Sexhade!
Ti copë shtroje që zbukurohesh sa më shumë që vjetërohesh!
Ti, ndryshe nga të tjerat, kur ke shumë arna më shtrenjtë vlerësohesh!
Ti nuk je si shtrojat tjera që duhen kur janë të reja,
Ti gjithnjë qëndron e shtrirë në tokë dhe njerëzve prore u pëshpërit “eja!”
Ti je për të ardhmen mjet, kurse për të tashmen sprovë!
Unë pa ty jam sikur ai uji që gjendet brenda në kovë…
Kova është bërë për ta mbajtur ujin, po uji për në të nuk është bërë.
Sepse uji që nuk del nga kova përfundimisht bëhet rërë!


Sexhade!
Ti shëmbëllehesh me veprimtari të dunjasë!
Ia shet pluhurin pasanikut pasi t’ia blesh fukarasë!
Fukaraja, që nuk ka asgjë, të ka vetëm ty.
Pasaniku, që i ka të gjitha, në fakt nuk ka sy!
Për këtë arsye nuk të sheh dhe të largohet,
Siç nuk ka sy e mendë as lapsi vetë gdhendëses t’i afrohet!
E lapsi që nuk shkruan më trego se ku dallon nga druri?
Po qe se nuk do zemra, ç’rëndësi ka çka mundet të bëjë truri?


Ti!
Ti je sy për atë që bie në ty.
Kur përfundimisht robi takohet me ty, i lë shqisat mbrapa.
Kur e di se kujt i drejtohet, as s’flet, as s’lëviz, s’bën as hapa!
Kënaqësia është si zjarri, që shqisat e robit i bën shkrumb e hi.
I mbyll e i çkyç, i shterr e i vyshk, i ndryshk e i err.
Pra, meqë ligësitë dalin e hyjnë përmes shqisave, ti mbyll këtë derë!
Ti je copë e butë, e shtrirë, me kah, që shërben si mjet,
Që ia përkujton rregullat robit si duhet të sillet para Mbretit të vet!


Sexhade!
Kur të të kapë pluhuri, dije se nuk ka pasur më vend në zemrën time!
Prandaj, çdo atom pluhuri te ti është imi!

Më fal që u bëra shkaktar për të të pluhuruar!
Më fal që qe sa vjet nuk të kam vjetëruar!

Ti nuk lahesh me asfarë uji, pos me ujë të syve!
Prandaj po lutem për lot, që Zoti Një të na lajë të dyve!


A/J.