Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 1
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,122
    Postimet në Bllog
    17

    Shpella e Bënjës, një “arkiv” i kulturës 5500-vjeçare

    Format karstike provojnë më së miri vijimësinë kulturore dhe etnike të bartësve të shpellës, nga epoka e bakrit në atë të bronzit të hershëm

    Emri:  Kanionet-e-Benjes-240x320.jpg

Shikime: 1986

Madhësia:  36.9 KB

    Kanionet e BenjesLangarica, një ndër degët kryesore të rrjedhjes së sipërme të lumit të Vjosës, në afërsi të fshatit Bënjë, pasi çan terrenin shkëmbor, formon një kanion me bukuri të rrallë. Në faqet e thikta të kanionit vargëzohen disa shpella karstike, midis të cilave ajo e Pëllumbave dhe e Katiut, të cilat kanë qenë për një kohë të gjatë vendbanime prehistorike.

    Në këtë histori të kërkimeve në Bënjë, pengesë për të gjithë arkeologët kanë qenë kushtet e papërshtatshme për të hyrë në shpellë e për të punuar në ambientet e brendshme të saj. Kanioni shumë i ngushtë i Langaricës, i cili në zonën e shpellës mund të kalohet vetëm në këmbë, domosdoshmëria e ngritjes së një kulle-shkallë 10 m të lartë për të hyrë në shpellë, vendosja e instalimeve elektrike për ndriçim, lagështira e madhe në ambientet e brendshme dhe kalimet e ngushta nga një ambient në tjetrin, ishin vështirësi jo të vogla që u desh të përballoheshin për të nxjerrë atë lëndë të pasur arkeologjike që kemi sot nga shpella e Bënjës.

    Hyrja për në shpellë nuk ishte e lehtë. Pas 10 m ngjitjeje vertikale zhvillohej shpella në formën e një korridori të gjatë, rreth 160 m, me disa mjedise e degëzime anësore mjaft të përshtatshme për banim. Materiali arkeologjik që u nxor nga gërmimi i shtresave kulturore ishte mjaft i pasur dhe i qartë në pikëpamje kulturore e kronologjike.

    Shtresa më e hershme kulturore që është e lidhur me fillimin e banimit të shpellës i takon epokës së bakrit rreth 5500 vjet më parë. Ajo ndiqet nga shtresa kulturore e bronzit të hershëm dhe në vijimësi të pandërprerë vijnë shtresa kulturore e bronzit të mesëm, bronzit të vonë dhe hekurit të hershëm. Siç tregojnë gjetjet e shkëputura, shpella ka qenë shfrytëzuar për banim edhe gjatë antikitetit të vonë e Mesjetës së hershme.

    Lënda arkeologjike e shpellës së Bënjës, e të gjitha periudhave, ka tipare të njëjta me kulturat bashkëkohëse të pellgut të Korçës, po nuk mungojnë edhe veçoritë lokale që e dallojnë atë si një lloj më vete. Karakteristikë për kulturën më të hershme, atë të epokës së bakrit, është qeramika e zezë me lustër që dallon për format e pasura dhe zbukurimet me pikturim ngjyrë gri, si dhe për ornamentet në reliev. Në të gjithë treguesit e saj kjo qeramikë është e njëllojtë me kulturën eneolitike, të Maliqit me atë të zbuluar në shpellën e Nezirit në Mat dhe me atë të Gradecit në Rrethin e Dibrës. Bartësit e kulturës eneolitike të vendit tonë janë banorët e tejlashtë të vendit tonë.

    Me interes të veçantë është lënda arkeologjike e bronzit të hershëm të Bënjës, e cila duke pasur tipare të qarta dalluese, mbart me vete edhe tipare po kaq të qarta të qeramikës paraardhëse të epokës së bakrit. Në shumicën e enëve të cilat riprodhojnë forma me përmasa të ndryshme si kupa, tasa, broka, tava etj., bashkëjetojnë të dy teknikat.

    Ky fakt shumë i qartë e shprehës, provon më së miri vijimësinë kulturore dhe etnike të bartësve të shpellës, nga epoka e bakrit në atë të bronzit të hershëm. Ndaj Bënja me këtë veçanti përbën një shfaqje të re kulturore, është një nyje e fuqishme lidhëse midis epokës së bakrit e asaj të bronzit – d.m.th midis banorëve të tejlashtë eneolitikë me banorët e epokës së bronzit.

    Shtresa kulturore që i takon periudhës së bronzit të vonë me qeramikë të pikturuar të stilit devollit, shquhet për nivelin e lartë të punimit dhe zbukurimet e pasura me motive gjeometrike. Ajo vazhdoi të prodhohet edhe të qarkullojë me të njëjtën dendësi edhe gjatë epokës së hekurit të hershëm, së bashku me kategoritë e tjera të qeramikës. Ato përbëjnë të dhëna me vlerë për të njohur tiparet e kulturës ilire në territorin e luginës së sipërme të Vjosës, e cila ka qenë banuar në epokën historike nga fisi ilir i Parauejve.

    Janë këto vlera arkeologjike historike që ruhen në “arkivin” (në shtresat kulturore të shpellës së Bënjës prej të cilit është gërmuar vetëm 10-15% e saj), që “thërrasin” të mos përmbyten, pas 56 shekuj ekzistence, nga hidrocentralet çibanë të shekullit XXI.

    Prof. Dr. Muzafer Korkuti
    (Autor i gërmimit të shpellës)


    Shqip

  2. Anetarët më poshtë kanë falenderuar Albo për postimin:

    Sorkadhe_Kelcyre (18-11-2014)

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •