Zbulohet ditari sekret i shefit të kabinetit: Dyzet vite në zyrën e Enverit
Haxhi Kroi dhe faksimile e ditarit
Haxhi Kroi, pas Nexhmije Hoxhës, ka qenë njeriu më i besuar i Enverit. I zgjedhur prej tij në detyrën e sekretarit personal, qysh kur erdhi në krye të regjimit ka shërbyer 40 vite pa shkëputje në zyrën më të rëndësishme të shtetit komunist. Të njohur që në vitet e luftës, Hoxha e Kroi, përveç raporteve zyrtare, kanë pasur një miqësi të palëkundur deri në fund, ndryshe nga raportet me bashkëpunëtorët e tjerë, pjesa më e madhe e të cilëve janë asgjësuar rrugës si “bukëshkalë” e “tradhtarë”. Pavarësisht faktit që Kroi nuk kishte ndonjë funksion në hierarkinë partiake, veç atij të anëtarit të thjeshtë të Partisë, ai, falë bekimit të Hoxhës, ka poseduar një pushtet absolut dhe mjaft herë përcaktues për çështje të rëndësishme dhe fate njerëzish, pa përjashtuar këtu ministra, shtetarë të lartë dhe anëtarë të Byrosë Politike. Ishte ky rol i atribuuar nga njëshi, që e kishte bërë atë përbindëshin dhe trurin e aparatit të KQ për katër dekada me radhë. E pohojnë këtë bashkëkohësit, ishzyrtarët partiakë, që i lidhte puna me kabinetin e Hoxhës, ata që kanë shërbyer ato vite në forumet e larta të Partisë, ish-qeveritarët, ministrat, diplomatët, ambasadorët etj. Statusi i veçantë i Kroit, i realizuar larg syrit të opinionit, ka qenë një nga misteret e panjohura të kabinetit të Enverit dhe mënyrës si operonte ai në krye të Partisë dhe të jetës së vendit. Gazeta “Panorama” zbulon për herë të parë ditarin e njeriut diskret, ku ndriçohet përditshmëria në zyrën më të rëndësishme të shtetit komunist, nga merrnin udhë histori e drama nga më të çuditshmet, ngjarje e tragjedi nga më të tmerrshmet. Haxhi Kroi me skrupulozitet shembullor ka hedhur aty gjithçka ka parë e dëgjuar për 40 vite në zyrën e diktatorit. Në mijëra faqe ka memorizuar komunikimin e përçastshëm me kreun e regjimit dhe të pathënat e konsumuara në majën e kupolës së Partisë dhe të shtetit shqiptar. I besuari si rrallëkush i Hoxhës ka pasqyruar në to me përpikëri përjetimet, konsideratat, vërejtjet dhe prognozën e zhvillimeve të pritshme në vend, por jo vetëm. Është një rrjedhë kjo, që deri në fundin e viteve ’60 vjen në formën e shënimeve, impresioneve dhe kujtimeve të pasistemuara kronologjikisht. Duke filluar nga viti 1970 e deri në prill të vitit 1985, ditari i Kroit nuk ka asnjë ditë shkëputje. Madje, shumë nga ngjarjet përshkruhen aty me orë e minuta. Njëherazi me kronikën e rëndomtë të punës në zyrë dhe takimet periodike me Hoxhën dhe partiakë të tjerë, një ritual i përditshëm ky, në ditar janë koleksionuar një sërë ndodhish të panjohura nga publiku, por edhe pjesa dërrmuese e lidershipit politik. Ka ndër to, që veç tij dhe Hoxhës, nuk i ka ditur tjetërkush, madje as Mehmet Shehu e Hysni Kapo, të njohur ndryshe si dy njerëzit më të afërt të kreut të regjimit. Pjesa më interesante e shënimeve të Kroit pa dyshim janë ato që u referohen bisedave konfidenciale me “Njëshin” e Partisë për çështje të moralit dhe sjelljeve degjeneruese, siç i quan ai, të partiakëve të lartë, ish-anëtarëve të KQ, pa përjashtuar këtu byroistët dhe fëmijët e tyre. Sekretari personal i Hoxhës sjell kështu një profil të dimensionit rozë të jetës në Bllok, ku vendin kryesor e zënë të pathënat për dashuriçkat e krushqitë e prishura në oazin e “sulltanatit komunist”. Duke filluar nga ky numër, gazeta “Panorama” do të zbardhë një pjesë të tyre, duke hedhur dritë mbi të pathënat e kupolës komuniste, me të cilat kanë qenë të lidhura ngjarjet e bujshme dhe traumat e shoqërisë për gati gjysmë shekulli.
DITARI I VITIT 1970-1971
3 nëntor 1970
Shoku Enver më tha se i ishte prishur radioja e zyrës dhe më porositi ta zëvendësonim me një “Vaxon”
4 nëntor 1970
Sot paradite do të hapet ekspozita e elektrifikimit të vendit me rastin e përfundimit me sukses të elektrifikimit të të gjitha fshatrave. Shokut Enver i erdhi që dje ftesa.
Disa konstatime mbi punën e oficerëve të Ministrisë së Brendshme, që shërbejnë në aparatin e KQ
Sa largohet shoku Enver, shoh që ma mbyllin derën e zyrës së tij pa më pyetur mua. Kjo do të thotë se, po të dua të hyj në zyrën e shokut Enver, duhet t’i marr leje oficerit të shërbimit. Ky është gabim nga ana e tyre. Thirra Kadri Hazbiun dhe i thashë se askush nuk ka të drejtë të mbyllë zyrën e shokut Enver. Sipas praktikës së deritanishme, del se oficerët e Sigurimit janë mbi Partinë.
16 janar 1971
Sot shoku Enver nuk doli në zyrë.
19 janar 1971
Shoku Enver nuk doli në zyrë. Është pa qejf ai dhe shoqja Nexhmije.
20 janar 1971
Shoku Enver vazhdon të mos vijë në zyrë, pse ka akoma mjaft kollë. Ai është shumë i ndjeshëm ndaj ndryshimit të temperaturave, nuk i duron as vapën dhe as të ftohtin. Kollën ia shton më shumë edhe duhani.
22 janar 1971
Më thirri shoku Enver. I çova materialet në shtëpi. I urova shërim të shpejtë. 23 janar 1971
As sot shoku Enver nuk doli në zyrë. Ai vetë më tha dje se nuk do të vinte, që të përmirësohej e të vijë në mbledhjen e plenumit.
30 janar 1971
Mbledhje e Këshillit të Mbrojtjes.
8 shkurt 1971
Sot shoku Enver nuk erdhi në punë. Priti shokët, që i shkuan për 50-vjetorin e shoqes Nexhmije.
26 shkurt 1971
Shoku Enver u takua me shokun Abdyl Këllezi.
27 shkurt 1971
Shoku Enver më njoftoi se dy-tri javë do të shkojë me pushime.
1 mars 1971
Shoku Enver u nis sot me pushime dimërore në Vlorë, bashkë me Nexhmijen. 15 mars 1971
Shoku Enver u kthye nga pushimet. Siç duket, koha e keqe e ka mërzitur. Filloi nga puna menjëherë, meqë shoku Hysni është sëmurë.
18 mars 1971
Pas disa ditësh, një farë Vasil Nika, që paska vajzën në Ministri të Brendshme, njoftoi sikur e ka gati antenën e televizorit, gjë për të cilën as që i është thënë prej njeriu, mbasi unë antenën e bleva aty ku bleva edhe televizorin 57.00 lekë. Ç’janë këta njerëz!…
22 mars 1971
Më porositi shoku Enver t’i bëj një letër ambasadorit Xhorxhi Robo në Pekin, për t’i kërkuar disa pila për një aparat dëgjimi që pati sjellë shoku Kadri kur ishte vjet në Kinë, pse dy pilat e sjella skaduan. Letrën më tha t’ia jap Bato Karafilit, që niset nesër në Kinë.
27 mars 1971
Me porosi të shokut Enver iu dërgua shokut Piro Dodbiba letra e punonjësit të mekanikës bujqësore të NBSH Vrinë me disa mendime për organizimin e punës. 29 mars 1971
Isufi e Izedini kërkojnë valutë për një pjesë këmbimi për automjetin e shokut Enver. Bisedova me Petraq Postolin dhe Llambi Peçinin si të organizohet kjo punë. Duhet bërë patjetër…
2 prill 1971
Me shokun Hysni: Për nevojat e makinës së shokut Enver.
13 prill 1971
Vahidi (Lama-ish sekretar i Enverit, i dënuar në vitet ’80-shënim i red.) i dorëzoi shokut Enver materialin që i kishte ngarkuar mbi vrasjet në vendin tonë, problem ky që do të shqyrtohet në mbledhjen e Byrosë Politike më 16 prill. Shoku Enver u kënaq shumë dhe e falënderoi Vahidin për punën e mirë. Ai ka qenë 12 vjet me radhë jurist në rrethe e në Gjykatën e Lartë dhe ka një eksperiencë mjaft të mirë. Edhe tani vazhdon të japë leksione në Fakultetin Juridik mbi të drejtën penale.
14 prill 1971
Në zyrën time Nexhmija mori takim me Sevon, Vahidin dhe mua e na komunikoi pakënaqësitë për fjalimet e shokut Enver. Pra, shoku Enver nuk pëlqen produktin e stafit tonë…
24 prill 1971
Shoku Enver nuk erdhi në zyrë.
4 maj 1971
Shoku Enver përgëzoi Vahidin (i shtrëngoi dorën) për materialin që ka përgatitur për kriminalitetin në vendin tonë. Mbi këtë material, pavarësisht se punova edhe unë një ditë të tërë për ta vënë në vijë, Vahidi punoi 10-12 ditë, duke u liruar nga çdo punë tjetër, prandaj ka një meritë dhe jo unë, siç erdhi dhe më falënderoi kur doli shoku Enver. Vahidi hyri në vitin e tretë të punës, puna e tij lë shumë për të dëshiruar.
24 maj 1971
Sot filluan sekretarët e KQ të bëjnë gjysmë ore pushim, duke u larguar nga zyra në bufe. Kështu mblidhen të gjithë bashkë, por zor të bëjnë pushim. Ata kudo që janë dy, prapë problemet e Partisë diskutojnë.
1 shtator 1971
Sot u kthye nga pushimet shoku Enver.
10 shtator 1971
Pasi erdhi në zyrë shoku Enver, erdhi në takim Haki Toska.
13 shtator 1971
Vdiq Hrushovi.
14 shtator 1971
Erdhi në takim shoku Beqir Balluku.
22 shtator 1971
Mbledhje e Byrosë Politike.
8 tetor 1971
Ora 9:00, hyri në zyrë shoku Hysni. Në orën 9:30 kërkoi takim shoku Manush (Myftiu).
16 tetor 1971
Shoku Enver priti vetëm anëtarët e Byrosë Politike për 63- vjetorin e lindjes. Të tjerë nuk priti, duke pasur parasysh se ka grip në Tiranë, tha shoqja Nexhmije. 18 tetor 1971
Shoku Hysni erdhi dhe më pyeti për masat që duhet të marrim në një situatë të jashtëzakonshme. Ai pyeti: “Kush do më njoftojë? Kush ishte personeli i tij në një situatë të tillë? Si do merren sendet personale të shokut Enver, cigaret, filtrat, letrat, boja etj. Apo me këto do të merret Mehmet Shehu”, tha shoku Hysni.
19 tetor 1971
Shoku Enver nuk doli në zyrë.
20 tetor 1971
Më dha shoku Enver ditarin e vitit 1971. Me shoqen Nexhmije do të shkruajmë me anën e Vaicës edhe një seri konsideratash të tjera të tij nga blloqet dhe nga shënimet e tij dorëshkrim, që ka në arkiv.
23 tetor 1971
Pas disa ditësh qëndrimi në shtëpi, pasi ishte pa qejf, shoku Enver doli sot në punë.
11 nëntor 1971
Shoku Enver nuk erdhi në zyrë.
12 nëntor 1971
Shoku Enver nuk erdhi në zyrë.
13 nëntor 1971
As sot shoku Enver nuk erdhi në zyrë.
15 nëntor 1971
Shoku Enver më kërkoi nga shtëpia disa të dhëna për rrethin e Skraparit.
27 nëntor 1971
Shoku Enver u nis për një vizitë në rrethin e Skraparit.
…vijon
“Ditari i Kroit e nxjerr Enverin gjysmë të vdekur”
Fakti që Haxhi Kroi, sekretari personal i Enver Hoxhës mbante ditar, është zbuluar vetëm pas vdekjes së këtij të fundit, në prill të vitit 1985. Në një nga takimet e pasmortit të diktatorit, kur pasardhësi i tij Ramiz Alia preokupohej për përjetësimin e figurës së Hoxhës, Kroi ka njohur të pranishmit me “thesarin” e vet, me 40 blloqet e shënimeve nga takimet me kreun e regjimit. Ka mjaftuar kaq dhe Alia, gati i ekzaltuar, i është hedhur në qafë njeriut diskret të Hoxhës dhe aty për aty ka urdhëruar botimin e tij, duke ua besuar shkruesve të përzgjedhur të Komitetit Qendror, me të cilët paraardhësi kishte nxjerrë në dritë një kolanë me qindra vepra. Mirëpo, përkundër pritshmërive të larta, libri i Kroit nuk u botua kurrë, duke lënë mbrapa dilema e opinione nga më të ndryshmet. Në zërat që qarkullonin asokohe në korridoret e errëta të KQ, flitej se botimin e ditarit të Kroit e kishte pezulluar Nexhmije Hoxha, por askush s’përmendte arsyet e vendimit të beftë.
POROSIA E RAMIZ ALISË
Një nga redaktorët e besuar për të përgatitur librin e Kroit, pohon se urdhri për botimin e tij është komunikuar nga Ramiz Alia në një nga takimet e sekretarëve të KQ në maj të vitit 1985. Në bashkëbisedimin me Alinë, kujton ai, ka qenë një grup i zgjedhur krijuesish e politikanësh, të cilët ishin thirrur aty për t’u njohur me vendimin e Byrosë Politike për botimin e serisë së kujtimeve për Enver Hoxhën. Përtej detajeve të takimit, redaktori i veprave të Enverit mban mend porosinë e Alisë, i cili vuri në dukje se, veç librit të tij dhe të Nexhmijes me kujtime për Enverin, ai i Haxhi Kroit dhe Ismail Kadaresë merrnin prioritet të dorës së parë. Ishte ky një vendim, që aty për aty kishte gjetur edhe miratimin e gruas së Hoxhës. Në planin e hartuar nga pasardhësi i Enverit përfshihej një gamë e gjerë botimesh me objekt përjetësimin e jetës dhe veprës së “udhëheqësit të shquar dhe arkitektit të Shqipërisë komuniste”. Zyrtari i KQ kujton se ky plan detyronte çdonjërin nga anëtarët e Byrosë Politike, të Plenumit të Partisë, të Këshillit të Ministrave, njerëz e personalitete të artit e kulturës për të sistemuar për botim kujtimet e tyre nga kontaktet dhe bashkëpunimi me Hoxhën. Komisioni i posaçëm i ngritur për këtë qëllim realizoi në një kohë rekord botimin e serisë së librave me kujtime për Enverin. Çuditërisht, libri i Kroit, që pritej me interes të jashtëzakonshëm, nuk doli në dritë, jo vetëm në valën e asaj fushate të shpallur nga kupola e Partisë, por as më vonë.
URDHRI I NEXHMIJES
Libri i Haxhi Kroit u ndalua me urdhër të Nexhmije Hoxhës, pohon redaktori që u angazhua disa kohë me përgatitjen e tij. Duke iu kthyer rrethanave si është njohur me vendimin e papritur, ai shpjegon kronikën e ngjarjes. “Menjëherë pas porosisë së Alisë, kujton redaktori, kontaktova Haxhi Kroin dhe mora prej tij ditarin me 40 blloqet e dorëshkrimeve.” Po atë ditë, sipas tij, një kopje të tyre e ka marrë Nexhmije Hoxha, e cila pas dy javësh e ka thirrur në zyrë dhe e ka njoftuar se libri i Kroit nuk do të botohej. “I befasuar nga reagimi i saj, shton kalemxhiu i besuar i KQ, e pyeta për arsyet e pezullimit. Nexhmija, e vrenjtur në fytyrë, pasi më pyeti nëse e kisha lexuar materialin deri në fund, shpërtheu me ton të vrazhdë: Nëse ka rrjedhur Haxhiu, s’lajthit Partia! Ai në çdo faqe e nxjerr Enverin të sëmurë, madje gjysmë të vdekur. S’ka qenë ky Enveri ynë. Shqiptarëve s’u duhet një Enver i tillë.” Me sa dukej, shton redaktori i veprave të Hoxhës, Nexhmijes i kishte tërhequr vëmendjen fakti që Kroi kishte dokumentuar me saktësi gjithë kronologjinë e sëmundjeve të të shoqit, duke filluar nga gjendjet gripale e deri tek infarktet e zemrës, çfarë sipas saj denatyronte imazhin e tij. Sakaq, e veja e Hoxhës ndihej keq kur sekretari i tij kishte memorizuar deri në detaje kohën e qëndrimit të të shoqit në punë. “Në fakt, shprehet zyrtari i aparatit të KQ, kronometrimi që Kroi i kishte bërë kohës së qëndrimit të Hoxhës në zyrë, konfirmonte një shifër aspak të këndshme: Enveri frekuentonte zyrën në aparatin e KQ jo më shumë se 100 ditë në vit dhe qëndronte aty jo më shumë se tri orë në ditë!” I pyetur për raportet e Nexhmijes me Kroin pas kësaj, redaktori i veprave të diktatorit shpjegon se, me vdekjen e Enverit, ish-sekretari i tij shikohej gjithnjë e më rrallë në KQ, çfarë parakuptonte një farë ftohjeje edhe me të venë e Hoxhës.
AFRIM IMAJ
Panorama
Krijoni Kontakt