“Ferma e Kafshëve” në Kamboxhia


Vrasja si metodë e qeverisjes

“Për të ndërtuar vendin mjaftojnë një milion revolucionarë të mirë. Ne nuk kemi nevojë për pjesën tjetër. Ne preferojmë të vrasim dhjetë miq sesa të mbajmë një armik në jetë”: ky ishte diskutimi i khmerëve të kuq, gjatë një mbledhje, në një kooperativë. Ata e vendosën në praktikë këtë logjikë genocidale. Në kohën e Pol Potit vdekja e dhunshme ishte e përditshme dhe rrezikoheshe më tepër të vdisje nga ekzekutimi sesa nga sëmundja dhe mosha. Ndëshkimi i quajtur “suprem” ishte banalizuar nga përdorimi i shpeshtë i tij si dhe nga kotësia e arsyes së aplikimit. Përmbysje e çuditshme: ishte në rastet e konsideruara si më të rënda të që shkoje në burg (ku sigurisht vdekja nuk ishte përgjithësisht veçse e shtyrë), ishe i detyruar të pohosh komplotet dhe bashkëpunëtorët. Me gjithë se sistemi i dhunës ishte fshehur me shumë kujdes, mister që e bën akoma më të tmerrshëm, disa të internuar kanë arritur të kuptojnë linjat kryesore: “Ndoshta aty kishe dy sisteme paralele të dhunës. Një sistem burgimi, pjesë integruese e burokracisë, që ushqente vetveten për të justifikuar ekzistencën e tyre dhe një sistem tjetër më pak zyrtar, që i jepte përgjegjësve të kooperativave të drejtën për të bërë drejtësi. Pra, së fundi, rezultati ishte i njëjtë për të burgosurit”. Henri Lokard konfirmon këtë hipotezë. Është e përshtatshme për të shtuar këtu një mënyrë të tretë vdekjeje, që përkon me vitin e fundit të regjimit: “spastrimi ushtarak” duke kujtuar “kolonët e skëterrës” të luftës së Vendée, në vitet 1973-1975. Ishte një spastrim ushtarak, pasi ushtria sipas udhëzimeve të Qendrës, ekzekutonte në vend dhe në masë, grupe të tëra të kuadrove lokalë të larguar nga postet e tyre, banorët e fshatrave të dyshimtë, popullsi komplet, si në zonën e Lindjes. Megjithatë, kurrë nuk kishte veprime akuze të sakta, mundësi për t’u mbrojtur, dhe të afërmit ose kolegët nuk njoftoheshin për fatin e viktimave: “Angkor vret, por nuk shpjegon kurrë”, kjo ishte një nga shprehjet e reja të popullit.

Është e vështirë të përcaktohet saktë lista e krimeve të ndëshkuara me vdekje. Jo se ato mungonin, por në të kundërt, pasi është e pamundur të citohet një devijim që nuk mund të japë ekzekutimin kapital: për khmerët e kuq, është e lehtë dhe rekomanduar si provë e inteligjencës politike, të kryej leximi më paranojak të mundshëm nga devijimi më i vogël. Pra do të kënaqemi te një rishikim i motiveve kryesore të ekzekutimit kapital, duke filluar nga më të shpeshtat. “Vjedhja” e ushqimeve qëndron në krye. Duke pasur parasysh rëndësinë e orizit në ushqim dhe të fiksimit të kryer mbi të nga ana e regjimit, vendimi me vdekje u aplikua në mënyrë masive në rastet e vjelëve të pakujdesshme, të vjedhjeve në hambar ose kuzhinë, vjedhësit shpesh ekzekutoheshin menjëherë me anë të goditjeve me bishtin e kazmës, direkt në fushë dhe liheshin atje. Kishe më tepër shans për të dalë nga biruca në rastet e vjedhjeve të frutave ose zarzavateve. Megjithatë, disa banane të vjedhura nga një e uritur që ushqente beben e saj me qumësht do ta dënonin me vdekje.
Adoleshentë, vjedhës të pemëtoreve janë “gjykuar” nga shokët e tyre (që nuk kishin asnjë shans për të refuzuar), janë dënuar dhe ekzekutuar me një plumb në kokë gjatë mbajtjes së seancës. “Ne ishim duke u dridhur. Na thanë se ishte një mësim për ne”. Therjet e fshehta të kafshëve ishin më të rralla: pulat dhe kafshët shtëpiake u zhdukën shpejt ose u vendosën në ruajtje të fortë; tufëzimi e vështirësonte vjedhjen e bagëtive të trasha. Një familje e tërë mund të vritej pasi kishte therur një viç.

Vizitat e fshehta në familje, që quajtura dezertime, bile dhe për një kohë të shkurtër, ishin gjithashtu të rrezikshme. Në rast përsëritjeje rrezikoje jetën, me kusht të mos kishe kryer fajin e rëndë të mungesës në punë. Të doje shumë njerëzit e tu shiheshe me sy të keq, të ziheshe me ata ose me cilindo tjetër, gjithashtu mund të kushtonte jetën (edhe këtu, përgjithësisht jo në herën e parë). Në një atmosferë të një puritanizmi të fortë, për një burrë ishte e rekomanduar për të qëndruar së paku tre metra larg nga bashkëbiseduesja, në rast se ajo nuk ishte një e afërt. Marrëdhëniet seksuale jashtë martesës, në mënyrë sistematike dënoheshin me vdekje: fatkeqësi për të dashuruarit e rinj, fatkeqësi gjithashtu edhe për kuadrot me epshe të shumta, të cilët u bënë pre e shkeljeve të tyre. Konsumi i pijeve alkoolike (përgjithësisht lëng palme i fermentuar) ishte një krim tjetër kryesor, por kjo kishte vlerë sidomos për kuadrot e Vjetër, të Rinjtë rrezikonin tashmë shumë jetën e tyre, duke kërkuar ushqim. Sa për praktikat fetare, të para me sy shumë të keq, nuk dënoheshe në rast se ato kryheshin pa u vënë re dhe plotësisht individuale (ajo që është e mundur në budizëm, është shumë e vështirë në islam), në të kundërt pjesëmarrja në ceremonitë e hipnozës mund të ndëshkonte me vdekje. Natyrisht, çdo mosnënshtrim ishte fatal. Të rrallët që rrezikonin, sidomos në fillim, për të përfituar nga liria e pretenduar e kritikës që i akordohesh në mbledhje për të ngritur pamjaftueshmërinë e ushqimit dhe të veshjeve “u zhdukën shumë shpjet”, po ashtu edhe ata mësues të guximshëm të internuar, që në nëntor të vitit 1975 organizuan një manifestim proteste kundër racioneve të urisë. Fjalët “disfatiste”, të cilat dëshironin zhdukjen e sistemit (ose fitoren e vietnamezëve, që shumë kamboxhian e uronin në intimitet në vitin 1978) ose thjesht pranonin që kishin uri: të gjitha këto fjalë të bënin të futeshe në listat e të rrezikshmëve. Chhlop ishte ngarkuar të regjistronte dhe nganjëherë të nxirrte këto fjalë që të bënin fajtor.

Po të mos plotësoje detyrën e përcaktuar, cilado që të ishte arsyeja, ishte nga veprimet më të rrezikshme. Asnjë nuk ishte i mbrojtur nga gabimet ose aksidentet e vogla, gjithmonë potencialisht fatale, por është gjithashtu në emër të këtij detyrimi që shumë handikapatë, invalidë, të sëmurë psikikë u vranë: të paaftët, punëtorët e këqij ishin akoma më të pavlerë sesa masa e të Rinjve. Natyrisht, të plagosurit dhe invalidët e luftës të ushtrisë republikane, të gjithë ishin të përcaktuar për t’u zhdukur. Veçanërisht të ekspozuar ishin ata që nuk i kuptonin ose aplikonin këshillat dhe ndaloheshin veprimet, një i çmendur që mblidhte rrënjë manioku ose shprehte pakënaqësinë e tij me fjalë jo koherente përgjithësisht vritej. Komunistët khmerë aplikonin de facto eugjenizmin.

Niveli i përgjithshëm në Kamboxhian demokratike ishte tmerrues. Për pjesën më të madhe të kamboxhianëve, ajo që i terrorizonte nuk ishte spektakli i vdekjes, por pa parashikimi dhe misteri që rrethonte zhdukjet e pafundme. Vdekjet realizoheshin pothuajse gjithnjë me maturi dhe të fshehta. Do t’i ballafaqojmë kësaj fshehtësie të aplikimit të vdekjes politesën e pandryshueshme të militantëve dhe kuadrove të PKK: “Fjalët e tyre mbeteshin të përzemërta, shumë të ëmbla, bile dhe në momentet më të këqija. Ata shkonin deri në vrasje pa u shkëputur nga kjo kortezi. Ata e administronin vdekjen me fjalë të ëmbla (…) Ata ishin të aftë për të bërë të gjitha premtimet që ne duam të dëgjojmë për të anestezuar mosbesimin tonë. Unë e dija që fjalët e tyre të ëmbla shoqëronin krimet ose i paraprinin. Khmerët e kuq ishin të sjellshëm në çdo rrethanë, bile dhe përpara se të na vrisnin si kafshët.”
Shpjegimi i parë është taktik: siç sugjeron Yathay, për të mbajtur surprizën, të evitosh refuzimin dhe revoltën. E dyta është kulturale: dominimi i vetvetes ka shumë vlera në budizëm, ai që i nënshtrohet emocionit humbet. E treta është politike: si në ditët më të mira të komunizmit kinez (para Revolucionit kultural), të provosh racionalitetin e pamëshirshëm të veprimit të Partisë (që nuk duhet të bëjë asgjë nga pasionet e momentit ose nga nxitjet individuale), dhe aftësinë e plotë për të drejtuar, në çdo rrethanë. Kjo fshehtësi në ekzekutim mjaftonte të provonte se ato ishin shumë të koordinuara nga Qendra: dhuna primitive dhe spontane, për shembull, ajo e pogromeve nuk hezitonte në shfaqej. Një pasdite, një natë, vijnë ushtarë për “t’ju marrë në pyetje” ose “për të studiuar”. Shpesh ju vënë bërrylin në kurriz dhe keni mbaruar. Nganjëherë, më pas gjendet një kadavër në pyll, gjysmë e varrosur, ndoshta për të futur akoma më shumë frikën, por gjithnjë nuk mund të identifikohet. Sot e dimë se shumë varre të përbashkëta, më tepër se njëmijë për çdo provincë, në total janë studiuar njëzet, janë shpërndarë në fushat e Kamboxhias. Nganjëherë aplikohej kërcënimi kobzi i përsëritur nga khmerët e kuq, kufomat do të shërbejnë “si pleh për orizoret tona”: “Vrisnin pa pushim burra dhe gra për të bërë pleh. I varrosnin në gropa të përbashkëta të cilat i gjeje kudo në fushat e mbjelljeve, sidomos ato të mbjella me maniok. Shpesh duke nxjerrë tuberat e maniakut, zbulohet një kockë e ballit të njeriut në zgavrat e të cilës duken rrënjët e bimëve. Zotërit e vendit besonin se për bujqësinë nuk kishte më të mirë se plehu i kufomave të njerëzve, por gjithashtu kemi mundësi të njohim, si në rastin e kanibalizmit (të kuadrove), të mohimit të humanizmit për “armikun e klasës”.

Egërsia e sistemit shfaqet në momentet supreme, gjatë ekzekutimit. Për të kursyer plumbat, por pa dyshim për të kënaqur sadizmin e shpeshtë të ekzekutorëve, pushkatimi nuk ishte më i zakonshmi: 29% e viktimave sipas studimit të Slivinskit. Në të kundërt, llogariten 53% kafka të thyera (të goditura me shufra hekuri, me bishtin e kazmës, nganjëherë me shatë), 6% të varur dhe të asfiksuar (me thasë plastike), 5% të prerë në gurmaz.
Konfirmimi i të gjithë dëshmive: vetëm 2% e vrasjeve janë realizuar në publik. Midis tyre shumë ekzekutime “për t’u bërë shembull” të kuadrove të rënë nga posti, duke përdorur nganjëherë mënyra barbare, si zjarri (pastruesi) duket se luante një rol të madh: të dënuarin e futnin deri në gjoks në një gropë të mbushur me prush dhe kokën ia digjnin me vajguri.

Pierre Rigoulot, Libri i Zi i Komunizmit, Besa, Tiranë , 2000.

Burimi i tekstit: MVSK(më mirë vdekur se i kuq): http://8mvsk.wordpress.com/2014/11/1...-ne-kamboxhia/