Mira Meksi: Isha 11 vjeç, me honorarin e parë kam blerë librin e parë

Nga Redaktor on 20/09/2014

mira meksi ok

Shkrimtare, përkthyese dhe padyshim ithtare e letërsisë, Mira Meksi rrëfen marrëdhënien me librin, që nga njohja e parë në motet e hershme të fëmijërisë, kur ia prezantuan prindërit, takimet vetëm për vetëm çdo pasdreke me të, arratisjet në leximet e ndaluara, pjekuria e marrëdhënies gjatë viteve të studimit për filologji frënge, lidhja e ngushtë me anë të përkthimit e deri te ‘martesa’ me të, duke u shndërruar vetë në autore.

Cili është kujtimi më i hershëm për librin? E mbani mend të parin që keni lexuar apo jua kanë lexuar të tjerët?

Pa dyshim që po, dhe është nga ato kujtime që edhe në këtë moshë më jep një ndjesi të veçantë. Ka pasur sigurisht edhe të tjerë libra për fëmijë të kohës që prindërit më lexonin në fëmijërinë e hershme, si për shembull “Orizi i milingonave” i Adelina Mamaqit, apo “Xhaxha Stefi” e të tjerë, por libri vërtet i rëndësishëm i jetës sime fëmijërore është “Xinxifillua” e Mitrush Kutelit. Është libri që ime më, mësuese e gjuhës dhe letërsisë shqipe, ma lexonte gjatë orëve të pasdrekës, kur qe edhe riti ynë i përditshëm i leximit. Mbaj mend që koha e leximit fluturonte shpejt dhe kish raste kur një përrallë mbetej përgjysmë. Padurimi për të ditur ç’ndodhte më tej më mundonte gjatë. Kam qenë pesë vjeç kur vendosa të marr vetë në dorë “fatin e leximit”, për të mos u varur prej askujt dhe jo pa mundim, edhe me ndihmën e sime gjysheje, ia dola të mësoja të lexoja shumë koha përpara klasës së parë. Dhe libri i parë që kam lexuar vetë dhe me vështirësi të mëdha ka qenë pikërisht vazhdimi i përrallave të “Xinxifillos”.

Kur ishit fëmijë, a ishit natyrë që ju pëlqenin leximet?

Leximi ka qenë për mua fëmijë, nëse mund të shprehem kështu, “loja” ime më e parapëlqyer. Madje fjalët e shkruara përherë më kanë mrekulluar; mbaj mend që më argëtonte pa masë bashkimi i germave të rastësishme që shkruaja në një fletë dhe fjala e pakuptimtë që krijohej prej tyre, por me një tingëllim krejt të veçantë. Mbaj mend po ashtu se shpikja rrëfenja apo përralla për shoqet e mia, të cila më nxisnin gjithsaherë të vazhdoja rrëfimin edhe kur përralla kishte mbaruar. Dhe mbrëmja na zinte në shkallët e pallatit ku prisnim zemërdridhura të na thërrisnin prindërit, ndërkohë që unë isha kthyer në heroinën e vajzave të vogla të lagjes sime.

Po me përrallat i ruani ende marrëdhëniet ?

Vazhdoj ende t’i ruaj lidhjet me përrallën, sidomos atë popullore. Kur mundem edhe sot lexoj përralla nga popuj të ndryshëm. Mendoj se i kam lexuar librat më të famshëm të botës me përralla dhe ende më magjepsin kur i rishfletoj. Kam shkruar edhe vetë libra me përralla.

Kur keni pasur një raft të mirëfilltë librash?

Përherë. Kam jetuar me rafte librash pranë. Ka pasur bibliotekë të pasur në shtëpinë e gjyshërve të mi, të prindërve gjithashtu, dhe sigurisht unë kam një bibliotekë shumë të pasur.

Cili është libri më i vjetër në raftin tuaj të librave? E mbani mend cilin libër keni blerë të parin me paratë tuaja? I ruani librat e fëmijërisë?

Nuk di ta them me saktësi, por kam libra të botuar në Shqipëri të kohës së para çlirimit, kam libra të klasikëve francezë të botuar që në shekullin e 19-të dhe së fundmi te bukinistët e Mexico City gjeta libra të Jorge Luis Borges-it të botuar që më 1953. Kam botuar në revistën “Yllkat” përrallën time të parë të quajtur “Erida dhe lulet”, në moshën 11 vjeç dhe me honorarin që më dhanë bleva “Tom Sojerin” e Mark Twan-it dhe qerasa dy shoqe me akullore te pastiçeri “Rinia”. Në shtëpinë e prindërve të mi ndodhen librat e fëmijërisë sime.

Cila letërsi është e preferuara juaj?

Fiksionet e Jorge Luis Borges-it, tregimet neofantastike të Cortazar-it, letërsia e Marques-it… Në përgjithësi letërsia e Amerikës Latine, që quhet e realizmit magjik.

A ka ndonjë libër që e mbani gjithmonë afër, për ta shfletuar gjithmonë? Po ndonjë që e merrni gjithmonë me vete kur udhëtoni?

Sigurisht që po. Përherë kam pranë vetes një libër të Borges-it, s’ka rëndësi se cilin prej tyre. Në çaste dëshpërimi të thellë apo kur më ngjan se kam humbur shijen për jetën streha ku gjej paqe janë Mesha e Madhe e Bach-ut dhe librat e Borges-it. Madje “talismani” im nëpër udhëtime është sërish një nga librat e Borges-it.

Faqja e fundit e një libri është e fundit që lexoni apo ajo që shfletoni të parën?

E fundit, pa dyshim.

Cili është heroi juaj nga personazhet e librave?

Pierre Menardi, autori i Kishotit, tregim i Borges-it.

Libra të përdorur apo të rinj? Ndodh që të blini në kioskat e librave të vjetër?

Të gjitha llojet, por kam kënaqësi të veçantë kur “peshkoj” libra të vjetër te bukinistët buzë Senës në Paris.

A mund të na zbuloni zakonet tuaja të të lexuarit?

Nuk di sa kam mundur të jem e qartë se sa shumë rëndësi ka për mua leximi. Për ta shprehur, do të jepja një thënie të Borges-it: “Nuk është e rëndësishme të jetosh; të lexosh, po”. Lexoj çdo ditë, sidomos në pauzat që bëj nga shkrimësia ime e përditshme. E kam bërë zakon që kur zgjohem në mëngjes, me një filxhan të madh me kafen e parë të ditës, të vazhdoj të rri në shtrat duke lexuar rreth një orë përpara se të çohem. Por koha e artë për leximin janë udhëtimet me avion.

Bëni shënime në faqet e librave gjatë leximit? Jo tek ata libra që keni në plan t’i përktheni…

Jo, asnjëherë.

Sa libra lexoni njëherazi?

Rrallë më ndodh tani që të lexoj më shumë se një libër në të njëjtën kohë.

Ju pëlqen të lexoni vetëm në origjinal apo preferoni edhe përkthimet në shqip?

Kam mundësi të lexoj libra në origjinal në sajë të gjuhëve të huaja që njoh. Pa dyshim që kam shumë interes të lexoj përkthime në gjuhën time, në shqip. Për fat të keq, ka shumë pak përkthime të mira sot në tregun shqiptar.

Cilat janë, sipas jush, librat më të rëndësishëm të cilat duhen lexuar pashmangshmërisht? Cili do ishte libri i librave dhe përse?

“Komedia Hyjnore” e Alighieri-t, “Don Kishoti” i Cervantes-it dhe tragjeditë e Shakespeare-it. “Komedia Hyjnore” gjykoj është libri i librave, është një përsosmëri estetike.

http://mapo.al/2014/09/20/mira-meksi...librin-e-pare/