Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 4
  1. #1
    Hierark i lartë Maska e Uriel
    Anëtarësuar
    07-02-2010
    Vendndodhja
    Torre della Fame
    Postime
    1,207

    Marrëdhëniet shqiptaro-serbe në Kosovë

    Doan Dani

    Marrëdhëniet politike mes shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve kalojnë historikisht në tre faza kryesore, duke filluar nga mesjeta e vonë deri në ditët tona, për të arritur në një situatë pranimi reciprok përballë integrimit në BE, ndonëse i imponuar nga frika e gjendjes outsider prej familjes së shumëshpresuar evropiane.

    Faza e parë shtrihet në harkun kohor të kufizuar nga fatet e sundimit serb në Kosovë, dhe shumë mirë mund të konsiderohet si periudha e tejdukshmërisë së elementit shqiptar në këtë rajon. Duhet thënë që në fillim se dokumentet burimore, përpara kontaktit politik mes dy popujve, janë tej mase të rrallë dhe problematik, si për elementin serb ashtu edhe për atë shqiptar, ndërsa nuk mungojnë interpretimet historike të bazuara mbi të dhëna arkeologjike dhe gjuhësore. Pikërisht për të mos hyrë në zonën e ndotur nga ideologjitë dypalëshe me interpretime të tilla do t’i përmbahem marrëdhënieve që fillojmë me zgjerimin e dinastisë Nemanjiç në Kosovë nga fundi i shek. XII.

    Në këto marrëdhënie shqiptarët e Kosovës dalin në skenën historike në listat e kishave serbe dhe në aktet juridike të sundimtarëve serbë, natyrisht si popullsi e nënshtruar. Duke vëzhguar disa nga listat emërore të kishave serbe mes shek. XIII-XIV, bie në sy reduktimi i elementit joserb, që nënkupton përparimin e procesit të serbizimit. Dokumentet e periudhës së Milutinit dhe Dushanit nxjerrin në pah një element shqiptar që kultivonte tokën – pra jetonte në zona rurale jo vetëm malore – dhe, përse jo, të paktën në kohën e Milutinit, i përkiste të njëjtës kategori me serbët. Kjo është arsyeja përse prania e antroponimisë serbe në dokumente bymehet gradualisht. Presioni serbizues institucionalizohet gjatë viteve të Dushanit, por mekanizmi ishte më i hershëm dhe jo domosdoshmërish i dhunshëm, sepse nuk mjaftojnë aq pak vite për të asimiluar një popullsi të tërë.

    Dy janë faktorët që ndikuan me shumë tek asimilimi. Së pari, mungesa e klasës sunduese shqiptare me peshë politike, ose të paktën nuk kanë lënë gjurmë dokumentare. Edhe disa fisnikë shqiptar përtej Drinit është e vështirë të përcaktohen etnikisht nga antroponimia. Përveç kësaj, deri me vdekjen e Dushanit ato ishin të integruar në pushtetin serb – familjet Balsha, Jonima, Blinishti, Zaharia, Spani, etj. – dhe do t’i mbanin lidhjet edhe në shek. XV, përfshi familjen e heroit tonë kombëtar. Akoma në shek. XVII ka shqiptar që përpiqen të lartësojnë emrin e familjes duke kërkuar origjina të përbashkëta me sundimtarët serbë. Mund të citoj rastin më të famshëm, Pjetër Bogdanin. Tek Çeta e Profetëve ai pohon se Nemanja i dha një paraardhësi me emri Bogdan tokën «nga Ferri [Hekuri], sot Samokov, deri në lumin Assio [Vardar]», kurse më vonë, sipas P. Bogdanit, një paraardhës i tij «ushtroi detyrën e mëkëmbësit të Gjergjit [Brankoviçit], Despotit të Serbisë». Këto të “dhëna historike” i ka të huazuara nga Mauro Orbini, i cili, nga ana e tij, rrëfen histori mesjetare me fantazi romantiku.

    Së dyti, feja. Me shndërrimin në kishë zyrtare (1219), madje e identifikueshme tek dinastia sunduese, Kisha serbe fillon dominim absolut të sferës fetare në Kosovë e gjetkë, natyrisht jo nga hiçi, sepse ngrihej mbi themelet e ortodoksisë bizantino-bullgare e cila kishte mbizotëruar në këto territore që me konvertimin e bullgarëve dhe serbëve, me gjithë zgjatimin (shek. XI) e sforcuar të Doklesë (Mali i Zi mesjetar) me fasadë katolike dhe realisht e tillë vetëm në zonën bregdetare. Vërtet Klementi III – ndër të tjera, një antipapë – vuri nën juridiksionin e arkidioqezës së Tivarit dioqezat e Kotorrit, Ulqinit, Svaçit, Shkodrës, Pultit, Drishtit, Serbisë (përfshi Kosovën), Bosnjës dhe Trebinjës, por kontrolli efektiv mbi këto territore zbehej sa më shumë i largoheshin Adriatikut: Bosnja, me krishtërimin e saj të veçantë, është shembulli më domethënës, ndërsa Kosova ndodhej në pozita akoma më të izoluara, sepse, ndryshe nga fqinjët “katolik” të Bosnjës (Hungaria, përfshi Dalmacinë), ajo ishte e rrethuar nga popullsi ortodokse dhe nga shtete të tilla, pa harruar se përfshihej në një shtet ortodoks. Nuk është habi që në Kosovën e fillimshekullit të XIV të faktohet prania e vetëm dy kishave katolike (Trepça, Graçanica), dhe ato në zona minerare ku ishin stabilizuar mjaft minator gjerman me privilegje dhe pothuajse “autonomi” të garantuar. Në vitet ’40 të shek. XIV – periudha e Dushanit – numri i kishave ishte rritur, tani i gjejmë në Prizren (ipeshkvi), Janjevë, Novobërd dhe Trepçe. Faktikisht ishin frytet e veprimtarisë së mëparshme të carinës Elena, bashkëshortes katolike të Milutinit. Gjysmë shekulli më vonë një banorë i Raguzës sponsorizoi ndërtimin e një kishe katolike në Prishtinë – në këtë qytet ka pasur mjaft tregtarë dhe zejtarë raguzan – megjithëse nga ky fakt nuk kuptohet asgjë rreth përbërjes etnike të frekuentuesve të saj.

    Paradoksalisht, gjatë sundimit serb rritet aktiviteti i kishës katolike, sepse e gjithë historia e dinastisë Nemanjiç përshkohet nga dyzimi politiko-fetar, ndërsa shqiptarët gradualisht errësohen. Mungesa e një kishe autoktone dhe largësia me Adriatikun rrjedhimisht i ekspozonte shqiptarët ndaj ndikimit të pashmangshëm dhe të parevokueshëm serb. Kjo deri në vendosjen e sundimit osman.

    ***

    Faza e dytë përkon me periudhën osmane dhe për elementin shqiptar në Kosovë mund të quhet ringjallje etnike: nga i padukshëm, i destinuar drejt asimilimit, elementi shqiptar ngurtësohet etnikisht pikërisht gjatë sundimit osman. Karakteristikë e Perandorisë osmane ishte multikulturalizmi dhe multietniciteti, gjë e cila krijonte baraspeshimin etnik, ndryshe nga shteti serb ku dominonte një etni, deri në inkuadrimin jetëshkurtër të elementit grek, me gjithë praninë e etnive të ndryshme, dhe natyrisht politika shtetërore synonte përforcimin e pozitave të etnisë dominuese, sidomos në ato territore ku ajo ishte e pranishme, qoftë edhe në minorancë.

    Porta e Lartë e zhvendosi klasifikimin shoqëror nga etnia tek feja. Nga njëra anë prania e një bërthame fetare të konsoliduar dhe të rrënjosur krijoi premisat e forcimit të kohezionit etnik tek serbët, nga ana tjetër raporti me shqiptarët e Kosovës – në kohëzgjatjen e sundimit osman – ndryshoi në favor të etnisë që serbët kishin tentuar të asimilonin, pasi në këto kushte nuk kishin asnjë pushtet mbi shqiptarët dhe në raportin fetar serbët do të ndodheshin në kategorinë dytësore. Tani e tutje, siç mund të vërejmë në studimet e Selami Pulahës, shqiptarët do të dominojnë regjistrimet osmane në sanxhaqet e Kosovës (Vuçitërnë, Prizren dhe pjesët kosovare të sanxhaqeve te Dukagjinit dhe Shkodrës) dhe popullsia e tyre paraqitet në rritje të vazhdueshme, ndërsa e kundërta ndodh me elementin serb. Kosova merr pamje shqiptare gjatë këtyre shekujve dhe kjo është përmbysja e parë në raportet me serbët. Mund të japim një shembull nga Drenica, e konsideruar sot si “zemra” e patriotizmit shqiptar të Kosovës: aty nga shek. XVII, kontribuesit e manastirit të Deviçit, shkruan Skënder Rizaj duke cituar Branislav Nushiçin, ishin të gjithë serbë nga Drenica, ndërsa sot ky rajon nuk ka asnjë serb, përfundon Nushiç.

    Përmbysja tjetër thelbësore është fraktura definitive mes etnisë serbe dhe shqiptare në saje të saldimit së serbëve me Kishën e tyre dhe islamizimit masiv të shqiptarëve të Kosovës, të lehtësuar nga shumë premisa që nuk lidhen as me “dhunën” e sa me përfitimin ekonomik – ndryshe do të islamizoheshin masivisht edhe serbët. Feja e sunduesit prodhonte privilegjin e statusit social, më shumë se lehtësimet ekonomike (kryesisht xhizja). Nga të diskriminuar, shqiptarët e Kosovës bëhen të privilegjuar, natyrisht në bazë të fesë dhe jo të etnisë, e as të ndonjë pasioni osman ndaj tyre. Duhet akoma për të arritur tek dinjiteti kombëtar.

    Mundësia e depërtimit të barrierave dhe e bashkëpunimit lehtësohej nga përputhja fetare mes dy etnive – megjithëse kjo nuk është teori universale – ndërsa feja e kundërt rriste probabilitetin e ndarjes. Shembujt mund t’i gjejmë tek të ashtuquajturat Kuvende ndërballkanike të mbledhura në Moraça (1608), Kuç (1614), Prokuplje (1616), Beograd (1620). Një shembull domethënës vjen nga tentativa e Pjetër Bogdanit për t’i bashkuar shqiptarët (katolikë) me serbët, në luftë kundër Portës së Lartë, me synim çlirimin nga një sundim për t’u pushtuar nga një tjetër perandori. Për Bogdanin ishte primare feja dhe jo etnia, e aq më pak kombi, koncepti modern i të cilit ishte i panjohur për kohën. Ai ka të drejtë, është tërësisht koherent me kontekstin: si nga ana osmane ashtu edhe nga ajo serbe ose bogdaniane, feja përcakton hierarkinë e kategorive shoqërore kolektive. Në këtë prizëm Bogdani afrohej “natyrshëm” ose të paktën teorikisht me emëruesin e përbashkët hyjnor. E njëjta logjikë funksiononte edhe tek masa. Kujtoni për një çast krijimtarinë popullore të Eposit të Kreshnikëve. Mes heronjve protagonistë dhe antagonistëve ka dy diferenca kryesore: origjina – armiku vjen nga larg – dhe njësimi fe/etni tek Krajlia që diferencohet nga binomi fe/etni i kreshnikëve.

    Sidoqoftë, lëvizja e Bogdanit është aleanca e fundit shqiptaro-serbe e këtyre përmasave. Rreth dy shekuj me vonë shqiptarët kosovar të Lidhjes së Prizrenit luftojnë kundër sllavëve për mbijetesën kolektive. Pra, jemi përballë dy fakteve: të sllavëve si personifikim i rrezikut dhe të ndërgjegjes “kombëtare”, që do të kristalizohet vrullshëm në dekadat pasuese të Lidhjes. Pyetjeve të gjyqit, «për çfarë shkaqesh [...] u bëre kryengritës? [...] Pse e bëre këtë krim?», Sulejman Vokshi i përgjigjet se «në kohën e ish-Lidhjes, për të mbrojtur vendin tonë nga të pafetë, lidhëm besën me të gjithë popullin. Besoj se ky veprim i yni përputhej me vullnetin e shtetit tonë». Ndryshe nga Bogdani, tek Vokshi të pafetë ndodhen përtej kufirit etnik dhe me «të gjithë popullin» ai nënkupton shqiptarët përtej bindjeve fetare. Ky është dallimi thelbësor mes dy konceptimeve: feja nuk i ndan shqiptarët e Vokshit dhe serbët nuk mund të jenë kurrë aleatë.

    Tani etnitë janë konsoliduar e bashkë me ato edhe kufijtë fizik dhe simbolik. Është periudha e nacionalizmave. Mos të harrojmë se nga ana tjetër konsolidimi etnik dhe më pas kombëtar i serbëve i shtynte ato drejt refuzimit të shqiptarëve të Kosovës fillimisht si turq (mysliman), pastaj thjesht sishqiptar, e me këtë shumicë turke (shqiptare-myslimane) përjashtohej edhe pakica joturke (shqiptare-katolike), që, për logjikën e përjashtuesit, ndante më tepër vlera dhe trashëgimi me ketë shumicë se sa me serbët.

    Me fjalë të tjera, urrejtja nacionaliste serbe e akumuluar ndaj shumicës, e gatuar me elementin fetar, ku reminishenca e Perandorisë osmane – që fshiu arritjet politike mesjetare serbe nga Ballkani dhe realisht ua hoqi Kosovën – është më se evidente, detyrimisht do t’i drejtohet edhe pakicës shqiptare të krishterë. Dhe në procesin e formimit të identitetit, reflektimi që subjekti përfton nga jashtë është akoma më kushtëzues se vetëperceptimi. Rezultati është se dy komunitetet fetare plotësojnë një komunitet të vetëm etnik, që në shek. XIX i nënshtrohet barrierave kombëtare të ngritura nga fqinjët dhe njëkohësisht i ndërton vetë. E për të arritur në këtë moment ka përshkuar dhe është modeluar nga më shumë se katër shekuj osman.

    ***

    Këtu, në epilogun e sundimit osman, fillon faza e tretë, e cila mund të quhet faza e dinjitetit kombëtar, megjithëse në momentin kulmor vullneti i Fuqive të Mëdha (Konferencën e Londrës) i kthen shqiptarët e Kosovës në fazën fillestare, në mbretërinë serbe. Por tashmë diferencat mes dy etnive janë të pakapërcyeshme. Përveç elementit fetar, që vazhdon të forcojë barrierën, gjuha është një tjetër diferencues themelor aq sa në hipotezën fantazioze të Milojeviçit arnautash-ët nuk ishin tjetër veçse serbë shqipfolës, natyrisht edhe myslimanë. Më vonë kjo hipotezë do të zëvendësohet nga teoria e dyndjes shqiptare gjatë periudhës osmane, si justifikim i pranisë së tyre masive në Kosovë. E pikërisht konsistenca dhe kompaktësia e shqiptarëve në këtë trevë, të konsoliduara duke filluar nga rënia e Despotatit të Brankoviçit, ishte element tjetër (numerik) vendimtar në diferencim dhe që nënvizonte ndryshimin nga faza mesjetare e marrëdhënieve, atëherë kur shqiptarët ishin shifra të shpërndara në asimilim, ndërsa tani paraqiteshin si numra të ngurtësuar me identitet dhe të paserbizueshëm. Natyrisht, mund të jugosllavizoheshin, siç edhe ndodhi, por duke mos pasur komb jugosllav – apo edhe osman, evropian, etj. – dhe në momentin e shembjes së entitetit politik, kjo përkatësi detyrimisht zbehet deri në humbje.

    Vërtetë shqiptarët e Kosovës u rikthyen për pak vite të gjata nën pasardhësit e Nemanjiçëve, për më tepër të forcuar nga ideologjizimi i të kaluarës dhe justifikimi i spastrimeve në emër të historisë, por nëse përpara pesë-gjashtë shekujve rrugëtonin tragjikisht drejt tejdukshmërisë etnike, ato tashmë hynin në shek. XX me një eksperience ekzistence mbi supe. Mungesa e kësaj eksperience sigurisht do ta kishte rrezikuar realitetin aktual të shqiptarëve të Kosovës, që sidoqoftë është më e mirë se mosekzistenca. Vargu nga Sulejman Vokshi, Azem Galica, deri tek Adem Jashari, është pjesë e këtij mozaiku dhe jo eksperienca në vetvete, sepse ato mundën të vepronin të forcuar nga një realitet që i paraprinte.

    Prandaj historia analizohet dhe nuk gjykohet, e analizohet jo në «funksion të», megjithëse trendi i elitave aktuale kosovare është e kundërta. Nuk habitemi nëse këto elita eksportojnë origjinat përmes historive homerike me dardan e pellazg, duke u katapultuar menjëherë tek Lidhja (e transformuar) e Prizrenit, për ta mbushur boshllëkun me ngjarje të importuara nga Shqipëria dhe me rezistenca epike. E pra, mes Despotit dhe Lidhjes ka më shumë se katër shekuj, që nuk likuidohen nga preferencat e sotme, dhe Lidhja është produkt i historisë së atyre shekujve, ashtu siç janë ngjarjet pasuese të ndikuara nga Lidhja, e kjo përherë, në formë zinxhiri, të cilit i duhen njohur të mirat dhe të këqijat e të gjitha hallkave.
    relata refero

  2. Anetarët më poshtë kanë falenderuar Uriel për postimin:

    Kreksi (06-10-2014)

  3. #2
    i/e regjistruar Maska e Kreksi
    Anëtarësuar
    20-11-2004
    Vendndodhja
    Francë
    Postime
    5,631

    Për: Marrëdhëniet shqiptaro-serbe në Kosovë

    Përgëzoj autorin, rrallëherë lexojmi analiza te kthjellta si kjo, me pak referanca e pak histori por e vë rroten historike në levizje që nga fillimi e deri në fund, analiza mbi mardhenjet shqiptaro-serbe mbahen nga shtyllat kryesore batica-zbatica, shkuarja buzë humneres dhe shpëtimi i njërës pal e humbjes së tjetrës rreth administrimit gatise pa konflikte e pa zhdukje te asnjërës palë, kështu me rradh duke i ardhur rasti secle palë te provoje forcen e tij mbi kete territor por me shumë vuajtje, kuptohët për dy palët nuk ishte lehtë. I vështirë është pajtimi, ndoshta duhet kaluar edhe dekada, historia e ka deshmuar si edhe tek kombet tjera, por besoj që shekulli XXI do ta bëje të veten...kemi hyrë drejtë globalizmi, sferat e vogla siç jemi ne popujt e Ballkanit në krahasim me blloqet e medha botnore ne do dukeshim si ata kalamajt që loznin dikur me sfera xhami...ku e tërë politika botrore do sillet rreth temdhenjve e ne do mbesim vetem se si spektator...te pa punë e të varfër si gjithëmonë..!
    Askush nuk te pyt: ç'ka bere atedheu per ty por ç'ke bere ti per Atedheun ! - JFK

  4. #3
    Updating.... Maska e Wordless
    Anëtarësuar
    19-06-2002
    Vendndodhja
    Undercover
    Postime
    3,154

    Për: Marrëdhëniet shqiptaro-serbe në Kosovë

    Une mendoj qe mes Shqiptarve dhe Serbve duhet te kete nje mur si ai i Berlinit, por me kusht qe kurre te mos shembet
    Ky shtet është ky që është sepse qytetarët tanë janë këta që janë !

  5. #4
    i/e regjistruar Maska e Kreksi
    Anëtarësuar
    20-11-2004
    Vendndodhja
    Francë
    Postime
    5,631

    Për: Marrëdhëniet shqiptaro-serbe në Kosovë

    E kahme i ra kur te vijne pushimet verore, a i ke pa sa autobusa e vetura trupojne kah srbia ?...veç me fluturu..?
    Askush nuk te pyt: ç'ka bere atedheu per ty por ç'ke bere ti per Atedheun ! - JFK

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •