemi për ndonjë gjë kjo është s e ekziston gjithnjë në Shqipëri një ndenje edhe pse e zbehtë dhe shpërndamë që priret kah pohimit,kah rilindja e kombit...
    2.
    Nga version zyrtar për shpalljen e Pavarësisë Kombëtare gjejmë prezent emrin e mësuesit të Popullit Jorgji Karbunara.Ndërsa nga lista që citon delegatët e Beratit janë shënuar emrat e tyre: Sami Bej Vrioni, Ilias Bej Vrioni, Taq Tutulani, Babë Dud Karbunara.Në deklaratën përfundimtare të Pavarësisë nënshkrimi i Babë Dud Karbunarës është nënshkruar me
    . Karbunara. Dhe zhbiruar këtë deklaratë që qarkullon në medie e kudo për firmëtarët renditet një fakt interesantë për mësuesin dhe firmëtarin ..Babë Duda ka firmosur i treti pas dy figurave qendrore të Kuvendit të Vlorës,kuptohet pas Ismail Beut dhe Dom Nikoll Kacorri.Nënshkrimi i J.Karbunarës mbetet i thjesht ngase lapidare më qartësisht të paharrueshme mbeten thëniet e tij të pazhbëshme as nga mjegullinat e kohërave:“Le të jetë i përjetshëm efekti i këtyre nënshkrimeve”.Duke qëndruar në ditët këtij kuvendi historik që ëhstë ngjizur fortësisht në memorien e kombit shqiptar arrijmë të zhbirojmë ca fakte të tjera,për figurën interesantë të patriotit Jorgji Karbunara .Ismail Qemali e thirri në Vlorë .Jorgji Karbunara i solli nga Berati Ismial beut edhe guzhinjerin e tij për ta ruajtur plakun e Vlorës nga helmimet .Madje kur plaku i Vlorës iku në Itali,guzhinjeri ju lut ta merrte me vete,mirëpo Ismail beu ju përgjigj se ai i shiti të gjitha dhe nuk kishte më.Merrëm me vete Ismail Be do të ruaj edhe atje ku do të shkosh.D ihet fakti Ismail Qemali vdiq ne Peruxhia, ne hotelin "Brufani", me 26 janar te vitit 1919.
    Për qëndrimin e Jorgji Karbunarës në ditën festive thuhet kështu: në një shkrim të V.Papës“Ishte Babë Dudë Karbunara delegati i Beratit… me një shami të kuqe i fshin fshehurazi lotët që i rrjedhin kundër vullnetit të tij… zemra e tij s’mund të përfshijë gjithë gëzimin e kësaj dite. Një jetë të gjatë e priti këtë çast për të cilin kish predikuar pa dëshpërim dhe tani e sheh me sy”.
    Ismail Qemali pasi e lexoi ekspozen e vet , në fund në mënyrë të shkëlqyer e diplomatike i pyeti delegatët: “ Tani më, s'na ka mbetur tjetër rrugë shpëtimi, veç se ndarja e Shqipërisë nga Turqia”, dhe propozoi:
    Shqipëria të shpallë pavarësinë .Të formohet qeveria e PËRKOHËSHME; Të emrohet pleqësia (senati).

    1. U shpall Qeveria e Përkohëshme, në krye Ismail Qemali:

    2. U zgjodh Pleqësia prej 18 anëtarësh; ku për Kryetar u zgjodh Vehbi Dibra.
    Në ditët e pavarësisë në Vlorë ku u nënshkrua akti i Pavarësisë rreth 1.5 faqe dhe ju dërgua fuqive të mëdhë aty ishte edhe zëri dhe fryma e t gjithë delegatëve dhe e Bab Dudës,(Jorgji Karbunarës). Edhe shqiptarëve e patriotëve në krahina të vendit është dërguar mesazhi me thënien”Indipendenca e Atdheut u shpall”.

    3.
    Zgjedhja e pleqësisë .Në mbledhjen e pestë të Kuvendit Kombëtar sipas gazetës “Pëlindija e Shqipenies “që u zhvillua në 4 dhjetor në prani të 57 delegatëve, (mungonin 6). Ismail Qemali ia la të drejtën e zgjedhjes së 8 ministrave Kuvendit, me propozimin që të jenë 4 të krishterë dhe 4 myslimanë. Ky propozim u kundërshtua dhe përzgjedhja iu la votimit. .....
    Pas kësaj u bë zgjedhja e Pleqësisë, ku sipas propozimit të Dhimitër Beratit u bë vetëm një votim. U zgjodhën: Iljas Be’ Vrioni me 55vota, Sami Be’ Vrioni 54, Dud Karbunara 48, Mustafa Asim Kruja 42, Murat Be’ Toptani 42, Eqrem Be’ Vlora 40, Myfti Vehbi Efendi 39, Kristo Meksi 39, Dhimitër Berati 38, Dhimitër Zografi 35, Bedri Be’ Ipeku 35, Sali Gjuka 35, Veli Be’ Klisura 32, Hajredin Be’ Cakrani 32, Xhelal Be’ Skrapari (Koprencka) 30, Shefqet Daiu 30, Dervish Be’ Elbasani 29 dhe Ajdin Be’ Draga 27.

    4.
    Jorgji Karbunara ka lindur në qytetin e Beratit në 1842. Patriot i shqiptarizmës nga lindja në vdekje. Ka marrë pjesë në ngritjen e degës së Lidhjes shqiptare të Prizrenit në Korfuz mik me Kristoforidhin .Ka përhapur arsimin dhe mësimin shqip. Si mëmëdhetar i rrallë e patriot Babë Dudë Karbunara ngriti shollën e parë ku kishte rreth 55 nxënës. Aktiviteti i tij është i shumtë
    “Ay që s’mëson gjuhën e vet, është i dënuar për jetë”.Këto thënie monumente të J. Karbunarës kanë mbetur të trashëguara ndër kohërat tona.Emri i këtij patrioti vijon të përcillet duke u nderuar për shqiptarizmin e tij .

    5.
    Për Bab Dudën dhe patriotëtë e tjerë ishte krijuar bindja se pa trojet e tyre,besimi i tyre,njëmend do të mbetej pa qënë asnjëherë shqiptare.Feja më e mirë e këtyre shqiptareve të mirë,mbetej ruajtja e tërrësisë territoriale.Kështu Bab Duda dhe patriotët e tjerë e kuptuan se koha nuk ishte kur të binte muzgu,për të qarë fatin e keq të kombit,por duhej hapur shpirti. Ajo kataklizmë,që po afrohej me stërbim, duhej gjetur menyra për ta shmangur.Kështu ata,ju vunë punës, pa ndjerë lodhjen e shpirtit të tyre,përpara dhimbjes së madhe.Kështu kështu Bab Duda dhe rilindasit e tjerë shkruan prologun më të ndritur të ditëve. Bashkëpunëtor i ngushtë me Kostandin Kristoforidhin citojnë shkrimet për Jorgji Karbunarën.
    Citojmë V.Papa:“Duke u gdhirë 14 shtator 1894, u dogj shtëpia e Karbunarës në Kala të Beratit prej zjarri jo aksidental, por të vënë”.
    U angazhua në ngritjen e degës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Korfuz.
    Kurvelesh e Gegëri/C’u mblodhën në Ergjërli/Tek Abdyl Be Frashëri/Cu përpoq i varfëri/Cu përpoqe e bej për na/dy hejbe me hasina/Në frëngji se ç’i trete…..
    Xhafer Belegu në mesin e viteve 1934,verë qershor,u ka përcjellur,shqiptarëve dokumente me të dhëna nga historia e lidhjes së Prizërenit.Dritën,botimit ja ka dhënë botuesja “Kristo Luarasi”:”Lidhja e Prizërenit dhe veprimet e saj 1978-1881”.Nga veprimet e marsit 1878 faqe 148 shkruhet: Lidhja në jug…Lidhja shqiptare duke i parë këto veprime të Greqis e duke marrë njoftime për kërkesën e saj në kongres vendosi me zhvillue një aktivitet të madh në jug.Organizoi këshillat krahinor dhe përgatiti një fuqi mbrojtëse kundër Greqisë.Mbledhja e parë si mbas dëshirës së Abdyl Bej Frashërit i cili ishte faktori më kryesor në jug,u ba në teqen e Frashërit,nën kryesin e Baba Alushit i cili vuri në dispozicion të Lidhjes një shumë të madhe të hollash.Në këtë mbledhje të parë të jugut u bisedua organizimi i këshillave krahinor e masat,që do të merreshin kundër Greqisë.Burrat me rëndësi të Lidhjes në Jug.Abdyl Bej Frashëri,Mehemet Ali bej Vrioni.Sulejman Ali Kuci, Myslim Vasjari,Mustafa Pashë Vlora,Muslim Gjoleka. Sheh Mahmuti nga Kolonja e Kurveleshit,Xhafer bej Vlora,Thanas Ekonomidhi prej Sopiku disa bejlerë prej Libohove,Vasil Hido,Petro Meksi prej Tepelene,Mihal Haritua nga Përmeti,Vasil Linavori e Eustrat Tasho Duka nga Berati Dhimitër Kolea………….
    Eshtë një ditë,që nuk i ngjiste tjetrës. Gjatë viteve 1911-1912 aktiviteti i tij është luftarak ndër çeta dhe misionin patriotike për shqiptarizmin. Më 23 korrik 1912 mblidhet Kuvendi i Sinjës, për organizimin e të cilit Babë Duda u angazhua plotësisht dhe zhvilloi një veprimtari të gjithanshme .
    Turmat e Esat Toptanit i shkatërruan gjithçka pati nga pasuria e tij aty nga viti 1915. Rebelët e rihnin me shkop rrugëve thuhet nëpër materiale, që flasin për jetën e tij dhe ai i duroi njëhershëm se ishte shpirti i ti,j i pashmbshëm besimi i tij për shqiptarizmin.
    Ishte Zoti vet,nën fytyrën e të urtit Jorgji Karbunara ,që paratha shumë gjërra.Koha e Bab Dudë Karbunarës është një kohë me,njerëz të çuditshëm,patriotë të pazakontë.Ai mbajti të ngrehur prezencën e përhershme të një ndjenje kombëtare. Shërbimet e tiji teqes vihen në realizim të programit të rilindjes kombëtare në përkrahjen e cetave në shpalljen e pavarësisë kombëtare ne përhapjen e arsimit shqip.Jorgji Karbunara ishte një shenjtor i shqiptarizmës.
    Ngulmimi i shenjtorëve është mbarësi për kombin.Shenjtorët kryesisht shqiptarë,mbasi merrnin frymën,kërkonin pozicionimin në vendin e tyre,për ti kushtuar energji,çështjeve jetike dhe interesi më i madh ishte largimi i nënshtrimit të perëndorisë osmane.

    6.
    Titulli Bab ja kanë dhënë qytetarët.Cfarë thotë prof. Neki Babamusta:Ç’tregojnë faktet historike? Predikuesit e feve në Shqipëri si Rilindas të hershëm, veprën e tyre ia kanë kushtuar kombit dhe patriotizmës, duke kundërshtuar çdo lloj pushtimi, të sulltanëve të Turqisë, të shovinistëve grek dhe serb, të Italisë fashiste, të Gjermanisë, etj. Që nga Buzuku i hershëm, tek Pjetër Budi, Pjetër Bogdani, Frank Bardhi, Naim, Sami dhe Abdyl Frashëri, Ndre Mjeda, At Gjergj Fishta, Fan Noli, Hafiz Ali Korça (i dënuar dy herë me vdekje nga sundimi turk, ndërsa fëmijët iu burgosën nga diktatura), Nënë Tereza e famshme, Bab Dud Karbunara, At Zef Pëllumbi, etj, ndonëse kishin të veshur petkun fetar, ajo nuk iu bë pengesë aspak për çështjen tonë kombëtare. Ato u bënë udhërrëfyes për liri, pavarësi, për gjuhën e bukur shqipe për kombin tonë duke u afirmuar edhe si figura ndërkombëtare.

    7.
    Dhimitër Çani lindi në Korçë më 14 shtator 1904, , ishte një skulptor shqiptar. Nga punët e tij më të mira janë:Bab Dud Karbunara (1937).


    Marre nga Zemra Shqiptare
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 20-01-2015 më 18:06

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •