Shqipëria nuk po rrit të rritur, të pavarurit po i var
nga
Haris Vongli {23/07/2014}
Në Shqipëri, për arsye të shumta të cilat ne i dimë, paçka se nuk i pranojmë dhe as luftojmë, shoqëria operon në grup dhe jo si individ. koment foto ilustrimNuk ka asgjë të keqe “bashkëpunimi në grup”, por metamorfoza duhet të ndodhë jo nga grupi në individ, por nga individi në grup. Një person i gdhendur për të jetuar i pavarur, di shumë mirë të pozicionohet në grup, ndërsa një person i projektuar të marrë frymë në grup nuk mund të jetë kurrë një individ i shëndetshëm. Pasojat e këtij të fundit janë të rënda përsa i përket arritjeve personale, suksesit në karrierë, përshtatjes me shoqërinë dhe krijimit të familjes. Ky njeri vështirë të jetë i aftë, përkundrazi është i stepur dhe frikësuar, të bëjë gjënë e tij pa u shkarravitur në arritjet e tjetrit, pa u zvarritur pas mundësive të tjetrit. I vetëm do të mbytej me një pikë ujë. Dhe kjo mungon në shoqërinë tonë, sepse mungon koncepti i liderit që duhet të jetë brenda çdokujt. Sakaq, koncepti i liderit vjen nga pavarësia, vlerat, përshtatja në çdo terren të mundshëm ku jeta të përplas dhe guximi, guximi për të qenë dikush e për të bërë diçka. Për të mbijetuar, individi kryesisht ka një figurë të cilës i referohet, e kjo ndodh që në fëmijëri, ama çdo etapë formimi, që në vegjëli e më tej, ka kohën e vet. Nëse përballja jonë e përditshme me realitetin është frika, rrezikojmë që të mbetemi atje ku kemi lindur ndërkohë që fizikisht, për nga natyra, ndryshojmë. Përse i gjithë ky historik? Kjo sepse deformimi ynë shoqëror ka një ta kaluar, dhe kjo e kaluar tek disa, zgjat më shumë se sa tek disa të tjerë. Kjo periudhë e së kaluarës, nga e cila zor të shkëputemi, përcakton atë që ne vendosim të jemi nesër. Në shoqërinë shqiptare, pak veta ia dalin, dhe kjo sepse nuk provojnë. Në shoqërinë Shqiptare njerëzit janë frikacakë ndaj dhe nuk triumfojnë. Në shoqërinë Shqiptare mediokriteti është ujë i ndenjur tashmë, ndaj dhe nuk jemi shoqëri që gjenerojmë shumë vlera por antivlera. Në shoqërinë Shqiptare të rinjtë vetëm ankohen dhe nuk bëjnë asgjë, pushojnë dhe nuk punojnë, pinë kafe dhe harxhojnë lekë, ndërkohë që duhet të fitojnë dhe jetojnë përtej tavolinave me dy, katër apo më shumë karrige. Një njeri i suksesshëm, qëndron kryelartë në poltronin e tij tek, dhe duke qenë i tillë di të komportohet fare lehtësisht në një grup më të madh. Në Shqipëri mungon hyzmeti ndërkohë që njerëzit ankohen për kismetin. Kismeti është aty, për të gjithë ne, i duhet, thjesht, bërë hyzmeti. Çdo ditë vë re se si vegjetimi shitet si një pamundësi ndërkohë që është dëshirë të vegjetosh, ose mungesë dëshire të reagosh. Çdo ditë përtesa shitet si “fajin e ka tjetri”. Çdo ditë dështimet tona ia faturojmë jo vetes. Çdo ditë mungesa e përgjegjësisë dhe idealeve na fundosin më shumë e më thellë në “strofkën e mamit dhe babit”.
Një gjë është e sigurtë, nëse prindi nuk të shtyn të ecësh vet, të dëmton duke të mbajtur të paralizuar. Një gjë tjetër është po ashtu e sigurtë, nëse prindi nuk ngre zërin zhvillon tek ty heshtjen. Duke menduar se prindërit bëjnë mirë, në të vërtetë ata bëjnë keq, me apo ndërgjegje sjellja e tyre dhe metodologjia e edukimit të fëmijëve, prishin të ardhmen e fëmijës duke mos i bërë këta të fundit të ndihen të pavarur dhe të zotë për t’ia dalë mbanë vet në jetë. Janë prindërit ata që i ndalojnë fëmijës të ndihen të dobishëm dhe të rritur. Janë prindërit ata që si mësojnë fëmijëve se si të fluturojnë. Në shoqërinë Shqiptare, ky fenomen është i përhapur në masë. Fëmijëve i është kërkuar gjithmonë të binden pa i lënë të lirë të gabojnë, provojnë, eksperimentojnë, rrezikojnë, mësojnë e përse jo të triumfojnë. Shumë pak prej tyre ia kanë dalë, ndofta ata që janë larguar nga gjiri familjar ende në kohë gjatë forumit të tyre karakterial dhe individual. Ndikimi i prindërve në zhvillimin psikologjik të fëmijëve të tyre është ose i duhur ose i gabuar. Rrugë të tretë nuk ka. Çdo rrugë tjetër është justifikim për vetëkënaqësi personale, mohim i përgjegjësive dhe marrja përsipër e gabimeve të pa çbëshme tanimë. Roli kryesor i prindërve është kujdesja ndaj fëmijëve në moshë ende të vogël dhe përgatitja e tyre për të mbijetuar, më vonë, si individë të pavarur dhe të rritur. Në të kundërt, edhe dashuria më e madhe është shkatërruese. Mua më dhemb fryma e familjeve shqiptare për të bërë pothuajse gjithmonë gjënë jo të duhur. E më problematikët, rezultojnë të jenë fëmijët të cilën kërthizën e kanë përjetësisht të lidhur me familjen. Ata nuk shkëputen dot nga e kaluara për të ngritur të ardhmen e tyre. Kjo dëmton jo vetëm personin, por një grup të tërë, një shoqëri të tërë, nuk ngjiz dot individë. Ndaj dhe shoqëria jonë është vështirë të përshtatet, të integrohet, të përmirësohet, të guxojë, të fitojë. Nënshtrimi vjen që prej lindjes dhe pasqyrohet gjatë gjithë rrugës së jetës sonë. Dhe jeta është e shkurtër për të rifituar kohën e humbur. Vetëm luftë me kohën që nuk bëhet. Duke bërë mirë dhe punën e duhur me fëmijët, bën mirë, si rrjedhojë, edhe punën e duhur me mbarë njerëzimin. Pas tyre si trashëgimi, prindërit duhet të lënë fëmijë të krijuar jo për egon e tyre, por për vetë fëmijët, e theksoj, për vazhdimësinë, për ligjet e natyrës. Çdo brez, ka për detyrë të lërë pas një shenjë që bën ndryshim, që përmirëson familjen, shoqërinë, që përmirëson botën, por së pari vetë individin.
GazetaMAPO
Krijoni Kontakt