Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e shitesi
    Anëtarësuar
    17-11-2003
    Vendndodhja
    ne frymemarrjen time
    Postime
    1,069

    "Reuters": Ja si luftuan çamët kundër fashizmit

    DOSSIER NGA NEXHAT MERXHUSHI 27 NENTOR 2014 - 10:53
    Fakte të reja,
    "Reuters": Ja si
    luftuan çamët kundër fashizmit


    Agjencia “Rojter” më 22.12.1940, gjatë kohës së luftës italo-greke, transmetonte këtë lajm nga Manastiri: “Ushtarët shqiptarë të mobilizuar me forcë në ushtrinë italiane kanë ngritur krye dje në një sektor të prapavijave italiane dhe i kanë shkaktuar armikut, humbje të mëdha deri sa u kapën. Një pjesë e tyre, pa marrë përpjetë brigjeve ku vazhdon të rezistojë”. Më 4.12.1940 agjencia “Anatoli” lajmëronte nga Athina se “një gjeneral italian i kapur rob prej grekëve, ka deklaruar se ushtria italiane po pëson humbje të rënda nga shkaku i tradhëtisë së shqiptarëve”. Dhe Musolini vetë, në një letër dërguar Hitlerit më 22 nëntor 1940, donte t’i justifikonte po në këtë mënyrë humbjet. Dhe ja se ç’thotë Badolio në kujtimet e tij: “Fushata fillon, pra. Gjithë bota i di zhvillimet e saj. Trupat greke në Epir qëndrojnë trimërisht në Kalamas, kurse bandat dhe trupat shqiptare, që bënin pjesë në divizionet tonë, ose na tradhëtuan, duke bërë sabotazhe ose u hodhën te grekët”. Gazeta “Figaro”, nr.588, 4 korrik 1946, duke bërë fjalë për luftën italo-greke, shkruante: “Çetat shqiptare nga ana e tyre sulmonin autokolonat dhe trupat italiane, në rrugët që çonin në front”. Ndërsa radio “Londra” më 26.10.1940 transmetonte: “Mësohet nga Shqipëria se çeta shqiptare në veprim të prapavijave italiane, presin dhe sabotojnë vijat e komunikacionit, duke u futur tmerrin reparteve italiane të izoluara. Grupe të armatosura kanë mundur të hyjnë në kryeqytet dhe kanë afishuar mbi të gjitha godinat qeveritare dhe deri në pallatin e qeverisë italiane proklamata, me të cilat ftojnë italianët të zbrazin Shqipërinë”. Gjithashtu më 4.1.1941, BBC-ja (radio Londra) transmetonte: “Në rrethet ushtarake vihet re se, shqiptarët u sjellin ndihmë të madhe grekëve kundër italianëve”. Ja pra cila ka qenë popullsia çame. Populli shqiptar i Çamërisë nuk ka qenë kurrë bashkëpunëtor i pushtuesve. Kemi jetuar gjithnjë mirë me popullin grek, me të cilin kemi luftuar krah për krah kundër okupatorëve fashistë italianë e gjermanë.

    Gjatë luftës sonë antifashiste, populli shqiptar i Çamërisë u lidh në një miqësi të sinqertë me popullin grek. Nën dritën e këtyre fakteve, akuza e vetme e historiografisë greke të pasluftës dhe e diplomacisë greke gjatë periudhës së luftës së ftohtë, por edhe sot, të cilët kanë mbrojtur tezën absurde se populli çam (an blok) ishte bashkëpunëtor i nazistëve dhe fashistëve dhe u largua me ta për në Shqipëri në fund të luftës, duket nën figurën e saj të vërtetë, e gënjeshtërt dhe pa asnjë bazë.E kundërta është e vërtetë: Napoleon Zerva ishte një kriminel kolaboracionist.

    Si qëndron e vërteta?
    Është rasti të pohohet se në luftën antifashiste popullsia shqiptare e Çamërisë inkuadroi në formacionet luftarake shqiptare dhe greke mbi 1000 luftëtarë, pa llogaritur qindra të tjerë që punonin në terren. Vetëm në radhët e ELAS-it dhanë jetën 68 partizanë çamë. Më 8 shtator 1943, ditën e kapitullimit të Italisë, gjermanët hynë në Konispol duke ardhur nga ana e Sajadhës, të udhëhequr prej kapitenit zervist të quajtur Vito dhe dogjën mëse 50 shtëpi. Gjatë ofensivës së madhe të dimrit 1943-1944, organizuar prej gjermanëve kundër ushtrisë sonë Nacionalçlirimtare, forcat gjermane me bandat e Zervës erdhën nga Greqia në Shqipëri dhe u vunë zjarrin krahinave të Zagorisë dhe të Pogonit. Banda të tjera zerviste, bashkë me gjermanët, luftuan kundër partizanëve shqiptarë në janar 1944 dhe u vunë zjarrin katundeve Kranë dhe Dërmish, si dhe shtëpive të të gjithë partizanëve minoritarë të dropullit, kurse në shkurt 1944, këto banda dogjën katundin Dhrovjan. Gjatë ofensivës tjetër të madhe të gjermanëve në qershor të vitit 1944, forcat zerviste erdhën përsëri bashkë me ushtrinë gjermane nga Greqia, nga ana e Voshtinës dhe dogjën në Zagori ç’kishin lënë herën e parë. Kështu, kurdoherë gjermanët vinin nga Greqia për të goditur forcat e ushtrisë sonë Nacionalçlirimtare, mbështetja e tyre kryesore përbëhej nga bandat e gjeneralit kuisling grek, Napoleon Zervës. Nga ana tjetër, gjithë bota është informuar për terrorin e ushtruar ndaj popullsisë Çame në Greqi. Në qershor të vitit 1944 dhe në mars të vitit 1945, bandat e gjeneralit kuisling Napoleon Zerva, dogjën katundet tona, plaçkitën pasuritë dhe vranë me mijëra burra dhe gra, fëmijë dhe pleq. Mëse 25 mijë çamë, që mundën të shpëtonin nga vdekja, u arratisën në Shqipëri.

    Kjo është një arsye më shumë që populli shqiptar i Çamërisë, i vogël në numër, por i madh në sakrificat që ka bërë për kauzën e përbashkët, të ketë gjithë të drejtat e botës për të kërkuar trojet e veta dhe gjithçka që grekët i kanë grabitur me dhunë dhe gjenocid të paparë. Fakte të tjera të pakundërshtueshme Para se të hynte në Greqi, ushtria fashiste italiane, qeveria greke filloi një fushatë të re masakrash dhe krimesh nga më monstruozët kundër popullsisë shqiptare të Çamërisë. Dy muaj para konfliktit italo-grek, qeveria fashiste e Metaksait kreu një akt pa precedent në historinë botërore. Të gjithë meshkujt nga 16-70 vjeç, mbi 5000 burra, u burgosën dhe u dërguan në ishujt e largët të Egjeut. Ky veprim u krye në bazë të vendimit të marrë më parë në Gumecinë nga një mbledhje e kryesuar nga Dhespoti i Janinës, Spiridoni, ku merrnin pjesë edhe zv/Prfekti i Gumenicës Jorgo Vasilako, komandanti i Korafilaqisë dhe përfaqësues të grekëve të Çamërisë. Nga ky kontigjent viktimash 350 veta u masakruan, 400 të tjerë vdiqën më vonë gjatë internimit nga torturat dhe uria. "Në këtë mënyrë -shkruan Jani Sharra - qeveria e vendosi elementin shqiptar, mysliman, haptazi në kampin e armikut", duke e paragjykuar popullsinë çame. Rekrutët çamë, si shtetas grekë të mobilizuar në vitet 1939 dhe 1940 që në atë kohë ndodheshin në shërbim ushtarak, me urdhër të Korparmatës së Janinës, u vunë të thyejnë gurë dhe të ndreqin rrugë në formën e punës së detyrueshme. Në takimin që pati Komandanti i Divizionit VIII të Epirit, gjenerali Kaçimitro, me 2000 djem çamë, u kërkonte mendime për rrezikun që i kanosej vendit nga Italia fashiste. Çamërit u treguan të gatshëm për të luftuar armikun e përbashkët. Por për çudi, në vend të armëve u dhanë kazma dhe lopata për të vepruar në prapavija për ndërtim rrugësh. Ishte një qëndrim mosbesimi i autoriteteve greke ndaj çamëve dhe njëherazi dhe një fyerje e poshtërim për ta, duke i trajtuar jo si bashkëluftëtarë, por si robër lufte. Nga ana tjetër, Italia gjatë përgatitjeve të luftës me Greqinë nuk mund të mos merrte në konsideratë për interesat e saj gjendjen diskriminuese të shqiptarëve të Çamërisë. Çiano, ministër i Jashtëm i Italisë, në gusht të vitit 1940, do t'i vinte në dukje ambasadorit grek në Romë se "Greqia ishte e vendosur me të gjitha mjetet që disponon të vazhdojë një program politik, ka diskriminuar në mënyrë tepër të rëndë shqiptarët në favor të grekëve. Dhe këtë e ka bërë në të gjitha fushat e veprimtarisë, që nga ajo e lirisë

    personale e në atë ekonomike, deri në atë të mësimit të gjuhës... i kanë larguar shqiptarët në rajone larg qendrave të mëdha, duke i mbajtur në kushte primitive". Shpërthimi i Luftës Italo-Greke më 1940 thelloi tensionin politik në Çamëri. Megjithë përpjekjet e pushtuesit për ta tërhequr minoritetin shqiptar në anën e tij dhe pavarësisht se popullsia çame gjatë regjimit fashist të Metaksait kishte vuajtur shumë, ajo përgjithësisht mbajti një qëndrim neutral ndaj palëve në konflikt. "Edhe kur italianët pushtuan Gumenicën-shkruan Jani Sharra-rrallë ndonjë çam u bashkua me ta". Gjithkush mund të shtrojë pyetjen: pse u mbajt ky qëndrim i ashpër ndaj minoritetit shqiptar ? A ishte kjo një masë vetëmbrojtjeje nga ana e autoriteteve lokale dhe qendrore greke ? A u shkaktua kjo vetëm nga frika e një hakmarrjeje të mundshme të shqiptarëve për krimet që ishin kryer ndaj tyre nga regjimi i Metaksait dhe bandat greke ? Të dhënat provojnë se asnjëra prej këtyre arsyeve nuk përbënte shkakun e këtij veprimi kriminal. Synimi ka qenë akoma më i largët dhe njëkohësisht më antishqiptar. Edhe në situatat e vështira dhe të komplikuara, kur Greqisë po i trokiste lufta në derë, autoritetet greke me gjakftohtësi u përpoqën të përfitonin ç'të mundnin. Ata gjykuan se ishte krijuar një moment i përshtatshëm në marrëdhëniet ndërkombëtare për spastrimin etnik përfundimtar të Çamërisë. Këtë e provon edhe fakti se pas shpërthimit të luftës, pasi u bë e qartë se kapitullimi i Greqisë përballë ushtrive italiane ishte i afërt, autoritetet lokale greke të Çamërisë përgatitën listat dhe po përpiqeshin të siguronin mjetet e nevojshme të mbartjes për të gjitha gratë dhe fëmijët që kishin mbetur në Çamëri me qëllim që kur të hynin ushtritë e huaja këtu, të mos gjenin këmbë shqiptari. Pas thyerjes së ushtrive italiane dhe tërheqjes së tyre nga Greqia u intensifikua dhuna dhe terrori i qeverisë së re greke mbi popullsinë shqiptare të Çamërisë. Të burgosurit dhe të internuarit çamë u liruan vetëm pas pushtimit të Greqisë nga ushtritë gjermane në një gjendje të rëndë shëndetësore dhe shpirtërore. Ç’ndodhi pas pushtimit gjerman?

    Pas pushtimit të Greqisë nga gjermanët, pritej që çamët e kthyer nga internimi të hakmerreshin ndaj forcave shoviniste greke që kishin qenë shkaktarë të vuajtjeve. Por ndodhi krejt ndryshe. Ata u ngritën mbi pasionet shoviniste dhe zgjodhën rrugën e bashkëpunimit dhe të bashkëjetesës për të përballuar bashkërisht gjendjen e rëndë që u krijua nga pushtuesit e rinj gjermanë. Për këtë qëllim u organizuan dy mbledhje të gjera në Koskë dhe

    në Spatar. Njerëz me ndikim në krahinë punuan me përkushtim për të krijuar atmosferën e mirëkuptimit midis dy komuniteteve, grek dhe shqiptar Në zonën e Gumenicës dhe të Filatit ishte bërë rregull që asnjë grup i rezistencës greke nuk dilte në zonat e lira pa qenë i shoqëruar nga një shqiptar çam. Pikërisht për këtë veprimtari e sakrificë, jo pak çamë dolën para gjykatave të pushtuesit dhe u burgosën. Duke pasur parasysh këtë realitet të mirëkuptimit dhe të bashkëpunimit midis dy komuniteteve (greke dhe çame shqiptare) studiuesi Niko Zhangu shkruante: "Sikur shqiptarët çamë të ishin kriminelë, do të zhdukeshin të gjithë fshatrat e krishterë të Thesprotisë rreth fshatrave shqiptaro-çame". Ajo që i shqetësoi më shumë atëherë forcat shoviniste greke ishte ngritja e këshillave shqiptare në të gjithë Çamërinë. Në mars të vitit 1943 u formua çeta e parë mikste, e cila bashkëpunonte me EAM-in. Tashmë, edhe biografët e Zervës, si Mihal Miridhaqi nuk e mohojnë kontributin dhe pjesëmarrjen e çamëve myslimanë në radhët e rezistencës antifashiste greke, në formacionet e ELLAS-it dhe EAM-it. Historiani i lartpërmendur thekson se çamët nxorrën mbi 1000 luftëtarë. Popullsia çame filloi të organizohej në luftën kundër fashizmit në dimrin e viteve 1942-1943, madje që në verën e vitit 1942 u krijua në Filat grupi ilegal i rezistencës antifashiste i përbërë nga Njazi e Kasem Demi, Mustafa Sulo (Kalbaqi), Dervish Dojaka, Muharrem Demi, Braho Karasani, Sami Alushi,Musa Demi, Tahir Demi, Petrit Demi, Vehip Huso, Qemal Vërsela, Myfit Sejko, Taho Sejko e shumë të tjerë. Ata punuan në rrëzë të kufirit të Shkallës së Zorjanit e më thellë për organizimin e rezistencës, për krijimin e bazave të luftës, për popullarizimin e ideve të Kartës së Atlantikut, e cila u garantonte popujve e pakicave etnike liri, barazi dhe të drejtën e vetëvendosjes pas fitores mbi fashizmin. Në shkut të vitit 1943 u krijua çeta "Çamëria" dhe pak më vonë batalioni "Çamëria", i cili zhvilloi në shtator 1943 betejën e famshme të Konsipolit kundër gjermanëve, që zgjati 55 ditë. Ajo betejë u shqua për pjesëmarrjen e gjerë të popullsisë së Çamërisë, të Delvinës dhe të minoritetit pa dallim kombësie e shtresash shoqërore. Në mars të këtij viti u krijua formacioni i parë mikst shqiptaro-grek. Ai luftoi me trimëri kundër gjermanëve dhe zervistëve në Mallun, në Revani, në Theojefira, në Pleshavicë, në malin Kacidhjar e gjetkë. Në pranverë të vitit 1944 në Qeramicë u formua Batalioni IV "Ali Demi" me më shumë se 500 djem çamë. Ky batalion hyri në përbërje të Regjimentit XV të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Greke (EAM). Gjatë luftimeve të tij në rrugën Janinë-Gumenicë, Koskë, Smartë e Lopës si dhe në Mallun ranë trimërisht dëshmorët Muharrem

    Myrtezai, Ibrahim Halluni, Husa Vejseli etj. Gjithashtu, shumë çamë morën pjesë në Brigadën VI, VII, IX dhe XI të ushtrisë greke. Edhe misioni britanik që kreu hetime në Çamëri nuk e mohonte pjesëmarrjen e çamëve në radhët e EAM-it. Edhe gjermanët u përpoqën ta hedhin minoritetin shqiptar në luftë kundër EAM-it dhe Frontit Nacionalçlirimtar Shqiptar. Këto përpjekje regresive shoqëroheshin me një propagandë me ngjyra të theksuara nacionaliste. Peshë jo të vogël në trajtimin e çështjes çame dhe të pozitës së Çamërisë në vitet e Luftës së Dytë Botërore do të luante dhe qëndrimi i nacionalistëve çamë, i cili aspironte hapur me qëndrimin e vet bashkimin e Çamërisë me Shqipërinë. Këtë lëvizje e drejtonte një Këshill krahinor me organizmat e tij në nënprefekturat dhe fshatrat. Pjesëtarë të këshillit krahinor të Çamërisë ishin njerëz me influencë si vëllezërit Dino, Adem Muha, Hamza Rexhepi, Hizder Ahmeti, Mahmut Mala, Ramadan Sulo, Bido Taho, Haxhi Shehu etj.

    Dokumenta që provojnë bashkëpunimin e Zervës me gjermanët
    Është tashmë e provuar se masakrat dhe dëbimin e dhunshëm të popullsisë shqiptare të Çamërisë i kreu Zerva, i cili ishte dhe bashkëpunëtor i gjermanëve. Pikërisht këtu mendojmë se duhen rikujtuar disa dokumenta që provojnë bashkëpunimin e tij me gjermanët dhe kështu do të mbetet absurd pretendimi grek se një aleat i gjermanëve ka dëbuar nga trojet etnike një popullsi të tërë pse ishte në bashkëpunim me aleatët e tij. Bashkëpunimi i Zervës me gjermanët është i provuar nga dokumentat gjermane si dhe nga shtypi grek i kohës dhe i pasluftës, i cili ka dhënë dhjetëra dëshmi në këtë drejtim. Nga arkivat sekrete të Vermahtit gjerman për Greqinë, zbulohet një marrëveshje bashkëpunimi midis Zervës dhe pushtuesve gjermanë që të godiste grekët e tjerë. Autori që ka publikuar këtë marrëveshje shprehet se "ekzistonte në thellësi një miqësi me ujkun". Në dokumentin gjerman thuhet: "Gjatë natës së 1-2 shkurtit 1944, Zerva i parashtroi Komandës së Korparmatës XXII malore, me anën e një oficeri të plotfuqishëm propzimin për bashkëpunim mbi bazat që vijojnë: armëpushim, bashkëpunim në luftën kundër ELAS-it ne azhornim të vazhdueshëm mbi qëllimet e tij, mbi vetë pozitën e tij si dhe mbi forcat armike". Propozimi i Zervës iu parashtrua dhe të Plotfuqishmëve të Posaçëm të Rajhut për Evropën Juglindore, ministrit Nojbaher. Përgjigja ishte: të vazhdojmë traktativat deri sa të merret vendimi përfundimtar. Më 9 shkurt 1944 u arrit aprovimi për marrëveshje lokalisht të përkufizuar... Kjo situatë vazhdoi deri

    në fillim të korrikut 1944. Forcat e Zervës në mars 1944 kishin rreth 10000 luftëtarë. Bashkëpunimi i Zervës me gjermanët, ishte dëshmuar edhe në Senatin Amerikan nga oficeri i ushtrisë amerikane me origjinë greke Kouvras më 31 mars 1947, duke e cilësuar atë si një kolaboracionist të tipit të Mihailloviçit të Jugosllavisë. Kouvaras i paraqiti Senatit një dokument shumë kompromentues, i cili provonte marrëveshjen që ekzistonte midis forcave të armatosura gjermane në Epir dhe EDES-it të Zervës. Ky dokument ishte një memorandum i Shtabit të Përgjithshëm të Korpusit të 22 të Ushtrisë Gjermane. Tezën greke e hedhin poshtë edhe dokumentat diplomatike angleze të kohës. Kështu, sipas dëshmive të njërit nga zyrtarët e lartë të misionit anglez në Shqipëri, majorit Palmer, i cili kreu një udhëtim eksplorues në Greqinë e Veriut pohohet se "Forca 399" nuk mohonte faktin që pati rreth 700 shqiptarë që luftuan në radhët e ELLAS-it kundër gjermanëve. Palmeri, i cili është mbështetur siç e thotë dhe vetë në të dhënat e palës greke e konkretisht të majorit Sarandis, i cili-thotë Palmeri- "pranoi përgjithësisht veprimet e kryera prej grekëve kunër minoritetit shqiptar" hedh paksa dritë edhe mbi një çështje tjetër mjaft të rëndësishme, e cila ka të bëjë me faktin se ç'vend patën gjermanët në genocidin që kryen forcat ultrashoviniste dhe fashiste greke kundër popullsisë shqiptare, të cilin Palmeri, pa u shqetësuar për tragjedinë e dhimbshme të kësaj popullsie, me gjakftohtësi e quan thjesht një "situatë grindjesh". Ai pohon sidoqoftë, një të vërtetë se ky akt "padyshim ishte i inkurajuar nga gjermanët". Genocidin zervist për spastrimin etnik në Çamëri e konfirmonte edhe koloneli Monague @oodhouse, ish kryetar i Misionit Anglez në Greqi, i cili thotë se "Zerva i ndoqi çamët nga shtëpitë e tyre në 1944... Dëbimi u krye me gjakderdhje të madhe. Qëllimi ishte dëbimi i popullsisë s padëshirueshme shqiptare nga vendi i vet".

    Justifikimi grek vazhdon
    Teza e fabrikuar greke e "bashkëpunimit me pushtuesit” vazhdon të mbetet arsyeja e vetme me te cilën grekët justifikojnë akoma spastrimin e dhunshëm të Çamërisë më 1944 dhe 1945. Prof. Beqir Meta, një studiues dhe historian i njohur, thotë se abuzimi me çështjen e “bashkëpunimit të çamëve me gjermanët” ka qenë dominues gjatë gjithë këtyre viteve. Por vetë gjenerali i ushtrisë Republikane greke EDES, Napolon Zerva, ishte për një kohë të gjatë bashkëpunëtor i gjermanëve, derisa anglezët e bindën të bashkohet me aleatët", thotë historiani Meta.

    Grabitja dhe shtrëmbërimi i historisë është shkaku që frymëzon sot ultranacionalizmin grek dhe nxit qarqet shoviniste për t’i fryrë erës së pretendimeve territoriale.

    Redaksia Online
    (Shqiptarja.com)
    - See more at: http://shqiptarja.com/home/1/si-luft....W5HwMqKF.dpuf
    Feja e Shqiptarit eshte Shqiptaria

  2. Anetarët më poshtë kanë falenderuar shitesi për postimin:

    nurie dika (05-11-2015)

  3. #2
    i/e regjistruar Maska e shitesi
    Anëtarësuar
    17-11-2003
    Vendndodhja
    ne frymemarrjen time
    Postime
    1,069

    Për: "Reuters": Ja si luftuan çamët kundër fashizmit

    JAMES PETTIFER: GREKËT DUHET TË HAPIN BISEDIMET PËR ÇËSHTJEN ÇAME

    Edhe pse impenjimi është shtuar, ka pak kohë që punon edhe si pedagog i shumë të famshmit universitet të Oksfordit, profesor James Pettifer, nuk heq dot nga gërmimi i arkivave për të zbuluar të vërtetat e çështjes shqiptare. Dhe Londra është pa dyshim vendi nga ku “flenë” ende shumë të vërteta të panjohura, por që britaniku që e njeh më mirë çështjen shqiptare nuk resht së zbuluari dhe së elaboruara studime që ndihmojnë kancelaritë të punojnë.
    Pettifer, i cili prej vitesh punon në Qendrën e Studimeve Ushtarake të “Madhërisë së Saj” në Londër, ka sjellë në “Shqip” librin më të ri “Ëoodhouse, Zerva dhe çamët”, ku flet për rolin britanik në kohën e masakrave greke ndaj popullsisë çame.

    Por, në një intervistë për “Shqip”, profesor Pettifer bën një analizë të gjerë mbi zhvillimet në Shqipëri dhe në Ballkan. Sipas tij, Athina zyrtare duhet të nisë të negociojë mbi të drejtat e çamëve sa më shpejt që të jetë e mundur, pasi ajo do të hapet dikur, por e rëndësishme është që ajo të bëhet shpejt. Në këtë intervistë, studiuesi i njohur flet edhe për krizën e fundit, por edhe për çështjen e integrimit të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian. Dhe në këtë pikë, James Pettifer, nuk është aspak optimist kur parashikon se shtetet ballkanike do të rrinë në radhë edhe për një kohë të gjatë, pasi sipas tij, Europa ka një dhimbje të madhe koke që është kriza greke, e cila mund të sjellë pasoja të rënda kudo, madje edhe në Shqipëri…

    Hapja e arkivave të kancelarive perëndimore po nxjerrin dita-ditës një të vërtetë të ndryshme për Ballkanin dhe në veçanti për çështjen shqiptare. Ju sapo keni botuar një tjetër libër për çështjen çame pas “gërmimeve” në arkivat ballkanike. Çështja çame, sipas jush, është një rast politik apo çështje e të drejtave pronësore?

    Në fakt, ky është një problem i të drejtave të njeriut, por nuk është vetëm i tillë, ndaj duhej të ishte zgjidhur shumë kohë më parë. Është një çështje e një identiteti të gabuar dhe shtetësie, ndaj duhet një që të kuptohet në mënyrë korrekte se ç’ka ndodhur. Unë mendoj se duhet bërë një punë historike, unë jam munduar të nis diçka në librin vogël Ëoodhouse, Zerva dhe çamët. Por çështja kryesore është se grekët duhet të nisin të negociojnë. Çamët kanë pasur një përvojë të keqe prej shumë kohësh dhe kanë harxhuar shumë pasuri për pasuritë e tyre të patundshme.

    Problemet e vjetra të Ballkanit po gërmohen, por politika greke si konservatorët ashtu edhe socialistët e cilësojnë të mbyllur çështjen çame, ndërkohë që reagimi i Tiranës është kondicionuar nga dobësia e shtetit shqiptar. Ju mendoni se kjo çështje zgjidhet në suazat bilaterale apo duhet një ndërhyrje ndërkombëtare?

    Në fakt, faktori ndërkombëtar është aktivizuar, por e rëndësishme është që grekët do të duhet të vendosin bëhen realistë dhe të fillojnë të bisedojnë, sepse përndryshe do të kemi turbullira për vite të tëra. Ndërkaq, edhe qeveritë shqiptare, si të së majtës ashtu edhe të së djathtës kanë ndërmarrë përpjekjet e tyre për ta hapur këtë çështje, por grekët nuk e kanë marrë në konsideratë. Unë mendoj se doktor Berisha duhet të bëjë më shumë presion nëpërmjet shqiptarëve që jetojnë në Greqi, të cilët janë një faktor i rëndësishëm për ekonominë greke, merren me ndërtime, në biznesin e restoranteve etj., duke i dhënë vlera të rëndësishme ekonomisë së Greqisë. Ndërkohë që çështja e emigrantëve është edhe rast i të drejtave të njeriut, pasi kemi mungesë të arsimimit të tyre në gjuhën amtare, gjë që është një standard i njohur në Bashkimin Europian.

    Në lidhje me çështjen çame kemi disa zhvillime edhe në lidhje me komunitetin që e përfaqëson në Shqipëri. Nga një shoqatë, tani kemi edhe dy parti politike, a mendoni se kjo përbën faktor pozitiv?

    Unë mendoj se duhet të jenë më shumë të bashkuar, por opinioni im dhe i koleges, Miranda Vickers, është që çamët duhet të grumbullohen vetëm në një parti politike.

    Në Shqipëri kanë nisur procedurat për regjistrimin e ri të popullsisë, i cili ende pa filluar ka hapur polemika të mëdha në vend në lidhje me çështjen e deklarimit të përkatësisë etnike dhe atë religjioze. Shumë mendojnë se vërtetësia e deklarimit do të varet edhe nga kushtëzimi ekonomik…

    E njoh këtë argument dhe ka kohë që e kam vënë re kur nisa të punoj në Ballkan 20 vjet më parë. Por ndryshimet e fundit kanë dhënë një panoramë të ndryshme, ku Shqipëria është një vend më i fortë se 20 vjet më parë dhe është thuajse i barabartë me Greqinë dhe jo një protektorat. Qeveria shqiptare duhet të ketë më shumë besim, pasi ka shumë miq të fuqishëm që e ndihmojnë dhe besoj se ky regjistrim do të realizohet mjaft mirë, pasi ky regjistrim është shumë i rëndësishëm për çështjen e pronësisë.

    Përveç çështjes së etnicitetit polemika ka hapur edhe problemi i fesë, si mendoni ju për këtë?

    Në fakt, kjo është një çështje e njohur në Ballkan që i ka rrënjët që nga koha e Perandorisë Otomane. Unë mendoj se këtu kemi të bëjmë me çështjen e lidershipit të Kishës Ortodokse Greke, pasi ka ende disa besimtarë ortodoksë që e konsiderojnë fuqinë e Greqisë. Unë mendoj se kjo nuk është çështje kombësie, por thjesht e karakterit fetar. Duhet të kemi parasysh se shumë ortodoksë shqiptarë në të gjitha periudhat historike, kanë qenë pjesë e bërthamës dhe e drejtimit të çështjes shqiptare, kemi shumë patriotë që kanë qenë jo vetëm besimtarë, por edhe klerikë të kishës ortodokse.

    Tani në Ballkanin Perëndimor kemi disa zhvillime të reja që ndahen në dy çështje kryesore” liberalizimin e vizave për qytetarët e rajonit dhe procesin e integrimit në BE ku shumica ka aplikuar për statusin e vendit kandidat. Vetëm Shqipëria dhe Bosnja mbetën të fundit për liberalizimin e vizave, sipas jush kjo është një çështje politike apo teknike?

    Në fakt, është e vërtetë që një pjesë e madhe e opinionit publik në Britani e konsideron fenë si çështje të rëndësishme, ndaj është shumë e vështirë të pranojnë hyrjen në BE të vendeve me shumicë myslimane. Nuk jam shumë i sigurt për vendet e tjera, por fakt është që kriza ekonomike i ka ndryshuar mjaft gjërat. Duhet të presim edhe më shumë për çështjen e anëtarësimit të vendeve ballkanike. Sipas mendimit tim, situata do të kondicionohet edhe më shumë nga kriza e rëndë ekonomike në Greqi. Ajo është thelbësore për një kohë të gjatë për zhvillimet në të gjithë rajonin, por edhe më gjerë. Patëm pranimin e Bullgarisë dhe Rumanisë, por kjo nuk solli shumë entuziazëm, pasi taksapaguesit europianoveriorë nuk duan të hedhin para e të blejnë anëtarë të BE-së. Opinioni im është që edhe Kroacia nuk do të pranohet në BE në vitin 2012, kjo pasi kriza greke do të japë më shumë reaksion në të gjithë strukturën europiane për vite. Unë mendoj se NATO dhe BE janë gjëra të ndryshme, pasi NATO është Amerika dhe Shqipëria është një mik i mirë i SHBA-së. Në lidhje me marrëdhëniet ndërkombëtare, mendoj se një rol të rëndësishëm mund të luajë Turqia, e cila ka një qeveri efektive dhe mund të luajë një rol të rëndësishëm në zhvillimet në Ballkan si në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë etj. Në këtë aspekt unë nuk jam me një mendim me disa njerëz si Piro Misha që mendon se Shqipëria rrezikohet nga një otomanizëm i ri. Nuk kemi të bëjmë me këtë, por thjesht me peshën specifike të një shteti të fortë.

    Mund të flasim pak për krizën aktuale politike në vend…

    Flasim, ju vazhdoni të keni një polarizim të lartë politik në vend. Ne duhet të shohim se çdo të ndodhë me paratë e njerëzve për të dhënë një mendim më të saktë. Duhet të presim pasojat e krizës greke, por mendoj se në disa pjesë të Shqipërisë kriza greke ndihet mjaft dhe po lë gjurmë çdo ditë. Unë isha në Peshkopi, ku shumë familje punojnë në Greqi në ndërtim dhe shumë janë kthyer se nuk ka punë, ndaj është e rëndësishme që të ndërhyhet.

    Bisedoi : Ylli PATA
    Feja e Shqiptarit eshte Shqiptaria

  4. Anetarët më poshtë kanë falenderuar shitesi për postimin:

    nurie dika (05-11-2015)

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •