Paulo Coelho: Tradhtia bashkëshortore frymëzoi librin tim
Nga Redaktor {28/08/2014}
Paulo Coelho, shkrimtari brazilian që ka shitur mbi 150 milionë kopje dhe adhurohet që prej presidentit kinez Xi JinPing e deri te Madonna,së fundmi ka publikuar në anglisht librin e 16-të, me titull “Adultery”, që në shqip i bie “Tradhtia bashkëshortore”, i frymëzuar nga ndjekësit e tij në media sociale dhe Alfred Kinsey. Libri bën fjalë për një gazetare në moshë të mesme, e cila hyn në një aferë shkatërruese me një politikan të cilin e interviston. Shkrimtari 67-vjeçar ka thënë për “The Australian” që libri i tij është inspiruar nga përcjellësit e vet në rrjetin social Facebook, që janë 22 milionë dhe ata në Twitter, të cilët janë 9 milionë.
Coelho gjithashtu rrëfeu se për të shkruar librin ka ndjekur shembullin e librit të Alfred Kinsey, që shkroi dy libra për seksualitetin tek meshkujt dhe femrat në vitin 1948.
“Origjina e librit është nga raporti i Kinsey-t. Kur doli libri i tij, amerikanët u ndjenë shumë të lehtësuar, kështu që mendova se edhe unë mund të bëj diçka të njëjtë për mbi 30 milionë njerëz në rrjetet sociale”, – ka thënë Coelho.
Pasi bëri një postim për depresionin në faqen e tij, Coelho vërejti që shumica e njerëzve ishin ankuar për tradhtinë bashkëshortore si shkaktare e depresionit. Në këtë intervistë Coelho gjithashtu pranoi se ai dhe bashkëshortja e tij e katërt, të dy kanë tradhtuar dhe janë pajtuar me këtë fakt. I lindur në Rio de Janeiro, Coelho u bë i famshëm në mbarë botën për librin e tij “Alkimisti”, që shiti mbi 65 milionë kopje dhe ende qëndron në listën e bestsellerëve në “New York Times”. Ndërkaq, “Adultery” tashmë është publikuar në 30 vende të botës.
Mapo online.
Krijoni Kontakt