Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1

    Post Liritë individuale si parakusht i së mirës shoqërore

    Liritë individuale si parakusht i së mirës shoqërore

    Liritë individuale si parakusht i së mirës shoqërore
    - Ilir Kalemaj


    Një shtet i madh është rruga drejt tiranisë
    Liria ekonomike sikundër thotë Milton Fridmani është garantuesja e çdo lirie tjetër. Një shtet i madh është rruga drejt tiranisë. Jo vetëm kaq por është edhe i shtrenjtë, pasi mbahet pikërisht me paratë e taksapaguesve. Shpeshherë nëpërmjet mbi-rregullimit dhe ndërhyrjes për të ri-shpërndarë pasurinë, kur kapitali është ende i brishtë, investimet ende të munguara dhe aparati burokratik jo profesional, shtetet e varfërojnë më tepër qytetarin dhe dobësojnë shtresën e mesme që duhet të jetë lokomotiva e zhvillimit. Po ashtu godasin biznesin e vogël dhe të mesëm që janë lokomotiva e mirëqenies individuale dhe mbarëvajtjes së shoqërisë që garantojnë paqen sociale, harmoninë familjare dhe lumturinë vetjake.

    Nuk është rastësi që shumë nga emrat më të shquar të mendimit neoliberal apo neokonservator, nga Ludwing Von Mises, Leo Strauss te Nathan Glazer apo Irving Kristol kanë qenë majtistë në rininë e tyre por janë rikthyer tezave për kontrollin e ‘Leviathanit’ shtet në fazën e pjekurisë intelektuale të tyre duke marrë një kthesë 180 gradëshe. Sepse sikundër thotë shprehja tashmë e famshme “duhet të jesh pa zemër që të jesh i ri dhe jo revolucionar, por duhet të jesh pa tru po të vazhdosh të jesh i tillë në moshë të mesme”. Shteti natyrisht që ka prerogativa të mbrojtjes sociale duke përfshirë vencarisht funksione bazë të tij si edukimi primar publik, siguria, rendi, mbrojtja e shtresave më vulnerabël dhe të margjinalizuar nëpërmjet politikave të mençura dhe të diferencuara por duke u ruajtur njëkohësisht që mos të bjerë në grckën e mbi-kontrollimit dhe mbi-rregullimit që kthehen në kosto të patjetërsueshme për qytetarët dhe biznesin. Sikundër Von Mises ka thënë emblematikisht “asnjë burokraci nuk ka aftësinë për të qenë e vet-limituar”. Ashtu sikundër vienezi tjetër Hayek ka kapur kuintesencën kur thotë që ekonomia e planifikuar dhe e centralizuar është e pamundur se asnjë individ (apo grup individësh), sado të zgjuar qofshin ata, nuk mund ta dinëçfarë njerëzit duan.

    Individët kanë të drejtat e tyre bazë kur liria nga moscënimi i pushtetit arbitrar që cënon direkt apo indirekt jetën, pronën dhe pasurinë e tyre është natyrisht primare. Sikundër James Madison, autori kryesor i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara dhe më pas një nga presidentët e parë të SHBA-së ka argumentuar: “Ashtu sikundër një person ka të drejta mbi pronat [pasurinë] e tij, ashtu ka edhe plotësisht të drejtë të ketë pronësi mbi të drejtat e tij”. Pra këto të drejta mos ti dhunohen në emër të një pushteti suprem, të përdorimit selektiv të ligjit, të ndërhyrjeve arbitrare apo vendimeve të padrejta të gjykatave.

    Edhe një gjë kaq e thjeshtë, e domosdoshme dhe e lirë në vlerë si lapsi na kujton Leonard Read te një ese paradigmatike e tij dhe më pas e risjellë në vëmendje nga Freedman-i, kërkon bashkërendimin e një sërë komponentësh që e përbëjnë të tillë si dru, grafiti, gur vullkanik, gomë, plastikë, ngjitës etj që vijnë nga vende të ndryshme dhe i përkasin punës së kombinuar të mijëra njerëzve anembanë globit. Pra edhe një gjë kaq e thjeshtë, është fryt i një procesi të komplikuar që ndodh pa ndonjë dorë rregullatore që do të alokonte burimet në mënyrë të centralizuar. Gjuha angleze që ka një fond prej mbi 1 milionë fjalësh nuk ka ardhur si rezultat i ndonjë planifikimi qendror apo kongresi gjuhëtarësh në nivel kombëtar apo ndërkombëtar por si rezultat i konvergjencave ‘natyrore’ të asimilimit të fjalëve të ndryshme apo krijimit të fjalëve të reja nga miliona prurje veprash artistike apo fjalësh të përditshme që kanë vërshuar si përrenj të vegjël në shtratin e madh të këtij lumi. Shumë nga ligjet më komplekse dhe universale kanë derivuar nga rregullat më të thjeshta sikundër na rikujton një nga leksionet më bazike të shkencave sociale.

    Sikundër Adam Smith e thotë shprehimisht në kryeveprën e tij Pasuria e Kombeve, të cilën pak nga ata që e citojnë vazhdimisht e kanë lexuar realisht “tregu është vet-rregullues. Çmimet priren të barazojnë kostot e prodhimit nën konkurrencë dhe prodhuesit gjithnjë përpiqen të furnizojnë masën e produktit që përputhet me kërkesën konsumatore. Pra tregu është një sistem i pashmangshëm. Në ndjekjen e fitimit, tregtarët çojnë burimet aty ku ndodhet kërkesa dhe si rezultat, çmimi arrin optimizimin e tij duke bërë që të kënaqet kërkesa. Pra burimet çohen aty ku duhen duke barazuar kostot dhe e gjithë kjo, mrekullisht pa asnjë drejtim të centralizuar apo të planifikuar nga një pushtet suprem.

    Shteti i vogël por i fortë që e bazon legjitimitetin e tij te e drejta, me burokraci të zvogëluar por efektive, funksionale dhe meritokratike që stimulon tregtinë e lirë, taksat e ulta, rregullat që krijojnë një mjedis miqësor për biznesin, lëvizje të lirë të njerëzve dhe kapitalit, mostolerim të korrupsionit, siguri fizike dhe pronësore për shtetasit e tij, është shteti që kërkojmë për të na garantuar liritë ekonomike, demokracinë dhe pjesëmarrjen pasi pa liri ekonomike nuk mund të ketë liri tjetër sikundër u hap edhe ky shkrim.

    Burimi: Gazeta Tirana Observer
    'Who is John Galt?'
    To say 'I love you' one must first be able to say the 'I' - Ayn Rand

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Cerebro
    Anëtarësuar
    11-07-2014
    Postime
    125

    Për: Liritë individuale si parakusht i së mirës shoqërore

    Shqipëria nuk po rrit të rritur, të pavarurit po i var
    Shqipëria nuk po rrit të rritur, të pavarurit po i var
    nga Haris Vongli {23/07/2014}

    Në Shqipëri, për arsye të shumta të cilat ne i dimë, paçka se nuk i pranojmë dhe as luftojmë, shoqëria operon në grup dhe jo si individ. koment foto ilustrimNuk ka asgjë të keqe “bashkëpunimi në grup”, por metamorfoza duhet të ndodhë jo nga grupi në individ, por nga individi në grup. Një person i gdhendur për të jetuar i pavarur, di shumë mirë të pozicionohet në grup, ndërsa një person i projektuar të marrë frymë në grup nuk mund të jetë kurrë një individ i shëndetshëm. Pasojat e këtij të fundit janë të rënda përsa i përket arritjeve personale, suksesit në karrierë, përshtatjes me shoqërinë dhe krijimit të familjes. Ky njeri vështirë të jetë i aftë, përkundrazi është i stepur dhe frikësuar, të bëjë gjënë e tij pa u shkarravitur në arritjet e tjetrit, pa u zvarritur pas mundësive të tjetrit. I vetëm do të mbytej me një pikë ujë. Dhe kjo mungon në shoqërinë tonë, sepse mungon koncepti i liderit që duhet të jetë brenda çdokujt. Sakaq, koncepti i liderit vjen nga pavarësia, vlerat, përshtatja në çdo terren të mundshëm ku jeta të përplas dhe guximi, guximi për të qenë dikush e për të bërë diçka. Për të mbijetuar, individi kryesisht ka një figurë të cilës i referohet, e kjo ndodh që në fëmijëri, ama çdo etapë formimi, që në vegjëli e më tej, ka kohën e vet. Nëse përballja jonë e përditshme me realitetin është frika, rrezikojmë që të mbetemi atje ku kemi lindur ndërkohë që fizikisht, për nga natyra, ndryshojmë. Përse i gjithë ky historik? Kjo sepse deformimi ynë shoqëror ka një ta kaluar, dhe kjo e kaluar tek disa, zgjat më shumë se sa tek disa të tjerë. Kjo periudhë e së kaluarës, nga e cila zor të shkëputemi, përcakton atë që ne vendosim të jemi nesër. Në shoqërinë shqiptare, pak veta ia dalin, dhe kjo sepse nuk provojnë. Në shoqërinë Shqiptare njerëzit janë frikacakë ndaj dhe nuk triumfojnë. Në shoqërinë Shqiptare mediokriteti është ujë i ndenjur tashmë, ndaj dhe nuk jemi shoqëri që gjenerojmë shumë vlera por antivlera. Në shoqërinë Shqiptare të rinjtë vetëm ankohen dhe nuk bëjnë asgjë, pushojnë dhe nuk punojnë, pinë kafe dhe harxhojnë lekë, ndërkohë që duhet të fitojnë dhe jetojnë përtej tavolinave me dy, katër apo më shumë karrige. Një njeri i suksesshëm, qëndron kryelartë në poltronin e tij tek, dhe duke qenë i tillë di të komportohet fare lehtësisht në një grup më të madh. Në Shqipëri mungon hyzmeti ndërkohë që njerëzit ankohen për kismetin. Kismeti është aty, për të gjithë ne, i duhet, thjesht, bërë hyzmeti. Çdo ditë vë re se si vegjetimi shitet si një pamundësi ndërkohë që është dëshirë të vegjetosh, ose mungesë dëshire të reagosh. Çdo ditë përtesa shitet si “fajin e ka tjetri”. Çdo ditë dështimet tona ia faturojmë jo vetes. Çdo ditë mungesa e përgjegjësisë dhe idealeve na fundosin më shumë e më thellë në “strofkën e mamit dhe babit”.

    Një gjë është e sigurtë, nëse prindi nuk të shtyn të ecësh vet, të dëmton duke të mbajtur të paralizuar. Një gjë tjetër është po ashtu e sigurtë, nëse prindi nuk ngre zërin zhvillon tek ty heshtjen. Duke menduar se prindërit bëjnë mirë, në të vërtetë ata bëjnë keq, me apo ndërgjegje sjellja e tyre dhe metodologjia e edukimit të fëmijëve, prishin të ardhmen e fëmijës duke mos i bërë këta të fundit të ndihen të pavarur dhe të zotë për t’ia dalë mbanë vet në jetë. Janë prindërit ata që i ndalojnë fëmijës të ndihen të dobishëm dhe të rritur. Janë prindërit ata që si mësojnë fëmijëve se si të fluturojnë. Në shoqërinë Shqiptare, ky fenomen është i përhapur në masë. Fëmijëve i është kërkuar gjithmonë të binden pa i lënë të lirë të gabojnë, provojnë, eksperimentojnë, rrezikojnë, mësojnë e përse jo të triumfojnë. Shumë pak prej tyre ia kanë dalë, ndofta ata që janë larguar nga gjiri familjar ende në kohë gjatë forumit të tyre karakterial dhe individual. Ndikimi i prindërve në zhvillimin psikologjik të fëmijëve të tyre është ose i duhur ose i gabuar. Rrugë të tretë nuk ka. Çdo rrugë tjetër është justifikim për vetëkënaqësi personale, mohim i përgjegjësive dhe marrja përsipër e gabimeve të pa çbëshme tanimë. Roli kryesor i prindërve është kujdesja ndaj fëmijëve në moshë ende të vogël dhe përgatitja e tyre për të mbijetuar, më vonë, si individë të pavarur dhe të rritur. Në të kundërt, edhe dashuria më e madhe është shkatërruese. Mua më dhemb fryma e familjeve shqiptare për të bërë pothuajse gjithmonë gjënë jo të duhur. E më problematikët, rezultojnë të jenë fëmijët të cilën kërthizën e kanë përjetësisht të lidhur me familjen. Ata nuk shkëputen dot nga e kaluara për të ngritur të ardhmen e tyre. Kjo dëmton jo vetëm personin, por një grup të tërë, një shoqëri të tërë, nuk ngjiz dot individë. Ndaj dhe shoqëria jonë është vështirë të përshtatet, të integrohet, të përmirësohet, të guxojë, të fitojë. Nënshtrimi vjen që prej lindjes dhe pasqyrohet gjatë gjithë rrugës së jetës sonë. Dhe jeta është e shkurtër për të rifituar kohën e humbur. Vetëm luftë me kohën që nuk bëhet. Duke bërë mirë dhe punën e duhur me fëmijët, bën mirë, si rrjedhojë, edhe punën e duhur me mbarë njerëzimin. Pas tyre si trashëgimi, prindërit duhet të lënë fëmijë të krijuar jo për egon e tyre, por për vetë fëmijët, e theksoj, për vazhdimësinë, për ligjet e natyrës. Çdo brez, ka për detyrë të lërë pas një shenjë që bën ndryshim, që përmirëson familjen, shoqërinë, që përmirëson botën, por së pari vetë individin.

    GazetaMAPO
    Tomorrow Never Dies.

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •